Flitet shumë për paskajoren e gegërishtes dhe për dëmin që i qenka shkaktuar standardit duke e lënë jashtë sistemit foljor të shqipes normative, por shumë nga ata që flasin, për fat të keq, nuk e kanë shumë idenë se për çfarë po protestojnë.
Këtu më poshtë do të bëj një përshkrim të shkurtër të paskajores gegërishte dhe të funksioneve të saj, në përqasje me format e ngjashme të standardit; si dhe do të sjell disa arsye thjesht gjuhësore se pse kjo paskajore nuk mund të përfshihej në sistemin foljor të shqipes zyrtare.
Funksionet gramatikore të paskajores gegërishte
Paskajorja e gegërishtes e tipit me punue konsiston në një pjesëz me e cila historikisht është e njëjtë me parafjalën me; e që i bashkëngjitet pjesores së shkurtër të gegërishtes (gegërishtja ka edhe një pjesore të gjatë, e cila ndeshet, për shembull, në mbiemrat prejpjesorë: khs.: dru i punuem).
Nuk dua të ndalem këtu në historinë e kësaj forme gramatikore; as dua të diskutoj nëse ajo trashëgon konceptualisht paskajoren e foljes indoeuropiane, apo përfaqëson një formim dytësor në gegërishte, pas një periudhe kur edhe ky dialekt madhor i shqipes, njëlloj si dialekti tjetër, e kish humbur paskajoren origjinale indoeuropiane; për të vetmen arsye se konsideratat historike nuk ngrenë peshë në diskutimin e funksioneve të formave dhe kategorive gramatikore.
Ndryshe nga gegërishtja, toskërishtja nuk e ka një paskajore të tillë; edhe pse në toskërishte dhe në standard përdoret një paskajore tjetër, e tipit për të punuar. Kjo e dyta i ka funksionet më të reduktuara se paskajorja gegërishte e tipit me punue.
Ç’përfaqëson paskajorja në gjuhët indo-europiane? Kryesisht, kjo formë foljore shenjon foljen në formë të kulluar, pa e bashkëlidhur me kategoritë gramatikore të vetës, numrit, kohës e mënyrës. Në nivel konceptual, paskajorja është më abstrakte dhe e pavarur sesa format e shtjelluara të foljes (punoj, punon, punoni, etj.).
Ç’funksione përmbush paskajorja në gegërishte?
Po rendit më poshtë disa nga funksionet kryesore të kësaj forme, sipas Albanische Grammatik të Buchholz dhe Fiedler:
1. Në ndërtime pyetëse:
ma mirë me krye punën apo me fjetë?
2. Si pjesë predikatesh foljore (zakonisht në ndërtime kundrinore):
lypi me hangër
due me i harrue të gjitha
më nep me pi
filloi me u interesue
3. Në ndërtime kryefjalore:
asnjanit nuk ia mbante me ia nisë kangës i pari
asht kot me folë me të
4. Rrethanorë kohe të paraprirë nga para se:
Matu mirë para se me folë
5. Në ndërtime kushtore:
Ban me ngri deti, n’çorape leshi e fill n’Itali
Me e pa, kishit me u habitë
6. Në ndërtime lejore:
Sado vonë me ra, ai ngrihet gjithnjë herët.
7. Në ndërtime rrjedhore:
Shprazi sa mujti ujë rreth e rreth, aq sa m’u ba nji liqé
8. Në ndërtime qëllimore:
Sytë janë me pa.
9. Në ndërtime krahasore:
Nuk asht aq e prapë sa mos me i zanë besë
10. Në ndërtime përcaktore:
Nuk e ka fort zakon me u sjellë zyrave.
Asht koha me u ngritë në kambë
11. Në ndërtimin e së ardhmes e të disa formave me folje modale:
kam me punue
nuk mundem me ardhë
duhet me ia ba Bepinit nji dhuratë për Krishtlindjet
atij s’asht me i fol me gojë
Si i shpreh këto funksione folja në toskërishte dhe në standard?
Paskajorja e tipit për të punuar përdoret kryesisht në funksionet e mëposhtme:
1. Në ndërtime përcaktore:
Aftësia për t’u përshtatur (khs. aftësia me u përshtatë)
Të gjithë kemi nevojë për t’u edukuar (khs. kemi nevojë me u edukue)
Dëshira për t’u kthyer në vendlindje (khs. dëshira me u kthye)
Është herët për ta lënë punën (khs. asht herët me e lanë punën)
I zoti për të qeverisur (khs. i zoti me qeverisë)
Kjo është për të qeshur e për të qarë (khs. asht me qeshë e me qa)
2. Në ndërtime qëllimore:
U munduan për të hapur derën (u munduen me hapë derën)
U ngjesha pas pemës, për t’u mbajtur (khs. u ngjesha pas pemës, (për) me u mbajtë)
Kam ardhur për t’u regjistruar (khs. kam ardhë me u regjistrue)
3. Në ndërtime kryefjalore:
I mbetej për të rregulluar çatinë (khs. i mbetej me rregullue çatinë)
Më vjen për të qarë (khs. më vjen me qa)
4. Në disa ndërtime të së ardhmes:
Nuk kemi për ta pranuar fajin (khs. nuk kena me e pranue fajin)
Në raste të tjera, atje ku gegërishtja ka paskajoren, toskërishtja përdor mënyrën lidhore:
Kërkoi të hante (khs. lypi me hangër)
Filloi të interesohej (khs. filloi me u interesue)
Askujt nuk ia mbante t’ia niste këngës i pari (khs. asnjanit nuk ia mbante me ia nisë…)
Matu mirë para se të flasësh (khs. matu mirë para se me folë)
Po të ngrijë deti… (khs. ban me ngri deti)
Sado vonë të bjerë, ai ngrihet herët (khs. sado vonë me ra…)
Nuk mund të vij (khs. nuk mundem me ardhë)
Nuk duhet t’i biem në sy Saimirit (khs. nuk duhet me i ra në sy Saimirit)
Në të gjitha këto shembuj, niveli i abstraksionit nuk preket; vetëm se ndërtimet toskërishte janë zakonisht ridondante (me përjashtim të atyre me folje modale), sepse i shprehin kategoritë gramatikore dy herë:
Te lypi me hangër, kategoritë e vetës së tretë, njëjësit dhe të kryerës së thjeshtë i shpreh vetëm folja lypi; ndërsa te kërkoi të hante këto kategori rimerren edhe nga lidhorja të hante.
Më problematike janë ato raste kur paskajorja gege i referohet foljes si kategori abstrakte, sikurse edhe gjuhë të tjera indoeuropiane:
Ma mirë me krye punën apo me fjetë?
Asht kot me folë me të.
Toskërishtja këto funksione ia beson vetës së dytë njëjës të lidhores:
Më mirë të kryesh punë apo të flesh?
Është e kotë të flasësh me të.
Kjo vetë e dytë e lidhores i ka humbur lidhjet kuptimore me vetën e dytë, dhe është funksionalisht e barazvlershme me paskajoren gege.
Përdorimi abstrakt i vetës së dytë nuk është ndonjë akrobaci e standardit ose e toskërishtes, pse ndeshet rëndom edhe në gjuhë të tjera. Kur anglishtja thotë: you can’t have your cake and eat it too, nuk i referohet ndonjë personi konkret si të adresuar të thënies.
Me fjalë të tjera, edhe pse nuk e ka paskajoren e gegërishtes, toskërishtja dhe standardi i mbështetur mbi toskërishten nuk kanë asnjë vështirësi për t’i shprehur, me mënyrat e tyre, funksionet e paskajores së gegërishtes.
Natyrisht, dikush që i qaset standardit nëpërmjet gegërishtes, do ta ketë fillimisht të vështirë të mësohet me këto mënyra shprehëse, por kjo është çështje tjetër.
Pse nuk mund të integrohet paskajorja gegërishte në standard?
Njerëzit gjithnjë pyesin: edhe pse toskërishtja mund t’i shprehë funksionet e paskajores gegërishte, a nuk do të ishte më mirë që kjo formë të ishte integruar në standard?
Për kodifikuesit e gjuhës kjo pyetje formulohet kështu: a mund të integrohet paskajorja gege në sistemin gramatikor të toskërishtes?
Për fat të keq, integrimi i kësaj forme gramatikore has në disa vështirësi të pakapërcyeshme, të cilat kanë të bëjnë me morfologjinë e pjesores gegërishte.
Një nga dallimet themelore të toskërishtes me gegërishten, në rrafshin fonetik, është dallimi ua/ue. Atje ku toskërishtja ka ua, gegërishtja ka ue. Ky dallim është gjithëpërfshirës, në rrënjë të fjalëve dhe në mbaresa; madje edhe në mjete fjalëformuese si prapashtesat.
Grupi ua/ue shfaqet edhe në mbaresat e foljeve. Pjesorja e foljes punoj në toskërishte është punuar, por në gegërishte punue(m). Po ashtu, formave toskërishte punuam, punuat, punuan u përgjigjen format gegërishte punuem, punuet, punuen.
Dallimi në pjesoret prek një numër të madh formash foljore të ashtuquajtura analitike: atje ku toskërishtja thotë: kam punuar, jam punuar, kisha punuar, duke punuar, pa punuar etj., gegërishtja thotë: kam punue, jam punue, kisha punue, tue punue, pa punue etj.
Gjithashtu, pjesorja shërben si temë e mbiemrave prejpjesorë, të cilët përdoren jashtëzakonisht dendur në shqipen e të gjitha niveleve: ujë i gazuar/i gazuem; bjeshkët e nëmura/e namuna; gur i latuar/i latuem; burrë i martuar/i martuem, etj.
Standardi, kur ka qenë fjala për të zgjedhur midis ua dhe ue, ka preferuar si rregull formën toske, edhe pse ka marrë prej gegërishtes format e tipit sulmues, lexues dhe i lexueshëm, i lavdërueshëm.
Me të drejtë mund të pyetet se, në qoftë se janë marrë prej gegërishtes forma si sulmues dhe i lexueshëm, atëherë pse të mos merrej edhe paskajorja me punue? Vallë vetëm për arsye politike?
Jo. Paskajorja gege nuk integrohet dot në sistemin morfo-fonetik të foljes toskërishte. Ka më se 100 vjet që shkrimtarë vullnetmirë përpiqen të përdorin ndërtime me paskajoren gegërishte brenda tekstesh të shkruara në standard, por pa sukses (sikurse ka pasur të tjerë që kanë eksperimentuar, përsëri pa sukses, me kimera të tipit me punuar).
Vështirësia këtu ka të bëjë kryesisht me formën që do të ketë pjesorja e foljes në variantin standard. Sistemi foljor nuk mund të pranojë që pjesoret e foljeve të dalin në dy trajta fonetike të ndryshme: edhe punuar, edhe (me) punue. Ky do të ishte një dallim që nuk do t’i përgjigjej ndonjë nevoje funksionale, por vetëm do të shërbente si burim paqëndrueshmërie në sistem.
Nëse do të futej në standard paskajorja e gegërishtes, atëherë atje duhej përfshirë krejt sistemi foljor i gegërishtes; çka ishte e mundshme, por e pagjasë, në rrethanat kur u kristalizua shqipja zyrtare – meqë pas Luftës II Botërore, toskërishtja ishte politikisht e shenjuar për t’u vendosur në bazë të standardit.
Ka edhe më: sistemi foljor i gegërishtes trupëzon shumë nga ato karakteristika fonetike dhe gramatikore të cilat e dallojnë gegërishten nga toskërishtja, duke përfshirë rotacizmin, grupin ue/ua, dhe mbaresat e ndryshme të pjesoreve (ndarë/nda(më), kthyer/kthye(m), i ikur/i (h)ikun, etj.) Kjo do të thotë që, po të adoptohej sistemi foljor i gegërishtes, atëherë edhe fonetika e shqipes së njësuar duhej të ndiqte modelin gegërishte.
Prandaj paskajorja e gegërishtes nuk mund të shartohej në standard pa e përmbysur këtë të fundit; meqë ajo paskajore shpreh thelbin fonetik dhe gramatikor të dialektit geg dhe të variantit letrar përkatës.
Natyrisht, edhe gegërishtja letrare mund të kish shërbyer fare mirë si bazë e shqipes së njësuar, meqë i kishte të gjitha kartat në rregull, nga pikëpamja gjuhësore dhe kulturore. Çka s’mund e nuk duhej të ndodhte, ishte përzierja politikisht korrekte dhe oportuniste e të dy dialekteve, nëpërmjet bashkëjetesës së formave paralele në sistem.
Xha Xhai e ke thene shume mire:
“Çka s’mund e nuk duhej të ndodhte, ishte përzierja politikisht korrekte dhe oportuniste e të dy dialekteve, nëpërmjet bashkëjetesës së formave paralele në sistem.”
Gjithashtu cka don te thote se s’mund e nuk duhej te ndodhte ndalimi i perdorimit te gegereshishtes si gjuhe me vete letrare, krahas toskerishtes. Kjo nderpreu “garen” midis dy dialekteve ose me mire la ne gare vetem toskerishten.
S’me mbetet vetem te falenderoj per kete shkrim. Ne fakt jam shume konfuz nga analistet e shumte qe prekin kete teme, disa apo te gjithe pretendojne se kane te drejte. Shkrimi i mesiperm sikur ma lehtesoi pak peshen e rende qe mbart nje verior, por nuk mund te them me teper pasi nuk kam shume dije ne kete fushe edhe pse i perdor te dyja gjuhet, ate gege meqenese jam lindur e rritur ne veri dhe ate standarde meqe m’u dha mundesia te vazhdoja studimet.
Paç nje vit te mbare.
Salvator Qitaj
Edhe une do te doja te shkruaja dy fjale pa mare persiper per tu thelluar ne analizen krahasuese dhe shume bindese te Xha Xhait. Nuk i perkas fushes por me intrigoj diskutimi i fundit, si lexues shume devotshem i krijimtarise sone dhe i perkthimeve te kryeveprave boterore ne gjuhen qe flasim.
Ka me se pesedhjet vjet qe toskerishtja u institucionalizua si gjuhe zyrtare e jona dhe ashtu si te gjithe e dime, deri me sot, ajo i ka sherbyer me se miri ne shkollim, komunikim dhe administrate te dy brezave pa lene asnje medyshje ne saktesine e shprehise. Per me teper, ashtu si e thote edhe Xha Xhai, ato qe shqipes zyrtare i duheshin nga gegerishtja ajo i mori dhe i adoptoj sepse ne fund te fundit edhe ai eshte dialekt i gjuhes tone meme. Cdo perpjekje per te futur struktura te tjera ne gjuhe nga gegerishtja kam bindjen time se nuk do te gjej terren per te vazhduar perdorimin me tej.
Kjo shqipe qe kemi ne sot eshte zyrtarizuar dhe cdo perpjekje per te futur te reja, me perjashtim te shqiperimit te fjaleve te huaja, qe i kemi ne gjuhen tone, do te deshtoje me sukses te pa diskutuar.
Ndoshta shembulli qe do te sjell mund te mos jete krejt i goditur, por mund te them se kjo do te ishte e njejte sikur sot, italjanet te perpiqeshin te fusnin ne gjuhen e tyre te unifikuar forma gjuhesore te themi te toskanishtes ose umbrianes.
Ambulant Vender
Xhaxha, falemnderit per sqarimet teknike, por me gjithe keshillen e mire, “Matu mirë para se të flasësh”, nuk me rrihet. Thua se lidhjet kuptimore me veten e dyte kane rene dhe se kjo forme e vetes se dyte eshte puro abstrakte. Para nja dy ditesh po flisja me vllain e vogel ne kete lloj vete te dyte, dhe u kthye e me tha, pse me thua ashtu ti, une i bej keto gjera, ku dhe une u detyrova t’i thosha, ti do me thene une. Gjuha per mendimin tim duhet te jete inkluzive, jo ekskluzive. Funksionin ontologjik kjo vete e dyte e arrin deri ne ate qe quhet “common sense”, dhe edhe ky i imponuar, por kam frike se eshte arritje ekskluzive, ose me sakte nuk i pranon lirshem koncepte tejet abstrakte. Edhe pse konceptet tejet abstrakte jane veshtire te transmetohen nepermjet gjuhes dhe mungesa e paskajores nuk eshte e vetmja veshtiresi, kjo me duket nje arsye per te thene “pse po paskajorja”, edhe pse kjo eshte e vetmja arsye qe me ben t’a them kete. Do ishte me interes te shihej struktura e debatit me baze paskajoren dhe ajo me baze veten e dyte, fundja edhe mentalitetet atyre debatuesve qe perdorin keto vegla te ndryshme per te njejtin qellim.
Te them te drejten, me terhoqi ndihmesa qe do i jepte paskajorja nje perkthimi te metodes ontologjike te Heidegger. Por shqetesimi im nuk ka te beje fare me standardin, pasi edhe Heidegger i eshte dashur te krijoje nje terminologji gjuhesore te veten, ndoshta edhe jashte standardit gjerman, per te eksploruar kete metode.
Lulian, ki parasysh se shqipja ka edhe mjete të tjera për të shprehur koncepte abstrakte të veprimit:
1. Formime emërore prejfoljore prapashtesore: mendim (nga mendoj), qenie (nga jam), veprim (nga veproj)
2. Huazime moderne nga gjuhë të tjera: ekzistencë, agresion, akt
3. Fjalë të vjetra të shqipes vetë: punë, vepër, luftë, grusht, hap [angl. step], gjumë
4. Formime emërore prejpjesore të gjinisë asnjanëse: të bërët, të shprehurit, të qeshurit
5. Formime foljore të diatezës pësore, veta e tretë njëjës: nuk jetohet kështu
Nga ana tjetër, filozofit shpesh i duhet të krijojë fjalë ose t’u japë përkufizime shumë teknike fjalëve të gjuhës së zakonshme. Krahaso kuptimet e mbiemrit “sintetik” në gjuhën e zakonshme me kuptimet e këtij mbiemri te “Kritika e arsyes së kulluar” të Kantit.
Vështirësitë që ka shqipja për të shprehur disa koncepte filozofike moderne kanë të bëjnë me varfërinë e diskursit filozofik në shqipe, jo me mangësi gramatikore të gjuhës vetë.
Një titull ngacmues mund të ishte edhe argumenti i kundërt: “Pse Po Paskajores Gege”?
Cilat mund të ishin argumentet në të mirë të ruajtjes së paskajores gege?
I pari mund të ishte se ajo ekziston. Edhe pse në Gjuhën Standarde ajo si me thanë “nuk ka vend”, paskajorja gege “me punue” është e ngulitur (i) në të folmen popullore në Gegëri e Toskëri (këtu shumë më rrallë, por prapë përdoret dhe sidomos, kuptohet); (ii) në vetë Gramatikën e Shqipes Standarde, ku vazhdon dhe jepet si shembulli i kategorisë së paskajores së foljes.
I dyti do të ishte se ekzistenca e paskajores i jep kuptim e jetë edhe vetë Standardit, si një (ndër?) kategori(të) që e ka sjellë nevojën e tij.
E treta, fonetikisht paskajorja gege nuk e rrudh aspak Standardin, por përkundrazi e pasuron dhe e rrit atë sidomos në pjesoret jashtë grupit ua/ue, si psh “me marrë”, “me dalë”, “me ardhë”, “me derdhë”, “me rrahë (ujë në havan), etj. Për shembull, tek fraza “a është më mirë me marrë vesh apo mos me marrë vesh çka thotë mësuesi në klasë” nuk duket se ka ndonjë shmangie nga Standardi. E kështu me rradhë.
Së fundi, vetë fakti që ende pas kaq kohe diskutohet për të tregon se paskajorja e gegërishtes mbetet një kategori gramatikore shumë e rëndësishme, që bashkëjeton me Standardin sot e gjithë ditën.
Argumente të tjera?
Pirro, mendimi im në çështje të standardit ka qenë që, në fazën e sotme të shqipes dhe duke pasur parasysh që akademia është praktikisht në krizë, të lirohet pak dora me rregullat e drejtshkrimit dhe gramatikës, duke lejuar dysorë, ose forma paralele të kontrolluara. Për shembull, krahas pjesores ardhur, të konsiderohet si formë e rregullt edhe ardhë; krahas formës shtatzënë, edhe forma tjetër shtatzanë; e kështu me radhë. Ndoshta këtu mund të eksperimentohet edhe me disa paskajore të gegërishtes dhe të shihet si do të ecin për një farë kohe. Këto eksperimente duhet t’i kryejë një brez e t’i gjykojë brezi pasues. Vetëm se të gjitha format dyfishe duhet të miratohen nga një komision i posaçëm gjuhëtarësh, jo t’i lihen spontaneitetit. Unë gjithnjë mendoj se paskajorja e gegërishtes nuk do të hyjë dot në sistem të standardit pa e vënë vetë sistemin në pikëpyetje, por gjithsesi shkrimtarët nuk i ndalon kush të eksperimentojnë, duke e marrë në sy rrezikun, meqë sistemi do të mbrohet vetvetiu dhe format e papranueshme do t’i nxjerrë vetë në breg. Në këtë rast mund të fillohet, siç e thoni edhe ju, nga ato forma të paskajores të foljeve me temë në bashkëtingëllore që nuk e thyejnë vokalizmin (sistemin e zanoreve) e foljes së shqipes standard. A ka nevojë shqipja standard për paskajoren e gegërishtes? Unë, që jam vetë tosk por që tashmë e konsideroj veten si bartës të kulluar të standardit, besoj se nuk ka nevojë; por e kam të qartë se për këtë duan dëgjuar edhe gegët, të cilëve ndoshta ua kërkon instinkti.
Ideja e trajtave dyfishe dhe e komisionit të posaçëm të gjuhëtarëve është shumë e dobishme. Njëmendësimi i saj në kushtet e rrënimit të Akademisë së Shkencave nga administrata e tashme tiranase duket jo fort i pritshëm.
Problemi i paskajores së gegërishtes, në trajtën pjesëza ME + PJESORE, ngre disa pyetje të tjera jo pa interes, nëse mund t’i kthehemi konsideratave historike, duke mos përjashtuar për një moment se ato vërtetë mund të ngrenë peshë në funksionet dhe format e kategorive gramatikore .
Së pari, thuhet me të drejtë se pjesëza “me” lidhet me parafjalën “me”. Si ka evoluar historikisht paskajorja e gegërishtes? Duke rendur pas në histori, çfarë trajte e paskajores përdoret në arbërishten e arbëreshëve të Italisë apo të arbërorëve të Greqisë, që në njëfarë mase përfaqëson shqipen e Mesjetës? Dhe më tej, a janë bërë studime nga Çabeu a të tjerë gjuhëtarë, për të përcaktuar se cila ka qenë paskajorja e proto-shqipes?
Si e shpreh paskajoren greqishtja moderne, ose dhimotiqia?
A mund të thuhet se pjesëza/parafjala “me” e shqipes – që haset identike edhe në greqishte – paraqet një zhvillim të pavarur, të pahuazuar, dhe që- bashkë me greken- a kanë rrënjën nga prejardhja e përbashkët në sanskritishte?
Në të mirë të argumentit se paskajorja e gegërishtes objektivisht përmbahet në standard janë edhe foljet e tipit “me pasë”, “me qenë.” Aq fort janë të ngulitura ato sa kanë sjellë fjalë si “pasuri”, “pasunar”, “i pasur”, apo “qenie”, “i qenësishëm”, etj, të cilat pranohen gjerësisht nga standardi apo edhe nga vetë toskërishtja.
Përkundrazi, varianti i paskajores me “të kesh” apo “të jesh” (veta e dytë njëjës e lidhores) nuk ka aftësi pasuruese në shqipen. Për shembull, krahaso frazën “qenia e Zogut në krye të Mbretërisë së Shqiptarëve” me “jeshja e Enver Hoxhës në krye të partizanëve shqiptarë”. E para, e rrjedhur nga paskajorja e gegërishtes shkon, e dyta – aspak.
Ndofta vetë përgjigja e pyetjes nëse ka apo s’ka nevojë shqipja standard për paskajoren e gegërishtes ndihmohet apo kapërcehet nga argumenti se paskajorja gege është vetiu e trupëzuar në standard sipas një lidhjeje herë të dukshme e herë jo, pak a shumë të karakterit simbiotik.
Një tjetër problem interesant që lidhet ma paskajoren e gegërishtes janë edhe variantet e ndryshme fonetike të zanoreve shqipe që shfaqen në të . Konica për shembull, si një dijetar madhor i shqipes që ishte, ka shembuj të mahnitshëm të përdorimit të gegërishtes së shkruar dhe zanoreve të saj edhe pse vetë mirëfilli i përkiste toskërishtes. Por kjo pasuri fonetike e gegërishtes në paskajore (dhe jo vetëm atje) ndofta mund të trajtohet në një syth tjetër të këtij blogu.
Pirro Suli shkruan:
Këto pohime nuk qëndrojnë. Së pari, sepse paskajorja e gegërishtes është formë analitike, e cila konsiston në një kombinim të pjesëzës me dhe të pjesores së shkurtër të gegërishtes. Duke qenë formë analitike, paskajorja e gegërishtes nuk mund të shërbejë si temë fjalëformuese emrash ose mbiemrash; ndërsa pjesorja mundet. Natyrisht, një fjalë si pasuri është e formuar nga pjesorja pasur e toskërishtes, jo nga dy pjesoret e gegërishtes (pasë, pasun). Një emër si qenie është i formuar nga pjesorja qenë, të cilën e kanë edhe gegërishtja edhe toskërishtja. Mbiemri i pasur është mbiemër prejpjesor i formuar nga pjesorja toskërishte. Mbiemri i qenësishëm përsëri mbështetet në një pjesore të të dy dialekteve. Me fjalë të tjera, shembuj të tillë nuk qëndrojnë dhe, kur përcillen nëpër shkrime qoftë edhe në Internet, dizinformojnë.
Përsëri Pirro Suli:
“Të kesh” dhe “të jesh” nuk janë paskajore, por forma të shtjelluara të foljes, në mënyrën lidhore në vetën e dytë njëjës, të cilat përdoren edhe në ato funksione ku gegërishtja përdor pjesoren. Zakonisht, kur foljet shërbejnë si tema fjalëformuese, e bëjnë këtë nëpërmjet pjesores, në gegërishte, në toskërishte dhe në standard.
Nuk dua të tregohem pedant, por mirë është që çështje të tilla të saktësohen, qoftë edhe për hir të lexuesve të këtij blogu.
Nga ana tjetër, pjesorja e gegërishtes (e përsëris, pjesorja jo paskajorja) është integruar si temë fjalëformuese në emra dhe mbiemra të tipit sulmues dhe i besueshëm (në vend të formave toskërishte sulmonjës dhe i besuarshëm).
Paskajorja gege në histori: Pyetje & Përgjigje
1. A është e vjetër paskajorja gege?
Relativisht e vjetër, meqë dokumentohet në të gjithë autorët e vjetër gegë. Megjithatë, si çdo formë tjetër analitike (ose e krijuar nga dy ose më shumë fjalë të pavarura) nuk mund të jetë shumë e vjetër.
2. A ka pasur shqipja ndonjëherë paskajore sintetike, si gjuhë të tjera IE?
Kjo nuk dihet; edhe pse është teorikisht e mundshme që paskajorja analitike të ketë zëvendësuar një paskajore të mëparshme, sintetike. Por në shqipe nuk ka gjurmë të ndonjë paskajoreje sintetike (njëfjalëshe), si ajo e latinishtes, gjuhëve gjermanike dhe gjuhëve sllave.
3. A ka gjurmë të paskajorjes të tipit me punue në dialektet e tjera të shqipes?
Po ka, por shumë sporadike. Forma do me thënë e toskërishtes përmendet shpesh, por kjo mund të jetë një huazim kontakti nga gegërishtja. Shkrimtarë jugorë pararilindës kanë gjurmë të paskajores gege (p.sh. Nezimi), por këto pas gjase lidhen me ndikime të gegërishtes. Përndryshe, paskajoret në shkrime toskërishte të rilindësve u detyrohen të gjitha përpjekjeve të këtyre për t’i afruar dialektet e shqipes, duke përzier format.
4. A ka gjurmë të paskajores të tipit me punue në arbërishten e Italisë?
Ka, por përsëri shumë të rralla. Këto gjurmë mund të shpjegohen ose ndikimin e shkrimtarëve të vjetër katolikë (të cilët njiheshin edhe ndër arbëreshët), ose me praninë e gegëve ndër arbëreshë.
5. Po toskërishtja ka pasur ndonjëherë paskajore analitike të vetën?
Kjo nuk dihet. Disa autorë mendojnë se edhe toskërishtja duhet të ketë pasur paskajore, por pastaj e ka humbur, si pasojë e ndikimit ose edhe e substratit grek. Kjo tezë nuk është e mbështetur në të dhëna gjuhësore. Ka edhe një hipotezë tjetër, sipas së cilës një nga gjuhët e lashta jogreke të Ballkanit (ilirishtja ose trakishtja) nuk kanë pasur paskajore, dhe ky tipar është trashëguar pastaj nga disa gjuhë në Ballkan. Një gjë është e sigurt: prirja në shumë gjuhë ballkanike për të përdorur lidhoren atje ku pritej të përdorej një paskajore. Këtë prirje e kanë edhe rumanishtja, edhe greqishtja, edhe shqipja; çka tregon se ajo duhet të ketë të bëjë me ekspozimin e këtyre tre gjuhëve ndaj një faktori të vetëm. Cili është ky faktor? Greqishtja, shqipja, parashqipja apo një gjuhë ballkanike tashmë e zhdukur? Kësaj pyetjeje nuk mund t’i japësh dot përgjigje sot për sot.
6. Pjesëza me e paskajores a është e njëjtë me parafjalën me?
Përgjithësisht mendohet se po. Kjo tezë gjen mbështetje të tërthortë në forma të tjera të pashtjelluara të shqipes, si pa punuar, me të punuar, të cilat gjithashtu ndërtohen duke kombinuar një parafjalë dhe një element prejpjesor. Madje edhe pjesëza duke, te përcjellorja duke punuar, është shpjeguar si parafjalë e vjetër.
7. A është pjesore forma punue në paskajoren me punue?
Sot pjesa e dytë e paskajores gegërishte interpretohet si pjesore, meqë është formalisht identike me pjesoren gege. Megjithatë, pjesorja e shqipes ka kuptim të shkuar dhe pësor, ndërsa paskajorja nuk i ka këto kuptime. Prandaj historikisht pjesa e dytë e paskajores nuk mund të ketë qenë pjesore. Ky argument gjen mbështetje dhe në natyrën parafjalore të pjesëzës me, meqë një parafjalë nuk mund të kombinohet me pjesoren, por vetëm me një element emëror ose përemëror.
8. A mund të jetë pjesa e dytë e paskajores gegërishte një formë e mbijetuar e paskajores sintetike të shqipes?
Jo nuk mund të jetë, sepse ajo përkon formalisht me pjesoren, prandaj duhet të rrjedhë nga një formë e ndërmjetme e përftuar mbi bazë pjesoren. Paskajorja nuk mund të formohet mbi pjesoren, për shkak të dallimeve të mëdha në kuptimin gramatikor. Pjesorja e shqipes, nga ana e vet, është shumë e vjetër, dhe formohet me prapashtesa që ndeshen edhe në gjuhë të tjera indo-europiane.
9. Çfarë mund të ketë qenë pikërisht pjesa e dytë e paskajores gegërishte?
Shaban Demiraj mendon se pjesa e dytë, “foljore” e paskajores gegërishte është në thelb një emër prejpjesor; sikurse janë emra prejpjesorë edhe format foljore që ndeshen në përcjelloren dhe në format e tjera të pashtjelluara parafjalore. Në shqipen e sotme, emrat prejpjesorë formohen nëpërmjet paranyjëzimit: nga shkruar, kemi të shkruarit, nga ngrënë kemi të ngrënët. Megjithatë, paranyjëzimi është dukuri relativisht e re në gramatikën shqipe – gjithnjë sipas Demirajt. Forma të pashtjelluara më të vonshme, si me të hyrë, e përmbajnë nyjen e paravendosur.
10. Në qoftë se pjesa e dytë e paskajores është emër prejpjesor, atëherë pse nuk lakohet?
Sipas Demirajt, forma punue në paskajoren me punue është një kallëzore e pashquar, e cila nuk dallohet nga emërorja e pashquar.
Diskutimi ynë ndoshta shkoi edhe më larg, megjithatë një shkrim në favor të paskajores gege mund ta lexoni këtu.
Duke folur për paskajoren me punue, Mehmet Elezi shkruan:
Nëse ka diçka që duhet mbajtur larg nga diskutimet gjuhësore, kjo është retorika. Magjia, për të cilën flet autori, është subjektive dhe ka të bëjë me teknikën poetike, jo me gramatikën e atyre vargjeve (duket se autorit i bën përshtypje të madhe anafora). Nuk ka asgjë magjike te paskajorja, as te ndonjë formë tjetër gramatikore; është vargu që “rrjedh si krua”, jo paskajorja!
Pyet Elezi:
Kësaj pyetjeje s’mund veçse t’i përgjigjem me një kundërpyetje: cili ka propozuar vallë që t’i zëvendësojë paskajoret në këngën e Aga Ymerit?
Vini re edhe retorikën: paskajoren “gurgulluese”, pa e “përgjakur” artin e baladës…
Vazhdon Elezi:
Mua më duket se tragjedia mund të paralajmërohet në mënyra të ndryshme; dhe se nuk ka asgjë të veçantë, as poetike, te paskajorja e gegërishtes.
Elezi shkruan:
Argumentet e Elezit, nëse mund të quhen argumente, mbështeten mbi ngashërimin emocional, jo në logjikën gjuhësore. E përsëris, askush nuk ka propozuar ndonjëherë të ndryshohen tekstet e këngëve e të baladave popullore; prandaj premisa e argumentit është false, sado e fortë të jetë retorika që sillet për ta fortifikuar:
Po ç’lidhje ka grupi “ue” i paskajores me pamjen thuajse të fundbotshme e vetminë e tutshme, me fishkëllimën vajtuese të veriut nëpër pisha… ?
E përsërit: paskajorja në poezinë popullore gege përdoret sepse është formë gramatikore e gegërishtes, jo si përftesë poetike; në kuptimin që nuk ka asgjë të shënueshme në këto paskajorje që sillen si shembuj; madje për t’u habitur do të ishte sikur të mungonin. Në thelb, teza e Elezit është: paskajorja nuk duhet t’i mungojë shqipes standard, sepse e përdor gegërishtja; dhe argumenti i sjellë në mbrojtje të kësaj teze është se, po të hiqet paskajorja nga gegërishtja, gegërishtja vdes. Mua më duket se ky nuk është kurrfarë argumenti, tha.
…”Argumentet e Elezit, nëse mund të quhen argumente, mbështeten mbi ngashërimin emocional, jo në logjikën gjuhësore…”
Elezi ka harruar te sjelle ne shembujt e tij edhe nje varg qe eshte po aq tipik i gjuhes se eposit:
…”fort po shndrit e pak po xeh ai diell…”
Me duket se pikerisht ketu eshte edhe kryqi i gjerave, se nese ajo cfare kemi, eshte e bazua ne logjike gjuhesore apo ideologji gjuhesore, tha.
Xhaxha. Une do te doja qe ta shtynit kete diskutim disi me tutje (po du me t`pvet dishka): sikur te kishit mundesine per ta ndryshuar e vendosur, a do te ndryshonit ndonje gje qofte ne fjalor apo ne sintakse te shqipes? A ka vend per ndryshim e si mund te arrihet?
Xhaxhai:
“Natyrisht, edhe gegërishtja letrare mund të kish shërbyer fare mirë si bazë e shqipes së njësuar, meqë i kishte të gjitha kartat në rregull, nga pikëpamja gjuhësore dhe kulturore. Çka s’mund e nuk duhej të ndodhte, ishte përzierja politikisht korrekte dhe oportuniste e të dy dialekteve, nëpërmjet bashkëjetesës së formave paralele në sistem.”
I dashur,
a eshte korrekte qe une sa me siper ta kuptoj si nje zgjedhje perjashtuese (pertej tendences politike) normale, pra qe ne pamundesi per te konkluduar ne nje shartese te ketyre te dyjave, ishte domosdoshmeri adoptimi vetem i njeres (dhe si rrjedhim lenia jashte e tjetres). Pra, nje nje hipoteze te tille, sikur hipotetikisht te ishte vepruar anasjelltas, a do te ishim potencialisht sot duke debatuar mbi “debimin” e toskerishtes nga standarti?
Te pershendes
Mixha: “Duke qenë formë analitike, paskajorja e gegërishtes nuk mund të shërbejë si temë fjalëformuese emrash ose mbiemrash; ndërsa pjesorja mundet. Natyrisht, një fjalë si pasuri është e formuar nga pjesorja pasur e toskërishtes, jo nga dy pjesoret e gegërishtes”
Ne lidhje me fjalformimin e emnave p.sh. `i pasun’ (ase mbiemnit i pasun) prej `pase’, une nuk mendoj se forma analitike e paskajores pengon formimin e tyne, e ideja jote konfidente per prejardhjen e tyne toske âsht nji-anshe. Pse nuk thuhet e njâjta per Anglishten (to hang ; hang – me vjerre; vjerres)?
Gjithashtu ne komentet e tua per shkrimin e M. Elezit, une mendoj se ti po perdor nji mjeshtri dinake – po aq “emocionale” e subjective – sa vet autori.
Prapseprap, ne artikujt e tjere Mixhe, kie pika interesante e dokesh person mjaft i lexuem.
Tana t’mirat
Studiuesja Ledi Shamku-Shkreli paraqet një platformë tejet interesante [dhe të guximshme] për “normimin e gegnishtes” [Falori i Gazullit, Parathënie, Çabej, 2005]. Sipas Shamku-Shkrelit, katër gjymtyrët e shqipes janë (i) Norma Standarde; (ii) Substandardi i Metropolit; (iii) Dialekti Toskë i Shkruar dhe (iv) Dialekti Gegë i Shkruar.
Shkreli-Shamku shkruan se që “sistemi i katërt të konkurrojë në garën e lirë të shqipes me të njejtën peshë me të tjerët, shtrohet me ngut nevoja e normimit të gegnishtes” sipas modelit prognostik të Haugenit. Punën rilevues dhe shqyrtuese për këtë normim duhet dhe duhet ta ndërmarrë Universiteti i Shkodrës.
Përmbushja e detyrimeve ndaj gegnishtes, pa thyer unifikimin gjuhës letrare kombëtare, mbetet një sfidë, aspak e thjeshtë, aspak e vështirë”, përfundon ajo.
Ka megjithate mundesi per integrimin e paskajores. Standardi i shqipes nuk duhet me u pa si i barasvlefshem me toskerishten, sa kohe qe funksioni i tij eshte me i sherbye gjithe gjeografise shqipfolese. Futja e paskajores nuk e permbys standardin, por vetem e zhdryn nga ndryrja brenda toskerishtes. Megjitheqe baza gramatikore e standardit eshte toskerishtja, nuk duhet vene shenja e barazise ndermjet te dyjave, prej faktit se funksionet e komunikimet me ane te standardit shtrihen pertej treves se Toskerise.
Nuk mund te thuhet se lidhorja “i ka humbur lidhjet kuptimore me vetën e dytë, dhe se është funksionalisht e barazvlershme me paskajoren gege.
Ne shembujt qe ti sjell, eshte shkencerisht me e sakte te thuhet se, shi per shkak te perdorimit te lidhores, fjalite jane ambige, sepse mund te lexohen ose si raste konkretizimi ne veten e dyte, ose si abstraksione.
Besoj se paskajorja ne standard kryesisht do te mbizoteronte tek te shprehurit abstrakt. Formulime te tilla si “To have or to be?”, “to be or not to be?”, “being a woman”, etj, perkthehen me fuqishem me paskajore, bash pse i ikin ketij ambiguiteti.