Forumet e diskutimeve në Internet janë në thelb komunitete virtuale, të cilat realizohen dhe riprodhohen, sikurse komunitetet reale, në bazë rregullash, herë eksplicite herë të nënkuptuara.
Forumet janë si rregull të hapura për këdo, dhe shumë pjesëtarë të komunitetit përftohen si të tillë duke e ndërtuar reputacionin në bazë të veprimtarisë së tyre brenda forumit – çfarë thonë, kujt i drejtohen, kur flasin e kur, përkundrazi, heshtin; çfarë gjuhe përdorin (dialekt apo formale); në çfarë temash specializohen etj. Në këto rrethana, është afër mendsh që barazitizmi, në trajtën e vet si mostolerim i pabarazisë, të vijë e të shndërrohet në një tipar themelor të forumeve.
Barazitizmi nuk është vetvetiu i lidhur me Internetin dhe ndeshet rëndom sidomos në komunitetet e provincës, ku lidhjet horizontale mes pjesëtarëve të komunitetit kanë përparësi ndaj lidhjeve vertikale; dhe lubrifikimi i marrëdhënieve ndërvetjake më i rëndësishëm sesa shtysa vertikale e ambicjes ose diferencimi meritokratik.
Mjedisi virtual i një forumi në Internet vetëm sa i rafinon këto premisa; meqë anonimiteti aty shërben si katalizator i barazisë.
Ngjashmërinë midis forumeve të tilla dhe mendësisë tipike për qytetin e vogël të provincës e ilustron edhe i ashtuquajturi Ligj i Jante-s, që e ka marrë emrin nga qyteti fiksional danez me të njëjtin emër, i përshkruar në një roman të autorit norvegjez/danez Aksel Sandemose. Shtjellimin e ligjit më poshtë e kam marrë nga Wikipedia.
Ligji i Jante-s konsiston në dhjetë porosi:
1. Mos kujto se je ndokush.
2. Mos kujto se je aq i mirë sa ne.
3. Mos kujto se je më i mençëm se ne.
4. Mos e kujto veten më të mirë se ne.
5. Mos kujto se di më shumë se ne.
6. Mos kujto se je më i rëndësishëm se ne.
7. Mos kujto se ke ndonjëfarë vlere.
8. Mos qesh me ne.
9. Mos kujto se po i bëhet kujt vonë për ty.
10. Mos kujto se ti mund të na mësosh neve ndonjë gjë.
Më pas në roman, Sandemose i shton këtij dekalogu edhe një porosi të 11-të, të formuluar si pyetje:
11. Vallë nuk të shkon ndonjëherë mendja se ne dimë diçka për ty?
Porosia e njëmbëdhjetë tingëllon si kërcënim për të gjithë ata që guxojnë të shkelin dhjetë rregullat e para.
Sociologët mendojnë se ky lloj barazitizmi u jep qëndrueshmëri komuniteteve të vogla, edhe pse me kusht që t’ua presë hovin të gjithë atyre që kërkojnë të shquhen njëfarësoj, të bëjnë përpara, të kujtivojnë ato dhunti e talente që i dallojnë prej të tjerëve, të shndërrohen në atraktorë të vëmendjes dhe, mundësisht, të admirimit të publikut ose turmës.
Në forumet shqiptare të Internetit, barazitizmi tradicional provincial shqiptar lulëzon në rrethanat e reja, jashtëzakonisht të favorshme, të garantuara nga anonimiteti, ose mungesa e gardheve në komunikim. Brenda këtyre mjediseve virtuale, ligji i Jante-s është edhe shprehje e përpjekjeve që bëjnë forumet për t’u vetëmbrojtur e për të mbijetuar në kohë, meqë mbijetesa e komuniteteve të tilla varet, tek e fundit, nga gatishmëria e një numri kritik pjesëtarësh për t’u përfshirë gjallërisht në diskutimet.
Për komunitetet shqiptare, të cilat me përkufizim ngrihen mbi lidhje të supozuara të “racës”, ose lidhje më reale të “gjakut kulturor”, ose të një trashëgimie të përbashkët memesh, një tjetër faktor ndikues në identitet është edhe evoluimi i tyre drejt vëllazërive; të cilat pastaj rrezikohen prej obsesionit për të mbetur “të pastra,” duke zbuluar e demaskuar “armikun” brenda e duke përfunduar të njëjtësuara me këtë veprimtari, shpesh frenetike, higjienizimi. Megjithatë, e pavarësisht nga riadresimi ideal tek gjaku, stërgjyshët ose e shkuara e përbashkët edhe vëllazëria është një formë barazitizmi dhe themelohet mbi lidhje horizontale.
Shenja kryesore që një forum i tillë është bërë i vetëdijshëm për veten ose ka fituar vetëndërgjegje, është denduria e përdorimit të përemrit ne në ligjërata për t’iu referuar forumit, si forcë që i kundërvihet individit; veçanërisht kur ky i fundit mëton të shquhet duke vënë në diskutim vetë rregullat ose parimet mbi të cilat është ngritur dhe funksionon forumi; ose rebelohet ndaj konformizmit si të tillë, pavarësisht nga vlera e vërtetë e kauzës për të cilën lufton.
E keqja, në këtë rast, është se komuniteti virtual degradon në një veprimtari vetëriparuese të pandërprerë; dhe pjesëtarët kujdesen para së gjithash për mirëmbajtjen e maskave, ose të roleve që i kanë dhënë vetes.
Kontradikta midis maskës së mirëmbajtur dhe anonimitetit barazimtar zgjidhet vetvetiu, sa kohë që ky apo ai rol nuk perceptohet si kërcënues për vëllazërinë. Aq më tepër që rolet priren të stereotipizohen, meqë ekzistenca e tyre nuk i përgjigjet ndonjë nevoje të mirëfilltë të subjektit ose të komunitetit vetë (forumi mund të ketë një specialist për çështje të mjekësisë, por ky nuk është se gjendet aty për të shpëtuar jetë njerëzish).
Të vetmit pjesëtarë forumesh që arrijnë të shquhen sistematikisht në kontekste të tilla, janë pikërisht ata që tregohen veçanërisht të zellshëm në imponimin e ligjit të Jante-s, ose të frymës së barazisë anonime; interpretët – herë të sinqertë e herë demagogë, herë djallëzorë e herë fanatikë, herë priftërorë e herë policorë – të bonsens-it, vlerave tradicionale të grupit, urtësisë së popullit, vijës së masave.
Paradoksi i kësaj dukurie ka të bëjë pikërisht me pamundësinë ose edhe mungesën e dëshirës për të zbatuar, ndaj këtyre enforcers të ligjit, porositë e ligjit vetë; çka do të thotë edhe që, në komunitetet provinciale ose versionet e tyre virtuale, imponimi kërcënues i barazisë është edhe një mënyrë – sado tinëzare – për ta rikthyer pabarazinë në format groteske të populizmit.
atraktorë=terheqes? Nuk e di pse nuk me vjen mire ky llaf, aq me teper qe mund te krijoje idene e kundert te asaj qe dehiron te shprehe, sidomos po u nda a-traktore, ku a- mund te jete prefiks mohues.
Lulian, nuk di nëse ka ndonjë fjalë shqipe që ta zëvendësojë këtë. Përkufizimi anglisht është: “region on the domain of a dynamical system that attracts all nearby states”; tërheqës përdoret si i barasvlershëm me attractive, por atraktori është tjetër gjë.
“region on the domain of a dynamical system that attracts all nearby states”
… e. g. a black hole, or more fatally so, Jante’s Law – s`e mora vesh qarte, Xha xha, idene e ketij shkrimi. U rrek te tregoje perfundimin e thene ne fund se “pabarazia rivendoset pikerisht mbi format groteske te populizmit?”
C`perfundim tjeter mund te nxjerrim nga kjo? Qe edhe ne forumet virtuale, ashtu si ne shoqeri, diskursi dhe bashke me te statusi i pjesemarrsve “denigron” drejt hierarkise dhe domosdoshmerise se afirmimit ne “ne” dhe “ata?” S`me duket dukuri patjeter shqiptareske…
LT, ne kalojmë shumë kohë në komunitetet virtuale, i njohim mirë në praktikë; prandaj më duket me interes të eksplorohet nëse një komunitet virtual mund të përdoret si model i një komuniteti real dhe sidomos si mund të ndihmojë ky model. Nuk kisha ndërmend të dalloja as të përshkruaja ndonjë gjë veçanërisht “shqiptare” në këto komunitete, edhe pse tani që e përmende mund të të them se niveli i komuniteteve shqiptare virtuale, sidomos të atyre që nuk moderohen, është përgjithësisht i ulët, në kuptimin që mund t’u qasesh e t’i studiosh si të ishin fole grenxash ose tufa korbash në një lëndinë ose graffiti në një nevojtore publike ose forma agresive të kancerit të lëkurës; po përndryshe nuk ke ç’mëson prej tyre. Për këtë nuk mund të bëhet me faj pikërisht ligji i Jante-s; por më tepër nivelimi nga poshtë ose forca e papërballueshme e vulgaritetit.
“prandaj më duket me interes të eksplorohet nëse një komunitet virtual mund të përdoret si model i një komuniteti real dhe sidomos si mund të ndihmojë ky model.”
dhe praktikisht kjo do perkthehej si? Influencen e komunitetit virtual ne ate real e shoh si shume te terthorte dhe deri diku te pafuqishme qe njemend te permiresoje dicka ne komunitetin real.
“shqiptaret” i permenda meqe vete i kishe permendur dhe analizuar shkurt; nje krahasim edhe do mjaftonte per te pershkruar dinamiken dhe vulgaritetin e shumices se forumeve shqiptare. Gjithsesi, keto te fundit jane dukuri e shume forumeve te huaja, nacionaliste ose jo, ne varesi te moderimit dhe interesit qe kane.
Ky i fundit me duket dhe pika lidhese mes dy komuniteteve, realit dhe virtualit. Ndersa i pari duhet te krijoje strukturen e nevojshme per te dytin, (psh, ne Shqiperi nuk eshte akoma e perhapur nderlidhja e shtetasve me ane te internetit, deri ne ate pike qe akoma institucione shteterore apo komunitete kulturore jane ne gjendje infantile), ndersa i dyti edhe mund t`i hidhte xixa progresiste te parit me ane te tolerances per ide dhe thellesise se mendimit te pacensuruar.
Perndryshe, ideja qe nje komunitet virtual mund te sherbeje si model per ate real, me duket ca si utopike per vete faktin qe ai reali i ka nderkohe ligjet, eksperiencat dhe modelet e duhura per progres shoqeror.
Me tej, a mund te sherbeje ndryshe perparesia qe komuniteti virtual ka mbi ate real, ne kuptimin e nje “watchdog”, ose te nje pushteti tjeter me aftesine e tij per ndryshim mendesie,,,,mbetet per t`u pare.
LT, kur them model e kam fjalën për model që të ndihmojë për të kuptuar, jo model për t’u ndjekur.
Eshte fakt interesant qe ne si shqiptare e “njohim” veten ne dicka kaq tipike skandinave sic eshte ligji i Jantes.
http://yli-skatten.blogspot.com/search?q=jante
E pse jo “atraktuesi”? Bile prapashtesen shqip…