Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

MURATORËT NUK MENDOHEN

nga Ujku i Zi

Përpara se të flasim për përparësitë e një gjuhe komunikimi ndaj një tjetre, ndoshta duhet theksuar se të gjitha këto gjuhë; pamoret, zanoret dhe ato të shkruajtura, përdorim shënjuesin, apo siç njhet ndryshe “indeksin”, për të mundësuar komunikimin. Fjala e shqiptuar, ndryshe nga një tingull i çfarëdoshëm, ka vlerë të ndryshme vetëm nëse i shënohet (i bashkangjitet) një kuptim, qoftë ky send apo koncept. Në komunikimin pamor, Ylli Polar merr kuptim midis mijëra yjeve sepse shënon veriun, kurse hieroglifet marrin kuptim sepse shënojnë, për ata që i kuptojnë(!), sende dhe koncepte.

Shënjat (indekset) pamore i mësojmë të parat – jo menjëherë por gradualisht – ndërsa bëhemi të vetëdijshëm për botën që na rrethon. Dallojmë njerzit, kafshët, ushqimin etj dhe identifikojmë me to koncepte si ai i species njerzore, botës së kafshëve, e kështu me radhë. Edhe me zërin, të folurën, po ashtu, deri sa arrijmë edhe të flasim relativisht herët, duke u përpjekur t’i lidhim fjalët drejtpërdrejt me sendet. Ndërsa me shkrimin gjërat komplikohen. Ne nuk mësojmë “shënjuesin”, por “shënjuesin e shënjuesit”. Gërmat (alfabeti) nuk përfaqsojnë drejtpërdrejt sende dhe koncepte, por shërbejnë për të formuluar fjalë që nga ana e tyre renditen në struktura fjalish, paragrafesh, etj, shpesh duke shkuar larg në struktura romanesh novelash apo traktatesh filozofike.

Për ta shpjeguar këtë (konceptin e “shënjuesit të shënjuesit”) më saktë po jap një shembull praktik. Një murator e përdor tullën për të ndërtuar jo një shtëpi, por një mur. Fakti që shtëpia është e përbërë nga muret nuk e ndihmon shumë muratorin. Atij i duhet vazhdimisht ta imagjinojë se si duhet të jetë shtëpia në mënyrë që ndërsa vendos tullat për të ngritur murin, ky mur t’i përshtatet konceptit të shtëpisë. Fakti që ai e di që tullat duhen alternuar për ta bërë murin më të qëndrueshëm, nuk ndihmon për të përcaktuar p.sh. nëse shtëpia duhet të ketë një apo dy dhoma, apo në efikasitetin e qarkullimit dhe shërbimit, fushë në të cilën gruaja e muratorit mund të jetë më e përgatitur. Në këtë kuptim edhe një murator i mirë mund të ndërtojë një shtëpi të keqe. Për të ndërtuar një shtëpi të mirë atij i duhet të kryejë edhe një aktivitet tjetër, kryesisht mendor ose imagjinativ . Ai duhet të mendojë se si do të duket shtëpia, në mënyrë që të ndërtojë murin sipas modelit imagjinar, ndërkohë që shtron tullat. Ky proçes aktiv të menduari, mund të konsiderohet edhe proçes intelektual ose kritik, sepse të ndërtuarit e murit duhet t’i nënshtrohet modifikimit për t’iu përshtatur modelit të shtëpisë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shkrimin dhe leximin, ku shkronjat dhe fjalët mund të zëvendësohen fare mire me tullat. Nuk mjafton të mos jesh analfabet për të kuptuar dhe akoma më shumë për të shkruar. Duhet t’i njohësh dhe të jesh mësuar paraprakisht me konceptet, ose të jesh I gatshëm për të thithur koncepte të reja. Kur lexojmë një libër filozofik – që i përdorojnë konceptet më shumë se tekstet e tjera – nëse nuk jemi familjarizuar me çështjet që trajtohen e kemi të vështirë ta ndjekim tekstin, sikurse është e vështirë të kuptosh tërësisht një ndërtesë/banesë nga mënyra se si janë shtruar muret. Në këtë kuptim një tekst i “mirë” që përbën risi për lexuesin e ballafaqon atë së pari me vetveten përveç se e hap atë ndaj konceptesh të reja. Ballafaqimi ndërkohë konfirmon sa inteligjencën aq edhe eksperiencën, dhe për rrjedhojë shpirtin kritik. Është pikërisht ky lloj ballafaqimi që e bën komunikimin nëpërmjet tekstit të shkruar “superior” ndaj komunikimeve të tjera të cilat kanë për bazë seleksionimin e informacionit por jo ballafaqimin e koncepteve.

Po ashtu s’është fare e rastësishme që arte pamore si ai i kinematografisë, menjëherë në fillimet e saj punësoi skenarin e shkruar si një domosdoshmëri e një fryme kritike në këtë lloj mediumi. Pa një linjë konceptuale që fshihet pas asaj që vetë imazhi kinematografik shënon, prezantimi i tyre do mbetej i cekët dhe pre e emocinove të momentit. Përveç asaj ç’ka prezantojnë në pamje të parë imazhet, ato ndërtojnë së bashku një linjë mendimi që nuk prezantohet drejtëpërdrejt nga ato si efekt pamor, por nga teksti apo nënteksti që i përforcon. Duhet thënë se një nënvleftësim i skenarit e ka çuar kinematografinë, sidomos Hollywoodin, të paraqesë për publikun gjithnjë e më shumë filma të bazuar thjeshtë tek imazhi, dhe gjithnjë e më pak mrbresëlënës. Filmat e bazuar tek aksioni, efektet pamore, kompiuterat etj. janë më shumë dëshmi e mungesës së tekstit sesa të dështimit të imazhit; kjo në kontrast me “klasikët” ku për rëndësinë e tekstit mjeshtrat e vjetër ishin të ndërgjegjshëm. Po të kihen parasysh fillesat e kinematografisë dhe ballafaqimi i saj me pikturën dhe fotografinë, atëherë kuptohet edhe se nga buron ky “ndërgjegjësim”. Piktura vazhdimisht ka qënë e shoqëruar me tekstin, e cila i referohej qoftë Biblës, qoftë mitologjisë, qoftë edhe historisë. Nëpërmjet tekstit janë shpjeguar dhe transmetuar historikisht të gjithë artet. Për shembull arkitektura – që është një art i trashëguar më shumë nëpërmjet tekstit dhe traktateve sesa nëpërmjet vetë prezencës fizike – ka një traditë të njohur të paktën dymijëvjecare me Vitruvius De architectura, ku çdo arkitekt që ka pas diçka për të kontribuar, ka pasur edhe diçka për të thënë në tekst të shkruar. Po ashtu muzika që e ka ndjerë nevojën e tekstit edhe atëherë kur nuk e ka pasur atë pjesë integrale si në rastin e operës. Arti pa tekstin është veprim pa mendimin kritik, dhe fare mirë mund të klasifikohet tek “gjestet”.

Por nëse teksti sot është i rrezikuar nga teknologjia, që si për ironi edhe ajo mundësohet nga po ky tekst, dhe ne sot e përdorim të shtrënguar gjithësesi në më pak se 140 karaktere, nëpër ekrane minikomjuterash dhe telefonash celular, për ta përcjell mesazhin “drejtë përdrejtë”, kjo nuk besoj se e zhvesh tekstin nga karakteri “i terthortë” që ka si “shënjues i shënjuesit”. Teksti mendoj se do vazhdoj të shërbej për të shtresëzuar konceptet dhe mendimin, pavarësisht se në kohën tonë edhe muratori nuk ka nevojë të mendohet më.

51 Komente

  1. Nje gje nuk kuptoj. Pse nuk sherben gjuha e folur per te njejtin koncept? Madje me teper se aq, si shenjues i shenjuesit qe eshte shkrimi? Pse nuk sherben nje film i bazuar mbi “Naten e Ustikes” bie fjala, si shenjues i noveles ne fjale? Pse nuk sherben nje recitim i “Anes Lumenjve” me teper se sa vete poema, e cila sa do qe t’a sugjeron nje drejtim interpretimi, mbetet serish e hapur? Ballafaqimi arrihet me ane te shume mediumeve. Ku qendron superioriteti i shkrimit ne kete ballafaqim?

    1. Lulian,
      Pyetja është me vend, dhe unë e kam prekur cekët në shkrim këtë aspekt, ngase e nisa si koment, dhe ndofta duhej sqaruar.
      Shkrimi nuk është një proçes identifikimi i drejtëpërdrejtë. Përkundrazi, përpara se të identifikojmë diçka, ne ia nënshtrojmë këtë proçes një strukture shoqërore siç është alfabeti dhe gjithë konsekuencat që rrjedhin prej tij. Sikurse tullat dhe muri i muratorit që duhet t’i nënshtrohen ligjit të gravitetit bëjnë që edhe vetë ndërtesa t’i nënshtrohet këtij ligji, po ashtu mendimi i shprehur nga fjala në tekst i nënshtrohet strukturimit. Imazhi dhe fjala e drejtëpërdrejt kanë prirje të qëndrojnë të pavarura, porse përfshirja e tyre në një tekst ua heq atyre këtë pavarësi, duke i vën ato në pikëpyetje dhe rrjedhimisht duke mbajtur një qëndrim kritik ndaj tyre. Për mendimin tim teksti është nga të paktat mjete kritke universale që ne zotërojmë, prandaj më duket mëndjelehtësi të thuash që mund të zëvendësohet kaq lehtë.

      1. Krejt gjuha, ne dac e folur ne dac e shkruar, nuk eshte nje proces identifikimi i drejtperdrejte. Piktura po ashtu, me shperthimin e modernizmave, nuk eshte nje proces identifikimi i drejtperdrejte. Skulptura nuk eshte nje proces identifikimi i drejtperdrejte (Davidi i Donatelos, i Mikelanxhelos apo i Berninit ben identifikimin e drejtperdrejte?). Madje edhe arkitektura, sidomos me xhentrifikimin (y ca llafi) shnderrimin e fabrikave ne banesa nuk eshte proces identifikimi i drejtperdrejte. Ku qendron privilegji i gjuhes se shkruar perpara gjuhes se folur? perpara piktures? perpara skulptures? perpara arkitektures? Gjuha e folur i pergjigjet nje strukture po aq strikte sa edhe gjuha e shkruar. Ku qendron privilegji i gjuhes se shkruar ne kete mes? Une i druhem qartesise karteziane qe pretendon gjuha e shkruar. I druhem pretendimit per superioritet. Njesoj si i druhem hierarkise edhe persa i perket disiplinave. Nuk eshte superiore poezia nga tregimi, ashtu si nuk eshte superior tregimi nga novela, e te tera nga nje traktat filozofik, si dhe e anasjellta. I druhem hierarkise se mediumeve. Gjuha, njesoj si piktura, eshte reprezentative. Tek figurat e percmuara Platoni perfshin edhe shkronjat. Nuk ka superioritet dhe hierarki mes mediumeve, ashtu si nuk ka hierarki mes shqisave. Nese gjuha e shkruar ka superioritet ndaj gjuhes se folur, une kete nuk mund t’a kuptoj pervecse si superioritet te syrit ndaj veshit. Une i druhem privilegjimit te nje mediumi mbi te tjeret si “vertetues”, po aq sa i druhem privilegjimit te nje shqise mbi te tjerat. I druhem mendimit kritik kur flet nga nje pozicion i privilegjuar sepse rrezikon solipsizmin. Ne fund te fundit, nese arti pa tekstin nuk eshte vecse veprim pa mendimin kritik, nese behet ky dallim pra, atehere edhe teksti pa artin nuk eshte vecse mendim pa veprimin kritik. Nuk mund mendimi te jete me kritik se veprimi, dhe anasjelltas. Nese gjendja eshte kritike, vertete duhet mendimi per t’a konstatuar, por druaj se pa nje nderhyrje po aq kritike mendimi kritik nuk do kishte vlere.

        Fola pak si shume ne deftore dhe pa argumenta. Ndjese.

  2. Lulian, vërejtja jote më kujtoj edhe këtë pasazh nga artikulli – për mendimin tim fund e krye i gabuar – i Fugës:

    Kultura e shprehur me anë të fjalës së shkruar, ndonëse e pazëvendësushme, ka disa karakteristika që ia transmeton edhe atij që informacionin kulturor e merr kryesisht nëpërmjet leximit.
    Fjala e shkruar transmeton një informacion që merret dhe qarkullon nëpërmjet një ritmi kryesisht të javashëm (ngadaltë).
    Imagjinoni sesi një roman të bukur në katërqind faqe mund t’a shndërrojnë në një film televiz[iv] apo kinemaje me metrazh të gjatë apo në një dramë të luajtur në teatër, të rregjistruar në një kasetë video apo në një CD, me vlera estetike po aq të larta. Romani mund të lexohet brenda disa ditësh, por leximi i tij mund të zvarriset edhe disa javë apo muaj, kurse veprën audiovizive mund t’a konsumosh me përfitim të madh edhe brenda dy orësh.

    Për mua, ky arsyetim i Fugës vetëm sa provon natyrën derivative të arteve vizuale në raport me letërsinë (shembulli me dramën çalon, sepse drama si art parakupton skenën dhe spektatorin, ndërsa radio-dramatizimi është diçka sekondare, madje e parëndësishme).
    Kyçi këtu është shprehja “me vlera estetike po aq të larta”, të cilën Fuga e lëshon si pa dashur, por që në thelb duhet arsyetuar.
    Një numër i madh filmash, pjesësh teatrale, baletesh, serialesh televizive, spektaklesh të cirkut, shfaqjesh të teatrit të kukullave e kështu me radhë mbështeten mbi vepra letrare.
    A kemi të bëjmë këtu me barasvlerë (ekuivalencë)? Natyrisht jo. Më kujtoni ndonjë vepër letrare serioze që të jetë mbështetur në një film, ose në përshtatjen e një simfonie ose të një baleti, ose të një opere. Unë vetë nuk kujtoj dot asnjë. Shoh ndonjëherë në raftet e librarive romane të mbështetura në serialin televiziv Star Trek, ose në serialin tjetër X-Files; por këto vepra mezi arrijnë të klasifikohen si letërsi e mirëfilltë.
    Kultura perëndimore mbështetet në tekstin e shkruar; vizualiteti është duke e transformuar në diçka tjetër, të cilën nuk e përshkruaj dot menjëherë, por që gjithsesi nuk më duket se u shërben vlerave me të cilat unë vetë identifikohem: lirisë, dinjitetit të personit, pavarësisë së mendimit, shkëlqimit të mendjes.

    1. Xhaxhai: “Kultura perëndimore mbështetet në tekstin e shkruar; vizualiteti është duke e transformuar në diçka tjetër, të cilën nuk e përshkruaj dot menjëherë, por që gjithsesi nuk më duket se u shërben vlerave me të cilat unë vetë identifikohem: lirisë, dinjitetit të personit, pavarësisë së mendimit, shkëlqimit të mendjes.”

      Xhaxha nuk me duket keshtu. Sa per lirine, duhet te thene se dogmat e shekujve, dhe gjithcka u be ne baze te tyre, jane frut i ketij modusi te transmetimit te dijes. Kjo lloj menyre solli vertetet ruajtjen e kujteses kolektive, por njekohesisht edhe roberimin e fjales, e tingujve. Si mund te pretendojme per liri, kur vetem per te dale nga nje dogme jane dashur shekuj, e te tjere shekuj do te duhen per te tjera dogma. Si mund te pretendojme kur vete fjala liri u ngurtesua ne nje forme te shkruar si liri vetem per nje grup, e jo per nje tjeter. Liria eshte liri nga strukturat roberuese te mendimit, qe sot per sot ruhet ende neper biblioteka dhe eshte gdhendur ne dogma, lapidare e simbole.

      Nese duam lirine, ajo eshte e mundur vetem ne tingujt e paroberuar ne shkrim, domethenia e te cileve ndryshon me cdo brez.

        1. Kaosi? Varet cfare perkufizon. Mos valle gjendja normale natyrore eshte kaosi dhe jo rendi, strukturat etj.

  3. Xhaxha, nuk e kuptoj pse te ka kujtuar trajtimin e Fuges, kur komenti im ve ne dyshim hierarkine mes mediumeve, nderkohe qe paragrafi i Fuges pretendon hierarki te bazuar ne ekonomizimin e kohes se konsumit? Nuk kam thene gjekundi qe kjo hierarki e bazuar ne ekonomizimin e kohes se konsumit nuk eshte gabim.

    Per sa i perket ekuivalences se mediumeve nuk me duket kriter i sakte te thuash se kjo nuk ekziston sepse nuk paska pasur shkrime me spunto mediume te tjera. Poezia psh, shpesh here perveteson nje muzikalitet te jashtem; mund pa frike te permend ciklin me tregime Nga Dashuria per Artin te O’Henrit; raportin qe po aq subjektivisht mund te quhet “derivativ” te Nietzches me muziken e Wagner; poetet e rrymes beat dhe influencen e tyre ne xhaz; influencen nga struktura simfonike te narratives se Steppenwolf; romanet kalorsiake te cilat ve ne loje Cervantes deri tek Dan Brown te influencuara nga reprezantimi viziv i Bibles prej piktoreve te Rilindjes, etj. Nderkohe shoh qe marredhenien derivative te psikanalizes me filmin nuk e konsideron estetikisht te vlefshme me nje roman qe mund te shkruhej bazuar ne nje film. Mund t’a kem gabim, por shkrimi eshte po aq derivativ nga artet e tjera sa jane edhe keto nga shkrimi.

    Pastaj ki parasysh edhe kete tjetren. Argumenti qe i jep hierarkine letersise, se nuk ka pasur asnje shkrim artistik te bazuar ne film, nderkohe qe filmat jane bazuar ne romane, mund edhe te nenkuptoje se mediumi i filmit eshte estetikisht me perfekt se mediumi i letersise. Ka filma te bazuar ne letersi qe jane “me vlera estetike po aq te larta” sa dhe letersia ku jane bazuar (Apocalypse Now – Heart of Darkness) madje edhe me te larta, (Godfather, per te qendruar tek Coppola, perballe romanit te Mario Puzzos). Nderkohe qe nese patjeter duhet te argumentohet brenda strukturave hierarkike, gje qe nuk me duket e nevojshme, mund te thuhet se arti i letersise eshte inferior ndaj artit te filmit, pasi perderisa nuk ka asnje roman te bazuar ne film, kjo do te thote se letersia nuk ka cfare t’i perfeksionoje kinematografise, se kinematografia pra, eshte e nje shkalle perfeksioni me te larte estetik se sa letersia.

  4. Mua me duket se ka pak vend per te vene ne dyshim e diskutuar hierarkine e te shkruarit mbi mediumet e tjera te te shprehurit te mendimit te njeriut.
    Pa te shkruaren, njeriu do te ishte i varur prej modave apo paragjykimeve te kohes se vet, dhe snobizmi i modernistit(zmit) ne kete rast eshte ne nje shkalle me injorancen. Pa te shkruaren, njeriu do t`i ngjante nje “well trained dog”, i cili as di se cka pasur para tij e as eshte ne gjendje te dije se cdo te kete pas tij, pavaresisht nga figurat qe levizin ne ekranin e vene para tij.

  5. “Muratoret mendohen”, – kerkim… Ujku i zi, ku vetem gjen ata nuk mendohen (per ate qe mendon dikush tjeter). Rralle here Xha Xhai me krijon pershtypjen se investohet per vorbull mendore me nje kundershtar qe kerkohet/sajohet, ndersa me Ujkun po behet rutin pas edhe ketij shkrimi me siper. (Te kuptohemi, pa mohuar tharmin per sa ve re)

    “Nderkohe qe nese patjeter duhet te argumentohet brenda strukturave hierarkike, gje qe nuk me duket e nevojshme, mund te thuhet se arti i letersise eshte inferior ndaj artit te filmit, pasi perderisa nuk ka asnje roman te bazuar ne film, kjo do te thote se letersia nuk ka cfare t’i perfeksionoje kinematografise, se kinematografia pra, eshte e nje shkalle perfeksioni me te larte estetik se sa letersia.”

    Fragmenti i siperm eshte “Dru me pre”, ndersa c’do gje tjeter vec atij fragmenti, perfshire c’shkruan per kete teme Luliani argumentohet, perjashto anashkalimin e gjuhes se shkruar, qe ben ne koment. Shkrimi eshte si ze meditativ-vetpermbushes i mendjes jete.

  6. Lulian,

    Shkrimi nuk kishte për qëllim të stabilizonte hierarki midis arteve, por kishte për qëllim të theksonte rolin strukturor të pazëvendësueshëm për momentin të tekstit në komunikim. Teksti duke qënë se është strukturë është i ndryshëm nga imazhi dhe nga fjala e folur, dhe nuk mund të zëvendësohet nga këto pikërisht për këtë arsye. Pra kanë role krejt të ndryshme. Unë nuk kam asnjë evidence që teknologjia ka bërë të mundur ndryshime strukturore në mënyrën se si i përdorim imazhin dhe fjalën e folur. Një shembull i thjeshtë: dokumentat shtetërore vazhdojnë të shkruhen në tekste, përkundër inçizimeve në video apo regjistrimeve zanore të cilat përdoren vetëm për arkiva. Ti dhe Fuga vërtet nuk jeni duke e shtruar pyetjen njësoj, por duke anashkaluar thelbin praktikisht je duke thënë të njëjtën gjë.

    Ti më pyet përshembull se:

    Pse nuk sherben nje recitim i “Anes Lumenjve” me teper se sa vete poema, e cila sa do qe t’a sugjeron nje drejtim interpretimi, mbetet serish e hapur?

    Shih këtë pjesë:
    Arratisur, syrgjynosur,
    Rraskapitur dhe katosur
    Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
    Anës Elbë-s, anës Spree-së.
    Ku e lam’ e ku na mbeti,
    Vaj-vatani e mjer mileti,

    Po të trajtoj vetëm një aspekt, duke u përpjekur mos e bëj veten qesharak sepse nuk jam kritik letrar. Përshembull ritmi brenda vargut, përkundër ritmit midis vargjeve, mund të kuptohet i saktë vetëm në tekst pa i ngatërruar me njëri tjetrin. Imagjino sikur Noli ta kishte lënë këtë poezi në një regjistrim zanor në vend të formës së shkruar në të cilën e ka lënë, sa më e dobët do ishte! Dhe jam i bindur se nëse do ishte kaq e famshme sa ç’është ne do ishim duke vrarë mëndjen se ku mbaronte vargu i Nolit, ose edhe më thjeshtë: nuk do ta kishim marrë vesh kurrë që vargjet e Nolit kishin ritëm të brendshëm. Për të mos folur për shenjat e pikësimit dhe thekset të cilat marrin tjetër kuptim në shkrim nga intonacioni në të folur.

    Luliani thotë:

    Krejt gjuha, ne dac e folur ne dac e shkruar, nuk eshte nje proces identifikimi i drejtperdrejte

    Gjuha e folur nga ajo e shkruar janë gjuhë të ndryshme komunikimi. Është e vërtet që ato nuk komunikojnë drejtpërdrejt me ne; komunikojnë nëpërmjet indeksit (apo shënjuesit) siç e kam theksuar edhe unë. Ndryshimi është se shkrimi përdor indeks të tërthortë (jo të drejtpërdrejt)– flet nëpërmjet struktures alfabetike, sikurse muratori përdor strukturën e murit për të krijuar shtëpinë. Përkundrazi zëri dhe figura e përjashtojnë këtë proçes “konstruktiv” duke tentuar t’i ofrojnë gjërat e gatshme, jo patjetër për konsum, por pashmangshmërisht të tilla.

    1. Ujk. Problemi qe kam une eshte se ne thelb te argumentit tend qendron dallimi siperfaqe/thellesi, ku thellesia nuk mund te arrihet pervecse me ane te shkrimit. Eshte pikerisht roli strukturor i pazevendesueshem qe i percakton shkrimit qe nuk me bind. Pervec kesaj, tekst nuk eshte vetem shkrimi. Cdo pejsazh, urban apo tjeterlloj, ka strukture tekstuale. Cdo pikture. Cdo recitim. Cdo skulpture. Me kete jam mese dakord. Por nuk mund te pretendohet se shkrimi ka strukture tekstuale te privilegjuar. Nuk mund te pretendohet se sheshtesia e Olimpias se Manet nuk i jep thellesi Ticianos. Shkrimi ne kete thellim eshte inekzistent, dhe rolin strukturor te pazevendesueshem e kryen me se miri vete piktura. Shiko dy-tre shembuj klasik nga mund te nxirren konkluzione te ndryshme, packa se ne te njejten linje me ate qe thote Eni me poshte, ku skripti nuk ka asnje lloj privilegji strukturor.

      1. Borges:

      “Eshte ndricuese te krahasosh Don Kishotin e Pierre Menard
      me ate te Migel de Cervantes. Cervantes psh, shkroi si me poshte (Pjesa 1, Kapitulli IX):

      …e verteta, mema e se ciles eshte historia, rivale e kohes, depozituese e veprave, shembull dhe keshilluese e se tashmes, dhe keshilltare e se ardhmes.

      Ky katalog atributesh, shkruar ne shekullin e shtatembedhjete, dhe shkruar nga “muratori gjenial”* Migel de Cervantes, nuk eshte vecse levdate retorike e historise. Menard nga ana tjeter, shkruan:

      …e verteta, mema e se ciles eshte historia, rivale e kohes, depozituese e veprave, shembull dhe keshilluese e se tashmes, dhe keshilltare e se ardhmes.

      Historia, mema e dijes! – ideja eshte madheshtore. Menard, bashkekohas i William James, e perkufizon historine jo si kredhje ne realitet por si burim i realitetit. E verteta historike, per Menard, nuk eshte “cfare ndodhi”; eshte cfare besojme se ndodhi. Frazat e fundit – shembull dhe keshilluese e se tashmes, dhe keshilltare e se ardhmes – jane haptazi pragmatike.”

      2. Aeroplani:

      Filmi i Leslie Nielsen, komedia Aeroplani, nuk i nderron as edhe nje presje skriptit Zero Hour, por nderkohe qe i pari eshte horror, i dyti eshte komedi. (Nuk di c’fund do kishte Anes se Lumenjve prej nje interpretimi qe i ruan ritmin e brendshem por i nderron intonacionin. Ky i fundit nuk mund te paraqitet nga shenjat e pikesimit.)

      3. Berisha/Llaka

      Tekstualisht fjale per fjale mund t’a jape nje fjalim te Berishes Llaka. Dyshoj se mua me gjithe ty, do na komunikohej e njejta gje prej secilit.

      Cdo forme komunikimi, cdo medium, ka strukturen tekstuale qe i pergjigjet logjikes se vete te brendshme, por qe jo vetem nuk mjafton, e madje nuk eshte as primare per sa i perket asaj qe komunikohet, por edhe nuk mund te pretendohet se nje medium ka strukture me solide se nje medium tjeter.

      * Nuk e di pse “layman” nga anglishtja, me erdhi t’a perkthej “murator” ketu. Do kete dicka te beje me vendosjen horizontale te tullave, besoj.

  7. Kur diskutohet per ceshtje si teksti apo komunikimi pamor dhe zanor duhet bere medoemos dallimi dhe roli i kontekstit mbi te cilin keto lloje komunikimesh perdoren. Per mua eshte kryekeput e gabuar te thuash ne menyre pergjithesuese qe teksti eshte superior ndaj komunikimit pamor dhe zanor dhe poashtu kryekeput e gabuar te argumentosh ne menyre pergjithesuese per te anasjellten.

    Komunikimi kryhet me nje qellim dhe nen nje kontekst te caktuar. Nese ne komunikim pranojme pra elemente si qellimi dhe konteksti na del qe kemi shume lloje komunikimesh. Pa pretenduar thellesi shkencore ne nje koment si ky une do te dalloja disa lloje komunikimesh. Ate te bere ne kohe reale per te kapercyer probleme ne “kohe reale” si dhe ate te bere per te kapercyer probleme ne segmente te caktuara kohe dhe hapesire. Ndermjet ketyre dy ekstremeve ne kontekstin qellimor ka vend per shume lloje komunikimesh.

    Teksti i shkruar ka lindur shume heret si nevoje njerezore per nje komunikim qe kapercen lokalitetin kohor dhe hapesinor. Ky qellim dhe kontekst kane ndikuar zhvillimin dhe levrimin e gjuhes se shkruar si dhe ne ngritjen e standarteve te gjuhes se shkruar qe njohim sot.

    Ku futet ketu teknologjia? Une do te thoja kudo. Se pari vete teksti i shkruar eshte teknologji per te zgjidhur nje problem te caktuar. Nje teknologji shume robuste bile pasi i ka rezistuar mijevjecareve.

    Lind pyetja a eshte kjo teknologji (teksti i shkruar) e cila ka lindur per nje qellim te caktuar e pershtatshme per te gjitha llojet e tjera te komunikimeve? Ketu kam sidomos ndermend komunikimin ne kohe reale, dmth. “instantan”.

    Pergjigja ime personale ketu eshte nje jo e madhe. Teksti dhe standarti i sotem gjuhesor thjesht nuk jane te pershtatshem pasi nuk kane lindur per kete arsye. Se dyti, ne tekst mund te kodosh informacione me nje shpejtesi shume te vogel dhe shpejtesia ne komunikimin real eshte ceshtje kyc. Perkundrazi me gjeste, mimike dhe ze mund te kodosh informacione te llojeve te ndryshme shume me shpejt. Nese njeriu krijon teknologji bashkevepruese me te cilat nepermjet tekstit mund te kodosh informacione me shpejt sesa me gjeste, mimike e ze atehere teksti do te ishte i pershtatshem dhe per komunikimin instatan.

    Ne internet dhe ne boten dixhitale ekziston mundesia per te kapercyer ne komunikim kohen dhe hapesiren ne nivele nga me te ndryshmet. Teknologjia dixhitale eshte teorikisht aq fleksibel sa te realizoje te gjithe segmentin e komunikimeve te njohura deri me sot bile deri edhe te krijoje dhe nivele te reja komunikimi ne segmentin kohe e hapesire. Perse atehere na del ky mbizoterim i tekstit. Sic e kam argumentuar tek komenti i shkrimit te meparshem te xhaxhait aresyeja eshte impasi afatshkurter teknologjik.

    Si pasoje e ketij impasi afatshkurter komunikimi ne internet po behet me nje mjet te papershtatshem per detyra te caktuara si teksti. Si pasoje teksti po pershtatet me zorr per tu bere mjeti i pergjithshem ne komunikimin ne internet. Sic e thashe kjo pershtatje eshte artificiale dhe e panevojshme pasi kodimi i informacioneve instantane ne tekst eshte joeficient. Nga ana tjeter eshte interesante te shihen menyrat dhe kulturat e reja te komunikimit qe mbijne ne internet nga perdorimi i nje mjeti si teksti. Si shembull mund te shihni twitter ku eshte etabluar nje kulture komunikimi i shkurter (140 germa) por qe nuk kerkon vemendje apo pergjigje pra nuk eshte invazive sic eshte komunikimi instantan real. Ketu kemi te bejme me nje menyre te re komunikimi pra qe me pare nuk e kishim. Sa te dobishem do te jene inovacionet komunikative te internetit i mbetet kohes per te gjykuar.

    p.s. Me falni per komentin e gjate por keto gjera mendoj se i vlejne diskutimit.

  8. Eni shkrimi eshte simbolike, quhet teknologji per perafrim (forma mbyt thelbin per arsye praktike), po ne thelb eshte simbolike, eshte ide.
    Linja historike e komunikimit mund te jete kjo:
    1-simbolika e levizjes me duar e britma(vazhdon edhe sot)
    2-simbolika e levizjes me duart, britma e te foluren(britmat e artikuluara)
    3- simbolika e komunikimit pa levizjen e duarve, britmave apo te foluren , qe eshte shkrimi. Per shkrimin teorikisht duhet ‘teknologji’, me e pakta; nje kunje e balta ose argjila e thare, po edhe me dore ne reren e lagur te detit dmth pa teknologji fare, levizje e dores ne toke.

    Tani te kthehemi tek pika 2, sepse teknologjia na e lejon bejme teorikisht prapa.
    Kur ti flet per komunikimin e castit, ke te drejte, por ketu nuk besoj se po thote njeri, hajde dhe flasim duke i shkruar njeri-tjetrit letra.
    Besoj se ketu po flasim per kulturen, dmth me superiore ajo qe e bazon komunikimin kryesisht ne shkrim apo ajo ne fjale e pamje.
    Deri me sot, ajo e bazuar ne shkrim ka dale me superiore. Pastaj per kulturen nevojiten edhe kushte te tjera pervec njohjes se shkrimit, po pergjithesisht ka qene si me siper.

    Qe mos ti vijme shume anes, se fjalet e shumta ndonjehere jane fukarallek i madh, ceshtja eshte ngritur ne kete menyre;
    Simbolikisht televizori, perfaqeson kulturen e re, te bazuar kryesisht ne komunikimin pamoro-zanor, ku edhe nje qe sdi shkrim e kendim, nese sheh ta zeme nje emision mbi piramidat e Egjiptit, ka po aq njohuri (kulture te pergjithshme) mbi to, sa nje qe lexon ta zeme 30-50 faqe.

    Ketu jane 2 modelet, analfabeti me ‘kulturen e re’, e cila po ravijezohet dhe i kenduari/i lexuari me ‘kulturen e vjeter’, e cila po vyshket ngadale.

    Fuga, Luliani dhe ti, me sa kam kuptuar jeni per teknologjine qe kthen ne ‘analfabete’ (term i Fuges ky).

    Tani mund te jete edhe perparim (nuk e kam perjashtuar si mundesi, perkundrazi) por me duket se i takon perparimit material, nderkaq shkrimi ka qene thelbesor per perparimin e dijes, jo perparimi perhapes por perparimi ndricues.
    Perparimi perhapes, varet shume nga teknologjia, ai ndricues nga inteligjenca e rrethanat.

    Pra thelbi i shkrimit, ideja, ka sjelle perparimin ndicues, ndersa forma e shkrimit, teknologjia, ka sjelle perparimin perhapes.

    Tani une kam dyshime te forta, se kthimi nga pika 3 (shkrimi) tek pika 2( levizjet e trupit dhe zeri) do sjelle perparim ndicues, por eshte i pamohueshem perparimi perhapes. Kete e pohon edhe ti kur thua:

    ””’Si pasoje e ketij impasi afatshkurter komunikimi ne internet po behet me nje mjet te papershtatshem per detyra te caktuara si teksti. Si pasoje teksti po pershtatet me zorr per tu bere mjeti i pergjithshem ne komunikimin ne internet.””’

    Cmund te komunikojne pergjithesisht njerezit(masa) ne internet, e dime te gjithe; kryesisht llafe, muhabet e takim per kafe, keshtu qe eshte e kuptueshme ajo qe thua ti, se per te shprehur emocionet, ndjenjat, mendime mbi ndodhite e jetes etj, komunikimi shqisoro/ndjesor (shikimi, britmat, levizjet e trupit) eshte jetik perkrah shprehjes se jetes se perditshme (shkova ne pune/shkolle, i thash filanit keshtu, me tha ashtu, ke te fala, te fala paç etj).

    Por, a eshte kjo cka quajme kulture ?

    Nejse qe te mos tjerr me, kultura e re, i pershtatet apo ndihmon idene e globalizmit e cila sic jam shprehur shpesh ka nevoje per siperfaqesoren e sic po duken bathet me kete komunikimin ‘e ri’, gjysma e mendimtare te medhenj te te gjitha koherave do likujdohen, ndersa gjysma tjeter do mesohet me copa, copat qe duhen per te krijuar kulturen e arnuar globaliste.

  9. “Deri me sot, ajo e bazuar ne shkrim ka dale me superiore.”

    Pse kam pershtypjen qe ti ose nuk di c’flet, ose nuk i beson ato qe thua. Nese kultura e bazuar ne shkrim eshte superiore ndaj kultures te bazuar ne pamje, duhet te pranosh se kultura e bazuar ne shkrim e ikonoklasteve musliman e arab eshte me superiore se kultura pamore perendimore. Gje qe nuk di pse, te me falesh paragjykimin, une kam pershtypjen qe ti nuk e pranon.

    Edhe nje here. Hiqni dore nga argumentat hierarkik per sa i perket kultures. Mesazhi qe jep kultura eshte vete kultura. Komunikimi ne kulture eshte gjithmone demokratik. Nuk ka kultura superiore dhe kultura inferiore, pasi kjo do te ishte mohim i demokracise se kultures dhe justifikim kolonizimi. Nuk ka saktesi dhe gjeste sepse cdo modelim i saktesise nuk do arrihej pervecse nepermjet gjestit. Kur flasim per kulturen ajo eshte gjithmone artificiale, ne dac arnim kombetar, ne dac arnim global. Nuk mund te pretendohet saktesi prej kultures se shkruar me shume se prej kulturave te tjera. Nuk mund te thuhet se shkrimi eshte me real se sa vezullimet dhe feksjet pamore sepse eshte indirekt. Shkrimi mbetet i ngurte dhe si i tille po aq direkt sa mediumet e tjere. Ne momentin qe kembengulet per dallime te tilla hierarkike ne kulture si saktesi/fallco ku njeri pol i atribuohet ekskluzivisht njerit medium nderkohe qe poli tjeter i atribuohet mediumeve te tjere, atehere do krijohej gjithmone nje qark i shkurter dhe “welcome to the desert of the real” do thoshte Morfeu. Nuk di pse por nje kembengulje ne saktesi ne te tilla raste me kujton ate etnografin e Xhaxhait ulur kembekryq ne nje kotec pulash i bindur qe sjellja e pulave ishte normale dhe jo gjeste te influencuara nga prezenca e tij. Sa do indirekt te jete shkrimi, gjestet krijohen nga prezenca dhe gjykimi i tij, e jo nga mungesa.

    U pa puna, u dashka lexuar prape artikulli i Fuges me qe po kembengulni se jam ne te njejten linje “analfabetizmi”.

    1. Bah! Packa se flet per kod, ne rradhen e simulimeve Fuga mbetet pre e shablloneve pamore po aq sa Ujku mbetet pre e superstrukturave shkrimore packa se flet per komunikim. Kurrkund ngjashmeria. Fuga eshte komplet jashte kontekstit, krejt formal dhe pa permbajtje ne predikat. Ajo qe po them une eshte krejt tjeter, pasi modelet mbeten nen urdherin hierarkik te uniformes. Ajo qe po them une eshte, varja formes, varja struktures, varja modelit, qofte ky shkrimor, pamor apo degjimor, pasi keto jane te barazvlefshme. Me qe Fuga ze ne goje McLuhan, ajo qe po them une eshte se nuk ka as edhe nje lloj rendesie fare se cfare mediumi, pasi gjithmone “mediumi eshte mesazhi.” Nese mesazhi eshte pamor, degjimor, taktil, konceptual e me rradhe, atehere mediumi eshte pamor, degjimor, taktil, konceptual e me rradhe. Rendesi ka pra mesazhi, pavaresisht se ne cfare kodi, se ne cfare mediumi, se ne cfare strukture. Dhe jo, nuk eshte kompleksiteti i kodit qe e ben mesazhin me te qarte, pasi sa do kompleks te jete kodi, mesazhi eshte gjithmone me kompleks.

      1. Ajo qe po them une eshte, varja formes, varja struktures, varja modelit, qofte ky shkrimor, pamor apo degjimor, pasi keto jane te barazvlefshme.

        Dhe kjo është zgjidhja jote ndaj YouTubizimit të kultures?

  10. Problemi qe kam une eshte se ne thelb te argumentit tend qendron dallimi siperfaqe/thellesi, ku thellesia nuk mund te arrihet pervecse me ane te shkrimit. Eshte pikerisht roli strukturor i pazevendesueshem qe i percakton shkrimit qe nuk me bind.

    Lulian,

    Kur flas për rolin e pazëvendësueshëm të shkrimit, e kam fjalën që ai e zotëron këtë cilesi si një përqasje konstruktive kundrejt mendimit në mënyrë sistematike dhe përgjatë gjithë spektrit të kulturës, dhe jo vetëm kur bie në dorë të ndonjë Manet si në rastin e imazhit. Prodhimi i imazhi nuk kërkon mendim, kërkon vetëm të blesh një aparat fotografik dixhital , kurse unë personalisht e kam të vështirë të mos mendohem edhe kur shkruaj një kartolinë, sigurisht nëse nuk e dërgoj të gatshme nëpërmjet internetit.

    Megjithatë, nëse do ta diskutoja në kontekst siç shprehet Eni (sikurse edhe e kam bërë më duket) shkrimi është mjeti kryesor me të cilin është prodhuar dhe vazhdon të prodhohet kulturë; dhe në këtë kontekst nuk thua dot që meqënse shkrimi është teknologji e vjetëruar duhet zëvendësuar në emër të progresit. Progresi nuk mund të jetë një përqasje selektive, por duhet të jetë një përqasje sistematike. Fakti është që as gjuha e folur as ajo e vizive nuk e kanë provuar veten si përqasje të vlefshme sistematike ndaj mendimit, përkundrazi ka dëshmi shumë të forta për të kundërtën.

    Në një tjetër kontekst, më kujtehet se diku Kadare thotë, duke e perifrazuar, se “një popull që prodhon letërsi të madhe nuk mund të jetë një popull inferior”. Për mendimin tim, ndonëse nuk jam shumë i bindur për vërtetësinë e saj – sepse letersia mund te jete edhe nje dukuri e vecuar – jam i bindur se nuk është retorikë. Përkundrazi ndoshta është një nga thëniet më të vyera, sepse identifikon kombin me letërsinë, dhe me fjalën e shkruar si mjet i padiskutueshëm progresi.

    P.S. Lulian, si mendon: a do kishte mundur Noli ta sillte në jetë vjershën pa ndihmën e shkrimit?
    Sido që të jetë unë mendoj se Noli si mjeshtër i “fjalës së shkruar” që ishte na ka lënë shumë pak dyshime për intonacionin.
    * Kurse “layman” e ke përkthyer saktë, sikurse besoj se edhe ti e ke kuptuar, ndryshe nga ata që mund ta lexojnë “drejtëpërdrejt” që me muratorin kisha parasysh mendimtarin par excellence, dhe titulli fare mire mund të ishte “mendimtarët nuk mendohen” (më).

    1. “P.S. Lulian, si mendon: a do kishte mundur Noli ta sillte në jetë vjershën pa ndihmën e shkrimit?”

      Jo, por Ujk, ti si mendon: a do kishte mundur Noli ta sillte ne jete vjershen pa pasur cilesite e aktorit, oratorit, muzikantit?

      1. Jam shumë dakort me ty; qoftë si muzikant, qoftë si aktor, qoftë si orator – pra në çdo rast të ushtrimit të talenteve të tij të shumta – do t’i duhej të përdorte shkrimin, në daç me shkronja alfabetike në daç me nota muzikore.

  11. Po e ben pikante atavizmen Ujku i zi me citimin e Kadares; “një popull që prodhon letërsi të madhe nuk mund të jetë një popull inferior” Ujku, Kadare le te mendoj per superior dhe inferior mes ndonji gjeje tjeter por jo popujsh. Nuk ka popull inferior dhe superior, pamvaresisht nga llojet, karakteristikat e krijimit te tij.

    Dhe vazhdon, pa dogan ndertim muresh, kur shkruan;

    “…titulli fare mire mund të ishte “mendimtarët nuk mendohen” (më).”

    … mundohet vetja te dale nga vetja pa mendim.

    1. Vëmëndje,

      Ata që duan të vendosin hierarki midis popujve e kanë ndarë mëndjen dhe të thuash që “nuk ka popuj inferior” nuk është argument për ta. Argument është ajo çfarë ka arritur ky popull. Është popull i lirë apo është popull skllav, kjo është çeshtja. Dhe popull i lirë nuk bëhesh me llafe.

      Dhe të lutem m’i kurse ofendimet për inteligjencën. Jo se po më bën ndonjë dëm, por se nuk ta kam borxh… straight and fair.

  12. Hyllin, nuk mund te krahasohet televizioni me videon qe prodhohet ne internet si mjet komunikues. Eshte bile gabim i madh te marresh historine e televizionit e t’ja veshesh komunikimit audio vizual te internetit. Jane shume shume te ndryshme per te aresyen e thjeshte se videoja e internetit eshte dhe e ka potencialin te jete akoma me interaktive. Televizioni nuk eshte interaktiv. Pervec kesaj interneti ka fleksibilitetin te kombinoje te tre modalitetet ne mixe te panjohura dhe te paarritura deri me tani. Nese i shtojme dhe faktin e interaktivitetit biem ne perfundimin se nuk ka problem komunikimi njerezor qe interneti te mos jete teorikisht ne gjendje te zgjidhe apo te krijoje :).

    Nuk mund te thuash qe teksti eshte superior ne te gjitha rastet. Ka detyra e probleme komunikimi po aq te vlefshme per kulturen qe videoja interaktive i zgjidh shume shpejt e mire. Poashtu ka probleme komunikimi qe teksti i zgjidh shume me mire. Kete dua te them une.

    Nese bejme nje matje sa dhe si komunikon nje njeri atehere besoj se na del qe njeriu komunikon 80-90% te kohes se tij reale nepermjet modaliteteve pamore e zanore, (ne biseda reale, konferenca et.) dhe pjesen tjeter mbase me text. Cfare do te ishte kultura pa kete 80-90%? Cfare do te ishte kultura pa ate restin 10-20% ne tekst? Pikerisht, kultures i duhen te dyja.

  13. “Ata që duan të vendosin hierarki midis popujve e kanë ndarë mëndjen dhe të thuash që “nuk ka popuj inferior” nuk është argument për ta.”

    Ata-ta, kush, Ujku?

    …”Dhe popull i lirë nuk bëhesh me llafe.”

    Ujku, Popull eshte, me llafe apo pa llafe, pa as nji pike lidhje me ‘inferior’-in e Kadarese, edhe pse lirine e perdor per cengel ku do te varen te brendeshmet.

    “Dhe të lutem m’i kurse ofendimet për inteligjencën.”

    Ne se te rendon dicka vecanerisht, ne inteligjence, prej c’ka shkruaj, konsideroje se ja them vetes, por ne as nji moment une nuk personalizoj postimet ashtu si kupton ti evidentimin qe bej te atyre dobesive ne shkrimet apo postimet e tua. Vet fakti qe komentoj eshte edhe shenje vleresimi, ku gjej rastin te shkruaj se ku s’jame i te njejtit mendim, dhe kjo le rruge per dialog (jo si ne teater, si thua ti, apo monolog, si te them une).

    Paqe!

  14. Lulian Kodra:

    Hiqni dore nga argumentat hierarkik per sa i perket kultures. Mesazhi qe jep kultura eshte vete kultura. Komunikimi ne kulture eshte gjithmone demokratik. Nuk ka kultura superiore dhe kultura inferiore, pasi kjo do te ishte mohim i demokracise se kultures dhe justifikim kolonizimi.

    Nuk e kuptoj këtë argument, ose pse duhet hequr dorë nga hierarkitë, të cilat janë themeli i qytetërimit. Unë them se një kulturë që gdhend statuja të Budës në faqe të malit është superiore ndaj një kulture tjetër që atyre statujave u bie me top. Një kulturë ku hakmarrja vret njerëz brez pas brezi është inferiore ndaj një kulture të organizuar rreth konceptit të faljes. As e kuptoj dot pse komunikimi në kulturë është gjithmonë demokratik. Përkundrazi, mua më duket se nuk ka asgjë demokratike në kulturë, edhe pse pa dyshim mund të flitet për barazi aksesi, ose të drejtash. Më në fund, mbi ç’bazë e përcakton ti, Lulian, se koncepti i hierarkive në kulturë do të justifikonte kolonizimin? Mua më duket se kolonizimi ndodh pa pasur nevojë për justifikime; kultura televizive e RAI-t të viteve 1960-1970 e kolonizoi kulturën qytetare të Tiranës, meqë ishte superiore ndaj propagandës së kuqe; dhe kur them superiore nuk kam parasysh vetëm efektshmërinë virale, por edhe cilësinë e mesazhit. Natyrisht, kulturat e tregojnë superioritetin ose inferioritetin në ballafaqim me kultura të tjera; meqë në vetvete çdo kulturë është e barabartë me të tjerat, por kjo do të ishte tautologji.

    Përsëri Luliani:

    Argumenti qe i jep hierarkine letersise, se nuk ka pasur asnje shkrim artistik te bazuar ne film, nderkohe qe filmat jane bazuar ne romane, mund edhe te nenkuptoje se mediumi i filmit eshte estetikisht me perfekt se mediumi i letersise. Ka filma te bazuar ne letersi qe jane “me vlera estetike po aq te larta” sa dhe letersia ku jane bazuar (Apocalypse Now – Heart of Darkness) madje edhe me te larta, (Godfather, per te qendruar tek Coppola, perballe romanit te Mario Puzzos). Nderkohe qe nese patjeter duhet te argumentohet brenda strukturave hierarkike, gje qe nuk me duket e nevojshme, mund te thuhet se arti i letersise eshte inferior ndaj artit te filmit, pasi perderisa nuk ka asnje roman te bazuar ne film, kjo do te thote se letersia nuk ka cfare t’i perfeksionoje kinematografise, se kinematografia pra, eshte e nje shkalle perfeksioni me te larte estetik se sa letersia.

    Lulian, nuk besoj se e ke pasur seriozisht me këtë argumentin e fundit. Gjithsesi, e pavarësisht nga ky argument, unë besoj se letërsia dhe në përgjithësi narrativa gojore ka një veçori që e dallon nga format e tjera të artit (dhe të komunikimit) që nuk mbështeten në fjalën. Ky dallim mbështetet në atë që letërsia përdor si medium gjuhën, ose një kod. Piktura, për shembull, përdor ngjyrën; skulptura format 3D; arkitektura vëllimet; muzika tingujt; baleti lëvizjen e trupit – dhe të gjitha këto mediume nuk janë aq natyrshëm të kodifikuara sa gjuha (ose nuk kodifikojnë kode); vërtet që muzika perëndimore mbështetet mbi një ndarje pak a shumë arbitrare të spektrit kromatik, por kjo ndarje ose kodifikim nuk funksionon si kod jashtë dhe përtej muzikës; në mënyrë të ngjashme mund të arsyetohet edhe për mediumet e tjera. Kjo lidhet edhe me faktin që, mes mediumeve, gjuha ka epërsi në atë masë që ne jemi gjuha, ose në kuptimin që ne ekzistojmë si qenie sociale dhe të vetëdijshme në atë masë që flitemi prej gjuhës. Narrativa nuk është vetëm në bazë të pasqyrimit dhe të riprodhimit që i bën shoqëria realitetit, por edhe është mënyra themelore si e organizojmë eksperiencën: vetë konceptet e aktorit, autorit, veprimit, subjektit, objektit, rrethanës; ose të kohës së shkuar, të tashme dhe të ardhme; ose të hapësirës si “këtu” dhe “atje”, “këtej” dhe “andej” janë të rrënjosura në gjuhën. Unë do të shkoja deri atje sa të thoja se çdo komunikim kulturor ndërmjetësohet nëpërmjet gjuhës – sado që në nivelin simbolik të imazhit vizual, ky ndërmjetësim ndodh ndonjëherë në mënyrë të pavetëdijshme. Kanë thënë që gjuha është forma e kulturës. Tani, nëse është kështu, atëherë shkrimi, si teknologji që i jep ligjërimit mundësi për t’u shkëputur nga momenti kur prodhohet e për t’i mbijetuar atij momenti, ka përparësi ndaj fotografisë, vizatimit të imazheve, valleve dhe të tjerave forma të mediumit; jo sepse e bën më mirë se fotografia ose muzika atë që bëjnë fotografia dhe muzika, por sepse edhe fotografia, edhe muzika i bëjnë më mirë ato që bëjnë në kultura të organizuara rreth shkrimit, sesa në kulturat ‘analfabetike’ të Fugës.

    Ja tani Fuga:

    Fjala e shkruar nuk të lejon aq shumë mundësi interpretimi sa të lejon komunikimi i figurshëm, i cili është mirëfilltazi një dialog i vazhdueshëm midis prodhuesit, transmetuesit dhe telespektatorit. Nuk thonë kot se ndërsa radioja prodhoi rregjimet autoritare dhe totalitare të mesit të shekullit të kaluar, televizionet prodhuan demokracinë bashkëkohore. Të gjithë ata që janë të pasionuar pas lojrave elektronike, internetit, filmave vizatimorë, të folurit në celulare, modelizimeve virtuale në mediat elektronike, etj, e dinë shumë mirë se bota e tyre është dialog, bashkekzistencë me tjetrin, një univers ku nuk ka hierarki vertikale, por vetëm marrëdhënie barazie horizontale, nuk ka superioritet të autorit mbi spektatorin.
    Figura ndërtohet në formën e një gestalt, formë tërësore, që kapet njëherësh, si një e tërë. Pema është një pemë. Kurse fjala ndërton pjesë pas pjese informacionin e koduar që transmeton. Trungu, gjethet, ngjyra, halat, lulet, rrënjët… kështu me rradhë

    Ose unë nuk e kuptoj këtë profesor, ose ky shkruan këtu gjëra që nuk kanë pikë kuptimi. Loja elektronike nuk hyn fare në këtë mes, sepse është lojë, ku hierarkia vertikale vendoset midis atij që fiton dhe atij që humbet (në rastin e lojërave shumë-lojëtarësh, të cilat janë të vetmet që mund të merren në konsideratë si forma komunikimi ose socializimi); forumet e Internetit janë organizuar herë në mënyrë vertikale e herë në mënyrë horizontale, por autoriteti gjithnjë u mbetet pronarëve të forumeve, autorëve të blogjeve ose moderatorëve; në forumet më serioze, autoritet ka dija ndaj padijes, arsyeja ndaj kokëtrashësisë, dëshira për komunikim ndaj urrejtjes dhe pështymës. Përjetimi i filmave vizatimorë, si i çdo lloji tjetër filmi, kushtëzohet nga marrëdhënia midis autorit dhe publikut. Një shpellar nuk do të kuptojë asgjë nga një serial vizatimor si “Pink Panther”, i cili themelohet mbi neurozën urbane. Komunikimi në celular (të folurit, SMS, etj.) kushtëzohet rëndshëm nga kufizimet e mediumit, dhe mbetet në nivel aq primitiv, sa do të ishte qesharake ta sillje si alternativë ndaj kulturës alfabetike. Dhe sa për raportin midis figurës dhe fjalës, nuk është aspak e vërtetë se “fjala ndërton pjesë pas pjese informacionin e koduar që transmeton”, ndërsa figura “kapet njëherësh, si e tërë”; jo vetëm edhe fjala kapet njëherësh, si e tërë, por edhe fjala arrin nivele të tilla abstraksioni, të cilat figura nuk i arrin dot, përveçse në mënyra të tërthorta, nëpërmjet simbolizimit, i cili ka nevojë për fjalën që të ftillohet. Kush më sjell dot një figurë të “qenies”, të “vetëdijes”, të “kujtesës”, të “nderit”?

    Vazhdon Fuga:

    Leximtarët e kanë më lehtë të jetojnë sipas një qytetërimi vertikal, autoritar, hierarkik. Kurse analfabetët modernë njohin si rregull një organizim dialogues, demokratik, liberal, horizontal.

    Përsëri, e kam vështirë ta kuptoj këtë arsyetim, sikurse e kam vështirë ta kuptoj pse Fuga nuk provoi t’i parashtronte këto teza nëpërmjet telefonit celular, ose si një diaporama (slide show). Për mua, analfabetët e Fugës vetëm sa e vënë veten në duart e manipuluesve të korporatave, të cilët mund të bëjnë ç’të duan me ta. Interneti është vërtet medium i dialogut dhe i lirisë së fjalës, por kjo vlen vetëm për të alfabetizuarit; përndryshe, hapësirat virtuale janë po aq demokratike sa një restorant McDonald ose një super-market.

    Kur isha në Tiranë, pata rast të zhvilloj një bisedë me studentë të degës së gazetarisë, në Fakultetin Histori-Filologji; bisedë e cila u përqendrua në Internetin si medium komunikimi. Atëherë diskutohej ende për ‘analfabetët’, prandaj i pyeta se ç’mendim kishin për këtë artikull. Më thanë se nuk është e vërtetë që nuk lexojnë, përkundrazi; lexojnë shumë – përgjigje që më qetësoi, pas panikut që më kapi, kur lexova Fugën.

    Sikur të mos e njihja personalisht këtë të fundit, do të kisha arritur në përfundimin se paguhej nga korporatat (televizionet) për t’i dhënë një justifikim teorik lapërdhive të kulturës masive në Shqipëri, estradave, varieteve, karagjozllëqeve, kupleteve, femrave gjysmë-lakuriqe në studio, debateve ku shahen njerëzit nga nëna dhe nga motra (duke përfshirë edhe Parlamentin), Kafazit, dhe të tjera dukurive të cilat zakonisht i mbajmë si efekte anësore të pashmangshme të ekonomisë së tregut. Mirëpo e njoh, dhe besoj se është sinqerisht i entuziazmuar me çikërrimat dhe xhinglat e ndërmjetësuara nga teknologjia dixhitale (e cila në vetvete ndërmjetëson edhe shumë gjëra të tjera, absolutisht të nevojshme). Për mua, ky është qëndrim elitar i kulluar, i cili përpiqet të justifikojë një politikë të tipit ‘panem et circenses’, duke ngatërruar argalisjet popullore ose orgjinë e shqisave me demokracinë e mirëfilltë dhe horizontalitetin.

    1. “shkrimi, si teknologji që i jep ligjërimit mundësi për t’u shkëputur nga momenti kur prodhohet e për t’i mbijetuar atij momenti, ka përparësi ndaj fotografisë, vizatimit të imazheve, valleve dhe të tjerave forma të mediumit; jo sepse e bën më mirë se fotografia ose muzika atë që bëjnë fotografia dhe muzika, por sepse edhe fotografia, edhe muzika i bëjnë më mirë ato që bëjnë në kultura të organizuara rreth shkrimit”

      Po, po, po. Por edhe shkrimi i ben me mire ato qe ben nese nuk te lidh ne nje organizim te detajuar rreth vetes. Ki parasysh xhazin, te shkruar, por qe gjithmone i le vend improvizimit. Apo ki parasysh dicka si “puna e hapur” qe shpjegon Eco, ku pjesa muzikore ka vetem udhezime ne vija te trasha e jo te detajuar ne kod prej autorit, nderkohe qe origjinaliteti i perket interpretuesit.

      Me ben pershtypje pse nuk the qe shkruhemi prej gjuhes, por the se flitemi prej gjuhes. Kur kerkon nje figure te “qenies”, “vetedijes”, etj, nuk besoj se mund t’a quash veten te kenaqur thjesht duke germezuar fjalen “qenie”. Gjuha e shkruar apo e folur do te levronte brenda nje kodi foljor, duke perdorur analogji, krahasime, metafora, etj, edhe keto kode ndonjehere te nderthurura me kode te nje mediumi tjeter, apo edhe me hapesira krejt jashtegjuhesore. Po njesoj si dhe cdo medium tjeter do te levronte brenda kodit te vete, duke u nderthurur me gjuhen e folur, te shkruar, apo dhe duke dale krejt jashte cdo gjuhe.

      Pastaj ki parasysh edhe kete tjetren, Ujku e vendos shkrimin ne maje te hierarkise sepse “shkrimi nuk është një proçes identifikimi i drejtëpërdrejtë”, nderkohe qe ti po e vendos ne qender te organizimit sepse “fjala arrin nivele të tilla abstraksioni, të cilat figura nuk i arrin dot, përveçse në mënyra të tërthorta”. Nuk mund te jene dy arsye absolutisht te kunderta baza e superioritetit te shkrimit. Kjo pervecse solipsizem eshte edhe totalitare. Nga te njejtat kontradikta mund te vuaj edhe piktura, nga i njejti solipsizem mund te vuaj edhe skulptura, por keto nuk jane arsye per te thene se shkrimi eshte me larte ne rradhen e gjerave, se skulptura eshte me larte, apo se piktura eshte me larte.

      Nuk di pse por me erdhi ne mendje nje gjuhe e shkruar por e vdekur. Latinishtja. Qe eshte e shkruar, as qe nuk vihet ne dyshim. Por edhe qe eshte inferiore perballe gjuheve te gjalla sot, edhe une qe nuk e zoteroj fare di t’a them me siguri.

      Tashti, sa i perket asaj renies me top te skulpturave te Budes. Nese ka hierarki mes kulturave si thua, dhe nese gjithe kultura nuk ka pse te jete demokratike, dhe pas renies me top ne ate faqe muri do ishte shkruar ne nje arabeske florale qe te keput telat e shpirtit se Allahu eshte i Madherishem, me mrekullueshem, me me kulture me te larte se sa ato figurat e Budes, do ishe dakord? Nuk e besoj, shpresoj jo sidoqofte. Kush eshte me larte, ikonolatria budiste dhe e youtubizimit, apo ikonoklazmat respektive? Nuk ka pergjigje te prere ketu. Nuk ka hierarki a priori. Kultura duhet te jete gjithmone demokratike, nuk duhet te kete hierarki mes kulturave sepse eshte pikerisht kjo mungese barazie qe justifikon hakmarrjen para faljes, apo edhe shnderrimin e faljes ne pandeshkueshmeri. (Nese ka hierarki mes kulturash kush e percakton? Sa objektiv eshte ky percaktim? Pse u dashkan lene keto kultura inferiore ne inferioritetin e vet nese ky inferioritet eshte objektiv? Pse mos civilizohen edhe keta barbare? Ne fund te fundit, aq barbare sa jane, jane te rrezikshem. Patjeter duhen qyteteruar. Patjeter duhen kolonizuar. Justifikimi.) Kodi i nderit, arbitrar si kodi kromatik i muzikes, mund te vendos qe te hakmerresh eshte me larte se sa te falesh. Apo te falesh eshte aq e larte sa qe te promovohet pandeshkueshmeria. Po sikur hakmarrja dhe falja te jene te barabarta, natyrisht, jo ne te njejtin kontekst?

      “Përkundrazi, mua më duket se nuk ka asgjë demokratike në kulturë, edhe pse pa dyshim mund të flitet për barazi aksesi, ose të drejtash.”

      Absolutisht. Mirepo ki parasysh gjithashtu se zbatimi i nje barazie aksesi dhe te drejtash do te sillte nje kulture realisht demokratike. Nuk e mohoj disiplinen. Eshte pikerisht kjo ajo qe eshte ne themel te qyteterimit, ajo qe na ndan “ne” me “ata”, ajo qe “atyre” iu lejon qytetarine pas nje periudhe fleksibel disiplinimi. Por nuk ka hierarki. Ka kultura te ndryshme, por jo te pabarabarta.

      Edhe nje here per Fugen. Po behet e n-ta here qe po krahasohem. Fuga ashtu si dhe ju, flet brenda nje strukture hierarkike. Pak rendesi ka se ju e modeloni kete hierarki rreth shkrimit nderkohe qe Fuga e modelon rreth vizualitetit. Fuga eshte dakord qe “analfabetizmin” shkrimor t’a justifikoje fale alfabetit televiziv. Ju po ashtu, beni gabime kur dalloni mes nje alfabeti, apo kodi gjuhesor si te mjaftueshem perkundrejt mungeses se nje kodi apo alfabeti pamor. Une po argumentoj jashte cdo strukture hierarkike, te shkrimit, apo te imazhit. Fuga e degradon shkrimin sepse e sheh si vertikal dhe autoritar. Ju degradoni imazhin sepse ate shihni si vertikal, apo shabllon ndermjetesues mes pushtetit te korporatave dhe skllaverise se masave. Une e shoh si shkrimin, si imazhin, potencialisht njesoj emancipues apo skllaverues. Dhe se nuk mund potenciali emancipues te vihet ne jete nese nuk flitet kunder strukturave hierarkike. Nuk mund shkrimi te jete mbi mediume te tjere. Gjuha po. Por gjuha nuk eshte vetem e shkruar, nuk eshte vetem pamore, e mbi te gjitha nuk eshte vetem narrative.

      Shiko ku qendron gabimi kategorik qe po beni:

      “unë besoj se letërsia dhe në përgjithësi narrativa gojore ka një veçori që e dallon nga format e tjera të artit (dhe të komunikimit) që nuk mbështeten në fjalën. Ky dallim mbështetet në atë që letërsia përdor si medium gjuhën, ose një kod. Piktura, për shembull, përdor ngjyrën; skulptura format 3D; arkitektura vëllimet; muzika tingujt; baleti lëvizjen e trupit – dhe të gjitha këto mediume nuk janë aq natyrshëm të kodifikuara sa gjuha (ose nuk kodifikojnë kode); vërtet që muzika perëndimore mbështetet mbi një ndarje pak a shumë arbitrare të spektrit kromatik, por kjo ndarje ose kodifikim nuk funksionon si kod jashtë dhe përtej muzikës; në mënyrë të ngjashme mund të arsyetohet edhe për mediumet e tjera.”

      Ne rradhe te pare, letersia nuk eshte vetem narrative. Kjo eshte kthese poetike (jo Aristoteliane, pasi ky e barazon poezine me narrativen) qe letersia e ka zoteruar prej kohesh, por qe ne shekullin e 20 gjeti aplikim ne mase tek heshtjet liturgjike, te Kafkes, Becket, tek shperthimi i kodeve prej Cummings, e me rradhe deri tek Funerali i Pafundme i Visar Zhitit. Ketu gjuha nuk ka funksion narrativ, por te ngjashem me funksionin abstrakt te ngjyres ne pikture. Psh, shprehja “Pejzazhe te Fjales” edhe pse nuk ka narrative, apo kod te percaktuar, eshte shprehje e ngarkuar me kuptim. Nga ana tjeter, perspektiva e zhvilluar nga piktoret e Rilindjes Italiane kodifikon nje kod narrativ aq te mirepranuar nga ana akademike, sa qe “Kodi Da Vinci” bie nen klishete skolastike letrare. Njesoj si ka dy rryma letrare, njera narrative kodifikuese dhe tjetra pertej kodeve dhe narratives, po ashtu edhe te gjithe mediumet e tjere i zoterojne te dyja rrymat, deri sa ndonjehere imazhi eshte aq i kodifikuar sa qe behet didaktik, e ndonjehere aq pertej kodeve sa qe arrin caqet poetike te ekspresionizmit abstrakt. Ky dallim i bazuar ne kod dhe narrative mes letersise dhe mediumeve te tjera, nuk qendron. Sic thote edhe Fuga, do jete keqkuptim profesional.

      1. Lulian,

        Nuk e kuptoj se si arritëm tek diskutimi i barazisë midis kulturave “të ndryshme” ndërsa ishim duke folur për karakterin e konvencioneve brenda Kulturës!

        Koncepti i “kolonizimit kulturor” është pa bazë, sepse presupozon kultura të pakontaminuara, ndërkohë që pabarazia them unë është e shëndetshme se derdh ujë nga njëra got në tjetrën, për sa kohë lihen të veprojnë të lira. Në argumentin tënd, kolonizimi tradicional i karakterizuar nga forca, zëvëndësohet me konceptin e ri të kolonizimit kulturor, që e ka origjinën pikërisht tek dështimi i ideologjisë komuniste, që e kishte bërë luftën ndaj tij (kolonializmit) kalë bëtëje.
        E megjithatë unë përsëri e kam të vështirë ta përfytyroj si kalin e betejës së “kulturës” ndaj virusit të komercializmit. Por ti ke maninë më duket për të barazuar çdo gjë, kolonializëm = komercializëm.

        Gjithësesi, meqënse jemi tek kolonializmi, them se kultura nëse është kulturë, dhe nuk shfarroset me dhunë, (me topa?) mbijeton për bukuri. Më lejo të pyes; pse po triumfon Konfucianizmi në Kinë edhe pas dhunës së Revolucionit Kulturor por edhe – nëse do më lejohej të përdorja përkufizimin tënd – pas “kolonializimit” që i bëri kësaj kulture ideologjia komuniste? Po kultura indiane përse po mbijeton, megjithëse në pamje të jashtme duket krejtësisht e kolonizuar; zëvendëson Hollywood për Bollywood, dhe shtresa intelektuale e edukuar në Oxford që e flet anglishten shumë herë më mire se vet ajo angleze? Profkat barazitariste nuk kanë për ta shpëtuar kulturën nga asnjë lloj virusi “kolonialist”, siç i quan ti, por nëse të ha merakun për kulturën përpiqu t’i gjesh DNA-në. Unë them se është shkrimi, kurse t’i ç’thua: mos e vrisni mendjen se çdo gjë është në rregull?

        Unë shkrimin e shoh si moment rezistence të kulturës përpara se të na fusin të gjithëve tek Big Brother – dhe jo tek ai i Orwellit, se atë ku ma gjen, por tek ai kafazi idiot në Tiranën tonë të dashur.

        Eni,

        Këtu në US ato metodat “interaktive” kanë shkuar aq larg sa ka nga ata që nuk kanë parë ndonjëhërë klasë me sy dhe janë fryrë me diploma që ua dërgojnë kush e di se prej ku “nga matanë internetit”… dhe t’i mbajnë me shëndet.

        1. “Nuk e kuptoj se si arritëm tek diskutimi i barazisë midis kulturave “të ndryshme” ndërsa ishim duke folur për karakterin e konvencioneve brenda Kulturës!”

          Cili konvencion? Qe shkrimi eshte superior? S’jam i bindur per kete konvencion. Arritem tek diskutimi i barazise se kulturave, sepse mund te flitet per nje kulture rome, kurde, etj, te cilat nuk kane shkrimin, por qe une nuk do te guxoja t’i quaja kultura inferiore per shkak se nuk e kane kete mjet superior qe qenka shkrimi, pasi kjo do te justifikonte jo vetem kolonizimin, por nje asimilim total. Dhe jo, kolonizimi kulturor nuk presupozon vetem kultura te pakontaminuara, por kultura qe nuk hyjne ne menyre te barabarte e te lire ne tregun e lire. Keshtu qe po, me kolonializem kam parasysh konsumerizmin ala Cani, dhe kolonializmin di t’a dalloj edhe ne periudha te tipit Pax Romana. E jo, nuk i druhem vetem kolonializmit me dhune, sepse dhuna krijon rezistence, eshte ky i fundit, ky kolonializmi i paqshem qe te lejon te mbijetosh qe me tremb. Ky kolonializimi “youtubist”.

          Te duket triumf i kultures indiane me qe ka indiane qe e fliskan anglishten me posh se te mbretereshes? Te duket triumf i kultures indiane qe nje llaf ne tre e kane anglisht? Por edhe ne qofte e kunderta, edhe ne qofte triumf i kultures anglo-saksone, nuk me duket se eshte triumf i arritur pa dhune.

          1. Lulian,

            Po jap edhe unë mendimin rreth atij problemit të “asimilimit”. Asimilimi, si çdo gjë tjetër është një dukuri që nuk është as e mirë dhe as e keqe, por që i merr këto cilësi në varësi të qëllimeve që u shërben. Nëse të pasurit e një alafabeti i shërben progresit dhe përmirësimit të jetës së këtyre njërëzve; apo nëse ndërtimet e tyre prej kashte dhe balte ua vështirësojnë jetën dhe nuk i mbrojnë ata nga fatëkeqsitë e natyrës dhe u duhet të huazojnë “tullën” si mjet ndërtimi prej ndonjë kulturë tjetër, unë nuk kam asnjë gjë kundër asimilimit, përkundrazi. Nëse asimilimi bëhet me forcë, s’do mend se është i dënueshëm.

            Tani le të hidhemi tek problem i pabarazisë së kulturave në tregun e lire. Në anglisht ka dy terma që me sa di unë shqipja nuk i ka të ndarë :“injustice” dhe “unjustice” për padrejtësinë. Gjëndja e pabarabartë e hyrjes në treg të këtyre kulturave i dedikohet “injustice” në kuptimin që është jashtë mundësive të palëve (kulturave në këtë rast) për të vendosur barazinë, dhe për këtë ne jemi koshient dhe e quajmë të tillë (injustice), ndërkohë që palët nuk kanë kryer ndonjë akt padrejtësie. Kurse në rastin kur ato e anashkalojnë barazinë në treg, siç e quan ti, me dhunë – pra kryejnë akt padrejtësie – atëherë kemi të bëjmë me “unjustice”. Sipas kësaj llogjike mua më duket shumë e tepruar që ta quash “unjustice” vlerësimin e rolit të shkrimit për atë që është. (Shih se në këtë rast nga ana jote vlerësimit të shkrimit i vihet shënja e barazimi me dhunën ndaj kulturave) Ndërkohë, qëllimi i vlerësimit të shkrimit këtu nuk bëhet për të nxjerrë superioritetin e tij, sepse ndryshe nga ç’thotë I Dashur, ai po konkurrohet pamëshirshëm, jo nga kulturat inferiore, por nga teknologjia që po e rrënon kulturën dhe lirinë siç e njohim sot. Ky vlerësim bëhet se mbete mjeti më i mire mbrojtës ndaj cultures. Ti nëse i merr këto (kulturën dhe lirinë) si të dhënë njëherë e përgjithmonë, është tjetër gjë, port ë më fali Eni; nga ato ç’pamë në lidhjet që solli këtu, nëse ky është drejtimi që do marri kultura, nuk mbetet shumë shpresë.

        2. Ujk, mua me duket se tek ky diskutim po rreshqisni bashke me Lulianin ne nje gabim qe behet rendom ne shkencat sociale. Fillohet argumentohet me aforizma dhe ne zellin e madh per te dhene te verteta gjitheperfshirese harrohet te behen diferencimet e nevojshme ku te peshohen pro-te dhe kontrat e njerit apo tjetrit modalitet. Mungesa e diferencimeve dhe kontekstit e ben kete diskutim jo me te mire sesa nje bisede kafesh, dhe ja heq edhe ate pak metodike shkencore qe mund te pretendohet te permbaje komenti si mjet komunikimi.

          Sa per metodat interaktive duhet thene qe jemi akoma ne fazen e eksperimenteve pasi keto metoda jane shume te reja dhe akoma te pakolaudura mire. Tekstit dhe gjuhes se shkruar i jane dashur mijera vjet per te arritur ne format qe i njohim sot. Por besoj se bie dakort me ate qe shume forma mesimi jane procese interaktive dhe sociale. Dhe mjeteve qe do te perdorim per ti zhvilluar keto lloj formash mesimi ju duhet te pasqyrojne ne nje fare mase interaktivitetin dhe kontekstin social.

          1. Eni,

            Shkrimi është proçes krijimi që mundësohet për të gjithë. Ndërkohë, si proçes krijues ai është edhe tërësisht privat. Modelet interaktive janë proçese intuitive, nuk janë proçese reflektimi dhe mendimi. Duke mos qënë të tilla, pra reflekruese, edhe mundësia e manipulimit është më e madhe.

            Po ashtu interaktiviteti i ngritur në qiell nga teknologjia, prezent gjithkund dhe mundësues i gjithçkaje, prish një balance të mardhëniëvë publike-private që mësimëdhënia e ka pasur dhe mendoj se e ka të domosdoshme, duke mundësuar manipulimin e individualitetit në emër të solcializimit.

          2. “Ujk, mua me duket se tek ky diskutim po rreshqisni bashke me Lulianin ne nje gabim qe behet rendom ne shkencat sociale. Fillohet argumentohet me aforizma dhe ne zellin e madh per te dhene te verteta gjitheperfshirese harrohet te behen diferencimet e nevojshme ku te peshohen pro-te dhe kontrat e njerit apo tjetrit modalitet. Mungesa e diferencimeve dhe kontekstit e ben kete diskutim jo me te mire sesa nje bisede kafesh, dhe ja heq edhe ate pak metodike shkencore qe mund te pretendohet te permbaje komenti si mjet komunikimi.”

            Eni, ne cfare konteksti ke pakenaqesi nga mungesa e diferencimit dhe e percaktimit te kontekstit? Jo per gje, por keshtu ne pergjithesi mbi rreshkitjen e diskutimit te ben bumerang ky komenti qe ke lene.

  15. Ndër të rrallat gjëra që kam lexuar më shumë se dy herë janë punët brilante të Anjshtajnit; ato janë të tilla dhe në të shkruar; të mahnitëshme – të shpjegosh universin aq kthjellët e aq thjeshtë. Por, duke lexuar Anjshtajnin, gjithësia lëviz brenda trurit të secilit jo vetëm si ai e ka shpjeguar, por dhe sa secili ka mundësi, fantazi, krijimtari, të ndërtojë modelin. Kjo vlen për gjithëçka të shkruar, lexuesit e ndërtojnë kështjellën, të ndikuar nga modeli që kanë parë a që ju ka bërë më shumë përshtypje; njëlloj si me ëndrrën. Duke parë një nga emisionet popullore mbi teoritë e Anjshtajnit, profesorët e famshëm të kohës së sotme, i ofronin publikut edhe shpjegim vizual, vizatimor në 3D; shpjegim që do s’do të ngelet në mendje sepse: ka hyrë 20/20, është i përzgjedhur nga profesora që u kushton një jetë punë kjo gjë, dhe, që të merremi vesh e të mos bëhemi lëmsh, secili do të ketë në kokë atë model që kanë dhe të tjerët, ashtu si me bukë të gjithë kanë pak a shumë parasysh të njëjtën bukën pavarsisht ku jetojnë.
    Për të hyrë në mendje, nëse kjo do të ishte një kështjellë, janë hapur portat e syve dhe të veshëve, por teksti ndryshe nga figura, muzika, që hyjnë si prodhime të gatshme, për tu blerë e përdorur, hyn aty si lëndë e parë, e cila nëse zotërit nuk janë të zotë për të ndërtuar, për të menduar se në ato skica në kalk, plane në letër blu, do të flerë e heshtur përjetësisht, e si rëra do të hallkaten rrugëve kur të ketë erë deri në zhdukje.
    Ky më duket ndryshimi më i madh mes tekstit e të tjerëve: teksti lejon gjithsecilin të ndërtojnë botën vetë, të tjerët e japin botën e ndërtuar, jo rrallë dhe me ndihmën e pak teksti për titull. Të ndërtosh vetë kërkon kohë e privime, mund e djersë, të banosh në ndërtime veçse mundësi, shpesh përqeshëse, mund të rrosh në Nju Jork, dy blloqe larg ndërtesës së OKB-së e të flesh në kartona.
    Tekst – individualitet.
    Imazh- kolektivitet.
    Dihet ç’është e ç’sjell secila. Më ngjan se në periudha lodhjeje, elitat i dorëzohen imazhit me shpresën që do ta mbajnë nën kontroll turmën e ta drejtojnë si somnambul; gjithë duke e ditur ç’kataklizma mund të ndodhin.

    Atje lart ka yje. Dhe përmbi yjet janë krijuesit – mund të niste një përrallë mbi imazhin dhe tekstin.

    p.s. Ndërtojmë jo muret por shtëpinë, apo-apo, ndërtojmë hapësirën ku lëvizim lirisht? Shtëpia është e dukshme, e prekshme, ka adresë, bën ding-dong. Për hapësirën brenda saj gjithkush shkruan ndryshe nga tjetri; po përtoi mjafton të hapët krahët, bëjë aq rrotullim sa i lejon shëndeti e të thotë: home, sweet home.

    1. A ka rëndësi se cilën tullë do vërë më parë muratori e cilën më mbrapa? Ai që pritet, muri, do të jetë njëlloj, si me aksh tullë të gjashtën në rreshtin e nëntë ashtu dhe me po atë tullë të nëntën në rreshtin e gjashtë. Edhe sikur të na detyrojnë të prekim atë aksh tullë me dorë, e njëherë muratori ta vërë tullën sipas shembullit të parë, e herën tjetër sipas atij të dytë ne do të këmbëngulim se ai që ne shohim është një mur, po i njëjti mur. Kurse ai është muri që tullën që prekem e ka një herë në një pozicion një herë në një tjetër.
      Ti kthehem tekstit të komentit tim, tre herë këtu shkrova Anjshtajni, dhe jo Ajnshtajni apo Ej(i)nshtajni. Një i botës vizuale që përdor Ajnshtajni edhe mund të mos e kapë, ai e shikon dhe lexon fjalën si tërësi, ku fjala është njësia bazë e jo më shkronja; një i botës tekstuale së paku ka nënqeshur.

  16. KU ISHE TI… ARTAN?

    Kur them “mungesa e kulturës” kam parasysh mbi të gjitha kuptimin që i jep kulturës Montenji në esenë e tij të famshme “Më mirë për një kokë të ndërtuar mirë sesa të mbushur mirë”. Thelbi i saj është se njeriu i kulturuar (dhe, për rrjedhojë, një shoqëri e kulturuar) është si bleta e cila arrin që, pasi mbledh nektarin lule më lule (me çka nënkuptohet mësimi i teorive e filozofive të ndryshme), arrin të krijojë mjaltin që është produkti i vet. Problemi ynë është se pikërisht për shak të mungesës së kokave të ndërtuar mirë (ku hyn edhe ndërtimi etik) ne shpesh prodhojmë një produkt emri i të cilit fillon me “m”, por që ka një shije dhe erë tjetër fare nga ajo e mjaltit…. Fatos Lubonja

    Natyrisht m[argarina], si në planin kulturor, ashtu edhe në atë etiko-moral ka një shije… (kur flet për shije, natyrisht duhet ta kesh provuar) dhe erë tjetër, krejt ndryshe nga ajo e mjaltit. Nuk ka si të ndodhë ndryshe.
    Përsa i përket konfliktit mes brezave, fakti që ai i vjetri na akuzon si brez analfabet, kam përshtypjen se lidhet me punën e bukur që ka bërë për të na edukuar gjatë gjithë këtyre njëzet viteve. Në fund të fundit, një pjesë e mirë e problemeve që ka sot shoqëria shqiptare na janë lënë trashëgim nga ai brezi i vjetër që për 50 vjet ka vuajtur, ka vuajtur e ka vuajtur nën diktaturë, pa guxuar njëherë të ngrerë kokën.
    Natyrisht, do ngrihet brezi i vjetër e do thotë: «Kjo as që mendohet! Kjo është e paimagjinueshme! Ta prisnin kokën!» Dhe unë do t’i pyesja: Po përse është e paimagjinueshme? A e provuat ju (e kam fjalën përveç kryengritjes antikomuniste të vitit ’47), apo thjesht i dhatë shtysën e fundit diçkaje që do binte nga çasti në çast (në vitet ’90). Dhe brezat që do vijnë pas nesh, ndoshta do t’ju gjykojnë – ndoshta fare pak. Brezat që do vinë, ndoshta do të pyesin: KU ISHE TI, ARTAN!?
    Kjo është edhe arsyeja e ardhjes së… analfabetëve. Shfaqje të tilla si «Portokalli» apo «Zonë e çlirë» nga Arian Çani, janë si ato kostumet e prera me porosi, për njerëz që duan të qeshin të dielën në darkë pa e vrarë mendjen për cilësinë e lartë kulturore apo intelektuale të shfaqjes në fjalë, pa pasur nevojë të dialogojnë nga larg me Umberto Eco-n apo Jacques Derridanë. Jo për gjë, po për nga afër analistët tanë as që e shohin në ëndërr këtë shans.
    Nëse me konflikte, Artan Fuga nënkupton ndonjë rast të tipit: Akoma nuk ke rënë të flesh ? Po vajti ora dy e natës ! — Jo, se po shoh «Zonën e çlirë»… ndoshta tensionet midis brezave, brenda familjes i shërbejnë këtij qëllimi: largimit të të rinjve nga shtëpia, për të krijuar një familje të re. Fakti se shpeshherë ndjekim një logjikë ndryshe nga ajo e brezit të vjetër, që në njërën dorë mban «Luftën dhe Paqen» në pesë vëllime, nuk na bën doemos analfabetë.
    Ndërsa nga ky citati për analfabetët modernë, më kujtoi ushtarin e mirë Shvejk: kur infermierët e mbanin hopa në nevojtoren e çmendinës, ai ndiente «një gëzim vërtet horizontal».

    *Të më falni, se kam qenë disi përgjumësh kur e shkrova një pjesë të këtij shkrimi. Doja që titullin ta vija latinisht, të tipit Adam ubi es? po mora vesh se u përktheka, Adam ku je? dhe jo ku ishe!

    1. Me le shije te hidhur, dhe pse kete e gustar, ndarja ne breza e gjuajtja andej ketej. Eshte ndarje qe s’mbeshtetet askund. Mendo se mosha e me te rinjve vjen e rritet e se me te vjetrit mund te jene me te rinj se me te rinjte ne jete. Kjo si ajo e te jetuarit para Krishtit qe i le paganet (edhe mendje ndritur) jashte ferrit/purgatorit/parajses.

      Gjithsesi, gjitha ata te atij brezi qe i adresohesh e kane bere me shume se njehere dhe e kane kerkuar me me shume se ne nje forme te faluren, e cila mesa duket nuk ka per tu dhene.
      Por, nuk mund ti thuash manit pse nuk cel me bajamen, ashtu si nuk mund ti thuash pse nuk provoi te celte me heret; kqyr me kujdes faktin qe pse cel vone, qe kur lidh kokrra ato shkunden me nje ere, pse e ka ate trup aq ligsht te sakatosur – por mos kujto se mani i vjeter vetem ka vuajtur, ka vuajtur, ka vuajtur pa ngritur koke- sepse gabohesh; mani ka lulezuar me kohe te vet.

  17. Per te kontribuar sadopak tek diferencimi i debatit mbi superioritetin apo inferioritetin e njerit apo tjetrit medium po ju jap nje shembull te rendesishem.

    Besoj te gjithe jemi te ndergjegjshem qe mesimdhenia apo te mesuarit jane nga proceset me te rendesishme kulturore dhe civilizuese. A eshte teksti ketu me i mire sesa alternativat multi-modale dhe interaktive? Besoj ketu ka pak per te argumentuar. Mesimi eshte nje proces social dmth. interaktiv dhe multi-modal. Modelet mesimdhenese te deritanishme e kane injoruar kete fakt per shekuj te tere dhe mesimi frontal ishte pothuaj standarti ne te gjitha vendet e zhvilluara. Vetem tani ka filluar ndergjegjesimi qe modelet standarte mesimore statike te deritanishme jane per tu hedhur ne kosh pleherash.

    Cili modalitet eshte i pershtatshem per mesimin atehere? Teksti, nje modalitet asocial qe te jep mundesine te perqendrohesh, apo alternativat multi-modale dhe sociale te cilat te ofrojne kane tjeter lloj perqendrimi? Pergjigja ime do te ishte qe te dyja jane te pershtatshme dhe duhen nderthurur. Perqendrimi dhe deduksioni si proces kognitiv duhet ashtu sic duhet edhe aplikimi dhe mesimi nepermjet feedbackut. Natyra dhe evolucioni i specieve e ka zgjidhur problemin e mesimit nepermjet njerit prej modeleve me perfekte ekzistues. Lojes. Interaktiviteti dhe konteksti social i mesimit eshte pra i koduar ne gjenet njerezore dhe kjo eshte menyra me e natyrshme per te thithur informacione te reja. Prandaj mjete eventuale sociale e multi-modale mesimore per te cilat interneti/dixhitalizimi eshte teknologjia “par eksellence” jane shume te pershtatshme.

    Mua vetem ky shembull me mjafton per te refuzuar kategorikisht pergjithesimet mbi superioritet apo inferioritet. Te them te drejten nese nuk behet diferencim ne kontekstin dhe qellimin e komunikimit them se ky diskutim mbi inferioritetin apo superioritetin e modaliteteve ka vdekur para se te filloje mire sepse per cdo argument pergjithesues mund te sillen te pakten disa kundershembuj kokeforte.

  18. Shikoni dhe kete artikullin ku argumentohet pse avataret jane mesues me te mire. Kur shkruaja me siper se interneti dhe teknologjia dixhitale eshte teorikisht e afte te zgjidhe apo te krijoje cfaredo lloji problemesh komunikimi nuk ma merrte mendja se do te isha kaq afer.

    http://chronicle.com/free/v54/i30/30b02701.htm

  19. Loja?!?!
    Nuk e di se kush tha: “Art is not truth. Art is a lie that unables us to recognise the Truth”.

    Do te duhesh nje guxim prej te marri, ose nje sens i perzmadhuar vetrespekti (edhe milingones ne nje qyp prej qelqi duhet t`i ndodhe) te vije ne diskutim rolin, deri tani te pazevendesueshem te te shkrurit dhe shkrimit si tulle baze e ndertimit te civilizimit.
    Verbum volat, e kishin per zakon te thoshin latinet e prapambetur. Kushedi se me cilin tribe e kishin inatin. Ndofta me ndonje qe fliste me gishta.

    Te presim nja nje mije vjet, e me pas shohim e flasim nese shkrimi ka ndonje konkurrues qe ia vlen per tu respektuar.

    Res est sacra miser.
    Do te isha kurioz se si nje princip i tille do mesohesh e studiohesh me ane te celulareve apo LCD-ve

    1. Vëmëndje,

      Ndonjëherë është mire që të pabindurit t’i lësh të pabindur se e gjejnë vetë rrugën.

      Atë paqen më sipër ta pranoj, ndërkohë të sygjeroj që të punosh pak më tëpër me silogjismat.

      1. Sa per silogjizmat, jam dakort te punoj, por sejcili puneson ate qe eshte, jo ate qe s’eshte.

        varianti #1
        a-Muratoret nuk mendohen
        b-Disa mendimtare jane muraror.
        c-Disa mendimtare nuk mendohen

        variant#2
        a-Muratoret mendohen
        b-Disa mendimtare jane murator.
        c-Disa mendimtare mendohen.

        “Ndonjëherë është mire që të pabindurit t’i lësh të pabindur se e gjejnë vetë rrugën.”

        Kur shkruaj; Kush nuk bind, nuk komandon dot veten.
        (ne kete rast sejcili, pra edhe ti te bindesh dot veten, pa te komandosh)

        Konsidero “cthurjen” per thurje idesh, dhe per inerci pranin e shkrimit si psardhese/aplikuese e mendimit, dhe jo strumbullarin e tij.

        Kur spjegon Luliani aq mire pjesemarrjen e barabarte te mediumeve ne perfaqesine e mendimit, behet mire te konsiderohet se c’kuptohet me ate, dhe mos largo seriozitetin, qe e do si duket aq shume, kur shkruan per fotografine si inferiore perballe shkrimit. Duket qarte per mua se problemi yt qendron ne kategorizimin e gjerave. Duhet shkuar, si fillim, dhe te shihet pertej Gilbert Ryle, jo vetem ti por kush do.

        1. Vëmëndje,

          Meqënëse kësaj radhe vërtet e more mundimin për t’u afruar dhuke bërë gjysmën e rrugës drejt meje, më lërë edhe mua të afrohem duke bërë gjysmën e rrugës drejt teje.

          Është shumë e vërtet ajo që thua se:

          Konsidero “cthurjen” per thurje idesh, dhe per inerci pranin e shkrimit si psardhese/aplikuese e mendimit, dhe jo strumbullarin e tij.

          ..dhe po them se jam shumë dakort me këtë. Sikurse mendoj se edhe ti je dakort me mua që disa aktivitete njerëzore janë më frytëdhënëse kundrejt një qëllimi të caktuar se disa aktivitete të tjera. Për shembull të punosh është më e dobishme nëse duam të prodhojmë; kurse të flesh është më e dobishme nëse duam të çlodhemi. Të dyja janë të nevojshme por nuk janë të shkëmbyeshmë me njëra tjetrën përsa i përket qëllimit.

          Nëse fotografia dhe shkrimi do ishin të barabarta dhe të shkëmbyeshme, atëherë përse nuk e zëvendësojmë fushatatën kundër analfabetizmit me blerje kamerash dixhitale?

          Shpresoj që të jem kuptuar kësaj radhe.

  20. Temë shumë interesante dhe sa e lexova më erdhën në mendje menjëherë ato vargjet e këngës:
    “The fish doesn’t think because the fish knows everything.”

    Po shkruaj përmbledhtazi disa mendime mbi temën më tej por edhe nëpërmjet komenteve që i gjej jashtë mase të vyera. Fillimisht besoj se shkrimi duhet konsideruar teknologji, mgjse në fazat tepër primitive të saj. Edhe sigurisht që ka një rol madhor në civilizimin e sotëm, por ASHTU si ne e njohim. E kjo nuk do të thotë se civilizimi nuk ndryshon në kohë. Shkrimin do e përkufizoja sot si formën më të përhapur dhe më të lehtë të kodifikimit që ka si qëllim komunikimin mes njerëzve. Megjithatë, përpara shkrimit, ishte fjala (gjuha e folur). Përpara fjalës, janë tingujt. Dhe përpara meje tani në mendje, qëndron një fëmijë i vogël rreth një vit që po belbëzon. Këtij fëmije i duhet medeomos mësuar gjuha e folur më parë e pastaj shkrim e këndim, që pas njëzet vjetësh dashtë zoti të bëhet anëtar forumi apo blogu e të ketë mundësi të shprehë mendimet e veta të artikuluara rrjedhshëm dhe me argumenta.

    Në gjithë këtë proces, fëmijës do i jetë dashur ta vënë të mësojë dhe të kalojë detyrimisht të gjitha etapat e sipërpërmendura. Që nga mësimi i të folurit. Do i duhet të rritet që t’i përvetësojë, e prapë mua më duket se njerëzimi mbarë përpara teknologjisë është akoma fëmijë. Nuk është rritur.
    Dakort siç është shprehur nga shumë parashkrues, shkrimi është shtylla e civilizimit të sotëm, po çfarë do ndodhte nëse televizioni dhe interneti do ishin shpikur, rreth 200 vjet më parë le të themi? A do kishim të njëjtin civilizim të sotëm?

    Kthehemi përsëri te fëmija… po në fëmijërinë e vet, shkrimi, çfarë shprehte? Si ishte, në formë dhe përmbajtje? A ishte kaq i evoluar sa sot? Me hamendje them se shkrimi fillimisht duhet të ketë qënë në formën e vet primitive shprehur si disa shkaravina të lëna nëpër shpella, apo më pas në papiruse jo fort lehtë të përdorshëm e me kode jo lehtë të kuptueshëm sot.
    Po edhe vetë gjuha e folur, ajo e njerëzve të lashtë, në formën e vet primitive besoj se duhet të ngjante shumë me belbëzimet e një fëmije. Më tej, ka një teori që thotë se çdo gjë lind prej nevojës dhe më pas nevoja e kthen atë diçka në art të vërtetë, nëpërmjet evolimit. Mund të marrim (pothuajse!) çfarëdo lloj aktiviteti njerëzor që është kthyer nga nevojë në art. Që nga nevojat e thjeshta të përditshme për ngrënie dhe veshje e më tej. Kështu edhe shkrimi është shndërruar në art e për këtë jemi të vetëdijshëm, po nga ana tjetër e zotërojmë po kaq lehtësisht të gjithë. Ndërsa teknologjinë jo. Aty jemi fëmijë që në mos mezi presim të shikojmë telefilmin e preferuar, na duket gjë e madhe thjesht të dukemi në ekranin e një tv-je kombëtar.
    Mua forma primitive e sotme e përdorimit të teknologjisë nuk më pëlqen fare. Edhe shkrimit ia njoh vlerat e madje superioritetin e të qënit i pazëvendësueshëm. Po thjesht dua të them se nuk duhet të hedhim poshtë teknologjinë vetëm përmes mbizotërimit surrogato të saj në treg. Fundja, edhe shkrimtarë të mirë sot ka fare pak, megjithëse të gjithë dinë të shkruajnë. Pastaj, nuk mendoj se duhet të këmbëngulim mbi superioritetin e formave të komunikimit, sidomos kur këto vetë nuk e përjashtojnë njëra tjetrën. Dhe normal që mendoj se pa shkrim, nuk mund të ketë civilizim, të paktën ashtu si e njohim sot.

    Civilizimet për mendimin tim, e ruajnë superioritetin përmes vlerave morale që mbartin. Dhe mjet për t’i shprehur këto, ndoshta mjeti më i mirë deri më sot, është shkrimi vetë. Po mu kujtuan gjithashtu dy gjëra… E para, në një temë këtu në blog ku, kur iu kërkua indianit të thoshte në gjuhën e vet se para një dite a dy kishte shkuar për peshk, e ky iu përgjigj se nuk mund ta thoshte, sepse do ishte gënjeshtër. Shikoni çfarë forme fantastike morale është arritur të përçohet në vazhdimësi, vetëm nëpërmjet gjuhës së folur! Apo rasti ynë, i kanunit dhe koncepti i “besës”, apo fjalës së dhënë. Shikoni çfarë formë evolutive është arritur vetëm në gjuhë të folur, për të siguruar paqe dhe zhvillim (si arsye kryesore, se ka dhe të tjera). Nga ana tjetër, kjo formë e lartë morale nuk do ishte lehtë e arritshme vetëm nëpërmjet fjalës nëse shqiptarët nuk do tregoheshin kaq indiferentë ndaj shkrimit. Për të qënë i ndershëm, një evropiani i nevojitej noter. Një malësori, vetëm fjala e dhënë.
    Po të hyjmë dhe më tej në histori, megjithëse në fushën e fantashkencës, ka shpjegime interesante për “formulat magjike” dhe aftësinë e gjuhës për të arritur nivele të paarritshme. Çfarë mund të thuhet në këtë rast, a është superior shkrimi?

  21. “Për të qënë i ndershëm, një evropiani i nevojitej noter. Një malësori, vetëm fjala e dhënë.”
    Sa keq qe nuk mbeti vetem « pasuri » gojore Kanuni. Do ta kishte marre era si te gjitha fjalet. Na ka mbetur ne dere si deshmi e nje qyteterimi primitiv ne mes te evropes qe kerkonte drite e horizonte te reja, te cilat pa ndihmen e disa profesioneve te reja (p.sh noterit) s’kish si ti arrinte.
    Me aq veprimtari sa kishte malesori, s’ia kishte nevojen noterit, as shkrimit e kendimit. Televizioni dhe disa reklama te Koka Koles do t’i kishin mjaftuar te ndjehej me i lumtur.

    1. Ke shkruar shumë ngatërrueshëm, Ester. Mbase sepse të ka qorruar mllefi ndaj kanunit. Kanuni është pasuri gojore, sado ligsht tu vijë. Është formë vet-organizimi e kohës në të cilën u krijua dhe zbatua. Po këto mendime si të tuat ndodhin të jepen, kur ndikohen së shumti prej tv-së dhe reklamave të koka kolës.

      Malësori me nevojat e pakta që kishte, arriti të lartësonte mjetin më primitiv të mundshëm – pikërisht fjalën, në lartësi të pa arritura më parë. Mendoni…. nëse shkrimi do kishte zbatim të gjerë, shumë kohë më parë ndër njerëz, ndoshta legjenda si ajo e Kostandinit të ngritur nga varri për fjalën e dhënë, nuk do të ekzistonin.

  22. Ujk, gjetja e balances midis privates dhe publikes ne mesim eshte proces individual ashtu sic eshte aftesia dhe procesi i te mesuarit me njeren apo tjetren metode tek cdo njeri. Pra nuk i takon institucioneve te vendosin per ate balance. Detyra e teknologjise te pakten ne kete fushe (mesimin) eshte te jape alternativa te dobishme ne arritjen e nje balance sa me te natyrshme individuale.

    Interaktiviteti ne mesim pasqyron shume mire tekniken e te mesuarit nepermjet feedback-ut e cila permban dhe reflektimin perbrenda. Kjo teknike njihet e ka legjitimitetin e vet. Perdoret nder te tjerash qe nga vete njerezit per te mesuar gjuhen e nenes psh. (sipas shume shkencetareve procesi kognitiv me i rendesishem ne jete meqe ra fjala) deri dhe ne fusha si ne inteligjence artificiale.

    Vete aftesite kryesore kognitive te njeriut zhvillohen nga bashkeveprimi me realitetin ne vegjeli. Eshte e njohur psh. qe femijet e vegjel qe ecin per kohe te gjate me kater kembe zhvillojne aftesi kognitive hapesinore me te mira te mevonshme te cilat luajne rol ne aftesite matematikore. Apo ata femije qe sterviten te seleksionojne objekte te formave te ndryshme zhvillojne perseri aftesi te mira matematikore. Lidhja prominente midis atyre qe luajne muzike e aftesive te tyre matematikore ka perseri te beje me interaktivitetin.

    Thenie paushale si

    Modelet interaktive janë proçese intuitive, nuk janë proçese reflektimi dhe mendimi. Duke mos qënë të tilla, pra reflekruese, edhe mundësia e manipulimit është më e madhe.

    te cilat ti i merr aq kollaj pa vertetim jane krejt pa kontekst. E gjithe ajo qe dua te them eshte qe ka shume domene ku interaktiviteti e multi-modaliteti kane legjitimitet te forte ashtu sic ka domene ku kete e ka teksti apo metoda te tjera akoma me hibride.

  23. Eni thotë:

    Thenie paushale … te cilat ti i merr aq kollaj pa vertetim jane krejt pa kontekst. E gjithe ajo qe dua te them eshte qe ka shume domene ku interaktiviteti e multi-modaliteti kane legjitimitet te forte ashtu sic ka domene ku kete e ka teksti apo metoda te tjera akoma me hibride.

    Eni,

    Përkundrazi konteksti anashkalohet kur nuk do ta analizosh natyrën e interaktivitetit duke ia dhënë legjitimitetin gratis. Unë e kam të vështirë ta përfytyroj se si një shoqëri mund të flasi për zhvillimin e aftësive matematike nëpërmjet metodave të prindërimit të hershëm (ecja me katër këmbë), kur po kjo shoqëri e injoron edukimin e përgjithshëm kundrejt po së njëjtës shkencë në periudhën kur ajo mund të përvetësohet më mire, ne shkolle te mesme? Dhe ja po ta jap unë një përgjigje se si e mendoj: sepse në këtë shoqëri pritet që ta njohin matematikën vetëm ata që kanë ecur me katër këmbë në fëmijërinë e tyre të hershme, pasi prindërit kanë pasur pikërisht këtë në mëndje kur e kan rritur, dhe ai ka për t’u investuar vetëm në këtë drejtim. Ky njeri do konsiderohet “ekspert”. Kurse pjesa tjetër e shoqërisë që nuk ia ka haberin as matematikës dhe as llogjikës, do merren me biznes dhe “shkenca sociale”, ashtu siç janë faktikisht 90% e amerikanëve. Ndërkohë nuk më hiqet nga mëndja se shumë nga këto “kërkimet shkencore” shpesh kryen nga nevoja për t’i mbajtur financimet të rrjedhshme, sesa nga nevoja për të trajtuar problemet reale të mësimëdhënies. Cyprinodon diabolis solli dikur këtu shëmbullin e një statisticieni kinez që kishte kontribuar në formulimin e CDO-ve (derivative që shkaktuan rrënimin e sistemit financiar) dhe faktin që asnjë bankier nuk i kuptonte funksionet e tyre, dhe nga mjete të “vlerësimit të rriskut” i konsideronin si mjete të “parashikimit të rriskut”. Në shkenca sociale diferenca ndërmjet “vlerësimit” dhe “parashikimit” ndoshta nuk ekziston (interactive therefore interchangeable), por në statistikë është shumë e madhe. Për një fjalë u bë qameti, tha.

  24. Tema eshte shume e veshtire.Reth raportit gjuhe e folur gjuhe e shkruar-gjuhe e folur,sot,reth kesaj ka dy pikpamje gjuhetaresh.Ne pikepamjen e pare qendrojne shumica e gjuhetareve me tezen qe gjuha e shkruar ka perparesi ndaj gjuhes se folur.Ne pikepamjen e dyte qendrojne nje pakice gjuhetaresh me tezen qe gjuha e folur eshte paresore.

    Gjuhes e folur,te ciles per zhvillimin dhe rritjen i eshte dashur miliona vjet (zhvillim spiral i vetvetes ne reth tre 3.5 milion vjete),une I vendos perparesine me arrgumentin qe ajo eshte nje produkt I evoluciont dykahesh tru-gjuhe.Truri ka zhvilluar dalengadale gjuhen e folur dhe gjuha e folur ka zhvilluar ne sensinge kundert,I cili eshte pak I veshtire per tu kuptuar me nivelin e shkences perkates qe ne kemi sot,vete truirin.

    Shenjuesi si shenjuesit,per te cilen mendoj fillimisht qe eshte term I gabuar,eshte shtresezimi ne nje rafsh I shumedimensionshit gjuha e folur,me qellim per te mbuluar nje te mete te madhe te trurit,ruajtjen e informacionit .Truri mban vetem ate qe do te mbaje,aftesia zgjedhese e tij,ndersa te tjerat I shkarkon,I fshin.Nga ky element,te cilet te paret tane arriten intuitivisht ta kuptojne,filluan perpjekjet graduale qe t’gjenin nje metode ku gjuha e folur te memorizohej ne nji menyre te caktuar.Te pakten kjo vertetohet arkeologjikisht me nje gjetje te nje guri te shkruar ne France me moshe reth 70 mije vjecare.Ne te vetem kishte pika dhe vija.Eshte pak a shume koncpeti i jo-po-se ose i 0-1.

    Duke mos ngaterruar rendesine e madhe qe pati gjuha e shkruar ne zhvillimin njerezor me aftesite e saj per t’ dhene sa me saktesisht mendimin prej materies biologjike tru,une mendoj qe gjuha e shkruar pervec plusit te magazinimit te gjuhes se folur,komponentet e tjera I ka te gjitha me vlera negative ne raport me gjuhen e folur.Kjo per nje arsye te shume thjesht kuptueshme nga te gjithese,gjuha e folur eshte vete truri,eshte organ abstrakt biologjik.

    Nuk do te le pa permendur gjuhen e brendshme,te pazeshme,qe natyrisht nuk ngjan aspak me shenjuesin e shenjuesit,e cila permban kryesoren mendimin,e cila eshte vetem gjuha e folur.Gjuha e folur vetem sa ngushtohet e perthahet kur shkon drejt shenjuesit te shenjuesit,sepse ne vetevete nuk eshte nje shenjues por nje organ kompleks,ku 1% te komplicitetit te saj mund te krahasohet me gjuhen e shkruar.

    Ndersa riprodhimi I menduar I komunikimit dhe ngjarjes ne tri dimensione(ze-figure tredimensionale),ashtu si ka lindur dhe eshte prodhuar fillimisht,perben perputhjen ideale te komponenteve te krijimit imagjinar te trurit me mjete bilogjike te ekzekutimit te tij,gjuhen e folur,ne simfonine e figurave dhe zerave tredimensionale te natyres.

    Ashtu sic truri shpiku thatesiren shkrim,per te mbuluar nje te mete te vetvetes,ashtu me vone ka zbuluar paratet audio(riprodhimi I drejperdrejte I gjuhes se folur-ruajtjen barazimin e shpejtesise se origjinalit gjuha e folur me riprodhimin e tij,zerin e regjistruar dhe jo shkrimin),filmin(per te plotesuar te meten e shkrimit,figurat gjallesore te personazheve ne levizje),telefonin,TV,kompjuterin etj.Prandaj sot kemi CD liber,filma,tv,PC qe shiten me shume se librat.Shkrimi gradualisht po zevendesohet ne procesin e komunikimit dhe te shkrimit.Idene ti si shkrimtar mund ta hedhesh me ane ten je audioregjistratori dh eta dorezosh si material per CD-liber.Do te vije nje dite qe ai nuk do te ekzistoje,do te zevebdesohet.Komunikimi ne kohe reale si dhe ruajtja po shkon drejt suporteve dixhitale ze-figure.Eshte e natyrshme ashtu sic kane lindur ne fillim,vetem ashtu merren ne shpejtesine e duhur,kuptimin e sakte dhe cilesine e larte komplekse ndikuese te faktoreve te tjere dytesore perberes.Sepse truri nuk ngeli vetem tek krijimi I gjuhes se shkruar,sic ka ngelur I disa vetem gjuhetare,ai vazhdon te krijoje..dhe komunikimin ,mesa po duket e mban si objektiv primar te permiresimit te vazhdueshem te tij deri ne nivelin maksimal.Fatmiresisht sot kemi faktin kokeforte qe me format e mesimit,zbavitjes,komunikimit etj te cilat kane per baze gjuhen e folur,nuk merren vetem gjuhetaret si dikur,dhe nuk bazohen me vetem tek gjuha e shkruar.Para disa shekujsh,po.

  25. “Për shembull të punosh është më e dobishme nëse duam të prodhojmë; kurse të flesh është më e dobishme nëse duam të çlodhemi. Të dyja janë të nevojshme por nuk janë të shkëmbyeshmë me njëra tjetrën përsa i përket qëllimit.”

    mire, ne se do ish fragmentar komunikimi i mendimit ne kete teme dhe jo vetem, tenden, por… Jam i pa qarte, ne se po kupton

    kur, hop-a, hidhesh e kapesh me veten, te vjeteruar tashme per sa te kam lexuar, kur shkruan:

    “Nëse fotografia dhe shkrimi do ishin të barabarta dhe të shkëmbyeshme, atëherë përse nuk e zëvendësojmë fushatatën kundër analfabetizmit me blerje kamerash dixhitale?”

    Ujku i zi, vemendja nuk shpeton askend, po s’pati mendje, edhe mendja nuk te shpeton jashte asaj te dhene.
    Ne kete pike, nga sa me siper shkruar, ne ndahemi ne c’po mendojme.
    Te barabarta, ato-fotografia dhe shkrimi jane vetem ne pjesmarrjen te te shprehurit te mendimit, por ne forma te vecanta/ndryshme, prandaj e sheh qe te dyja funksionojne per ate qellim. (Qellimi eshte te flas mendja, se ku e c’eshte ajo qe eshte)

    Te sugjerova te lexoje dicka, me siper, me modesti, per llojshmerine e mediumeve dhe pjesmarrjen e barabarte te tyre, per te folur per ate qe eshte-egzistencen, pa e bere terkuz.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin