Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

SHQIPJA E DRUNJTE (IV)

 

Drunjëzimi i shqipes shprehet veçanërisht nëpërmjet pranisë së fjalëve si çështje, problem, fakt, proces, gjë që nuk kanë ndonjë kuptim në vetvete, por vetëm përdoren në thënie për shkak të sintaksës së keqe, vesit të imitimit, ose thjesht pakujdesisë.

Të krahasohen:

Ndërtimet abuzive – Çështja e ndërtimeve abuzive

Transporti publik – Çështja e transportit publik

Korrupsioni – Problemi i korrupsionit

Integrimi europian – Çështja e integrimit europian

Nuk ka dyshim se ndërtimet, transporti, korrupsioni dhe integrimi europian janë të gjitha çështje ose probleme për t’u diskutuar ose për t’u zgjidhur; prandaj leksikalizimi i kësaj karakteristike, nëpërmjet fjalëve si çështje ose problem, shpesh nuk i shton asgjë thënies, përveç ujit.

Kështu, një shprehje të drunjtë tipike si:

Çështja e ndërtimeve abuzive është një çështje që kërkon zgjidhje të menjëhershme.

Mund ta rishkruajmë si:

Ndërtimeve abuzive u duhet dhënë fund menjëherë.

Zgjidhje është një tjetër fjalë parazitare, por më e vështirë për t’u hequr qafe; edhe pse gjithnjë mund ta quajmë zgjidhjen me emrin e vet, sipas përfytyrimit praktik që kemi – p.sh. zgjidhja e problemit të shiut është të hapësh ombrellën ose të futesh në strehë; prandaj askush nuk thotë: “filloi shiu, duhet të gjejmë një zgjidhje”; por “filloi shiu, le të gjejmë një strehë.”

Edhe fjala proces i shoqëron shpesh emrat e veprimit (kryesisht prejfoljorë), si fjalë parazitare:

Procesi i zgjedhjes së delegatëve – zgjedhja e delegatëve

Procesi i hartimit të kushtetutës – hartimi i kushtetutës

Procesi i planit strategjik të turizmit [titull dokumenti]- Plani strategjik…

Normalizohet plotësisht procesi i prodhimit të Pasaportave të Republikës së Kosovës – prodhimi i pasaportave…

Procesi i Hartimit dhe Monitorimit të Planit Kombëtar për Anëtarësim (MAP) – Hartimi dhe Monitorimi

Fillon procesi i shënimit të kufirit Kosovë-Maqedoni – Fillon shënimi i kufirit…

Procesi i kualifikimit të auditit të brendshëm – Kualifikimi i auditit të brendshëm

SHBA: nis procesi i votimit për Presidentin

Procesi i anëtarësimit të Kosovës në FMN është i atillë që kërkon përmisimin e disa kushteve… – Anëtarësimi i Kosovës në FMN…

Procesi i pajtimit në Ballkan shprehimisht kushtëzohet nga njohja e pavarësisë së Kosovës. – Pajtimi në Ballkan

Siç mund të vihet re lehtë, në të gjithë këta shembuj, fjala procesi mund të shmanget pa ndonjë pasojë në kuptimin e thënies.

Edhe shprehja fakti që, në më të shumtën e thënieve, mund të shmanget krejt –duke e fshirë fjalën fakti, ose duke e riformuluar pak thënien:

Më habit fakti që kryetari i bashkisë nuk ka reaguar ende ndaj kësaj akuze/Habitem që kryetari i bashkisë nuk ka reaguar ende…

Fakti që një numër i vogël korporatash kontrollojnë mass mediat përbën një problem/ një numër një numër i vogël korporatash kontrollojnë mass mediat është për t’u shqetësuar.

Treguesi tragjik i vlerave të qytetërimit tonë është fakti që nuk ekziston asnjë biznes më i madh se lufta./Është tregues tragjik për vlerat e qytetërimit tonë  nuk ekziston asnjë biznes më i madh se lufta.

Fakti që kjo datë nuk festohet ende në Mal të Zi tregon qartë për gjendjen, nivelin dhe vetëdijen mbi planifikimin urban./ kjo datë nuk festohet ende në Mal të Zi tregon qartë…

Këtë e dëshmon fakti që Nano i detyroi kundërshtarët të votonin për të/Këtë e dëshmoi Nano, kur i detyroi kundërshtarët të votonin për të…

Kjo punë nuk qe e lehtë, nga shkaqet që kujtova më sipër, si dhe nga fakti që muzikantët tanë profesionalë i kishin ndryshuar meloditë/Kjo punë nuk qe e lehtë, nga shkaqet që kujtova më sipër, si dhe ngaqë muzikantët tanë profesionalë i kishin ndryshuar meloditë

Fakti që zogizmi i mbijetoi genocidit gjakatar të komunizmit kundër tij, është një fakt pozitiv për demokracinë shqiptare dhe për çështjen shqiptare/ zogizmi i mbijetoi genocidit gjakatar të komunizmit kundër tij, është pozitive për demokracinë shqiptare dhe për çështjen shqiptare 

Fakti që sot ka një numër gjithmonë e më të vogël vajzash që vazhdojnë arsimin e mesëm, sidomos në fshat, është një tregues shumë i rëndë/Numri gjithnjë e më i vogël i vajzave që vazhdojnë arsimin e mesëm… është një tregues shumë i rëndë./Gjithnjë e më pak vajza po vazhdojnë arsimin e mesëm, sidomos në fshat, çka duhet të na shqetësojë… 

Si spjegohet fakti që serbët po i dergojnë në Serbi edhe eshtrat e të vdekurve?/Si spjegohet  serbët po i dergojnë në Serbi edhe eshtrat e të vdekurve?

Për sa i përket kritereve ekonomike, në Progres Raport vihet re fakti që ekonomia shqiptare ka pasur rritje të shpejtë./Për sa i përket kritereve ekonomike, në Progres Raport vihet re ekonomia shqiptare ka pasur rritje të shpejtë./Për sa i përket kritereve ekonomike, Progres Raport vëren ekonomia shqiptare është rritur me shpejtësi.

Fakti që nuk është e qartë çështja e pronësisë i brengos investitorët./Paqartësitë për pronësinë i brengosin investitorët./Investitorët brengosen, ngaqë ka paqartësi për pronësinë.

Fakti që nuk e shohim dot Zotin nuk do të thotë që ai nuk ekziston./Edhe pse nuk e shohim dot Zotin, [ kjo] nuk do të thotë që ai nuk ekziston.

Analistët thonë se fakti që kundërshtari i tij, ish kryeministri Fatos Nano pranoi humbjen, ishte një shenjë progresi./Analistët thonë se pranimi i humbjes nga kundërshtari i tij, ish kryeministri Fatos Nano, ishte një shenjë progresi./Analistët thonë se kundërshtari i tij, ish kryeministri Fatos Nano e pranoi humbjen, çka ishte një shenjë progresi.

Fakti që kjo këngë haset edhe te arbëreshët e Italisë, dëshmon se ata e morën me vete kur u larguan nga Shqipëria./Prania e kësaj kënge edhe te arbëreshët e Italisë, dëshmon se ata e morën me vete kur u larguan nga Shqipëria./kjo këngë haset edhe te arbëreshët e Italisë, çka dëshmon se ata e morën me vete kur u larguan nga Shqipëria.

Problemi kryesor i yni ishte fakti që e kemi nisur vonë fazën përgatitore. /Problemi kryesor i yni ishte  e kemi nisur vonë fazën përgatitore.

Ajo çfarë është ironike, është fakti që për shqiptarët, historia po përsëritet!/Ironia është se për shqiptarët, historia po përsëritet! 

Zëvendësimet më sipër duan marrë më tepër si sugjerime, ose shembuj; përndryshe çdo thënie duhet trajtuar në veçantinë e saj të papërsëritshme.

Gjithsesi, ndërtimet me fjalë parazitare si çështja, problemi, procesi, fakti është mirë të trajtohen së bashku me emërzimin dhe përdorimin e tepruar të këpujës (foljes është).

Le ta shohim nga afër si ndodh kjo, duke u nisur nga një e dhënë ose konstatim çfarëdo se:

Gjithnjë e më pak vajza po ndjekin shkollën e mesme, sidomos në fshat.

Konstatim që autori i thënies kërkon ta shoqërojë me thirrje për veprim, ose duke shprehur reagimin e vet emocional, të tipit: ndihem i shqetësuar, ose duhet të shqetësohemi që, është për të vënë duart në kokë që etj.

Konstatimi dhe reagimi ndaj konstatimit lidhen mes tyre me mjete sintaksore. Pikërisht në këtë fazë të formulimit të thënies folësit ndeshin në vështirësi, të cilat i kapërcejnë pastaj me mjete të drunjta, si fjalët parazitare ose emërzimi:

Duhet të shqetësohemi që gjithnjë e më pak vajza po ndjekin shkollën e mesme, sidomos në fshat.

1. Shtimi i fakti që

Duhet të na shqetësojë fakti që gjithnjë e më pak vajza po ndjekin shkollën e mesme sidomos në fshat.

2. Emërzim + folja është (ose një folje identiteti e barasvlershme)

Fakti që gjithnjë e më pak vajza po ndjekin shkollën e mesme sidomos në fshat përbën shqetësim/është burim shqetësimi.

3. Drunjëzim i shprehjes gjithnjë e më pak:

Fakti që një numër gjithnjë e më i vogël vajzash po ndjekin shkollën e mesme sidomos në fshat përbën shqetësim/është burim shqetësimi.

4. Formulimi me emërzim të dyfishtë dhe këpujë (folja është):

Rënia e (pakësimi i) numrit të vajzave që ndjekin shkollën e mesme sidomos në fshat është burim shqetësimi.

5. Shtimi i një fjale tjetër parazitare:

Problemi i pakësimit të numrit të vajzave që ndjekin shkollën e mesme sidomos në fshat është problem shqetësues/që duhet të na shqetësojë.

6. Drunjëzim i mëtejshëm me mjete leksikore:

Problemi i reduktimit të numrit të studenteve femravazhdojnë studimet në shkollat e mesme në mënyrë të veçantëzonat rurale përbën problem shqetësues që kërkon zgjidhje.

Këto dukuri meritojnë të trajtohen veçmas.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin