Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Politikë

VESHKA SHKIJESH APO PSYOPS?

Zhurma shurdhuese rreth disa rrëfimeve të Carla del Ponte-s në librin e vet të fundit “La Caccia”, për kinse trafikimin e organeve të të burgosurve serbë nga UÇK-ja, nuk lejon që të kuptohet mirë se për çfarë është fjala pikërisht; meqë si edhe herë të tjera, një takëm pseudo-patriotësh duan ta shfrytëzojnë edhe këtë rast për të treguar se sa të gatshëm janë për t’u kacafytur me mullinjtë e erës, në favor të çështjes shqiptare. Ndërkohë, memi i mbjellë nga Del Ponte tashmë ka depërtuar në kaosin primordial të informacionit, dhe publiku e ka pranuar si të vërtetë diçka që as gënjeshtër nuk e quan dot; ose një amebë narrative që po shtohet e shumohet falë edhe inercisë perceptive të ligjërimtarëve publikë shqiptarë, shpesh robër skemash interpretative naive, pothuajse aritmetike.

Sipas këtij memi, që nuk është doemos i njëjtë me çka ka rrëfyer Del Ponte në librin e vet, në kohën e trazirave në Kosovë gjatë viteve 1999-2000, UÇK-ja paska transferuar në Shqipëri të burgosur serbë të Kosovës, të cilët janë trajtuar në një klinikë rudimentare në një shtëpi fshati diku në Mat, pastaj u janë marrë organet, që janë trafikuar pastaj me avion drejt një klinike në Turqi, nëpërmjet aeroportit të Rinasit.

Sa të ngjarë ka që të ketë ndodhur diçka e tillë?

Dihet se trafiku kriminal i organeve për transplantim është një business mjaft fitimprurës, sidomos për organizatat kriminale që luajnë rolin e ndërmjetësve midis donatorëve dhe pacientëve që kanë nevojë për organet. Sipas një raporti të WHO të para disa vitesh, sekserët ose ndërmjetësit kërkojnë diçka midis 100,000 dhe 200,000 dollarë amerikanë për transplantim, në një kohë që çmimi i një organi të dhuruar, zakonisht veshkë, luhatet nga 5000 në 1000 dollarë amerikanë.

Përsëri sipas këtij raporti, në vitin 2003 është zbuluar nga policia, në Afrikën e Jugut, një klinikë ilegale ku brazilianë të vobegtë ofronin organet përkundrejt parave të pacientëve izraelitë të kamur. The Christian Science Monitor pat shkruar një reportazh për këtë çështje, i cili e përshkruan mirë dinamikën e transaksioneve në fjalë.

Megjithatë, në raste si këto dhuruesit gjithnjë kanë vepruar me dëshirën e tyre, të joshur nga pagesa relativisht e mirë që u ofrohet për organet.

Përkundrazi, vjedhja e organeve, ose heqja me forcë e tyre nga trupi i viktimave që nuk kanë dhënë pëlqimin për kësi operacionesh, nuk është vërtetuar kurrë dhe konsiderohet si legjendë urbane, edhe pse ka shërbyer tashmë si temë e së paku dy filmave të mirënjohur. Ka të dhëna se Kina është përzier në trafikimin e organeve të të dënuarve me vdekje që janë me shumicë në atë vend, edhe pse autoritetet atje pretendojnë se të dënuarit i kanë dhuruar organet me vullnetin e tyre.

Në një kontekst të tillë, sikur të zbulohej se në Shqipëri ka pasur një klinikë për vjedhjen e organeve, kjo do të përbënte rastin e parë në botë të verifikimit të një krimi të kësaj natyre.

Skenari i insinuar nga “informatorët” e Del Pontes është problematik edhe ngaqë si rregull në praktikën e transplantimeve të paligjshme, heqja e organeve nga dhuruesit bëhet në të njëjtën klinikë ku edhe kryhet transplantimi, pse mendohet që krimi i organizuar nuk i ka (ende) mundësitë që t’i bashkërendojë veprimtaritë e çiftimit të organeve si spitalet dhe klinikat e mëdha shtetërore ose private, sidomos në rrafshin global.

Prandaj, edhe sikur të ketë ndodhur diçka e tillë me persona të nxjerrë nga Kosova, është më afërmendsh që këta persona të jenë transportuar ende të praprekur drejt klinikës ku do t’u përdoreshin organet; dhe që, sipas informatorëve të Del Pontes, ekzistonte diku afër Stambollit dhe përdorej nga pacientë të pasur nga vendet e Gjirit Persik.

Në një artikull të para pak ditësh, NZZ shpjegonte se hetimin për këtë farë krimi e kishin nisur një grup gazetarësh perëndimorë të mirënjohur për gazetën, të cilët nuk kishin arritur dot të provonin gjë dhe kishin refuzuar pastaj të shkruanin për diçka që nuk mund ta mbështetnin me fakte:

Die von Del Ponte erhobene Anschuldigung basiert mit grosser Wahrscheinlichkeit auf den Recherchen eines Teams erfahrener westlicher Journalisten,die dieser Zeitung bekannt sind. Laut diesen unbewiesenen Angaben wurde in der Ortschaft Burell im Norden Albaniens eine unbekannte Anzahl Gefangener der UCK festgehalten. Es soll sich bei ihnen um Serben, Kosovo-Albaner und Roma gehandelt haben. Diese Informationen sollen von einem Angehörigen der Rebellen stammen, der die Gefangenen transportiert haben soll. Zwischen dem Sommer 1999 und dem Sommer 2000 sind, immer laut diesen unbewiesenen Informationen, offenbar über 100 Gefangenen Organe entnommen worden. Es handelte sich nach dieser Darstellung um ein regelrechtes «Ausschlachten» der Gefangenen. Die entnommenen Organe sollen anschliessend auf den Flughafen Rinas bei Tirana transportiert worden sein. Dieser liegt in knapp drei Stunden Entfernung von Burell. Weiter seien die Organe nach Istanbul transportiert worden und in einer unmittelbar beim dortigen Flughafen gelegenen Privatklinik den dort vorbereiteten Empfängern implantiert worden. Bei ihnen soll es sich mehrheitlich um wohlhabende Patienten aus Golfländern gehandelt haben.

Die recherchierenden Journalisten sollen in Burell das Haus ausfindig gemacht haben, in dem diese Operationen angeblich stattgefunden haben. Ebenso wollen sie wissen, dass die sterblichen Überreste der «ausgeschlachteten» Patienten im örtlichen Friedhof beigesetzt worden seien. Weiter kamen die Journalisten bei ihren Recherchen nicht. Sie sollen in der Folge ihre Informationen an das Haager Uno-Tribunal weitergeleitet haben mit der Bitte um Zusammenarbeit. Ihr Interesse war es, dass die in dem Friedhof vermuteten Leichen im Auftrag des Haager Tribunals identifiziert worden wären. Ohne diese Verifikation war das Journalisten-Team nicht bereit gewesen, die sehr ernsthafte, aber nur bruchstückhaft bekannte Anschuldigung öffentlich zu machen.

Edhe Del Ponte, në librin e vet, e pranon se hetimet e kryera me inciativën e saj nuk dhanë ndonjë rezultat, pavarësisht nga disa shishe ilaçesh dhe garza mjekësore që u gjetën në oborr të shtëpisë në Burrel.

Artikulli i NZZ saktëson edhe që, mes këtyre personave të zhdukur e që, pas gjase, ishin përdorur për t’u vjelë organet, kishte serbë, romë dhe shqiptarë prej Kosove, çka bie ndesh me pretendimet e propagandës serbe se paska qenë fjala për një operacion të natyrës politike ose raciale. Përshtypja ime është se, të paktën në trajtat që u hetua prej gazetarëve që përmend Del Ponte, operacioni duket më tepër si i ndërmarrë prej Mafias ndërkombëtare, e cila mund të ketë përfituar nga kaosi në Shqipërinë e asaj kohe, për të ngritur një bazë ndërmjetësimi diku në afërsi të Rinasit.

Nga ana tjetër, shifrat prej 100-200 mijë dollarë për veshkë e ndoshta edhe më të larta për organe më jetike tingëllojnë jashtëzakonisht joshëse për mafiozët pavarësisht nga feja, kombësia dhe raca; dhe me financime kësisoj gjithçka është e mundshme, madje edhe në Burrel.

Sidoqoftë, e për mendimin tim, këtu ngatërrohen së paku tri gjëra të ndryshme: (1) zhdukja e personave në një zonë lufte dhe spastrimi etnik; (2) përzierja, në trafikun e organeve, e krimit ndërkombëtar të organizuar; (3) operacione gjysmë legale të kryera në territorin shqiptar nga ana e UÇK-së ose e amerikanëve (p.sh. spitale për mjekimin e të plagosurve, ose qendra për marrjen në pyetje të “terroristëve”).

I ka ditur Del Ponte këto gjëra? Natyrisht që i ka ditur, aq më tepër që insinuimi për një klinikë për vjelje organesh nga robërit e luftës në territorin shqiptar përbën një unicum, ose shtegun drejt një dosjeje krimi që, sikur të ishte provuar, do t’i kish dhënë Del Pontes famë ndërplanetare.

Po nëse i ka ditur, atëherë ç’kuptim ka përmendja e këtyre gjërave në një libër të vonuar, dhe botimi i këtij libri menjëherë pas shpalljes së pavarësisë nga Kosova?

Unë s’i përgjigjem dot kësaj pyetjeje, por jam shumë i tunduar ta konsideroj gjestin e Del Ponte-s si pjesë të një PSYOPS-i që ka për qëllim të manipulojë opinionin publik në Ballkan dhe gjetiu në botë, në lidhje me fenomenin Kosovë. Për këtë më bën të dyshoj jo vetëm afëria me një legjendë urbane tepër aktuale dhe me impakt emotiv të drejtpërdrejtë, por edhe fakti që kjo histori e rrëfyer nga Del Ponte përzien të vërteta me të pavërteta, në mënyrë të tillë që të vërtetat mund të dalin në shesh tërthorazi gjatë kohës që përgjënjeshtrohen të pavërtetat. Kjo don të thotë edhe që një operacion i tillë manipulues nuk ka aq të bëjë me kosovarët e me serbët drejtpërdrejt, sesa me lojëtarë të tjerë madhorë të pokerit ballkanik…

Pse PSYOPS pikërisht?

Së pari, natyra jashtëzakonisht folklorike e rrëfenjës për grabitje organesh në kohë lufte, së cilës tashmë i është vërtetuar pjellshmëria dhe forca mbijetuese në terren. Sa më tepër shndërrohet rrëfenja në psikozë, ose në një copëz jetime informacioni që u futet njerëzve në pavetëdije pa u përpunuar ende nga vetëdija, aq më tepër funksionon grabitja e organeve si kryemetaforë për gjymtimin fizik të njerëzve të pafajshëm, të kapur nga një konflikt i pamëshirshëm; duke ofruar njëkohësisht, sado absurde të duket kjo, një arsye disi të pranueshme ose sado pak qetësuese për vdekjen ose zhdukjen e atyre mijëra viktimave, shqiptare dhe serbe, të luftës në Kosovë. Mendja njerëzore do të bëjë të pamundurën, për t’ia gjetur një arsye vdekjes; meqë vdekja e rastësishme, pa arsye, është tepër tronditëse dhe fyese për t’u pranuar.

Së dyti, vetë paraqitja e rrëfenjës në mënyrë të tillë, që vërtetimi i fakteve të bëhet sa më i pamundur, për shkak të distancës në kohë, mungesës ose frikësimit të dëshmitarëve, dhe shtresëzimit të burimeve; meqë vetëm fakte të varura pezull midis përgënjeshtrimit dhe verifikimit mund të ushqejnë më së miri legjendat urbane, të tilla si historitë për UFO-t, ose helmimet masive të popullsisë, ose fantazmat, ose satanizmin, ose grabitjen e fëmijëve, ose krimet me sfond seksual. Nëse është kështu, PSYOPS-i i zhvatjes së organeve do të ketë nisur që me vizitën e Del Pontes te shtëpia e verdhë në Shqipëri.

Pala shqiptare duhet të tregojë kujdes të veçantë në reagimet e veta, për të mos u bërë vegël e verbër e këtij PSYOPS-i, por për t’u përpjekur që t’ia shfrytëzojë momentum-in në favorin e vet. Për fat të keq, kjo kërkon një lloj urtësie që deri më sot duket të na ketë munguar; dhe dëmin më të madh po e shkaktojnë rrahësit e gjokseve patriotike, ose shprehësit profesionistë të indinjatës; ose të gjitha ato barishte të këqia që po përfitojnë nga e drejta e fituar rishtaz, për të vegjetuar lirisht në kopshtet e fjalës publike.

14 Komente

  1. Kjo don të thotë edhe që një operacion i tillë manipulues nuk ka aq të bëjë me kosovarët e me serbët drejtpërdrejt, sesa me lojëtarë të tjerë madhorë të pokerit ballkanik…

    U ndodha ne parlament te enjten ne seancen e paradites dhe deputeti Frrok Cupi foli me teper pathos duke shpresuar te kishte ndonje gazetar te AFP apo Reuters aty verdalle per te shenuar indinjaten e tij.

    Sidoqofte, nqs mendon vertet si me siper atehere, po te dergohet argumenti me tej, del qe del Ponte ben lojen e Rusise, ose e ben thjesht per te treguar perbuzje, rracizem/snobizem vetjak (qe nder Zvicerane nuk mungon) ndaj Ballkanasve ne pergjithesi.

    Le te mos harrojme qe ky liber flet me shume per Serbet e Serbine dhe i akuzon haptaz ata per mospasje vullneti per te kapur kriminelet e tyre te luftes. Ndoshta eshte thjesht ky fakt pas te cilit Serbia eshte kapur per te mbytyr zhurmen me te potershme qe mund te shkaktonte libri i Del Pontes po te mos permendesh Burreli.

  2. Qafir, unë vetëm mendoj se Del Ponte nuk është aq naive sa të mos e përfytyronte reagimin që do të sillte ky pasazh në rrëfimet e saj. Nëse e ka futur në libër, e ka bërë me një qëllim të caktuar, që s’ka të bëjë me dëshirën për të vendosur drejtësi, meqë drejtësinë mund ta kishte vendosur kur ishte në krye të punëve si gjykatëse. Nga ana tjetër, nuk kam absolutisht arsye të mendoj që Del Ponte ka pasur ndonjë krizë shpirtërore të shkaktuar nga ndjenja e fajit ndaj serbëve, sikurse e kanë komentuar disa; ose është gdhirë anti-shqiptare, sikurse e kanë komentuar disa të tjerë, që sinqerisht më lodhën me naivitetin e tyre. Me metodën e përjashtimit, nuk mund veçse të arrij në përfundimin që pasazhi i Del Ponte-s është pjesë e një operacioni psikologjik të shkallës shumë të gjerë, që ka për qëllim të ribalancojë raportin e forcave midis tre faktorëve që janë sot të pranishëm në Ballkan: SHBA, Europa e Bashkuar dhe Rusia. Megjithatë, siç e thua ti, serbët e shfrytëzuan shumë mirë këtë, për të zhvendosur vëmendjen nga krimet e tyre të panumërta e të pashembullta e të pakrahasueshme me ato që mund të kenë bërë shqiptarët. Çështja është nëse do të mund ta shfrytëzojnë dot edhe shqiptarët në favor të tyre, në vend që të ngrihen e të bëjnë qepaze Del Ponten nëpër forume?

  3. Për librin e Del Ponte-s dhe rrëfimet që ai përmban mbi kinse vjelje organesh diku në Mat, unë u informova nga ky blog. Përndryshe as do të më kish tërhequr vëmendjen libri me në kopertinë fytyrën e autores që zë metra të tërë katrorë në libraritë e qytetit tim. Tipike për një libër që duan ta shesin e s’e shesin dot. Ishte kështu tek “Feltrinelli”. Idem 100m më tutje, tek “Mondadori”. Këtu bile e kishin vënë në seksionin “Filosofia”. Problemi që kam është që, për dreq, transplantimi i organeve është buka e përditshme e veprimtarisë që unë bëj. Ke parë ti po qendra ku unë punoj merret … pikërisht me transplant veshkash. Doni tjetër: unë njoh edhe Matin. Dikur ndaloja shpesh në Burrel. Në fakt punoja “një çikë” më tutje, në Dibër. Mbaj mend njëherë na u prish autobuzi i linjës dhe mbetëm në Burrel. Ishim “vetëm” 100km nga Tirana (d.m.th. 4 orë e gjysëm). Mbas 6-7 orësh, kur autobuzi u shpall përfundimisht i pariparueshëm, unë me 3-4 pasagjerë të tjerë “guximtarë” i trokitëm në derë, në një nga ato apartamentet anonimë të qendrës, kryetarit të komitetit ekzekutiv të rrethit dhe i thamë, gjithë ton, pakashumë që “ne ishim kuadro të Partisë që punonim në zonat veriore dhe donim të ktheheshim disa ditë me leje në shtëpi por kjo nuk po bëhej e mundur, ngaqë i vetmi autobuz “disponibël” ishte prishur”. Atëhere shoku kryetar u impenjua dhe pas disa orësh na dërgoi një autobuz tjetër dhe pas disa orësh të tjera arritëm më në fund në Tiranë. Nejse, tani më thoni ç’të bëj:

    1) Ta blej librin dhe kur të arrij tek faqet në fjalë të ulëras me të madhe sa të tremben fëmija, komshinjtë të lajmërojnë policinë, urgjencën, gjykatën e Hagës…
    2) Të mbledh firma në departament nga “ekspertë trapiantologë” që e gjithë kjo histori, parë me sy eksperti, është për t’u gajasur dhe t’i dërgoj një letër proteste autores, shtëpisë botuese, dreqit dhe të birit…
    3) Të rri urtë e të mos flas po s’më ngacmuan, siç bëri dikur Prof. Skënder Luarasi. Diskutohej me zjarr në Akademinë e Shkencave mbi Haxhi Qamilin, pas studimit që kishte nxjerrë shoku Enver mbi këtë figurë revolucionare. Të gjithë akademikët, sigurisht, mbronin tezën e Enverit. I vetmi që nuk po fliste ishte Prof. Luarasi. Mirëpo kjo i bënte përshtypje të gjithëve, sepse Prof. Skënderi ishte i papërtuar në çdo diskutim shkencor. Mirëpo ai hiç. Më në fund, dikush mori guximin dhe e pyeti: “Po ju, Prof. Skënderi, ç’mund të na thoni për figurën e Haxhi Qamilit?”. Dhe ai, pa ju dridhur qerpiku: “E ç’të flas, u qelb atmosfera me emrin e tij!”

  4. Me vjen keq po me mjaftoi titulli qe te mos i hyja fare e ta lexoja kete shkrim!

    Nuk me intereson fare sa te verteta jane ato qe thote Del Ponte, edhe pse per ato qe tha ndaj serbeve, i ngritem te gjithe lavde pa e diskutuar fare vertetesine e tyre!

    Ajo qe me rendon eshte titulli i ketij artikulli qe shkruhet nga nje person qe pretendon se ben gazetari transparente dhe te nje niveli te larte!!

    Me falni “xhaxha” po me ate titull ju tregoni ne radhe te pare se nuk jeni njeri!! Ciletdo qe te ishin ata njerez civile, le te ishin dhe rome, apo dhe zezake te shtreses me te ulet te Afrikes , mbi te gjitha ata mund te kene qene njerez, dhe asnjehere nuk duhet trajtuar nen kshu titujsh kjo teme!!

    Kjo qe po beni ju perforcon ne fakt ato qe thote Carla Del Ponte! Imagjinoni sa budallenj tregohemi me keto qe bejme! Shkruajme kshu titujsh, dhe bejme te njejten gje qe beri dhe prokurori (idiot) shoqerues i Del Ponte qe kish thene “..dhe nese kane qene serbe mire ua kane bere” …!!!

    Kaq dhe titutjt e tille,mjaftojne per te treguar barbarizmin tone te papare njerezor, dhe rrit shume ndjeshem mundesine qe ne te jemi dhe autore te nje krimi te tille!!

    Se si pretendojme te dalim “engjej” pas ketyre menyra te shprehuri, vetem nje psikolog do ta shpjegoje dhe do te na jape direkt kartelen per kurim te rende!!!

  5. VP, titulli është ironik. Në titull u referohem të gjithë atyre që faqet e librit të Del Pontes i kanë përfshirë në ulërimat e tyre kombëtariste primitive e që i quajnë serbët ‘shkije’, me shpresë se duke i quajtur ashtu po i luftojnë. Prandaj fjala ‘shkije’, në këtë blog, përdoret vetëm në citime ose në ligjëratë të drejtë; përndryshe nuk e ka të drejtën e qytetarisë. Shpresoj që herën e ardhshme t’u qasesh shkrimeve të mia me mençuri më të madhe – sepse këtu nuk je në forumet e “Korrierit”. Megjithatë, të falënderoj që ma dhe rastin për këtë sqarim, meqë kam frikë se edhe të tjerë mund ta kenë interpretuar titullin ashtu.

  6. @xhaxha!
    Te me falni se jam ne orar te punes, dhe lidhur me shkrimin e mesiperm do te te pergjigjem pasdite, me shenime.
    Tani po ju jap vetem nje replike te vogel lidhur me “Korrierin”

    Nese me keni pare te reagoj edhe me ndryshe ne ate gazete, ka qene sepse eshte ne radhe te pare turp per vete ate blog, qe lejon lloj lloj njerezish te hyjne e te fyejne direkt e personalisht njerez deri ne fyerje qe nuk i ngre asnje mendje njerezore.

    Mua kjo me ka ndodhur, vetem dhe vetem se kam patur mendim diametralisht te kundert, dhe ne thelb e pranoj qe ne aspektin politik, jam komplet ANTI-BERISHE!!

    Shpresoj ta keni vene re qe blogun tuaj e kam vleresuar, dhe kam dhene mendimin tim, edhe pse jo gjithmone “dakort” pa shkaktuar as fyerje as ngacmime direkte personale.

    Pra ju vleresoj qe kujdeseni dhe ruani nje nivel diskutimi qytetar ne kete blog, dhe ju falenderoj qe konsideroni qofte dhe nje mendim te shprehur me indinjate.

    Shkrimin tuaj e lexova dhe do t’ju jap opinionin tim se shpejti.

  7. Cfare hataje. Dmth. libri paska vetem nje spekullim te shkurter mbi trafikun e organeve dhe nje pjese e mire e tij eshte per pengesat qe Del Ponte ka hasur me shtetin Serb per gjykimin e krimineleve te luftes. Pra e gjithe zhurma behet per nje pasazh te vetem mbi krime hipotetike e te paprovuara. Dhe ne Serbi ferkojne duart…

    Jam shume kurioz te di se kush e katapultoi pasazhin e famshem ne vemendjen e mediave te huaja. Me duket se ishte B52 apo jo?

    Edhe vete mediat e huaja kane ketu nje lloj pergjegjesie sepse jane shume te gatshme te marrin seriozisht cdo gje qe perforcon imazhin e shqiptareve si te dhunshem e te paskrupuj. Aq me teper qe tek pasazhi si viktima te ketij krimi hipotetik nuk permenden vetem serbet por edhe vete shqiptaret e romet.

  8. Në një lajm të AP, thuhet se ministri i Jashtëm shqiptar Basha paska deklaruar dje sa vijon, në lidhje me librin e Del Pontes: “Na vjen keq që një ish kryeprokurore ndërkombëtare paska shkruar një libër plot sajime dhe absurditete, të cilat janë jo vetëm imorale, por edhe shpifëse.”
    Gabim, gabim dhe përsëri gabim! Një deklaratë të tillë mund ta kish lëshuar Milosevic, po të ishte gjallë; ose ndonjë prej qehallarëve të tij të luftës në Ballkan – por jo ministri shqiptar… Dhe kjo thjesht ngaqë libri i Del Pontes, me sa më thonë, i kushton vetëm një faqe skandalit të supozuar të trafikut të organeve, ndërsa pjesa tjetër e librit merret me krimet, këtë radhë të provuara, të palës serbe.
    Nga ana tjetër, nuk besoj se Del Ponte ka gënjyer në libër, as që ka shpikur ose shpifur. Mëkati i saj është që ka sjellë atje akuza të paprovuara, të cilat i ka mësuar vetëm ngaqë roli i saj në atë kohë ishte të dëgjonte akuza të tilla; sikurse ishte edhe që t’i ndiqte, për të parë sa qëndronin. Pra, Del Ponte ka gabuar nga pikëpamja e etikës profesionale; por jo ngaqë ka shpikur dhe ka sajuar.
    Siç e kam thënë edhe më parë, madje disa herë, e vetmja rrugë për t’iu përgjigjur këtyre akuzave është të deklarohet disponueshmëria totale për një hetim të ri ndërkombëtar, nga ana e organizmave përkatëse. Mohimi i menjëhershëm është reagim instinktiv, madje primitiv; sepse një diçka negative nuk mund të provohet.
    Dhe meqë jemi në këtë temë, një shpjegim për motivet që e shtynë Del Ponten të shkruajë për çështjen e trafikut të organeve e jep Heikelina Verrijn Stuart, një juriste holandeze eksperte e Gjykatës së Hagës: “Del Ponte ishte xhindosur me refuzimin e amerikanëve për të bashkëpunuar me të, në hetimin e anëtarëve të UÇK-së,” tha ajo në një intervistë dhënë RFE/RL. “Prandaj i përdori këto histori të pista krimesh të frikshme si ilustrim. Ashtu vërtet e kaloi masën.”

  9. Atehere po i kthehem mendimit tim lidhur me shkrimin tuaj. Se
    pari, une ve re qe i gjithe shkrimi ka tendencen e nje mohimi kategorik te asaj
    qe dyshon Del Ponte. Une nuk pajtohem dot me kete, sepse deri me sot nuk kam
    gjetur asnje asnje arsye perse duhet te perjashtoj shqiptaret nga te qenit edhe
    autore te veprave te tilla kriminale. Pa u marre fare me “hetime” apo analiza
    per kete ceshtje konkrete, ne pergjithesi nuk kam si te pretendoj qe nga
    shqiptaret dalin te gjithe pa perjashtim engjej dhe vetem engjej, kur kam
    perdite nje fakt qe me flet me uleret perpara syve.

    Cili fakt? Ja kjo qe dite per dite lexojme per krime te renda te bera nga
    shqiptare ndaj shqiptareve. Besoj se ju pak me shume se une ndoshta, do ju kene
    ngelur ne mendje ato kronika super te zeza, per krime te stilit “e torturoi
    nenen shtatzene gjithe naten deri sa vdiq” apo ” e lane ne debore te vdiste duke
    kerkuar nje pike uje” etj.etj. qe nuk eshte vendi t’i ripermendim. Kshu qe vetem
    duke u nisur nga ky fakt, une sikur ne vite te flitet per pafajesi, nuk kam si
    te besoj qe UCK-ja na paska qene kaq engjellore si ushtri, se sot dhe psikologu
    e sociologu me i thjeshte, di qe rastet per lufte dhe per t’u angazhuar ne
    lufte, i presin me padurim sidomos edhe njerezit e lindur e te etur per krim dhe
    gjak!

    Prandaj nese duhet qe te mos manipulohet opinioni ne publik lidhur me fenomenin
    Kosove sic thoni, ne radhe te pare e kemi ne ne dore kete, me qendrimin qe do te
    mbanim! Dhe qendrimi me dinjitoz do te ishte qe te hetonim e dyshonim dhe ne si
    fillim per kete, e pastaj te “krecenim” perpjete se na paskeshin qene te gjithe
    engjej te zbritur nga qielli. Me kete qe po bejme ne tani, duke perfolur vetem
    nje paragraf te vogel te Del Pontes qe i referohet edhe pales tjeter pra
    shqiptareve, kur dikur i kemi ngritur lavde, pa hedhur piken e dyshimit per ato
    qe thote per Serbine, ne jemi te paret qe i treojme opinionit publik te shkolluar dhe te
    zgjuar se kush jemi ne fakt!

    Le te mos e quajme “…Skenari i insinuar nga “informatorët” e Del Pontes..” po
    le ta konsiderojme me ndershmeri kete fakt te nje prokuroreje qe do te jete
    asnjanese, dhe te mendohemi njehere pastaj ta tundim ate tere kohes para syve te
    publikut, te atij publiku qe na kupton sapo na shikon si nderrojme fytyre e
    ngjyre sapo thuhet dicka qe ne e marrim “kundra nesh” dhe jo “gabimi jone”

    Keto pra ishin mendimet e mia, dhe me vjen keq qe te gjithe shqiptaret pa
    perjashtim behen pre e graces qe e ka emrin “nacionalizem” dhe humbasin logjiken
    dhe cdo gje qe ka te beje me gabimet nga te cilat duhet te messojme, apo po ne
    kete gracke, i kemi mbushur mendjen vetes se jemi te pagabueshem, se jemi
    engjej, jemi te perkryrer, vetem se ajo . .. ajo bota perendimore e ky publik i
    shkolluar e i zgjuar, qe keto problemet meskine te nacionalzimave i ka kaluar
    shekuj me pare, qe ka patur shtet e legjislature shekuj me radhe, qe ka patur
    institucione te ngritura per shekuj me radhe, joooo ne ne jemi te perkryerit, qe
    dhe sot ne 2008 s’kemi arritur te tregojme qe dime te ndertojme shtet, e jo me
    demokraci e transparence etj.etj.

    Gjithe te mirat, dhe shpresoj ta besoni qe vertete e lexova me vemendje shkrimin tuaj

  10. “Na vjen keq që një ish kryeprokurore ndërkombëtare paska shkruar një libër plot sajime dhe absurditete, të cilat janë jo vetëm imorale, por edhe shpifëse.”

    Eshte e veshtire te mos ti vesh ndonje epitet te merituar ministrit te jashtem qe vetem si diplomat nuk ka vepruar. Po nejse nuk ka shume faj sepse jane reflekset qe te krijohen nga politikeberja ne Shqiperi. Bile qenka treguar i bute se s’ja paska kthyer me thenie te tipit “Kam te dhena te sigurta qe Del Ponte ka pallate dhe konto ne Zvicer te dhururara nga Koco Kokedhima etj.”

  11. Transplantimi i organeve kërkon një infrastrukturë spitalore të cilët shqiptarët nuk e kanë disponuar asnjëherë, kështu që spekulimi që shqiptarët paskëshin vjedhur organet e të burgosurve të luftës së Kosovës e më pas i kanë vrarë ata është një teori konspiracioni vetëm me forcë jo të vogël sugjestive për këdo i cili është i predispozuar t’i shohë shqiptarët me dyshim si një faktor i integruar në Evropën (e krishterë) dhe vetëm kaq.

    Në këto rrethana reagimi institucional shqiptar i vetëm do të kishte qenë vënia në dispozicion e të gjitha instrumentet kombëtarë institucionalë për të të hedhur dritë mbi të vërtetën, duke hetuar për gjetjen e kësaj të fundit në bashkëpunim të ngushtë e të hapur me organizmat ndërkombëtare të interesuara. Prokuroria e Përgjithshme do të duhej të kishte filluar menjëherë hetimin dhe të kishte ftuar menjëherë si dëshmitarë pretenduesit e këtij fakti. Del Ponte do të duhej marrë menjëherë në pyetje me cilësinë e dëshmitares. Madje ekziston një detyrim ligjor për fillimin e hetimit kryesisht, megjithëse bëhet fjalë për një vepër penale kundër personit, pasi në rastin konkret e drejta e shkelur është liria e një grupi njerëzish për të disponuar lirisht mbi integritetin e tyre anatomik; grup i karakterizuar si të tillë për arsye kombësie (serbë), race (roma) apo politike (shqiptarë të një mendimi tjetër nga vija politike e UÇK-së). Dyshimet e Del Pontes tregojnë se në Shqipëri në atë kohë mund të jetë kryer krimi i gjenocidit, vepër penale e ndëshkueshme në bazë të legjislacionit shqiptar të vlefshëm në atë kohë (Kodit Penal dhe marrëveshjet e ratifikuara nga RSh).

    Për shkak se viktimat, por edhe autorët e veprës penale do të duhet të ishin të shtetësisë jugosllave dhe sot të asaj serbe dhe kosovare do të duhej që në hetimin e çështjes të përfshiheshin si prokuroria serbe ashtu edhe ajo kosovare. Prokuroria e Përgjithshme do të duhej të kishte ndërmarrë menjëherë veprimet e para procedurale, në mënyrë që çështja të mos u lihej në dorë spekulanteve. Kjo do të ishte mënyra e vetme se si reagon një shtet serioz por edhe i mençur për ndëshkimin e keqbërësve si dhe në rast të trillimeve për zbardhjen e të vërtetës e cila njëkohësisht do të ndihmonte për të mbajtur imazhin e Shqipërisë në këtë çështje të pastër. Pra pas lajmit të parë të vijonte menjëherë ai i dyti; pra që Tirana ka filluar menjëherë hetimet, që ka ftuar në to si Prishtinën ashtu edhe Beogradin, dhe që një prokuror po udhëtokërka për në Buenos Aires për të marrë në pyetje Del Ponten si dëshmitare (atje më duket se është kjo).

    Shqipëria nuk e pa të udhës ta bëjë një gjë të tillë sepse Tirana zyrtare është më tepër e interesuar të shfaqet të nesërmen publikisht në çfarëdo ekrani televiziv me një përgënjeshtrim butaforik, pasi vetëm dalja atje konfirmon ekzistencën dhe konsistencën politike dhe dalja menjëherë në televizor me një deklaratë është forca e vetme lëvizëse në skenën politike shqiptare. Tirana zyrtare është injorante, arrogante, fodulle dhe joprofesionale. Prokuroria e përgjithshme është pjesë e atij teatri rokoko të pushtetit të rrondokopëve politikë shqiptarë. Ministri i jashtëm shqiptar është një ish-nëpunës i zakonshëm i Kombeve të Bashkuara, me një arsimim juridik të zakonshëm (që edhe ky do të duhej të kishte mjaftuar, për t’i ndezur në kokë dritën e alarmit, se çështja duhet hetuar vetëm në rrugë institucionale), pa asnjë përvojë politike serioze, pa shtyllë kurrizore politike, pa profil profesional, pa personalitet dhe integritet personal politik.

    Është patur thënë se politika shqiptare nuk e ka të zhvilluar instinktin për të vepruar paraprakisht, por di vetëm të reagojë, që përsëri është vetëm gjysma e të keqes, në rast se kjo ndërmerret profesionalisht. Siç duket tashmë është shurdhuar edhe ky instinkt.

  12. Jam me ty, GH; një ministër i Jashtëm dinjitoz duhej të kishte thënë diçka të tillë si:
    “Më vjen keq që një pasazh i izoluar i librit të zonjës Del Pontes po përdoret nga mediat për të anashkaluar temën kryesore të atij libri, ose hetimin e krimeve e luftës në Jugosllavi gjatë viteve 1990, ku dihet se pala shqiptare e shihte veten zakonisht në rolin e viktimës, siç e kanë vërtetuar katërcipërisht edhe hetimet e kryera nga vetë kryeprokurorja e Hagës. Shqipëria gjithnjë është treguar e gatshme për të bashkëpunuar me institucionet e drejtësisë ndërkombëtare, siç ka ndodhur edhe me përpjekjet e admirueshme të zonjës Del Ponte, së cilës i kemi ofruar disponueshmërinë tonë totale në hetimet e saj. Të njëjtën gatishmëri duam ta shprehim me forcë edhe tani, në rast se organizmat ndërkombëtare, ose organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Serbisë do ta shohin me vend të rihapin hetimin e këtij trafiku të supozuar kriminal organesh në territorin e republikës shqiptare, për të cilin qeveria ku unë bëj pjesë dhe institucionet e drejtësisë së shtetit shqiptar po hapin menjëherë e gjithsesi një proces hetimor të vetin.”
    Për fat të keq, ministri i improvizuar Basha është treguar në nivelin e një zhgarravitësi anonim të forumeve të “Korrierit” dhe forumeve të tjera online, ku pështyma, sharja, fyerja dhe veza e prishur funksionojnë si argumente të arsyetuara. Nuk i bën dot me faj pastaj të tjerët që e kanë të vështirë të marrin seriozisht një ministër të tillë dhe qeverinë që ai përfaqëson.

  13. Nje pyetje te vogel sepse jam shume kurioz. Pasazhi i famshem i trafikut te organeve u katapultua tek mediat perendimore nga mediat serbe apo ishte nga pjeset qe vete Del Ponte kishte zgjedhur per t’ja paraqitur mediave paraprakisht (para daljes se librit ne treg) per promovimin e librit?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin