Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

Rimëkëmbja

 

 

Shqipëria prej vitesh dergjet në një krizë madje agoni morali, që ka përfshirë edhe individët, edhe komunitetet, edhe institucionet, edhe shoqërinë civile. Nuk ia vlen shumë të diskutohet se cila krizë është parësore: në individët, në familjet, në komunitetet, në institucionet, apo në shoqërinë civile. Ndoshta ka vlerë të diskutohen shkaqet historike të kësaj krize, siç edhe është bërë: mungesa e traditës demokratike dhe qytetare, trazirat demografike (emigracioni i brendshëm nga fshati drejt qytetit dhe nga mali drejt fushës), ekzistenca e tri feve të ndryshme dhe roli i pamjaftueshëm i feve në jetën sociale, shkatërrimi i kapitalit social, gjymtimi i shpirtit të shqiptarit nga totalitarizmi, varfëria e madhe e vendit, papjekuria e institucioneve, rrezatimi ultraviolet nga Evropa Perëndimore, vesi oriental-levantin i parazitizmit dhe i klientelizmit… Megjithatë, njëlloj i vlefshëm do të ishte edhe diskutimi për rrugëdaljen nga kjo krizë morale, në kushtet e sotme dhe me këta shqiptarë që kemi. Ndryshe nga disa optimistë të pandreqshëm, unë nuk shoh ndonjë zgjidhje tek ekonomia e tregut, meqë edhe tregu vetë kërkon njëfarë zotimi etik nga palët, për të funksionuar si duhet; vetëm ligjet e rregullimit të transaksioneve nuk mjaftojnë. Nëse në një komunitet ekonomik një firmë nuk i paguan kreditorët, kjo mund të ndiqet administrativisht e penalisht, dhe të detyrohet të paguajë. Nëse të gjitha firmat fillojnë të mos i paguajnë kreditorët, atëherë ekonomia paralizohet. Duke e përgjithësuar këtë shembull, mund të thuhej se shteti ligjor është i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm; meqë ligji funksionon mirë kur vetëm një pakicë e shkel ose e shpërfill; policia mund të arrestojë një hajdut, por 100.000 hajdutë janë turmë revolucionare. Për këtë arsye edhe fushata e tanishme berishiane kundër korrupsionit, sado e sinqertë që të jetë e të mbetet, nuk mund të luajë ndonjë rol kushedi çfarë në planin moral. Po nëse ekonomia e tregut dhe modeli social libertarian nuk mjaftojnë për ta përshëndoshur etikën, atëherë çfarë mund të bëhet? Nëse do të kishte ndonjë mundësi praktike që individë me moral më të lartë se norma të zgjidheshin në organet përfaqësuese e të emëroheshin në pushtetin ligjor dhe ekzekutiv, atëherë kjo elitë ideale ndoshta mund ta tërhiqte me vete masën duke i dhënë shembullin e një profili të lartë moral; por demokracia nuk funksionon në këtë mënyrë, e aq më tepër në kushtet e sundimit të mediave, ose të mediokracisë, të cilat e organizojnë sferën e informacionit sipas parimeve të thjeshta të shitblerjes, të marra hua nga modelet e ekonomisë së tregut. Për ta thënë ndryshe, një produkt i tillë si profili i lartë moral nuk mund të shitet mirë, sepse një individ amoral nuk mund ta bindësh se të sjellët sipas normave etike është më me përfitim sesa egoizmi shtazarak, ose etika prej hijene. Tradicionalisht, përsosjen etike të komuniteteve e ka kryer feja, në Perëndim dhe në Lindje; dhe në vendet që kanë lulëzuar ekonomikisht e ka kryer ndoshta më mirë se gjetiu; edhe në ato raste kur ato vende i kanë udhëhequr drejt përparimit njerëz që nuk janë identifikuar doemos me etikën fetare të mirëfilltë. Në shoqëri e komunitete të rregulluara sipas etikës fetare, edhe ateizmi është më produktiv se gjetiu. Mirëpo në Shqipëri feja nuk më duket në një pozicion të tillë që ta luajë rolin e autoritetit moral, drejtpërdrejt dhe tërthorazi; dhe jo vetëm sepse ende nuk e ka marrë veten nga goditja që i dha Enver Hoxha me të vetët. Nuk më duket e mundshme që fesë t’i restaurohet prestigji në komunitete të tilla si ato urbanet në Shqipëri, të cilat janë krejtësisht të ekspozuara ndaj amoralitetit të mass mediave, miteve të hedonizmit materialist dhe kultit të Mamonit. Një alternativë ndaj feve konvencionale do të ishte kombëtarizmi, ose adhurimi i kombit; por kombëtarizmit shqiptar i mungon spiritualiteti i nevojshëm për t’iu zëvendësuar feve, ndoshta pikërisht sepse është shtjelluar sipas formulës së domosdoshme të Pashko Vasës; për të mos përmendur ato raste të panumërta batakçinjsh gjithfarësh që rregullisht duan t’i shlyejnë mëkatet e tyre të pathëna duke u betuar për vatan e flamur. Edhe shkolla, e varur pezull midis kitsch-it kombëtarist dhe pragmatizmit teknokratik shterpë të kultit të teknologjisë dhe të ekspertizës, është e dënuar të prodhojë qenie amorale e të papërgatitura për t’u dhënë zgjidhje dinjitoze dilemave etike; në një kohë që familja po e vuan deri edhe më shumë se shoqëria traumën e thellimit të hendekut midis brezave dhe moskomunikimit. Me pak fjalë, nuk duket të ketë ndonjë zgjidhje të lehtë a të gatshme të problemit moral. Unë vetë, që i shoh këto gjëra disi nga jashtë e nga larg, mendoj se vetëm një përpjekje e gjerë dhe e shumanshme për rimëkëmbje, ose një riformulim politikisht konsensual i programit kombëtarist duke e kthyer me fytyrë nga e ardhmja, do të mund t’ia kthente shqiptarit një kuptim të jetës përtej nevojave materiale të përditshme. Duke pasur parasysh edhe disa karakteristika historike të psikologjisë kombëtare, ky program i rimëkëmbjes do të duhej mbështetur në një rikthim të dinjitetit të Shqipërisë në Evropë, si shtet modern të shqiptarëve dhe entitet të domosdoshëm në kontinent. [2006]

2 Komente

  1. Edhe po t’i kishe “lexuar” mendimet e mia Xha Xha, apo me mire te themi, te t’i kisha thene , kaq mire,bukur e sakte nuk do te kisha mundur qe t’i shprehja ato.
    Nuk them se jam optimiste (normalisht njeriu duhet te jete), as nuk me pelqen qe te quhem pesimiste (individi kthehet ne nje te tille, kur shikon se gjerat nuk funksionojne – jo per faj te tij..!), e ne kete mes, nuk e di c’me mbetet per te qene. Nje “hibrid” i ketyre ndjenjave?? Gjithashtu,nuk me pelqen aspak te merrem me politike, por per fat te keq, ne Shqiperi, kjo politike, eshte faktori kryesor qe po na kushtezon ekzistencen (nuk na u nda nje varesi e tille, gjithe jeten..!?). Varesisht sjelljeve politike te qeverive, te cilat ikin e vijne dhe politikaneve (me vjen ndot t’i quaj te tille, por ata tashme jane vetequajtur e qe duket sikur kane bere marreveshjet e perjetshme per te mos i leshuar kurre ato karrige), varion edhe jeta e shqiptareve. Ndoshta ketu duhet te perjashtoj disa kategori shqiptaresh:rrethin, farefisin, tarafet e njerezve me pushtet dhe disa te tjere, te cilet me shume hunde te holle, kuptuan qe te merresh me politike apo te “mbeshtesesh” politiken, mund te besh hajer (dhe jo pak..). Shembujt jane nga me absurdet e me te pabesueshmit, megjithate, ata po i leme te vazhdojne punen e tyre. Ajo qe une doja te theksoja, eshte fakti qe politika ne Shqiperi (apo mos ndoshta duhet te them Qeveria e rradhes) eshte ajo qe te tregon “rrugen” nga duhet te shkosh: ose t’i besh fresk asaj (cilado qofte, referuar anes- e majte, e djathte..!!??), ose ne mos, je i detyruar te besh sehirin, ne mos, te heqesh picirin.. E cuditeshme, por e vertete. Te fillon ky kushtezim qe nga punesimi e deri tek faturat e llahtarshme, detyrime ndaj shtetit, ku ti, do s’do ndjen doren e “ngrohte e shume te rende” te atij…shtetit!! Epo, duhen ushqyer edhe ata lart..!
    Ju, Xha Xha, i beni me te drejte nje analize shume te bukur shkaqeve dhe arsyeve, te cilat e kane katandisur kete vend ne kete derexhe( i pranoj sepse kane qene e jane faktore psiko-socio-politiko-historik),por kur as ju vete, nuk shikoni mundesine e zgjidhjeve te shpejta e pozitive, edhe pse ne ekonomi tregu, tash e 18 vite, kjo me ben qe te tregohem akoma me shume skpetike e pesimiste per avenirin e ketij kombi. Artikull i shkruar qe me 2006, e ne interval kohor prej dy vitesh (qe nuk eshte pak, po t’i referohemi zhvillimeve politiko-ekonomike), gjerat jane pothuajse ne nje status-quo te neveritshme. Dikush mund te me quaje edhe nihiliste. E pranoj. Por nuk do te mundem kurrsesi te pranoj te me bejne propaganden e rradhes, per te me mbushur mendjen se situata ne Shqiperi, ka ndryshuar pozitivisht. Ajo qe ka ndodhur gjate ketyre viteve, nuk eshte se ka ndodhur per arsye te vullneteve te mira, te strategjive apo politikave me vizion apo ca me keq, per dashurine kundrejt ketij kombi e mileti (kjo e fundit me tingellon cinike e shume qesharake..), cka ndodhur, ka qene gjithshka e sforcuar, e detyruar nga jashte, per te realizuar normat, detyrat e shtepise (mjere kush nuk i realizon..!) ne raport me MSA apo traktate,marreveshje e Konventa te tjera te ketij soji.. Kur ta kap koken me dere, tha.. Pa u zgjatur me tutje, pasi nuk do e kem aftesine per t’i thene gjerat me mire e shkoqur se sa Ju, po dua te perfundoj me kete mendim timin: Per sa kohe, ne Shqiperi, ekziston mundesia per te bere (jo fituar..!) para me thase, kushdo qe te vije ne krye do vazhdoje te hedhe vallen sipas ritmit te kesaj lodre..! Per sa kohe, pushteti e politika, shikohen si instrumenta per tu bere miliardere, nga nje hic apo rrugac, gjithkush do vije ne krye, do vazhdoje te njejtin avaz.. Tashme, fjalet e bukura e gurmazet e cjerre per antikorrupsion e tolerance zero, kundrejrt ketij e atij, jane nje fiasko e shemtuar ne gojet e cilitdo qe do te marre perseri guximin per t’i artikuluar. The last but not least, sa kohe do vazhdojne te riciklohen po keto figura te neveritshme, te ashtuquajtur politikane (qofshin te reja ,apo ca me keq te vjetra deri ne mosdashje per t’i quajtur edhe antikuare..), nuk kam asnje iluzion- dhe qofte ky vetem nje mendim i izoluar i imi qe, KY VEND MUND TE BEHET..(me duket tashme si postulat kjo shprehje, e dale nga nje variete show..!). Por, me ndejte shtrember e me fole drejt, ndoshta me duhet te bej durim e te pres edhe vitin 2014, se mbase atehere, do mund te shikojme se ndodh edhe cudia–te benet Shqiperia si Evropi (pasi e ka terheqe zvarre pas qerres se vet…) !!! Amen….

  2. noname pse kaq viktimizem moj goce ? Mos me thuaj se bashke me parrullen utopike;- Ta bejme Shqiperine si gjithe Europa – po vdes tek ti edhe shpresa antike njerezore per nje jete me te mire.

    Po me semur perhapja mazokiste e parimeve iluministo-progresiste, jo per gje po se veshtire me i shpetu kesaj semundjeje , biles sa me lart shkoj aq me i veshtire behet mjedisi per shendetin tim.
    Tuberkulozit dhe kesaj semundjeje u gjendet dermani vetem maje Tomorrit.
    Imagjino sa mire jane ndier francezet ne 1815 kur Luigji XVIII vuri kuroren ne koke ! Me ne fund cik paqe !

    Per paqe ka nevoje edhe ky vend, rregull, reflektim,perthithje … Mjaft u lekundem si femijet ne lisharese per 18 vjet,po na vjen mendja verdalle. Sfidoj kedo qe me thote se Shqiperia ka nevoje per reforma te tjera ne procesin e modernizimit !

    Europa e nisi me mbledhjen e kapitalit, idete e reja, perparimin ekonomik e shkencor, me filozofine mbeshtetese e ate kundershtare(duhen te dyja) , perballimin e problemeve socio-politike qe lindin nga pasurimi, demokracine,problemin e gruas,problemin fetar, nacionalizmin, liberizmin etj per te arritur ne piken qe eshte.

    Ne si te mencurit e dynjase qe kemi qene perhere, brekgrisur e me mentalitet komunist vendosem ti perballim te gjitha problemet njeheresh. Jemi te forte e te urte ,ne, padyshim (kjo fjale me kujton bajraktarin Sali qe as tek kupa e gjurit si mberrin Zogut-plebeu perballe aristokratit ben gjithmone figure te keqe-).

    Tani po qahemi se ne vend te riprodhonim Europen, po prodhojme anarkine. Per nje konservator kjo ishte e qarte qe ne fillim, po ku me i gjet konservatoret, pervec se atje ku qendron dobesia. Fjala konservator ne mentalitetin shqiptar ben efekt te njejte me fjalen anadollak .

    Po te lexosh jeten e Bismarkut, veren sesa me fat ishin gjermanet qe nxorren nje figure te tille qe u lehtesoi kalimin drejt demokracise i cili ishte i pashmagshem. Rrup-sup elektroneve te lira liberiste , qente te lehin karvani ecen para… Kishte edhe ca lehtesira, mungonte ndikimi idiot i medias(dinte e i lejohej te perdorte edhe censuren), popullsia ishte fshatare ne masen 80% (mungonte zeri i fuqishem e i organizuar plebe), mbeshtetej mbi nje elite inteligjente e kaporaleske( jo si kjo jona, qe perbehet nga elektrone te lira) e shume te tjera.

    Atehere , kjo sben pune ,ajo sben pune, hajde ngreme duart lart e te vije,cte vije. Kjo eshte gjeja me e thjeshte prandaj populli e zbaton pa krijuar shume probleme.
    Mirepo ketu duhet te shfaqen elementet e forte te bashkesise. A kemi ne shqiptaret elemente te forte ? Shumicen e kemi mbytur me duart tona demo-gjakatare ( nuk po bej hartim po me pelqen te ironizoj njecik ).
    Elementi i forte nuk mund te jete i tille pa pasur ne radhe te pare nje moral te forte.

    Ja tek dalim tek xha xhai duke i rene permes nje rruge tjeter asaj me gropa.

    Mirepo xha xhai pasi ben arsyetimin e tij, perfundon ne qorrsokak dhe ngre duart lart pasi edhe pse ka gjetur moralin kombetar si te vetmen shprese, i fut nje parrulle me fjalen ‘dinjitet’ ne mes dhe sheh i kenaqur qe e beri diagnozen nje semundjeje qe po te lexosh gjithe shkrimin e vlereson si te pasherueshme.
    E pasherueshme sepse eshte absurde te mendosh se mund te formohet nje program kombetar me fytyre nga e ardhmja,pasi nje program i tille nuk ekziston ne asnje manual kombetarizmi e sepse e ardhmja i perket shkombetarizmit.

    Programi kombetar bazohet ne te shkuaren , ku gjenden rrenjet , ku gjendet morali kombetar. Hajde thote xhaxhai e formojme nje moral te ri kombetar duke ja kthyer fytyren nga e ardhmja. Kjo eshte pakuptim. Kesaj i thone hajde i presim rrenjet pemes, se do ja bejme me te bukura, do ja bejme sintetike qe ti kete zili gjithe bota.
    Une sdi te kete deformim me te madh te moralit sesa riorganizimi i plote i tij brenda pak vjetesh apo qofte edhe dekadash. Pyetni shqiptaret qe kane vuajtur ‘njeriun e ri’.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin