Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Media

THEKRA NGECUR NË FYT

Të paktën dy gazeta në Tiranë e kanë reklamuar përkthimin në shqip të romanit Catcher in the Rye të J. D. Salinger duke përcjellë një artikull të vjetër të Astrit Lulushit, për kinse lidhjet burimore midis kësaj kryevepre të letërsisë moderne amerikane dhe një vizite misterioze të autorit Salinger në Shqipërinë e viteve 1950.

Gazeta Shqiptare e botoi shkrimin e vet edhe në faqen në Internet, edhe në suplementin Milosao, i cili ende mund të shkarkohet në versionin PDF; praktikisht të njëjtin shkrim dhe të njëjtat argumente sjell edhe gazeta Standard e dt. 27 maj 2009. Për fat të keq, Milosao harron të përmendë emrin e autorit të një shkrimi që i kap 2-3 faqe të gazetës; edhe pse së paku pjesë të gjata të këtij artikulli janë verbatim të Astrit Lulushit, i cili e botoi kontributin e vet në fushën e hetimit biografik-letrar në dhjetor të vitit 2006, në disa forume të Internetit njëkohësisht, duke përfshirë edhe Alb-Club.

Shkruante asokohe Lulushi:

Një tregim me të njëjtin emër personazhi Salingeri e kishte shkruar disa vjet më parë. Kurse më vonë, në biseda të ndryshme, ai thoshte se për “Holdenin” një tregim ishte pak; ai meritonte një libër të plotë. Dhe libri The Catcher in the Rye doli nga shtypi më 1951, një vit pasi autori ishte kthyer nga një vizitë si gazetar në disa vende të Evropës Lindore. Kolegu i tij, gazetari veteran G. Talese, shkrimtar i njohur e historian, në librin e tij The Kingdom and the Power, thotë se në vitin 1950, Salingeri kishte ndaluar edhe në Shqipëri. Duke u mbështetur në këtë pohim, mund të thuhet se Salingeri është i pari gazetar amerikan, e ndoshta i vetmi, që ka vizituar Shqipërinë gjatë periudhës së diktaturës. Talese thotë se në dhjetor të vitit 1950 ai e takoi Salingerin rastësisht në Union Station, stacioni qendror i trenave në Nju-Jork. Duke ecur e biseduar, Salingeri u ndal para një kioske, duke thënë se gjatë qëndrimit në Shqipëri ai kishte njohur një person që e kishte ndihmuar shumë, prandaj po blinte një kartolinë për t’ia dërguar mikut të tij në shenjë mirënjohjeje. Disa vjet më vonë, Talese e takoi përsëri Salingerin, tashmë i famshëm pas botimit të librit The Catcher in the Rye, dhe rastësisht e pyeti se si ishte me shëndet miku i tij në Shqipëri. Salinger u mendua pak dhe i tha se, që nga koha kur i kishte dërguar kartolinën për Krishtlindje, në dhjetor të vitit 1950, nuk kishte marrë asnjë lajm prej tij. Në fakt, që nga ajo kohë, Salingeri kurrë nuk mësoi se çfarë ndodhi me mikun e tij shqiptar”, – thotë Talese.

* * *

Këto pohime ngrenë shumë pyetje, për shembull: Kush ishte miku i Salingerit? A thua se kartolina që i dërgoi shkrimtari amerikan, vulosi fatin e mikut të tij shqiptar? Pse Salingeri shprehet me shumë mirënjohje ndaj tij? Çfarë ndihme kishte qenë në gjendje t’i jepte një shqiptar i atyre viteve, që nuk guxonte as t’i afrohej një turisti të huaj, veçanërisht amerikan? Këto pyetje nxitin një sërë përgjigjesh spekuluese. Për shembull, se ndihma për të cilën Salingeri shprehet me mirënjohje, mund të kenë qenë bisedat që ai kishte zhvilluar me mikun e tij shqiptar, i cili me siguri mund t’i ketë treguar Salingerit për jetën midis dy botëve nën diktaturë, ku njeriu midis të tjerëve hiqej si përkrahës i regjimit dhe, kur ishte vetëm ose midis atyre që u besonte, e mallkonte atë. Nisur nga kjo, mund të thuhet se protagonisti i romanit “The Catcher in the Rye”, Holdeni, ndoshta është mishërimi i njeriut nën diktaturë, i shqiptarit të izoluar, me të cilin Salingeri u njoh me hollësi nëpërmjet bisedave me mikun e tij gjatë vizitës në Shqipëri, dhe këto njohuri i përdori për të krijuar karakterin e plotë e të besueshëm të personazhit kryesor të romanit të tij. Romani “The Catcher in the Rye” ka hyrë sot në radhën e veprave klasike të letërsisë amerikane. Megjithëse ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli nga koha e botimit, debatet rreth përmbajtjes së këtij libri vazhdojnë.

Deri këtu Lulushi (theksimet janë të miat).

Spekulimi se prapa personazhit kryesor të romanit mund të qëndrojë një shqiptar mua menjëherë m’u duk si produkt i ndonjë seance tymosjeje bari të keq, shumë të keq; megjithatë, mendova se Lulushit nuk ia hiqte kush të drejtën për të spekuluar, madje edhe për të thënë pa iu dridhur qerpiku se “Holdeni ndoshta është mishërimi i njeriut nën diktaturë, i shqiptarit të izoluar…”, të cilat, po të merreshin seriozisht, do ta revolucionarizonin interpretimin që i bën historia e letërsisë moderne amerikane kësaj vepre aq themelore.

Po a ka qenë vërtet Salinger në Shqipëri? Më duhet ta pohoj se mua biografia e këtij shkrimtari nuk më ka interesuar kurrë, por me disa kërkime sipërfaqësore që kam kryer poshtë e lart, një gjë e tillë nuk më rezulton. Në fillim të viteve 1950, ose pikërisht në atë kohë kur gazetat e Tiranës, të frymëzuara nga scoop-i i Lulushit, e sjellin amerikanin në Shqipëri, Salinger merrej me budizëm zen dhe planifikonte tërheqjen totale prej jetës publike – që do ta realizonte në 1953, duke u larguar prej NYC në Cornish, New Hampshire.

Atëherë?

Misterin e ka ftilluar vetë Lulushi, me një shënim të nxjerrë në Alb-Club, pak ditë pas afishimit të artikullit kryesor.

Shkroi pastaj Lulushi befasisht në anglishte:

This is an apology for misattribution of the comments originally made about Talese’s words who says that Sa[l]lisbury visited Albania during ’50 and relying on my memory I mistakenly took it as Salinger[i]. I do apologize to readers for this unintended misattribution.

Për ata që nuk e lexojnë gjuhën që përdori autori në këtë njoftim post facto, po shtoj se, në thelb, Lulushi shpjegon, të bardhë mbi të zezë, se artikulli i tij i mësipërm, aq pamëshirshëm spekulativ, mbështetet në një ngatërresë ose lapsus memoriae, meqë Talese, në shënimet e tij, nuk i referohet shkrimtarit Salinger, por gazetarit Salisbury (duhet vërejtur këtu se të dyve u nis emri me S, çka nuk është koincidencë për t’u shpërfillur).

Holden Caulfield

Natyrisht, të gjithë bëjmë gabime të tilla (më ka qëlluar edhe mua); edhe pse gazetarit i kërkohet që, para se të drogohet me interpretime të egra, t’i verifikojë më parë faktet për të cilat shkruan; dhe nuk besoj se ka qenë aq e vështirë për ta kontrolluar referencën ndaj Talese-s dhe Salisbury-t, dhe për t’u bindur se Salinger nuk hynte aty asfare.

Në të vërtetë, gazetari amerikan Harrison E. Salisbury arriti të vizitojë Shqipërinë në vitin 1957, madje edhe t’i marrë një intervistë kryeministrit të atëhershëm Mehmet Shehu; historianët e shtypit amerikan në kohën e luftës së ftohtë mendojnë se kjo ishte vizita e parë e një gazetari nga SHBA në Shqipërinë komuniste (këtë e konfirmon edhe David Binder këtu). Artikujt e Salisbury-t gjenden në arkivin e The New York Times dhe mund të konsultohen me pagesë, por disa fragmente gjenden këtu:

Fakte këto që ia vlen të hetohen, në mos janë hetuar mirë tashmë; por që nuk kanë kurrfarë lidhjeje me Salinger-in, romanin e tij, dhe përkthimin e këtij romani në shqipe.

Për ta përmbledhur: Astrit Lulushi ngatërron Salinger-in me Salisbury-n në 2006, por e gjen në vetvete kurajon për ta pranuar gabimin publikisht; megjithatë, gabimi i mbijeton përgënjeshtrimit, dhe shndërrohet në pjesë të kitsch-it tonë kulturor-patriotik, ndërsa përgënjeshtrimi vetë harrohet në një skutë të pluhurosur të Internetit.

Në këtë mes të gjithë janë për t’u përgëzuar, meqë ia dhuruan folklorit shqiptarist edhe një tjetër flluskë të derdhur në bronz.

20 Komente

  1. Salisbury ka qenë i pari gazetar amerikan në Shqipërinë komuniste. Peter Lucas, është i dyti, sipas burimit këtu:

    http://www.encyclopedia.com/doc/1P2-3783198.html

    Kjo e dhënë më pas ndryshohet “paksa” këtu:

    Forty-two years was the duration of Enver Hoxha’s iron-fist rule in Albania. He died in 1985, and a year later, Peter Lucas became the first American journalist to visit the country in more than 30 years. His parents had been born in Albania, and he hoped to write a book on Hoxha.

    http://www.unionleader.com/article.aspx?articleId=90646572-bb8e-4f9c-9dce-84e17083b621&headline=John+Clayton%3A+Recalling+exploits+of+WWII+spy+from+Laconia

    Të gjithë kemi qejf të lëvdohemi nga pakëz…, tha

  2. Milosao eshte e njohur per perdorime te materielave pa vene emrin e autorit,Nje here kishin perdorur dhe nje foto timen per ilustrim per nje poeme.Kur u ankova ata u ndihen te fyer nga menyra se si u ankova dhe pa e bere qejfin qeder me thane se e kane korrigjuar , ne fakt e kishin korrigjuar vetem ne internet.
    me fal se ndoshta dola pak nga tema por ma kujtove kete fakt me kete shkrim rreth Lulushit.

  3. ESHTE :

    “Politikanët janë njerëz, të cilët kur shohin dritën në fund të tunelit, shtojnë tunelin.”

    (John Quinton)

    DUHET :

    Politikanët janë njerëz të cilët, kur shohin dritën në fund të tunelit, shtojnë tunelin.

    (John Quinton)
    ____________________

    Shkaterrimi i shqipes, ne lulezim e siper. Qe nga perrallat lulushiane te Salinger e deri tek perkthimet pa logjike te citateve.

    1. Qe kur qenka sintaksa e paprekshme?

      ESHTE:

      Shkaterrimi i shqipes, ne lulezim e siper. Qe nga perrallat lulushiane te Salinger e deri tek perkthimet pa logjike te citateve.

      DUHET:

      Shkatërrimi i shqipes në lulëzim e sipër: që nga përrallat lulushiane të Salinger; përkthimet pa logjike të citateve; e deri tek komentet pseudo-kritike mbi gjëndjen e gjuhës shqipe.

  4. Nuk ka te beje fare me sintaksen. Ka te beje me logjiken e shqipes.

    Shikoje mire fjaline :

    Tre gjymtyre :

    Politikanet jane njerez

    te cilet kur shohin driten ne fund te tunelit

    shtojne tunelin.
    _______

    Kapni gjymtyren e pare, dhe lexojeni me kujdes, me tonin e duhur, tek presja pushohet pak :

    Politikanet jane njerez.

    Dhe ketu te vjen pernjehere te thuash : MOS MORE !

    Dhe qe ketu, shendet e te mira.

    1. Ore ti mire e ke, se me logjike, politikanet nuk jane njerez, por marsiane, kafshe, theker, statuja, demone, fantazma, zoter, apo entitete te tjera te paemerueshme, si psh, urith, kinez, apo Dulla. Apo nuk ishte kjo ajo qe doje te thoje? Nuk ishte ketu ku calonte logjika? Jo per gje, po kaq njohes i madh i shqipes sa po mbahesh, pak me qarte duhet te flasesh, e nuk mund te mjaftohesh duke thene mungon logjika dhe “MOS MORE !” Pyetja, cila logjike? te mbetet si dopjo-gjashte ne dore. Shkurt, nuk mund te flasesh ne emer te logjikes me patos por pa logjikuar, pasi kjo do te ishte “shkaterrim i shqipes (pa presje, o logjikues i nderuar) ne lulezim e siper,” shqetesim ky, qe duket se e ke te sinqerte.

      1. Shkaterrimi i shqipes, ne lulezim e siper.

        Lulian,

        Fjalia ime me lart eshte nje fjali me sintakse çalamane. Si e tille, ajo ndahet ne dy gjymtyre.

        Pse eshte çalamane ? Sepse, po t’i hapesh syte mire, do te veresh qe nuk ka folje, nuk ka kallezues, apo ti sheh ndonje folje aty ?

        Mbaje mend kete, nga dikush qe kujdeset sinqerisht per shqipen :

        Kur nje fjali nuk ka folje, nuk ka kallezues, atehere vendin e mungeses se sintakses e zene presjet.

        Eshte e njejta gje po te shkruajme :

        Lulian Kodra, djale trim. (mungon folja “eshte”).

        Qarte, tani ? (perseri, presje).

        Tungatjeta, per te fundit here (perseri, presje).

        1. Kalimtari shkruan [theksimi im, Xh2]:

          Fjalia ime me lart eshte nje fjali me sintakse çalamane. Si e tille, ajo ndahet ne dy gjymtyre.

          Kalimtar, tani më bëre kurioz. Pse u ndakan në dy gjymtyrë fjalitë me sintaksë çalamane? Pse jo në shtatë ose në tre e gjysmë? Po fjalitë me sintaksë joçalamane në sa gjymtyrë ndahen?

          1. Zoteri,

            Kam folur per fjaline time me lart, dhe jo per fjalite pa sintakse te rregullt ne pergjithesi. Kam thene : “fjalia ime”.

            Nje fjali e ngjashme (me me shume gjymtyre) do te ishte kjo :

            Im ate, nje burre punetor, nena ime, nje grua e urte, te dy ata, nje çift i perkryer.

            Numeroji vete tani. Fjalia e tere nuk ka asnje folje, ska kallezues. Keshtu qe je i detyruar t’i ndash fjalet, nuk mund te shkruash :

            Im ate nje burre punetor, nena ime nje grua e urte, te dy ata nje çift i perkryer.

            Kjo me lart nuk ngjan me asgje. Nje letersi te tille, s’do ta merrja ne dore fare, pa le te tregonte mrekullira.

            Te mos harrohet ky rregull :

            Fjalite pa presje jane fjali me nje sintakse te persosur, dmth : kryefjale, kallezues, kundrinor, rrethanor, percaktor, etj.

            Nese kjo rradhe peson ndryshime, atehere jemi te detyruar te luajme me presjet per te vene rregull.

            Nje shkolle shume e mire per keto pune, eshte Marcel Proust. Lexoni fjalite e tij dhe aty do te gjeni gjithfare shembujsh.

            Tungatjeta, dhe kjo eshte vertete hera e fundit qe shfaqem kendej.

            1. Po edhe unë për fjalinë tuaj e kam, zotëri.

              T’i kthehem edhe një herë:

              Fjalia ime me lart eshte nje fjali me sintakse çalamane. Si e tille, ajo ndahet ne dy gjymtyre.

              Unë pyeta, në thelb, se cilës fjalë paraprirëse i referohet përemri “e tillë”.

              Logjikisht, duhet t’i referohet përcaktorit “me sintaksë çalamane”.

              Nëse i referohet atij përcaktori, atëherë shprehja juaj – zotëri – nuk ka kuptim, sepse nuk ka ndonjë arsye që pikërisht fjalitë me sintaksë çalamane të jenë të ndara në dy gjymtyrë.

              Një shembull:

              Shoku im më i ngushtë është miop. Si i tillë, nuk i shquan mirë sendet e largëta.

              Cilës fjalë paraprirëse i referohet përemri “i tillë” në këtë fjali? Natyrisht, mbiemrit “miop”. Ky subjekt nuk i shquan mirë sendet e largëta sepse është miop, jo sepse është shoku im më i ngushtë, meqë nuk ka asnjë arsye që dikush të mos shohë mirë larg thjesht ngaqë është shoku im më i ngushtë.

              Le të skematizojmë edhe më tej, me një shembull pothuajse algjebrik:

              A është B. Si e tillë, është C.

              Pyetja këtu është: C i referohet logjikisht B, apo A? Unë them B. Po ju?

              Tani po i kthehem fjalisë suaj pa kuptim:

              Fjalia ime me lart eshte nje fjali me sintakse çalamane. Si e tille, ajo ndahet ne dy gjymtyre.

              Të cilën po ia lejoj vetes ta rishkruaj kështu:

              Fjalia ime më lart është B. Si e tillë, ajo është C.

              Lidhja logjike këtu mishërohet në shprehjen “si e tillë”, e cila mund të parafrazohet edhe “meqenëse është e tillë”, ose duke u shndërruar në një fjali të varur shkakore.

              Po ju pyes përsëri:

              Ç’lidhje ka sintaksa çalamane me strukturën dy-gjymtyrëshe të fjalisë suaj (ose të Marcel Proust-it, ose edhe të Marcel Duchamp-it, po të dëshironi?).

              Nuk ka ndonjë lidhje.

              Dhe meqë ra fjala, fjalitë normale kanë gjithnjë strukturë dygjymtyrëshe – po t’i besojmë Shkollës së Pragës (tema dhe rema).

              Gjithsesi, ju lutem mos më lini të gaboj.

            2. Xhaxha,

              E shoh qe argetimi zenka nje pjese te mire te kohes suaj. Por te me ndjesh, jam me vetulla te trasha, nga ku dhe “vetullngrysur”.

              Nje tekst lexohet ne dy menyra :

              a – ajo çka eshte shkruar
              b – ajo çka ne mendojme se eshte shkruar

              Nese a nuk perputhet me b, atehere duhen kerkuar shkaqe :

              – autori eshte i paqarte (por ndoshta kastile)
              – lexuesi eshte i paqarte (dhe ketu jo kastile, por ne mirebesim te plote).

              Ne rastin e pare, eshte merite e autorit.
              Ne rastin e dyte, e mete e lexuesit.
              _________________

              Ne rastin ne fjale, zoteri, kam thene se “fjalia ime eshte me sintakse çalamane, dhe si e tille, ajo perbehet nga dy gjymtyre ndahet ne dy gjymtyre”.

              Nese ke dhe pak kohe per argetim, ju lutem analizoni pak kete fjaline tjeter :

              “fjalite me sintakse çalamane ndahen, si te tilla, ne dy gjymtyre”.

              Ka ndonje ndryshim ? Une them po. Po qe se mundeni, ma beni te ditur dhe mendimin tuaj.

              Kur kam folur per fjaline time, leximi behet keshtu :

              – fjalia IME
              – sintakse çalamane

              per rrjedhim : ndahet ne dy gjymtyre.

              Sepse, zoteri, ju mund ta merrni lehte me mend qe ne fjaline time nuk kishte vend per tre apo trembedhjete ndarje. Por dy, dhe vetem dy, dhe ky ishte nje shembull konkret dhe jo i pergjithshem. Konkretja eshte vene ne pah me IME.

              Gjithsesi, me vjen mire qe ka njerez qe kujdesen per keto gjera, por druaj se ju beni pjese ne ate kategorine b te pershkruar me lart.

              Gjithe te mirat.

            3. Kalimtar, t’i gëzoni vetullat tuaja të trasha, por mos harroni se mund t’jua përdorin të tjerët për të fshirë këpucët.

              Dallimin mes atyre dy fjalive që sillni më lart unë e kam të qartë; meqë mendoj pikërisht se thënia juaj:

              Fjalia ime me lart eshte nje fjali me sintakse çalamane. Si e tille, ajo ndahet ne dy gjymtyre.

              Është pa kuptim. E pranoj se mund t’ju kem keqkuptuar për arsye të ndryshme; prandaj ju lutem të më sqaroni se cilës fjalë ose gjymtyrë paraprirëse i referohet logjikisht shprehja “si e tillë”.

            4. ESHTE:

              Im ate, nje burre punetor, nena ime, nje grua e urte, te dy ata, nje çift i perkryer.

              DUHET:

              Im ate… nje burre punetor; nena ime… nje grua e urte: te dy ata… nje çift i perkryer.

              OSE:

              Im ate, burre punetor; nena ime, grua e urte: te dy ata, çift i perkryer.

              Perndyshe me duket se po numeron babane me vete, nje burre punetor me vete, nenen me vete, te dy ata, kushdo qofshin nga keta te katert apo dy te tjere me vete, dhe nje cift te perkryer me vete.

              Por si “dikush qe kujdeset sinqerisht per shqipen” besoj se e dije, packa se nxitimi ndonjehere ysht ne gabim edhe me te kujdeshmit prej nesh.

        2. E qe kur eshte e thene qe gjymtyret te ndahen gjithmone me presje? Sinqerisht, tani. Te ndash me presje “shkaterimi i shqipes, ne lulezim e siper” per shkak se ka sintakse calamane eshte njesoj si te ndash “me duart, ne xhepa”, ose “marshi, ne indietro”. “Me duart ne xhepa” dhe “marshi ne indetro” jane fjali pa folje, por nuk me duket se kane nevoje per presje. Megjithese, nuk i dihet – ke ende dopjo-gjashten e logjikes ne dore – ndoshta do ishe ne gjendje t’a sqaroje ne nje rikthim te lutur. Por jo nje rikthim (pa presje ketu) ne lidhje vetem me fjalite e tua. Pasi keto i ke cope-cope, megjithe shqetesimin e sinqerte qe mund te tregosh.

          “Qe nga perrallat lulushiane te Salinger e deri tek perkthimet pa logjike te citateve.”

          Sipas rregullit te arte qe ofrove ne lidhje me fjalite me sintakse calamane, mos ke harruar ndonje presje? Se folje nuk shoh gjekundi.

  5. Ore qe kalimtari ka te drejte veshtire se mund ta veme ne dyshim, po dhe te merremi me cic-mic tani sikur s’ka lezet.

    Une dicka kam per Xha xhain :

    Mire keta femijet qe vdesin te luajne pak me flluska, po dhe ti mor Xha xha sa me qejf e ke t’jua prishesh lojen 🙂

  6. Une kam 3 home page ne web browserin qe perdor (Google Chrome). Njera eshte CNN, tjetra blogu i Xha Xhait dhe tjetra nje faqe lokale.
    Tani hapa browserin dhe shoh ne CNN artikull kryesor eshte per Salinger. Shoh ne blogun e Xha Xhait nje artikull me Salinger. Koincidence? Nuk e besoj. Xha Xhai duhet te kete njerezit e vet brenda ne CNN.

    Shenim: Artikulli ne CNN per reference te mevonshme:
    http://www.cnn.com/2009/SHOWBIZ/books/06/03/salinger.catcher.lawsuit/index.html

  7. Xha xha, jam i mendimit se këtu në Tiranë duhet hapur një muze me eksponate të tipit: Këto nuk janë pantoflat të cilat i mbajti veshur Einstein-i gjatë vizitës së tij në Shqipëri; Kjo nuk është shpata që sulltan Mehmeti mbante me vete gjatë fushatës në Shqipëri; Kjo nuk është pena me të cilën është firmosur Deklarata e Pamvarsisë në Vlorë, e shumë e shumë të tjera si këto. Jam i bindur se mjaft njerëz do shkonin ta shihnin me qejf të madh këtë ekspozitë. Pasi historia këtu te ne nuk është një disiplinë shkencore; ajo është më shumë një hobby me të cilën merren njerëzit e ngeshëm. P.S. Gjeta disa foto që mund t’i shërbejnë historisë së Shqipërisë, të cilat i postova në site-in tim.

  8. E keni marre vesh qe, para nje muaji, me duket, Salinger dha intervisten me te fundit, te perbere prej dy fjalesh ?

    Nje gazetar, duke menduar se do te hynte ne histori si ai qe i kishte shkeputur nje interviste plakut Salinger, trokiti ne deren e ketij te fundit.

    Salinger hapi deren dhe leshoi dy fjale : “Oh, no”. Kjo ishte dhe intervista e fundit e tij, qe prej shume e shume vitesh. Vete gazetari e shiti mjaft mire artikullin e tij, duke thene se kishte shkeputur dy fjale te vyera nga ai, legjendari Salinger.

    “Oh, no”.

    Ndersa Carver thote ne “Copeza nga Fletorja e Antigones” :

    – As qe behet fjale, i dashur, tha ajo duke ia ngulur syte. As mos u lodh. As per arin e tere botes.

    1. …”Ndersa Carver thote ne “Copeza nga Fletorja e Antigones” :

      – As qe behet fjale, i dashur, tha ajo duke ia ngulur syte. As mos u lodh. As per arin e tere botes….”

      -vazhdim-
      Antigona nuk kishte nga ta dinte se disa pale sy po i ndiqnin levizjet e saj.
      I shoqi i vet, tek perpiqesh te kaperdinte fjalet e thena, e kishte te veshtire te pranonte bindjen mbrapa shqiptimit te tyre dhe po mendonte se gjithsesi, ai s’mund te heshtete e ti jepte fitoren nje gruaje, qofte ajo edhe nje grua e bukur ne mencurine e vet. “Po qe se me duhet te pranoj disfaten, le te vije ajo nga nje burre. Nuk eshte mire qe njerezit te mendojne se iu neshtrova dores se nje gruaje,” – gati foli me veten.

      Rreth 500 metra me tej, nga nje dritare e larte, ne katin e 6 te nje ndertese viktoriane perballe, qe reflektonte plotesisht, dhe kishte nje pamje te plote e te papenguar, ne anen e kundert te pjeses me te gjere te nje teleskopi te markes Orion, nje pale sy te vemendeshem ndiqnin cdo levizje ne dhomen e Antigones.
      -Shshshsht, – mermeriti Kluzo, duke u pertypur. S`il vous plait,
      -Cfare po bejne, – pyeti Juli.
      -Hic.
      -Si hic? Si mund te bejne hic? – kukurisi Juli.
      Kluzo, akoma duke u pertypur, shkeputi syrin nga teleskopi, hapi dhe tjetrin, u kthye nga Juli dhe i tha:
      -Ka momente kur mund te qeshet dhe ka momente qe nuk mund te qeshet, dhe ky nuk eshte nje nga ato.
      -Ohhh Kluzo. E dashuroj menyren se si han….. si, si, si nje kafshe xhungle, – u perkethel Juli duke iu afruar.
      Kluzo, qe nderkohe kish mbaruar se pertypur, qeroi fytin dhe u kthye plotesish nga ajo dhe me vetulla te kryqezuara i tha:
      -Po e le kete te kaloje me kaq, meqe si zor pour vous qe te mundeni ta dini se kemben e kujt po shtyni.
      Mbas ketyre fjaleve, me nje hije majestike, ai u kthye nga ana tjeter, mbylli njerin sy, mbajti tjetrin hapur, dhe u afrua perser ne anen e pjeses se ngushte te telekopit te markes Orion, kete radhe pa shtene gje ne goje.

  9. …”vetulla te trasha, nga ku dhe “vetullngrysur”” – kalimtar, ilustrove kepucet e mbathura Xha te gramatikes se dikujt. Tani… ato, garmatike, shkelqejne, do thosh dikush, edhe pse permbajtja ben llustraxhiun, ne kete rast, si i tille duket i mire.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin