Brenda mureve të një shteti si Shqipëria totalitare, modeluar sipas institucionit arketipal të burgut, invokimi i arratisjes do të shndërrohej vetvetiu në një nga ato tre ose katër rituale imagjinare të kujt ende shpresonte e kërkonte t’ia gjente vetes identitetin në kundërvënie ndaj regjimit gjithshtypës. Si ndërmarrje e konsumuar e tëra brenda mitit, i shkatërronte protagonistët me dramën që sillte me vete; teksa njëlloj si tragjeditë klasike nyjëtohej e tëra rreth dilemave të jetës dhe të vdekjes, të egoizmit dhe të vetëmohimit, të lirisë dhe të përgjegjësisë, të thyerjes dhe të përkuljes. Edhe pse relativisht pak njerëz orvateshin përnjimend të kalonin përtej, herezia e arratisjes kish bërë vend në mendjet e të gjithëve, qoftë edhe vetëm hajmali për t’u mbrojtur ndaj përçudnimit prej diktaturës.
Caku për t’u kapërcyer
Shqipëria e djeshme ishte truall i rrethuar madje i përkufizuar me gardhe armiqësore: zonat ushtarake, rezervatet e gjahut për udhëheqjen, objektet e rëndësisë së veçantë, vilat qeveritare, hotelet e të huajve, blloku i mbjellë si katund i mbrapshtë në zemër të kryeqytetit, kangjellat e ambasadave, muret e larta e të dysta të burgjeve si kështjella… Të jetoje në atë kohë donte të thoshte edhe të mësoje, mi në labirint, si të gjeje rrugën mes asaj marramendjeje gardhesh. Hapësira e shqiptarit mbaronte, virtualisht, në vijën e kufirit shtetëror; atje ku niste joShqipëria ose trualli i përtejmë, vendi gjeometrik i armiqësisë ku e kishin ngritur fushimin hordhitë rrethuese të sulltanëve të imperializmit dhe të revizionizmit ndërkombëtar. Kufijtë e shtetit shqiptar nuk ishin aq vija imagjinare në hartat, sesa bedena të kështjellës totalitare; ndërsa për ne, të brendshmit, shenjonin përmasat e lirisë që na ishte lejuar, ose të qelisë ku vuanim dënimin që prej lindjes.
Lindja dhe rilindja
Thuhej se shumë nga ata që vendosnin të arratiseshin, nisnin të stërviteshin me kohë; duke iu ngjitur malit rregullisht në rast se kërkonin të iknin në rrugë tokësore; duke notuar distanca të gjata paralel me bregun verës në plazh, në rast se kishin ndërmend të ndiqnin rrugën ujore. Qarkullonin histori të tmerrshme të zhdukurish që i kishin gjetur të ngrirë grykave, ose që i kish nxjerrë dallga në breg, ngecur e mbytur në rrjeta peshkimi ose me frymën të thithur deri në fund nga të ftohtit, rrymat e pabesa dhe vorbullat e thellësisë. Qarkullonin edhe histori të tjera, për trima që e kishin kaptuar detin të lyer kokë e këmbë me zift, për ta bërë lëkurën të papërshkueshme nga uji ose të padukshme ndaj prozhektorëve të kufirit. Kishte gjithnjë diçka heroike e të pashembullt në këto kapërcime natën, diçka nga burrnitë e qëmotit, kur njeriu e gjente domethënien e vetvetes në dyluftim me të pamundurën; sikurse kishte diçka nga dhimbjet e lindjes, të kujt e refuzonte tashmë fatalitetin e të qenit lindur në skllavërinë totalitare dhe kërkonte një shans të dytë, sado të dhimbshëm e të pagjasë, për të qenë i lirë.
Ikja dhe vdekja
Arratisja ishte edhe një bast i pafavorshëm me vdekjen: jo vetëm nga të ftohtët e qafave, era me borë dhe rrëshqitjet në rrëpira; as vetëm nga humbja e orientimit natën në ujë ose kafshimi i ngërçit; por sidomos vdekjen prej plumbave, ose më keq akoma, nofullave të heronjve. Të vrarët i zvarritnin ndonjëherë fshatrave të lidhur pas mushkave ose gazit të degës, për t’u kallur tmerrin atyre të tjerëve që ende mund të shpresonin, ose të përgatiteshin për momentin e përshtatshëm; të kapurit ua tregonin turmave, që këto të zbaviteshin pak duke i pështyrë ose qëlluar me gurë e domate; pastaj ua jepnin në dorë gjyqtarëve të popullit, që t’i dënonin përsëri me vdekje. Shpenzimet e pushkatimit, në atë rast, i përballonte shteti. Edhe në ato pak raste fatlume, kur të ikurit ia dilnin të kapërcenin matanë, arratisja përsëri do t’i detyronte, mizorisht e pashmangshëm, ta përjetonin vdekjen paprerë, sepse ikja nga Shqipëria totalitare ishte edhe ndarje për së gjalli me nënë e babë, fëmijët, gruan, shtëpinë, lagjen, shokët, të dashurën, gurët, peizazhin aq ngushëllues nga dritarja e dhomës, kundërmimet e mëngjesit, erën e druve të djegur në dimër, heshtjen e rrugës në muzg. Kush ka qenë i pranishëm në përqafimet e fundit, do ta ketë kuptuar sa afër flenë dashuria me mortin.
Tabutë e hyrje-daljes
Banorët e besuar të zonave kufitare ishin porositur të raportonin, në organet përkatëse, për fytyrat e panjohura që u zinte syri; udhëtarët që ndaleshin për të ngrënë ndonjë vezë të fërguar në mensë të kooperativës, ose që pyesnin se ku të çonte monopati, me akcent të huaj, të përtejmë, “kosovar”. Vigjilenca revolucionare ia kalonte edhe sistemeve të sotme të lokacionit e të mbikqyrjes satelitore. Ka pasur vetmitarë që i kanë denoncuar thjesht ngaqë u ka ardhur erë e mirë, ose ngaqë kanë blerë ushqime në dyqanin e artikujve të përzier: biskota, qumësht kutie, sardele, ndonjë çokollatë të zbardhur e shkërmoqur. Xhevdet Mustafën, po të gjykosh nga reliket e ekspozuara më pas në Muzeun e Ministrisë së Brendshme, duhej ta kishin tradhtuar atletet e bardha voluminoze, që e flisnin anglishten me theks edhe më amerikan sesa zëri i Zërit të Amerikës mbrëmjeve. Zonat kufitare ishin vendet ku e njohura përballej me të panjohurën, ose vija e parë e frontit të padukshëm të luftës që i kish shpallur historia gjeografisë. Supozohej se kush kërkonte të hidhej përtej do të avitej atje paraprakisht gjoja si ekskursionist ose pushimtar në kampe të amortizuara punëtorësh ose pacient llixhash praktikisht të shteruara e të përthara, për të studiuar terrenin e për ta krahasuar me hartat sekrete lënë trashëgim nga të parët ose blerë me florinj të Zogut; sikurse dyshohej se të njëjtat shtigje të ndaluara mund të përdoreshin nga të infiltruarit: diversantët, sabotatorët, agjentët e inglizit, spiunët, terroristët. Sipas më paranoidit ndër skenarët, të arratisurit do të ktheheshin nga e njëjta rrugë që kishin zgjedhur për të ikur, por tashmë të armatosur gjer në dhëmbë, për të përmbysur pushtetin popullor. Hyrja dhe dalja shndërroheshin kështu në dy pamje të ndërkëmbyeshme të të njëjtit gjest të ndaluar; arratisja dhe kundër-arratisja në të njëjtën orvatje subversive, për të trazuar rendin e sendeve.
Tradhti apo sfidë supreme?
Në kushtet e rrethimit imperialisto-revizionist, arratisja nga kështjella do të pikturohej, prej propagandës totalitare, si akt suprem i tradhtisë ndaj atdheut; madje fëmijëve të shkollave u thuhej se të arratisurit përfundonin të gjithë në kampe paraushtarake, ku stërviteshin në pritje për momentin kur do të dërgoheshin përsëri në Shqipëri, me urdhrin për “të bërë terror”, si banda e Xhevdetit në Rrogozhinë kinse për të na vrarë “komandantin”. Regjimin e tmerronte natyra tmerrësisht e kulluar e refuzimit politik që fshihej pas gjestit të arratisjes; e cila ndryshe nga atentati ose rebelimi i hapur ndaj pushtetit nuk ishte e dhunshme, as kërkonte gjak, por vetëm sa nyjëtonte, me kthjelltësi të admirueshme, përbuzjen totale të individit çfarëdo ndaj pompozitetit, krekosjes dhe vetadhurimit të shtetit. Vetëm ashtu mund të shpjegohet edhe dënimi, krejt i shpërpjesëtuar, që u jepej të kapurve në kufi; vetëm ashtu mund të lexohet paranoja me të cilën patrullohej kloni, mizëria e prozhektorëve dhe qenve frymëqelbur; mijëra kilometrat e telave me gjemba; mijëra vargjet e përdëllyera që u mësoheshin fatosave e pionierëve për heroizmin e kufitarit, kur ky ia numëronte shkelësit plumbat në ballë.
Pengu i përndjekjes
Guximi për t’u arratisur ishte edhe guxim për t’u përballur me idenë se ikja jote do të pasohej pashmangshëm nga dënimi, përndjekja, nëpërkëmbja e familjes sate, të afërmve, shokëve dhe miqve. Që nga momenti kur ti do të kaloje përtej, arratisja jote do të shndërrohej në faktorin përcaktues themelor të jetëve të gjithkujt kishe dashur ti në atë botë. Vdekja jote simbolike do të përkthehej në torturë të dyfishtë – të mallit për ty, por edhe të dhimbjes përballë dhunës shtetërore të pashkak. Regullisht, arratisja nyjëtohej udhëtim i dyfishtë, e në të dy rastet përtej horizontit të së përditshmes – i arratisuri drejt lirisë, familjarët drejt internimit. Praktika e përndjekjes politike të familjarëve të të arratisurit ishte kufitari më i mirë, në shërbim të politikës totalitare të mbylljes; më syshqiponjë se efektivi i postës e më vigjilent se qeni, më depërtues se prozhektori e më shklyes se teli me gjemba. Dhjetëra-mijëra shqiptarë kanë refuzuar të orvaten të arratisen jo aq nga frika e vrasjes nga arma ose dhëmbi kanin në kufi, sesa nga tmerri i përfytyrimit të familjarëve të vet në internim. Të tjerë, të shtyrë nga dëshpërimi, e ndonjë edhe thjesht nga egoizmi i shfrenuar, janë kujtuar për dramën që kanë lënë pas vetëm më vonë, kur e kanë kuptuar se liria kësisoj e fituar ishte e zbrazët nga brenda, si fjalë e zbrazët nga domethënia.
Pseudo-arratisja
Për kë udhëtonte jashtë Shqipërisë me detyrë “zyrtare” dhe vendoste pastaj të qëndronte atje, opinioni i të heshturve ndahej më dysh, pse nuk e kompensonte dot vetëdijën për dramën e të mbeturve pas me lehtësinë e të kërkuarit strehë në vendin mikpritës. Nga arratisja e bujshme e Tedi Papavramit, në vitet 1980, mbahet mend më shumë pikëllimi i njerëzve për fatin e të afërmve të tij mbetur në Tiranë. Ndoshta për të njëjtën arsye, arratisja edhe më e bujshme e Ismail Kadaresë në vjeshtë të vitit 1990, sado e shfrytëzuar taktikisht nga kundërshtarët e regjimit Alia, nuk u përcoll me ndonjë farë simpatie nga publiku përndryshe aq besnik i këtij autori në atdhe. Letërsia dhe kultura shqiptare paskëshin qenë me fat, që Kadareja nuk e ndërmori ikjen në kohë të tjera, kur ky gjest do të kish pasur impakt dramatik në jetën shqiptare dhe në jetën e shkrimtarit vetë; sepse një Kadare i mbetur në Francë nuk do të kish prodhuar dot kryeveprat për të cilat i detyrohemi sot të gjithë – prozat e viteve 1980. Megjithatë, vendimi i kujtdo për të mos u kthyer nuk mund të paragjykohet sot, sikurse nuk mund të paragjykohej atëherë; vetëm drama mund të përfytyrohet, netët pa gjumë, dhimbja për fatin e të afërmve, dhe më e frikshmja nga të gjitha: pendimi.
Zhytja drejt së ardhmes
Jo rastësisht, fundi Shqipërisë burg iu lajmërua nga arratisja masive, në korrik të vitit 1990, e mijëra shqiptarëve, që kaluan kufirin simbolik të ambasadave, për t’u strehuar në limbot e oborreve ekstra-territoriale e për të brohoritur “Liri-Demokraci” që andej, duke konfirmuar ironikisht frikërat e regjimit ndaj arratisjes si akt me rrezikshmëri politike të lartë, në mos fatale, për sundimin policor të vullneteve të ndrydhuna. Njëlloj ironikisht, kjo arratisje kaq masive e spektakolare nuk u krye në gjeografi, ose në skajet e territorit, por në simbolikë, ose në vrimën e lavamanit mu në zemër të shtetit; pikërisht atje ku gjeopolitika globale projektohej, sipas një logjike kartografike të vet, në planimetrinë e Tiranës. Në pamundësi për të kapërcyer kufijtë materialë të shtetit, shqiptarët zgjodhën të arratisen drejtpërdrejt nëpër hartë, duke e kapur krejt makinerinë e dhunës totalitare në befasi; sa kohë që një djalosh të kacavarrur në kangjellat e ambasadës gjermane nuk mund ta masakroje me bajoneta e zinxhirë si vëllanë e tij, në mjegullat e Gramozit ose në baltovinat e Pogradecit. Ironia e krejt situatës, që në atë kohë ende përjetohej nga të gjithë ne si dramatike, u përmbyll e u kurorëzua në momentin kur shteti vetë u vuri në dispozion të ikurve një kortezh autobusash, për t’i përcjellë drejt portit të Durrësit; duke u bërë “palë” në arratisjen e tyre – thuase gjendja në Shqipëri ishte bërë kaq e pamundshme për t’u përballuar, sa edhe Ramiz Alia vetë do t’ia kish mbathur me miletin, për t’u tretur në anonimitetin post-komunist të viteve 1990 me të tjerët…
Eh ç’na kujtove kohera te vjetra, Xhaxha, tamam ashtu ka qene, nje burg i madh….roja kufitare me misionin paradoksal te ruajtjes se kufirit vetem nga “te brendshmit”, dhe aspak nga “te jashtmit”, se c’do te kerkonin atje keta te fundit? Kromin e Martaneshit dhe hekur-nikelin e Pishkashit? Po keshtu e paskan totalitaret: shpikin armiq e rrethime gjithandej. Ashtu jane edhe Koreja e Veriut apo Myanmari sot, ashtu qene edhe vendet e tjera te Lindjes dikur, megjithese me variacione ne diapazon te gjere.
Sa per ato arratisjet e 1990, duhet thene se efekti s’qe aq i madh sepse ndodhen ne kohen kur shembja e regjimit ishte ne prak te deres, ose po ta themi me fjalet e komandantit tone te lavdishem, s’ishte me “aspirate e perspektive, por problem i shtruar per zgjidhje” bile zgjidhje urgjente. Jo vetem Muri kish rene, po edhe Caushi kish perfunduar i pushkatuar ne hendek.
Perfytyroni sikur futja masive ne ambasada ose ikja e Ismailit te kish ndodhur jo me heret por me 1988. Atehere kushedi c’do qe bere! Mbase regjimi do kish mbijetuar, sic kish mbijetuar edhe Fideli pas ikjes masive te kubanezeve permes ambasades kolumbiane shume vite me pare.
Por pasojat afatgjata them se do kishin qene ndryshe.