Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

KËRTHIZA E BOTËS (II)

Gazeta Shqiptare njofton sot, me gëzim të vetëkuptueshëm, për një zbulim që pritet të shkaktojë tërmet në dijen e Krishterimit të hershëm. Siç shprehet gazetari Fatmir Popja:

Një kryq i gjetur së fundi në një familje të njohur elbasanase nga koleksionisti i njohur privat i numizmatikës [Vangjel Kapedani], ka ngjallë interesin e studiuesve të kësaj fushe, të cilët mendojnë se ai i përket periudhës së lindjes së Krishtit.

Një kryq që i përket periudhës së lindjes së Krishtit është vërtet objekt i rrallë, sidomos po të kihet parasysh se gjatë asaj periudhe Krishti ende nuk ishte kryqëzuar.

Vazhdon Popja:

Koleksionisti Kapedani ka prezantuar në këtë fillim gushti këtë relike të rrallë, ndërsa specialistët që sapo kanë nisur të njihen nga afër me këtë gjetje, pohojnë se ai mendohet të jetë punuar në kohën kur ekzistonte vetëm fjala e shenjtë, pra shumë më herët sesa të lindte shkrimi.

Mirëpo shkrimi, si teknologji, është shumë i vjetër sesa lindja e Krishtit; p.sh. në Mesopotami shkrimet e para datohen si të mijëvjeçarit të katërt para lindjes së Krishtit, çka do ta bënte kryqin e zbuluar në Elbasan edhe më të vjetër akoma, në llojin e vet.

Siç vëren edhe Popja:

Ky kryq mendohet se ka vlera të jashtëzakonshme historike për krishtërimin dhe përbën një nga objektet më çmuara për të gjithë historianët për të pasuruar këtë periudhë shumë të hershme të njerëzimit.

Më pas, artikulli përmban një përshkrim të shkurtër, por profesional, të objektit në fjalë:

Në mes të kryqit ndodhet një monogram i Krishtit, e cila është një shenjë e padeshifrueshme kriptologjike e emrit të fshehtë të Krishtit në fillimet e krishtërimit. Po kështu, në të ka zbukurime e vizatime të shumta të krishterimit, ku përfshihen dhe disa shenja të Zodiakut.

Lexuesi kureshtar do të pyeste, në këtë rast, se si u arrit të lexohej ky monogram, në qoftë se është fjala për një “shenjë të padeshifrueshme kriptologjike të emrit të fshehtë të Krishtit”; por pas botimit të romanit “Kodi Da Vinci” të krishtologut të madh Dan Brown, gjëra të tilla janë pritur të ndodhin, madje jo vetëm në Shqipëri.

Lexuesi kureshtar do të pyeste, gjithashtu, se si i bëhet që ky kryq përmban mbishkrime (monogramatike), edhe pse është punuar “shumë më herët se sa të lindte shkrimi”, me ç’rast do të përfaqësonte – në mos qofsha i gabuar – provën e parë materiale të diçkaje të shkruar, për mbarë planetin Tokë.

Por ka edhe më. Zbulimet e mëdha vijnë zakonisht në grupe, siç e ka thënë edhe Evariste Galois:

Që mosha e këtij kryqi është e kohës së lindjes së krishterimit, e përforcon fakti që Shën Pali e preku hapësirën ilire pasi ajo ishte pjesë e hapësirës burimore biblike.

Natyrisht; sa kohë që Shën Pali ka prekur hapësirën ilire, atëherë çdo kryq që gjendet brenda katër mureve të asaj hapësire do të jetë i kohës së lindjes së Krishterimit. Këtij argumenti nuk ke se ku t’ia gjesh të çarën. Pa përmendur pastaj edhe “hapësirën burimore biblike”, e së cilës paska qenë pjesë Iliria.

Udhëtimi apostolik i [Shën Palit] lidhej me bashkësitë hebreje, që ekzistonin në hapësirën ballkanike pasi mbi të gjitha hapësira iliro-biblike gjendej brenda asaj që quhet hapësirë biblike.

Ja edhe një nocion i ri: hapësira iliro-biblike, e cila, logjikisht, gjendet brenda asaj që quhet hapësirë biblike. Çfarë horizontesh i hapen njeriut nga një objekt i vetëm, i zbuluar në kohën dhe në vendin e duhur…

Shpërthen Popja:

Po ajo që e bën edhe më të çmuar këtë kryq është fakti se ai i përket kohës kur Shën Pali bëri udhëtimin e tij apostolik në hapësirën iliro-biblike, ku krishtërimi mbretëronte më shumë se në çdo vend tjetër të botës.

Fakti se? Si u kalua kështu nga një hipotezë fare e pambështetur, te datimi faktik? Nëpërmjet argumentit të hapësirës iliro-biblike, ku “Krishterimi mbretëronte më shumë se në çdo vend tjetër të botës”. Po si mbretërokësh ky Krishterim, në kohën e udhëtimeve të Shën Palit, ose kur edhe Shën Pali vetë nuk e dinte që ishte Shën Pal?

Pyetje të tilla më mirë të lihen pa përgjigjen e merituar.

Ja dhe arsyetimi mbyllës, që njëkohësisht u mbyll gojën të gjithë atyre që ende nuk i zënë besë hapësirës iliro-biblike:

Shën Pali sipas historisë, ka qëndruar për një kohë të gjatë në Apolloni ku ka shuguruar Shën Çezarin, prandaj kryqi i zbuluar nga koleksionisti elbasanas do të ngjallë diskutime të shumta në radhët e historianëve, por sidomos te shkencëtarët për hershmërinë dhe origjinën e tij.

Mua ky artikull, kaq zbavitës, nuk di pse më kujtoi një pasazh besoj të Umberto Eco-s, i cili flet me shpoti për një kishëz në Spanjë, ku ruhej i paprekur trupi i mumifikuar i foshnjes Jezu…

Përndryshe, krahas mbishkrimit të Mesaplikut, kryqi elbasanlli që i paraprin jo vetëm kryqëzimit të Krishtit, por edhe vetë përdorimit të shkrimit, përbën një tjetër fitore të lavdishme të albanologjisë shqiptare, e cila ka marrë flatra që me zbatimin me sukses të reformave në strukturat e Akademisë, të cilat reforma ia kthyen shkencën shqiptare atij që e punon – tha.

6 Komente

  1. “””””Koleksionisti Kapedani ka prezantuar në këtë fillim gushti këtë relike të rrallë, ndërsa specialistët që sapo kanë nisur të njihen nga afër me këtë gjetje, pohojnë se ai mendohet të jetë punuar në kohën kur ekzistonte vetëm fjala e shenjtë, pra shumë më herët sesa të lindte shkrimi.”””””

    Duhet ta ketë llafin për “fjalën e shenjtë” në paralelizim me shkrimin e shenjtë. Sepse Librat e…”shenjtë” me një llaf janë shkruar më vonë se të përhapej tradita.

    Dmth ndoshta (se e ka bërë çorbë gjithë artikullin) ka dashur të thotë se kryqi është punuar para shkrim-përkthimit të ungjijve.

    Në fakt edhe nëse do e kishte linjën e shkrimit si më lart, nuk është rasti të mendohet se ka të drejtë gjithsesi.
    Adhurimi për kryqin duhet të ketë filluar llogjikisht rreth viteve 300 e.s. Se gjetja e “kryqit të shenjtë” nga perandori Kostandin dhe e ëma Helena rreth atyre viteve është bërë. Si objekt-simbol nuk besoj të ketë qënë adhuruar më parë.
    Që nga ajo kohë, dolën pastaj legjenda urbane me copë druri “të shenjtë” prej kryqit. Ka manastire psh që kanë pjesë kryqi…me gjithë vrimën e gozhdës. 😀 Eh…Xha xha, të dije ça bëhet në anët këtej, të tillë artikuj do shkrujshe gjithë ditën e nuk do të dilte kohë për gjë tjetër.

    ***
    Gjithsesi vërej një ankth për të përfshirë me “dhunë” argumentash biblikë disa të dhëna, të cilat nuk mund të ngelen jashtë shkrimit për raste të tilla. Janë si mishi që në dasëm nuk mund të mungojë. Psh çe deshi zënien në gojë të Shën Palit dhe se ka kaluar në Iliri në këtë mes? Apo përmendjen se Iliria ishte tokë biblike? Këto të dhëna që thotë ky nuk janë koherente as të vërteta.

  2. E pashe kryqin ne nje kronike te ballkanweb. Kapedani ishte nje batakci e gjysem. Kur kryqi u be simbol i te krishtereve, krishterimi kish 300 vjet. E pashe ate kryq. Gje e rendomte e mesjetes te vone.

  3. Xhake,

    qafiri i bie ne menyre intuitive qe Kapedani eshte batakci, ndersa une e konfirmoj jo ne te njeten menyre. Po nuk eshte aq rastesore dalja e atij dallkauku ne media dhe nuk e para here qe percjell mesazhe te facifikuara kjo media.

    Une konstatoj disa gjera me shume se lajmi i kryqit te Kapedanit.

    Disa media po e bastardojne kete punen e shqiptareve kristiane me te hershem se Krishti.

    Ne Top News jepte nje media kombetare qe 17 kosovare u konvertuan ne fene e te pareve te tyre. Mos qesh po deshe me sharlatanizmin e medias tone dhe mos e klasifiko dhune mediatike po deshe. Shkurt kemi per te qare dhe per te qeshur.

    Nje tjeter media jepte se Kishen e Lacit e vizituan 1 000 000 besimtare katolike. Ngataron numrat

    Nard Ndoka del ne TV dhe thote qe u largu nga qeveria i vetmi minister katolik ndersa mumja Jozefine deklaron lart e poshte se qenia e saj si Kryetare Parlamenti lidhet me faktin se gjyshi i saj ka pas te paren parti me baze fetare ne Shqiperi e qe quhej Partia e Katolikeve.

    Xhake,

    media e italianit Bolino eshte nje nga mediat me antishqiptare dhe e keqja e kesaj eshte se ajo ka status qe i mbrohet nepermjet ligjit shqiptar. Kjo gazete soli per here te pare termin “shqiptari” ( qe gjithmone ka bere ndonje krim ) a thu se botohet ne Vatikan .

    Deziformim konstant, manipulim konstant i kane dhene kesaj mediaje ne syte e mij ( dhe jo vetem ) statusin e nje pacavureje dhe keta ma verteton edhe tirazhi i printit qe eshte katandisur me 700 kopje ne dite dhe tani konkuron vetem me Tirana Observer qe shet 90 kopje ne dite. 🙂

    Media e pasinqerte ne raport me shqiptaret eshte ky biznes i Bolinos.

    P.S. Ne jemi per t`u qare me llahinka ! 😛

  4. media e italianit Bolino eshte nje nga mediat me antishqiptare

    Ne fakt ashtu m’u duk edhe mua, por thashe se mos ishte mendim pa buke. Libanizimi po na afrohet, ndonese nuk mendoj te paraqese te njejtin rrezik. Thjesht po na afrohet se siperfaqesisht, ketyre batakcijve u duket Shqiperia e ngjashme me Libanin. E verteta eshte ndryshe

  5. Kam te njejtin mendim per gazeten shqiptare. Por kujtoja se e kisha vetem une kete mendim dhe ndonjehere beja veten me faj qe e paragjykoja. Kjo gazete i ka hequr kuptimin lajmit si koncept

  6. Po mirë unë nuk e kuptoj, nuk ka ndonjë aty të dalë e të shkoqisë dy gjëra për së mbari tak e tak, dy tre gjona të vogla janë ato të shkretat, si thoshte Xhufi në një emision: Prift dhe hoxhë shkonin kallëzonin te kadiu gjithë shqiptarët që donin të shkruanin në gjuhën shqipe.

    Sistemi i miletit i kishte rregullu punët, kë donte ushtar e bënte myslyman, kë donte bujk e linte ortodoks-katolik.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin