Ja një histori që e kam gjetur te Paul Watzlawick (“How real is real”, Vintage Books, 1977, f. 13).
Gjatë Luftës I Botërore, një kompani e ushtrisë austro-hungareze gjendet e izoluar në një zonë malore të Shqipërisë së Veriut, e shkëputur nga prapavija e vet dhe linjat e furnizimit me ushqime, e rrethuar nga çeta armiqësore malësorësh vendas të armatosur, të cilat duket sikur po presin momentin e përshtatshëm për të sulmuar dhe plaçkitur.
Për t’u marrë vesh me malësorët, komanda e kompanisë ka nevojë për një përkthyes, meqë askush prej austriakëve nuk flet shqip; por nuk është lehtë të gjesh përkthyes të gjermanishtes në grykat dhe gërxhet e bjeshkëve, aq më tepër në kohë lufte.
Austriakët kanë nevojë për ushqime dhe strehim, të cilat janë gati t’ua rrëmbejnë vendasve me forcë, po të mos i marrin dot me të mirë; vendasit, edhe pse nuk kuptohet mirë se çfarë duan pikërisht, duket se nuk do të ngurrojnë t’i mbrojnë kullat dhe katundet e tyre me armë, në rast se austriakët afrohen edhe më.
Situata duket pa rrugëdalje.
Më në fund, fati duket se u buzëqesh të ardhurve; gjendet një prift plak përkthyes çfarëdo, Dom Marku, i cili folka një gjermanishte të pranueshme, meqë ka studiuar, në të ri, në Vjenë. Me të shpejtë përkthyesi thërret një takim mes komandës austriake dhe pleqve të fshatrave përreth, për të shmangur konfliktin e armatosur.
Në krye e merr fjalën më plaku i malësorëve, i cili thotë se askush nuk i ka shkelur këto troje e ka mbetur gjallë e se malësia nuk e ka ulur kryet kurrë përballë të huajit pushtues; prandaj austriakët bëjnë mirë t’ia mbathin sa më parë, përndryshe do të lënë kockat, si shumë e shumë të tjerë para tyre, dhe as varret nuk do t’u gjinden kurrë. Na s’kemi pyetë për pashallarët e turkut, thotë plaku, jo më për kësi zgjebësash të vdekur urie, që do t’i kapim e do t’i veshim si gra, para se t’i ngulim në hunj e t’ua falim korbave.
Dom Marku, i cili e kupton mirë rolin e vet në këto negociata të improvizuara, i bën disa korrigjime të lehta fjalës së malësorit plak, gjatë përkthimit. Këto male, thotë ai, gjithnjë i kanë mirëpritur mysafirët, me bukë e krypë e zemër; dhe malësorët e këtushëm nuk e harrojnë kurrë rolin që ka luajtur Perandoria Austro-Hungareze në mbrojtje të katolikëve shqiptarë nën zgjedhën osmane, dhe më pas në njohjen e Shqipërisë si shtet i pavarur. Ia kemi një borxh të madh perandorit tuaj, thotë përkthyesi, aq sa nuk lahemi kurrë me të.
E merr fjalën kapiteni austriak, për të thënë se ai nuk ka kohë për kësi poemash romantike e lavdish folklorike, kur ushtarët e tij po vdesin urie; prandaj, i drejtohet përkthyesit, thuaj këtyre trogloditëve që të bëjnë gati misër, gjalpë, djathë, pula, dhi, dele, fasule e çfarëdo ushqimi tjetër që kanë, se përndryshe do t’ua djegim kullat e do t’ua rrafshojmë katundet me artileri e sa për legjendat, na rrofshin për dimër.
I kthehet prifti i urtë plakut kreshnik, dhe i thotë se kapiteni austriak, si të gjithë bashkatdhetarët e vet, ka dëgjuar për trimëritë e malësorëve të këtyre anëve, dhe është i mrekulluar nga mundësia që i jepet tani për t’i takuar drejtpërdrejt heronjtë e rrëfenjave që tregohen në atdheun e tij, brez pas brezi, për shqiptarët dhe luftrat e tyre për liri në shekuj.
Biseda vazhdon më tej, me përkthyesin gjithnjë në rolin e një lehtësuesi virtuoz të komunikimit, vaji lubrifikues për mekanizmat e marrëveshjes, ose katalizatori të mirëkuptimit. Me kalimin e kohës, inatet zbuten, gjakrat ftohen, burrat vijnë e mbushen me mirënjohje dhe mallëngjim për njëri-tjetrin, burrninë dhe historinë.
Në mbyllje të takimit, Dom Markut i bëhet detyra edhe më e lehtë. Thuaj zotit kapiten, i thonë pleqtë malësorë priftit plak, që ushtarët e tij këtu janë mysafirë të katundeve tona, dhe i kemi në besë. Të rrinë sa të duan, të kërkojnë çfarë të duan; do t’ua heqim fëmijëve tanë nga goja dhe do t’ua japim mysafirëve, sepse ne shqiptarët e këtyre anëve dimë ta nderojmë mikun. Thuaj malësorëve, i thotë kapiteni austriak Dom Markut, që ne vetëm pak ditë do të rrimë këtu dhe nuk do të bezdisim njeri, sepse nuk kemi ardhur si pushtues, por vetëm duam pak ushqime, për të cilat do t’i paguajmë me florinj. Në asnjë mënyrë, kundërshtojnë pleqtë; nuk duam të përmendet as flori, as shpërblim sepse na fyen të gjithëve – që nesër do t’ju dërgojmë mushkat me ushqime, dhe ushtarët të vijnë të flenë në kullat tona.
Paskëtaj, të gjithë ulen rreth votrës, për ta shijuar momentin…
Watzlawick, i cili e tregon këtë histori shumë më shkurt se ç’bëra unë këtu, mendon se përkthyesi, në këtë rast, e mundësoi komunikimin mes kampeve duke i thënë secilës palë çka kjo dëshironte të dëgjonte; dhe se, tek e fundit, krejt sjellja e tij mund të interpretohet si një lloj terapie grupi, e cila u kurorëzua me sukses të plotë, me gjithë premisat e gënjeshtërta.
“Traduttore, traditore”.
Po ti referohesh nje fakti te thjesht per ‘status’ sot te te dy paleve Austriak dhe malesor Shqipetar sheh: Austriaket ekonomikisht me mire se malsoret, sot dhe dje( mos ka lidhje edhe me kercenimin si rruge (metode), per te siguruar ate qe i mungonte, dhe e gjeten) Kurse malsoret nuk kane pasur dhe s’kane ate qe kane shume te tjere (te pasur) Por ndjene se c’duan ashtu si pas rastit (zakonisht miqesi, se varferine e tyre e thekson kendi i veshtrimit “austriak”).
Per nje gje nuk jame i orientuar mire se, cila eshte pala me e vjeter (trembur) ajo shqipetare apo ajo austriake?
Por nje gje dalloj se, po te mos jesh as nje pal, je te dyja, dhe ishte prifti, ai prift qe rrinte i pa zbuluar tek te dy palet, para nderhyrejes me ate pak gjuhe-ure qe lidhi interesin e paleve ne formen qe e shohim edhe sot.
Kurse tek një tregim i gjatë (apo roman i shkurtër) i shkrimtarit shumë të mirë spanjoll Javier Marìas (kandidat për Nobel – thonë – por tashmë të gjithë janë nga një çikë kandidatë për Nobel – përfshi edhe Bob Dylan-in), titulluar “Malanimo” (në Itali botuar nga Einaudi), situata me përkthyesin përmbyset ca. Këtu uni narrativ – një spanjoll – kujton ç’hoqi kur shërbente si përkthyes i Elvis Presley-it gjatë xhirimeve të filmit të Elvis-it “Idhulli i Acapulco-s”. Rrëfen pra që versioni i parë i filmit (jo ai që iu shfaq pastaj publikut) nuk u xhirua në Studios-et Hollywood-iane, por realisht në Meksikë. Aty, një fundjave, trupa shkon te një lokal i zonës. Elvisi bie menjëherë në sy, i afrohen ca femra lokale, dhe plas një sherr me mafjozë të zonës, xhelozë për Elvis-in. Nga të dy palët fluturojnë kërcitje dhëmbësh, batuta dhe të shara. Përkthyesi, në këtë rast, thjesht u përkthen të dy palëve batuat (përfshi edhe të sharat). Pastaj vetëtijnë thikat dhe amerikanët ikin, që sherri të mos degjenerojë edhe më. Në këtë moment nxitimi harrojnë, ama, të marrin me vete edhe përkthyesin. I cili bie në kthetrat e mafjozëve, që duan ta vrasin sakaq se i ka sharë nga nëna. Ai përpiqet t’u shpjegojë që thjesht përktheu fjalët që nxorrën nga goja amerikanët, por s’qe punë. Mafjozët i përgatisin arkivolin, sepse, sipas tyre, të sharat nga goja në spanjisht i nxorri ai (gjë që ishte e vërtetë!). Me një deus ex machina finale, pastaj, përkthyesi arrin në momentin e fundit ta shpëtojë lëkurën. Një vështrim ironik ky i Maraìs-it (vetë përkthyes i njohur në Spanjë i autorëve të gjuhës angleze) për rolin e pëkthyesit.
Ne fakt ne fakt, nuk do te thosha qe ai prifti perkthyes luajti rol zbutes, se zbutes do ishte qe te njejten fjali apo koncept ta transmetonte pak me bute.
Prifti e ka menaguar shume mire situaten, por duke i paraqitur palet perball njera – tjetres, komplet ndryshe nga ajo qe ata po prezantonin.
Por do doja te dija, se c’alegori sjell ky shembull qe sollet sot? Mos ate qe sot rolin e ketij prifti te mencur, duhet ta luaje dhe qeveria, per te zbutur egersite nacionaliste, etnike dhe militantiste mes paleve ne Shqiperi?
Ky eshte versioni i lumtur i historise.
Versioni tjeter eshte ai, per te cilin ushtria Amerikane i paralajmeron perkthyesit e saj ne Kosove; Kompleksi i Gjeneralit, me duket quhet. Perkthyesi gradualisht dhe pa kuptuar, fillon dhe identifikohet me te Perkthyerin (Gjeneralin) ne kete rast, dhe pas ca kohesh fillon ti jape urdhera gjindjes, tashme ne menyre te pavarur, dhe pa pranine e Gjeneralit.
Ushtria e SHBA-ve keshillon qe simptomat e para te kesaj gjendjeje, jane dhenia vehtes “liri”per te ndryshuar fjalet e Gjeneralit, ne pershtatje me situaten (e perceptuar) nga Perkthyesi. Ushtria, ofron disa dite pushim, ne rastet me te lehta, dhe pushim permanent nga puna per rastet e renda.
Meqë jemi tek përkthimet, cila është fjala shqipe për anglishten “pundit”, “surrogate”, si dhe “anchor”?
Dy të parat përdoren gjerësisht në fjalorin politik zgjedhor.
Ja edhe një kryevepër përkthimi nga akademikët shqiptarë:
Vërtetë, a kemi të bëjme me “Virtus, Scientia, Veritas” sikurse thotë Rektori, apo me Traduttore Traditore?
Nga faqja e internetit e Universitetit të Vlorës mësojmë në variantin shqip se:
Mesazhi i Rektorit
Eshte kenaqesi per mua t’ju shpreh mirseardhjen dhe urimet e perzemerta ne emer te Universitetit “Ismail Qemali” te Vlores. Universiteti i Vlores ka hyre ne nje epoke te re, ne nje stad me te larte ekselence.
Studentet do te gjejne tek Universiteti i Vlores nje staf te perkushtuar pedagogjik dhe programe mesimore bashkekohore te nje niveli mjaft te larte qe do do t’i pregatisin ata per t’u bere konkurues dhe drejtues te denje ne ekonomine globale. Ne ofrojme nje shumellojshmeri programesh ne shkencat ekzakte, shkencat inxhinjerike, ekonomi dhe biznes, mjekesi, turizm, shkencat juridike etj. Universiteti i Vlores eshte ne balle te gjithe universiteteve shqiptare persa i perket aktiviteteve shkencore. Motoja jone eshte “Virtus, Scientia, Veritas” (Virtyt, Shkence, Vertetesi). Ne punojme cdo dite duke pasur parasysh keto parime fisnike.
Ne mirepresim aplikime prej studenteve nga gjithe anet e botes qofshin keto aplikime per te marre nje diplome nga Universiteti i Vlores ose per te marre pjese ne programet tona bashkepunimi me universitete te ndryshme te botes. Stafi akademik vjen ne Vlore nga gjithe anet e globit per te dhene mesim dhe per te kryer kerkime shkencore ne nje ambjent te gjalle, plot jete, dhe te orientuar drejt se ardhmes sic eshte Universiteti i Vlores.
T. Shaska
Rektor,
Universiteti “Ismail Qemali” i Vlores
—
I njëjti mesazh në faqen anglisht tingëllon si më poshtë:
Message from the Rector
It is my pleasure to extend to you a warm welcome on the behalf of the University of Vlora. Our university has entered a new era, that of moving toward a new level of excellence. Our goal is to become one of the very best universities of the world.
Our plan of action is aggressive, quick, and drastic. We are offering new jobs and opportunities for young researchers and scientists who are eager to join our team.
Students will find at the University of Vlora a fully committed faculty and excellent programs which will prepare them to be leaders in the new global economy. We offer a wide variety of programs in sciences and engineering, business, medical sciences, etc.
We are always pleased to receive applications from students from all parts of the world, either to take all or part of their degree here or to participate in any one of our exchange programmes. Academic staff also comes here from all corners of the globe to teach and conduct research in an innovative, vibrant, and future-oriented environment.
T. Shaska
Rector, University of Vlora
=====
Virtus, Scientia, Veritas apo Traduttore Traditore?
That’s right:
Harvard, watch out… UV is coming!
Rrofsh Vlora Vlora!
Rrofsh, Vlora, që na e solle këtu këtë xhevahir.
Ty të ka bërë përshtypje marifeti në përkthim, dhe me të drejtë. Mua më duket, megjithatë, sikur përkthimi në këtë rast është bërë nga anglishtja në shqip, sepse teksti në anglisht ka pak si shumë tepër profka, për të qenë rezultat i një përkthimi; dhe tradhton një nivel idiotizmi që shqipja nuk e ka arritur dot akoma; duke shembëllzuar mënyrën më të shëmtuar të anglishtes së marketingut, e cila nuk mëton të ruajë ndonjë lidhje me të vërtetën, por vetëm të tërheqë vëmendjen ndaj ligjëruesit (autorit, folësit), nëpërmjet profkave (bullshit).
Citoj këtu e më poshtë nga teksti në anglishte:
Në çfarë epoke të re paska hyrë ky universitet, dhe cila është epoka ekzistuese, ose e vjetra? Sa dekada, në mos shekuj, paska ekzistuar ky institucion, që t’ia lejojë vetes të flasë për epoka të vjetra e të reja?
Një tjetër profkë e hatashme. Para se të bëhet një nga universitetet më të mira të botës, universitetit të Vlorës i duhet më parë të konkurrojë me universitetet e Gjirokastrës e të Korçës… pa folur për mizërinë e universiteteve të Tiranës. Kush do t’i besojë vallë këtij liliputi, që e mat veten me banorët e Brobdingnag-ut?
Natyrisht, kjo u duhej lënë të tjerëve për ta vlerësuar – meqë askujt s’i bëhet vonë se ç’mendon administrata e një universiteti për planet e veta të veprimit.
Universiteti do të përgatitë udhëheqës të ekonomisë së re globale? Po si do ta bëjë këtë, në kushtet e ekonomisë shqiptare? Cilët qenkan ata studentë me ambicje për t’u bërë leaders të ekonomisë së re globale, që vendosin të shkojnë për të studiuar në Universitetin e Vlorës? Do të mjaftonte ajo zgjedhje, për t’i skualifikuar, besoj unë; meqë të diplomuarit e një institucioni kaq të papërfillshëm shumë-shumë mund të pretendojnë të bëhen presidentë klubesh futbolli në Mal të Zi, ose drejtorë doganash në Xhibuti.
Ja më në fund edhe mbiemrat yje të anglishtes profkatare – innovative, vibrant dhe future-oriented. Tingëllon absurde të thuash për një universitet se është “innovative” – meqë njerëzit nuk shkojnë në universitet për të eksperimentuar, por për të mësuar dijen ekzistuese, solide dhe themelore; pa të cilën çdo risi ose innovation është veç aventurë. Tingëllon gjithashtu absurde të thuash se universiteti është “i orientuar drejt së ardhmes”, meqë unë nuk di ndonjë universitet që të jetë i orientuar ndaj së shkuarës ose së tashmes; meqë universiteti për vetë natyrën e vet i përgatit studentët për të ardhmen. Përndryshe, njëlloj do të ishte sikur të thoje për një muzeum se është past-oriented, ose për një gazetë të përditshme që është present-oriented… Sa për vibrant, ose këtë mbiemër kaq të shtrenjtë për multikulturalistët e të gjitha ngjyrave, unë kam frikë se një tempull i dijes që kërkon të jetë vibrant, nuk do të ishte vendi më i përshtatshëm për t’iu kushtuar studimeve, përveç antropologëve që mund të duan t’ia studiojnë mjedisin nga afër.
Dua edhe të shtoj këtu se mbiemri vibrant mua më kujton para së gjithash getot e metropoleve amerikane ku jetojnë emigrantë hispanikë e ku menuja e përditshme ofron një salcë të vetme: salsa. Në mendjen time vibrant përkthehet si tezga të rrëmujshme në rrugë të madhe ku shiten tacos dhe tortillas dhe tamales, muzikë e amplifikuar deri në elektroshok, vajza me barqe lateksi përjashta, djem me muskuj dhe tatuazhe të rëndësishme, gra të shëndosha kampione olimpike të celulitit me décolleté të pabesueshme, burra të vjetër që luajnë domino në trotuar duke i përplasur gurët me forcë titanike në tryezën e ndryshkur metalike, mega-familje matriarkale që shohin televizor përjashta teksa fëmijët eksplorojnë seksualisht njëri-tjetrin, adoleshentë që flirtojnë me SMS, edhe pse janë gjithsej 3-4 m larg shoku-shokut, sirena të shqetësuara të makinave të policisë dhe të ambulancave që vijnë të marrin pleqtë kur këtyre u bie dambllaja nga barbecues e shumta ku kanë marrë pjesë gjatë ditës, kalamaj që hapin hidrantet e zjarrfikësve për ta freskuar mjedisin me ujë të rrjedhshëm, gërvimat e qepenave të dyqaneve që mbyllen në shenjë fortifikimi, qen jargavitës pitbulls me qepalla të neveritshme bojërozë që nuhatin organe gjenitale gjithfarësh, plaka të lyera me trëndafil, që dalin për të përqafuar djalin e shtëpisë të porsakthyer nga burgu i Rikers Island.
Mirësevini, mirësevini – tha.
Ju falenderoj për analizën e mprehtë të mesazhit xhevahir në anglisht të Rektorit Shaska.
Kërkoj ndjesë nga ana tjetër për përcjelljen e mesazhit e Rektorit Shaska në shqip jashtë normave të standardit, por i tillë ishte në origjinal.
Me sa duket, Rektori i shumëkënduar – sikurse thotë edhe vetë – “punon çdo ditë duke patur parasysh parimet fisnike të Virtus, Scientia, Veritas” dhe nuk para ka fort nge të verë pikat mbi i dhe ë.”
Në këtë drejtim duhet theksuar se Universiteti i Vlorës nën drejtimin profesional të Rektorit Shaska, pa fjalë që do t’ia kalojë edhe vetë Universitetit të Harvardit, logoja e të cilit përmban vetëm VERITAS.
Me të drejtë ujku i zi e paralajmëron Harvardin e shkretë se ditët e vështira për të “paskëtaj vinë”…
Qesha gati me lot…
Mendoj se prifti me shume se zbutes, meritoi nje medalje austriake,sepse menjanoi masakrimin e austriakeve…
Prifti ne kete rast ka lujatur rolin e diplomatit si te malesoreve ashtu edhe njekohesisht te austriakeve , te dyja palet katolike , duke i bere malesoret te ‘paguajne’ borxhin shqiptar ndaj austriakeve.
Keta ndodheshin ne situaten e nje tufe ujqish ne mes te dimrit keshtu qe mund te themi se perkthyesi i ktheu ne njerez qe kerkojne mikpritje.
Imagjinoj se i njejti prift nese ne vend te austriakeve do kishin qene turq, por qe kerkonin mikpritje, do u kishte thene malsoreve se turqit kane ardhur per ti grabitur.
Interesante? Jo dhe aq.
Për të shkuar mbas brendisë duhet të sillja “Interpreter of Maladies” te Jhumpa Lampirit saje të cilit kjo fitoi dhe Pulitzer, por më pëlqen të kapem mbas titullit e të shkruaj për përkthyesit shqiptarë, shtyrë dhe prej disa rastësive.
Rendi i rastësive që më shtynë ta rimarr e ta rihap në drejtim tjetër “Përkthyesin shqiptar” është i tillë: disa ditë deri më dy-tre javë mbasi lexova për të (këtu) nisa të lexoja “Rrjetën e sigurisë” së Bëlit të cilit “Me syrin e një klouni” apo “Klounin” ja kam lexuar nën përkthimin e Ardian Klosit. “Rrjetën” e kisha lënë të pambaruar në një dollap që e hap çdo ditë pune që prej verës. Kam interes të veçantë për stilin gjë që nuk mund ta them për ngjarjen, e ndërprerjen e mendoj të dobishme. Bëli të njëjtën ngjarje në zhvillimin e saj e sheh prej syve të personazheve të ndryshëm dhe e tregon me zerat e tyre prej mendjeve të tyre. Sikur të kishte dalë prej Bëlit, thuajse të njëjtën rrugë morri dhe dueli i javës së shkuar tek “Shekulli” midis Adrian Klosit dhe Donika Omarit, mbi çensurimin e “Klouni-t” kur u botua së pari. Por ndryshe nga nobelisti, të cilit i duhen shtatë palë sy për të parë një ngjarje, “Shekulli” u mjaftua me dy dhe nuk përfshiu sytë e lexuesit (këtu e në vazhdim mendojeni edhe kritikut), të vetmit që mund të mbyllë katetet e trekëndëshit përkthyes, redaktor, lexues, të vetmit që kësisoj përcakton vlerën e secilit. Një vështrim këndrejtë i lexuesit do të ishte ideali, për të dalluar lirisht se me cilin është në kënd më të ngushtë lexusi, cili katet është më i madhi, thjesht kujt ai i falenderohet. Më i madhi patjetër që është autori, i cili kështu duket sikur mungon, por me një skemë a shabllon të tillë, ku lexuesi përcakton ne mund të shqyrtojmë dhe trekëndëshin autor, përkthyes/redaktor, lexues, atë: autor, botues, lexues dhe cilindo tjetër në mardhëniet midis atyre që na e sjellin librin para syve apo në veshë. Për rastin në fjalë nuk do bëj atë lexues që “Shekulli-t”, si media e pavarur i takonte ta botonte barabar me përkthyesin e redaktoren, por po shkruaj dhe rastësinë e fundit e cila ndodhi të premten në darkë e pastaj po kaloj tek një dyshe tjetër përkthyesash me respekt të ndërshoq për njeri-tjetrin e rrjedhimisht pa arsye për tu bërë objekt i “Shekulli-t”; rastësia është e tillë: një kitarist prej atyre që këndojnë në metro, me kitarë të çarë e të ngjitur me shirita, mu duk sikur kishte dalë nga “Klouni”, tek këndonte “little darling” në vagonin që me çoi në shtëpi.
***
Për të qënë në lartësinë e rastit, po shmang përkthyesit e rinj ende pa emër, e po sjell një dyshe përkthyesish sa të mirë aq dhe të njohur:
Njëri, atëhere Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve quhet Dritëro Agolli, tjetri, sot Drejtor i Bibliotekës Kombëtare quhet Aurel Plasari. Përkthimet e tyre janë nga poezia e Federiko Grasia Lorkës.
Agolli në librin me poezi “Udhëtoj i menduar”, (Shtëpia Boutese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1985) ka përfshirë dhjetë poezi të Lorkës e konkretisht:
1.Si e zunë Antonjito el Kamborion në rrugën për në Sevilie
2.Vdekja e Antonjito el Kamborios
3.Romanca e hënës, hënës
4.Romancë për Gardën Civile Spanjolle
5.Kënga e kalorësit
6.Memento
7.Të gjashtë kordat
8.Këngë budallaqe
9.Nju-Jorku
10.Presiosa dhe era
Plasari në librin “Poezi Spanjolle të Shekullit XX”, (Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1991) ka zgjedhur nga Lorka tetëmbëdhjetë poezi midis të cilave, pa ndjekur renditjen e librit veçoj:
1.Kapja e Antonjito el Kamborios rrugës për në Sevilje
2.Vdekja e Antonjito el Kamborios
3.Romancë e hënës, hënës
4.Romancë e Gardës Civile spanjolle
5.Nju-Jorku (Detyrë dhe denoncim)
Faktit të parë se që të dy kanë përkthyer dhe botuar pesë poezi të njëjta pesë vjet larg përkthimit nga përkthimi, po i shtoj dhe faktin e dytë se Dritëro Agolli është midis recensuesve të librit të Aurel Plasarit. Bashkëpunimi midis tyre mban firmën e Agollit në recension dhe citimin e tij prej Plasarit në parathënien me titullin gjetur bukur “Fjalë për fjalën në kohë”. Këtu nuk bëhet fjalë për censurë.
Përkthimi i të njëjtave krijime ka një histori të bollshme në letrat shqipe. Ndodh që kemi deri mbi gjashtë përkthime për një krijim; kështu me sonetet e Shekspirit, poezitë e Eseninit, etj. Duhen mirëkuptuar përkthyesit shqiptarë, herë të largët në kohë nga njëri tjetri (përkthimet mbas Nolit), herë të largët në mjedise e gjuhë (përkthyesit e burgut), e herë në sinqeritetin ala Kokona që, përktheu sonete për të mësuar gjuhën, apo të sotmit për të plotësuar veprat e censuruara. Kur përkthyesit kanë qënë bashkëkohës, duhet vlerësuar gara mes tyre sepse lexuesit i jepet më e mira por edhe sepse është vetë lexuesi ai që hyn në proçes duke shquar më të mirin. Por hej, nuk mund të rri pa i kujtuar përkthyesit, se lexuesi kërkon të renë të cilën bota e ka me shumicë. Duhet të tërheqësh zvarrë lexuesin për të blerë një libër që ai e ka lexuar të përkthyer prej dikujt tjetër, apo dhe prej teje vite më parë. Ndërsa ti fshehesh lexuesit lëndë të vjetër në lëndën e re, kur ai të ble, ky veprim ka një emër të rëndë, me shumë sheqer quhet komercializëm. Lexuesi shqiptar është i pakët, por edhe i varfër, ai nuk ka as lluksin e te nxjerrit të librit në trotuar kur i zverdhen fletët, as të pasjes së çdo varianti përkthimi. “Largimi i tij prej librarive” që në fakt është hyrja dhe dalje e tij me duar bosh prej librarive, vjen dhe sepse ato janë mbushur plot me ribotime e botime paralele me çmime të larta, e rrallë me atë për të cilën lexuesi lutet.
Po ju kthehem përkthimeve nga Lorka, prej nga kam shkëputur vargje prej secilës nga pesë poezitë, prej Agollit së pari e Plasarit së dyti.
Nga e para:
Në orën nëntë të mbrëmjes
Atë e futën në burg,
Ndërsa patrulla xhandare
Pinte diku limonatë.
Ishte ora nëntë e mbrëmjes
kur e flakën në qeli,
ndërsa jashtë pesë gardistët
limonatë në akull pinin.
Nga e dyta:
Kur lumi rënkonte si demi,
Plagosur nga yjtë,
Kur demat dremitnin e flinin,
Zërat e vdekjes kumbuan
Pranë Guadalkivirit.
Kur yjet hedhin shigjeta
përmbi ujët e përhimtë
kur qengjat motakë ëndërrojnë
manushaqet në çair,
Kumbuan zërat e vdekjes
Buzë lumit Guadalkivir.
Nga e treta:
Erdhi hëna në farkë
me shalën e saj prej nardi.
Vogëlushi e ndiqte me sy,
vogëlushi sytë s’ia ndante.
Me fustanembajtëse zambaku
hëna përmbi farkë zbriti.
Djali sytë ja ka ngulur,
djali nuk po ia shqit syte.
Nga e katërta:
O qytet i ciganëve
Me kënde flamurësh,
Me hënën dhe kungullin
Plot me reçelin e vishnjes.
Oh, qyteti im cigan,
me flamurë zbukuruar!
Hëna, kungulli dhe qershia
Nëpër qypa konservuar.
Nga e pesta:
Çdo ditë në Nju-Jork vriten
Tre milionë rosa,
Pesë milionë derra,
Dy mijë pëllumba- gjella e preferuar
E këtij qyteti që përpëlitet në agoni, –
Një milion lopë,
Një milion deshë
Dhe një milion këndesë
Që mëngjeseve qiellin shponin me këngë.
Çdo ditë vriten në Nju Jork
Katër milionë rosa,
Pesë milionë derra,
Dy mijë pëllumba për ata që janë në grahma,
Një milion lopë,
Një milion qengja
Dhe dy milionë gjela
Që qiejt copë e thërrime i lënë.
Interesante? Jo dhe aq.
Përkthimet e mësipërme, bëjnë pikërisht të kundërtën e asaj për të cilën janë nisur, ata i sjellin një konfuzion të tillë lexuesit prej të cilit i vetmi shpëtim është leximi i origjinalit. Pa zënë në gojë vlerat artistike, lexuesi përballet me një situatë qesharake. Ai nuk di në janë dema apo qengja motakë, në hëna erdhi me shalë prej nardi a fustanmbajtëse zambaku, nëse në Nju Jork vriten tre milionë rosa, një milion deshë dhe një milionë këndesë siç përkthen Agolli apo katër milionë rosa, një milion qengja dhe dy milionë gjela, siç përkthen Plasari.
Po shkoj të mbaroj “Rrjetën.”
Por ajo qe nuk e paska cekur as xhaxhai as folesit e tjere eshte se SHQIPJA KA NJEFARE PROBLEMI me kete çeshtjen e “perkthimit”. Sepse ajo ka vetem nje fjale : PERKTHYES, per dy gjera te ndryshme qe jane :
1. te perkthesh dy foles.
2. te perkthesh nje shkrim.
Per te dyja keto, shqipja jone perdor fjalen “te perkthesh”, dhe ai qe e ben kete quhet “perkthyes”. Mirepo, gjuhet e tjera e kane zgjidhur ndryshe kete pike. Le te marrim frengjishten e cila thote keshtu :
1. ai qe perkthen GOJARISHT dy njerez qe flasin ne dy gjuhe te ndryshme, quhet INTERPRETE.
2. ai qe perkthen me shkrim nje tekst (roman, dokument, apo ç’te jete) quhet TRADUCTEUR.
Prifti ne fjale nuk ishte perkthyes por interpretues. Dhe ne nje rast interpretimi, kuptohet qe shtremberimet mund te jene shume te medha (kujto ketu shtremberimet e perkthimeve te bisedave te Enver Hoxhes me revizionistet sovjetike, Gjerasi e ka ngrene nga kjo…). Kurse ne rastin e perkthyesit te mirefillte, ai qe ka si bashkebisedues vetem nje shkrimtar te gjalle apo te vdekur, i cili i flet atij nepermjet librit, dhe nje lexues te ardhshem qe perkthyesi as nuk e njeh e nuk e di, shtremberimet jane tejet te demshme dhe aspak te keshillueshme.
Por per kete te fundit, kushedi kur i vjen koha te flasim, mbase kur te kemi perballe ca dinosaure te perkthimit te stervjeteruar dhe, me falni per shprehjen, te qelbur [per shijen dhe per njohurite e mia] shqiptar.
Të lutem shih përgjigjen time këtu:
PËRKTHYES I PËRKTHYER