Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Teknologji

ETIKA E VIRTUALES

Nëse duam shembuj si teknologjia ndikon në marrëdhëniet që vendosim me njëri-tjetrin dhe komunitetet ku jetojmë – qytetin, shtetin, kombin; ose kompaninë, institucionin, skuadrën, batalionin etj. – mjaft t’i kushtojmë sado pak vëmendje evoluimit të teknologjive të komunikimit.

Telefoni celular, bie fjala, e ka transformuar me rrënjë mënyrën si funksionojnë organizatat; nëse dje drejtuesve të mesëm u kërkohej përveç ekspertizës edhe kapacitet për vetëveprim, sot ka më rëndësi që këta të rrinë në gatishmëri për t’iu përgjigjur telefonatës së boss-it. Mundësia për lidhje të çastit dhe çdo rrethanë, vërtet mund t’i bëjë organizatat më eficiente – policinë, grupet mafioze, shërbimet sekrete, grupet terroriste (që deri edhe bombat tani i shpërthejnë duke u telefonuar) , agjentët e bursës – por vetëm me koston e shndërrimit të shumë njerëzve në leva.

Në sferën e administratës shtetërore, mjaft të marrësh në analizë diplomacinë; sa më eficient është bërë komunikimi midis ambasadës dhe qendrës, aq më pak e nevojshme është që ambasadorët të jenë në gjendje të përfaqësojnë shtetin me personalitetin, dijet, dinjitetin dhe kulturën e tyre vetjake.

Shpesh boss-ët tundohen që të mikro-administrojnë, duke mbajtur kontakt të pandërprerë me vartësit e tyre e duke i trajtuar këta si tentakula të vetat; nga ana tjetër, shumë drejtues të mesëm dhe të ulët i përshtaten këtij fati, dhe kultivojnë në vete cilësitë përkatëse të hallkës, mes të cilave spikat lehtësia për të pezulluar të menduarit dhe vetëveprimin.

Nuk është e vështirë të përfytyrohet një e ardhme në trajtën e një koshereje (Hive), ku miliona njerëz të lidhur mes tyre edhe me ndërmjetësinë e kompjuterëve dhe Internetit, do të krijojnë diçka të përbindshme dhe madhështore, e cila do t’i ngjajë një organizmi të ri. Këtë vizion e kanë bërë të tyrin shumë shkrimtarë të fantashkencës cyber-punk, por tashmë po e përsiatin edhe disa filozofë të epokës së Internetit.

Lehtësia e komunikimit në distancë, e kombinuar me teknologjinë e realitetit virtual, krijon probleme të çuditshme. Shumë amatorë të lojërave shumëlojtarëshe online krijojnë personalitete virtuale (avatarë), të cilët i modelojnë sipas fantazive të tyre të shfrenuara, dhe pastaj i lëshojnë në një realitet virtual ku kalojnë të shumtën e kohës.

second_lifeNuk di sa e njihni “Second Life”; një botë virtuale, e cila i kushtohet më shumë komunikimit dhe ndërveprimit, sesa lojës dhe aventurës. Kohët e fundit, një grua në Britaninë e Madhe fitoi një gjyq për divorc kundër burrit të vet, meqë ky e “tradhtonte” me një grua tjetër në “Second Life”; edhe pse çifti adulter nuk ishin takuar kurrë në jetën reale. Viktima e zbuloi këtë tradhti duke paguar një detektiv virtual në “Second Life”, i cili i kapi dashnorët në flagrancë. Lajmin mund ta lexoni këtu.

Veç avatarëve njerëzorë, në “Second Life” vërdallosen edhe bots, ose programe kompjuterike të cilat komunikojnë me njerëzit dhe kryejnë detyra ose misione të ndryshme, njëlloj si personazhet e lojërave kompjuterike. Disa nga këta bots përdoren për të reklamuar produkte të ndryshme, ose për t’i tërhequr vizitorët në komunitete të caktuara. Në mjedise të tilla, nuk janë vetëm kufijtë midis realitetit “real” dhe realitetit virtual që vijnë duke u mjegulluar, por edhe ato midis njerëzve dhe jonjerëzve, ose inteligjencës artificiale.

Si kudo gjetiu, në këtë fushë teknologjia ushtarake është në pararojë. Dje vendet perëndimore krenoheshin me sistemet satelitore ose raketat e telekomanduara, të cilat mundësonin precizion të paparë, pa rrezikuar jetët e çmuara të ushtarëve. Sot, përkundrazi, fjala e fundit e teknikës janë sistemet fluturuese të telekomanduara, ose të ashtuquajturit drones, të cilët po përdoren gjerësisht në Irak dhe në Afganistan, për të luftuar “terroristët”.

Në një pikëpamje, drones janë versioni i evoluar i webcams, ose më mirë i atyre kamerave falë të cilave, vite më parë, mund të shihnim, nga New York-u qendrën e Paris-it ose të Bilbao-s; ose nga Alaska plazhet në Hawaii. Drones janë të pajisura me sensorë të ndryshëm (kamera optike dhe infrakuqe, radar, mikrovalë) të cilat i përcillen një pulti komandimi, prej nga një specialist përpunon komandat përkatëse.

predator1Të kobshmit Predator drones, të cilët kanë bërë kërdinë në Irak dhe gjetiu, telekomandohen nga një bazë në Kaliforni; shumë prej komanduesve, të cilët përdorin mjete dhe teknika të ngjashme me ato të videolojërave, bombardojnë një bazë të armikut ose një shkollë të terrorit, pastaj dalin nga zyrat dhe shkojnë të kalojnë mbrëmjen në shtëpi, me të dashurit e tyre, para televizorit. Në fakt, siç vëren William Saletan i Slate, që i ka kushtuar një numër artikujsh kësaj dukurie, Raytheon ka përdorur programues lojërash për të zhvilluar Predator-in; prandaj nuk është për t’u habitur kur kalimi nga fusha e luftës te dhoma e televizorit bëhet po aq lehtë sa edhe kalimi nga mjedisi art-deco i nënujshëm i një videoloje si Bioshock, në mjedisin e nëndheshëm, por shumë më real, të metrosë së NYC.

Edhe pse ka të dhëna që pilotët e avionëve të telekomanduar Predator vuajnë edhe ata nga stresi post-traumatik, vështirë të mohohet se kjo luftë e telekomanduar nuk i ngjan shumë, bie fjala, luftës në Vietnam.

Ata prej nesh që luajnë videolojëra, e kanë parë sa e lehtë dhe e natyrshme është që të vrasësh dikë në mjedisin virtual të lojës (po të vranë ty, mjafton të kthehesh te pika që ke ruajtur për herë të fundit); në një kohë që të gjithë e dimë sa të rrënjosur e kemi, si qenie të qytetëruara, ligjin për të mos ia marrë kujt jetën. Kombinimi djallëzor midis teknologjisë së telekomandimit dhe teknologjisë së realitetit virtual e bën gjithnjë e më të lehtë dhe moralisht të pranueshme vrasjen, duke e veshur me irrealitetin e lojës. Ushtarakët janë të parët që e pranojnë se të vrasësh dikë ballë për ballë, në fushë të betejës, kërkon nga ushtari cilësi të ndryshme nga ç’i kërkohen dikujt që mbyllet tetë orë në ditë në një bunker luksoz në Arizona ose në Colorado, për të vrarë armiq e gjynahqarë në skajin tjetër të globit.

Natyrisht, historia e luftrave dhe ushtrive mund të shkruhet edhe histori e teknikave për të vrarë njerëz; në fillim me duar e me dhëmbë, pastaj me gurë e çomanga, më pas me shtiza dhe shpata e kështu me radhë, deri te bombat hiperbarike dhe gazi nervin. Armët vijnë e bëhen më vrastare, teksa përdoruesit e tyre i vidhen fushës së betejës. Ndoshta do të vijë një ditë kur palët kundërshtare të nxjerrin në mejdan secila robotët e vet të telekomanduar, për t’u përleshur për jetë a vdekje.

terminator3-09Vijmë kështu te skenari apokaliptik i trajtuar nga James Cameron në filmat e tij të mirënjohur Terminator 1 dhe 2; ku Interneti, inteligjenca artificiale dhe robotika përftojnë një ménage à trois diabolik, e cila i jep fund qytetërimit në Tokë, duke i detyruar ata pak njerëz të mbijetuar të fshihen vrimave, si urithët.

Ende nuk kemi arritur aty, por kemi përparuar mirë. Shkruante Saletan në 2006:

në epokën e jihad-it, tmerrohemi prej kujt nuk ka frikë të vdesë dhe nuk i bëhet vonë të vrasë. Në epokën e joystick-ut, tmerri është se edhe ne ashtu do të katandisemi.

Edhe mua më duket se ka diçka jashtëzakonisht amorale dhe burracake, që të dërgosh Predators të telekomanduar, për të vrarë armiqtë e tu në pllajat e Afganistanit, teksa ti vetë i drejton këta përbindësha të ajrit me joystick, nga rehati i zyrës sate, mijëra e mijëra kilometra larg; ndoshta edhe duke rrufitur kafe, ose duke dëgjuar Wagner-in në sfond. Mirëpo pastaj kujtohem se të njëjtën gjë do të kenë menduar, në thelb, ata që u vranë të parët prej topave ose musketave, në fund të Mesjetës; ose ata të tjerët, që u vranë prej shigjetave dhe gurëve të katapultave…

 

9 Komente

  1. Komplimentet e mia per kete artikull.
    Habia e njeriut primitiv,te vrare prej shigjetes se pare moderne te prodhuar,nuk esht e ndryshme me habine e ushtarit te nje ushtrie jo teknollogjike,kur shikon,me syte e shqyer tejmase,bomben precize te hedhur drejt tij nga nje “hedhes shigjetash plasese moderne”.
    Zhvillimi tekonollogjik tenton drejt berjes se gjerave me leht,me shpejt,me saktesisht.Nga ana tjeter kjo kerkon komplikimin ndertimor te njesive te vecanta teknollogjike.
    Ne zhvillojme teknollogjine dhe teknollogjia na zhvillon ne.
    Eshte,pak a shume,e njeta rruge ndjekese prej koheve te meparshme e cila do te vazhdohet ne kohet e ardhme.
    Ku e ka gabimin kjo rruge persa i perket armeve vrasese njerezore?
    Gabimi qendron ne moskontrollin te se keqes kur ajo teknollogjizohet shtetesisht.
    Pothuajse gjithe drejtuesit e organizatave terroriste islamike kane mbaruar Universitetet ne Amerike,Angli dhe ne vende te zhvilluara perendimore.Ata kane preferuar deget si inxhinjeri elektronike,kompjuterike,kimike.
    Zhvilimi dhe synimi i “te keqes” do te coje ne teh thikes te ardhmen njerezore.
    Sot ate e ka njera pale,te cilen une e mendoj si “pala e mire”.Po neser?

  2. Mua xha xha me shqeteson dicka qe ka lidhje me kete konceptim te luftes qe sjell etika moderne e qe aq mire e pershkrove.
    Kur te vije lufta tjeter (se nje dite do vije) a do jene shqiptaret (ne apo brezat qe do vijne) ne gjendje te mos vrasin gra, femije e pleq te armikut ?
    Ne vete luften e Kosoves, u akuzuan (shpresojme te jene rrena) grupe te ndryshme luftetaresh te UCK se kishin vrare edhe gra e femije.

    A eshte ne gjendje roboti te kete etike ? A eshte ne gjendje ai zyrtari qe leshon dronin, te sundohet nga etika kur shtyp butonin ?
    Po ashtu , nese njehere e njekohe etika e luftes femijes i mesohej duke i lene arme druri a plastike, ndersa tani me lojra ku asgjeson ci del para, ky femije modern a do e kete ate etike te mos godase ci del para ?

    Dmth shqetesimi im nuk lidhet me etiken e te tjereve, por me ate te femijeve shqiptare.

    Robotet nuk perfaqesojne vijueshmeri, ashtu si guri me metalin, harku me pushken, por thyerje, sepse per here te pare ne historine e njeriut, nuk do jete me njeriu i cili do jete ne fushe te betejes, nga afer apo nga larg, por arma inteligjente.
    Terminatori eshte po aq fantazi sa c’ishte Nautilusi i Vernit, dmth ceshtje kohe per tu bere realitet.

    Megjithese , frika ime me e madhe nuk eshte roboti, por kloni i njeriut. Nje ushtri me klone njerezore eshte e tmerrshme,pasi nga impakti psikologjik, duket si e pavdekshme, si kuceder me 9 koka, ku ti pret nje e nderkaq mbin tjetra, impakt psikologjik i forte sepse kloni eshte qenie e gjalle e jo makine.
    Spartanet formonin nje lloj ushtrie klonash, ‘te Pavdekshmit’ persiane shtinin frike e meritonin ate emer sepse zevendesoheshin menjehere sapo vdiste njeri, vete 7 djemte e Mujit te gjithe rigorozisht me emrin Omer, nevojiteshin per te njejtin funksion psikologjik.

    Mendoj se etika/morali (ashtu si miti nga ajo transmetohet) eshte e nevojshme per te mposhtur friken jo vetem se mund te na ndodhe edhe ne ajo gje, por sidomos se mund te humbet nje vlere qe me gjak u krijua e me gjak u mbrojt e qe na ben me te mire, dmth frika se mos na ripushton e keqja e humbim vetveten e ky eshte nje egoizmat me te dobishem qe ekzistojne.
    Kush humbet kete egoizem, nuk njeh moral/etike e nuk njeh fare as vetveten. Kjo mund te quhet shenje devoluimi drejt barbarit qe fle tek ne.

    Mendoj se etika e vituales, shkakton devoluim dhe perseris mendimin tim, se familja dhe shkolla me nje media te dobet, jane me efikase ne formimin e nje etike te shendoshe.
    Me pak fjale, femijes i duhet kufizuar ne maksimum virtualja.
    Edhe tek te rriturit virtualja shkakton gangsterizem qe ne jeten reale nuk e kane, po tek femijet ?
    Vullneti per fuqi eshte i lindur tek njeriu e nuk mund te perpunohet atje ku ska te mire e te keqe, por vetem ne jeten reale.

    Kjo eshte e keqja e virtuales, nuk ekziston ne natyren e saj nje e mire dhe nje e keqe, aty gjithcka lejohet, etika (e me gjere morali) qe kemi marre ne jeten reale shperbehet lehte.
    Atehere meqe per nevojat qe kane prinderit moderne i lene femijet 5-10 ore dita ne virtual, cte presim neser ?

  3. Fusha e betejës është duke u bërë gjithnjë e më shumë globale, pavarësisht se sa lokal mbetet konflikti. Vërtetë që ai oficeri i NATO-s i telekomandon armën e tij nga një kontinent tjetër, por rreziku që armiku i tij t’i hedhë në erë trenin e metrosë, me të cilin ky kthehet pas punës në shtëpi është duke u bërë gjithnjë e më realist.

    Morali i luftës në këtë rast nuk ka ndryshuar, pasi shfarosja e civilëve të palës kundërshtare ka qenë e pjesë e moralit të të gjithë luftërave të organizuara. Vrasësi dhe viktima kanë mbetur ata që kanë qenë; ata ndoshta na duken ne shumë të ndryshëm nga modelet e tyre klasike të njohura nga historia, pasi vrasësit dhe viktimat e sotme na ngjajnë ne personalisht aq shumë. Madje aq shumë, saqë realizojmë për herë të parë, që ne vetë jemi njëkohësisht si vrasësi dhe viktima; se kjo luftë që jemi duke kryer është një luftë kundër vetes tonë; se të gjitha zhvillimet luftarake të 20 viteve të fundit në thelb i ngjajnë një lloj vetëvrasjeje kolektive të civilizimit bashkëkohor.

    E vetmja gjë që ka ndryshuar është ajo që ka ndryshuar gjithnjë, që armët janë bërë më efikase, praktike, komode dhe më e rëndësishmja (ç’mund të jetë tjetër më e rëndësishme për një armë?) që ato vrasin dot më shumë njerëz se modelet e mëparshme.

    Ajo që i mungon këtij modeli ndoshta është që deri më sot nuk është dëgjuar gjë për fëmijët-ushtarë të epokës kibernetike. Dihet se fëmijët janë relativisht shumë më të shkathët në lojërat kompjuterike se të rriturit. Mbetet vetëm që këtë ta shfrytëzojë dikush. Në qoftë se nuk e shfrytëzon gjë edhe tani, pra në atë kuptimin që të gjitha ato energji kriminale vrastare, që depozitohen në rrjete kibernetike dhe në hapësirën virtuale, akumulohet nga ndonjë mëndje e keqe, për t’u kanalizuar sipas nevojave diabolike të Zotërve të Luftës.

  4. “”””Nëse duam shembuj si teknologjia ndikon në marrëdhëniet që vendosim me njëri-tjetrin dhe komunitetet ku jetojmë – qytetin, shtetin, kombin; ose kompaninë, institucionin, skuadrën, batalionin etj. – mjaft t’i kushtojmë sado pak vëmendje evoluimit të teknologjive të komunikimit.””‘

    Sigurisht që kjo është e vërtetë. Unë e përdor si argument shpikjen e Gutenberg-ut si një prej shpikjeve më të mëdha të njerëzimit. Vetëm pas shpikjes së shtypshkronjës u bë e mundur lëvrimi i dijes edhe lëvizjet e mëdha ideologjike në Evropë që shënuan gjithë historinë e mëpasshme të saj.

    Që nga protestantizmi deri te iluminizmi etj. Madje edhe globalizmi mediatik shënon ndryshime mentaliteti kryesisht mbi dogma lokale (fe, bindje etj)

    Megjithatë… shikoni këtë artikull nga Edrus. http://www.peshkupauje.com/2008/12/blogosfera/facebook-ju-ndihmon%E2%80%A6

    Imagjinoni dot të përdoret ajo lloj gjuhe në jetën e përditshme? Psh “X just left the humanity group” do të barazohej me “X vdiq” në jetën reale. E frikshme apo jo?

    (jo vetëm) për humor:
    Flamethrowers:
    http://www.youtube.com/watch?v=V4nknAzQPHE

  5. Cfare ndryshimi cilesor ka nje avion me nje apo maximumi dy pilote reale qe leshon nje bombe dhe vret 1000 e kusur njerez dhe nje avion i telekomanduar pra pa asnje pilot qe vret po aq njerez? Mbase brejtje ndergjegje te nje apo dy njerezish te vetem. Sa vlen brejtja e ndergjegjes se nje apo dy njerezve kundrejt 1000 te vrareve dhe akoma me e rendesishme cfare mund te ndryshoje ndergjegja e tyre tek raporti i dhimbshem i 1000 vs 0?

    Ku eshte pra ndryshimi i vertete midis bombardimeve te Dresdenit apo Hamburgut gjate luftes se dyte boterore dhe bombardimeve te sotme te “drones” ne Afganistan?

    Ndryshimi per mendimin tim eshte tek disniveli i larte teknologjik midis paleve nderluftuese te sotme. Edhe me pare bombat nuk i hidhnin pilotet e shkrete por gjeneralet e politikanet nga ambjentet jo me pak virtuale te shtabeve te tyre te pergjithshme. Drone-t e sotme vetem sa bejne me te qarte disnivelin e madh dhe kompleksitetin e armeve te sotme por nuk kane ndonje ndryshim cilesor nga nje avion modern me nje apo dy pilote.

  6. Ne nje konference informatike per sisteme komjuterike inteligjente, keynote speaker ishte drejtori i nje dege kerkimore australiane per arme inteligjente autonome, dhe semi-autonome. Foli me shume per aspektet ligjore te perdorimit te ketyre armeve, dhe disa armeve te tjera qe jane akoma eksperimentale. Ideja kryesore qe deshi te perconte qe qe ne te gjitha hallkat e komandes ushtarake dhe kerkimore ne vendet perendimore, nje nga shqetesimet kryesore eshte: “Nqse filan arme inteligjente do te perdoret, dhe do beje ndonje gabim, a mund te na hedhin ne gjyq? Si mund ta masim probabilitetin qe nje arme e tille te beje gabim?” Kjo e dyta e pamundur te behet ne kushte laboratori, te cilat mund te ndryshojne shume nga kushtet reale te perdorimit. Kush e ka fajin nqse psh nje sistem perpunimi i te dhenave pamore, i cili teorikisht eshte ne gjendje te njohe uniformat, automjetet etj etj te ushtrise se armikut, ngaterrohet dhe i con bomben civileve, ose ushtrise tone? E ka fajin projektuesi i sistemit, inxhinjeri? Apo personi qe duhet te kontrolloje sistemin? Apo gjenerali i cili dha urdhrin qe te perdorej?Nje ide tjeter ishte qe, meqenese ai sistem eshte deri diku “inteligjent”, ta kishte fajin vete sistemi. Njerezve ne salle ju duk qesharake dhe filluan te qeshin, por ky zoteria po fliste seriozisht per ndarje te fajit, duke ja lene nje pjese te fajit vete sistemit. Perdorimi i ketij lloji armesh eshte i nenshtruar shume rregullave e protokolleve, te cilat jane te menduara ne menyre te tille, qe ta minimizojne accountability (si thuhet ne shqip accountability?) e atyre qe i perdorin. Minimizim ne kete rast do te thote qe ne rradhe te pare te evitohet gabimi sa me shume qe te jete e mundur. Percaktohen ne menyre te rrepte rrethanat kur dhe si arme te tilla mund te perdoren. Nuk po fliste per dronet ne fakt, sepse dronet nuk jane autonome, por kam pershtypjen qe e njejta gje vlen edhe per dronet.
    Nje gje tjeter qe vuri ne dukje ishte pabarazia e madhe midis perendimoreve dhe jo-perendimoreve ne armet me saktesi te madhe, qe minimizojne numrin e viktimave civile, dhe se si kjo “epersi morale” e perendimit ne lufte, ishte rezultat i epersise teknologjike te vendeve te perendimit.

  7. Profani: “qe ta minimizojne accountability (si thuhet ne shqip accountability?)” => pergjegjësi

    Eni: “Ku eshte pra ndryshimi i vertete midis bombardimeve te Dresdenit apo Hamburgut gjate luftes se dyte boterore dhe bombardimeve te sotme te “drones” ne Afganistan?” => nuk ka asnje rast qe nje dron te kete vrare 1000 veta. maksimumi 15-20 nje pjese e te cileve jane talebane qe vrasin me bomba qindra vete ne pazaret e Bagdadit apo Kabulit si edhe — ne rastet me fatkeqe — pjesetare te familjes qe u jep strehe dhe perkrahje.

  8. ””’Ku eshte pra ndryshimi i vertete midis bombardimeve te Dresdenit apo Hamburgut gjate luftes se dyte boterore dhe bombardimeve te sotme te “drones” ne Afganistan?””’

    Pilotet anglo-amerikane rrezikonin koken e tyre ndersa piloti i dronit rrezikon vetem ti shkoje kafja shtrember. Ketu mungon elementi njerezor i drejtperdrejte ne fushe te betejes apo masakres quaje si te duash.
    Pastaj vrasja e civileve perfshihet ne etiken e luftes te Genghis Khanit dhe jo vetem.

    Problemi qe ngre ti ka te beje me vleresimin e civilit, ne ky eshte material lufte apo jo. Mesa di une ne shqiptaret jemi ndoshta i vetmi popull i Europes qe nuk e vlereson civilin si material lufte, biles vete femra qe grabitej ne Epos si shenje trimerie nuk perben me material lufte.
    Kjo mund te vije per shume arsye, si mungesa e nje shteti agresiv apo etike lufte qe lidhet me moralin e burrit qe lufton ne mejdan po nuk prek femije e gra apo mos ti bejme tjetrit ate qe sduam te na e bejne a mbase te gjitha nga pak.

    Armet e reja, nuk ndihmojne ne mosvrasjen e civileve, dmth edhe sikur te duam, lufta brenda ne qytet do sjelle se s’ben viktima nga armet qe sado inteligjente te jene, nuk mund te jene aq sa duhet.

    ”””Sa vlen brejtja e ndergjegjes se nje apo dy njerezve kundrejt 1000 te vrareve dhe akoma me e rendesishme cfare mund te ndryshoje ndergjegja e tyre tek raporti i dhimbshem i 1000 vs 0?””’

    Vlen si nuk vlen. Eshte pikerisht ajo vrasje ndergjegjeje qe moralizon luften e ardhshme. Kur ai piloti eshte i bindur se eshte keq dhe e percjell kete bindje e kjo pranohet, atehere lufta tjeter nuk do kete me kesi viktimash.
    Por ai pilot eshte i bindur se eshte mire, prandaj e hedh mbi civilet dhe kjo eshte e keqja.

    Nese armiku perkufizohet si keq, si kuceder atehere ushtari eshte i bindur se duhet asgjesuar, ndersa nese vleresohet si ‘keq’ vetem ushtari i kundershtarit atehere vrasja limitohet ne njerezit me uniforma.

    Problemi qendron pikerisht tek qendrimi barbarik qe sjell cilesimi i civilit si material lufte e ashtu si Genghis khani, do asgjesosh gjithe civilet qe sheh me sy. Bomba atomike ne Hiroshime vjen pikerisht nga vleresimi i civilit japonez si material lufte per tu asgjesuar, per te miren e bashkesise amerikane.
    Ne Europe, me humbjen e vlerave kavalereske te mesjetes, fitoi barbaria e plebeut. Vetem ne lufterat fetare vleresohej mire masakra e civileve pagane apo islamike, ndersa per llojet e tjera te lufterave, masakra e civileve ishte turp per Kaloresin.

    Problemi nuk qendron tek armet, por tek morali i atij qe i perdor; ne ka moral barbar atehere do asgjesoje civilet edhe me shkopinj e comanga (qindra mijera nga comangat ne genocidin Ruanda-Burundi), nese ka moral te civilizuar atehere nuk prek civil me dore.

    Virtuali nuk ndihmon ne civilizimin e moralit por ne barbarizimin e tij.

  9. Dilema morale për armatimet e sotme të telekomanduara, inteligjente dhe në duar burokratësh të zyrave tepër të larguar prej fushëbetejës, më kujton parabolën e mandarinit kinez, e cila citohet shpesh në tekste të filozofisë dhe të etikës. Edhe pse versione të saj i gjen tek Hume, Rousseau, Diderot dhe Chateaubriand, ilustrimin më të thjeshtë ia ka bërë Balzac-u, te “Xha Gorioi”, në një dialog midis dy personazheve, Rastignac dhe Bianchon. Thotë Rastignac-u (përkthimi im i lirë, se nuk e kam librin shqip në dorë):

    “Po më torturojnë mendime të këqia. E ke lexuar Rousseau-in?”
    “Po.”
    “Të kujtohet një pasazh ku e pyet lexuesin se ç’do të bënte, sikur t’i jepej mundësia për t’u pasuruar duke vrarë në Kinë, thjesht me një akt të vullnetit të vet e pa luajtur nga Parisi, një mandarin plak?”
    “Po.”
    “Edhe?”
    “Ç’të të them? Unë kam arritur te mandarini i tridhjetetretë.”
    “Mos u tall tani. Shiko, po sikur të provohej se kjo gjë është e mundshme, do të mjaftonte një shenjë e lehtë me kokë, do ta bëje ti?”
    “Është shumë plak ky mandarini? Nuk e di, i ri a plak qoftë, ulok a në shëndet të mirë… për besë… Jo!”

    Një diskutim të parabolës mund ta lexoni këtu.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin