Pas përfundimit me sukses të plotë të punimeve të Kongresit VI, shkrimtarin e madh Tahsin K. e thirrën në Drejtorinë e Propagandës, ku e priti vetë i plotfuqishmi i fjalës së lirë proletare, shoku Milto T., për t’i sugjeruar, me këmbëngulje të mirësjellshme, që të shkruante diçka për Kongresin VI, një vepër frymëzuese dhe optimiste, me partishmëri të lartë dhe të përshkuar fund e krye nga dashuria për popullin.
Tahsini u përgjigj se ndihej i prekur ngaqë ky nder po i besohej pikërisht atij, meqë Shqipëria kishte shumë shkrimtarë dhe artistë të tjerë që mund ta kryenin këtë detyrë njëlloj si ai madje më mirë; dhe se menjëherë do t’i vihej punës për ta realizuar veprën. Pas kësaj bisede, shkrimtari i madh u kthye në shtëpi, qëndroi një copë herë duke parë me vërejtje ekranin me miza të televizorit, i zhytur në tym duhani të dredhur; pastaj fjeti një gjumë pa ëndrra.
Dy muaj më vonë, duke parë me ankth se puna krijuese për këtë vepër madhore nuk kishte shkuar më tej se një faqe e vetme dorëshkrimi e stolisur me disa zhgarravina, firma, yje dhe spirale, Tahsin K. kërkoi të takohej me Artistin e Popullit Abdullah S., baletmaestër nga më të shquarit, për të biseduar mundësinë e bashkëpunimit për të realizuar një balet me motive të Kongresit VI. Në bisedë ishte ftuar të merrte pjesë edhe një tjetër Artist i Popullit, kompozitori Frano Z., baletet e të cilit kishin fituar çmime kombëtare dhe ishin vlerësuar lart nga kritika.
Abdullahu tha se ideja e një baleti revolucionar me motive të Kongresit VI po e ngacmonte së tepërmi, por do të dëshironte të dëgjonte pjesë nga muzika që do të krijonte Franoja; Franoja tha se edhe ai prej kohësh mendonte për të krijuar një vepër të tillë, edhe pse më tepër të natyrës simfonike; por edhe baleti do të ishte zgjidhje e mrekullueshme, sa kohë që libretin e kishte shkruar ylli i letrave shqipe, Tahsini.
Në përfundim të kësaj bisede kaq të çiltër dhe konstruktive, u arrit një kompromis: Franoja do të kompozonte një oratorio me temë nga Kongresi VI, Tahsini do të shkruante tekstin, në bazë të materialeve të asaj mbledhjeje sa politike aq edhe historike; ndërsa Abdullahu do të kujdesej për koreografinë e baletit që do të shoqëronte muzikën e kënduar.
Pak ditë pasi të tre këta krijues i vunë shpatullat punës, Franoja u takua me mikun e tij të zemrës, kineastin legjendar Sefedin H., për ta pyetur nëse oratorioja që kishte në duar mund të përshtatej në një film dokumentar me metrazh të gjatë dhe elemente artistike, të cilat do të përftoheshin nëpërmjet dramatizimit adekuat të momenteve kyçe të Kongresit VI.
I vetëdijshëm për rëndësinë dialektike të këtij propozimi, por edhe për natyrën tepër delikate të kinematografisë si arti i shtatë, Sefedini vendosi të mos ndërmerrte asnjë iniciativë, pa u konsultuar më parë me shokët e sektorit të Propagandës. Kërkoi të shihte mikun e tij të vjetër shokun Milto T. në Drejtorinë e Propagandës, dhe në bisedë e sipër i parashtroi projekt-idenë e një filmi me frymëmarrje të gjerë, dokumentar por që nuk do t’i mungonte edhe elementi artistik, me motive të Kongresit VI.
Pas kësaj bisede kokë-më-kokë mes shokësh, shoku Milto nuk humbi kohë, por i dërgoi menjëherë fjalë për të pirë një kafe shkrimtarit kolos Tahsin K., dhe në kafe e sipër i propozoi, me mirësjellje këmbëngulëse, që të shkruante skenarin e një filmi ambicioz, me temë nga Kongresi VI, për të cilin tashmë po punonte vetë legjenda e kinematografisë shqiptare Sefedin H.
Siç pritej, Tahsini u përgjigj se ndihej i prekur ngaqë ky nder po i besohej pikërisht atij, meqë Shqipëria kishte shumë shkrimtarë dhe artistë të tjerë që mund ta kryenin këtë detyrë njëlloj si ai madje më mirë; dhe se menjëherë do t’i vihej punës për ta realizuar veprën.
Pas kësaj bisede, shkrimtari i madh u kthye në shtëpi, qëndroi një copë herë duke parë me vërejtje ekranin me miza të televizorit, i zhytur në tym duhani të dredhur; pastaj fjeti një gjumë pa ëndrra.
Te dy heret qe figura (personazhi) qendrore kur u kthye ne shtepi e zuri gjumi para televizorit qe projekton miza.
“Analize”: Mos e kish televizorin e prishur? Mos e kish bllokuar dikush televizorin te projektonte? Apo mos i shquari personazh ish gjithnji von per te pare dicka. Dhe tjetra, me e rendesishmja; Ai fjeti gjume pa endrr! Si shume jo realiste me duket, te flere dikush pa endrra edhe pse aq i madh misioni perball tij.
Formul, ne kufijte e manjeres, perdorur sukseseshem ne te gjitha ‘rrefenjat’, per nje panoramik soc-shoqeror shkruar.
p.s.
Doja te ish me e angazhuar perseritja e paragafit te shtepise se televizorit te gjumit.
Fantastike. Maks Gjerazi ka filluar t’i beje karshillek Pellumb Kulles per nga humori me keto pjese.
Përtej ironisë së përdorur, autori ka kapur një aspekt të “asaj jete”: Pamundësinë për të mos qënë i implikuar/angazhuar në vepra të tilla.
Kjo për vetë faktin se NUK MUND TË REFUZOJE.
e gjetem edhe pararendesen e piramidave (ponzi schemes)