Nuk gjen punonjës të gjuhës shqipe – shkrimtar, përkthyes, gazetar, redaktor, gjuhëtar, filolog, mësues – që të mos jetë i mendimit që shqipja e sotme e njësuar, ose gjuha e pasqyruar në Fjalorin e Akademisë, është e varfër në leksik, e drunjëzuar në shprehje, dhe praktikisht e pazonja për t’u bërë ballë sfidave praktike të kohës.
Mosmarrëveshjet nisin me debatet se si do të dilet nga kjo gjendje.
Ndërkohë ka filluar të qarkullojë, kryesisht ndër elitat kulturore gege në Shqipëri e në Kosovë, një teori ose më mirë mit sipas të cilit shqipja standarde kostallariane ka përjashtuar nga përdorimi një numër të madh fjalësh, sidomos nga gegërishtja; se varianti letrar geg është shumë më i pasur sesa shqipja e njësuar dhe se të folmet gege ende ruajnë një numër të madh fjalësh të rralla e praktikisht të panjohura, të cilat mund ta shpëtojnë shqipen e sotme nga kriza leksikore.
Me ç’lexoj sot në “Shekulli”, kjo teori duket t’ua ketë dhënë tonin edhe punimeve të një konference në Tiranë kushtuar “Fjalorit të gjuhës shqipe” të Mehmet Elezit botuar në Tiranë në 2006 (nga shtëpia botuese “Gjergj Fishta”); fjalor i cili përmban rreth 41 000 fjalë të cilat autori i ka mbledhur me kujdes e durim të madh dhe me kompetencë leksikografike të shënueshme, nga burime të ndryshme, të gjuhës së shkruar e të folur; të gjitha fjalë që i mungojnë Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe të vitit 1980 dhe versioneve të tij të mëpasme.
Edhe pse Mehmet Elezi ka bërë punë të mrekullueshme me këtë fjalor, rëndësia e kësaj pune nuk ka të bëjë shumë me të ardhmen e shqipes, as me mënyrat si do t’i përgjigjet kjo gjuhë kërkesave të modernitetit; por më tepër me qëmtimin, sistemimin dhe ruajtjen e një numri të madh fjalësh të rralla, të dala nga përdorimi, të vjetëruara, nëndialektore etj., të cilat përndryshe do të kishin mbetur të shpërndara, të panjohura ose të papërdorshme nga studiuesit.
Për mendimin tim, fjalori i Mehmet Elezit është një muzeum i shqipes, në të gjitha trajtat e saj; por nuk mund të funksionojë si alternativë ndaj Fjalorëve të Akademisë, as mund të përdoret drejtpërdrejt për të “shpëtuar” shqipen. Problemet që ka shqipja sot janë shumë më të thella, dhe kanë të bëjnë para së gjithash me njohjen e paktë të gjuhës nga përdoruesi, me përdorimin e pamjaftueshëm të pasurive ekzistuese, me punën e dobët të terminologëve; sikurse kanë të bëjnë edhe me faktin e pamohueshëm se numri i atyre që shkruajnë dhe lexojnë shqipen rregullisht është relativisht i vogël.
Të shpresosh se katalogët e fjalëve të rralla mund të ndikojnë drejtpërdrejt në përdorimin e gjuhës është sikur të shpresosh se filatelia mund të luajë rol për ta nxjerrë shërbimin postar nga kriza.
Arsyeja kryesore për këtë iluzion, besoj unë, ka të bëjë me keqkuptimin e madh të mënyrës se si ekziston fjala në gjuhë dhe në ligjërim. Një fjalë çfarëdo ekziston sa kohë që përdoret, dhe përdoret sa kohë që folësit kanë nevojë për ta përdorur. Kur nuk përdoret, fjala nuk ekziston më; sepse fjala nuk është objekt i të njëjtit lloj, bie fjala, me një stilolaps, të cilin mund ta harrojmë në sirtar për vite me radhë, pastaj të kujtohemi ta përdorim përsëri për të shkruar.
Pyetja se pse përdorim pikërisht një fjalë të caktuar dhe jo një tjetër, nuk është aq naive sa ç’mund të duket. Nëse unë i them dikujt në dhomë “hape pak dritaren”, arsyeja pse e përdor fjalën dritare është, para së gjithash, sepse jam pothuajse i sigurt që bashkëfolësi im do ta kuptojë se për çfarë e kam fjalën dhe, gjithashtu, se dritare është e vetmja fjalë që zotëroj për objektin në fjalë. Po ta quaja dritaren palathire (si arbëreshët), bashkëfolësi do të habitej me zgjedhjen time leksikore, dhe do të kërkonte të merrte me mend se pse iu shmanga fjalës “dritare”.
Megjithatë, vetëm diçka si një shekull më parë, shumica e shqipfolësve do ta quanin dritaren penxhere (fjalë e huazuar nga turqishtja), meqë dritare aso kohe ishte ende neologjizëm e shqipes së shkruar, fjalë e krijuar dhe e sugjeruar për të zëvendësuar një element tashmë të padëshirueshëm në shqipen e folur. Në ato rrethana, t’i thoje dikujt “hape pak dritaren,” do të ishte edhe një pozicionim ideologjik, në favor të politikave kulturore të Rilindjes kombëtare; dhe gjithsesi, përsëri do të shkaktonte habi.
Po të shkojmë pastaj e të shohim shqipen e folur katundeve, në Jug e në Veri të Shqipërisë, do të ndeshim një numër fjalësh që po vijnë duke e përdorur gjithnjë e më rrallë, sepse i përgjigjen një mënyre jetese fshatarake, ose baritore, ose teknologjikisht primitive; të tilla si emrat e bagëtive sipas ngjyrës, emrat e bimëve të egra, emrat e pjesëve të dërstilës ose të avlëmendit, emrat e veshjeve popullore dhe të pjesëve të tyre, emrat e poçeve të ndryshme, emrat e gjellëve e kështu me radhë. Këto fjalë shpesh ndryshojnë nga fshati në fshat, por ndryshimi nuk është aq shenjë e larmisë dhe e pasurisë gjuhësore, sesa e mungesës së komunikimit; meqë komunikimi zakonisht i mënjanon nga përdorimi sinonimet e panevojshme – për shembull, gjuha e shkruar shqipe nuk do të kishte nevojë për 20 emra për kaun që ka një pullë të bardhë në ballë. Natyrisht, këto emra nuk është keq të mblidhen e të ruhen diku; por është qesharake të këqyren si dëshmi e pasurisë së gjuhës.
Për ta ilustruar kritikën time, po e hap Fjalorin e Elezit, arbitrarisht, në faqen 743 kolona djathtas, për të parë se çfarë fjalësh përmban pikërisht (shembujt i kam sjellë me disa shkurtime):
Krí – Brishë (krimb që bren drurin e thatë; blozhë, kërrni, tenjë)
Kribëz – Gram (hasël)
Kricë – Kryqëz
Krickë – 1. Kërrcla 2. Shtegu, lulja e ballit
Krickonjë – Kokërr e papjekur mani
Krifargjendtë – që ka krifë të argjendtë
Krifëbukur – që ka krifë të bukur
Krifërëndë – që ka krifë të rëndë
Krih – shumës metafonik i krah
Krihas – Krahas, në mënyrë palardhce
Krihcaz – Mënyrë ngarkimi e një barre, me dy rripa ose litarë që futen në krahë, si çantat e shpinës.
Krihcë – Lak, rrip i barrës së shpinës
Krihet – Rrallohet e hollohet një stof prej përdorimit
Kriját – Kranjon (bren drurin tenja)
Krijimë – Krijesë
Krijimëz – Foshnjë; bib, cullanjak, cicimul, fërmeçë, gushulinë, hic, kacorre, kalamul, kërthi, kërthim, llec, miclim, njome, njomth, picimul, picu, sabi, i vogëlth, vogal. E zëvendësojnë plotësisht fjalën bebe.
Këto fjalë u përkasin disa grupeve: fjalë nëndialektore të cilat i kanë sinonimet përkatëse në përdorim të gjerë; fjalë që kanë të bëjnë me teknika artizanale ose me veçori të tjera me natyrë etnografike; neologjizma.
Mua nuk më duket se shqipja ka ndonjë nevojë të ngutshme, ta zëmë, për sinonime të reja që shenjojnë krimbin e drurit, gramin e haslën, kryqëzën, lakun e barrës së shpinës, apo veprimin e brejtjes së drurit nga krimbi. Këto fjalë lidhen me një mënyrë jetese tashmë të kapërcyer. As ka ndonjë nevojë të ngutshme për të zëvendësuar fjalën bebe, sepse askush nuk shqetësohet nga fjala bebe. Sinonimet krahinore të kësaj fjale është mirë të mblidhen në fjalorë, sepse u vlejnë gjuhëtarëve dhe studiuesve të etnografisë e të sociologjisë së katundit shqiptar; por përndryshe nuk i sjellin gjë gjuhës.
Përndryshe, shqipja e sotme mund të bëjë edhe pa fjalën krickonjë, e cila shenjon “një kokërr të papjekur mani”. Cilat janë ato kontekste, ku mund të lindë nevoja të përdoret një fjalë e tillë, aq më tepër në rrethanat kur bota shqipfolëse po urbanizohet me shpejtësi marramendëse? Cilat janë ato kontekste të tjera, ku mund të përdoret fjala tjetër, krihcas, e cila shenjon një mënyrë ose teknikë si ngarkohet barra në shpinë?
Aq më shumë vlen kjo për fjalë si krih dhe krihas, të cilat janë variante fonetike fjalësh të rëndomta të gjuhës; të cilat e kanë vendin pikërisht atje ku i ka vendosur autori: në muze të fjalëve të dala nga përdorimi.
Me neologjizmat problemi qëndron tjetërkund. Neologjizmat, ose fjalët e krijuara rishtas, nuk janë aq fjalë, sesa sugjerime fjalësh; sepse fjala pagëzohet kur hyn në përdorim duke i kapërcyer kufijtë e tekstit ku është krijuar për herë të parë. Poetët krijojnë shpesh neologjizma, sepse vetë hapësira e ligjërimit poetik i pranon; këto neologjizma nuk janë fjalë, por figura të fjalëformimit; tërheqin vëmendjen nga vetja, pikërisht sepse ashtu dëshiron krijuesi i tyre. Aq më e vërtetë është kjo me fjalë si krifëbukur, të cilat quhen, në gramatika, kompozita pronësore – sepse e karakterizojnë dikë duke karakterizuar një pjesë ose një “pronë” të tij; p.sh. luan krifëbukur është luani që “e ka krifën të bukur” (krifa i përket luanit). Në përgjithësi, kompozitat pronësore nuk mund të konsiderohen fare si fjalë, përveçse kur janë konsoliduar në përdorim (p.sh. zemërmirë, mjekërbardhë etj.); meqë po të pranojmë krifëbukur, e cila besoj se ndeshet vetëm e vetëm në përkthimin e “Iliadës”, siç e specifikon Elezi, atëherë ç’na pengon të pranojmë edhe krifëshëmtuar, krifërrjepur, krifërralluar, krifëlagur, krifëshkulur, krifënjomur, krifëdjersitur e kështu me radhë, duke e shumëfishuar me ngazëllim numrin e fjalëve shqipe? Na pengon pikërisht fakti që për të futur një fjalë në gjuhë nuk mjafton ta krijosh; duhet që fjala të pranohet nga sistemi dhe të hyjë në përdorim. Kjo është diçka elementare, por shpesh shpërfillet, në entuziazëm e sipër. Mjaft të lexosh vjershat e Asdrenit, bie fjala, për të parë si ky poet i dhembshur, i cili fatkeqësisht i kishte disa probleme me shqipen, ka krijuar një numër shumë të madh neologjizmash, të cilat i kanë lindur të vdekura dhe kanë mbetur të varrosura në djepet ku i vendosi poeti. Mjaft edhe të marrësh në dorë ndonjë nga veprat fetare të Papa Kristo Negovanit, ose të Petro Nini Luarasit, të cilat përsëri përmbajnë një mizëri neologjizmash, kryesisht të ngjizura sipas modeleve të greqishtes, por që nuk janë pranuar nga gjuha.
Krahinizma, etnografizma, solecizma, neologjizma… për fat të keq, e shumta e fjalëve shqipe që kanë mbetur për t’u mbledhur në të folmet nuk i vlejnë shumë shqipes së sotme. Një fjalë si krickonjë e njohin, ma merr mendja, një numër shumë i vogël folësish; dhe një numër edhe më i vogël e përdorin. Në këto rrethana, për shumicën dërrmuese të shqipfolësve, kjo fjalë është po aq e huaj sa edhe një huazim i drejtpërdrejtë nga italishtja, bie fjala velina, ose karrotec (nga “carro atrezzi”); edhe pse ndryshe nga huazimi, fjala e rrallë shqipe i referohet një objekti (kokrrës së papjekur të manit) i cili është krejtësisht, por vërtet krejtësisht i parëndësishëm për shqipfolësit, ndërsa huazimet kanë të bëjnë me objekte dhe dukuri që kanë zënë kryet e vendit në botën e ndërmjetësuar nga gjuha – duan apo nuk duan gjuhëtarët.
Dua të them që të kundërshtosh një fjalë të huaj, qoftë edhe një huazim të panevojshëm, me një fjalë të rrallë krahinore ose etnografizëm të kulluar, është shprehje e një fetishizimi të fjalës me ngjyra të forta puriste; siç bën M. Elezi kur sugjeron që një fjalë si, p.sh. miclim, të cilën e përdorin një grusht njerëzish vetëm (nëse e përdorin akoma) është e barasvlershme me fjalën bebe, tashmë pjesë e leksikut elementar të shqipes të folur e të shkruar, do të thotë – për mendimin tim – të shpresosh se shqipja e sotme mund të pasurohet nëpërmjet fjalësh të fetishizuara, ose të përkrahura sepse janë “shqipe” (me biografi të mirë). Në të vërtetë, sot për sot, ekzoticizmi është pjesë e kuptimit të fjalës miclim; madje për shumicën e shqipfolësve, kuptimi i fjalës miclim është që kjo fjalë nuk ka kuptim.
I shkruaj të gjitha këto me shpresë se nuk do të keqkuptohem – sepse Fjalori i Mehmet Elezit është vepër pa dyshim madhore për kulturën dhe veçanërisht për gjuhën shqipe; për pasuritë që përmban, referimet e sakta dhe të pasura, ruajtjen e një përmase të jetës shqiptare që përndryshe praktikisht ka humbur; edhe pse kjo vepër, sado e vyer, nuk mund të ndikojë në ecurinë e shqipes së sotme ashtu siç kujton autori dhe sidomos shumë partizanë të purizmit leksikor që nuk e kanë taktin prej studiuesi serioz të Elezit.
Se çfarë mund ta ndikonte këtë ecuri, kjo do trajtuar veçmas dhe gjatë; por këtu po mjaftohem të shtoj se vetëm përdorimi i gjerë dhe masiv, studimi i kujdesshëm dhe cilësor në shkollë, shkëmbimi i teksteve të shkruara e të folura mes shqiptarëve kudo që janë, kontrolli institucional i qendërzuar mbi terminologjinë dhe pasurimi i përgjithshëm i kulturës shqiptare dhe i jetës sociale do të krijojnë kushtet për ta pasuruar, ngadalë por në mënyrë të qëndrueshme, leksikun e shqipes së shkruar.
Fjala arbereshe; ‘Palathire’, shqip Dritare; Ne greqishte eshte ‘Parathiro’.
Shembull i trustnise se krijuar ne gjuhe prej faktoreve soc-shoqeror. Duke u zhvendosur arbereshet ne jug te italise bejne kete fjale te jetoj (perdoret) deri ne ditet tona, por si edhe shume te tjera fjale kur jane izoluar nga ndikimi i vazhdueshem i gjuheve te huaja, ne proven e kohes, per cudi gjejne te ndryshuar gjuhen meme (nga erdhen) Kjo per analogji me germimin “arkeologjik” te ketyre fjaleve (te fjalorit), jame me versionin e argumentuar nga xha xhai. Gjuha aplikon fjale qe jeta e saj e aplikuar kerkon.
Dua t’i kthehem një çast orvatjes së autorit Elezi, sado të tërthortë, për të propozuar një zëvendësim të fjalës bebe. Kjo s’është orvatje e veçuar, por simptomë e filozofisë së fjalorit – e cila, ndër të tjera, kërkon të provojë se shqipja i zotëron edhe fjalë të tilla që të mund të përdoreshin për të zëvendësuar deri edhe ndërkombëtarizmat më të njohura e të pranuara. Pak më tutje, në fjalor lexoj që edhe fjala palardhcë mund të shërbejë fare mirë për të zëvendësuar mbiemrin paralel. Unë nuk e kuptoj dot pse dikujt mund t’i shkojë mendja për të zëvendësuar mbiemrin paralel, ose emrin bebe; sepse këto fjalë janë integruar për bukuri në shqipe, nuk i prishin punë askujt; madje përkundrazi, duke qenë ndërkombëtarizma, e lehtësojnë integrimin e shqipes në familjen e gjuhëve perëndimore (ku bebes i thonë bebe, dhe drejtëzave paralele u thonë paralele). Në përgjithësi, përpjekjet për të zëvendësuar fjalë më duken veçanërisht pedante, edhe pse nuk e mohoj që në raste të caktuara fushatat e zëvendësimit (të cilat janë në thelb fushata spastrimi) kanë dalë me sukses. Nga ana tjetër, ka një arsye thjesht gjuhësore, për të cilën një fjalë si bebe parapëlqehet ndaj morisë së sinonimeve krahinore të tipit bib, cullanjak, cicimul, fërmeçë, gushulinë, hic, kacorre, kalamul, kërthim, llec, miclim, njome, njomth, picimul, picu, sabi, i vogal; dhe kjo ka të bëjë me funksionin themelor të gjuhës, që është komunikimi. Para se të jetë monument, ose emblemë e kombit; motiv krenarie ose provë lashtësie dhe uniciteti; depozitë e urtësisë popullore dhe thesar i vlerave kombëtariste, gjuha është një vegël ose instrument komunikimi; oqean që bashkon mes tyre ishujt e individëve, familjeve, fiseve, katundeve, qyteteve, krahinave, komuniteteve. Nëse shqipja popullore përmban 20 sinonime për fjalën bebe; ose, për ta thjeshtuar problemin, nëse në katundin A bebes i thonë cicimul, ndërsa në katundin B fërmeçë, atëherë kur një katundar nga A të flasë me një katundar nga B, kjo sinonimi do t’i pengojë; sepse katundari nga B nuk do ta kuptojë dot se ç’ka parasysh katundari nga A me fjalën cicimul, ndërsa katundari nga A nuk do ta kuptojë dot se ç’ka parasysh katundari nga A me fjalën fërmeçë. Nëse katundet A dhe B japin e marrin sëbashku, sinonimet ose do të specializohen nga ana kuptimore ose stilistike, ose njëri prej tyre do të dalë nga përdorimi, për t’ia lënë vendin tjetrit. Gjuha, si instrument aktiv komunikimi, nuk i pranon dot lehtë sinonime të tilla si cicimul, miclim, hic dhe kacorre; madje këto fjalë nuk janë fare sinonime, përveçse në fjalor; meqë përdoren në katunde e krahina të cilat nuk kanë kontakte me njëra-tjetrën. Në çdo të folme gjen fjalë të veçanta për mëngjërashët, shkurtabiqët, çalamanët, budallenjtë, syshtrembërit, gojacët, shurdhmemecët, gratë shterpa, kaun e zi, barërat e këqia, diarrenë, lastarët e hardhisë, brazdat, foshnjet, cjapin e tredhur, nuselalën etj. Pikërisht për këtë arsye, kur rrethanat ekonomike, sociale dhe kulturore i vënë njerëzit nga katunde e krahina të ndryshme në kontakt me njëri-tjetrin, atëherë ekzistenca e këtyre fjalëve kthehet në pengesë për komunikimin; dhe një nga mënyrat për ta kapërcyer këtë pengesë spontanisht, ose pa ndërhyrjen e një autoriteti kulturor, është adoptimi i një fjale të huaj. Në vend që të zihemi nëse do të themi miclim apo kacorre apo cicimul, le të themi bebe, “si tanë bota”. Një rol të tillë, njësues, kanë luajtur në shqipen e vjetër turqizmat, sado t’i rrudhim buzët ne sot e t’i konsiderojmë si shprehje e një të kaluare që e kemi mohuar; sepse turqizmat, natyrisht së bashku me elemente të tjera, i kanë afruar mes tyre të folmet e shqipes para se të fillonte procesi spastrues dhe alfabetizues i Rilindjes.
Gjuha me e pasur ne bote, anglishtja, ka rreth 600,000 fjale. S’ka gjuhe tjeter qe i afrohet. Si kane arritur deri ketu? Sigurisht jo duke i perjashtuar fjalet ‘e panevojshme’ por duke i ruajtur e ripertrire me ane te perdorjes nga individet mbare botes (ta nenvizoj — individet, jo grupi). Si shej i kesaj pasunie gjuhesore asht Thesaurusi (Thesari, pra), fjalor sinonimesh, miku me i mire i nje shkrimtari a intelektuali ne gjuhen angleze.
Tue marre parasysh kete, asht teper e cuditshme kjo shtyse me e uniformizue gjuhen, e me i asgjasue fjalet.
Nuk ka nji gjuhetar me respekt per veten i cili e perkrah nji vorfnim te qellimshem te leksikut, pa marre parasysh a asht fjala per huazime a jo. Pra, ‘bebja’ mundet me qene edhe ‘sabi,’ se nuk shembet toka nese perdor turqizem. Dy – disa fjale qe ti i konsideron arkaike, jane mese te gjalla, edhepse nuk jane ‘legjitime’ ne standard.
Nuk ka shpjegim tjeter per kete anmiqsi te hapun ndaj gegnishtes dhe cdo gjeje qi perfaqeson ajo, pervec se kemi te bajme me nji mutacion i shemtuem te Thoughtpolice-it enverist.
Musil, je duke luftuar me mullinjtë e erës. Nuk po të pengon kush t’i thuash bebes “sabi” – por kam frikë se nuk ke për t’i thënë kurrë, sepse atë fjalë nuk ta merr vesh kush.
Nëse kërkon ta devijosh debatin atje ku të intereson, për ta luajtur rolin e viktimës, të siguroj se kjo taktikë këtu nuk të pi ujë.
Përndryshe, të lutem mos e përdor shkrimin tim si pretekst për të pohuar banalitete, ose gjëra që i di edhe bufi dhe që i kemi thënë me mijëra herë.
Kur diskutojmë për statusin e kësaj apo asaj fjale në standard, kjo nuk ka të bëjë me përdorimet që mund t’i bëhen nga shkrimtarët.
Ti thua se anglishtja ka 600,000 fjalë. Po pastaj? I ka kaq shumë fjalë sepse është gjuhë e një kulture madhore. Por kultura nuk selitet duke i thënë bebes sabi, as duke vrarë mendjen si të zëvendësojmë fjalën ‘paralel’.
Ti hiqesh sikur te dhemb zemra për shqipen, por sillesh sikur e ke mendjen vetëm tek e folmja e katundit tend. Nuk dua të të paragjykoj, sepse nuk të njoh; por nga këto që shkruan, ashtu tingëllon.
Anglishtja nuk eshte gjuhe e mirefillte, por nje shartim i cuditshem i frengjishtes me gjithen e angleve, saksoneve, kelteve dhe vikingeve.
I pari qe shkruajti ‘Anglisht’ ishte nje Francez(Chauceur). Andaj eshte aq e ‘pasur’ anglishtja. Per shqipen besoj se i takon nje kategorie tjeter.
Xha Xha e vlerësoj kulturen tuaj dhe deshirën për debat. Për sa i përket gjuhës nuk mund të hyj në debat me ju, pasi nuk jam kompetent. Por desha t’ju them diçka, pasi më duket se bini në kotradiktë me veten.
Vë re se në një anë e pranoni varfërinë e standartit, për të cilin shpreheni me fjalët më të ashpra, dhe unë jam dakort me ju. Në anën tjetër, nje vepër që e vlërsoni disa herë dhe e quani madhore, si fjalori i Elezit, e përjashtoni nga kontributi që mund të japë për pasurimin e standardit dhe e quani vepër „për muze“. Domethënë kjo vepër madhore është e mirë vetëm e vdekur.
Për fjalën DRITARE ju thoni se ishte e largët për gjuhën, megjithatë arriti ta dëbojë fjalën PENXHERE dhe ia zuri vendin. Ndërsa më tej e përjashtoni mundësinë që një sasi fjalësh shqipe që ka Fjalori i elezit të ndjekin udhën që ka ndjekur fjala DRITARE. Kur njëqind e ca vjet më parë, fjalë të reja, ta pafamiljarizuara me gjuhën, si DRITARE, u bënë pjesë e gjallë e shqipes, përse tani nuk mund të ndodhë kjo gjë me të tjera fjalë? Shoqëria shqiptare tani është më e kulturuar, më e ditur, më e ndërgjegjësuar, dhe ka mundësi ta udhëheqë një proces të pastrimit e pasurimit te gjuhes më mirë se parardhësit tanë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur s’kishim shtet as njerëz të shkolluar.
Mendoj se edhe filozofinë e fjalorit të elezit e gjykoni me njëanshmëri. Ndoshta pa qëllim të keq, po vetëm për të imponuar pikëpamjet tuaja, përpiqeni ta ridikulizoni në mënyrë të maskuar me stërhollimet që bëni me sinonimet e fjalës BEBE. Edhe ky ridikulizim i fshehur bie në kontradiktë me vlerësimet tuaja të larta për Fjalorin. Filozofia e Fjalorit të Elezit nuk më gjan se është zëvendësimi i çdo fjale të huaj me çdo fjalë shqipe, por ai bën apel për pastrimin e pasurimin e gjuhës shqipe dhe për mbrojtjen e saj. Këtë unë e shoh shumë pozitive.
Më gjan se dilni jashtë vetëvetes, si njeri i ditur, kur shkruani se fjalët BEBE e PARALELE, duke qenë ndërkombëtarizma, i shërbejnë „integrimit të shqipes në familjen e gjuhëve perëndimore“. Ky mendim më habit. Ç’do të thotë „integrim i shqipes në familjen e gjuhëve perëndimore“ ? Nga cila familje lindore, që s’ka lidhje me Perëndimin, ardhëkërka gjuha shqipe? Si mund të integrohët gjuha shqipe në gjuhët perëndimore, gjuha qenka shtet, vend ? Na e ka kërkuar BE-ja? NUk kam lexuar as dëgjuar ndonjëherë për integrim të gjuhës shqipe apo të ndonjë gjuhe tjetër „në familjen e gjuheve perëndimore“ .
Apo keni dashur të thoni se fjalët BEBE e PARALELE i shërbejnë intëgrimit të shqiptarëve në familjen e madhe perëndimore, europiane?
Në qoftë se integrimi në Europë u bëkërka më i mundur me ndihmën e fjalëve BEBE e PARALELE, ajme, qenkemi te ura, për të mos thënë se na paska marrë lumi.
Me rrespekt
R.GJ.
Si eshte shprehur Kanti:
Të shpikësh fjalë te reja aty ku gjuha nuk ka mangësi shprehjeje për nocionet e dhëna është një përpjekje çiliminjsh (çilimillëk/kalamanllëk) për të shquar veten nga turma, nëse jo me mendime të reja dhe të vërteta, atëhere me arna të reja mbi rrobën e vjetër.
I nderuar R.,
Më shkruani:
Vërtet, mendoj se vepra e Elezit është madhore, por jo për arsyet për të cilat po pompohet. Është vepër madhore e gjuhësisë shqiptare, dhe pikërisht e etnolinguistikës dhe dialektologjisë; por nuk më duket se mund të ketë ndonjë ndikim në të ardhmen e standardit dhe të shqipes vetë. Këtë e them sepse prejardhja e një fjale, normalisht, nuk duhet të ketë fare ndikim në përdorimin e saj; dhe kur nesër shqipes t’i duhet një fjalë e re çfarëdo, krahinorizmat ose arkaizmat që përmban fjalori i Elezit nuk do të kenë ndonjë përparësi ndaj, të themi, një neologjizmi ose një italianizmi të rastit.
Mua nuk më duket se zëvendësimi i fjalës PENXHERE me fjalën DRITARE i solli ndonjë të mirë të madhe gjuhës; zëvendësimi i turqizmave u bë kryesisht për arsye ideologjike – edhe pse, siç e kam thënë gjetiu, shumë turqizma ishin integruar keq në gjuhë (por nuk ishte kjo arsyeja e zëvendësimit, dhe PENXHERE ishte integruar, gjithsesi, mirë). Megjithatë, është krejt e mundshme që në gjuhë të futen fjalë të reja; madje jo e mundshme, por e pashmangshme. E përsëris, e vetmja gjë që mua s’më bind, është ideja se një fjalë krahinore mund të ketë ndonjë përparësi ndaj neologjizmit ose ndërkombëtarizmit ose huazimit të pastër. Ky kriter gjenealogjik në vlerësimin e fjalëve më duket i kapërcyer, madje i dëmshëm.
E vërtetë; por ndërkohë edhe shumë fjalë janë kristalizuar në përdorim dhe i kanë kapërcyer me kohë kufijtë gjeografikë ose të regjistrave.
Nuk dua të ridikulizoj Elezin; përkundrazi, e respektoj shumë, madje e njoh dhe e di me sa përkushtim ka punuar për këtë vepër. Nuk bie dakord me filozofinë e tij në lëmin e politikës gjuhësore, e cila më duket se e ideologjizon gjuhën; madje parathënia e fjalorit përmban teza të cilat më shumë i krijojnë probleme shqipes së sotme, sesa ndihmojnë për t’ia zgjidhur.
Ka një familje të gjuhëve europiane perëndimore – këtë e them në kuptimin që i jep Benjamin Lee Whorf; i cili thekson se këto gjuhë, për shkak të marrëdhënieve të ngushta kulturore mes popujve që i flasin, janë bërë tanimë një gjuhë e vetme. Shqipja ka mbetur disi jashtë këtyre proceseve, por ndërkombëtarizmat mund të ndihmojnë për ta integruar kulturën shqiptare në kulturën perëndimore. M. Elezi, në fjalorin e vet, shprehet haptazi në favor të zëvendësimit të ndërkombëtarizmave (unë gjeta shembuj për bebe dhe paralel, por me siguri ka edhe shumë raste të tjera). Duke bërë këtë, ai është deklaruar purist ipso facto, ose në favor të tezës se fjalët shqipe, si të tilla, kanë përparësi ndaj fjalëve joshqipe, madje edhe kur këto të fundit janë rrënjosur mirë në gjuhë. Kjo do të thotë edhe që Elezi përdor një kriter gjenealogjik për vlerësimin madje pashaportizimin gjuhësor të fjalëve, çka unë e gjej të papranueshme. Përkundrazi, unë u besoj kritereve funksionale, prandaj edhe i kundërvihem Elezit.
Tani jeni ju që po tentoni një ‘ridikulizim’ pak pa shije; por besoj se për këtë çështje jua dhashë sqarimin më sipër. Integrimi në familjen europiane, për kulturën shqiptare, do të thotë edhe përvetësim i koncepteve kulturore themelore të asaj kulture, çka ndërmjetësohet edhe nëpërmjet ndërkombëtarizmave që i kemi në shqipe.
Ndërkohë, anglishta sa vjen e pasurohet me fjalë të reja, ku kontribut të ndjeshëm po jep edhe vetë Sarah Palin.
Për më shumë shikoni neologjizmin “refudiate” të pranuar zyrtarisht, këtu:
http://news.yahoo.com/s/yblog_theticket/20101115/pl_yblog_theticket/almost-5-million-people-watched-sarah-palins-alaska
Ndofta pasurimi i një gjuhe (të varfër si shqipja apo edhe të pasur si anglishtja) vërtet përfiton nga njohja e përdorimi edhe i fjalëve të vjetra apo të harruara.
E pra fjalori i Elezit del të jetë shumë më tepër se sa “muzeum i shqipes”…