Sot dëgjon nga të gjitha anët që shqipja publike po mbytet nga fjalët e huaja të panevojshme, por prapa këtij refreni fshihen në të vërtetë melodi të ndryshme.
Nga njëra anë janë puristët, për të cilët edhe huazimet e protoshqipes nga protokeltishtja janë fjalë të huaja dhe duan zëvendësuar.
Nga ana tjetër janë folkloristët, që e kanë inatin me ndërkombëtarizmat.
Nga njëra anë janë gegofilët, që duan të vënë në vend të padrejtën që u është bërë të folmeve të tyre.
Nga ana tjetër janë preciozistët, të cilët shqetësohen me përçudnimin e gjuhës në mediat.
Gjithsesi, pështjellimi është total. Edhe ata që përnjimend i kanë shprehitë gjuhësore të nevojshme për të dalluar një fjalë “të huaj” nga një fjalë “vendëse”, nuk bëjnë dot gjithnjë dallim midis përdorimit dhe normës – sepse ka përdorime që burojnë nga norma, por ka edhe përdorime që i paraprijnë normës.
Në shumë rrethana, fjala e huaj përdoret jo sepse është e nevojshme për gjuhën, por ngaqë vlen për të shenjuar diçka – shijen e folësit, përkatësinë kulturore, prejardhjen, ambicjet.
Disa folës nuk e njohin mirë shqipen; të tjerë nuk njohin mirë gjuhët e huaja nga të cilat huazojnë.
Shto këtu edhe të gjithë amatorët e pedantët, të cilët kujtojnë se po i bëjnë shërbim kombit dhe kulturës kombëtare, kur këputin të trasha në publik – si një patriark, që u habit dikur me mua, pse e kisha përdorur mbiemrin “i ricikluar” në titull të një artikullit tim; meqë, sipas tij, këtë mbiemër nuk e paskësh fjalori i gjuhës shqipe.
A ekziston problemi i fjalëve të huaja? Natyrisht që ekziston. Vetëm dje, duke shfletuar “Shekullin” në Internet, më del përpara ky paragraf i dalë nga pena e sociologut Gëzim Tushi:
Jam i bindur nga që e njoh mirë shoqërinë tonë, se në përgjithësi një pjesë e grave të involvuara me sforco në proceset e politikës apo të administratës së lartë, nuk janë ato që duhet, madje në shumë kuptime, nuk janë as përfaqësueset më të mira të komunitetit.
Të involvuara? Ç’punë ka në shqipe ky zog shtegtar nga anglishtja e largët?
Hipoteza e parë: Autori mund ta njohë mirë shoqërinë shqiptare, siç thotë, por për fat të keq e ka lënë pas dore gjuhën shqipe, e cila e bën atë shoqëri të mundur; sepse anglishten involved shqipja e përkthen zakonisht si të përfshira.
Hipoteza e dytë: Autori njeh mirë jo vetëm shoqërinë shqiptare, por edhe gjuhët shqipe dhe anglishte, dhe ka arritur në përfundimin se të përfshira mund të përdoret për të përkthyer fjalë të tilla si enclosed, dhe included; ndërsa për involved ende nuk ekziston një fjalë e përshtatshme, meqë sinonime si të përziera, të ngatërruara, etj. kanë ngjyrime stilistike negative.
Hipoteza e tretë: Autori kërkon t’i kumtojë lexuesit bashkëfajtor, duke ia shkelur syrin, se i përket intelektualisht kulturës anglo-saksone.
Në paragraf ka edhe fjalë të tjera që të cingërisin nervat; me sforco mund të shmangej, duke u zëvendësuar, pa sforco, me shprehje të tilla të rëndomta si me zor, me pahir, me vështirësi. Nga ana tjetër, lexuesi i kujdesshëm do të priste forma të tilla si me sforcim, sepse sforco është një nga ato fjalë që i përdor, bie fjala, mekaniku kur futet poshtë makinës, ose trajneri i një ekipi futbolli të kategorisë së tretë; por jo një sociolog editorialist i “Shekullit”.
Megjithatë, nuk po dua të shpërndahem shumë.
Hipoteza e katërt: quandoque bonus dormitat Homerus; edhe Homerin e mirë e zë ndonjëherë gjumi. Këtë ma përgënjeshtron sakaq paragrafi vijues, prej të njëjtit artikull:
Në njëfarë mënyre sipas mendimit tim, në politikën për gratë, ka një paradoks pengues që vjen nga vetë gratë. Ato kanë shumë xhelozi gjinore. Një pjesë prej tyre janë të lumtura, kur në politikë apo në administratën e lartë ka më pak gra, pasi i tremben konkurrencës së natyrshme brenda gjinisë, duke u nisur nga parimi makiavelist që sa më shumë gra të involvuara, aq më e ashpër konkurrenca e tyre. Ky është një qëndrim gjinor konservativ që vepron në komunitetin e tyre.
Nuk po komentoj më tutje.
Shembulli i mësipërm ka të bëjë me një fjalë që nuk ka arsye pse të futet në përdorim; sepse shqipja i ka mjetet për t’ia shprehur kuptimin përkatës.
Çështja vjen e ngatërrohet me fjalë kryesisht teknologjike, të cilat vijnë në ligjërim së bashku me objektet përkatëse.
Si të veprosh, bie fjala, me një objekt të tillë, tashmë të kudogjendur, si mouse-i i kompjuterit? Të rrekesh ta zëvendësosh me shqipen mi, siç ka bërë frëngjishtja, që e quan souris? Ta pranosh nga anglishtja, por ta tejshkruash maus, ashtu siç shqiptohet? Ta shkruash mouse, siç e shkruan anglishtja? Nëse e shkruan mouse, atëherë si do t’ia shtosh mbaresat rasore? Mouse-i, apo mousei, apo mousi? Unë do të isha për versionin e parë, por të tjerë mund të mendojnë ndryshe – e keqja nuk është te ndryshimi në opinionet, por në mungesën e frikshme të diskutimeve publike për këto gjëra. Mjafton këtu të them se futja në gjuhë e një klase fjalësh të cilat nuk eptohen dot ia përgatit terrenin një dukurie që gjuhëtarët e quajnë kreolizim, e cila është një lloj thjeshtimi i gjuhës si pasojë e trysnisë së një gjuhe tjetër eprore, por tipologjikisht të papajtueshme.
Natyrisht, puristët do të votonin të gjithë njëzëri për mi. Në leksikologji, zëvendësimi i tipit mouse → mi quhet kalk, sepse shqipja adopton nga anglishtja jo vetëm fjalën, por edhe metaforën përkatëse. Rreziku i këtyre kalkeve është se zgjidhjet e sugjeruara mund të tingëllojnë qesharake.
Vite më parë, kur Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë botoi Fjalorin e Anatomisë, kureshtarët gjetën në faqet e kësaj vepre fjalë të tilla të frikshme si dymbëdhjetëgishtori (duodeni), gjithmishi (pankreasi) dhe kundërcjapi (antitragus, një pjesë e kërces së veshit). Ndonjë nga këto fjalë i ka mbijetuar hilaritetit; të tjera jo.
Pavarësisht nga fiaskot anatomike, çështja se cila është rruga më e mirë për të përballuar rrjedhën e huazimeve teknologjike nga anglishtja, sidomos në lëmin e elektronikës së konsumit, është një nga çështjet më të mprehta për normën e sotme të shqipes; kryesisht ngaqë shqipja është gjuhë eptuese (i lakon emrat dhe i zgjedhon foljet), dhe fjalët e anglishtes kanë trajta fonetike të tilla që nuk u përshtaten dot lehtë mbaresave eptuese të shqipes. Një tjetër çështje e lidhur me këtë, është se si duhen drejtshkruar huazimet nga anglishtja – në bazë të shqiptimit, apo duke e ruajtur grafinë origjinale? Software, apo softuer? Disa ndjekin rrugën e parë, të tjerë të dytën; disa të thonë se kështu ndodh kur lë jashtë gegërishten; ndërsa një kategori e katërt rri e vret mendjen si të zëvendësojë fjalë të tilla si paralel ose bebe. Këtu ka diçka që nuk shkon, diçka shumë serioze; që nuk ka të bëjë me politikën, por me prapambetjen kulturore të institucioneve që duhej të kujdeseshin për gjuhën.
Përndryshe do të vijë dita kur shprehje të tilla si “bëje sejv” t’i hasim në udhëzuesit e përdorimit të kompjuterëve dhe të riprodhuesve audiovizualë; çka do të ishte edhe një hap tjetër përpara drejt humnerës së asaj shqipeje creole, së cilës sot të gjithë duhet t’i druhemi.
eshte me gjith’mend per tu shqetesuar per kete bastardim qe po i behet gjuhes shqipe;atje ku s’duhet gabuar,pra,ne emisionin e lajmeve ,shqipja eshte gati e pa kuptueshme;kjo eshte e ndjeshme deri diku edhe ne Itali,nuk e kuptoj kete amerikanomani kudo dhe ne ç’do gje.
Xha Xha. Ashtu si e shpreh edhe shqetesimi yt, persa i takon gjuhes ne pergjithesi, ne Shqiperi sot mbi te gjitha i mungon diskutimi dhe forumi i mendimit per te ndryshuar gjendjen. Ketu ceshtja nuk shtohet se sa e di gjuhen shqipe dhe ato te huajat X ose Y editorialist ose opinionist. Une ata i nuk i konsideroj fare dhe i kam zili deri diku per turpin e kufizuar ose shpesh per paturpesine totale per te shkruar ne ate menyre. Ketu problemi shtrohet se ku jane ata qe duhet ti hedhin nje sy te dyte ose edhe te trete shkrimeve te atyre qe punen si opinionist (edhe ate nuk e bejne si duhet) e erresojne me nje mori gabimesh dhe gafash ne ato qe shkruajne. Ku eshte redaktori i gazetes. Them me mire qe nuk eshte se kam frike do te bente me shume gabime po ta ndryshonte tekstin. Ketu probemi shtrohet se sa perpjekje po behet sot atje per te pershtatur terminologjine e re; kryesisht ate te mjeteve elektronike ( kopjuterave, telefonave, dhe te tjera “gadgets”) qe po na rrethojne cdo dite e me teper. Nese nje diskurs i tille do te ekzistonte atehere edhe shtypi mund te lexohej me shume se sa i shihen vetem titujt realisht. Them se tanet atje thjesht nuk marin mundimin sepse sot ata i kane te gjitha mjetet. Librat, fjaloret, internetin dhe komunikimin e shpejte.
Mendoj se huazimet e gjuhes jane pjese normale te evoluimit te saj nder periudha te ndryshme kohore. Per nje kategori njerezish, ku perfshihen dhe konservatoret e gjuhes, kjo eshte dicka e gabuar ndersa per mua nuk me duket dhe kaq tragjike. Sot kontaktet njerezore kudo ne bote jane rritur ndjeshem ne te tera drejtimet. Fale kjo dhe internetit, medias dhe tere mjeteve te avancuara te informimit. Si rrjedhoje eshte e pamundur qe te evitohet dhe fenomeni i huazimit te fjaleve te huaja. Kjo eshte dicka qe po ndodh me te gjitha gjuhet ne bote. Une e shoh si dicka pozitive pasi pak nga pak po thyet nje barriere e madhe midis njerezve qe eshte pengesa ne te komunikuarin ne nje gjuhe te vetme. Mbase ky eshte nje mendim ideal, por tendenca duket e atille qe gjuhet dhe shoqerite kudo ne bote po shkojne drejt nje lloj unifikimi gjuhesor dhe kulturor. I ndikuar forte ky fenomen nga realitetet ekonomike dhe politike ne tere globin.
Albi, problemi nuk është aq me huazimin, i cili gjithnjë ka ndodhur dhe do të ndodhë, por me sa jemi në kontroll të këtij procesi. Gjuha, si çdo vegël tjetër, ka nevojë të mirëmbahet. Për gjuhën e shkruar kjo nevojë është edhe më e shprehur sesa për gjuhën e folur. Një e folme e një katundi 200-banorësh vetërregullohet; një gjuhë e përbashkët e një shoqërie shumëmilionëshe ka nevojë për mirëmbajtje të administruar me kujdes. Po ta shohim se sa e përpunuar dhe e njësuar është terminologjia e informatikës në anglishte, e kuptojmë se prapa vetvetishmërisë së tregut dhe shtysave të zhvillimit frenetik, fshihen institucione të tëra që e mirëmbajnë sistemin.
A nuk mendon se eshte mire qe proceset ndryshuese te nje shoqerie te lihen ne dore e saj?! Adoptimi natyral i menyrave te reja te komunikimit mendoj se eshte me frytdhenes ose me praktik sesa mbikqyrja dhe presioni i institucioneve mbi sistemin gjuhesor te shoqerise. Ne fund te fundin a eshte gjuha mjeti apo qellimi?!
Albi, unë mendoj se edhe institucionet mbikëqyrëse janë pjesë e shoqërisë që e flet gjuhën. Tek e fundit, nuk është se po dua që t’ia besoj mbikëqyrjen Bashkimit Europian ose Bankës Botërore (të cilat na komandojnë, për fat të keq, ekonominë dhe politikën).
Xhaxha, ju ne lemin e gjuhesise jeni ekspert dhe shume i mire madje. Kam nje kuriozitet dhe nje pikepyetje, njekohesisht : perse ndodh nje fenomen i tille ne gjuhen shqipe? A themi se gjuha jone eshte nga me te vjetrat? Mendoj, se duke qene e tille, duhet te ishte edhe shume e pasur (apo te pakten, te pasurohej normalisht gjate ekzistences se saj), nderkohe, qe flasim shpeshhere per probleme te ketij soji, gje qe tregon se ka nje “varferi” ne fjale e shprehje dhe natyrshem e kerkon kompensimin, duke huazuar tek gjuhet e tjera. Sigurisht, besoj se nuk eshte sakrilegj nje gje e tille, pasi ajo ekziston paralel me te gjitha gjuhet e tjera, e sidomos me ato fqinje dhe marredheniet midis fqinjeve jane sa normale aq edhe te nevojshme. Po, a ka sherbyer, anasjelltas, gjuha jone si “furnizuese” per keto gjuhe fqinje!!???
Lidhur me presionin e anglishtes (dhe te tjerave gjuhe) ne gjuhen shqipe, mendoj se perdorimi i fjaleve te caktuara nga individe te caktuar, te cilet per fat te keq, shpesh here jane edhe persona shume te njohur publike, qofshin politikane, shtetare, njerez te shtypit te shkruar apo atij elektronik, rralle (besoj) nga shkrimtaret, behet me shume ne funksion te nje momenti te ndermjetem midis Hipotezes se pare e te trete (jo te dyte-) parashtruar prej jush, pra ne funksion te nje mendjelehtesie te “castit”, (me lejo ta quaj mendjemadhesi), duke harruar impaktin negativ qe ata krijojne me masen e lexuesve, te shtrire ne kohe. Dua te them, se fjalet e huaja, futur dhe perdorur rendom ne gjuhen tone, do te “ngulen” tek lexuesit pa qene aspak e nevojshme (behet fjale ne rastet kur fjala e huazuar e ka te ngjashmen e vete ne gjuhen shqipe).
Psh. a eshte e nevojshme te perdoret sot ne Shqiperi fjala pershendetese CIAO (ne permasa te frikshme , deri edhe nga ata qe nuk e kane idene se cfare po thone..)nderkohe qe shume bukur mund te perdoren fjalet tona…? Eshte nje problem tjeter kur diskutohet p.sh.per perdorimin e fjaleve,terminologjive apo shprehjeve te teknikes e shkences, te cilat me te drejte nuk mund ta kene gati “shtratin”e tyre ne gjuhen tone, pasi per fat te keq, kurre nuk kemi pasur te tilla gjera. Ketu, mendoj se eshte e domosdoshme nderhyrja e specialisteve te gjuhes, pasi jane (ose te pakten, duhet te jene) pikerisht ata “rregullatoret” e pershtatjes se ketyre termave ne gjuhen shqipe.
Dhe se fundi,pa tendencen e kundershtise, apo replikes me albin (secili ka mendimin e vet), nuk besoj se eshte shume normale unifikimi gjuhesor dhe kulturor ne nje te ardhme, pavaresisht realiteteve ekonomike dhe politike ne mbare globin.Cili do te jete elementi dallues midis kombeve, ne se jo gjuha dhe kultura e atij kombi, me pas?
“””Dhe se fundi,pa tendencen e kundershtise, apo replikes me albin (secili ka mendimin e vet), nuk besoj se eshte shume normale unifikimi gjuhesor dhe kulturor ne nje te ardhme, pavaresisht realiteteve ekonomike dhe politike ne mbare globin.Cili do te jete elementi dallues midis kombeve, ne se jo gjuha dhe kultura e atij kombi, me pas?”””
Njerezimi perhere ka synuar te arrije stadet e tij me te larta te zhvillimit. Kombi, gjuha kombetare, kultura zakonet kombetare jane bere perhere barriere midis njerezve. Te tera keto jane elemente qe nuk linden ne ndonje forme te vecante apo te konsoliduar ne te njejten kohe me lindjen e njeriut ne kete bote. Jane elemente qe u zhvilluan me vone dhe si te tille nuk jane parakusht qe te egzistojne domosdoshmerisht ne te ardhmen per te siguruar egzistencen e njerezimit. E di qe ky koncept duket ne ditet tona disi fantastiko-shkencore, por nese marrim parasysh ndryshimet e shpejta gjuhesore sot do te ishte racionale te mendoje per unifikimin e gjuheve nje dite te larget. Nese sot shume gjuhe ndajne fjale te perbashketa, neser do te ndajne togfjale te perbashketa e deri kur togfjaleshi do te arrije ne fjali te perbashketa e keshtu me rradhe deri ne formimin e komunikimit te lirshem te pare universal. E them serisht qe e di qe duket dicka e veshtire per tu pranuar por procesi i huazimit natyral eshte menyra me e mire per ti bashkuar njerezit kudo ne bote, pavaresisht nga rraca, kombesia, historia, kultura, feja apo cdo karaktersitike tjeter.
Albi
..ende nuk e kam lexuar artikullin pasi u vara tek termat e përkthyera të anatomisë, ku ju si duket iu paska shpëtuar më dramatiku: përkthimi i muskulit sternokleidomasteoideus.
Përgatituni.
Muskuli parzmokularthothimthak. pra, parzmo-kulartho-thimthak.
përshëndetje.
Fenomeni i huazimit te paintegruar eshte me afer me Pidgin sesa Creole. Zakonisht, femijet e atyre qe flasin Pidgin gjenerojne Creole (pra ku huazimet i nenshtrohen rregullave te gjuhes amtare.)
Ciao! perdoret gjithandej neper Europe tashme, perfshire edhe vendin me purist, Francen.
Censura shkruan:
Po a nuk presupozon gjuha pidgin komunikimin midis dy popujve që s’kanë gjuhë të përbashkët mes tyre?
Në fakt, shqipja po i huazon termat e informatikës nga anglishtja jo sepse shqiptarët kërkojnë të komunikojnë me anglezët ose amerikanët.
Megjithatë ky diskutim shkollaresk është krejt pa rëndësi për temën dhe nuk e ka vendin këtu.
Noname shkruan:
Noname, nuk është shumë e saktë të thuash që “gjuha jonë është nga më të vjetrat”. Gjuha nuk është as e re, as e vjetër; gjuhës si gjuhë nuk mund t’ia masësh moshën, meqë gjuha nuk është ngjarje (event). Përkundrazi, mund të datohet koha se kur dokumentohet një gjuhë me shkrim për herë të parë, ose koha kur përmendet një gjuhë në analet historike. Por për gjuhën vetë – dhe këtu s’e kam fjalën për shqipen vetëm – nuk thua dot që është “e vjetër”; meqë gjuha përcillet brez pas brezi, dhe po të ngjitemi në kohë, gjithnjë do të gjejmë nëna që ua kanë mësuar të njëjtën gjuhë fëmijëve, deri tek Eva.
Ata që e quajnë shqipen gjuhë “të vjetër”, i ngatërron fakti që shqipja përfaqëson një degë më vete të gjuhëve indo-europiane; edhe pse janë po ata që të thonë se shqipja vjen nga ilirishtja. Edhe pse ilirishtja nuk njihet si gjuhë, por vetëm tërthorazi, në qoftë se pranojmë se shqipja rrjedh nga ilirishtja atëherë kemi pranuar se ilirishtja është më e vjetër se shqipja. Po ilirishtja vetë nga rrjedh? Këtu punët vijnë e bëhen lëmsh. Në të vërtetë, ka gjuhëtarë që mendojnë se shqipja është formuar si gjuhë e mëvetësishme nga “nëna” e saj (e mëvetësishme njëlloj siç është formuar italishtja si e mëvetësishme nga latinishtja, ose rumanishtja nga latinishtja ballkanike) diku midis shekujve IV-VII të erës sonë.
Edhe nga pikëpamja tipologjike, shqipja nuk është se është treguar shumë konservative, në raport me modelin indo-europian; përkundrazi, shumë gjuhëtarë mendojnë se i është larguar aq shumë modelit fillestar, sa gjuhësisë krahasimtare më shumë i krijon probleme e kokëçarje, sesa i ndihmon për t’iu afruar indo-europianishtes.
Megjithatë, shqipja është dokumentuar me shkrim vetëm në shek. XVI; dhe ka filluar të lëvrohet seriozisht e sistematikisht si gjuhë e shkruar vetëm gjatë shekullit XX. Një shekull është kohë shumë e shkurtër për të përftuar një sistem të pasur leksikor; sepse pasurimi dhe zhvillimi i gjithanshëm i leksikut mund të arrihen vetëm nëpërmjet lëvrimit të gjuhës dhe përdorimit të saj nga një masë relativisht e madhe njerëzish për një kohë të gjatë. Ka një bashkëlidhje të qartë midis pasurisë leksikore të një gjuhe, dhe numrit të njerëzve që e përdorin atë në mënyrë të kultivuar, me shkrim dhe me gojë, e mësojnë në shkollë, e lexojnë në libra dhe e përdorin në mediat.
Sa për gjuhët fqinje, shqipja ka qenë, historikisht, gjuhë e një kulture gojore, pak a shumë baritore dhe fshatarake; por nuk i është shoqëruar ndonjë pushteti politik, ose feje, ose autoriteti kulturor. Për këtë arsye, huazimet që u ka dhënë shqipja gjuhëve fqinje (greqishtes, serbishtes, maqedonishtes, vllahishtes) janë huazime kontakti; ndoshta me përjashtim të fjalëve që mund t’i ketë dhënë rumanishtes, meqë në atë rast mënyra e transmetimit ende nuk është sqaruar mirë – por kjo është çështje tjetër.
Shume e drejte verejtja,xhaxha, Por, me sa duket nuk kam arritur te shprehem shume qarte, pasi kur thashe “gjuhe e vjeter”, kisha parasysh gjuhen e folur te nje populli, nga me te lashtet ne kontinent, gje te cilen ju e sqaruat mjaft mire dhe ju falenderoj me kete rast.
Censura, ne do i bejme gjerat per nevojen qe lind apo per inerci? Qe fjala CIAO flitet gjeresisht ne Europe, nuk me cudit, qofte edhe ne France. Po dskutojme per gjuhen shqipe. Kemi shume nevoje te mesojme shume mire gjuhen tone, natyrshem mund te vijne te tjerat. Ne breza injorantesh (ne drejtim te gjuhes flas, ku per fat te keq, konstatohen nxenes e studente ne mase, qe nuk dine te shkruajne shqip-gjuhen e tyre- dhe ky eshte konstatim personal), mua me duket nje sfide e pakapercyeshme fakti qe fjalet e huazuara nga gjuhet e tjera, te arrijne te gjejne shtratin e nevojshem, per te qene pjese integrale e gjuhes meme. Si mundet ta perdore fjalen dikush, kur nuk i di kuptimin?? Nisur nga kjo, mendoj se huazimet dhe ca me keq perdorimet pa kriter te ketyre fjaleve nga individe “te pa shkolluar”, dhe sidomos ne mungese te mbikqyrjes (sic sugjeron Albi), do krijonin nje zallamahi te vertete. Prandaj, bie dakort me mendimin e xhaxhait, qe duhet te jene specialistet dhe ekspertet e gjuhesise ata, te cilet bejne te mundur gjetjen e mekanizmave rregullatore per funksionimin normal te gjuhes dhe ruajtjen e strukturave te saj nga deformimet e mundshme ne nje realiteti te ri ekonomiko-politik.
Albi, idete e tua ne lidhje me unifikimin e gjuhes vertet me duken fantastiko-shkencore. Megjithate, personalisht me pelqen diversiteti…. 🙂
TUNGJATJETA eshte nje fjale shume e gjate, prej kendej “nevoja” dhe jo “inercia” per te gjetur dicka me te shkurter. Nuk e di sa sukses ka patur fjala TUNG ne arealin shqipfoles… CIAO eshte fjale e shkurter dhe simpatike. Ma ha mendja qe te gjithe ata qe e perdorin e dine se c’do te thote. Une e kam shume te veshtire t’i shpjegoje studenteve se HI! perkthehet TUNGJATJETA! Sikur TUNG te jete pranuar ne mbareshqipen e sotme do te ishte nje fenomen qe provon nevojen per forma me te shkurtra. Nese ÇAO fiton, kush jemi ne qe te revoltohemi. Gjuha evoluon pa pyetur per ekspertet apo kritiket. Une, si gjuhetar deskriptiv dhe jo preskriptiv, vetem mundohem te konstatoj cfare po ndodh dhe pse ndodhi. Nga sa kam vene re, nderhyrjet e teknikeve apo politikaneve, ne jeten e gjuhes ndikojne shume pak.
Censura shkruan:
Megjithatë, mjaft të shohim se çfarë shndërrimesh solli në shqipe Rilindja kombëtare, për t’u bindur për forcën e elitave gjuhëshkruese.
Xhaxhallare,
u kenaqa ne kete teme. Interesante dhe e dobishme njekohesisht. E dashuroj gjuhen, ndoshta sepse me jep identitet. Ndaj edhe e vleresoj kete tematike.
Si mund te shnderrohet nje diskutim si ky ne nje propozim konkret per qeverine tone?
Mendoj se Shqipja ka me te vertete nevoje (sot ndoshta me shume se kurre) per “mbikqyrje”.
Pershendetje!
P.S. – Po te kishit ndonje shembull tjeter te serise se kundercjapit mendoj se do te ishte edukative ta ndanit me shoqnin e blogut 😉
Opinion: Thumbimi i Gjuhës Shqipe në media
Thesari më i vlefshëm i popullit shqiptarë është Shqipja. Gjuhë, e cila i rezistoj me shekuj ndikimeve dhe pushtimeve të huaja. Por, fatkeqësisht, ne ditët e sotme (sikur u shkrua edhe nga koleget) kur populli ynë ka një vetëdije më të lartë intelektuale, vërehet një zbehje, njollosje, apo bastardim i kësaj gjuhe. Kohërave të fundit shqipja i nënshtrohet një ndikimi vazhdimisht në rritje të gjuhëve të huaja, dhe sidomos asaj angleze dhe italiane. Në veçanti vërehet përdorimi i tepruar i fjalëve angleze dhe italiane në vend të atyre shqipe, sidomos në media dhe në administratë. Mjafton të shfletosh fletët e shtypit ditor, apo ta shikosh njërin nga programet tona televizive, dhe do të jesh një dëshmitar i përdorimit pa vend të shprehjeve të huaja, në vend të atyre shqipe. Duke i parë këto zhvillime, sidomos në media të ndryshme, të shtyn me tepër të mendosh se a rrezikohet gjuha nga përdorimi i tepruar i shprehjeve të huaja? A mund ti rezistoj kjo gjuhë rreziqeve të reja, që i kanosen sot, dhe se kush është i thirrur të kujdeset për gjuhën?
Është plotësisht normale, që një gjuhë gjatë zhvillimit të saj huazon dhe dhuron fjalë nga gjuhët tjera. Gjuha huazon zakonisht ato fjalë të cilat ajo nuk i posedon, apo të cilat për nga përmbajtja, kuptimi i afrohen më së afërmi çështjes, për të cilën bëhet fjalë. Pra, para se të përdorën fjalë të huaja, duhet të kërkohen ato vendore, dhe vetëm atëherë nëse këto mungojnë, apo nuk përputhen me përmbajtjen e shprehjes gjegjëse, lejohet përdorimi, përkatësisht huazimi i fjalëve të huaja. Edhe për këtë rast ka rregulla të veçanta gjuhësore, të cilat e lehtësojnë shqipërimin e fjalëve të huaja. Por, siç tregon realiteti, kjo nuk ndodh fare, apo shumë rrallë.
Sa për ilustrim të përdorësh shprehjen “suportim” në vend të asaj shqipe “përkrahje”, apo “draft” në vend të fjalës “hartim”, “kontest” në vend të fjalës “kontekst”, kjo dëshmon një mangësi të përgjegjësisë gjuhësore dhe intelektuale të përdoruesit të këtyre shprehjeve. Të mos përmendim edhe një mori fjalësh të tjera, me përmbajtje jo të qarta dhe përdorim jo të qëlluar. Siç duket praktikisht në mediat tona me qëllim, apo pa qëllim ka një devijim nga parimet bazë gjuhësore! Pa analizuar fare, merren dhe përdoren verbërisht shprehjet, të cilat p. sh. i përdorin individë nga politika, të cilat kryesisht përdorin nocione të huaja. Shpesh përdorimi i fjalëve të huaja konsiderohet, si një metodë e mire, për ti treguar lexuesit, shikuesit, pra popullit, një pseudo epërsi intelektuale. Mjeshtër të vërtetë në këtë fushë tregohen subjektet tona politike dhe udhëheqësit e tyre! Ndryshe nuk mund të shpjegohet bombardimi, pështjellimi në mediat me fjalë të huaja, jashtë standardit të gjuhës shqipe, apo edhe jashtë dialekteve të shqipes. Më shqetësues është fakti se në mediat e ndryshme, dukuria e përdorimit të tepërt të shprehjeve të huaja ka marrë përmasa shqetësuese, dhe si e tillë nuk shihet fare si problem.
Sipas mendimit tim, kërkohet posaçërisht nga mediat, gazetarët respektimi i rregullt i gjuhës dhe sjellja e tyre në një mënyrë profesionale me gjuhën si vegël e tyre e përditshme e punës. Në të kundërtën në një kohë të afërme, gjeneratat e reja do të përdorin një gjuhë të stërmbushur me fjalë të huaja, e cila nuk do të reflektoj pasurinë gjuhësore, kulturore dhe historike të kombit shqiptar. Pra, përgjegjësit kryesor dhe bartësit e nivelit të mirëfilltë të gjuhës shqipe janë dhe duhen të jenë punëtorët profesionistë në media. Me fjalë të tjera gazetarët, shkrimtarët dhe redaktorët duhet të jenë në një farë mënyre pararoje e shqipes. Vetë fakti, se këta e kanë vegël të përditshme pune gjuhën, kjo i obligon ata moralisht, po ashtu edhe profesionalisht për një kujdes të veçantë ndaj gjuhës!
Tung,
Alban Ademi
Kam përshtypjen se gjithë ky involvim ka të bëjë me Volvon e ndonjërës.