Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

SHARRA

Do të kem qenë jo më shumë se tetë ose nëntë vjeç, kur më dhuruan për vit të ri një kit me vegla të vogla zdrukthtarie: çekiç, gozhdë e thumba të madhësive të ndryshme, darë për t’i shkulur, pinca, shirit ngjitës maskues, pineska, metër nga ai që përthyhej, metër shirit me centimetra nga njëra anë e inç nga ana tjetër, skuadër të hollë çeliku, nivel nga ai i muratorëve, me flluskë ajri, turjelë dhe – natyrisht – sharrë (SHARRË!!!). Këto lodra i kishin sjellë, me sa mbaj mend, nga Kina; shiteshin për herë të parë atë vit, e kush mundte, ua blente fëmijëve.

Më vonë kam lexuar për disa prova përndryshe antishkencore që u bëjnë foshnjeve, për të parashikuar ç’do të bëhen kur të rriten: duke u afruar një shportë me sende të ndryshme, derisa këto të kandisen e të rrëmbejnë ndonjë prej tyre; meqë, siç thuhet, po të rrëmbejnë lapsin do të bëhen shkrimtarë ose të paktën shkrues në gjykatë, ndërsa po të rrëmbejnë mistrinë do të ndërtojnë rrokaqiej e ura tejetej brigjeve; stetoskopi parashikon një të ardhme në mjekësi ose, së paku, në industrinë pornografike, ndërsa shtizat dhe leshi karrierë në industrinë e modës, pavarësisht nga implikimet e pakëndshme për foshnjet meshkuj. Gjithsesi, tani vras mendjen si do ta kishin shpjeguar, me urtësi popullore ose me psikanalizë, magjepsjen time pas sharrës.

Nuk them se i lashë mënjanë veglat e tjera; por vetëm se në hierarkinë që organizova me mendje aty për aty, kryet e vendit i mbetej sharrës. Menjëherë zura të mendoj se çfarë mrekullish do të krijoja me veglat e reja, derisa vendosa, më tepër për arsye praktike, që ta nisja veprimtarinë me një kuti çfarëdo, të thjeshtë dhe praktike. Më kishin siguruar, me këtë rast edhe lëndën e parë të nevojshme: një copë kompensatë, në madhësi të mjaftueshme për të sajuar, për shembull, një kuti për kopsa (kopacë), zare kushinetash, hekurishte të vogla nga ato që i gjeje në rrugë e që të mbeteshin përndryshe në xhep, ndonjë kapsollë ose fundja edhe gëzhojë, rezerva e susta stilolapsi ose copa plestiglasi të kuq të cilat kishte mjeshtra të ngeshëm në mëhallë që i transformonin në medaljone. Pa vështirësi, vizatova mbi kompensatë – duke përdorur metrin dhe skuadrën – disa drejtkëndësha të cilët, pasi t’i kisha sharruar, do t’i bashkoja për të ndërtuar kutinë. Desha të filloj punën po atë natë, por për arsye që nuk vareshin prej meje e shtyva deri të nesërmen në mëngjes, dhe vajta të fle duke përfytyruar se ç’objekte të çuditshme do të futja në kutinë time të parë.

Plani im ekzekutiv ishte nga më të thjeshtët:

  1. Prerje e kompensatës në copat përkatëse
  2. Bashkim i copave të prera, për të përftuar objektin përfundimtar.

Për çka do të më duheshin veglat e mëposhtme:

  1. Sharrë druri
  2. Çekiç dhe gozhdë
  3. Darë, për të korrigjuar gabimet

Të cilat i disponoja. Me keqardhje se për këtë detyrë të parë nuk do të përdorja dot turjelën, iu përvesha pjesës më eksituese të krejt procesit të punës, ose sharrimit të kompensatës në forma të rregullta drejtkëndore.

Pas pesë minutash përdredhjesh të neveritshme të sharrës, rezultati ishte një e prerë e shtrembër dhe rebele, që nuk i përgjigjej fare vijës sime precize. Jo vetëm sharra nuk ishte e mirë, por edhe më mungonte një asistent me përvojë, që ta mbante kompensatën pa lëvizur teksa unë operoja. Iu luta gjyshes të më ndihmonte, e cila pranoi me gjysmë zemre; dhe kur sharra ime vazhdonte të çante në kompensatë me kokë të vet, më këshilloi t’i hidhja pak vaj. Sakaq kit-it të veglave iu shtua edhe një filxhan me pak vaj “të mirë” (siç i thoshnim vajit të ullirit atëherë), dhe faqet e kutisë së ardhshme erdhën e u llangosën për ibret. I shpjegova gjyshes se kutinë, pasi ta ndërtoja, do ta lyeja me bojë: madje shkoja me shpresë se do të gjeja pak nga ajo boja anti-ruggine ngjyrë portokalli të ndezur; por edhe vetëm varak sikur të gjeja, s’ishte problem.

Plani për ndërtimin e kutisë dha shpirt sapo kur sharra ime ngeci në mes të kompensatës, pasi u kish kaluar mes për mes të gjitha faqeve të ardhshme të kutisë. Sa më shumë punoja, aq më shumë bindesha se ky plan kish qenë tepër ambicioz që në krye; dhe se me vegla zdrukthtari mund të bëje punë shumë më dëfryese e shpërblyese, të cilat nuk kërkonin dhe aq precizion dhe dorë të saktë, sesa mendje të hollë. Tek e fundit, unë s’kisha qenë ndonjëherë keq për kuti; përkundrazi, i kisha me bollëk dhe të të gjitha madhësive dhe llojeve: prej druri, prej kartoni, metalike. Prandaj e lashë punën, e fsheha kompensatën poshtë divanit, dhe i futa të gjitha veglat në vendet e tyre në kit, me përjashtim të sharrës dhe të turjelës, për të cilat ndieja afinitet të natyrshëm.

Turjela ishte e vogël, me punto që nuk i ndërrohej, por mjaft eficiente; siç e pata provuar dorën menjëherë në mëngjes, duke shpuar rrufeshëm një brimë vertikale në copën e bukës pesëdhjetedyshe mbi tryezë (ashtu e quanim, ngaqë kushtonte 52 lekë të vjetra). Ishte e shpejtë, e lehtë në përdorim, e pazhurmshme. Pa humbur kohë, hapa disa brima në murin e sallonit (të shkurtra, derisa turjela i doli tej për tej suvasë dhe ngeci në mur); në derën e kalbur të banjës; në qer (një si sofër e rrumbullakët, ku bëheshin petët për byrek). Kisha parë një teknik njëherë që, për të futur nuk di ç’kabllo nga jashtë brenda shtëpisë, kishte shpuar me turjelë telajon e dritares; e provova edhe unë, por pa shumë sukses, sepse maja e turjelës ishte e shkurtër, dhe ndoshta i kish ardhur edhe asaj radha për t’u vajisur.

Megjithatë, ka diçka monotone në hapjen e brimave, sidomos kur nuk të çojnë gjëkundi e kur nuk ke ç’të kallësh atje përveç ndonjë fijeje shkrepëse të cilës t’i vësh zjarrin pastaj; ose një pambuku të njomur me vajguri ose me alkool; ose më mirë fare me insekticid që ka të shkruar në shishe “extremely flammable”. Mirëpo brimat e turjelës sime ishin thjesht ornamentale, të rastit, e nuk dalloheshin nga brima të tjera të hapura poshtë e lart për arsye të vjetra e pa vlerë, nga gozhdë që pastaj ishin shkulur e përdorur me misione të tjera. Shto këtu edhe që, gjatë njërit prej shpimeve më të vështira, në faqen anësore të një sëndyku të vjetër ku shpresoja të gjeja ndonjë këllëf pisqolle ose tejqyra të vjetra të Turqisë, maja e turjelës u thye dhe pjesa e përparme e puntos ngeci e sekuestruar në objekt. M’u desh ta abortoja krejt planin.

Sa për sharrën, kjo duhet konsideruar si instrument artisti, më e ngjashme me daltën e skulptorit ose shkopin e dirigjentit, sesa me një vegël të përunjur zdrukthtari. Më jepni një sharrë që ta ndaj botën më dysh… cili grek i lashtë e kish thënë këtë? Në atë kohë të gjithë e kishin lexuar një tregim për fëmijë, ku tregohej për një partizan të vogël hero, të cilit ia kishin prerë krahun me sharrë, pa anestezi; prandaj kuptohet se ç’dëshira më vezullonin para syve, kur e mbaja sharrën në dorë… Disa gjëra ndonjëherë duhen bërë, edhe pse të dhimbshme. Por nuk isha akoma gati të amputoja gjymtyrët e mia. Por sharra… Më vonë kam lexuar për Aleksandrin e Maqedonisë dhe mënyrën si e zgjidhi ky Nyjën Gordiane: me të prerë. Punë perandorësh.

Sharra ime nuk priste dot çelik, as gizë; e përdorur me një tub të shkurtër plumbi poshtë lavamanit të banjës, nxirrte një cijamë të frikshme, që i bënte të kërcenin përpjetë të gjitha plakat dhe macet në mëhallë. Për shkak të përmasave, nuk e përdorja dot as për të prerë drurët e tepërt frutorë në oborr, ose për të shkurtuar kërcunj zjarri, si një malësor drumepré që e kisha mik. Mirëpo mundësitë që të jep sharra… janë të panumërta. E provova me një zorrë me të cilën ujitnim oborrin – lojë kalamajsh, më mjaftoi një minutë për ta shndërruar në dy zorrë. Në seksionin e sharruar, plastika e kuqe shkëlqente si domate e freskët, të vinte ta lëpije me afsh. E provova me një karrike kashte, që rrinte kot në verandë – e depërtoi menjëherë, bëri ndreqjet e duhura, dhe u largua pa rënë në sy. Çfarë tjetër? Një begonia që ishte harlisur pak si shumë? Pa problem, zonjë – i heq unë pjesët e tepërta, duke e sharruar kërcellin ja këtu. Pak punë me trungun e një fiku që përndryshe e respektoja pa masë; për të provuar nëse do t’i rridhte “qumësht” apo jo. I rrodhi. Ja edhe një spango e trashë, me të cilën kishin lidhur derën e një barrake të mbushur me rraqe për ta mbajtur të mbyllur – edhe këtë herë sharra nuk më la në baltë.

Pastaj më hyri të ftohtët dhe e zhvendosa teatrin e operacioneve brenda shtëpisë, duke filluar nga një kukull gjermane ose çeke të Til Eulenspiegel ose një personazhi tjetër të një opere të Wagner-it ose ndoshta të Mozart-it, e cila hijeshonte odën e mysafirëve – ia meremetova njërën prej këmbëve, atë më të gjatën, pa anestezi. Kopertonat e biçikletës së vjetër me tre rrota, së cilës nuk i hypja më: përsëri lojë fëmijësh. Kapaku i pasmë kaba i një enciklopedie të trashë ruse: më rezistent, por aty paskësh qenë edhe lezeti. Me pak këmbëngulje e shumë zotësi, e shkëputa edhe andej një copë në trajtë të një trekëndëshi dybrinjëshëm kënddrejtë. Faqja anësore e sëndykut që më kishte gjymtuar turjelën: edhe aty bëra disa dëme, por nuk arrita të depërtoj në hapësirën e brendshme, ku i kishin fshehur armët xhonturqit.

Më vonë, kur m’u desh t’i rrëfej këto vepra njërën pas tjetrës, së bashku me shpjegime për arsyet që më kishin shtyrë të shkatërroja shtëpinë, askush nuk do të ma kuptonte konceptin tim për sharrën si daltë të skulptorit për mua. Po borsën prej llastiku që e mbushte gjyshja me ujë të nxehtë dhe e përdorte për të ngrohur këmbët natën pse e kisha prerë? Për ta parë si ishte nga brenda. Po pompën për klizmë? Idem. Nuk të vjen turp? Jo.

Disa ndërhyrje, si ajo ndaj kukullës operistike, do të merreshin vesh vetëm shumë më pas. Të tjera kërkonin pendim të menjëhershëm: një mollë e madhe faqekuqe plastike, shtatë qirinj, një laps vetullash, një sapun të stërvjetër blerë ndoshta në Janinë, një pantofël e këputur gome, guarnicioni i frigoriferit në dy vende, një puro Kube ose Rumanie dhuruar nga nuk di ç’kushëri, një kalendar kinez prej kashte të hollë. Më në fund, një roman i trashë i shkrimtarit frëng Émile Zola (“Paraja”), brenda të cilit isha përpjekur të hapja një zgavër, ku të fshihja disa gjëra të miat, njëlloj siç e kisha parë në një muzeum, ku tregohej sesi një prift tradhtar armik i popullit e kish gdhendur Biblën nga brenda, për të fshehur atje një armë ose një shishe me helm ose diçka tjetër djallëzore.

Sharrën ata vetë ma kishin dhënë – çfarë kërkonin tani prej meje? Po të më kishin dhuruar bojën anti-ruggine, rezultatet do të kishin qenë krejt të tjera. Njëlloj edhe me varakun. Po të më kishin dhënë kallaj dhe nishadër, do të kisha bërë disa ngjitje e pikime strategjike, sipas nevojës. Me tutkall, do të kisha bërë ngjitje të tjera. Vallë nuk jemi skllevër të heshtur të teknologjisë, e cila na detyron ta eksplorojmë botën vetëm në ato shtigje që i gjejmë të hapura? Këtë nuk ua thoja dot, atëherë; por njëfarësoj e dija, sado fëmijë, se fuqinë shkatërruese në mua e kish zgjuar sharra, si ndonjë formulë prej magjie të zezë. Ndoshta një fëmijë më i mbarë se unë, në Shanghai ose në Pnom-Pen, do të kish bërë mrekullira me veglat e kit-it prej lodre: strehëza me pullaz për pëllumbat ose gargujt, klinikë për insekte të dëmtuara, kornizë të thjeshtë për të ekspozuar fotografinë e qenit kozmik Lajka, të prerë nga gazeta…

Që prej asaj dite, nga kompleti i veglave të zdrukthtarisë më autorizuan të përdorja lirisht vetëm nivelin me flluskë ajri. Gjithçka tjetër u zhduk nga qarkullimi: çekiçi, darët (ah, që s’i përdora dot kurrë!), thumbat, pineskat, rondelet prej tunxhi, metri i përthyeshëm, metri shirit, pincat. Por mua filloi të më pëlqente niveli, sepse më linte të konfirmoja, disa herë në 24 orë, që të gjitha tavolinat, karriket, bufetë, kontrabufetë, komodinat, sergjenet, parvazet, raftet e librave dhe të tjera sipërfaqe horizontale në shtëpi ishin të balancuara mirë; por pa u shkaktuar këtyre strukturave dëme të pariparueshme. Lodër e këndshme, që një ditë prej ditësh do ta zbërtheja për të verifikuar nëse ai lëngu i verdhëllemë brenda ampulës prej qelqi, ku vërtitej flluska, ishte i djegshëm apo jo dhe sa i djegshëm pikërisht, si dhe çfarë shije kishte; por ndërkohë i kaloja orët e lira duke e drejtpeshuar nivelin në majë të kokës; ashtu, më thoshte gjyshja me miratim, do të mësohesha edhe ta mbaja trupin drejt kur ecja.

3 Komente

  1. Eh me ç’luanim në Shqipëri, survival of the fittest, jo si këto lodrat e Amerikës që të tregojnë edhe në çfarë moshe duhet të jetë kalamani që ta përdori 🙂 Një nga krijesat e mia ishte një hark i bërë nga telat a një çadre. Po ashtu kisha bërë dhe një shigjetë të cilës ja mpreha majën. Në herën e parë të provës ja ngula gishtit të dorës me të cilën mbaja harkun 🙂 Pa le pastaj ç’punonim me llastiqe.

  2. Unë do ta shikoja kështu historinë e sharrës. Do të parafrazoja fjalinë e famshme “Ne jemi çka hamë” për të nxjerrë tjetrën : “Ne përdorim çka na japin”. Në këtë mënyrë do të zgjidhnim edhe enigmën e krizës së 1997-s, e kam fjalën për atë të kallashnikovëve.

    Jam i ndërgjegjshëm që kujtimet e Xha Xhait mund të interpretohen edhe ndryshe. P.sh. nuk e kam kuptuar kurrë përse sharra elektrike është një nga mjetet e horrorit kinematografik të sotëm. Sepse është e shpejtë sa edhe e pakontrollueshme? Apo sepse dhuna që shkakton është teknologjikisht e përparuar?

    Dje fëmijëve u jepnin për të luajtur sharra mekanike dhe dara të vogla. Janë bërë, përveçse marangozë të zellshëm, shkrimtarë të shkëlqyer. Sot sharrën elektrike fëmijët e kanë në bodrum. Udhëzuesin e përdorimit ua dhurojnë për Krishtlindje: në formën e PlayStation2, ku mund të luajnë lojëra fantastike e të çlirojnë fantazinë duke sharruar zombie nga lart poshtë.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin