Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Nostalgji

KOMA

Kur i ra hemorragjia e dytë cerebrale Diktatorit, mjekët i diagnostikuan komë të pakthyeshme dhe e vendosën në regjim mirëmbajtës, ku oksigjeni i dërgohej në mushkëri nëpërmjet makinës frymëmarrëse, ndërsa ushqimi i hidhej në vena me anë serumesh. Shtratin madhështor të të sëmurit no. 1 të kombit, së bashku me pajisjet e nevojshme për ta mbajtur gjallë, i vendosën në një dhomë të madhe të Klinikës së Republikës, të mbikëqyrur natë e ditë nga specialistë të reanimacionit dhe infermierë të besuar, të cilët dinin t’i mbanin sytë hapur dhe gojën mbyllur.

Diktatori zemrën e kishte pasur të fortë e të palodhur. Megjithëse hemorragjia cerebrale ia kishte rrëgjuar trurin tashmë në një masë të lodhur e të ujshme qelizash të mekura, organi besnik në gjoks vazhdonte t’ia shpërndante gjakun si më parë, në gjithë trupin; dhe sa kohë që ajo zemër punonte, askush prej ndihmësve të tij kryesorë nuk guxonte ta quante Diktatorin të vdekur, ose të diskutonte opsionet e pasardhjes. Mrekulli edhe më të mëdha kishin ndodhur, të sëmurë të kthyer në jetë nga buza e varrit, ulokë të ngritur në këmbë për të ecur e vrapuar përsëri, plaka të mbetura shtatzënë, të verbër që u ishin kthyer sytë në pleqëri të thellë.

E thoshte edhe një mbishkrim i mençur, i gdhendur me dashuri në mbi panelin e komandimit të makinës frymëmarrëse: cum spiro spero.

Megjithatë, edhe të sëmurët në koma plaken. Këshilli i Shtetit prej kohësh kishte vendosur që asgjë të mos kursehej për Diktatorin – mjekët më të mirë, aparaturat më të fundit e më të kushtueshme, kujdestarët më të devotshëm; por edhe shkencës i duhet ndonjëherë të dorëzohet përballë entropisë. Për t’ia ruajtur shëndetin kurmit të bëshëm të Diktatorit vetëm oksigjeni nuk mjaftonte; duhej edhe forca e pashterrshme e vullnetit, urtësia filozofike, largpamësia dhe mençuria, virtyti dhe karakteri, që tashmë për fat të keq ishin tërhequr si kërmilli, nën zhguallin e padepërtueshëm të komës.

Teksa krejt Klinika e Republikës shndërrohej dalë nga dalë në një mrekulli të teknologjisë mjekësore dhe të kujdesit të organizuar, vetë Diktatori i kapur peng aty brenda kishte filluar të kalbej, ngadalë, por pandalshëm. Mjekët që i prisnin thonjtë duhej të kishin kujdes se mos ia shqitnin krejt prej gishtave; të tjerët mjekë, që i krehnin krifën krenare të flokëve, ndonjëherë shihnin me tmerr sesi shkule të bardha leshi u mbeteshin në krehër. Disa ndërhyrje kirurgjikale të vogla, por të nevojshme, nuk mund të shtyheshin më. Me dhimbje të madhe, kirurgë nga më të mirët e Europës e të botës mbarë, u detyruan t’i heqin të sëmurit një gisht këtu, një krah atje; një kërci këtu, një kofshë atje. I çliruar prej gjymtyrëve, që tashmë nuk i duheshin më, trupi i Diktatorit u lehtësua edhe në peshë, edhe për t’u mirëmbajtur.

Askush nuk e di me siguri se çfarë ndodh në trupin e dikujt që dergjet në komë për një kohë të gjatë. Lufta midis vullnetit të trupit për t’iu larguar kësaj dynjaje e për t’u bashkuar me dheun, dhe vendosmërisë së masave punonjëse dhe institucioneve për ta mbajtur të gjallë udhëheqësin e tyre, mund të sjellë pasoja të çuditshme, ndonjëherë të frikshme. Në thellësi të barkut zgavror të Diktatorit, flora bakteriale, tashmë e mbetur pa ushqim, iu nënshtrua mutacioneve të panjohura, të pakuptueshme, të papërfytyrueshme. Vdekja, që më parë i ishte shfaqur trupit si errësirë, tani po merrte trajtat e një kuçedre që po e gllabëronte së brendshmi.

Me kalimin e muajve, disa prej mjekëve që i shërbenin të sëmurit te koka, filluan të ankohen për njolla të kaltra fosforeshente në gjymtyrët; mpirje të akullta të damarëve dhe vështirësi për të shkruar ose për të nyjëtuar deri edhe fjalë të thjeshta si parti, popull, unitet. Disa prej infermiereve, më të rejat, zunë të thinjen copa-copa; pastrueseve të katit nisën t’u binin dhëmbët. Një doktoreshë e talentuar, që merrej me titrimin e solucioneve intravenoze, lindi një fëmijë të mbuluar me luspa të gjelbra, të cilit i gjetën në gojë kokën embrionale të binjakut të vet fatkeq. Vetë shefi i Klinikës së Republikes, që po gatitej të jepte dorëheqjen e parevokueshme, pësoi një aksident të tmerrshëm në nevojtore, kur iu shqye krejt perineum-i, dhe zorrët e rropullitë e tjera të barkut iu derdhën teposhtë, së bashku me gjithfarë formacionesh të pakuptueshme, si hoje të sfungjershme blete, por të ujshme dhe të përgjakura.

Analizat menjëherë vunë në dukje se trupi i Diktatorit, edhe pse tashmë i shkurtër dhe tepër kompakt, ishte kthyer në vatër shumimi të një klase të panjohur bakteriesh patogjene, kundër të cilave asnjë lloj antibiotiku nuk vepronte dot. Me vendim të posaçëm të Këshillit të Shtetit, Klinika e Republikës u shpall zonë me rëndësi të posaçme dhe u vendos në karantinë të rreptë. Kufomat e të gjithë atyre që i kishin shërbyer deri atëherë, me devotshmëri, Diktatorit, u dogjën në një krematorium ad hoc dhe hiri u gropos në minierën e braktisur të qymyrit në Fushë-Kërrabë. Tash e tutje, personeli i shërbimit do të përdorte kostume të mbrojtjes bakteriologjike të sigurisë së lartë, dhe vetë ndërtesa e Klinikës u izolua nga bota përreth, këtë herë jo për të mbrojtur të sëmurët VIP nga sulmet e mundshme të armikut, por për të mbrojtur pjesën tjetër të planetit, duke përfshirë edhe vetë armikun, nga rreziku i infektimit dhe vdekjes së sigurt.

Megjithë masat e rrepta të karantinës, ende raportoheshin raste sporadike të Murtajës Blu, kryesisht në familje të lidhura ngushtë me Pushtetin; kjo sëmundje, ndaj së cilës shkenca ishte e pafuqishme, po i merrte shtetit njerëzit më të mirë e më të përkushtuar; të cilët nuk do të zëvendësoheshin dot më. Teknologjia mjekësore e reanimacionit tashmë kishte përparuar aq shumë, sa mirëmbajtja e trupit të Diktatorit, në qendër të Klinikës së Republikës, mund t’i besohej tashmë krejtësisht aparaturave të kompjuterizuara, dhe të monitorizohej nga mjekët që prej një bunkeri të nëndheshëm në afërsi të ndërtesës.

Sa kohë që zemra e këtij burri të admirueshëm nuk pushonte së furnizuari me gjak të gjitha indet e trupit, shteti i punëtorëve dhe i fshatarëve nuk mundej veçse t’i siguronte udhëheqësit të vet suprem kujdesin shëndetësor që meritonte. Kjo edhe pse, për shkak të disa risive qelizore dhe gjenetike të pashkoqitura mirë, trupi i Diktatorit tashmë ishte shndërruar në një masë të gjelbër xhelatinoze dhe pulsuese, e cila komunikonte lirisht me makinat dhe aparaturat frymëmarrëse, të ushqimit artificial dhe të dializës. Këshilli i Shtetit tashmë e kishte rrethuar krejt klinikën me një strukturë ultramoderne betonarmeje, të maskuar nga jashtë si monument kushtuar vetë Diktatorit dhe trashëgimisë së tij.

Më në fund, as vetë mjekët monitorizues nuk thonin dot më me siguri nëse Diktatori rronte apo kishte vdekur; anatomia e atij trupi, të transformuar rrënjësisht, nuk mund të kuptohej më; as ishte e qartë nëse ajo masë e re qelizash agresive, të panjohura e të organizuara së brendshmi sipas kriteresh të reja, kishte vërtet nevojë për aparaturat, që të mbijetonte. Megjithatë, askush nuk do të kishte guxuar të merrte vendimin për të hequr prizën, sa kohë që në brendësi të asaj amebe titanike, e mbuluar nga gjithfarë shtresash të ngjitshme dhe të rrëshqitshme, e mpleksur në tuba dhe nervatura të ndërthurura si pezhishka miliona merimangash, kishte një zemër që ende vazhdonte të rrihte, e fortë dhe e palodhur; zemër e atletit, filozofit dhe heroit.

Kot nuk ishte thënë në popull, se për Diktatorin kishte vetëm datëlindje.

5 Komente

  1. Ai jeton; Keshtu…
    Ai, thone se u kthye, vetem, ne shkemb graniti… Po jo per shume kohe… Thone… se nuk kish pasardhes udheheqes si Ai. Edhe i pari ne radhe s’mund ti besonte zemres se vet aq sa te vazhdonte ate qe mund te linte pa mbaruar Ai. Vetem nje mjek, thone, Ai eshte vjedhur sukseseshem ne te, se ka te beje me zemer kjo pune, eshte thene. Ai, vendosi te betonohej… atje ku vazhdon te jete sot, nga Ky mjek. Tani, kalon kufij, toksore dhe mendore, Ai me k’te. Po behen 18-te vjete qe kur e ktheu ne beton, ashtu si e donte gjene Ky tek Ai-dhe per At-dhe. Thuhet… se Ai eshte Ky. Nje zemer, vetem, i ben keto bema per “Ne”. Sa do te mundohet te largohet dikush nga e kaluara, ne shtete dhe mendje te huaja, Ai do jete nga zemra e zemres doktorr per te gjithe. Pune zemre keto…

  2. E kam ndjekur me kersheri gati gjithe ciklin e prozes suaj te shkurter dhe padyshim qe pjesa me e madhe e tyre me jane dukur here shume te mira e here fantastike.

    Kjo qe sapo lexova ka meriten e te qenit kryeveper.

  3. po behesha gati te lija edhe une buqeten time te sinqerte te urimit ne rubriken “libri i ri”, kur ja, hetova nje pah hitchcock-ian drite pernen nje dere tjeter te korridorit dhe nuk m’u ndenj pa e shtyre dorezen.

    tensioni (i kontrolluar nga konteksti i njohur po i parendesishem historik) dhe kreshendoja e pakontrolluar metaforike e tekstit perfunduan lart ne ngazellimin per kete tumor me humor skulpturuar kaq frikshem e gjalle. ka formen e paharrueshme te nje hieroglifi

    Ps.me kujtohet ajo skena tek filmi “the blues brothers”, ku publiku rrokjezon ne kor para skenes bosh:we want the show! we want the show!
    tani pas librit te xhaxhait, ne publiku kembengulim ne te drejten tone per t’i pasur te grumbulluara ne nje liber rrefimet shumekokeshe te Maks Gjerazit, mbeshtjelle ne nje artefakt qe te rivalizonte unicitetin grafik ne botimet shqip qe gjejme tek “Kulla e sahatit”, por edhe ballinen e “Folklori i elitave” me foton parabolike te Elinor Butkes, (ketij folklorberesi urban qe sa me kitare elektrike, aq edhe me graffiti intime e tatuazhe publike ka lene gjurmen e vet ne Tiranen e viteve ’90)(kjo ishte Postps)

  4. Po perpiqem ta marr me mend se per ke e ka fjalen autori, per Tedi Rusveltin apo Ariel Sharon.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin