Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Histori

GJUHË DHE GJAK

Shumëkujt do t’i jenë dukur të tepruara, në mos foshnjore, pretendimet e përsëritura të sllavo-maqedonasve për lidhje të posaçme të tyret me maqedonasit e lashtësisë dhe lavdinë e Aleksandrit.

Në të vërtetë, dukuria e përvetësimit të një të kaluare imagjinare, për të amplifikuar krenarinë ose identitetin kombëtar, nuk është e kufizuar vetëm në fqinjët lindorë të Shqipërisë.

Bullgarët kanë kohë që identifikohen, njëfarësoj, me popullsitë trake që jetonin në trojet e Bullgarisë së sotme para se të dyndeshin sllavët; edhe pse bullgarët vetë flasin një gjuhë të grupit sllav dhe e kanë marrë emrin nga një fis turk që zbriti në Ballkan në Mesjetën e Hershme.

Turqit, nga ana e tyre, tregojnë interesim të veçantë për kulturën dhe arkeologjinë e hititëve, një popullsi indo-evropiane që jetonte në Azinë e Vogël mijëra vjet para se të shfaqeshin atje fiset osmane.

Edhe egjiptianët e sotëm, një popull arab që flet arabisht, duan të gjejnë te egjiptianët e lashtë të faraonëve dhe të piramidave stërgjyshët e tyre të ligjshëm.

Për t’u kthyer në Ballkan, në veri të Shqipërisë, kroatët gjithnjë i kanë mëshuar lidhjeve të posaçme me ilirët e Dalmacisë, edhe pse kroatët vetë flasin një gjuhë sllave me ndonjë element iranik.

Më anën tjetër të gadishullit, rumunët, që si popullsi dhe si gjuhë janë vazhdues të latinitetit sjellë e mbjellë prej Romës në Ballkan, i mbajnë me të madhe lidhjet e tyre reale e të supozuara me dakët, një fis që mund të ketë qenë i afërt me trakët, por mund edhe të mos ketë qenë.

Sa baza kanë mitologji të tilla? A duhen shpërfillur si përpjekje fëminore për t’i gjetur një histori vetvetes?

Këtyre pyetjeve nuk u përgjigjesh dot lehtë. Megjithatë, e nga ana tjetër, nuk ka as arsye pse të identifikohet me çdo kusht gjuha me popullin që e flet, gabim ky që ndonjëherë historia moderne nuk e ka shmangur dot.

Nuk ka asnjë dyshim që rumanishtja është gjuhë romane, “motër” e italishtes, frëngjishtes, spanjishtes e portugalishtes. Por kjo nuk do të thotë që rumunët, etnikisht, janë “vëllezër” me italianët, francezët, spanjollët e portugezët.

Francezët, si popull, kanë një komponente të fortë kelte (galike), edhe pse kjo nuk duket shumë në leksik e në gramatikë të frëngjishtes; rumunët, nga ana e tyre, kanë edhe ata karakteristika të forta që i dallojnë nga popujt e tjerë neolatinë, e që, pas gjase, pjesërisht janë trashëguar nga popullsia vendase – dakët.

Anglezët e sotëm, po t’i gjykosh nga gjuha, rezultojnë gjysmë të romanizuar – sepse anglishtja ka një numër shumë të madh fjalësh me prejardhje nga gjuhët romane; por dihet se këto fjalë i detyrohen kryesisht sundimit të aristokracisë normane, e cila ishte numerikisht e papërfillshme në raport me popullsinë vendase, anglo-saksone (gjermanike) dhe pjesërisht kelte.

Po ashtu, greqishtja e re është qartazi vazhduese e greqishtes së vjetër, çka është vështirë të thuhet për grekët e sotëm si popullsi, të cilët kanë përvetësuar një trashëgimi të pasur gjenetike dhe kulturore prej sllavëve dhe arbërorëve në Mesjetë.

Në Itali, dallimet e mëdha etnike midis Jugut dhe Veriut kanë lidhje edhe me praninë e një komponenteje greke-arbërore (Bizantine) në jug të gadishullit, e cila i kundërvihet një komponenteje gjermanike në veri të gadishullit – pa përmendur pastaj nënshtratin etrusk në Toscana e në Marche.

Me fjalë të tjera, lëvizjet e gjuhëve dhe lëvizjet e popujve jo gjithnjë përkojnë. Edhe vetë përhapja e gjuhëve indo-evropiane nuk duhet kuptuar aq si shpërthim demografik popujsh, sesa si ekspansion i një kulture superiore, e cila iu mbivendos, aristokratikisht, kulturave para-indoevropiane ekzistuese dhe, me kohë i asimiloi.

Popujt mund edhe të ndërrojnë gjuhë. Rumunët e sotëm nuk janë aq vazhdues të kolonëve latinë në Ballkan, sesa pasardhës të stërgjyshëve të tyre dakë që u romanizuan. Francezët, që deri edhe emrin kombëtar e morën nga fisi gjermanik i frankëve, janë pasardhës të popullsive të romanizuara kelte të Galisë.

Suksesi i një kulture, që sjell me vete edhe suksesin e gjuhës përkatëse në dëm të gjuhëve humbëse, nuk do barazuar me zëvendësimin fizik të popullsive. Humbësit mund të përfundojnë demografikisht të pafavorizuar, por kjo s’do të thotë se janë shfarosur; përkundrazi, zakonisht mbijetojnë duke adoptuar kulturën tjetër.

Edhe për zanafillën e shqiptarëve dhe të shqipes vlen i njëjti arsyetim parimor: madje hipoteza që shqiptarët e sotëm janë pasardhës të ilirëve të jugut tingëllon sot për sot më e mbështetur se hipoteza që shqipja është vazhduese e një dialekti të ilirishtes jugore.

Disa vështirësi objektive që ndeshin përkrahësit e hipotezës së dytë, nuk mjaftojnë për ta zhvlerësuar të parën; dhe zhvillimet gjithnjë e më premtuese në fushën e gjenetikës së popullsive njerëzore po e bëjnë gjithnjë e më të qartë nevojën për t’i mbajtur të ndara të dy perspektivat.

 

13 Komente

  1. Nga pikëpamja identitare, tashmë njihet nga të gjithë epërsia e kulturës ndaj gjakut. Ose më qartë: identitetin e bën kultura dhe jo gjaku. Edhe pse aspekti biologjik e pamor ka rëndësinë e vet dhe ndikon jo pak në (vetë)perceptimin e identitetit.

  2. Zoti/Zonja AC, edhe pse nuk jam kurrsesi ekspert për marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-rumune, mund t’i përgjigjem pyetjes suaj, meqë e kam një ide të qartë se për çfarë është fjala. Shqipja dhe rumanishtja kanë të përbashkëta jo vetëm një numër të madh fjalësh të pahuazuara, por edhe afrohen mes tyre në fonetikë, në morfologji dhe në sintaksë, deri atje sa disa gjuhëtarë kanë shprehur mendimin se është fjala për të njëjtën gjuhë, me dy sisteme të ndryshme leksikore. Përveç kësaj, shqipja dhe rumanishtja afrohen shumë edhe për nga mënyra si e kanë trajtuar elementin latin. Si mund të shpjegohen këto përkime kaq lëndore? Për këtë hipotezat janë të ndryshme. Është thënë se ngjashmëritë midis shqipes dhe rumanishtes janë provë se shqipja rrjedh nga dako-mizishtja (një gjuhë ndoshta e afërt me trakishten, ndoshta jo), në një kohë që rumanishtja është gjuhë e dako-mizëve të romanizuar. Të tjerë mendojnë se këto ngjashmëri kanë të bëjnë me marrëdhënie horizontale midis dy gjuhëve, në një kohë kur të parët e shqiptarëve dhe të parët e rumunëve bashkëjetonin, diku në zemër të Ballkanit. Disa autorë kanë vënë re se, nga dy dialektet e shqipes, rumanishtja afron më tepër me toskërishten, sidomos në fonetikë e në gramatikë; prandaj kjo ose do të shpjegohet me një substrat ose superstrat dako-miz në toskërishten (përkundrejt gegërishtes që mbetet më afër ilirishtes), ose duhet menduar se, në një periudhë më të hershme, toskërishtja nuk ka qenë folur në jug të gegërishtes, por në lindje të saj (në kuptimin që konfigurimi i sotëm dialektor i shqipes ka pësuar një rrotullim 90 gradësh [korrigjuar: ishte 45 gradësh]). Më në fund, Gustav Meyer-i mendonte se rumunët janë produkt i romanizimit i një fisi jo trak, por ilir; çka, sipas Çabejt, mbetet për t’u kundërshtuar me argumente. Ka të ngjarë që afërsitë shqiptaro-rumune t’i detyrohen pjesërisht afërsisë gjenetike mes dy gjuhëve – ose afërsive midis parashqipes dhe substratit jolatin të rumanishtes; por një pjesë tjetër e këtyre përkimeve janë pa dyshim më të vona, dhe kanë të bëjnë më tepër me shkëmbimet horizontale midis dy popujve, të lehtësuara edhe nga nomadizmi, ose shtegtimet e barinjve.

  3. “Disa autorë kanë vënë re se, nga dy dialektet e shqipes, rumanishtja afron më tepër me toskërishten, sidomos në fonetikë e në gramatikë;”

    – Kam pershtypjen se dy dialektet kryesore te shqipes duhet te kene qene shume te peraferta ne fonetike edhe gramatike per kohet mbi te cilat po flitet; dallimet jane bere me te theksuara me vone. Psh sot thuhet se toskerishtja s`ka fonema hundore; kjo merrej si karakteristike e gegerishtes, por deri vone tinguj si “n” (benj, dmth te besh, per me ba) ka qene e tille. Eshte me interes pse rumanishtja dhe toskerishtja kane ruajtur me shume trajta te perbashketa ne krahasim me gegerishten

  4. Tani, losttext, disa dallime dialektore as shumë të reja nuk janë. Për shembull, dihet se toskërishtja e ka shndërruar në r një n ndërzanore: p.sh. truni/truri, druni/druri, zani/zëri, rana/rëra (dukuri që e quajnë ndryshe edhe rotacizëm); por ky shndërim praktikisht ka pushuar së vepruari me huazimet e shqipes nga gjuhët sllave; në kuptimin që fjalët sllave me n ndërzanore që kanë hyrë në toskërishte, nuk janë rotacizuar, por e kanë ruajtur n-në. Meqë kontaktet shqiptaro-sllave nisën diku nga Mesjeta e Hershme, atëherë mund të thuhet me një farë sigurie se ky dallim dialektor ka ekzistuar para asaj periudhe. Natyrisht, kontaktet shqiptaro-sllave kanë rëndësi këtu vetëm për hir të përcaktimit të një kronologjie, jo se kanë luajtur ndonjë rol të drejtpërdrejtë në përftimin e dialekteve të shqipes. Rotacizmi i toskërishtes dhe hundorësia e gegërishtes, së bashku me përftimin e zanores ë, janë nga ato dallime themelore dialektore të shqipes që datohen si të mesjetës së hershme; për to është pranuar një cak fundor, por përndryshe nuk dihet sa të vjetra janë. Me interes këtu është që, edhe në trajtimin e zanoreve hundore, rumanishtja dhe toskërishtja afrohen mes tyre; në një kohë që, në rumanishte, nuk është rotacizuar n-ja, por l-ja ndërzanore.

  5. Ceshtja qe duhet analizuar eshte PSE kerkohet me qiri katragjyshi i larget si nga djemte e Shemit (Arabe e Izraelited) dhe nga djemte Ham-it(katrahura tjeter)?

    Kjo eshte nje aventure filizofike te drejten e te ciles nuk na e heq dot Xha-Xha, packa se mund te vriten miliona.

  6. Kur është fjala për ngjajshmerite mes shqipes dhe rumanishtes, dhe sidomos ato ne mes toskerishtes dhe rumanishtes (si psh: prezenca e “ë”, rrotacizmi etj) vlen te përmendet edhe një hipotezë tjeter qe rreket te spjegoje keto ngjajshmeri. Sipas kësaj hipoteze ngjajshmerite ne mes toskerishtes dhe rumanishtes nuk jane rezultat i nje substrati dako-miz ne toskerishte, apo i nje rrotullimi 45 gradesh te konfigurimit dialektor te shqipes, por jane rezultat i ndikimit të sllavo-bullgarishtes si ne rumanisht ashtu edhe ne shqipen e jugut.

    Dihet mire që territori i Ballkanit ne antikitetin e vonë dhe mesjeten e hershme u vërshua dhe u kolonizua nga popuj barbarë, kryesisht sllavë, dhe se prezenca e tyre deshmohet nga toponimia e shumte sllave edhe ne ato zona ku sot praktikisht nuk ka sllavë. Është nje fakt i njohur se toponimia sllave ne zonat e banuara me rumunë, si dhe ne Shqipërinë e jugut dhe në Epir, është e formës bullgare të sllavishtes. Dihet poashtu egzistenca e një mbretërie bullgare, deri ne fillim te shek. XI, që shtrihej nga Deti i Zi ne lindje deri ne Adriatik ne perendim, dhe qe perfshinte jo vetëm zonat lindore dhe qendrore te Ballkanit, por edhe territoret e Shqiperise se jugut, duke pasur kështu dalje në detin Adriatik dhe Jon.

    Sipas kësaj hipoteze me shkatërrimin e mbretërisë bullgare nga bizantinët, në territoret që deri ateherë kontrolloheshin nga mbretëria bullgare, ndodhin disa procese demografike që gradualisht fillojnë ta ndryshojnë konfiguracionin etnografik te Ballkanit. Deri në atë kohë zonat ultësinore, dhe ato pergjatë luginave te lumenjve, kanë qenë te banuara dhe të dominuara nga popullsi sllavofone, me saktësisht bullgarofone.

    Ndryshimet demografike që ndodhin ne këtë kohe, sipas kësaj hipoteze, kanë të bëjnë me zbritjen e barinjve nomadë, në fillim kryesisht rumunë, nga zonat malore ne zona ultsinore dhe përgjate luginave te lumenjeve, ku barinjtë nomadë rumunë ndeshin ne popullsinë sedentare bullgarofone me te cilët bashkëjetojnë për një periudhë të gjatë disa shekullore.

    Kjo simbioze disashekullore e barinjve rumune, me popullsite sedentare bullgarofone, qe u zhvillua kryesisht ne territorin e Bullgarisë veriore, asaj perendimore, Serbisë lindore dhe Rumanise jugore (Vllahisë) çoji deri ne krijimin e etnosit rumun dhe gjuhës rumune me tiparet qe pak a shume e karakterizojnë edhe sot. (Rumanishtja ka shume sllavizma pothuajse te gjitha bullgarizma; vetem pas krijimit te shtetit rumun, autoritetet rumune u rreken ta pastrojne gjuhën nga sllavizmat qe deri ne atë kohe përbënin 60-70% të fjalorit të rumanishtes).

    Një proces i ngjajshëm, apo ndoshta edhe i njëjtë, me atë qe ndodhi ne ato zona ku u perftua rumanishtja e mesjetes se vone, ndodhi edhe ne Shqiperine e jugut. Edhe këtu barinjtë (gjysëm)nomadë arbërorë që zbriten nga zonat malore hasën në popullsi sedentare bullgarofone. Simbioza që rezultoi në mes të barinjve arbërorë (dhe ndoshta me pjesmarrjen edhe të vllehëve) dhe popullsisë bujqësore bullgarofone, rezultoi ne asimilim dhe absorbimin e popullsise bullgarofone nga arbëroret, por ama jo pa e ndryshuar paksa gjuhen e arbërorëve, me ato qe njihen si karakteristika te toskerishtes. Pra në të dyja rastet, si në rastin e rumanishtes, ashtu edhe në atë të toskërishtes, si faktor ndryshues i struktures së gjuhës paraqitet sllavo-bullgarishtja.

    Pra sipas kesaj hipoteze, dukuritë qe vërehen në toskërisht (“ë”, rrotacizmi etj) dhe që janë të përbashkëta me rumanishten, nuk jane të një periudhe te hershme para-sllave por të një periudhe te mëvonë pas-sllave. Madje jane rezultat i ndikimit te drejtpërdrejt të një gjuhe sllave (bullgarishtes).

    Kjo hipoteze gjen mbështetje edhe ne faktin qe vete bullgarishtja, ashtu si edhe sllavo-maqedonishtja, megjithëse është nje gjuhe sllave ka fituar disa tipare gramatikore qe e dallojne nga gjuhet e tjera sllave. Keto tipare te pazakonta për një gjuhë sllave, në bullgarishte i atribohen ndikimit te gjuheve jo-sllave me te cilat bullgarishtja ka qene ne kontakt, dhe mendohet te jene përftuar pak a shume ne te njejten kohe kur jane perftuar edhe ne rumanisht – shekujt e parë të mijevjeçarit të dytë. Edhe vete bullgarishtja, si dhe maqedonishtja, ka disa nga tiparet qe e karakterizojne rumanishten dhe toskërishten (psh: prezenca e zanores “ë”, etj).

  7. Hipoteza e sjellë këtu nga Penkwe hedh dritë mbi një periudhë përndryshe fare pak të njohur të historisë së shqiptarëve në Mesjetën e Hershme. Dua ta falënderoj kolegun, me këtë rast, që e solli në këtë diskutim.
    Megjithatë, unë kam një problem me pohimin e mëposhtëm:

    [D]ukuritë qe vërehen në toskërisht (”ë”, rrotacizmi etj) dhe që janë të përbashkëta me rumanishten, nuk jane të një periudhe te hershme para-sllave por të një periudhe të mëvonë pas-sllave. Madje jane rezultat i ndikimit të drejtpërdrejtë të një gjuhe sllave (bullgarishtes).

    Problemi im është ky: nëse rotacizmi i toskërishtes i detyrohet ndikimit të drejtpërdrejtë të bullgarishtes, atëherë si shpjegohet që kjo dukuri fonetike nuk ka vepruar pikërisht në huazimet e shqipes nga bullgarishtja?
    Nuk them se kjo kontradiktë e zhvlerëson hipotezën, them vetëm se duhet marrë parasysh gjatë formulimit të saj. Kam lexuar që një albanolog, Popovic, e pat shpjeguar rotacizmin si rezultat të shqiptimit difektoz (“të labërguar”) të n-së toske nga bullgarët e shqiptarizuar, e cila, gjithnjë sipas kësaj hipoteze tjetër, duhet t’u ketë tingëlluar këtyre të fundit si e ndryshme nga n-ja e sllavishtes.
    Njëlloj kam lexuar edhe që kjo hipotezë e Popovic-it nuk ka gjetur shumë përkrahje ndër albanologët.
    Nga ana tjetër, disa lidhje shqiptaro-rumune, si p.sh. prapavendosja e nyjës shquese (shqip: kalë/kal-i; rumanisht: cal/cal-ul), vështirë të shpjegohen pa pranimin e një substrati për rumanishten (dhe adstrati për bullgarishten, e cila e ka edhe ajo nyjën të prapavendosur, edhe pse gjuhët sllave të afërta me të – si serbo-kroatishtja dhe rusishtja, nuk kanë nyjë fare) që ka qenë në mos i njëjtë, të paktën shumë i afërt me parashqipen.

  8. Kreshnik Bejko shkruan:

    Çeshtja qe duhet analizuar eshte PSE kerkohet me qiri katragjyshi i larget si nga djemte e Shemit (Arabe e Izraelite) dhe nga djemte e Ham-it (katrahura tjeter)? Kjo eshte nje aventure filozofike te drejten e te ciles nuk na e heq dot Xha-Xha, packa se mund te vriten miliona.

    Kurse mua, përkundrazi, më intereson një çështje krejt tjetër: cilët katragjyshë të largët pikërisht po kërkojmë me qiri ne shqiptarët: të gjuhës, të gjakut, apo të shpirtit? Se qëllon që nuk janë të njëjtët, dhe i bie pastaj të vritemi në të njëjtën llogore, por për katragjyshë të ndryshëm, që rahmet paçin.

  9. “Tani, losttext, disa dallime dialektore as shumë të reja nuk janë.”

    Nuk thashe qe jane te reja apo shume te reja, Xha Xha; desha vetem te ve ne dukje hipotezen qe dy dialektet kryesore te shqipes kane qene me afer se c`pandehim tani

  10. A thua kaq te forte te kene qene aborigjenet sa te kene asimiluar qytetaret e nje shteti me te avancuar?

    Popovic, e pat shpjeguar rotacizmin si rezultat të shqiptimit difektoz (“të labërguar”) të n-së toske nga bullgarët e shqiptarizuar

  11. Xha xha, që shqipja (të dy dialektet e saj) dhe gjuha/-ët rumune (dako-rumanishtja, arumanishtja) kanë ngjajshmëri apo lidhje mes tyre, jo vetëm në leksik por edhe në fonetikë dhe morfologji, që mund ti atribohet një substrati të përbashket apo të përafërt, apo ndoshta edhe kontakteve intenzive mes dy grupeve etnike, është një fakt i njohur mirë dhe i pakontestueshëm në gjuhësi. Por ama këto lidhje i përkasin një periudhe të hershme, kryesisht para-sllave, kur (para)-shqipja dhe (para)-rumanishtja ende ishin në stadë të zhvillimit dhe nuk ishin diferencuar në dialektet që njihen sot.
    Hipoteza për të cilën shkruajta unë nuk synon të shpjegojë burimin e këtyre ngjajshmërive, por burimin e tipareve të përbashkëta të toskërishtes (dialektit jugor të shqipes) dhe dako-rumanishtes (dialektit verior te rumanishtes), që besohet të jenë të një kohe me të vonë.
    Si Shqipëria e jugut, ku u formësua toskërishtja, ashtu edhe territoret ku u formësua rumanishtja e sotme, kanë pasur një element bullgaro-sllav që mendohet të ketë luajtur një rol deçiziv në ndryshimet që kanë ndodhur në këto dialekte/gjuhë.

    Sa i takon huazimeve nga bullgarishtja që nuk janë prekur nga rrotacizmi, po të marrim për bazë hipotezën e Popoviçit, kjo mund të shpjegohet me faktin që bullgarofonët kanë pasur vështiresi në të shqiptuarit e fjalëve shqipe që për ata kanë qenë të huaja por jo të fjalëve bullgare. Vlen të përmendet që disa studiues mendojnë që disa fjalë shqip, huazime nga sllavishtja, i janë prekur nga dukuria e rrotacizmit.

    Gjithsesi, sido që të jetë e vërteta në lidhje me tiparet që e karakterizojnë toskërishten, mendoj që ato nuk janë të një periudhe të hershme, por të një kohe më të vonë (fillimi i mijevjeçarit te dytë). Dialektet e shqipes nuk dallojnë edhe aq shumë mes veti.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin