Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi

SHKRIMI DHE PROGRESI

kaligramÇ’ndikim do të ketë Interneti mbi raportin midis komunikimit me tekst të shkruar dhe komunikimit zanor/vizual? Vallë mund të quhet ky i dyti më “i natyrshëm” se i pari?

Pyetje këto që nuk u përgjigjemi dot në blog, por që të ftojnë të mendosh. Veçanërisht pas një komenti të Enit, i cili shkroi:

Teksti i shkruar eshte sot me te vertetete mjeti mbizoterues i komunikimit ne internet por nese analizojme aresyet atehere dalim shpejt ne perfundimin se kjo dominance e tekstit do te jete poashtu afatshkurter.
Aresyet kryesore pse teksti i shkruar eshte sot dominues ne internet jane per mendimin tim teknologjike. Teksti analizohet akoma me mire sesa modalitetet e tjera (video, fotografi dhe ze). Kodimi i tekstit nuk kerkon shume vend dhe kjo ka rendesi ne rrjete me kapacitet te dobet percues. Por me e rendesishmja eshte qe mjetet per te bashkevepruar nepermjet tekstit (tastiera dhe ekrani) ekzistojne masivisht dhe jane te lehta per tu perdorur.
Megjithate qofte shpejtesia a rrjeteve qofte aftesia per te analizuar modalitete te tjera po zhvillohen me shpejtesi. Poashtu mjetet e bashkeveprimit me kompjuterat po largohen nga teksti e po shkojne ne nje drejtim shume me multi-modal. Ne fund te ketij zhvillimi do te kemi nje internet ku mbizoterimi do te kaloje nga teksti tek komunikimi vizual dhe ai auditiv. Ndersa vete teksti do te kaloje ne rolin e tij klasik te komunikimit te ideve me komplekse qe kerkojne kohe per tu thithur e per tu shprehur. Pra teknologjia vete do te arrije te rivendose rendin natyral te komunikimit qe e kishte kthyer me pare permbys.
Dominimi aktual i tekstit per te gjitha llojet e komunikimeve (te shkurtra, te gjata, diskutime, ese etj. etj.) nuk eshte asgje tjeter vecse nje shenje e pjekurise se munguar te teknologjise.

Çdo teknologji është artificiale; madje unë do të shtyhesha deri aty sa të thoja se sa më të natyrshme duken teknologjitë, aq më artificiale janë.

Shkrimi mbështetet mbi konvencione fund e krye arbitrare – alfabeti, lineariteti, drejtimi nga e majta në të djathtë, etj.; pa përmendur pastaj arbitraritetin e vetë shenjës gjuhësore. Megjithatë, të gjitha këto artifice bëjnë të mundur jo vetëm persistencën e komunikimit gjuhësor në kohë, por edhe qytetërimin e sotëm Perëndimor, ashtu siç e njohim.

Përkundrazi, askush nuk e ka të qartë se ç’qytetërim po sjell komunikimi audiovizual; dhe veçanërisht komunikimi i mbizotëruar nga imazhi, si figurë dhe si video.

Në televizion, vizualiteti është vënë fund e krye në shërbim të shitjes së mallrave dhe të propagandës; është e logjikshme që të njëjtat efekte të priten edhe nga depërtimi i kësaj teknologjie në Internet.

Nuk e mohoj që unë anoj nga epërsia kulturore e shkrimit, në raport me teknologjitë e tjera; edhe pse jam i vetëdijshëm që ky mund të jetë edhe kufizim imi i rastit. Në të njëjtën kohë, nuk gjej dot arsye për t’u entuziazmuar me dukuri të tilla si YouTube ose Facebook, të cilat shpesh ose janë në vetvete triviale, ose parazitojnë mbi arritjet e mëparshme të kulturës.

Vetë koncepti i progresit në kulturë dhe në art nuk i reziston dot kritikës. Në muzikë, në letërsi dhe në artet figurative shekulli XX nuk ka sjellë asgjë që të mund t’u afrohet arritjeve të shekujve të mëparshëm; e njëjta dekadencë vërehet edhe në filozofi, në teologji dhe në etikë. Gjithsesi, progresi teknologjik ndjek një logjikë të vetën dhe më tepër i krijon nevojat, sesa i përmbush.

calligram apollinaireNatyrisht, mjetet dhe pajisjet që lypen për të përpunuar dhe transmetuar mesazhe audio ose video janë teknologjikisht më të sofistikuara se tastiera e një kompjuteri ose lapsi; por kjo ka të bëjë me teknologjinë e kanalit të komunikimit, jo teknologjinë e kodit të përdorur, dhe ky dallim më duket i rëndësishëm.

Tani, për t’u kthyer tek Interneti, teksti i shkruar si teknologji vjen me gjithë kufizimet e veta të njohura; por këto kufizime, duke u imponuar si rregulla, i lejojnë mendimit të arrijë lartësi dhe thellësi përndryshe të paarritshme. Si teknologji të komunikimit, shkrimi dhe leximi kërkojnë vetmi dhe vëmendje të përqendruar; ndryshe nga ligjërata gojore e regjistruar, chat-i, ose fotografia.

Si teknologji, shkrimi e ka arritur tashmë pjekurinë, prandaj priret të evoluojë duke u nyjëtuar në forma të specializuara (p.sh. programimi kompjuterik, matematika, etj.). Kalimi nga një ese e shkruar, në një ligjëratë gojore nuk mund të merret, për të njëjtën arsye, si përmirësim ose ‘pjekje’ e teknologjisë; sepse asnjë avantazh nuk ka ligjërata gojore ndaj asaj të shkruar, përveçse për ata që nuk dinë të lexojnë, ose të interpretojnë tekste të shkruara.

Paradoksalisht, kjo ‘pjekuri’ teknologjie i shërben idiotizimit të publikut, sepse u krijon përdoruesve iluzionin se alfabetizimi nuk është ndonjë kusht i domosdoshëm për akulturim, dhe se videoja ose imazhi mund ta zëvendësojnë fjalën e shkruar, pa e degraduar komunikimin dhe kulturën në përgjithësi.

Për këtë temë ndoshta duhet lexuar edhe një artikull i Artan Fugës, të cilit iu përgjigj pastaj Fatos Lubonja; sikurse ky i dyti, edhe unë mendoj se optimizmi i Fugës është pa bazë, dhe se askush nuk na detyron dot të duartrokasim çdo prirje ose trend të imponuar nga teknologjia, edhe atëherë kur jemi të bindur për dëmet që i shoqërohen.

Aq më i madh është rreziku i idiotizimit për kultura të reja, si jona, së cilës ende i mungon korpusi i shkrimeve themelore; ose ajo bashkësi tekstesh e cila t’i shërbejë si platformë madje trampolinë mendimit. Ne kemi në shqipe një grusht shkrimtarësh e në përgjithësi autorësh të mirë, madje ndonjë edhe të nivelit global; por më e shumta e komunikimit publik, madje edhe në universitetet, kryhet në nivele shumë të ulëta. Autorët e teksteve e kanë të vështirë të formulojnë mendime, të arsyetojnë, të interpretojnë, të deduktojnë dhe të nxjerrin përfundime; publiku e ka të vështirë të kuptojë e të përtypë deri edhe shmangiet më të vogla nga banaliteti dhe përsëritja, ose klishetë. Këto nuk janë thjesht mangësi të komunikimit gjuhësor; por tregues të mangësive serioze në të menduar. Shkolla shqipe, në rrënim e sipër për arsye ekonomike por edhe për demotivimin e personelit arsimor dhe të vetë nxënësve, po prodhon gjithnjë e më tepër njerëz të gjymtë, të cilët nuk janë në gjendje të mishërojnë tiparet më elementare që i kërkohen një qytetari të një vendi të lirë dhe demokratik. Vëreni forumet e ndryshme – një nga karakteristikat më të spikatura është obtuziteti, ose paaftësia e diskutantëve për të kuptuar tekstet.

Në këto rrethana, zëvendësimi i tekstit të shkruar me videon ose regjistrimin zanor nuk përfaqëson ndonjë progres kulturor, madje edhe sikur të shihet si progres teknologjik. Unë besoj se alfabetizimi dhe disiplinimi gjuhësor nëpërmjet alfabetizimit duhet të mbetet objektiv parësor i arsimit shqiptar; dhe Interneti ose do ta mbështetë këtë objektiv me sa mundet, ose të gjithë do të humbim një shans të papërsëritshëm për t’i dhënë kulturës shqiptare çka ende i mungon në mënyrë dramatike: shtresëzimin, kujtesën historike, mendimin kombëtar.

Që shqiptarët kanë ende shanse për të mos përfunduar në një popull kamerier të restorantit global, kjo është rastësi dhe fat; mbetemi në periferi të zhvillimeve planetare, botës më shumë i krijojmë probleme se i ofrojmë zgjidhje; por të paktën le të mos nxitohemi e ta skllavërojmë veten vullnetarisht, duke u dalldisur pas gjithfarë karamelesh e xhinglash teknologjike, për të harruar kryesoren – nevojën për ta nyjëtuar shqiptarinë në hapësirë dhe në kohë.

7 Komente

  1. xhaxha, eshte sidomos me vlere te kuptohet drejt rendesia e madhe qe ka bashkeveprimi me teknologjine (aka. kompjuterat). Aq me teper pasi vetem tani po kuptohet drejt rendesia e bashkeveprimit me teknologjine perkundrejt diktatit te meparshem sidomos ne industrine dixhitale “me shpejte me shume”.

    Me duket se e keqkuptuar pak komentin. Do isha shume naiv te thoja qe komunikimi audio-vizual eshte superior ndaj atij me tekst. Kur une them qe komunikimi vizual apo auditiv eshte me i natyrshem se ai me tekst kam gjithnje parasysh kontekstin.

    Mbase duhet ta kisha thene me qarte se per mua komunikimi vizual dhe auditiv ka avantazhe te dukshme ne komunikimet e shpejta “real time”. Dhe kjo eshte zona e natyrshme e komunikimit vizual dhe auditiv. Pertej kesaj zone, komunikimi vizual e auditiv jane per mua po aq te panatyrshme sa edhe texti ne “real time” (librat sms si ato ne japoni, chat, etj.) Nese do te benim nje matje se sa dhe si komunikojne njerezit ne menyre vizuale e auditive dhe si me tekst duke perfshire ketu komunikimin real dhe ate virtual. Cfare mendoni se do te dale si rezultat?

    Ai i shkruajme njeri tjetrit per ti thene “mireupafshim” apo “miredita” cdo dite apo bejme thjesht nje levizje dore dhe belebezojme dicka me nje buzeqeshje. Ky ritual i perditshem eshte per nje inxhinier modest si une poashtu komunikim.

    Tani le te ndalemi tek aresyeja perse teksti eshte kaq dominant ne internet. Per mua arsyesja kryesore qendron tek mjetet e bashkeveprimit. Ekrani dhe tastiera. Keto mjete i gjen qe nga kompjuterat e deri tek celularet ne forma nga me te ndryshmet. Pse po perhapet aq shume komunikimi me fjali shume te shkurtra (140 germa)? Po sikur sepse ekranet e celulareve (presupozohet se ka rreth 3 miliarde te tille) jane te vegjel dhe vetem fjalite e shkurtra jane praktike. Mjete te ngjashme per komunikimin interaktiv audio-vizual nuk ka. Ne momentin qe kesi mjetesh imagjinare do te futen ne perdorim teksti do te numeroje ditet e dominances ne “real time”. A eshte me mire keshtu apo me keq besoj se eshte teme interesante diskutimi.

    1. Në fakt, Eni, nuk të kam keqkuptuar; ti e sqarove qëndrimin tënd me komentin e dytë, prandaj komentin tënd të parë e përdora vetëm si spunto për të shtuar disa vërejtje të miat. Dua të them se shkrimi im nuk ishte përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj komentit tënd, por vetëm vazhdim i disa temave që kishe cekur ti atje.

  2. Shkrimi si e tha Fuga, formon hierarki, eshte autori i librit qe ka per te thene/dhene dhe lexuesi/lexonjesi/leximtari qe ka per marre, por pikerisht ky nderveprim edhe pse indirekt, krijon thellesine e mendimit.
    Dialogu (gojor,i mirefillte) nuk lejon kurrfare thellesie dhe zakonisht dialogu humbet thelbin ne dy menyra; duke perfunduar ne monolog ose ne ‘reductio’ te ndonje lloji (ky hyn edhe batuta: bytha jote profesor!). Keshtu thelbi i dialogut shpesh perfundon ne kufome te ndjesive.

    Shkrimi ruan ftohtesine e gjykimit, inatin e sotem lere per neser, mbase neser autori qe te irritoi mund te fuse krimbin e dyshimit ne bindjet e tua, fale forces se mundshme te argumentit.

    Nderkaq, nderveprimi vetem pamor midis dy te panjohurve eshte kulmi i siperfaqesores dhe hipokrizise. Aty i ka rrenjet vete televizioni, sepse vjen nga kinemaja pa ze.

    Nuk duhet harruar per mendimin tim edhe efekti turbullues i shume pikave te referimit, pasi ne formimin e karakterit te njeriut, shume pika referimi nenkuptojne edhe shperqendrim ne farketimin e karakterit. Kjo gje mund te quhet edhe me shume liri, me shume vizione, me shume zgjedhje qe ndihmon ne krijimin e karakterit ‘elastik’, vecse ky ‘elasticitet’ , nese mundesohet nga dialogu e pamorja, rrezikon seriozisht te jete sinonim i mungeses se karakterit.

    Pastaj manipulimi mbi karakteret ‘elastike’ eshte me i thjeshte te behet.

    Nga pikepamja kulturore, shkrimi ka perparesi te madhe ne fushat sociale e filozofi, meqe mendimi i perpunuar ka mundesi te krijohet vetem duke shkruar, nderkaq kur vetem i flet mendimet, veshtire se mund ti perpunosh, biles i harron pas ca kohesh e te ‘humbasin’ ne subkoshence.

    Qe kultura po ndryshon rrenjesisht eshte e vertete, po si perhere duhet shtruar pyetja: ndryshim nenkupton evoluim apo devoluim ?

    Dikur me ka ardhur keq tek pranoja ngadale se pa njerez te manipuluar nga teknologjite e veset, nuk ka pasur asnjehere perparim, keshtu qe edhe ky ndryshim kulturor qe mund te sjelle braktisjen e shkrimit si baza e komunikimit te qyteterimit, apo degradimin e shkrimit, mbase eshte ne logjiken e perparimit e jo te devoluimit.

    C’eshte reale eshte patjeter racionale, thoshte Hegeli. Komunikimi pamoro-ndigjor ka qene perhere real keshtu qe edhe ky i koheve te sotme duhet te jete te pakten racional. Mbase shkrimi e permbushi misionin e tij e inteligjences njerezore nuk i duhet me per te zhvilluar qyteterimin… Kush do rroje, do mesoje….

  3. “Ç’ndikim do të ketë Interneti mbi raportin midis komunikimit me tekst të shkruar dhe komunikimit zanor/vizual? Vallë mund të quhet ky i dyti më “i natyrshëm” se i pari?

    Po e filloj nga e dyta, per te thene nje mendim. Ndofta nga qe u shperdorua e natyrshmja ne menyren si e sjell “eni” ne shembujt kur i referohet imazhit dhe zerit si natyrale krahasuar me shkrimin, edhe pse me pas pranon nje shenje barazimi per formen abstrakte te te trejave, nuk theksohet qe burim i cdo mjeti te perdorur, perfshi kto treja, ka qene, eshte, dhe do te mbetet mendimi natyra. As nji nga te treja nuk perjashton mundsite e tjetres per te shprehur mendim. Natyrshmeria e te trejave, shkrimi, degjimi dhe imazhi/figura, vlersohet nga mendimi i aplikuar ne to.

    Sa per :””Ç’ndikim do të ketë Interneti mbi raportin midis komunikimit me tekst të shkruar dhe komunikimit zanor/vizual?”

    Nga qe e folmja/zeri me mundesite sot e te berit pothuajse te perhershem egzistencen ne koh, dhe jo si para incizimit te zerit, mund te konsiderohet e barabarte me avantazhin e imazhit, ky i fundit me shkrimin eshte i vetmi midium qe transferon nga thellesia e kohes nje ze per mendjet tona, ku po shtohet zeri per te ardhmen.
    Ndikimi nuk mendoj se do te jete i internetit me shume se sa i aplikimit te mendimit gjithnji permes tre formave te siperpermendura.
    Shkrimi eshte nje nga mjetet qe ka te bej, dhe ben mendimin te jet mendim. Shume qenje kane mendim, dhe ato jane te ndryshme, jo vetem si qenje, kete na ndihmon shkrimi, leximi, ta bejme me te plote si mendim.

    p.s.
    Xha Xhai meriten e nje ushqimi gjuhesor te shkruar per lexues si une e fiton se shkruan mire mendimin.
    p.s.1
    Nuk gjej rehat me vendosjen e “e'”-ve ne shume raste, dhe jo vetem, dob(e)si qe i ka rrenjet qe me mesuesin e pare te gjuhes ne tetvjecare, qe me largoj vemendjen nga deshira e sistemuar per te mesuar gjuhen. Por jam kembengules i palodhur nga gabime ne shkrim. Per progres lexoj, shkruaj.

  4. Çështja e ë-ve dhe e c-ve në shqipen e internetit është një problem klasik i mjeteve të bashkëveprimit. Xha xhai këtë punë në blogun e tij e ka bërë me të drejtë gati çështje personale.

    Problemi qëndron tek ajo që teksti përdoret tashmë si komoditet komunikimi vend e pavend dhe jo më për hir të vetvetes psh. për hir të të shkruarit bukur siç bëhej më parë nga intelektualet. Dhe njerëzit kanë kërkesa të qarta ndaj komoditeteve. Komoditetet duhet t’ju shërbejnë njerëzve dhe jo anasjelltas. Në komente të shkurtra, përgjigje apo reagime të menjëhershme ndaj një shkrimi është e qartë që teksti dhe standarti gjuhesor në formën e tanishme nuk janë mjetet e duhura. Shihni psh. komentet që bëhen rëndom tek Peshku pa Uje ku edhe unë kam vënë re një bastardizim të gjuhës së komenteve në dialektin tiranas të rrugës. Kjo vjen vetëm e vetëm sepse lloji i komenteve aty është shumë i shkurtër dhe njerëzit kanë filluar të njihen e komunikojne pa doreza formale. Është rast tipik kur gjuha e folur detyrohet të kodohet në tekst pasi (interneti) nuk ka mjete të përshtatshme diskutimi zanore-pamore.

    Pra ajo që shohim aty është gjuhë e folur dhe mua më le shije të keqe. Pasi gjuha e folur është private, pra bëhet për njerëz të caktuar e dëgjohet maksimumi në një rreth hapësinor shumë të kufizuar prej disa metrash. Kurse teksti i internetit në të cilën detyrohet të kodohet ky lloj komunikimi është anonim dhe publik. Kjo eshte dikotomia e vërtetë e kanaleve te komunikimit e cila mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet teknologjisë.

    Duam apo nuk duam, për sa kohë teknologjia nuk nxjerr shpejt alternativa më të përshtatshme mënyra e komunikimit me tekst do të ndryshojë. Është e vërtetë që forma të caktuara të komunikimit mund të ruhen nëpër ishuj si ky i këtushmi por pa ndihmën e teknologjisë ato janë të dënuar të ndrydhen përgjithnjë e të mbeten përherë ishuj. Dija e ruajtur në mesjetë nëpër manastire do të mbetej nëpër manastire dhe do të humbte gradualisht nëse Gutenbergu nuk do të shpikte shtypshkronjën. Prandaj duhet kuptuar nga njerëzit e kulturës që teknologjia është aleati i vetëm dhe i madh që ata kanë. Për mua dialogu pertej-disiplinor midis teknologëve dhe intelektualeve është faktor kyç, prandaj për të dyja palët është mirë ti lënë perplasjet kulturore e të fillojnë të dëgjojnë njëri tjetrin. (ë-të ishin kësaj radhe një homazh ndaj ishujve dhe dialogut)

  5. Një shembull të dhimbshëm të dekadencës në përdorimin e gjuhës shqipe e vura re padashur tek:

    http://www.ialba.info/?p=11

    Vërtetë se Gutenbergu e shpiku shtypshkronjën, mirëpo Biblën e botonte në gjermanishte të kulluar… Edhe Steve Jobsi e shpiku iPhone-in, mirëpo nuk mund ta parashikonte se do të dilnin xhambazë të tillë që do të shkatërronin shqipen me të…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin