Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Diaspora / Gjuhësi

GJUHA JONË E SHPRISHUR

Tema e gjuhës që flasin fëmijët e imigrantëve shqiptarë në Perëndim gjithnjë më ka ngacmuar: personalisht, meqë edhe unë jam prind; por edhe si çështje e përbashkët e shumë shqiptarëve të mërguar si unë.

Si gjithmonë, temës i shoqërohen dy dukuri që, në thelb, janë krejt pa lidhje me njëra-tjetrën: më një anë drama e prindërve që nuk arrijnë dot të komunikojnë mirë me fëmijët e tyre e që u duket sikur nuk po ua përcjellin dot trashëgiminë kulturore që normalisht i jep prindi fëmijës; më anë tjetër shqetësimet kombëtariste për “humbje” të identitetit kombëtar të këtyre fëmijëve nëpërmjet asimilimit në kulturat pritëse (vendëse), së bashku me kërkesat për “shkolla” ku fëmijët të mësojnë shqipen.

Vetë nuk është se kam ndonjë zgjidhje të gatshme për dramën, edhe pse kam rezerva të mëdha për “shkollat” ku fëmijëve të shqiptarëve do t’u mësohet shqipja në mes të Romës, të Athinës ose të Bostonit. Këto rezerva do t’i ftilloj më poshtë.

Nga ana tjetër, më shumë se alarmi romantik për fëmijët shqiptarë që po asimilohen, mua më shqetësojnë vuajtjet shpirtërore të të gjithë atyre prindërve të cilët, për shkak të moshës ose arsye të tjera, nuk arrijnë dot ta mësojnë gjuhën vendëse as të integrohen sado pak në shoqëritë pritëse, në një kohë që fëmijët e tyre nuk e flasin dot mirë shqipen. Këto drama brezash konsumohen zakonisht në heshtje, por shoqërohen me pasoja të rënda psikologjike dhe sociologjike, edhe për prindërit edhe për fëmijët.

Fëmijët e imigrantëve shqiptarë të viteve 1990 janë zakonisht dygjuhësh; dhe shqipen e përdorin si gjuhë të “vatrës”, ose për të komunikuar në familje, ndërsa gjuhën e shoqërisë pritëse si gjuhë të “botës”.

Shumë prindër i fitojnë disa shprehi të gjuhës pritëse dhe mund ta përdorin këtë në situata të ndryshme praktike, por kurrsesi nuk mund ta përvetësojnë në atë shkallë me shqipen.

Përkundrazi, fëmijët e kanë të domosdoshme të integrohen sa më shpejt në shoqërinë pritëse, mundësisht duke u kamufluar; në një kohë që shqipja u mbetet rudimentare, funksionalisht e gjymtë, e kufizuar në situata të thjeshta familjare, shpesh e përdorur vetëm me gojë.

E gjithë kjo e bën të pamundshme që prindërit të komunikojnë lirisht me fëmijët e tyre në shqipe; madje edhe atëherë kur fëmijët përpiqen t’u flasin shqip prindërve të tyre, meqë këta të fundit nuk flasin dot gjuhën e shoqërisë pritëse (ose refuzojnë ta flasin me fëmijët e tyre, për arsye, si me thënë, patriotike).

Për këta fëmijë, shqipja i përket një mjedisi të cilit ata nuk duan t’i bashkëlidhen publikisht, sa kohë që janë të interesuar të integrohen sa më shpejt në shoqëritë pritëse. Ka edhe fëmijë të cilët, për arsye të ndryshme, duan t’i mbajnë krejtësisht të ndara vatrën dhe botën…

Bota me të cilën mat forcat fëmija flet gjuhën e vendit pritës, jo shqip. Televizioni, Interneti dhe krejt hapësira virtuale e telekomunikimit flet gjuhën e vendit pritës; është në interes të fëmijës që procesi i akulturimit në gjuhën pritëse të shtjellohet pa kurrfarë incidenti.

Është e vërtetë që kjo do të çojë në humbje të “identitetit shqiptar” të fëmijës. Mirëpo unë nuk besoj se jeta në mërgim është mjedisi më i përshtatshëm për t’ia ruajtur identitetin shqiptar brezit që rritet në dhé të huaj. Shqiptarët e sotëm që vendosen për të jetuar në Greqi, Itali, Gjermani ose SHBA nuk krijojnë më ngulime (ose koloni) si arbëreshët në Mesjetë; por e shumta komunitete.

Prandaj fëmijët shqiptarë të shëndetshëm e të përshtatur mirë me mjedisin detyrohen ta adoptojnë identitetin e ri, të vendit pritës; sepse vetëm ashtu do të mund t’i përballojnë me sukses sfidat dhe trysnitë e jetës këtu.

Për shumë prindër jeta në mërgim do të mbetet deri në fund jetë në “dhé të huaj”; por fëmijët pikërisht dheun e huaj të prindërve të tyre do të mësohen ta perceptojnë si atdheun e tyre.

Këtu mund të diskutohet edhe nëse shkollat shqipe në komunitetet shqiptare të mërguara e ndihmojnë vërtet integrimin e këtyre fëmijëve në shoqëritë pritëse, apo janë më tepër një formë ngushëllimi për prindërit, të cilët përndryshe nuk ua kontrollojnë dot më jetën fëmijëve të tyre, që ua rrëmben kuçedra e shoqërisë mikpritëse…

Cili prind do të konkurronte dot vallë me Internetin, celularin, televizionin, muzikën, iPod-in, xBox-in, chat-in, komunitetet virtuale, lojërat multi-lojëtarësh?

Pyes veten edhe se çfarë do t’i motivonte fëmijët shqiptarë për të studiuar në shkolla të tilla; meqë dëshira ose vullneti ose nevoja për të komunikuar më mirë me prindërit e tyre, ose me rrethin familiar që u ka mbetur në Ballkan nuk më duket se mjafton.

As më duket se fëmijët që rregullisht e shohin veten si pjesëtarë të komuniteteve shqiptare në mërgim kanë ndonjë avantazh social çfarëdo në krahasim me fëmijët e tjerë, që ndihen thjesht pjesë e shoqërive të vendeve pritëse.

Prandaj më duket se përpjekjet për t’i hapur e për t’i nxitur këto shkolla shqipe është më tepër për të ngushëlluar prindërit, në dhimbjen e tyre të përligjur të dështimit; meqë fëmijëve vetë shqipja nuk u sjell ndonjë farë avantazhi në luftën e jetës.

Përkundrazi, të mësuarit e një gjuhe për arsye sentimentale mund të veprojë si një distraksion i dëmshëm dhe i panevojshëm për fëmijët; dhe të garantojë jo transmetimin e geneve krenare të shqiptarisë, por të geneve të trishtuara të mërgimtarit.

Dhe këtë askush nuk e dëshiron, madje as prindërit vetë.

21 Komente

  1. Artikull i guximshëm pasi mendoj se do të cënojë pak patriotizmin e disave, patriotizmin e atyreve që shndërrojnë Regis Philbin në shqiptar dhe e nxjerrin numrin e shqiptarëve në botë mbi 20 milionë. Unë jam i mendimit se nëse fëmija ka lindur në dhe të huaj, atëherë ai mund të konsiderohet si shqiptar vetëm nëse vetë-identifikohet si i tillë (kur të rritet). Për të ruajtur gjuhën shqipe tek këta që duan të quhen shqiptarë kërkohen vetëm dy gjëra: e folura në shqip në moshë të vogël (pra njohja me shqipen dhe atdheun nga prindërit) dhe blerja e disa librave të gramatikës si dhe fjalorë të gjuhës shqipe (pra mësimi nga ata vetë më vonë). Disa nga këta do të arrijnë në një moshë ku do të kërkojnë identitetin e tyre, dhe nëse e qëna shqiptar bën pjesë tek ky identitet atëherë do t’u duhen ato libra. Vetëm e folura me prindërit s’do tu mjaftojë (sidomos kur edhe prindërit të kenë vështirësi me gjuhën). Prandaj unë do të këshilloja emigrantët që bashkë me fotografitë e atdheut të marrin me vete edhe nga dy kopje librash të gjuhës shqipe (dhe s’po them abetare, por nivel më të përparuar).

  2. Te pershendes per kete artikull qe une vete kam kohe qe e bluaj ne mendje dhe me dhemb sa here e kujtoj.Kjo eshte nje teme fort delikate per te thene diçka 100% te sigurte.E megjithate mendoj se ke kapur cepet e duhura te ketij mishmashi.Breza te rinj shqiptaresh po rriten jashte shtetit.Sigurisht qe nuk i kane kushtet ta flasin shqipen siç duhet.Madje dhe vete ne qe kemi vite jashte shtetit shpesh here ja fusim ndonje shprehje ne gjuhe tjeter mabse sepse na vjen me lehte keshtu.Gjeja me e mire qe mund te behet eshte besoj qe prinderit te flasin me femijet e tyre shqip ne shtepi.Dhe kjo duhet te behet qe ne moshe te vogel.Di shume nga kusherinjte e mi qe flasin vetem shqip ne shtepi dhe tani femijet e tyre e flasin shqipen per bukuri nderkohe qe asgje s’i ka penguar per te mesuar dhe 2-3 gjuhe te tjera dhe te asimilohen ne shoqeri.Pra mendoj se eshte pakez neglizhenca e prinderve ajo e cila po te ndyrshoje mund te arrihen gjera te medha.Shume here me te medha se sa mund te arrije nje shkolle.

  3. Pershendetje per temen.Eshte problem,me te vertete,shqetesues,por,me duket se i ngjan atij rrethit te nxehte qe,nga cdo ane qe ta kapesh,te djege doren.Realiteti eshte i dhimbshem se,per fat te keq,ndodh si me ate perrallen e zogjeve te korbit:pendet sa vene e nxihen.Jo vetem po harrohet shqipja ne emigracion,por,me sa ve re une,shqipja(norma e saj,sidomos e shkruar,se per te folur e ka marre ferra uraten?!)po sakatohet edhe ne Shqiperi dhe jo me ne emigracion.Komunitetet jane te pafuqishme qe te hapin shkolla shqipe dhe,ng ana tjeter,mungon ndihma(s’ka nje interesim serioz)nga Ministria e Arsimit ne Shqiperi qe,kudo ku ka komunitete te tilla(dhe te rralla jane vendet ku s’ka komunitete te tilla)te pajisen jo vetem me programe,por dhe me tekste.Me sa di une,ne gjithe Ameriken,jane(ne mos gaboj)dy-tri shkolla te tilla,qe dote thote:fare pak.Dhe,domosdo,gjuha jo vetem do te “rrjedhe”,por dhe do te harrohet.Ose do te flitet gjysma-gjysma.Pra,do te shperbehet.
    Perparim Hysi,1 shtator 2207

  4. Jam dakord qe femijet emigrante shqiptare duhet te mesojne te flasin shqip, por kur kjo behet me fanatizem, do te thote t’i pergatisim ata te mbeten jashte shoqerise, te paintegruar dhe nje dite te bien ne statusin shoqeror te hispanikeve ne Ameriken veriore qe refuzojne te mesojne a flasin anglisht.
    Historia, tradita, kultura e nje vendi, mund te ruhen a te mesohen edhe nepermjet nje gjuhe tjeter. Njoh shqiptaro amerikane, te brezit te dyte e te trete, qe nuk flasin ndonje fjale shqip, por qe shqiptarizmi i tyre i thelle ndonjehere i ben me turp edhe ata qe kane lindur ne trojet shqiptare dhe flasin nje shqipe te kulluar. Gjuha eshte mjet komunikimi, dhe nese shqipja nuk e eshte e domosdoshme per te komunikuar ne nje vend te huaj, atehere ajo edhe do te zbehet, ose te ruhet e mesohet si nje gjuhe e dyte, por jo me synim per te sfiduar a injoruar gjuhen vendase, ne Amerike, ku brezi i ri i emigranteve shqiptare shpreson te ngreje te ardhmen e vet.

  5. Ne baze te cfar motivimi mendoni qe femijet e shqiptareve duhet dhe shpresohet te mesojne shqip?

    S.C 1 shtator 2007

  6. Shumë prej nesh e kanë përjetuar drejtpërdrejt dilemën e gjuhës që u flasin fëmijët në mërgim. Ime bijë, që praktikisht nuk ka jetuar kurrë në Shqipëri, rregullisht ka refuzuar të flasë shqip me të gjithë ata të cilëve mund t’u flasë anglisht. Natyrisht, me gjyshërit ka folur shqip – një shqipe të thjeshtë, me theks të çuditshëm (që mua gjithnjë më dëgjohet si theksi i himariotëve dhe i banorëve të tjerë të bregut të Jonit), të mbushur me përemra dhe fjalë me kuptim të përgjithshëm (atë, këtë, kështu, atje, merre, ja, thuaj, vjen, fle, zgjohem, ha, bukë). Sa herë e dëgjoj të flasë shqip, edhe tani që është rritur, më duket sikur bëhet njeri tjetër, madje edhe timbri i zërit sikur i ndryshon, duke iu ngritur pak. Mirëpo shqipja është disi e pamjaftueshme për të, kur vjen puna për të shprehur gjëra të holla ose abstrakte, dhe krejt e papranueshme, nëse duhet folur për aspekte praktike të jetës amerikane. Këtu nuk është vetëm fjala për gjuhët, por për kulturat që u përgjigjen këtyre gjuhëve. Shqipja përtej kulturës shqiptare mbetet një kuriozitet i thatë, një relike e familjes, një gjethe e tharë brenda faqeve të një libri që nuk e lexon kush më. Te refuzimi për të folur shqip i sime bije, por edhe i disa fëmijëve të tjerë në rrethin tim të afërm familiar, unë nuk shoh ndonjë refuzim të shqiptarisë, sepse ta refuzosh shqiptarinë do të thotë ta kesh pasur dikur njëfarësoj tënden – por më tepër një ngritje supesh, ose një pamundësi për ta kuptuar arsyen e shqipes, avantazhin praktik të përdorimit të saj në vend të anglishtes. Është si të shpërfillësh ashensorin dhe të marrësh shkallët për t’u ngjitur në katin e dhjetë – duhet të kesh arsye që të veprosh kështu, ndërsa për të marrë ashensorin mjafton destinacioni si arsye. Përndryshe, të folurit shqip do të vinte e t’i ngjante ritit fetar; i cili përligjet me argumente të natyrës shpirtërore, por nuk sjell ndonjë avantazh praktik të menjëhershëm. Njoh njerëz që i qasen problemit pikërisht duke e përfytyruar ligjërimin shqip si liturgji të fesë kombëtariste, ose ritual të nevojshëm për riprodhimin e ndjenjës kombëtare. Nuk i gjykoj dot, por përpiqem t’i kuptoj. Rite të tilla u japin organizim të posaçëm e kuptim shpirtëror deri edhe momenteve më të rëndomta të jetës së përditshme, si për shembull lutja para buke (për ata që luten). Megjithatë, edhe në këtë kontekst, kur është fjala për zgjedhjen e gjuhës nuk mund t’i shmangesh dot pyetjes së madhe: çfarë duhet ruajtur pikërisht, dhe pse?

  7. Kete problem dhe dileme e ka kaluar dhe e kalon pothuaj cdo komunitet emigrantesh ne dhe te huaj; ne kete kuptim, dukuria ne fjale nuk ka ndonje vecanti shqiptare. Gjithsesi, ka edhe perjashtime si psh komuniteti hasidik i cifuteve te Amerikes te cilet ruajne dhe ushqejne me xhelozi traditat, kulturen dhe mbi te gjitha gjuhen hebraishte dhe ate dialektore, yiddish. Rasti i fundit nuk mund te krahasohet me ate te komunitetit shqiptar, ose me tej, me cfaredolloj komuniteti tjeter emigrantesh per arsyen e thjeshte se judaizmi para se te jete fe, per ate komunitet eshte menyre jetese. Pra ndryshimet jane thelbesore dhe totale. Shtrohet pyetja, a eshte e nevojshme per femijet e emigranteve te mesojne gjuhen e prinderve te tyre, dhe nese po, per cfare qellimi. XhaXhai i preku keto pyetje dhe u dha pak a shume pergjigje, keshtu qe s`dua te perseris. Por me duhet te permend, megjithate, qe se pari ndjenja e komunitetit nder shqiptare te Amerikes nuk eshte aq e forte. Per kete ka shembuj te shumte, te cilet s`po i permend sepse s`dua te devijoj shume prej teme, por ky realitet mundet edhe t`i jape pergjigje pyetjes se shumekujt prej nesh se pse nuk hapen shkolla per mesimin e shqipes ne SH.B.A., Greqi, Itali apo tjeterkund. Nese nevoja per kete gje ndihet dhe ezaurohet sic tha XhaXhai, si nje tragjedi e heshtur, eshte pikerisht sepse kjo tragjedi apo drame mbetet e copezuar, e shkeputur dhe me ngjyrime krejt te ndryshme nga njera familje e komunitetit shqiptar ke tjetra.

  8. Përderisa kam jetuar jashtë Shqipërisë në disa shtete mbas 90-ës, dhe përderisa jam marrë me shqiptarët dhe çështjet tona komunitare, si dhe me komunitete të tjera jo shqiptare, gjithmonë më ka interesuar gjuha, diskursi mbi të folmet në raport me vendin si truall dhe me vendin si mungesë e tij. Sepse nga çasti kur një emigrant pajtohet me fatin e tij, kur konstaton se mërgimi i tij është i përhershëm/i përjetshëm, ai bëhet më mendues, përsiatës dhe, pa e kuptuar, është bërë antropolog. Vëzhgimet e emigrantëve janë mirëfilltas antropologjike, prandaj dhe antropologë profesionalë, të cilët e dinë këtë, përpiqen t’iu afrohen atyre, pikërisht për të vjedhur, jashtë thonjëzave, vëzhgimet/konstatimet e tyre.

    Mbas kësaj, do të thoja se gjuha shqipe në diasporë varet më shumë nga familja (shtëpia), sesa nga komuniteti, i cili ka mund t’i japë trajtë, tingëllimë, “dialekt” tjetër, por gjithmonë duke shtuar tek tharmi i vatrës. Sidoqoftë, nga përvoja ime me shqiptarët, gjithmonë gjendet një fëmijë për fis që nuk mëson dot shqip. Dhe kjo shquhet edhe tek familje shqipfolëse shqiptaro-amerikane të vjetra. Për shembull, at Artur Liolini flet njëfarë shqipeje (jo “të kulluar”, siç e quajnë të shumtët), vëllai i tij nuk flet asnjë fjalë, edhe pse është në një moshë me të dhe ka pasur të njëjtat kontakte dhe me shqipen kishtare (Peshkop Nikoni s’e shkrep dot në shqipe).

    Përsa i përket familjes shqiptare, në shumicën dërrmuese prindët shqiptarë nuk e dinë se fëmija mëson me imitim, jo me llogjikë, prandaj dhe shumë prej tyre iu flasin në gjuhën “e vendit” për t’i lehtëuar të integrohen. Ka qenë kaq i shpeshtë ky fakt për mua, saqë nuk më thotë dot njeri se s’është kështu. Pyesni prindët e tyre t’iu thonë se ç’ndiejnë. Ata pandehin se fëmijtë do të vuajnë nëse iu flasin shqip, se mendja e tyre do të shtrydhet edhe më, sepse vetë prindët vuajnë e shtrydhen të mësojnë anglisht, fjala bie. Nuk është ashtu. Ata i pengojnë fëmijtë me anglishten/greqishten e tyre të çalë. I pengojnë dhe i mundojnë, sepse i bëjnë të mendohen gjuhësisht para kohe. Këtu e kisha muhabetin.

  9. Gjuha shqipe në dhé të huaj nuk arrin të joshi shumë fëmijë që lindin po në dhé të huaj, kjo për shkaqe nga më të ndryshmet. Ndoshta gjyshërit që presin kthimin e mbesës apo të nipit nga jashtë, duhet të mjaftohen vetëm me kuptimin që këta fëmijë arrijnë t’i japin fjalëve të folura.
    Problem tjetër i mprehtë është dhe kur fëmija lind në një familje e përbërë nga një shqiptar/e dhe një i/e huaj; në këtë rast problemi është më serioz, por jo i rrezikshëm. Njoh një familje ku babai është spanjoll dhe mamaja është franceze, vajza e tyre flet dhe shkruan për bukuri të dyja gjuhët, edhe pse s’ka bërë ndonjëherë shkollë në Spanjë. Ndërsa fëmijët shqiptarë të lindur në familje të përbëra kanë më shumë probleme pasi gjuha shqipe nuk ka atë forcë që të studiohet jashtë Shqipërie, dhe librat e gramatikat nuk bëjnë shumë punë; puna më e madhe i takon prindërve nëse ato kanë një përgatitje paraprake me këtë gjuhë, që nuk është dhe aq e lehte për t’u përdorur korrektësisht.

  10. Nuk e kam kuptuar mire se pse egzistojne shkollat shqipe ne Zvicer. Askush prej shqiptareve s’me ka dhene arsye tjeter vecse : duhet, eshte gjuhe e nenes. Nderkohe qe italiane, portugeze e spanjolle i degjoj te thone:
    – eshte me e lehte per ta po te kthehemi
    – mund te vazhdojne studimet ku te duan.
    Nqs edhe ne Shqiperi do te kishte universitete e shkolla te larta me nam, nr te madh shkrimesh me vlere, si p.sh. ne itali, Spanje, etj apo ndonje perspektive shqiptare ne kete drejtim,edhe une do te isha teper e motivuar t’u mesoja shipen me rrenje femijeve. Me duket nje mund i madh per perdorimin qe do te kete kjo gjuhe, kur mendon qe gjate kohes qe femija meson rrasat ne shkollen shqipe mund te kishte ndjekur mesime noti, apo flauti, apo hokeji, apo skulpture. Te gjitha keto qe rendita do te jene me te domosdoshme se mesimi ne shkolle i gjuhes shqipe. Komunikimi me prinder e gjysher nuk ka nevoje per shkolle, hyn vete ne tru.

  11. thjesht nje koment i shkurter mbi kete teme interesante. Mesimi i gjuhes meme nuk eshte thjesht zell patriotik per mendimin tim por i vlen ne menyre te vecante vete femijeve. Ne diskutimet publike qe behen ketu ne gjermani vitet e fundit ka gjithnje e me shume specialiste qe thone se femijet duhet te dine gjuhen e nenes mire qe te mesojne mire dhe gjuhen e vendit prites. Shembuj per te mbeshtetur kete teori ka. Brezi i ri i komunitetit turk ne gjermani psh. ka probleme me integrimin. Me te vertete ata e flasin gjermanishten mirepo gjuha e tyre eshte nje hibrid shume i kufizuar i turqishtes e gjermanishtes, plot gabime etj. megjithese jane te lindur e te shkolluar ne gjermani. Komuniteti turk ka ardhur kryesisht nga zona rurale te anadollise ku shumica nuk dinin shkrim e kendim, pra nuk dinin mire vete gjuhen e tyre. Ne gjermani shkollimi i femijeve te emigranteve ne gjuhen nene ka filluar te shihet si prioritet integrues dhe financimi per shkolla qe ofrojne kurse te gjuhes meme per femijet ju eshte rritur financimi.

  12. gjuha shqipe eshte nje nder gjuhet me te bukura ne bot.
    shqiptar ke ku te shkosh ne bote por edhe ne kin me shku dot gjesh shipci po jemi te kerkuar ne gjithe boten
    dhe eshte nje kulture per popoullin shqiptar
    hehhehe rofshin shipcit

  13. Ceshtja eshte e koklavitur e qe te shkoqitet me mire, mendoj se duhet bere ne radhe te pare dallimi midis:

    1- Shqiptareve ne Greqi,Itali,Zvicer e Gjermani

    2- Shqiptaret ne pjesen tjeter te botes

    Shqiptaret ne pjesen tjeter te botes, per shkak te numrit te vogel mund te perjashtohen nga trajtimi. Asimilimi i tyre eshte i pandalshem. Njekohesisht nuk perben ndonje problem nese asimilohen 200- 300 mije shqiptare.

    Ndryshe duhet diskutuar ceshtja e shqiptareve te pikes 1.
    Ne Greqi jane mbi 600 mije (perbejne rreth 6% te popullsise ne Greqi,pra minoritet i fuqishem linguistiko- kulturor)
    Ne Itali mbi 400 mije.
    Ne Gjermani mbi 300 mije, kryesisht nga Kosova.
    Ne Zvicer rreth 200 mije, kryesisht nga Kosova.

    Kemi 1,5 milione bashkekombas ne 4 shtete, e per shkak te numrit te larte keta mund te formojne fare mire, minoritete linguistiko-kulturore. Ne keto shtete vete shqiptaret mblidhen me njeri-tjetrin, kane me shume miqesira me njeri-tjetrin se me te huajt, keshtu qe vetvetiu kemi formimin e nje minoriteti.
    Pra keta elemente i kane te dhenat e duhura per te formuar nje minoritet.

    Ketu duhet ndihma e shkolles shqipe per femijet e tyre. Shkolla shqipe do mund ta ngjize formimin e minoritetit kulturor.

    Nese shtrohet pyetja se perse duhet mesuar gjuha shqipe, pergjigja eshte te mos asimilohet femija e keshtu do linde vetvetiu pyetja tjeter, perse te mos asimilohet ?

    Kesaj pyetjeje nuk i gjendet kurre nje pergjigje kolektive, por eshte ne ndergjegjen e secilit prind ti jape pergjigjen qe do.
    Nga pikepamja kombetariste, nje prind qe ndihmon femijen te asimilohet perjashtohet menjehere nga komuniteti shqiptar,pasi eshte shqiptar i keq. Problemet e tij identitare dhe interesat e tij , nuk i perkasin me rrethit te interesave te bashkesise shqiptare, pra nuk ka perse nje individ i tille te futet ne problematikat shqiptare, pasi eshte thjesht nje qelize kancerogjene.

    Ky individ perben nje model te shemtuar shqiptarie e cdo nderhyrje e tij ne problematikat shqiptare eshte thjesht shprehje e nje egoizmi primitiv dhe pervers, pasi ky individ kerkon te qetesoje shpirterisht vetveten, duke hedhur pergjithesisht helm mbi identitetin shqiptar e cdo gje shqiptare.
    Ne fjalet e ketij individi gjen vetem sharje per cdo gje qe i perket Shqiperise e sidomos persa i perket kombit shqiptar apo thjesht teresise se njerezve, nenvleresim deri ne mizori te historise,gjuhes, kultures, zakoneve e vlerave shqiptare.

    Shkollat shqipe ne keto 4 vende duhet te perbejne paresi ne menyre qe 20% e kombit te mos asimilohet, por te ndihmoje ne realizimin e objektivave kombetare, qe eshte edhe detyra madhore e cdo shqiptari (perjashtohen shqipfolesit nga kjo detyre).

  14. Hyllin, unë kam disa probleme me këto që thua:
    – Ti nuk bën dallim midis ngulimeve mesjetare, si ato të arbërorëve në Greqi dhe të arbëreshëve në Itali, dhe imigracionit modern. Mua ky dallim më duket themelor.
    – Ti përmend nevojën për shkollim në gjuhë amtare, por harron se funksioni kryesor i shkollës është t’i përgatitë fëmijët për jetën, jo të ruajë identitetin etnik ose kombëtar të prindërve të tyre. Nëse prindët e fëmijëve të imigrantëve kanë shkuar në dhé të huaj për arsye ekonomike, atëherë vetë jeta atje ku ndodhen kërkon shkollim në gjuhën e vendit përkatës.
    – E kam thënë edhe gjetiu, se prestigji i “dheut mëmë” është faktor themelor kur vjen puna për të vendosur. As Shqipëria, as Kosova nuk kanë ndonjë farë prestigji sot për sot; janë më tepër vende nga ku njerëzit ikin, sesa vende ku njerëzit kthehen.
    – Në Itali, ku politikat me minoritetet gjuhësore janë shumë më liberale se në Greqi, arbëreshët nuk kanë treguar ndonjë interes për t’u mësuar fëmijëve shqipen, me përjashtim të pak elitave kulturore provinciale (mësues, priftërinj). Edhe ai pak interes që ekzistonte para 1990-ës, sot më duket se është dobësuar, dhe nuk mund ta shpjegoj këtë, përveçse me çmitizimin e plotë të Shqipërisë, në sy të komuniteteve arbëreshe.
    – Dëshira e njerëzve për jetë më të mirë është më e fortë sesa dëshira për të ruajtur me çdo kusht identitetin kombëtar, në rrethanat kur ky identitet kombëtar shkëputet nga faktori gjeografik.
    – Dëshira e njerëzve për t’u emancipuar nga ana kulturore dhe për t’u integruar në jetën e vendit ku jetojnë është më e fortë sesa dëshira për të ruajtur me çdo kusht identitetin kombëtar, edhe në rrethanat kur ky identitet kombëtar i ruan lidhjet me truallin, siç është rasti i arbëreshëve të Italisë dhe i arbërorëve të Greqisë.
    – Për ta thënë troç, shqiptarët që jetojnë larg trojeve të tyre nuk kanë asnjë përfitim ekonomik ose kulturor duke këmbëngulur për të mbetur shqiptarë ata vetë, dhe aq më tepër duke këmbëngulur që fëmijët e tyre të rriten si shqiptarë. Nëse përpjekjet për ta ruajtur këtë identitet nuk mungojnë, këto i përkasin gjithnjë një plani shpirtëror më të ngritur, ku identiteti kombëtar ekziston në trajtë të mitit ose të fesë surrogato.
    – Komunitetet e shqiptarëve në Perëndim, të formuara pas vitit 1945, nuk janë kompakte as kanë dëshirë të jenë kompakte; për arsye të njohura, shqipëritarët, kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë nuk komunikojnë shumë mes tyre, përtej ceremonive, liturgjive kombëtare dhe ngritjes së flamurit. Për fat të keq, funksionimin normal të komuniteteve e pengon histeria kombëtariste, ose gara mes leader-ëve se kush është më shqiptar se tjetri.
    – Sot kushtet janë të tilla që, kushdo që dëshiron të ruajë dhe të kultivojë identitetin kombëtar shqiptar, mund ta bëjë këtë lirisht duke u kthyer në Shqipëri ose në Kosovë.

  15. Dallimin mes arberesheve dhe emigranteve nuk kam pse ta bej, pasi problemi nuk jane arbereshet por emigrantet. Qe arbereshet nuk do ktheheshin kurre ne Shqiperi, kete nuk e mesuam sot, por qe me 1912.

    Arbereshet jane si te thuash hesap me vete qe mund te mos merren fare parasysh.

    Nese dikush largohet per arsye ekonomike, pra ben emigrantin ekonomik e sheh emigracionin si nje mundesi per te mbledhur para, pra per te vuajtur 5 apo 10 vjet e pastaj te rikthehet ne vendin ame, pasi ka krijuar nje baze ekonomike mbi te cilen nderton jeten.

    ””””Për ta thënë troç, shqiptarët që jetojnë larg trojeve të tyre nuk kanë asnjë përfitim ekonomik ose kulturor duke këmbëngulur për të mbetur shqiptarë ata vetë, dhe aq më tepër duke këmbëngulur që fëmijët e tyre të rriten si shqiptarë.”””

    Atehere perse e torturojne bashkesine shqiptare keta shqiptare me idete e tyre kur veteperjashtohen ?

    Une nuk e mohoj aspak ekzistencen e nje qendrimi te tille biles shumica e mendon ne kete menyre, por keta qe e mendojne ne kete menyre duhet te heshtin persa i perket problemeve te bashkesise shqiptare pasi veteperjashtohen.

    Qe te flas edhe une troc, mua nuk me pelqen absolutisht fakti qe problematikat shqiptare ne internet dominohen nga njerez qe i perkasin kesaj kategorie.
    Kjo kategori vetequhet modeli i civilizimit dhe kerkon qe te imponoje ne publikun shqiptar ne Shqiperi kendveshtrimin e saj per ceshtje te ngushta shqiptare.

    Nga kjo kategori, hyjne ne Shqiperi,presione te ndryshme mbi ceshtje shume delikate, per te cilat shoqeria ne Shqiperi eshte e papergatitur dhe nuk i zoteron mjetet e duhura ti perballoje, si ceshtja e gruas,homoseksualeve, racave, globalizmi,antinacionalizmi etj.

    Kesaj kategorie nuk i intereson aspak se c’impakt sjellin risi te tilla ne kulturen shqiptare, ctronditje sociale duhet te perballoje nje komunitet qe tashme po vuan tmerresisht postkomunizmin.

    Ti besh nje presion te tille komunitetit ne Shqiperi e njekohesisht ti ofrosh vetveten te rinjve ne Shqiperi si model per tu ndjekur, do te thote te perpiqesh te asgjesosh kombin tend.

    Zgjedhja qe ben emigranti per tu asimiluar e jo per te bere ca leke e te kthehet per te ndertuar jeten ne Shqiperi, i perket atij ne radhe te pare, por kjo zgjedhje nuk i jep kurrfare te drejte te pretendoje se perben modelin e Shqiptarit te mire, te zgjuar e te shkathet .

    Personalisht mendoj se femijes i duhet ofruar mundesia te zgjedhe e nuk i duhet imponuar asimilimi e kjo mundesi i ofrohet nepermejt mesimit te gjuhes e mbrutjes me kulture shqiptare. Kjo mund te behet me ndihmen e shkollave shqipe ne 4 vendet kryesore te Europes ku ka shqiptare.

    Pastaj ne fund te fundit, fakti qe do asimilohen 1,8 milione emigrante , mua vertete me sjell trishtim, po nuk eshte se nuk me ze gjumi naten. Me shume me shqeteson fakti qe jane 40 mije came ortodokse qe gati po zhduken sesa keta 1,8 milione emigrante. Keta e kane asimilimin nga mendte e kokes se tyre e jane ne toke te huaj.

    Ashtu sikunder e kam vleresuar ne nje vend tjeter, emigrantet perbejne dhjamin demografik qe u grumbullua nga 1945 e deri ne 1990 ne Shqiperi,Kosove e Maqedoni.
    Trualli shqiptar nuk i mban dot, pa nje industri te zhvilluar, trupi kur nuk stervitet e megjithate zgjerohet nuk krijon muskuj por dhjam.
    Nuk e gjen gje e keqe nje njeri qe dobesohet pse humbi dhjamin ashtu edhe shqiperine pse iu largua dhjami demografik.

  16. Hyllin, nëse të kuptoj mirë, ti thua që shqiptarët në emigracion ose duhet të përkrahin idenë kombëtariste në versionin e vet “të fortë”, ose duhet ta mbajnë gojën mbyllur që “të mos torturojnë bashkësinë shqiptare me idetë e tyre”.
    Në fakt këta shqiptarë, mes të cilëve fut edhe veten, ndoshta duan t’u flasin shqiptarëve, kudo që janë, sepse (1) kanë gjëra të vlefshme për të ndarë me të tjerët dhe (2) shpresojnë se, duke ndikuar drejtpërdrejt në mendësinë shqiptare, do të ndihmojnë që Shqipëria të shndërrohet e të emancipohet në mënyrë të tillë, që njerëzit të mos e braktisin më në masë, siç ndodhi në fillim të viteve 1990.

  17. “Nuk i gjykoj dot por perpiqem t’i kuptoj.”
    – shkruan Xha Xhai.
    -Eshte si dashuria , veshtiresisht e kuptueshme por lehtesisht e ndjeshme.
    Dhe nuk eshte e keshillueshme te mohohen dashurite.

    Nuk e kam shume te qarte, ju thoni femijet e emigranteve te mos mesojne shqip?
    Ose te pakten eshte e kote?
    Nese eshte keshtu perse? C’te keqe ka?

    Do te kete femija nje gjuhe te dyte te pervehtesuar pothuaj pa mundim,e mund t’i linde
    deshira te behet gjuhetar,do te lexoje Migjenin e Lasgushin e Kadarene ne original,do te kete mundesine te ballafaqoje dy kultura, do te kete me teper shans te formoje nje open mind,kur te shkoje ne dheun e babes do te dije te pakten
    te thote ‘tungjatjeta’ ,e ne i pelqefte mund edhe te rrije e t’i jape nje dore atij vendi.
    Do te dije nga ka ardhur,se ku do te shkoje i takon atij ta vendose, jo prindit.Por shanset
    i duhen dhene,”arat” i duhen treguar.Etj…
    Bie fjala G.Kokalari,si brez i dyte,c’kritike mund te kemi per te? I integruar me se miri ne anglisht dhe ne shqipe ben sa mundet.As nuk eshte e pamundur, as ka ndonje te keqe.

    “Komunitetet e shqiptarëve në Perëndim, të formuara pas vitit 1945, nuk janë kompakte as kanë dëshirë të jenë kompakte;… Për fat të keq, funksionimin normal të komuniteteve e pengon histeria kombëtariste, ose gara mes leader-ëve se kush është më shqiptar se tjetri.”

    Plaga jone nuk eshte teprica por mungesa e atdhetarizmit. Per fat te keq keshtu ka qene por ne emigracion behet fare e dukshme. Sepse koncepti yne per patriotizmin ,si per cdo gje tjeter, eshte krejt individual. Secili ka variantin e tij (lexo shtepine e tij) dhe eshte pothuaj e pamundur te gjendet nje emerues i perbashket. C’tjeter vec gjuhes mund te ishte elementi lidhes me natyral. Edhe pas gjeneratash komunitete si ai i cifuteve, irlandezeve, italianeve..jane akoma kompakte dhe prej kesaj s’ka vecse perfitim edhe individi emigrant edhe atdheu i vjeter.

    A duhet te kemi nderim per emigrantet patriote qe prej Veqilharxhit e deri tek Noli e Konica dhe ta transmentojme, a duhet te dilnim ne rruge per Kosoven dhe ta transmentojme,po neser kush do dale..? Ne c’gjuhe do ta transmetojme? Si do te merren vesh prindi qe s’di anglisht dhe femija qe s’di shqip?(per transmetime te tilla vertikale)

    Ka ikur koha e patriotizmes? Nuk besoj por edhe mundet,jetojme kohera globale. Vec nje gje eshte qe nuk jemi ne shqiptaret qe duhet te japim shembellin te paret. Me mire te presim te shohim cdo bejne te tjeret.

    Dhe nuk gjej dot nje arsye perse i duhet mohuar femijes vetedija e prejardhjes.
    Pa shqipen eshte pothuaj e mohuar.

    Nuk e di Xha Xha por ndjej nje fare hutimi kur ju lexoj.Ndofta nuk ju kuptoj.

  18. Fatma, unë nuk them që fëmijët e imigrantëve të mos mësojnë shqip – sepse unë nuk jam në gjëndje t’u them imigrantëve se ç’të bëjnë me fëmijët e tyre.
    Përkundrazi, unë konstatoj se fëmijët e imigrantëve nuk po mësojnë shqip. Unë jetoj në NYC, takoj shpesh shqiptarë të të gjitha kategorive, por deri tani nuk kam parë ndonjë fëmijë që të jetë duke mësuar shqipen, përtej komunikimit me gjyshet.
    Kam edhe fëmijë të afërm të mi, të cilët gjithnjë kanë refuzuar të flasin shqip me mua, sepse unë mund t’u përgjigjem në anglishte.
    Kanë refuzuar, sepse për fëmijën identifikimi me moshatarët e vet është themelor madje jetik; dhe kur fëmija shkon në një shkollë amerikane, gjëja e parë që kërkon të arrijë, është që të mos e marrin të tjerët për “të huaj”.
    Të rrimë shtrembër e të flasim drejt – askush nuk u predikon dot imigrantëve t’u mësojnë fëmijëve shqipen.
    Vetë fëmijët janë jashtëzakonisht praktikë dhe kërkojnë të mësojnë ato gjëra që u duhen, ose që u pëlqejnë shumë. Shqipja nuk hyn as në kategorinë e parë, as në të dytën.
    Natyrisht, fëmijët që rriten në emigracion dinë pak shqip – aq sa për të komunikuar me të afërmit që nuk e mësojnë dot gjuhën e vendit.
    Shqipja e tyre është gjuhë pothuajse sekrete, për t’u përdorur me zë të ulët, në dialektin e familjes, në mjedise private.
    T’i dëgjosh ta flasin, është t’i bësh me turp.
    Nga ana tjetër, komunitetet e shqiptarëve e kanë shndërruar shkollimin e fëmijëve në shqip në temë të preferuar për mbledhjet e tyre zakonisht nën shenjën e flamurit dhe të himnit kombëtar dhe të kostumeve popullore, daulleve dhe qelesheve.
    Edhe sikur aktivistët e komuniteteve ta kenë me tërë mend, fëmijët nuk do t’i dëgjojnë, as do t’u binden. Është çështje psikologjike – fëmijët e shohin integrimin e tyre në shoqëritë pritëse si një proces që i largon prej familjes, duke përfshirë edhe gjuhën që flitet në familje.
    Këtu duhet pasur parasysh edhe që, në shumë familje imigrantësh, fëmijët janë tashmë më të përshtatur se prindët, më të familiarizuar me realitetin e ri, dhe i shohin prindët e tyre, praktikisht, si invalidë kulturorë, ose qenie të mbetura jashtë rrjedhës së modernizimit.
    A kanë të drejtë? Në disa raste kanë, sepse prindët nuk kanë kohë të përshtaten kulturorisht, madje edhe atëherë kur duan; sepse janë të zënë me mbijetesën.
    Në imigracion shpesh ndodh që fëmija bëhet prind i prindve të vet. Aq më e vërtetë është kjo, kur prindët vijnë nga fshati, dhe e ndiejnë veten dyfish të jetërsuar: si fshatarë në qytet, dhe si shqiptarë në dhé të huaj.

  19. Po, xha xha me ke kuptuar shume mire. O je shqiptar e gjeneron shqiptare, keshtu fiton te drejten per te folur mbi te ardhmen e shqiptareve, ose je i asimiluar e do gjenerosh te huaj, keshtu qe humbet te drejten per te folur mbi te ardhmen e shqiptareve.
    Me cfare statusi u flet kjo kategori shqiptareve ? Nje shqiptar duhet te degjoje se po u flet nje shqiptar apo nje i huaj ? Nese kjo kategori kerkon per veten e femijet asimilimin atehere me cte drejte nderhyn ne ceshtjet shqiptare ?

    Hyn me te drejten qe ka cdo shqiptar te perzihet ne ceshtjet e bashkesise shqiptare,qe nga ceshtja e origjines se shqiptareve e deri tek cmimi i brekeve ne Shqiperi.
    Nese une e pranoj te nderhyje ne keto ceshtje e bej sepse e shoh si shqiptar se psh minoritareve dhe evgjiteve nuk ua njoh fare te drejten te nderhyjne sidomos ne ceshtjet delikate qe u perkasin shqiptareve nga afer.

    Por kjo kategori do te asimilohet,pra te mos jete me pjese e bashkesise shqiptare. Atehere duhet te beje llogari edhe te trajtohet si e huaj.
    Nese refuzon shqiptarine atehere normale do refuzohesh prej shqiptarise. Nuk e kuptoj se cfare ka kjo kategori kaq speciale qe pretendon status special, mos eshte pule qe ben 2 veze njeheresh ?
    Kjo kategori nuk i qendron si me e madhe bashkesise shqiptare e keshtu shqiptarise ti duhet ti nenshtrohet pretendimeve te saj,perkundrazi i qendron si me e vogel dhe nese kjo kategori e mohon nje here shqiptarine, atehere shqiptarise i takon ta mohoje njeqind here kete kategori.

    Por kesaj logjike kjo kategori i shpeton, meqe numerikisht ka peshe, thjesht forca e numrit, por pas 20-30 vjetesh nuk do jete keshtu.

    Persa i perket pikes 1, nuk mund te mohohet qe kane gjera te vlefshme per te ndare , por shpesh gjerat e vlefshme mbartin edhe tendenciozitetin qe karakterizon kete kategori. Tendencioziteti vjen pikerisht prej zgjedhjes qe kane bere. Psh tek kjo teme trajtohet nje problem me tendenciozitet, pasi drejtperdrejte i perfshire.
    Po ashtu nese shqiperia per absurd do zhvillohej e do thithte emigrante zezake, a nuk do ishte kjo kategori e para, qe pse pikerisht emigrante do fliste me tendenciozitet pro integrimit te zezakeve duke dhene leksione humanizmi, dmth pa i plasur hic per konfliktet sociale qe do pelcisnin ne Shqiperi nese nje zezak i thote vetes shqiptar ? Sa shqiptare ne Shqiperi jane te pergatitur te pranojne nje zezak te barabarte si shqiptar ? Nese them asnje (pervec hipokriteve) mos gaboj ?

    Persa i perket pikes 2, pra qe qellimi perfundimtar eshte ai qe shqiptaret te mos braktisin Shqiperine si ne fillim te viteve ’90’ a nuk duket pak paradoksale qe nje kategori emigrantesh te thote mos dilni nga Shqiperia ?
    Emigracioni erdhi si pasoje e krizes ekonomike e papunesise ne Shqiperi e normalisht do zhduket sapo vendi ta kaloje kete krize e sic e tregojne vitet e fundit, emigracioni tashme perfshin me shume terheqje familjare, femijet apo gruan apo prinderit, sesa te rinj qe vershojne per te gjetur pune jashte. Ngadale emigracioni do shteroje vetvetiu ashtu sic nisi e nuk eshte aspak nevoja e ndonje lloj emancipi, eshte thjesht ceshtje ekonomike. Ka edhe nga ata emigrante qe kane mundesi e deshire te kthehen, por nuk e bejne nga frika e fillimit te nje jete te re,se tashme u mesuan jashte.
    Truri do rrjedhe, se truri eshte problem edhe ne Itali e jo me ne nje vend si Shqiperia.

    Ndihma ne emancipimin e shoqerise shqiptare qellon jo pak here te refuzohet nga realiteti shqiptar, per nje arsye te thjeshte, nje shoqeri nuk eshte si kamaleonti e as plasteline por kerkon kohen e vete e kjo kohe i duhet edhe te shoshise mire ceshtjen, ne eshte mire apo eshte keq.
    Sidomos ne nje shoqeri antike, te ciles nga jashte i ka ardhur gjithmone e keqja e ska pare ndonjehere mire.

    E riperseris, kjo kategori duhet te demostroje njehere se nen cfare statusi kerkon tu flase shqiptareve e keshtu te dije bashkesia shqiptare por edhe ajo vete se deri ne cilat ceshtje eshte e legjitimuar nga ky status te nderhyje.

  20. Do doja te vazhdoja arsyetimin tim. Te thuash asimilim eshte nje fjale goje, por kjo fjale mbart ne vetvete nje filozofi te tere.

    Te asimilohesh do te thote ne shqip te zvetenohesh, te shngjasohesh. Pra njeriu mohon vetveten, mohon te ngjashmit e tij, mohon prinderit e tij,te paret e tij. Njeriu asgjeson apo perpiqet te largoje nga ndergjegja gjithe kujtimet e vegjelise, zakonet qe i kane mesuar, vlerat me te cilat eshte rritur, vizionin e botes qe ka marre,endrrat e vegjelise dhe rinise e deri edhe gjuhen.

    Pra njeriu i nenshtrohet nje procesi shume te demshem nga pikepamja spirituale e psikologjike.
    Tani a ja vlen barra qerane ?
    Perfitimi personal eshte i rendit ekonomik e nese ke familje edhe atij familjar. Por serisht per femijen behet fjale per perfitime me teper te rendit ekonomik sesa moral e spiritual pasi femija moralisht e spiritualisht do gjendet ne situate te veshtire per shkak te dyzimit te paevitueshem e kjo eshte vene re gjeresisht jo vetem tek shqiptaret.

    Eshte e kuptueshme qe shpejtesia e sotme e jetes, problematikat e pafundme ekonomike dhe sociale qe has emigranti , nuk i lene kohen e duhur te reflektoje mbi ceshtjen e asimilimit, por mjaftohet me stereotipin, une jam mire ekonomikisht ata ne Shqiperi jane keq ekonomikisht, femijet e mi do gezojne shkolla te mira e do kene mundesi, ndersa ata ne Shqiperi nuk e kane kete mundesi.

    Tani pertej kesaj, interneti u dha mundesine dhjetra mijera emogranteve per te mos thene qindra mijera,perfshire ata te Kosoves e Maqedonise, ti japin jetes se tyre pak Shqiperi ose me sakte pak mentalitet shqiptar dhe forumet e blogjet u mbushen me emigrante qe diskutojne por me shume qe bejne qyfyre allashqiptarce. Ata ndihen rehat dhe kalojne gjithnje e me teper ore te dites ne keto forume. Shkojne punojne e pasi kthehen nga puna drejt e ne internet .

    Por nese nuk do ndiheshin mire a do vertiteshin forumeve e blogjeve ? Sigurisht qe jo e eshte pikerishtja njefare qetesie shpirterore qe te sjellin muhabeti e llogjet me ‘te ngjashmit’ qe ben te mundur gjithe kete biznes forumesh (apo chati ) ne internet.
    Pasi stresohet ne punen e tij te merzitshme e monotone, emigranti as ka qejf te dale me nje te huaj aty ku banon po qetesohet mes te ngjashmeve, por e cuditshme se jo te ngjashmit nga pikepamja raciale, por me ata qe kane mentalitet shqiptar, pikerisht ate mentalitet qe padashje akuzojne e qe nuk duan t’ua japin femijeve (nese kane).

    Ne fund te fundit, gjithcka emigrantet kerkojne ne internet eshte cik mentalitet shqiptar, ca germa virtuale qe i japin te kuptoje se nga krahu tjeter ndodhet nje person qe eshte potencialisht ne gjendje ta kuptoje, sepse ka mentalitet shqiptar.
    Sa emigrante futen ne forume te huaja per te bere qyfyre apo diskutime joshkencore ?

    Por pasi marrin cfare duan, pra nje vize shqiptarie apo nje shiringe shqiptarie, fillojne e flasin kunder cdo gjeje shqiptare. Kjo eshte paradoksale dhe absurde por ja qe ndodh shpesh.

    Si perfundim do plaken si te gjithe e kur ta ndiejne se do afrohet ora e vdekjes, do mohojne gjithe racionalizmin qe kane patur deri atehere e do u linde deshira spirituale e aspak racionale qe te varrosen ne token meme,atje ku jane lindur e rritur, mundesisht varri te jete afer varrit te babait dhe gjyshit.

    Si e thone vargjet:

    E ne vuaj , le te vuaj
    te mos vdes ne dhè te huaj.

    Kete fund e deshmojne jo pak emigrante ekonomike te para komunizmit, se ne fund te fundit c’eshte jeta, pervec koha midis gjyshit tend dhe nipit tend…. Je thjesht nje hallke ne zinxhirin e jetes.

    p.s me duket se e bera shume romantik shtjellimin.

  21. Pyes veten nëse nënat që i regjistrojnë fëmijët në shkollën shqipe këtu ne qytetin tim e bëjnë për 1. “oh sa mirë me qenë shqiptar”; 2. për karshillëk, ose të shtyra nga ambicja, siç ndodh kur i shpien fëmijët të mësojnë piano; apo 3. është më tepër fjala për prindër që ndërtojnë komunitetin e tyre, sesa për fëmijët që janë shpesh tepër të vegjël për të marrë vesh ndonjë gjë tjetër, meqë fëmijëve thjesht u pëlqen që rrinë me fëmijë të tjerë, në vend që të shtyjnë ditën në shtëpi para televizorit, edhe pse kjo e fundit do marrë si përfitim, meqë i ndihmon fëmijët të socializohen, por nuk ka aq të bëjë me gjuhën, sesa me një ndjenjë “përkatësie” që qëllon të jetë shqiptare.

    Mbaj mend kur shkova te “festa e abetares” dhe pashë prindër që i shtynin fëmijët sikur të ishte fjala për ndonjë konkurs bukurie ose lojëra hockey. U binda se të mësuarit e gjuhës vetëm sa ndihmon për të socializuar fëmijët dhe kaq; zbukurohet me ngjyra patriotike sepse është më lehtë ashtu, dhe i bën të gjithë të ndihen më mirë.

    Megjithatë, nënat ishin jashtëzakonisht kompetitive: “pse vajza jote recitoi një vjershë me tepër se vajza ime; pse vajzën tënde e vunë të kërcente ndërsa timen jo…”

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin