Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

MANIFEST I TEATRIT KRITIK

Me spond, jo vetëm ndaj artikullit të Papagjonit Kritika midis Teatrit dhe Publikut, tek “Shekulli”, por ndaj të gjithë atyre që dëshirojnë të mishërojnë një qëndrim kritik ndaj shoqërisë, dhe në formën e një manifesti të një teatri kritik, them se:

  1. Kritika nuk është mjet midis njerëzve të teatrit dhe spektatorëve, por mjet që u përket të gjitha palëve të shoqërisë.
     
  2. Në qoftë se teatri ka nevojë për kritikën që të ndërmjetësojë komunikimin mes vetes dhe spektatorit, atëherë teatri duhet konsideruar i dështuar. E vetmja hapësirë kritike që teatri duhet të krijojë me spektatorët është hapësira 0-10 metra që ndan rreshtin e parë nga skena.
     
  3. Siç duhet ta dinë të gjithë njerëzit e teatrit, teatri nuk është veçse vënia në skenë e një eseje kritike.
     
  4. Teatri nuk është hapësirë ku vetëm vihen në skenë kontradikta si e mira dhe e keqja, e bardha dhe e zeza, varfëria dhe pasuria, elita dhe populli, por pasqyrë që vë në dukje kompleksitetin e këtyre termave në jetën e përditshme.
     
  5. Në qoftë se spektatorët nuk shkojnë në teatër, atëherë duhet që teatri të shkojë tek spektatorët, duhet që njerëzit e teatrit ta lëshojne teatrin në rrugë e në sheshe, në pub e në kafene, në shkallët e institucioneve publike dhe brenda tyre, si qen të tërbuar, apo si ndergjëgjesim për rolin e spektatorit.
     
  6. Njerëzit e teatrit nuk kanë hapësira të trashëguara nga kanoni botëror apo kombëtar, ashtu si nuk duhet të mendojnë se kanë të trashëguara tekstet prej këtyre kanoneve. Çdo gjeneratë krijon teatrin e vet. Teatri ndërhyn në hapësirë, përdor hapësiren e trashëguar, e rikrijon, e përvetëson, ashtu si dhe në tekste ndërhyhet, apo rikrijohen nga e para.
     
  7. Teatri, ashtu si leximi, ashtu si nxënia, ashtu si politika, nuk është ndarja e roleve në aktive dhe pasive, por ndergjegjësimi se qenia spektator, lexues, nxënës, votues përkufizohet nga veprimi, pra, shikimi, leximi, nxënia, votimi, jane procese aktive, jo pasive.
     
  8. Njerëzit e teatrit nuk duhet ta shohin veten si zotër të Olimpit ku presin spektatorë e kritikë, por si spektatorë aktivë dhe kritikë, si aktorë që përpiqen të mposhtin apatinë tek vetja dhe tek tjetri.
     
  9. Njerëzit e teatrit nuk duhet ta shohin veten si elitë për të cilën flitet, por si popull i cili vepron.
     
  10. Njerëzit e teatrit nuk duhet ta shohin veten si marioneta te Shekspirit, Gëtes, Çehovit, Brehtit e Beketit, por si duar që figurat e Shekspirit, Gëtes, Çehovit, Brehtit e Beketit i përdorin si marioneta.
     
  11. Teatri nuk është estetikë që i përket vetëm së shkuarës, një të tashmeje fantastike paralele, apo një të ardhmeje utopike, por estetikë që buron nga përditshmeria e zakonshme, e mërzitshme dhe apatike, dhe që e ushqen këtë përditshmëri me energji dhe vetëdije.
     
  12. Në rastin e varieteve si Portokallia, televizioni ia humbet vlerën, pasi distanca që krijon mes aktorëve dhe spektatorëve është distancë që ushqen apati te këta te fundit. Teatri pra nuk është televizion, produkt për shitje si mallrat e reklamuara në televizion, por vizion i mirëfilltë, mjet real ndërgjegjësimi dhe ndryshimi. 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

7 Komente

  1. …”shikimi, leximi, nxënia, votimi,”…

    ose;
    Degjon, kupton, vepron.

    p.s
    Hapsira per te diskutuar dymbedhjetepikshin ka, shume, dhe ai (diskutimi) duhet te plotesoj ciklin brenda vetes (kujtedo qofte, aktor-spektator)

  2. “…”shikimi, leximi, nxënia, votimi,”…

    ose;
    Degjon, kupton, vepron.”

    Jo tamam, sepse degjimi eshte veprim, kuptimi eshte veprim, dhe veprimi eshte veprim. Si valle, Vemendje, vep, vep, vep.

  3. Cdo gje e degjuar, kuptuar ne veprim (aktive), sipas llojit.

    p.sh.: Degjoj leximin te shkruaj (cilindo shkrim), degjoj shikimin c’thote, dhe nuk eshte arritur tek te kuptuarit, akoma, po degjon, si “femija”, shume here thene fjale-perseritur. “Femija”, ne stadin kur fillon e shqipton/kupton fjalen si thuhet/degjohet, nuk do te thote se e ka kuptuar deri sa arrin edhe e kupton. Por jo cdo gje qe e degjon e kupton “femija” mund ta veproj/aplikoj, (me vepron kuptoj cdo gje qe vjen pas degjim, kuptimit te plote, per te ardhur ne veprim.

    p.s.
    Me vep, vep, vep, kuptoj te mendosh teknikisht-gramatikisht, dhe jo c’kuptim do te perciell fjala degjim, kuptim dhe veprim/(degjon, kupton, vepron). Dhe sigurisht qe cdo gje eshte veprim, por jo cdo gje eshte nje gje.

  4. Një paraqitje shumë dinjitoze e Ardian Vehbiut në emisionin e ndjekur “Deja Vue” në Top-Channel.
    Me shumë interes diskutimi për rolin e intelektualit popullor në përparimin e shoqërisë.
    Top-Channel duhet të shfrytëzojë rastin dhe t’i bëjë Vehbiut një ofertë shumë serioze për ta patur si drejtues të një emisoni të paktën 90 minutash, 3-4 herë në javë me titull, psh “Fjala e Intelektualit Popullor” – ku të rrihen me pjekuri e profesionalizëm problemet e vendit.
    Oferta nuk duhet të jetë me e vogël se shumat marramendëse që u paguhen Fevziut, për shembull.
    Përndryshe Vehbiu nuk do të pranonte të qëndronte, besoj unë.
    Emisioni i Vehbiut pa dyshim që do të ishte më i ndjekuri në Shqipëri…
    Sigurisht, përveç drejtimit të emisionit, atij duhet t’i lejohej që të merrej me të gjitha gjërat e tjera që do të dëshironte, me ndonjë përjashtim.
    Përndryshe, kjo do të ishte një shans i humbur për Top Channel si dhe për publikun e lodhur shqiptar.

  5. “…”shikimi, leximi, nxënia, votimi,”…

    ose;
    Degjon, kupton, vepron.”

    Kemi te bejme fillimisht me dallimin e pergjithshem midis konceptit te “emrit” dhe “foljes”.
    “Emri”-eshte gjendje,ndersa “folja”-prodhon gjendje,ben gjendje,sjell gjendje”.Me ne detaje,nese do kthejme foljet ne emra ose anasjelltas,duhet te perdorim te njetat renje formimore ose ne versionin tjeter,sinonimet e tyre emerore ose foljore,ose ne nje version me te veshtire zevendesuesit e tyre llogjike.
    Mendoj,se nderhyrja e vemendjes eshte e drejte.

  6. Me pelqen parashtrimi i konceptit te formuluar, jashtesisht, si manifest.
    Me provokon nje deshire te fshehte qe edhe tek ne te vihet ne pune (t’i shtypet butoni, por jo si butoni i shtypur se fundi ndermjet H. Klintonit dhe Medvejevit, sepse me ngjan fals dhe thjesht reklame politikash “te reja”) ndonje linje origjinale e mendimit kulturor apo letrar, qe te promovoje me ne fund fillimin e heqjes dore nga perseritja pa kuptim e mendesive (platformave) te krijuara diku gjetke, per nje realitet “gjetke”, qe sepse mbetet shterpe, megjithe bujen “moderniste” me te cilen shitet ne tregun e fjales.
    Thashe ‘jashtesisht’, sepse, kur nis e lexon, te iken ‘qejfi avangardist’ (ta kujton disi ajo shprehja ‘si qen te terbuar’), mbetet veç rendesia e problemit te kapur. Dhe nuk eshte pak, sepse alternativat e ideve dhe zgjidhjet konceptuale brenda realitetit shqiptar te kultures, pra dhe teatrit, jane te vetmet qe mund te shpjene ne hullite e risive te qendrueshme, jo atyre “triditeshe”.
    Po me ngjan se qarkullimi i kufizuar i ideve ne blob-e te tilla e ka ne vetvete faren e “triditë-sisë” nga rrethi relativisht i mbyllur i ‘teoricieneve’ si ne, edhe pse çeshtja eshte jashtezakonisht e rendesishme, gati jetike per kulturen tone, jo vetem per teatrin (e kam fjalen per largimin e frikshem te te rinjve nga libri, nga dijet dhe vlerat e mirefillta dhe mosreagimi ndaj antivleres).
    Veç kesaj, ‘argetimi’ yne me shijen e procesit te te menduarit dhe provokimit intelektual, ‘me veten dhe per veten’, nuk i prek as me pupel kodet pragmatiste te sjelljes intelektuale dhe tabute e hierarkive te vendosura qe ‘para eres sone’, me shume se te gjalla ne Shqiperi. Me pelqen kunderqendrimi ne koncept i raporteve teater/publik. Eshte thyerje ndaj estetikes ‘klasike’ te Papagjonit.

    Pyetja: ç’kode te tjera estetike duhen thyer?

    I pervijon aty LK konceptet e “teatrit te rruges” dhe “teatrit te vrazhde” te Artaud-it, rrezimin e ‘murit te katert’ dhe rimendimin e pozicionit te spektatorit, jo me si konsumues pasivë te mesazhit, te gjitha platforma estetiko-filozofike dhe risi teatrore, te bera realitet qe ne shekullin e kaluar ne Evrope dhe Amerike.

    Kjo do te thote se sot s’na duhet veçse te kalojme neper rruge te njohura. Por problemi yne eshte me kompleks se thjesht thyerja e nje tradite konservatore. Vijme nga nje tradite imituese e imitimeve te imituara… dhe trashe fare, nga qe ishim mberthyer ne skemat ideologjike e politike. Ironia eshte se edhe atehere gjithçka behej ne emer te nje arti qe kerkonte te nxiste pikerisht degjim/lexim – kuptim – veprimin… Ec e ndaje, te lutem.
    Vijme nga nje tradite… ç’them! Nga nje mungese e plote tradite dhe pretendo-nim (-jmë) se po risojme traditen! Cilen tradite? E vetmja tradite qe kemi eshte ajo qe e quajta e ‘para eres sone’. Pretenduam ca kohe (si nen ze) edhe per arritjen deri ne nivelin e nje ‘shkolle shqiptare’ te teatrit, me Pirro Manin ne krye. Nese vertet u arrit deri aty, pse s’nisemi qe andej per te arritur diku tjeter?

    Them se gjerat jane me komplekse, pa harruar ate qe ka ndodhur ne keta 18 vjet. Rrenimi i vlerave te deriatehershme u kuptua si loje femijesh, rrezim i kalave te reres. Mjaftonte t’u hiqje financimin dhe institucionet e kultures se ‘asgjekultures’ do te zhdukeshin. Po ende nuk kemi ndertuar strukturat e reja per t’i zevendesuar. D.m.th., ndertimi i nje teatri te “angazhuar” ne nje tjeter cilesi angazhimi, nga pozicioni i ri ndaj se vertetes, e pamonopolizuar nga shteti ideologjik. Por misioni i teatrit eshte ne origjine “politik”. Mua me duket se Portokallia, ne menyren e vet, i mbetet besnik ketij misioni.

    Tjeter: percaktimi klasik per kritiken si ‘ndermjetese’ ndermjet vepres/teatrit dhe lexuesit/spektatorit nuk me ngjan se duhet vene ne diskutim, kur eshte fjala specifikisht per ate qe quhet kritike. Tjeter gje se impakti i rolit te saj u sherben te dyja paleve.

    Prandaj jam dakord me mendimin e Vlora Vlora per ate emisionin qe do t’i bente nder Topi-it dhe çdo TV-je tjeter.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin