Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

SHQIPJA E DRUNJTE (III)

Folja shqipe ka disa forma që quhen të pashtjelluara, meqë ndryshe nga format e tjera të foljes nuk zgjedhohen sipas numrit, vetës, kohës dhe mënyrës.

Mes formave të pashtjelluara, vlejnë të përmenden pjesorja (punuar), përcjellorja (duke punuar), paskajorja (për të punuar), forma e pashtjelluar mohore (pa punuar); por ka edhe forma të tjera më pak të përdorura, si me të punuar, një të ardhur, etj.

Nga pikëpamja funksionale, format e pashtjelluara zënë një vend të ndërmjetëm midis foljes dhe emrit, meqë kanë tipare të përbashkëta me të dyja këto pjesë të ligjëratës. Po ashtu, pjesorja i ndan disa tipare me mbiemrin, madje shndërrohet lehtë në mbiemër, po të paranyjëzohet.

Afërsia e këtyre formave me emrat prejfoljorë ka bërë që, në shqipen e drunjtë, shpesh të zëvendësohen me ndërtime të shtangëta parafjalore. Ja disa shembuj ndërtimesh të tilla, që priren të nxjerrin nga përdorimi paskajoren:

Përpjekjet për përjashtimin e Shqipërisë nga këto bisedime…

Lufta për çrrënjosjen e këtij paragjykimi…

Kjo do të shërbejë për seleksionimin e fituesve…

Në kontekste të tilla, gjithnjë ka vend për të parë se mos ndërtimi me paskajore tingëllon më mirë:

Përpjekjet për të përjashtuar Shqipërinë nga këto bisedime…

Lufta për të çrrënjosur këtë paragjykim

Kjo do të shërbejë për të seleksionuar fituesit…

Ndërtimi me paskajore na lejon edhe që të shmangim gjinoren, meqë paskajorja e një foljeje kalimtare ndiqet normalisht nga një kundrinë e drejtë në kallëzore, çka i përgjigjet më mirë logjikës së thënies (pa përmendur pastaj që shumë gjinore, njëlloj si shumë pallto në kremastarë, e shembin fare dollapin).

Po ashtu, ndërtime të shumta të tipit nëpërmjet + emër veprimi dhe me anë të + emër veprimi mund të zëvendësohen me një përcjellore, gjithnjë në të mirë të zhdërvjelltësisë së shprehjes:

nëpërmjet përdorimit – duke përdorur

nëpërmjet leximit – duke lexuar

Ndërsa ndërtime të tjera, po aq kabá, me shprehjen parafjalore në mungesë të, mund të zëvendësohen me një formë të pashtjelluar mohore:

në mungesë të kontrollit – pa kontrolluar

Kurrë nuk duhet harruar se emri prejfoljor shpesh funksionon si zgjidhje e çastit, për t’i bërë vend foljeve në struktura sintaksore përtace, ose të paorganizuara mirë.

I ngjashëm me këtë dukuri, është shndërrimi i disa strukturave të tipit kërkoj të takohem me struktura të tipit kërkoj takim. Ky shndërrim mundësohet edhe ngaqë elementi i parë foljor i këtyre grupeve është folje kalimtare, e cila ndiqet normalisht nga një emër në rasën kallëzore (dua bukë, kërkoj drejtësi). Të krahasohen:

dua (që) të më shpërblejnë – dua shpërblim

kërkoj (që) të zbatohet ligji – kërkoj zbatim të ligjit

vendosi (që) të ndërtohet ura – vendosi ndërtimin e urës

urdhëroi (që) të verifikohen dokumentet – urdhëroi verifikimin e dokumenteve

u kërkoi kryengritësve (që) të dorëzohen pa kushte – kërkoi dorëzimin pa kushte të kryengritësve

Disa emërzime, zakonisht të panevojshme, i detyrohen zbërthimit të foljeve që kanë të bëjnë me akte ligjërimore, për t’i dhënë shprehje eksplicite aktit. P.sh.:

Kreu i opozitës e kundërshtoi vendimin e qeverisë.
Kreu i opozitës shprehu kundërshtimin ndaj vendimit të qeverisë.

Ministri e mbështeti iniciativën e guvernatorit të bankës.
Ministri shprehu mbështetje për iniciativën e guvernatorit të bankës.

Mirëpo të thuash shpreh kundërshtimin ndaj, në vend të kundërshtoj, është t’i shtosh thënies një folje të kotë (shpreh), ndërsa foljen kryesore kundërshtoj ta ngrish duke e emërzuar. Folja shpreh është e tepërt (redondante), sepse merret me mend që akti i të kundërshtuarit realizohet nëpërmjet shprehjes së kundërshtimit.

Në të njëjtën mënyrë, dy thëniet e mëposhtme:

Ministri e mbështeti iniciativën

Ministri tha (deklaroi) se e mbështet iniciativën

Janë të barazvlershme në shumë kontekste, edhe pse e dyta përmban dy folje, ndërsa e para vetëm një.

Më në fund, disa ndërtime kauzative priren të shpërbëhen, përsëri nëpërmjet leksikalizimit të një elementi që e përmban vetë kuptimi i foljes:

Këto konflikte e kanë zhvendosur vëmendjen e parlamentit nga…
Këto konflikte kanë çuar në zhvendosje të vëmendjes së parlamentit nga…

Kriza qeveritare mund ta dobësojë lekun.
Kriza qeveritare mund të çojë në dobësimin e lekut.

Po ashtu:

zbeh – çoj në zbehje/shkaktoj zbehje

bllokoj – çoj në bllokim/shpie në bllokim/shkaktoj bllokim/bëhet shkak për bllokim/bëhet shkas për bllokim

përmirësoj/sjell përmirësim

Ndërtimet me folje të tilla si shkaktoj, sjell, çoj në, shpie në, bëhet shkak për, bëhet shkas për etj. + emra veprimi kanë vendin e tyre në ligjërim, me kusht që të shprehin nuanca kuptimore (aspekti) të cilat nuk mund të shprehen nga folja që i përgjigjet emrit të veprimit. Përndryshe, duan trajtuar si parazitare dhe mund të shmangen krejt.

Të krahasohet:

Greva e doganierëve e ka bllokuar trafikun në kufi

me

Greva e doganierëve ka shkaktuar/ka çuar në/është bërë shkak për bllokimin e trafikut në kufi.

Ndërtimi i parë mjafton për ta përcjellë idenë.

3 Komente

  1. me pak fjale, shyqyr qe kemi EDHE nje shqipe tjeter, ose me sakte shyqyr qe shqipja jone ka edhe nje koke tjeter, qofte edhe prej druri, si e pinokios si e kalit antologjik te trojes (-antologjik se kishte ne bark nje duzine me grekofone qe recitojne pjese te zgjedhura nga iliada e odisea bashke) ose si dashi i drunjte me te cilin shqyenim portat e keshtjellave armike nga mesjeta e poshte:bamp! ia fut shqipja jone e Misto Mames deres me koke, dhe me t’u shqyer dera hyn koka prej mishi!
    hiq ketu konotacionin e rastesishem te dhunes seksuale, ideja eshte se kjo shqipja tjeter, ne rastin me te keq, hap rruge te pashkelura per shqipet e tjera.

  2. Më bëri përshtypje diçka te ky shkrim. Ministri nuk bëri… ai mbështeti iniciativën; ministri nuk tha, ai deklaroi; ministri nuk ngriti zërin, ai protestoi; ministri nuk ha, por ushqehet; ministri nuk pi, ai freskohet me ndonjë arançatë; ministri nuk fle, ai po pushon; ministri nuk lexon gazetën, por mundohet të mbahet i informuar mbi atë që ndodh në botë; ministri nuk iku në shtëpi, por prania e tij nevojitej diku tjetër; ministri nuk doli jashtë shtetit, atë e dërguan etj, etj. E sa gjepura të tilla do na duhet të durojmë, kur do vijë ndonjëherë një klasë politike ministrat e së cilës jo vetëm të hanë, të pinë dhe të bëjnë diçka që rimon me këto fjalët e fundit, por të punojnë siç duhet, të na zgjidhin problemet, që nuk i kemi të pakta!
    Një pyetje, si quhet pularia e shqipeve? Shqiperi?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin