Ndoshta duhet ta sqaroj më mirë idenë e shprehur në shkrimin e mëparshëm, se trysnia e anglishtes ndaj shqipes ia rrezikon strukturat gjuhësore kësaj të fundit shumë më tepër sesa trysnia tradicionale prej gjuhëve neolatine si italishtja dhe frëngjishtja.
Ky rrezik lidhet drejtpërdrejt me atë që shqipja nuk di se si t’i trajtojë fjalët anglishte, dhe këtu s’e kam fjalën vetëm për drejtshkrimin. Drejtshkrimi, tek e fundit, është çështje konvencionale, zgjidhet në tryezë të bisedimeve; por përshtatja e huazimit në ligjërim ndjek të tjera rregullsi – p.sh. nuk e vendos dot specialisti nëse fjala mouse do të trajtohet si e gjinisë femërore apo e gjinisë mashkullore; meqë shqipja vetvetiu do t’i atribuojë gjininë mashkullore (mausi, apo mouse-i).
Po të marrim një gjuhë me të cilën shqipja ka qenë në kontakt prej shekujsh, si italishtja, do të shohim se mekanizmat e huazimit janë kolauduar mirë, aq sa sot huazimi i një emri ose i një foljeje nga italishtja nuk i shkakton ndonjë krizë sistemit gramatikor të shqipes. Për shembull, sipas modelit scandalizzare -> skandalizoj, paralizzare -> paralizoj, attribuire -> atribuoj mund të huazojmë folje të tjera pa fund, si ripristinare -> ripristinoj, riconfermare -> rikonfirmoj. Modeli ekziston dhe funksionon mirë.
Me fjalët e anglishtes një model i tillë nuk ekziston; meqë nuk ka pasur kohë të kristalizohet. Kontaktet e shqipes me anglishten janë shumë të reja në moshë, edhe pse më intensive se çdo farë tjetër kontaktesh që ka njohur historia e gjuhës. Prandaj fjalët anglishte në shqipen mbeten të papërvetësuara nga sistemi, dhe refuzojnë t’ju nënshtrohen përftesave gramatikore (morfologjike) të shqipes. Për këtë arsye, gjuha reagon, duke aktivizuar një mekanizëm rezervë të tipit analitik, të cilin e ilustron më së miri shembulli i mëposhtëm:
ANGLISHT: save
SHQIP: bëj save
Në këtë rast, folja anglishte hyn në shqipe dhe mbetet e paprekur, ndërsa të gjitha “përgjegjësitë” gramatikore i merr folja bëj, e cila sillet si të ishte njëfarë funksioni algjebrik i foljezimit.
Tabela e mëposhtme tregon se dukuria ka marrë tashmë përmasa shqetësuese:
ANGLISHT |
SHQIP |
save |
bëj save |
download |
bëj download |
reboot |
bëj reboot |
scan |
bëj scan |
delete |
bëj delete |
exit |
bëj exit |
refresh |
bëj refresh |
paste |
bëj paste |
copy |
bëj copy |
scroll |
bëj scroll |
forward |
bëj forward |
upload |
bëj upload |
search |
bëj search |
set up |
bëj setup |
Për t’u kufizuar vetëm me fushën e kompjuterave dhe të përpunimit të të dhënave.
Historikisht, dukuria nuk është e re për shqipen; pse diçka e ngjashme ka ndodhur me mënyrën si i ka trajtuar kjo gjuhë huazimet nga turqishtja, një tjetër gjuhë morfologjikisht e papajtueshme.
Dihet se shqipja ka huazuar një numër të madh fjalësh nga turqishtja osmane (rreth 1000 fjalë rrënjë), nga të cilat pjesa më e madhe, madje shumica dërrmuese, janë emra.
Për sa u përket foljeve, këto janë të pakta dhe analiza e tyre morfologjike tregon se janë huazuar rregullisht nga forma turqishte e së shkuarës: batërdis, kurdis, kërdis, kandis, dalldis, sëkëlldis (khs. foljet turqishte batırmak, kurmak, kırmak, kanmak, dalmak, sıkılmak etj.).
Arsyet pse është parapëlqyer pikërisht forma e së shkuarës për t’u huazuar janë tepër teknike për t’u diskutuar këtu; mjaft të them se folja turqishte ka një sistem zgjedhimi kaq të ndërlikuar, saqë huazimi nga ndonjë formë e së tashmes ose nga pjesorja nuk mund të realizohej dot lehtë. Si në shumë raste të tjera, gjuha zgjedh gjithnjë rrugën më të shkurtër.
Megjithatë, çka tërheq vëmendjen në trajtimin që u ka bërë shqipja turqizmave, është se në një numër shumë të madh rastesh, emrat turqisht kanë shërbyer si bazë për të ndërtuar shprehje frazeologjike foljore të bashkëlidhura me emrin.
Për shembull:
EMËR |
FOLJE |
sevap |
bëj sevap |
avdes |
marr avdes |
shyqyr |
bëj shyqyr |
kabull |
bëj kabull |
pishman |
bëhem pishman |
gajret |
bëj gajret |
telef |
bëhem telef |
adet |
bëj adet |
hyzmet |
bëj hyzmet |
hazër |
bëj hazër |
merak |
bëhem merak |
qejf |
bëj qejf |
yrysh |
marr yrysh |
mukajet |
bëj mukajet |
selamet |
dal në selamet |
inat |
marr inat |
pazar |
bëj pazar |
derman |
bëj derman |
gjurulldi |
bëj gjurulldi |
Edhe pse një ndërtim i tillë nuk është i huaj për shqipen, gramatika e kësaj të fundit parapëlqen ndërtimet sintetike; dhe normalisht motivon sipas kahut të kundërt, duke i ndërtuar emrat abstraktë nga foljet përkatëse, p.sh.:
shqetësohem → shqetësim (khs. bëhem merak → merak)
shërbej → shërbim (khs. hyzmet → bëj hyzmet)
Normalisht, është emri abstrakt (shqetësim) që rrjedh prej foljes (shqetësohem); ndërsa në rastin e turqizmave është emri abstrakt (merak) që prodhon një shprehje me vlerë foljore (bëhem merak). Duhet vërejtur edhe se një shprehje si bëhem merak nuk funksionon në të njëjtën mënyrë si bëhem vonë, ose bëhem derr, ose bëhem burrë; sepse atje gjymtyra e dytë (merak) nuk ka vlerë mbiemërore, as ndajfoljore.
Arsyet që shqipja shpëtoi pa u kreolizuar, gjatë marrëdhënieve me turqishten, ishte se të gjitha këto ndryshime strukturore nuk patën kohë të konsolidohen mirë, u shtjelluan vetëm në disa nivele të ligjërimit dhe prekën një numër relativisht të vogël folësish; dhe sidomos nuk u fiksuan në shkrim, me pak përjashtime të vona (bejtexhinjtë). Megjithatë, ndërtime të tipit bëj hyzmet ndeshen jashtëzakonisht shpesh në krijimet e bejtexhinjve; dhe gjasat janë që sikur të ishte shkruar gjerësisht shqipja gjatë shekujve të sundimit osman e të ishte mësuar në shkolla, strukturat e saj gramatikore do të ishin tronditur shumë më tepër. Natyrisht, strukturat në vetvete janë indiferente, dhe ato analitiket, që i shprehin kuptimet gramatikore nëpërmjet pranëvënies së fjalëve të veçanta, nuk është se janë inferiore ndaj sintetikeve, që përdorin gjerësisht mbaresa dhe ndajshtesa; çështja ka të bëjë me traumën e ndërrimin e strukturave, sepse kjo sjell detyrimisht me vete një thjeshtim të tillë që ia kufizon gjuhës funksionet, fuqinë shprehëse dhe aftësinë për t’u shërbyer nevojave të folësve.
Çka po ndodh sot me foljet e anglishtes në shqipe – ose inkapsulimi i tyre automatik në struktura analitike me folje të tipit bëj (ku folja shqipe shpreh kategoritë gramatikore të kohës, vetës mënyrës, trajtës etj., ndërsa folja anglishte trajtohet si fjalë e pandryshueshme dhe bart kuptimin e mirëfilltë të shprehjes) është simptomë e një gjuhe në vështirësi, ose në pamundësi për të vijuar të funksionojë siç ka funksionuar më parë. Huazimi i një termi është një gjë, por modifikimi i një strukture të thellë kuptimore-gramatikore është një gjë tjetër; dhe gjithsesi duhet konsideruar si arsye e mjaftueshme për t’i vënë në punë specialistët e gjuhës.
Shënim: parashtrimi i mësipërm është qëllimisht skematik, sepse blogu si medium nuk u përshtatet analizave morfologjike të mirëfillta. Dua të shtoj këtu dy gjëra: (1) që struktura me vlerë foljore të tipit bëj + emër abstrakt nuk është se i mungojnë krejt shqipes (p.sh. bëj punë, bëj dëm, bëj dasmë; por semantika e togjeve bëj + huazim nga turqishtja është e dallueshme nga ndërtimet konvencionale); (2) që struktura të barasvlershme me shqipen bëj sevap i ndesh rëndom edhe në turqishte; nuk jam në gjendje të them nëse ka ndonjë lidhje horizontale ose gjenetike midis dy gjuhëve në këtë pikë, edhe pse ka të ngjarë që i njëjti kreolizim të ketë ndodhur disi edhe me turqishten në periudhën osmane, kur gjuha u përmbyt nga një numër shumë i madh huazimesh nga arabishtja klasike dhe në shkallë më të vogël nga persishtja; në fakt, shumë nga ato që ne i quajmë sot ‘turqizma’ të shqipes, janë fjalë që vërtet kanë hyrë në shqipe nëpërmjet osmanishtes, por origjina e tyre e vërtetë është arabishtja. Edhe pse unë nuk kam kurrfarë ekspertize në historinë e osmanishtes, përsëri e kam të qartë që huazimet e turqishtes të asaj kohe nga arabishtja dhe persishtja nuk u përmbaheshin rregullsive fono-gramatikore të turqishtes (harmonisë vokalike etj.), prandaj vetvetiu e sfidonin sistemin e trashëguar. Nuk është rastësi që turqishtja moderne u themelua jo vetëm me adoptimin e një alfabeti latin për gjuhën, në vend të alfabetit arab me të cilin shkruhej osmanishtja; por edhe mbi një fushatë të ‘turqëzimit’ të leksikut, duke larguar që andej arabizmat.
“Drejtshkrimi, tek e fundit, është çështje konvencionale, zgjidhet në tryezë të bisedimeve”…
Nga kush?
Kur?
Ndoshta kur të jetë shumë vonë ose ndoshta për diskutime pa bereqet ndërmjet puritanëve, specialistëve, gegëve dhe të gjithë kategorive të tjera që përmëndnit në pjesën e parë të artikullit.
Nevoja e organizimit të një diskutimi të tillë është pothuajse domosdoshmëri, sepse në praninë e rregullave të mirëpërcaktuara edhe përdorimi i fjalëve të reja/huazuara/huaja (edhe këtu vetëm ato që do të ishin të domosdoshme) do të përfitonte një farë uniformiteti në përdorim dhe i jep edhe mediave, si përçuese më e madhe e të rejave në gjuhën e folur, një mjet ku të kontrollohet dhe të rregullohet më parë se të hapin gojën për të nxjerrë mrekullira (dhe kjo vetëm përsa i përket anës gjuhësore… përmbajtja është tjetër punë.)
Edrus, ke të drejtë! Nuk kanë lënë në këmbë asnjë institucion që do të kishte autoritetin për të vendosur për çështje drejtshkrimore. I kanë shpërndarë dhe gjymtuar të gjitha. Disa nga ata që shqiptohen sot për gjuhën në mediat janë rrugaçë ordinerë, që e mbajnë njërën dorë në kobure.
Megjithatë, problemi i huazimeve nga anglishtja shkon shumë më thellë se drejtshkrimi; sepse prek gjuhën e folur dhe strukturat gramatikore që i nënvendosen. Drejtshkrimin mund ta ndryshosh edhe me dekret; por strukturat nuk i kthen dot më, po të shpërbëhen.
Po riprodhoj këtu poshtë, pa komente, një letër që i shkruante para disa kohësh gazetës “Shekulli” prof. dr. Rami Memushaj:
E gjithë kjo, në një kohë kur shqipja vetë dhe kultura shqiptare që përftohet dhe varet prej saj gjenden përballë një stresi të paparë ndonjë herë!
Shpartallimi i Akademisë së Shkencave nga ana e qeverisë Berisha është një ndër mëkatet më të mëdha ndaj këtij vendi pas periudhës së “revolucionarizimit” të viteve 1967.
Xha xhai me të drejtë ngre problemin e gjuhës, të “kreolizimit” të saj, si dhe të mungesës së institucioneve për ta mbrojtur atë.
Mirëpo ky blog nuk është forumi i përshtatshëm për zgjidhjen e tij.
Ndofta duhet klithur në shtypin e shkruar, në mënyrë që të dëgjojnë politikanët. Ndofta duhet një fushatë publike, çka duket e vështirë të kryhet duke patur parasysh hallet e mëdha të popullit.
Edvini me Saliun nuk kanë shumë nge të lexojnë blogjet shqiptare nëpër internet. As Pollo.
Një pyetje të fundit: kur Xha xhai përmend “puristët, folkloristët, gegofilët, preciozistët”, a mos vallë le pa përmendur edhe kategori të tjera?
Ndofta mund të përfshiheshin këtu “konstatuesit”, “arbitrat”, “shpërdoruesit e qëlliimshëm në media”, etj, etj?
Basri, jam dakord me ty – problemi nuk mund të zgjidhet në blog. Problemi mund të zgjidhet vetëm duke e shtruar – dhe blogu për këtë ndihmon.
Ka njerëz që e lexojnë blogun dhe që mund të ndikojnë për t’iu qasur zgjidhjes me rrugë institucionale.
Këtu s’kam parasysh Edvinin dhe Saliun; por njerëzit që u bëjnë punën; këshilltarët, sekretarët, zëdhënësit, ndihmësit. Edvini dikur i ka pasë vizituar edhe ai këto forume; tani ndoshta nuk ka më kohë – por është ai që ka humbur në këtë mes, jo unë.
Më përmend, Basri, shtypin e shkruar. Për fat të keq, shtypi i shkruar është radikalizuar dhe sa vjen e sundohet nga populizmi – këtë ta thotë dikush që e ka provuar në shpinë. Këtë lloj diskursi që unë e shtjelloj në blog, nuk e shtjelloj dot në shtypin e shkruar, sepse atje i mungon konteksti dhe do të keqinterpretohet kaq trashë, sa unë nuk do të kem më kohë as për t’u mbrojtur, as për t’u shpjeguar.
Meqë ra fjala, unë besoj edhe se diskursi publik, në Shqipëri, është tepër i politizuar; për ç’arsye edhe njerëzve u ka humbur besimi se problemet mund të gjejnë zgjidhje duke u analizuar paraprakisht, me mendje të ftohtë.
Një rrugë për ta shëndetësuar diskursin publik, është që t’i krijojmë hapësirë të papolitizuar; blogu ynë këtu përfaqëson një përpjekje të tillë, relativisht të suksesshme.
Xhaxha, tek e fundit mund të shpresojmë që gazetarët, sic nuk kanë përtuar më parë për të kopjuar materiale nga blogu, ta bëjnë dhe kësaj here detyrën.
Por do duhet ta kenë lëkurën shollë ta bëjnë këtë, se janë në krye të radhës për nga përgjegjësia.
Një tjetër pyetje: cila do të ishte fjala shqipe për “diskurs”?
Po “diskurs publik”?
Pa dashur të shfaqem si “pastërtor gjuhe”, a nuk jemi ne vetë shkaktarë pa dashje të fillimit të “kreolizimit” të shqipes?
Basri, njerëz si ty na duhen!
Pa shaka, diskurs është term teknik, por besoj se edhe ligjërim është OK.
Problemi – gjithnjë teknik – është se ligjërim është përdorur për të shprehur termin saussure-ian parole (langue et parole – gjuha dhe ligjërimi).
Përndryshe, ligjëratë shpreh një diskurs të aktualizuar, jo procesin e të ligjëruarit.
Që këtej, pështjellimi.
Megjithatë, me pak kompromis, mund të thuhet ligjërim në vend të diskurs.
Sa për mbiemrin publik, unë nuk shoh ndonjë arsye për ta zëvendësuar. Dëgjon ndonjëherë të thuhet botor për publik, por kjo mua më tingëllon si arkaike tashmë.
Xhaxha, me duket e perbindshme ajo skema me foljen bej. Kam rezerva madje edhe nga ana konceptuale, pasi te bej dicka do te thote te prodhoj dicka, nderkohe qe ne rastin ne fjale do ishte me e sakte “kryej veprim” se sa “bej dicka”. Pra “kryej” lidhet me procesin nderkohe qe “bej” lidhet me objektin perfundimtar te ketij procesi. Mund t’a kem gabim, por me bind fakti se turqizmat e ndihmuara nga folja “bej” i perkasin kategorise emer-objekt dhe jo kategorise folje-proces.
Eshte e qarte qe shqipja e perballon nga ana gramatike te pandryshueshem fjalorin teknologjik te anglishtes, me ane te foljes “bej”, packa se me nje estetike te cunguar. Nga ana tjeter, ke permendur perkthimet shabllon te frengjishtes, e cila po has te njejtat probleme me teknologjine anglofone te kohes. A nuk te duket se zgjidhja franceze eshte me e pershtatshme, edhe per disa arsye te tjera? E para, sepse perkthimi i termave teknik nga anglishtja ne shqip, save-shpetoj-ruaj, download-shkarkoj, upload-ngarkoj, refresh-rifreskoj, delete-fshij, exit-dal, search-kerkoj, etj, ofron nje koherence me te thjeshte te shqipes, rrjedhimisht nje perdorshmeri me te lehte te saj. Aq me teper, e dyta, qe shume prej termave anglisht ne fushen e informatikes, jane te huazuara edhe ne kete gjuhe nga fusha te tjera si procese analoge, apo si metafora te mbartura prej tjeterkund (mouse-miush?) dhe rrjedhimisht jane te perkthyera ne shqip ne lidhje me keto fusha, ne mos shume lehte te perkthyeshme. E treta, sepse kjo koherence termash teknologjik, analoge me fusha te tjera, ofron nje perdorshmeri me te lehte te vete teknologjise.
Lulian, togje të tipit: bëj derman, bëhem pishman unë i gjej me vlerë foljore në kuptimin që krejt togu mund të zëvendësohet me një folje.
Nga pikëpamja morfologjike, në togun bëj derman pjesa e parë, ose folja bëj, shpreh të gjitha kategoritë gramatikore të foljes (vetën, kohën, mënyrën, diatezën), ndërsa pjesa e dytë, ose emri derman, shpreh kuptimin leksikor të togut.
Gjithashtu, në togje të tilla emri është gjithnjë i gjymtë nga ana gramatikore, sepse mund të thuash bëj derman, por nuk thua dot bëj dermanin, ose bëj një derman, ose bëj dermane. Në këtë kuptim, emri derman brenda togut është morfologjikisht inert, nuk reagon ndaj fjalëve të tjera, nuk lakohet, nuk pranon ndajshtesa të shumësit, nuk pranon mbiemra dhe përcaktorë të tjerë etj.
Ndërtime të tilla nuk është se nuk ndeshen edhe me emra të tjerë veprimi, që nuk janë turqizma, p.sh. në togje si bëj zhurmë, bëj dëm, bëj punë, bëj vrap, bëj kujdes, etj. Togje të tilla ndeshen rëndom edhe në gjuhët romane (far rumore). Se sa kanë ndikuar ndërtimet me turqizma në kristalizimin e këtij modeli, unë nuk di ta them. Megjithatë, togje si këto të fundit janë treguar prodhimtare dhe kanë çuar në folje të tipit zhurmoj, dëmtoj, punoj, vrapoj, kujdesem etj., ndërsa turqizmat jo. Kjo është një arsye më tepër që më shtyn të them se turqizmat nuk janë integruar dot mirë në sistemin e shqipes.
Më në fund, bëj është folje me shumë kuptime – që nga ai abstrakt i veprimit (anglisht do), tek ai i krijimit si proces (anglisht make). Këto ndryshime duken qartë në kuptimin e kundrinave që merr folja: krahaso bëj vrap me bëj kek.
Xhaxha, isha me shume i interesuar te dija se c’mendon per nje perkthim anglisht-shqip te fjaleve te lidhura me fushen e kompiuterit dhe teknologjise ne pergjithesi. Kam vene re here pas here edhe nje perdorim te tyre, dhe me eshte dukur nje perdorim shume me i lehte, si gjuhesor edhe teknik. Ndoshta duhet te kthehem ne piken e shtruar prej Edrus dhe Basri Ramadanit me lart, se ceshtje te tilla do te ishte me mire te ishin te institucionalizuara, madje edhe kjo nuk do te mjaftonte, pasi serish do te ishte me “cool” t’a mbaje menune e telefonit ne anglisht apo italisht, bie llafi, se sa ne shqip.
Lulian, Microsoft Windows tashmë është përkthyer në shqip; sikurse është përkthyer edhe terminologjia e telekomit dhe të fushave të ngjashme.
Çështja është se si t’i përcillet kjo terminologji publikut.
Me sa kam pyetur, shumica e PC-ve që shiten në Shqipëri, shiten me Windows në anglishte ose në italishte. Nuk kam dëgjuar as që të ketë ndonjë vendim të autoriteteve shtetërore, për t’i detyruar tregtoret që të shesin PC me Windows të instaluar në gjuhën shqipe.
Në këto rrethana, publiku nuk i përdor termat shqip, sepse nuk i ofrohen. Që t’i përdorësh këto terma, kompjuteri duhet të të flasë shqip. Prandaj problemi i përket më tepër fushës së komunikimit, sesa fushës së përkthimit të mirëfilltë.
Terminologjia shqipe e miratuar për Windows gjendet në këtë faqe.
Xhaxha vajta për kuriozitet të shikoja linkun e Windows-it që ju jepnit në komentin e mëparshëm 🙁 .
Është provë e asaj që ju thoja dhe tek komenti tjetër: Duhen njerëz që dinë të përdorin fjalën e duhur në vëndin e duhur (ose kompetentë që të përshtasin një të re) për të bërë diçka ashtu siç duhet të jetë.
Më ka qëlluar shpeshherë që një faqe me udhëzime në shqip për ndonjë program ta kërkoja në italisht ose, edhe pse s’di anglisht, në anglisht (ku terminologjia dhe proçedurat tashmë janë familjare në atë gjuhë).
Besoj se tabelat në lulishte ku na kujtojnë se “Është më lehtë të mbash pastër se sa të pastrosh” besoj se vlen dhe në rastin e gjuhës sepse nuk e di se sa e lehtë do të jetë më vonë që të bëhen pastrime nga “shqipërimet diletanteske”, se dhe tek faqja e Windows-it marr vetëm një shëmbull: “Print Setup” është shqipëruar si: “Parametrizimi i printimit” (quajeni shqip po deshët) kur fare mirë mund të përdorej: rregullime për shtyp/stampim.
E di Edrus, dhe të siguroj se edhe mua më prishet gjaku, sa herë shkoj atje (shpesh).
Për fat të keq, shumë kompani u kërkojnë përkthyesve të përdorin detyrimisht terminologji të miratuar nga Microsoft… madje edhe në fushën e telefonisë ose të të gjitha produkteve të tjera elektronike (kamera, riprodhues MP3, etj.).
Unë nuk e di se kush e ka hartuar atë terminologji dhe si është miratuar. Nga sa kam parë, më duket se hartuesit e njohin mirë informatikën, por kanë mungesa në atë që do ta quaja “shije gjuhësore”.
artikull shumë interesant. Mendoj se huazimet aktuale nga anglishtja kufizohen vetëm tek fjalët teknologjike. Anglishtja nuk është gjuhë me të cilën një pjesë e madhe e popullsisë në Shqipëri/Kosove ka kontakt të përditshëm. Huazimet nga anglishtja kanë mbetur të kufizuara në sektorin teknologjik ku anglishtja në sajë të programeve kompjuterike anglisht është bërë pjesë e disa aktiviteteve dixhitale të të përditshmes së atyre PAK fatlumeve që kanë një PC apo internet në shtëpi apo punë.
Pra njerezit që i përdorin këto huazime janë fatkeq/mirë-sisht një pjesë akoma e vogël e shqipfolësve si rrjedhojë e depërtimit të mangët të teknologjisë dixhitale në qytetet e fshatrat shqiptare. Huazimet nga anglishtja janë pra huazime që mund të ç’bëhen shpejt.
Ajo që duhet patur kujdes është që tekstet shkollore të jenë të pastra nga të tilla huazime. Gjithashtu duhet të fillojë një proçes kontrolli në mënyrë që kompjuterat që shiten në Shqipëri/Kosovë të kenë të paktën sisteme bazë në shqip. Ky sistem kontrolli duhet ngritur gjatë 5-10 viteve të ardhshme nëse hamendësojmë se ritmi i rënies së çmimeve të aparateve dixhitale do te lejojë hyrjen e tyre masive në tregun shqiptar vetem mbas kësaj periudhe. Sistemet që vijnë në anglisht mund të taksohen më lart apo mund të bëhen më jo-tërheqëse me anë mekanizmash të tjera. Masat parandaluese janë pra të thjeshta. Ato mund të vendosen nga komisione dhe janë lehtësisht të kontrollueshme. Mjafton që tek personat përgjegjës të ekzistojë dëshira për ti ndërmarrë këto masa. Prandaj shkrime si ky i mësipërmi janë shumë të vlefshme.
Ah, edhe dicka tjeter. Huazimet teknologjike nuk jane veçori shqiptare. Nga ky problem vuajnë dhe gjuhë të medha si gjermanishtja psh. Depërtimin e teknologjisë dixhitale në masë Gjermania e ka patur më të shpejtë sesa përkthimin e programeve apo ngritjen e ndonjë sistemi kontrolli. Distanca dixhitale i lejon shqiptarëve të mësojnë nga përvoja e të tjerëve e në mos për gjë tjetër ta shfrytëzojnë kohën që u lejon kjo distancë për ruajtjen e gjuhës, asaj që i bën ata shqiptarë.
Xhaxha dy pika:
1. E ke menduar të formosh ndonjë organizatë të pavarur të gjuhëtarëve shqiptarë që të merret me këtë punë (si frymëzim shiko http://dilbert.com/blog/entry/fixing_the_world/)?
2. A e ke lexuar librin The Language Instinct nga Steven Pinker? Nëse jo, duhet ta lexosh. Nëse po, ndoshta ndonjë artikull që përshtat idetë e tija në gjuhën shqipe do të ishte interesante.
AC, po të përgjigjem:
1. Jo, nuk kam menduar të formoj asnjë organizatë për t’u marrë me këtë punë, as kam kohë dhe mundësi për kësi farë bëmash.
2. Steven Pinker nuk më ngroh shumë.
3. Miqësisht, tjetër herë m’i kurse rekomandimet.
TE MENDUARIT LLOGJIK
ORAKULLI
Me anë të Shkrimeve tuaja ju mund të fitoni lexues dhe ti bëni ata të ndjejnë besueshmëri tek ju me anë të tre menyrave;
1.Ti zbuloni dhe provoni të tjerëve që ajo që thoni ju është e vertetë në mënyrë të tillë që të tjerët të besojne at’çfarë ju shkruani.
2.Ti jepni kënvështrime të reja zgjidhëse interesave dhe shqetësimeve të tyre.
3.Të përdorni arsyetime dhe argumente të mirëmbështetura.
Bazoheni shkrimin tuaj në të menduarit llogjik.Ndaloni,pengoni dhe sulmoni idete ose bindjet e gabuara për të cilat shumë njerëz mendojnë që janë të vërteta.
Te menduarit llogjik është një process natyror i të arsyetuarit induktiv dhe deduktiv që nxjer shkakun e vërtetë dhe kryesor të ideve,bindjeve dhe shpjegimeve të gabuara që kanë ndodhur dhe ndodhin gjatë argumentimit.Të menduarit llogjik dhe njohja e plotë e idese ose bindjes së gabuar por që shumë njerëz mendojnë që është e vërtetë ndihmon këdo jo vetëm në proçesin e shkrimit por gjithashtu edhe në analizën e argumenteve të të tjerëve gjatë leximit,të folurit politik dhe diskutimeve me miqtë tuaj.Ju duhet të mësoni të bëheni kritikues çfarë ju lexoni,studjoni,shikoni ose dëgjoni dhë të njihni problemet sipas mënyrës suaj personale.
Sa herë që ju ndani e përvetësoni tërësinë kuptimore të fakteve,argumenteve,objekteve ju arsyetoni në mënyrë induktive.për shëmbull,nëse përcaktimet emërore “afrodite” dhe “venere” shpjegohen vetëm prej gjuhës Shqipe ju krijoni bindjen fillistare që duhet të ketë edhe njësi të tjera të gjuhëve “greke” e “latine”,të cilave u nxirret kuptimi vetëm prej gjuhës Shqipe.Ky përdorim i probabilitetit për të mbrritur në përgjithsime quhet kapërcim induktiv. Nuk ju mbetët tjetër vetëm të zgjeroni studimin mbi një numër më të madh njësish gjuhësore,deri në atë masë që të bëjë më të besueshëm konkluzionin tuaj në këtë drejtim.Një argument induktiv ndërtohet në bazë të fakteve,gjëndjeve ose objekteve,të cilat janë lënda e parë e domosdoshme.Pasi tërësia e fakteve,gjëndjeve ose objekteve të analizuara rritet,lexuesit tuaj vendosin çfarë të besojnë në atë që keni qëllimuar ju.Ju duhet të siguroheni që rritja e sasisë së fakteve të marra në analizë është e nevojshme dhe aspak e bazuar në fakte,shembuj,gjëndje ose argumente që nuk kanë dënduri të lartë ndodhjeje ose përfaqësimi.Gjithashtu duhet të siguroheni që keni marrë parasysh,analizuar dhe peshuar informacionin që kundërshton dhe i quan te gabuara metodën,konkluzionet dhe argumentet e përdorura nga ju ose të paraqisni vetëm fakte që mbështesin nji konkluzion të paracaktuar.Në këtë drejtim ja vlen të përmëndim që konkluzioni i sotëm i vendosur vetëm nga njëra palë,që çdo zhvillim i lartë gjuhësor në drejtim te shkrimit dhe civilizimit në Ballkan e në Europë është “greko-latin”,bazohet vetëm në fakte qe mbështesin një konkluzion të paracaktuar dhe të politizuar pa u marrë në evidence gjuha Shqipe.Përjashtimi i gjuhës Shqipe është thjesht një “neglected aspect” që ka penguar rritjen e njohjes në këtë drejtim si dhe mosarritjen e një konkluzioni të besueshëm nga i gjithë komuniteti shkencor.Gjithasht përkrahësit e tezës “greko-latine” paraqisin vetëm fakte dhe drejtojne argumentin ne menyre sofiste ne menyrete tille që te mbeshtesin konkluzionin e paracaktuar te tyre i cili njihet si term shkencor me emrin “slanting’,qe do te thote tie japesh informacion ose Ide ne nje menyre te tille duke dhen me shume vemendje dhe mbeshtetje ne drejtim te nje grupi te caktuar ose opinion te caktuar.Prandaj libra,revista,artikuj gazetash,libra mesimor historie,biologjie,gjuhesie jane te mbushura me kete opinon ne drejtim te grupit “greko-latin”.Ndersa persa i perket Komuniteti shkencor gjuhesor Europian,ai eshte i ndare ne dy grupe kundershtare qe dallon trajtimin,pozicionimin,percaktimin origjinor si dhe vjetersine e gjuhes Shqipe.
Argumentet induktive,aq sa prodhojne siguri shkencore,po aq tentojne te prodhojne konkluzione te besueshme. Arsyetimit induktiv eshte i njohur si metode shkencore.
Per shembull,disa studime te hershme reth gjuhes Shqipe nxjerrin gjuhen Shqipe si lidhesen e vetme midis gjuhes latine dhe gjuhes greke te vjeter.Megjithate komuniteti Shkencor kishte rezerva per arsye se studimet e hershme bazoheshin ne nji grup fjalesh me numer te kufizuar si dhe te bera nga gjuhetare qe e njihnin shume pak gjuhen Shqipe.Ne ditet e sotme eshte rritur shume numri i gjuhetareve te huaj dhe shqiptare te cilet duke u bazuar ne nje shqyrtim mbi nje numer shume here me te madh njesish gjuhesore dhe ne zbatimin e metodave te reja shkencore gjuhesore po e çojne konkluzionin drejt berjes se besueshem shkencerisht nga shumica shkencore.
Arsyetimi induktiv eshte i dobishem jo vetem per te mbritur ne perfundime por edhe per te bindur te tjeret qe te pranojne keto perfundime.
Me ka bere pershtypje nje fraze, e lidhur shume me titullin e temes, tek Lingua albanese-wikipedia:
L’albanese appartiene alla famiglia linguistica indoeuropea, come provato nel 1854 dal filologo tedesco Franz Bopp. Il linguista italiano Matteo Bartoli in forza della grande presenza di elementi e parole comuni al latino riteneva che la lingua albanese fosse una lingua in parte originariamente neolatina, per cui la classificò tra le “parzialmente” lingue romanze balcaniche[7][8] Altri ipotizzano che il motivo di condivisione dell’elemento latino sia ben antecedente e risalente al terzo e secondo millennio a.C. allorché i popoli protolatini, prima di migrare verso il Lazio, abitavano presumibilmente la pianura danubiana ed i balcani in contatto coi popoli illirici.