Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Diaspora / Kulturë

STËRNIPA TË SHFYTYRUAR

Zhgënjimet në kontaktet spontane mes shqipëritarësh e kosovarësh gjatë viteve 1990, më kujtojnë çka ndodhi, gjatë po atyre viteve, në marrëdhëniet e shqiptarëve me arbëreshët e Italisë.

Kur zbarkoi vala e parë e refugjatëve nga Shqipëria në brigjet e Puglias, në pranverë të vitit 1990, një prej ideve të improvizuara nga autoritetet italiane ishte që t’i strehonin një pjesë të refugjatëve në komunitetet arbëreshe të Jugut të Italisë, duke arsyetuar se shqiptarët do ta kishin më të lehtë të ambientoheshin, po të rrethoheshin prej “bashkatdhetarësh”. Edhe komunitetet arbëreshe sikur u entuziazmuan disi nga ky propozim, sepse gjithnjë e kishin kundruar Shqipërinë së largu si atdheun e tyre imagjinar, por edhe ngaqë shpresuan se ashtu do t’u mbërrinin edhe ndihma financiare nga Roma.

Ky eksperiment dështoi krejt. Pikësëpari sepse provinca e largët e Jugut të Italisë, qoftë arbëreshe qoftë italiane, nuk i kishte mundësitë ekonomike për të përthithur muhaxhirë; pikësëdyti sepse edhe ato pak punë modeste që iu ofruan të ardhurve – në bujqësi ose në zanate të thjeshta si berberë, hidraulikë dhe bukëpjekës – nuk ua mbushnin syrin divave prej përtej detit. Megjithatë, eksperimenti dështoi edhe ngaqë komunikimi i supozuar midis palëve, të vjetërve dhe të rinjve, stërnipave krenarë të De Radës dhe atyre njëlloj krenarë të Naimit e Fishtës nuk ndodhi as mund të ndodhte. Megjithëse të themeluar njëlloj në mitin suprem të Skënderbeut, si shqiptarët, si arbëreshët, panë te njëri-tjetri të huajin total, edhe pse tek-tuk ndonjë fjalë e shkëmbenin dhe vullneti i mirë për t’u marrë vesh e për t’u afruar nuk mungonte.

Arbëreshët njiheshin e admiroheshin anembanë Shqipërisë për mitin e ikjes së tyre heroike për t’i shpëtuar “qenit turk”; për zakonet e gjuhën që kishin ruajtur, letërsinë e mrekullueshme që kishin krijuar sidomos gjatë shekullit XIX; për folklorin që herë pas here shfaqej në skenat dhe në ekranet shqiptare. Natyrisht, me përjashtim të Nasho Jorgaqit, të rrallë ishin ata shqiptarë që kishin pasur fatin e mirë të njihnin arbëreshë drejtpërdrejt. Grupet e turistëve që vinin gjatë verës qarkullonin në itinerare të kontrolluara dhe nuk lejoheshin të hynin drejtpërdrejt në lidhje me vendasit.

Shqiptarët mësonin De Radën në shkolla, por në variantin e “shqipëruar” prej Dh. S. Shuteriqit (të paktë janë ata burra në të dy anët e detit që mund ta lexojnë shqipen e De Radës në origjinal); shihnin valltaret arbëreshe në ekran; lexonin në librat e historisë për vëllezërit e tyre në Jug të Italisë, që i kishin ruajtur vlerat e Arbërisë së vjetër si gurë të çmuar; këndonin këngën “O e bukura Moré” dhe derdhnin edhe ndonjë pikë lot. Arbëreshët që vizitonin Shqipërinë i shëtitnin me autobus anembanë, i ngjitnin në Rozafat e i zbritnin në Butrint, i shpinin në Apolloni e në Bylis, i shoqëronin muze pas muzeu, sokak pas sokaku, hotel pas hoteli, restorant pas restoranti. Kontaktet midis dy bashkësive gjithnjë ekzistonin, por në një nivel disi të rralluar, eterik.

Unë kam pasur fatin të vizitoj disa fshatra arbëreshe, në Calabria, dikur midis 1993 dhe 1994. Mjedisi në ato vise ka mbetur tipik bizantin, i sunduar nga kisha dhe traditat; por edhe patriarkal e provincial, si i kapur peng në një përmasë kohore që bota përtej malit e ka kapërcyer. Megjithatë, njerëzit më kanë pëlqyer shumë, kam kujtime të mrekullueshme dhe do të kthehesha atje me dëshirë të madhe; dhe studentët arbëreshë që kam pasur në Napoli i mbaj mend si shumë simpatikë, të sjellshëm, të hapur dhe më të drejtë se italianët. Gjithnjë ndihesha i afërt me ta, por njëlloj ndihesha edhe i largët. Gjak i shprishur, vërtet. Më bënte përshtypje malli i tyre për një Shqipëri që nuk ekzistonte, ose pasioni me të cilën më flisnin për vizitën që planifikonin t’ia bënin dheut mëmë; sikurse më bënte përshtypje që rendnin të blenin një libër të Ismail Kadaresë sapo botohej në italishte dhe ta sillnin në klasë, për t’ua treguar të tjerëve, si status symbol.

Arbëreshët në Itali, për arsye kulturore dhe gjeografike, kishin mbetur të përjashtuar nga zhvillimi ekonomik dhe kulturor; dhe vetë arbëreshët e kultivonin lidhjen sado imagjinare me Shqipërinë si një mënyrë për ta rekuperuar statusin përndryshe të dorës së dytë. Në katunde shihje buste të Skënderbeut; në bibliotekat e kishave gjeje libra shqip; kishte intelektualë të provincës që organizonin kurse për të mësuar gjuhën shqipe; botoheshin revista të vogla, me një shqipe disi të thyer, por jo standard.

Për fat të keq, të gjitha këto lidhje, sado të brishta e artificiale, erdhën duke u dobësuar pas hapjes së Shqipërisë në vitet 1990. Krejt papritur, arbëreshët e humbën statusin prej kanali të privilegjiuar për marrëdhëniet e Italisë me Shqipërisë që kishin pasur sa kohë Shqipëria ishte e rrethuar me tel me gjemba; dhe vetë shqiptarët, të çliruar nga prangat e së djeshmes, nuk treguan më kurrfarë interesi të veçantë për kushërinjtë e tyre të largët.

Për gati pesë shekuj me radhë, pamundësia për të komunikuar lirisht e mbajti të ndezur ndër arbëreshët mallin, patosin, identitetin etnik si dëshirë, shpresën e “bashkimit” me dheun mëmë. Përkundrazi, heqja e mureve politike dhe afrimi dramatik i brigjeve u përjetuan si traumë nga të dy palët. Në rrafshin e përjetimit të përditshëm, kjo traumë do të shfaqej herë si mospërfillje herë si nervozizëm; aq më tepër që shqiptarët e viteve 1990 ishin një popull i krijuar prej dëshpërimit, ndërsa arbëreshëve iu davarit bindja intime e të qenit “specialë”, për shkak të së kaluarës së tyre. Takimi i popujve prodhoi, sado paradoksale të tingëllojë kjo, vetmi.

Natyrisht, në rrethana të tjera, kontakti do të mund të përthyhej në mënyra më prodhimtare. Po të kishin qenë arbëreshët të pozicionuar më fort në hierarkitë italiane, do të mund të ndikonin më shumë në politikat e Italisë ndaj Shqipërisë së atyre viteve (unë nuk di të ketë pasur kurrë ndonjë ambasador të Italisë që të ketë qenë arbëresh nga origjina, në një kohë që deri edhe Titoja dërgoi në Tiranë Josip Gjergjën, një arbëresh të Zarës për ta përfaqësuar, pas vitit 1945); nga ana tjetër, po të kishte qenë Shqipëria më dinjitoze, më e fortë ekonomikisht dhe më e konsoliduar kulturorisht, do të mund t’u ofronte arbëreshëve atë pikë referimi alternativ, që aq shumë u duhej për të kundërpeshuar rolin e tyre margjinal brenda vetë Italisë.

E megjithatë – letërsia shqipe nuk ka njohur dot kurrë më poet aq të hollë sa De Rada, i cili ishte produkt para së gjithash i një mjedisi të papërsëritshëm kulturor arbëror-bizantin, të cilin Shqipëria e ka humbur prej kohësh e nuk mund ta rifitojë më. Aq më tepër që, duke lexuar De Radën, Darën, Seremben, Santorin e ndien se çfarë i mungon shpirtit shqiptar sot; diçka që e kam të vështirë ta formuloj me fjalë, por që më përhihet si një ndjesi paqeje me natyrën, ose harmonie në komunitet, ose kthjelltësie që të lejon ta çmosh jetën edhe në imtësitë e përditshme, si çastin e zgjimit në mëngjes ose gurgullimën e ujit në krua të fshatit; çka ne nuk e përjetojmë dot më, por që edhe sikur ta përjetonim, do të na shpifej e përlyer me kitsch.

Përsëri paradoksalisht, shqiptarë e arbëreshë në Italinë e sotme kanë mësuar të komunikojnë e të solidarizohen sipas vijash jo etnike, por klasore; sepse edhe të parët edhe të dytët janë praktikisht të strehuar në skajet e shoqërisë, ose atje ku rrjedha e lumit vjen e ngadalësohet, për t’iu dorëzuar ujit të ndenjur. Marksi do ta kish interpretuar këtë dukuri me lehtësi të madhe; por unë gjithnjë parapëlqej De Radën – edhe pse të përkthyer e të rishkruar sipas një gjuhe që De Rada vetë nuk do ta njihte dot, e që do t’i ish dukur po aq e padeshifrueshme, sa ç’na duket ne sot e tija.

7 Komente

  1. Duket sikur nje gje s’shkone mbare me kete kend veshtrim, etiketuar si: “Sternipa te shfytyruar”

    E filloj me pyetje diskutimin:
    Kushe eshte fytyra si steriotip qe referohesh kur e quan te shfytyruar?
    S’besoje se eshte fizik referimi, por kulturor(gjuha, zakonet etj) te nje shoqerie, apo edhe familjeje.

    Dhe pergjigjem pyetjes qe bej vet: Nje gjuhe eshte qe perdorin te gjithe anetaret e saj (shoqerise), por ne aq forma sa edhe antare jane. Njeriu perdor gjuhen, ngarkohet me kulture gjat jetes qe bene, duke formuar “fytyren”. Kjo ndodhe edhe me antaret e se njejtes famije, qe kane fytyra, prinder, gjak te njejte, pa permendur edhe jane rritur me te njejtin ushqim kulturor, dhe perfundojne me “fytyra” te ndryshme duke jetuar nen te njejten cati, apo lagje, qytet, shtet apo diaspore.

    Pra jane faktore qe s’aktivizojne argumente t’i perqasen asaj te kosoves dhe kalabrise apo shqiprise per shfytyrim, sepse kjo qe shohim eshte fytyre, e c’do njerit si individ, edhe si grup apo ne teresi keto grupe.
    Njelloj si te thuash qe fytyren (fizike) femija e ka si te pridit, por s’eshte si prindi, si njeri. Kush eshte fytyra qe duhet te referohemi, e babait, apo e djalit? Ata, eshte e sigurt qe kane “fytyra”, por munde edhe t’i gruposh e thuash; kane nje fytyre, duke e patur parasyshe edhe piken nga ku referohemi, duke lene nje influence tjeter te nderhy neper kembet e argumentit ndertuar per kete titul; “sternipa te shfytyruar”

  2. Vëmendje, nuk kam dyshim që fytyrat ndryshojnë; por e kisha më tepër fjalën te besimi i rremë që nuk do të kishin ndryshuar. Nuk bëj aq paralelizëm me rastin Shqipëri Kosovë, sesa mundohem të shpjegoj një dukuri me shpresë se shpjegimi do të më ndihmojë të kuptoj një dukuri tjetër.

  3. Po, besimi eshte si fytyrat.
    Vizita te rralla te mendimit ne trojet tona.

  4. Vemendje, Po te lexosh me kujdes fundin, “…. sepse edhe të parët edhe të dytët janë praktikisht të strehuar në skajet e shoqërisë, ose atje ku rrjedha e lumit vjen e ngadalësohet, për t’iu dorëzuar ujit të ndenjur.” .. them se titulli i zgjedhur nga Xhaxhai eshte metaforik dhe vecanerisht i goditur. Pra “fytyra” eshte burimore dhe poshte ne rrjedhe ka pesuar shenderime duke perfunduar ne ujmbledhesin qe ne kemi sot.

    Persa ju perket arberesheve, duke mos pretenduar qe ti kem njohur aq sa ti Xhaxha, ata kane qene te vete margjinalizuar nga pjesa tejter e Italise. Ata pranojne se deri ne fund te viteve 50-te pjesmarja e tyre ne jeten politike dhe shoqerore me shtetin italian ka qene pothuaj inekzistente. Bile, deri te te mirat materjale dhe shkembimet tregetare i kishin ne cikel te mbyllur midis baskesive fshatare te tyre.

    Ne mardhenjet shqiptare te pas viteve 90′ me kosovaret dhe arbereshet, them se ishim ne, me sjelljet tona, qe i zhgenjyem ata nderkohe qe ne kishim iluzionin, si per te gjithe ata qe ishin jashte telave, se benin nje jete perallore dhe se sa te na shihin ne do te binin ne gjunje.

    Tani dy pyetje. Them se mos ke harruar pa permendur nje tjeter studiues te arbereshve, nese nuku gaboj ta quaj arberesholog, Gjovalin Shkurtin? Mos ndofta e ke lene pa permendur qellimisht nga qe ky ka hulumtuar vetem gjuhen nderkohe qe Prof. Nashoja ka qene njekohesisht edhe historiograf dhe gjuhetar.

    E dyta. Duke perjashtuar faktin se ato pak fjale italishteje qe di mund te me kene ndihmuar sado pak, pse kam pershtypjen se ne bisede me ta ne kuptonim shume mire se per c’fare ishte biseda nderkohe qe ata, arbereshet, kur flisnim ne as qe mernin vesh subjektin per c’ka po flisnim.

  5. Tema eshte interesante. Faleminderit Xha Xha. Duke mos dashur ta transferoj aspak virusin e temes per ‘shqiptaret e vegjel’ — teme qe vuajti nga dhenia hapesire troll-save me 15 minuta fame virtuale — pyes nese eshte e mundur te kuptojme marredheniet e komplikuara shqiptar shqiperie dhe shqiptar ‘bote’ nepermjet rasteve te vecanta (shqiptar-kosovar, shqiptar-shqiptar amerike, shqiptar-arberesh) apo nepermjet ndonje analize me te gjere (shqiptar shqiperie-shqiptar jashte shqiperie).

    Edhe ne US, per shembull, shqiptaret ‘e vjeter’ kane pasur nje perplasje inatcore me shqiptaret ‘e rinj’ qe erdhen ne US ne vitet ’90 me shprese, ambicie, por edhe me keqkuptime. Nga njera ane, ky proces eshte thellesisht i lidhur me mbylljen e diktatures dhe nje gjenerate klaustrofobike te viteve ’80. Nga ana tjeter duhen pare edhe zhvillimet e ketyre komuniteteve neper hapesirat perkatese (sic veren McKoy).

    Por zhgenjimi ka qene i dy-anshem – s’kishte si te ndodhte ndryshe. Nga njera ane shqiptaret ‘e botes’ pane tek te ardhurit reflektimin e egersise dhe shkaterrimit etik te diktatures. Nga ana tjeter, shqiptaret u perballen me zhvleftesimin dramatik te imazheve te RAI-t.

    Kjo teme ja vlen per nje studim te gjere e te thelle, kur te qetesohen gjakrat dhe te pushohen rrahjet e gjoksit dhe patetizmat nacionaliste (nese do pushojne). Mirepo nuk di nese damari i thelle i vete-viktimizimit do pushoje se dheni gjak.

  6. ” Takimi i popujve prodhoi, sado paradoksale të tingëllojë kjo, vetmi.”

    Vetmi prodhoj, por nga ajo qe vlereson ndryshimin e injektuar (ideologji-besim…etj), per te perballur veten me keto ne te ardhmen si De Raden edhe pse te perkthyer ne gjuhen e vet para “vetmise” kupton se; “jo vetmia” eshte deliri qe injekton propaganda, e c’fardo lloji te jete ajo.

    Mendimi, individi eshte vetem, pamvaresisht sa kitch besimi apo ideologjia qe Ai mbart.

    Sic nuk eshte fytyra fizike e individit trgues i njeriut qe eshte ne te, po ashtu, vetmia pastron zhurmen sociale, dhe ky individ komunikon e zbulon vetmi. Vetmi qe s’ka kohe e deshire te konsumohet nga zhurma qe bejne perpjekjet per t’i shpetuar vetmise, duke e akuzuar ate (vetmine) si prishese e “rendit”.

    nje postulat;

    Sic bashkejeton me vetmin, bashkejetone me c’do gje.

    Prova te medha mendoj ka provuar shqipetari historikisht, jo nga te gjitha ka mesuar si te jetoj i vetem, prandaj na lene dhe te fundit ne radhe per bashkejetese komunitare ne evrope.
    Sic munde te them; sepse ka mesuar te jetoje vetem, pa ka arritur te ekzistoje deri sot, por gjithnji nga shoke (shtete) te zgjedhur/i zgjedhur me te madhenje.

  7. pyes nese eshte e mundur te kuptojme marredheniet e komplikuara shqiptar shqiperie dhe shqiptar ‘bote’ nepermjet rasteve te vecanta (shqiptar-kosovar, shqiptar-shqiptar amerike, shqiptar-arberesh) apo nepermjet ndonje analize me te gjere (shqiptar shqiperie-shqiptar jashte shqiperie).

    Nje analize e hershme eshte bere nga Norman Douglas ne 1915 ne librin e tij Old Calabria, kapitulli Albanian Seer. Mund ta lexosh ketu

    http://www.authorama.com/old-calabria-24.html

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin