Entuziastët e ekonomisë së tregut të shpjegojnë se sa më shumë të përhapet një produkt i konsumit të gjerë, aq më shumë i ulet kostoja relative. Kjo vlen edhe për shërbimet që kanë të bëjnë me risitë teknologjike, p.sh. Interneti, ose telefonia celulare, ose kompjuteri personal.
Po këta entuziastë shpesh të shpjegojnë edhe se teknologjizimi i jetës së përditshme e përmirëson jetën demokratike – meqë televizioni ose Interneti lidhen me lirinë e të shprehurit, telefonia me lirinë e shoqërimit, vetura private me lirinë e të lëvizurit e kështu me radhë.
Me fjalë të tjera, për shumëkënd progresi teknologjik është vetvetiu edhe progres social. I pari mund të matet (p.sh. shpejtësia e përpunimit të të dhënave nga mikroprocesorët, ose e transmetimit të të dhënave nga një rrjet DSL); i dyti jo, por megjithatë edhe ky mund të vlerësohet tërthorazi.
Megjithatë, lidhjet midis teknologjisë dhe lirisë/demokracisë – si dy skaje ideale mes të cilave lëkundet lavjerrësi i shoqërive perëndimore moderne – nuk janë edhe kaq drejtvizore ose të tejpashme. Edhe lidhjet midis progresit teknologjik dhe nivelit të jetesës mund të diskutohen në shumë mënyra.
P.sh. transporti modern i pasagjerëve është shoqëruar nga shtrirja e pakontrolluar e qyteteve, ose derdhja e tyre në zonat suburbane. Në Tiranë mua më duheshin 10 minuta për të shkuar në zyrë, me këmbë (ose 25 minuta, përsëri me këmbë, për të shkuar në universitet, në anën tjetër të qytetit). Në NYC zyrën e kam pasur mesatarisht 40 minuta larg me metro.
Një shembull nga kultura: teknologjia e riprodhimit të tingullit ka bërë që kushdo të sigurojë me lehtësi çfarëdo produkti muzikor që dëshiron, me kosto praktikisht të papërfillshme. Njerëzit dëgjojnë muzikë ku të munden: në rrugë, në tren, në palestër, në vendin e punës; praktikisht kudo, me përjashtim të sallave të koncerteve, të cilat vijnë duke u zbrazur, dhe funksioni i artit për t’i sjellë njerëzit së bashku duke u zbehur.
Në politikë, mass mediat gjithnjë e më shpesh ndërmjetësojnë midis politikanëve dhe publikut; deri në atë shkallë sa edhe fushatat parazgjedhore të përqendrohen në daljen e politikanëve në televizion dhe të vendosen nga fotozhenia e tyre, jo nga kapaciteti intelektual dhe profili moral. Nga ana tjetër, politikat e ekzekutivit gjithnjë e më tepër kushtëzohen nga sondazhet e opinionit publik, të cilat vijnë duke u saktësuar e rafinuar çdo ditë.
Qytetari, pa lëvizur fare nga divani e pa shpenzuar asnjë kacidhe, mund t’i shohë çdo natë udhëheqësit e shtetit të vet duke folur, shpjeguar, shfajësuar, nxitur dhe akuzuar; mirëpo po këtij qytetari televizioni nuk ia lejon të dialogojë me përfaqësuesit e vet, të cilët, për më tepër, në kohë fushatash, derdhin miliona vetëm e vetëm për privilegjin e të afishuarit në ekran.
Procesi politik varet gjithnjë e më shumë nga teknologjia; por teknologjia në politikë sjell kosto astronomike me vete, çka e vë politikën praktikisht në kontroll të korporatave, të cilat janë të vetmet me mundësi financiare të tilla që t’i përballojnë ato farë kostosh.
Përgjimi është një tjetër fushë ku marrëdhëniet e shtetit me qytetarët janë revolucionuar nga teknologjia. Sot në qytetet e mëdha të globit nuk ka centimetër katror të hapësirës publike që të mos kontrollohet nga kamerat: komerciale, policore, satelitore, të agjencive të spiunazhit. Londra është në pararojë të këtij eksperimenti, por të mirat së shpejti do t’ia ndiejnë edhe metropole të tjera. Së bashku me imazhin regjistrohet edhe zëri, veçanërisht bisedat telefonike – zyrtarisht, në kuadrin e luftës kundër “terrorit”. Paradoksi këtu ka të bëjë me faktin që, nga njëra anë, teknologjia e celularëve lejon madje ndihmon funksionimin preciz e sinkron të organizatave sekrete gjithfarësh anembanë globit, ndërsa teknologjia e përgjimit përpiqet t’i çrregullojë e t’i pengojë veprimtaritë e këtyre grupeve.
Të humburit në këtë mes janë vetëm qytetarët.
Harlisja e teknologjisë së kontrollit shoqërohet edhe me shtimin e numrit të të gjithë atyre që punojnë në fushën e sigurshmërisë (security): roje, policë, detektivë, agjentë, analistë të zërit, analistë të imazhit, programues të aparaturave të përgjimit, programues të aparaturave të filtrimit. Kostot ekonomike dhe sociale të kësaj paranoje janë tashmë të pakontrollueshme.
Nga ana tjetër, publikut i është thënë që atentatet e 11 shtatorit 2001 u kryen nga arabë të armatosur me biçakë e brisqe; dhe që prej asaj kohe aeroportet në mbarë botën janë kthyer në laboratorë testimi hi-tech për mjete terrori shumë low-tech, të tilla si shampo, shkrepëse ose zemberekë. Megjithatë, vetë terrorizmi, si mjet i luftës politike, nuk do të ekzistonte pa teknologjinë e informacionit, e cila na lejon të ndjekim drejtpërdrejt e minutë pas minute deri edhe mbytjen e një varke në Indonezi, ose një qelbësirë çfarëdo që përpiqet t’i shpëtojë makinës së policisë në Mexico City.
Një incident tani së voni e ilustron më së miri kontradiktën midis progresit teknologjik dhe qytetarisë. Pas katastrofës në World Trade Center, shumë banorë të Manhattan-it, të trembur jashtë mase nga çfarë ndodhi e sidomos nga histeria në mediat, filluan të blejnë pajisje të sofistikuara që analizojnë ajrin për prani radioaktiviteti, toksinash biologjike, ose gazi helmues luftarak. Meqë këto pajisje kanë nevojë për përdorues pak a shumë ekspertë, s’është për t’u habitur që, vitet e fundit, numri i alarmeve të rreme ka ardhur duke u shtuar, deri në atë pikë sa t’ua shtojë shumë kostot operative agjencive anti-terroriste në qytet.
Përfytyroni dikë që ka blerë një numerator Geiger, dhe gdhihet një ditë prej ditësh për të parë se aparatura ka pikasur një rritje të radioaktivitetit në ajër; njoftohet policia dhe organe të tjera, mobilizohen repartet e mbrojtjes anti-radioaktive, të detyruara të ndjekin protokolle të caktuara relativisht të kushtueshme. Në të shumtën e rasteve, numeratori rezulton jashtë standardi, ose radioaktiviteti vjen nga ndonjë burim natyror (p.sh. radon).
Për pasojë, autoritetet propozuan këto ditë që pajisje të tilla si numeratori Geiger ose detektorët e tjerë të shpallen të paligjshme, dhe përdorimi i tyre të lejohet vetëm me licensë; meqë kontrolli i ajrit në NYC është detyrë e agjencive të specializuara. Mirëpo, vërejtën përdoruesit, a nuk ishin këto agjenci të specializuara që e keqinformuan publikun, në lidhje me cilësinë e ajrit në Manhattan-in jugor, në muajt e parë pas 11 shtatorit 2001?
Me fjalë të tjera, teknologjia është teknologji, por besimi është besim; dhe qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë ta mbrojnë privatësinë përballë shtetit dhe korporatave, të cilat teknologjizohen me shpejtësi marramendëse.
Së shpejti të gjithëve do të na kërkohet të “shenjohemi” elektronikisht, si qentë dhe macet, për të lehtësuar procedurat e identifikimit dhe për të ulur kostot e kontrollit të pasagjerëve në pikat kufitare.
Ndërkohë, të gjitha çastet, krejtësisht padomethënëse, të një dite rutinë nga jeta e kujtdo, tashmë ruhen materialisht dhe mund të rindërtohen, nëse është e nevojshme: lëvizjet nëpër qytet nga sinjalet e celularit dhe kamerat e rrugëve, të bankave e të dyqaneve; shijet në blerje nga faturat e kartave të kreditit; shëtitjet në Internet nga cookies në kompjuter. Më paranojakët mes nesh besojnë se edhe telefonët celularë mund të përshtaten për t’u përdorur si mikrofonë përgjues.
Çështja është se kujt mund t’i interesojë kaq shumë jeta jote kaq e parëndësishme, ose trajektorja jote prej krimbi të plogët në një mur të ndotur banjash publike. Natyrisht askujt, përveç teknologjisë vetë, e cila tashmë gjëllin e riprodhohet sipas një logjike që nuk ka të bëjë me interesimin real ose paranojën e përdoruesve të saj, por më tepër me një vullnet pothuajse mistik për t’u imponuar.
Nëse kjo rutinë tani shkruhet e tëra në proces-verbale planetare, kush merr mundimin ta lexojë? Përsëri askush. Frika ose ankthi se ka njerëz ekspertë në dhoma të errëta e të nëndheshme, që merren me banalitetin tënd, studiojnë grafin e udhëtimeve të tua ditore në metro, përkthejnë bisedën tënde telefonike me gjyshen në Epir ose chat-in tënd erotik me një bot uzbek, ose mbledhin në një dosje të vetme emrat e të gjitha faqeve të Internetit që ke vizituar gjatë vitit 2005, është shfaqje e mbrapshtë e shpresës se ty, si njeri e si individ, të ka mbetur sado pak kuptim e domethënie, në këtë botë që nuk ekziston dot pa u regjistruar në mediat.
Shpresa se ti ende ekziston, qoftë edhe si informacion i trajtës 01001100110100101.
Tek e fundit, sikur ti ta meritoje vërtet vëmendjen e satelitëve, antenave parabolike, releve, dylbive akustike, kamerave urbane, serverëve të kompanive celulare dhe agjencive për mbrojtjen e publikut, ti vetë do të ishe i pari në zotërim të kundërmasave përkatëse: zhurmuesve, penguesve, viruseve, trojanëve, detektorëve.
Siç e rrëfen edhe filmi televiziv “24”, të cilin e imiton realiteti, të ligjtë janë kurdoherë në kontroll deri edhe të niveleve më të larta e më të mbrojtura të kontrollorëve tanë.
Ndonjëherë më vjen çudi, kur kaloj nëpër filtrat e sigurshmërisë aeroporteve, që agjentët atje më përpunojnë me indiferencë totale, teksa heqin mënjanë ndonjë plakë koreane gërmuqe, për t’ia kontrolluar me gisht deri edhe orificet e flashkëta. Ose nuk më vjen dhe aq çudi, por më shkon mendja tek totalitarizmi, nga i cili dua të shkëputem, por nuk më lë realiteti të shkëputem.
Teknologjia nuk pyet. Teknologjia na ka vënë në punë, dhe puna është nder.
Dikur kam lexuar një filozof bashkëkohor që i quante njerëzit “organe seksuale të kompjuterave”. Dobishmëri që ngushëllon, sepse premton mbijetesë; edhe pse do të na duhet kohë, si njerëz, të mësohemi me statusin e ri në rendin e sendeve.
“Big brother” po behet realitet. Ne kete fare lufte kunder nocioneve abstrakte, terrorizmit ne kete rast, i cili sherbeu si tramplin drejt kufizimit te privatesise, e verteta eshte e para qe vdes. Kurkush nuk e di perse kaq interes ndaj cdo identiteti te vetem.
Me vjen ndermend alarmimi i Comskit rreth totalitarizmit qe po i kercenohet Amerkes.
Chomsky ka patur të drejtë të alarmohet sepse nuk i është dashur shumë të kuptojë se Amerikën e sundon totalitarizmi dhe se fashistëzimi radikal demokrat i jetës është një proçes në vazhdim. Por nga ana tjetër mund të them se për sa kohë nuk kemi cënim të mëvetshmërisë (per privacy) rritja e sigurshmërisë (per security) gjitha mjetet them se na shërben. Ka shumë rëndësi që të bëjmë kujdes të mos kopjojmë DVD-ra, luajmë me pushkë me topa boje, dhe mos flasim përveçse cilësinë e picerive në lagjen ku rrojmë.
Pra teknologjia të bëjë të sajën, në do vazhdojmë ta konsumojmë atë.
Ambulant Vender
A nuk jetojme pak a shume si ne “Matrix” (filmi)?
Madje, a nuk quhet keshtu (MATRIX = Multistate Anti-TeRrorism Information eXchange) edhe nje sistem mbikqyrje i cili kombinon info mbi qytetaret nga databasat qeveritare dhe sektori privat?
Thua do te kete dikur nje “revolucion”?
Hallexhiu shkrun:
“Thua do te kete dikur nje “revolucion”?”
Revolucioni eshte karakteristike e shoqerive me potencial te madh ndryshimi, e shoqerive me vitalitet jo e shoqerive kane potencial te madh reagimi por jo mundesi te madhe ndryshimi.
Nje shembull shume shpjegues eshte dhene ne parathenien e librit “1984” ku thuhej se perfundimi i fjales se lire ne shoqerite totalitare eshte “zero” por po aq ishte edhe ne shoqerite “demokratike”, kjo per shkak te zhurmave te ketij ambjenti te cilat mbysnin kete fjale te lire.
Keshtu qe mendoj se revolucion do te kete, por jo ne kuptimin apo te llojit qe i kemi pare deri tani dhe ndoshta jo prej shqerive qe i kemi pare deri tani.
Shoqerite e pa-afta per religjon jane te pa-afta per revolucion.
Oops, doli prape feja ne skene.