Cilave institucione u besojmë më shumë, cilave më pak?
Përgjigjja ndryshon sipas kulturave, ekonomive dhe sistemeve politike, edhe pse disa prirje të përgjithshme ekzistojnë.
Kështu, sipas sondazheve të ndryshme (si ky, i ndërmarrë nga Harris Poll), edhe në SHBA edhe në Europë, publiku nuk i beson shumë shtypit dhe mediave, duke përfshirë edhe televizionin; po ashtu, një pjesë shumë e madhe e publikut, në të dy anët e Atlantikut nuk u beson partive politike, sindikatave dhe qeverive; në SHBA, është përsëri një shumicë që nuk i beson Kongresit.
Përkundrazi, mes institucioneve të cilave publiku perëndimor u beson, ushtarakët zënë vend të parë, si në Europë ashtu edhe në Amerikë; të ndjekura nga institucionet fetare dhe bamirësitë.
Komentatori i njohur politik Fareed Zakaria vëren se publiku amerikan duket t’u besojë më shumë institucioneve që nuk zgjidhen me rrugë demokratike – p.sh. ushtrisë, kishës, gjykatës së lartë, bamirësive, Kryqit të Kuq e kështu me radhë, sesa atyre institucioneve të tjera, të cilat mund t’i zgjedhë vetë, duke votuar. Kështu, nëse sipas një sondazhi të kryer në vitin 2006, amerikanët treguan “shumë besim” në ushtarakët (47%), të ndjekur nga business-i i vogël (45%), kolegjet dhe universitetet (38%), Gjykata e Lartë (33%), shëndetësia(31%) dhe feja e organizuar (30%), besimi binte ndjeshëm kur vinte puna për firmat juridike (10%), Kongresi (10%), sindikatat (12%), korporatat (13%) dhe shtypi (14%).
Edhe pse sondazhe të tilla me publikun në Shqipëri zakonisht nuk ndërmerren, ose edhe kur ndërmerren janë joserioze dhe financohen nga partitë politike, përsëri nuk është e vështirë të nxjerrësh përfundimin se publiku i atjeshëm nuk i beson shumë as qeverisë, as partive politike, as parlamentit e ndoshta as Presidentit të Republikës. Çfarë është më e vështirë, është të marrësh me mend se cilit institucion i beson sot më shumë publiku shqiptar – unë do të përmendja NATO-n, Bashkimin Europian, ambasadorin e SHBA në Tiranë… por nuk besoj se institucione të tjera, si fetë e organizuara, ushtria, shtypi dhe mediat në përgjithësi, bamirësitë, universitetet dhe shkollat publike dhe private, gjyqësori, Prokuroria e Përgjithshme, doganat, policia dhe OJQ-të gëzojnë ndonjë farë besimi të krahasueshëm me çfarë ndeshet përndryshe në Perëndim.
Për ta thënë me pak fjalë, mosbesimi për institucionet e zgjedhura me votë demokratike na bashkon me Perëndimin; por qëndrimi ndaj institucioneve të tjera, të cilat nuk varen nga vota e publikut, na ndan prej Perëndimit.
Shqiptari tipik e sheh qeverinë dhe në përgjithësi politikën si një të keqe të nevojshme; dhe vetëm sa pret prej qeverisë që t’ia zgjidhë disa probleme të përditshme, që kanë të bëjnë me strehimin, punësimin, shkollimin, çmimet, trafikun, mjedisin, shërbimin mjekësor, ruajtjen e rendit, e kështu me radhë. Kjo lidhet drejtpërdrejt me paradoksin e mosbesimit të publikut (jo vetëm shqiptar), ndaj të gjithë atyre elitave të cilave, së paku formalisht, pushteti u varet nga vota dhe miratimi i publikut…
Gjithnjë të vjen në mend thënia e njohur e Groucho Marx, i cili refuzonte të anëtarësohej në atë klub që do ta pranonte si anëtar!
Këtë skizofreni në raportet midis publikut dhe institucioneve të zgjedhura e sheh të pasqyruar edhe në mënyrën si funksionojnë këto të fundit – në Shqipëri, por edhe gjetiu në Europë. Që tanët janë gjithnjë të gatshëm të heqin dorë nga mandati i sovranitetit që u kanë dhënë zgjedhësit, për këtë nuk ka dyshim; madje ndonjëherë të duket sikur veprimet e qeveritarëve tanë nuk kanë dhe aq të bëjnë me përgjegjshmërinë e tyre ndaj publikut, sesa me detyrimet që kanë ndaj padronëve të ndryshëm – krimit të organizuar, korporatave e grupeve të interesit e sidomos organizmave ndërkombëtare dhe fuqive të huaja të cilat, pas gjase, i ndihmojnë për të qëndruar në pushtet.
E provon këtë edhe gatishmëria për të hartuar dhe miratuar ligje të cilat nuk i përgjigjen ndonjë nevoje të publikut, por shërbejnë si prova të vullnetit të mirë ndaj Bashkimit Europian, Bankës Botërore, Këshillit të Europës dhe organizmave të tjera ndërkombëtare, të cilave politika shqiptare kërkon t’u besojë me çdo kusht.
Çka tregon edhe se jo vetëm publiku nuk u beson institucioneve që i ka zgjedhur me votën e vet; por edhe të zgjedhurit nuk duan t’ia dinë për publikun që i ka zgjedhur.
Këtu mund të bëhet edhe pyetja nëse shqiptari i beson vërtet demokracisë si forma më e suksesshme dhe më etike e ushtrimit të pushtetit dhe të sovranitetit; por kësaj pyetjeje nuk i përgjigjemi dot, madje edhe sikur të kryenim sondazhe të gjëra dhe të paanshme me publikun e atjeshëm.
Megjithatë, sondazhi hipotetik mund të ndërtohej në mënyrë të tillë, që qëndrimi i publikut ndaj demokracisë të merrej në pyetje nëpërmjet temash konkrete dhe çështje të jetës së përditshme – dhe një sondazhi të tillë kam frikë se nuk do t’ia pëlqenim shumë rezultatet.
Nënshtrimi i bindur i institucioneve të zgjedhura në Shqipëri ndaj vullnetit të agjencive të ndryshme ndërkombëtare si Bashkimi Europian, NATO-ja, SHBA e të tjera si këto tradhton edhe një farë bezdie, të këtyre institucioneve, ndaj vetë konceptit të sovranitetit. Qeveria në Tiranë do të ndihej më mirë, sikur prej saj të kërkohej të luante rolin e mëkëmbësit të një fuqie të jashtme – p.sh. të Bashkimit Europian, ku paradoksalisht nuk na qasin, edhe pse nga vendet e Europës jemi ai që më shumë e dëshiron anëtarësinë.
Duket sikur publiku e dëshiron Europën për të hequr qafe, njëherë e mirë, autoritetin e qeverisë së vet sovrane, të cilën e percepton si përfundimisht të korruptuar dhe të kapur nga interesat e krimit; ndërsa elitat politike e dëshirojnë Europën për të shpëtuar, një herë e mirë, nga përgjegjshmëria që i shoqërohet, logjikisht, sovranitetit kombëtar dhe identitetit të tyre demokratik, së paku në formë.
Këtu mund të pyetet edhe nëse Shqipëria dëshiron apo jo të jetë shtet i pavarur; por këtë pyetje për momentin po e lë mënjanë; së bashku me pyetjen tjetër, nëse të zgjedhurit i besojnë publikut që i ka zgjedhur apo jo; ose, së paku, nëse i besojnë po aq sa edhe Bashkimit Europian dhe NATO-s.
Nga ana tjetër, raportet e sovranitetit me anëtarësimin në organizma ndërkombëtare po diskutohen gjallërisht në shumë tribuna e forume europiane; meqë në Perëndim shumëkush nuk është gati të heqë dorë nga e drejta e sovranitetit, madje edhe për hir të paqes, mirëqenies ose bashkërendimit ekonomik. Megjithatë, kundërshtimi ndaj praktikave dhe arrogancës eurokratike të Brukselit vjen, si rregull, nga institucione, praktika dhe tradita të rrënjosura në histori; jo nga politikanët, të cilët gjithnjë e më tepër qeverisjen po e interpretojnë si negocim të interesave komunitare me opinionin e kudogjendur të ekspertëve.
Nuk është, pra, për t’u habitur shumë që vendi më i përgatitur për stadin e politikës post-sovrane në Europë e më gjerë të rezultojë pikërisht Shqipëria, sado që deri më sot e kanë pranuar praktikisht të fundit në të gjitha organizatat ndërkombëtare që themelohen mbi kufizimin e sovranitetit…
Institucionet qe ndjehen si eficente jane ato qe gezojne besimin tek njerezia; njesia matese e institucioneve eshte eficenca jo menyra e zgjedhjes. Vetem vendet e reja ne demokraci i gezohen menyres se zgjedhjes.
Ushtria, biznesi i vogel, universitetet etj ne Amerike jane edhe krenaria amerikane.
Ushtria, zakonisht ne vendet ku nje sistem eshte rrenjosur, perben edhe institucionin me eficent, per shkak te vecorive qe ka ai institucion, te cilat synojne vetem eficencen.
Aty ku mungon eficenca e ushtrise, kemi edhe nje sistem te lekundur.
Institucionet e zgjedhura ne menyre demokratike, vuajne marreveshjet e ndryshme qe jane te detyruara te behen per ti futur ne pune. Kane cmim te larte, i cili bie i gjithi tek kurrizi i popullit. Vecse populli eshte gati ta paguaje cmimin e larte per hir te lirise e sigurise, te cilat jane dy te mirat kryesore per barkplotet qe arrijne te shohin ne pasqyre jo vetem te tashmen por edhe te ardhmen.
Krejt ndryshe eshte per ata qe ndihen barkthare me te ardhme te zymte ; ky cmim eshte teper i larte per tu paguar, kerkohet eficenca e plote edhe ne dem te lirise e deri diku sigurise ( kjo ne fakt eshte kurdohere e mira supreme) keshtu qe keta njerez kushtezojne gjithmone lirine e te gjitheve ( o duke bere vjedhje, o duke marre ndihmesa te majme sociale o duke votuar per diktaturen).
Shqiptaret ndihen barkthare me te ardhme te zymte, keshtu qe sovraniteti shteteror ( duhet zevendesuar nje dite me sovranitetin kombetar per te futur hundet ne punet e shteteve te tjera) eshte lehtesisht i sakrifikueshem, pra liria e te gjitheve (edhe imja) kushtezohet prej ketyre qe jane shumica derrmuese.
Pra demokracia si sistem po kufizon nje liri te pamohueshme timen.
Gjithsesi, per tu kthyer edhe njehere tek eficenca, ne nuk besojme tek asnje instucion shqiptar, sepse asnje nuk eshte eficent, nderkaq BE, NATO-ja e ambasadori amerikan, shihen si kulmi i eficences.
Sapo te filloje e te ndihet eficenca e shtetit, shqiptaret qe sot jane me eurofilet, neser do jene te paret qe do shqetesohen per lirine e tyre e vetiu edhe sovranitetin shteteror e mbase edhe sovranitetin kombetar.