SAKRIFICA DHE HERONJ (VI)

Heroi shpesh vlen më shumë i vdekur se i gjallë, sidomos kur vjen puna për ta përdorur politikisht.

Këtë e ilustron më së miri historia kontroversiale e Pat Tillman-it, që e pata përmendur kalimthi në një seksion të mëparshëm të kësaj teme e që tani po e përmbledh në vijim, duke u mbështetur kryesisht në çka raporton Wikipedia.

Para se të bëhej i famshëm për vdekjen e tij “heroike”, Tillman njihej prej publikut sportdashës në SHBA si lojëtar i shquar i futbollit amerikan; por në maj të vitit 2002 ai refuzoi një kontratë prej 3.6 milion dollarësh nga Cardinals, për t’u regjistruar vullnetar në U.S. Army, së bashku me vëllanë e vet. Pasi mori pjesë në operacionet ushtarake të pushtimit të Irakut (Iraqi Freedom), Tillman u kthye ca kohë në SHBA, por më vonë u dërgua përsëri të luftonte në Afganistan, ku edhe u vra në 22 prill të vitit 2004.

Rrethanat e vrasjes së Tillman janë ende të pasqaruara, dhe vijojnë të hetohen nga Kongresi i SHBA.

Fillimisht, u njoftua se Tillman së bashku me njësinë e vet kishin rënë në pritë; dhe Tillman ishte vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me tradhtarë të milicisë afgane.

Më pas, një hetim më i hollësishëm tregoi se vdekja e Pat Tillman kish ardhur si rezultat i zjarrit “miqësor” (friendly fire, ç’oksimoron i ngjethshëm: përfytyroni plumbin që ju afrohet gjithë dashuri, në slow motion, à la Matrix); me fjalë të tjera, Patin e kishin vrarë aksidentalisht të vetët.

Më pas akoma, një hetim edhe më i hollësishëm, arriti në përfundimin se shkëmbimi i zjarrit që kishte çuar në vrasjen e Tillman-it kish ndodhur i paprovokuar nga forca të armikut, meqë të tilla forca të armikut në vendin e ngjarjes as kishte pasur fare (me përjashtim të një cjapi të paidentifikuar ndryshe).

Sipas një raporti të Gjeneral Brigade Gary M. Jones, hetuesit e ushtrisë amerikane e kishin të qartë, menjëherë pas incidentit, se Tillman kish rënë viktimë e zjarrit të kolegëve të vet, i qëlluar tri herë në kokë. Megjithatë, ushtarakët e lartë amerikanë, duke përfshirë edhe Gjeneral John Abizaid, e miratuan dekorimin e viktimës me Yllin e Argjendtë, Zemrën e Purpurt dhe gradimin pas vdekjes.

PT42Në motivacionin e Yllit të Argjendtë, ndër të tjera, thuhej se Tillman dha jetën nën “zjarrin shkatërrues të armikut”; ndërsa gjatë varrimit televiziv të këtij heroi, të transmetuar anembanë SHBA, Tillman haptazi u lëvdua si hero rënë në përpjekje me armikun në fushë të betejës.

Ndërkohë, ishte marrë vesh se kolegët e Tillman-it ia kishin djegur e bërë shkrumb xhaketën anti-plumb dhe uniformën, pas gjase për të zhdukur provat e çka kishte ndodhur realisht. Megjithatë, hetuesi që i zbuloi këto fakte komprometuese, shprehu mendimin se, pavarësisht se u vra prej të vetëve, Tillman-it nuk i duheshin hequr titujt dhe medaljet, meqë ai “kishte gjithsesi ndërmend të përleshej me armikun”.

Kur e vërteta nisi të dalë në shesh, e jëma e viktimës, Mary Tillman, i deklaroi shtypit se “pas ngjarjes, autoritetet qëllimisht e penguan hetimin, për ta mbajtur të fshehtë të vërtetën. Kishin frikë se mos kjo e vërtetë do t’ua minonte përpjekjet e tyre për të rekrutuar ushtarë të rinj.”

Familja Tillman veçanërisht shprehu indinjatën e vet, që vrasja aksidentale e Patit ishte përdorur, nga Pentagon-i, për qëllime propagandistike mashtruese.

Një tjetër version, edhe më komprometues, i vrasjes së këtij heroi sintetik filloi të qarkullojë në mediat: dhe pikërisht që Tillman ishte likuiduar gjatë një të ashtuquajturi “operacion të zi”; ky version mbështetej në një raport të mjekëve që e vizituan të vrarin në fushë të betejës, për të arritur në përfundimin se këtij i kishin shtënë në ballë nga një distancë fare e afërt.

Kjo, ngaqë Pati kishte ndërruar tashmë mendim për politikën amerikane në Gjirin Persik dhe në Afganistan; dhe po bëhej gati të deklaronte publikisht se ndërhyrja amerikane në Irak ishte e paligjshme. Njëlloj si gjarpri mitik Ouroboros, ironia do të përmbyllej duke u orvatur të kafshonte bishtin e vet.

Çuditërisht, një pjesë e madhe e opinionit publik amerikan, edhe pse është bindur tashmë se asgjë heroike nuk ka pasur në vdekjen e Patit, vijon ta trajtojë atë si hero – por për arsye të ndryshme, në mos të kundërta, me ato të Pentagonit; dhe fushata e trashë propagandistike e zelltarëve të Rumsfeld-it & Co. kontribuoi, sado tërthorazi, në zgjedhjen e Obamës president pak vite më vonë.

Historinë e Tillman-it e kam ndjekur qëkur filluan të dalin në dritë, në mediat, njoftimet e para për friendly fire; meqë plumbi që të vjen nga pas shpine mund të fluturojë në krahët e rastësisë e të fatalitetit, por mund edhe ta ketë frymëzuar arsyeja e shtetit – famëkeqja raison d’état.

M’u përhi menjëherë, në ato kohë të zymta, drama Les Mains Sales e Sartre-it, e ndërtuar rreth motivit të vrasjes së një eksponenti politik të rezistencës në vendin imagjinar të Ilirisë (nuk tallem), gjatë viteve të Luftës II Botërore.

Udhëheqësi në fjalë, Hoederer, është një komunist që kërkon të zgjerojë bashkëpunimin me forca të tjera politike – diçka si Ymer Dishnica ynë në Mukje… Për këtë arsye, një grup sektar brenda partisë së Hoederer mendon se ky i fundit duhet të hiqet qafe; dhe misioni vrastar i ngarkohet Hugo-it, komunist i ri e i përkushtuar.

Drama meriton të lexohet; më mirë akoma, të shijohet në teatër. Për mua, është më e arritura e Sartre-it; por këtu jam i detyruar ta parashtroj në mënyrë fare skematike e të thjeshtëzuar, madje ta shfrytëzoj për të mbështetur një tezë timen jashtëletrare.

Djaloshi Hugo, së bashku me gruan e vet Jessica, jetojnë ca kohë me viktimën e ardhshme, derisa të gjejnë momentin e përshtatshëm për ta vrarë. Megjithatë, pasi afrohet me Hoederer-in dhe joshet prej charmes-ve të tij intelektuale, Hugo-i gjen tek ai figurën atërore që ndoshta i kishte munguar deri atëherë, për të përkryer kalimin nga djalëria në pjekuri; por një ditë prej ditësh e kap mentorin e vet gafil duke u puthur me Jessica-n dhe e vret në xhelozi e sipër.

Ironikisht, pas përfundimit të luftës, vija politike e Hoederer-it miratohet nga Moska; dhe Hoederer-i vetë do të adhurohet si udhëheqës i madh dhe hero.

Kur e kam lexuar për herë të parë këtë dramë të Sartre-it, në Tiranën e viteve 1980, mund të përfundoje lehtë në burg po të të përgjonin të thoje se, bie fjala, Qemal Stafën nuk e kish tradhtuar askush tjetër, përveçse Tarasit (Shpatit). Nga ana e vet, Tarasi (Shpati) ndërkaq po tirrte në memuaret e veta gjithfarë historish për Mustafa Gjinishin, Nako Spirun e të tjerë heronj herë të djeshëm e herë të harruar, për të cilët gjithashtu thuhej se ishin vrarë tradhtisht e prapa krahëve, për t’u nderuar më pas si shahitë të revolucies e për t’u hapur punë skulptorëve të popullit, arkitektëve të lapidarëve dhe zyrës së pagëzimeve të anijeve të flotës sonë tregtare e të ri-emërtimeve të rrugëve urbane.

Ndoshta një fat të ngjashëm ia kish dëshiruar vetes edhe Mehmet Shehu, tek i kërkoi Byrosë Politike që, kur ta lajmëronin vdekjen e tij në popull, të thoshin se “i shkrepi arma në dorë”; se ashtu gjithnjë do t’i këndoheshin këngë në Festival të Gjirokastrës, njëlloj si të tjerëve, të cilëve edhe ai ua dinte mirë historitë, meqë ndoshta edhe kish ndihmuar pak për t’u dhënë formën e duhur.

Kthehemi kështu përsëri te zjarri miqësor – në betejë e sipër, shpesh është e pamundur të thuash se nga ç’anë ka ardhur plumbi; aq më tepër kur të vdekurit kjo farë busulle interpretative nuk mund t’i interesojë më.

Drama e Sartre-it duhej të ish vënë në skenë me përparësi nga Teatri Popullor; madje para En Attendant Godot të Beckett-it; sepse mesisë nuk i dihet se kur do të vendosë të zbresë mes vdekëtarëve, por ndërkohë heronjtë janë gjithnjë të nevojshëm; aq më tepër në kohën e sotme të paranojës, kur të vërtetat ndiqen e persekutohen rregullisht nga përgënjeshtrimet dhe teoritë e komploteve (ose e kundërta).

Shpejt e shpejt, po më vijnë ndërmend tre heronj të mbramë, të pas 1990-ës, përfolur e adhuruar për arsye të ndryshme, shpesh konfliktuale – Arben Broci, Azem Hajdari dhe Kostaq Trebicka. Këta i bashkon jo vetëm vdekja, por edhe përsiatjet se mos janë vrarë pas krahëve, me urdhër të dikujt; sipas një skenari i cili i manifestohet publikut si i kundërt me vetveten.

Hipoteza të foul play nuk munguan as në vazhdën e vdekjes aksidentale të pronarit të Top Channel, Dritan Hoxhës; i cili u përplas me një pemë, teksa ngiste me shpejtësi të madhe, në zemër të natës, veturën e vet Ferrari (variant cool i së dikurshmes “i plasi arma në duar”). Edhe këtë herë, vdekja e menjëhershme, madje e rrufeshme i shërbeu si piedestal i gatshëm heroizimit; teprimeve shijekëqia në mediat, banaliteteve të hatashme dhe, në përgjithësi, sentimentalizmit provincial, i cili tashmë i shërben si emërues i përbashkët disponimeve shpirtërore publike të elitave në Tiranë.

Të tërheq vëmendjen, në të gjitha këto rrëfenja me vrasje, sesi vdekja e heronjve i ka shërbyer politikës shumë më tepër se vepra e tyre për së gjalli; madje kjo e fundit është mundur të rivlerësohet vetëm pas vdekjes, duke u interpretuar sërish, madje rishkruar nga e para, me një zell orwellian për t’u admiruar.

Pas vdekjes së Pat Tillman-it, në Afganistan, mediat e regjimit e shndërruan viktimën në role model për rininë patriotike amerikane, që ishte gati të jepte jetën për “lirinë”; madje krejt biografinë, duke përfshirë veçanërisht karrierën e tij sportive, ia riorkestruan në mënyrë të tillë, që të shpinte logjikisht drejt aktit suprem të flijimit.

Diçka e ngjashme ndodhi në Shqipëri me Dritan Hoxhën e Top Channel-it; businessman shumë i suksesshëm e ndoshta vizionar, por që e mbingarkuan, në mënyrë fund e krye banale, me dekorata morale; thuase këtij i ishte shfaqur në ëndërr Pjetër Bogdani ose Mustafa Kruja (ose të dy bashkë), për t’i kërkuar që ta mbante të ndezur pishën e shqiptarisë në Ballkan e gjetiu në dynja. Më herët akoma, të njëjtat teprime, doemos kundërprodhuese, i kam ndeshur në mënyrën si është sheqerosur, gjithnjë pamëshirshëm nga mediat, emri i Teodor Kekos – edhe ky një figurë publike e shumëdashur dhe shkrimtar i mirë, që u largua nga jeta ende i ri; e që vetë i pari do të tallej me ç’është thënë për të pas vdekjes.

Po e mbyll me një kujtim nga fëminia; dikur në vitet 1960, kur lexoja me etje të pashembullt gjithfarë historish me partizanë trima, gjermanë, ballistë e tradhtarë (e kur seriozisht më shqetësonte çështja nëse do të isha në gjendje t’u bëja ballë torturave nëse, hipotetikisht, bija ndonjëherë në duar të armikut), jam habitur pa masë, kur kam marrë vesh skandalin se Lym Keta – ky atentator sypatrembur, për të cilin kisha lexuar gjithfarë tregimesh e biografish të letrarizuara, e të cilit bëmat ia kisha ripërjetuar në mendje me dhjetëra herë – qenkësh ende gjallë.

2 Komente

  1. Kam përshtypjen se heroi është ai që jep jetën për lirinë, të tjerët më pak fatlumë, japin lirinë për jetën. P.S. Kush është ky Lym Keta? Mos është Myslym Keta? Si ka mundësi, kemi jetuar në një rrugë që mbante emrin e një njeriu akoma të gjallë?

  2. Ne fakt, besoj se emrin rruges do ia kene vene pasi komandanti tankist, ish-atentatori legjendar Lymi vdiq aksidentalisht. Vetem se vdekja e tij aksidentale, po me automobil, nuk iu nenshtrua dot procedures idolatrike “live fast/die young ” (James Dean) si Dritan Hoxha, por varianti qe u mbyt nen ze (Ju flet Londra!) ishte ai qe i rezervojme Kostaq Trebickes (The man who knew too much)(meqe ra llafi, eshte i vetmi film qe Hitchcock e ka bere dy here)

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: