Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

BËRËSIT E ÇUDIVE

Në një shkrim të titulluar “Udha e fjalëve”, e të shpërndarë në Internet (mund ta lexoni këtu), autori Astrit Lulushi shpjegon:

Të thuash së shqipja e sotme përmban fjalë nga më të herëshmet e gjuhës njerezore, është ripohim i asaj që historianët e gjuhëtaret e kanë thënë prej kohësh se megjithëse e dokumentuar vonë, shqipja vjen nga thellesitë e kohës duke kaluar nëpër një udhë të gjate transformimesh, ndryshimesh e marrëdhëniesh me gjuhët e tjera larg e afer.

Kjo është shumë e vërtetë, madje aq e vërtetë sa mund të thuhet edhe për çdo gjuhë tjetër, në kuptimin që është truizëm, ose nga ato të vërteta aq të vërteta sa ia vlen t’i përmendësh vetëm nëse ke ndërmend t’i kundërshtosh.

Në të njëjtën mënyrë, unë mund të mburresha duke thënë se çdo atom karboni që kam në trup është përftuar miliarda vjet më parë në koren e një ylli; çka është gjithashtu e vërtetë (po t’i besojmë astrofizikës moderne), sikurse është edhe absolutisht irrelevante sa më takon mua, ose shanseve të mia për t’u kurorëzuar kampion bote në motoçiklizëm.

Mirëpo autorit i shërben ky pohim për ta çuar mendimin në disa shtigje të tjera, të guximshme. Thotë:

Në hebraisht, libri i parë i Torahs quhet “B’reshit” ose “Bërësith”, sipas fjalës së parë të tekstit në 50 kapitujt që përmban libri i Zanafilles. “B’reshit ose Bërësith” do të thotë “Në fillim” që dijetarët e lashtë në Aleksandri ishin të një mendimi se i përshtatej për nga kuptimi greqishtes “Genesis”. Por fjala hebraishte B’reshit, Bërëshîth është shume e afërt si në dukje e kuptim edhe me fjalët shqipe; lind, burim, krijim, bëj, bërës si në “bërësi i cudirave”.

Biblën e tyre hebrenjte e quajnë To-rah, fjalë që ka kuptimin “me mësue” ose “me udhezue”. Torah është libri që hebrenjtë besojnë se është shkruar nga vetë Moisiu, pas ikjes nga Egjiptit. “To-rah”, shumësi i toskërishtes “të ra”, “të reja“ mësime e udhëzime që Moisiu i kishtë marre nga “Elohim” “El” – Zot dhe “Ohim” “Hyjni”.

Me fjalë të tjera, hebrenjtë kanë përdorur një fjalë shqipe për të emërtuar librin e parë të Biblës; dhe një tjetër fjalë shqipe për të emërtuar Biblën vetë.

Kjo teorikisht është e mundshme, sikurse është e mundshme, përsëri teorikisht, që unë të rrjedh nga një planet, përndryshe pak i njohur, i yllit Epsilon të Eridanit.

Hebraishtja e Biblës dhe shqipja e sotme u përkasin universeve të ndryshme: jo vetëm që shqipja është gjuhë e familjes indo-evropiane ndërsa hebraishtja gjuhë semitike; por edhe ngaqë shqipja është gjuhë moderne, ndërsa hebraishtja e Biblës ka qenë folur e shkruar mijëra vjet më parë…

Krahasimi historik midis këtyre dy gjuhëve do të kërkonte disa hipoteza fillestare jashtëzakonisht të guximshme. Ndoshta një shkrim i lehtë publicistik nuk është vendi për hipoteza të tilla; por të paktën autori Lulushi mund të përmendte burimin nga i ka marrë përkimet shqiptare-hebraike që citon, për t’ia lënë përgjegjësinë atij autorit tjetër.

Nëse burimi nuk përmendet, atëherë lexuesi mund të gënjehet e të mendojë se për këtë krahasim i ka shkuar mendja z. Lulushi vetë; çka nuk është ndonjë skandal, vetëm se hipoteza të tilla është mirë të shtrohen në forume akademike e në revista shkencore, para se t’i shërbehen popullit për drekë.

Unë hebraisht nuk di, as më premton koha ta mësoj, por disa gjëra për shqipen kujtoj se i kam studiuar nga afër. Prandaj ato që sjell z. Lulushi më duken krejtësisht pa bazë, dhe të tilla që mund ta bëjnë lexuesin të mendojë se historia e gjuhës është një koleksion i hatashëm budallallëqesh.

Dhe ja pse.

Autori krahason hebraishten B’reshit, Bërëshîth me shqipen bërës, bërësit (ata që bëjnë); edhe pse ky shembull tregon pikërisht pse krahasime të tilla nuk ka kuptim të bëhen.

Shqipja bërës është fjalëformuar nga folja bëj (sikurse larës nga laj, tharës nga thaj, blerës nga blej, sharës nga shaj, çarës nga çaj, hyrës nga hyj e kështu me radhë).

Të krahasosh fjalë të tilla, me fjalë hebraike të Biblës, do të thotë të pranosh se prapashtesa –s ka pasë formuar emra vepruesi në parashqipen që mijëra vjet më parë.

E vështirë, por jo e pamundur.

Por ka edhe më. Le ta shohim nga afër strukturën e një fjale të tillë si bë-r-ës, për të shpjeguar praninë e bashkëtingëllores –r– atje.

Folja bëj (baj, në gegërisht) sikurse shumica e foljeve të shqipes, i përket grupit të foljeve me temë në zanore (ndryshe nga kap, qesh, shes, lag etj., që dalin në bashkëtingëllore).

Kjo folje zgjedhohet kështu në të tashmen njëjës: bëj, bën, bën.

Në një formë më të hershme të toskërishtes (dhe sot e kësaj dite në shumë të folme toskërishte), veta e parë njëjës e të gjitha këtyre foljeve me temë zanore ka pasë dalë me -nj: bënj, shkruanj, qanj.

Edhe gegërishtja, format më të vjetra i ka me -nj: banj, si na e tregon ky shembull nga “Meshari” i Gjon Buzukut (1555):

 

Ecë ti tash tek dhentë e merr dy edha të mirë, e u ti banj gjellë të shishime tit et por-si ai dëshëron [Meshari, Genesi XXVIII, 6-40, fol. XLIVV.-L, 10-11].

Tani, po të shkojmë e të shohim si u formohet pjesorja këtyre foljeve, do të vëmë re se pjesorja gege është (si në kam bâ, ose në dialektin tiranas kom bô), ku hundorësia tregon praninë e mëparshme atje të një bashkëtingëlloreje hundore (n), e cila me kohë është zhdukur, pasi ia ka përcjellë hundorësinë zanores që i paraprinte.

Atje ku toskërishtja thotë bërës, Buzuku thotë baas.

Gjuhëtarët besojnë se forma bërë e pjesores toskërishte është rezultat i të ashtuquajturit rotacizëm, ose shndërrimit në rn-së ndërzanore, në disa fjalë të vjetra të toskërishtes, në krahasim me simotrat në gegërishte.

Për shembull: rana – rëra, gjylpana – gjilpëra, zani – zëri, hini – hiri, kufini – kufiri, brini – briri, Shqipni – Shqipëri, zotni – zotëri e kështu me radhë.

Rotacizmi në toskërishten ka vazhduar të veprojë deri andej nga Mesjeta e hershme (duke prekur tek tuk edhe ndonjë huazim nga sllavishtja); por gjithsesi nuk është dhe aq i vjetër. Për shembull, emri i qytetit Vlora ka pësuar rotacizëm në toskërishten (khs. gegërishten Vlona, e cila i afrohet më shumë emrit të vjetër të qyetit, Aulonia). Megjithatë, n-ja e vjetër është ruajtur, edhe në toskërishte, në fjalën vlonjat (*vlon-iat).

Tani, që hebraishtja B’reshit, Bërëshîth të mund të përqasej me shqipen bërës, sikurse përsiat z. Lulushi, duhej supozuar që hebraishtja ka pasur kontakte me formën toske të rotacizuar bërës, përkundrejt formës më të vjetër shqipe, e cila nuk ka pasur –r në përbërjen e vet.

Edhe sikur të kishte ndonjë mundësi, sado infinitezimale, që një fjalë e parashqipes të përfundonte në hebraishten biblike, kjo fjalë do të kish shtegtuar atje në formën e vet të vjetër (diçka si bâns, bâs, bâms), jo në formën e re të rotacizuar, që ka toskërishtja.

Pikërisht këtu gabon autori i kësaj hipoteze – kur shpërfill aksin kohor të gjuhës. Një formë e dokumentuar në një tekst tepër të vjetër të hebraishtes krahasohet me një formë të përftuar si pasojë e një zhvillimi të brendshëm në një gjuhë tjetër.

Veprime të tilla groteske më kujtojnë një histori që kam lexuar diku, për një kishë katolike në Spanjë ku ruhej deri vonë, si relike e çmuar, trupi i mumifikuar i Jezuit ende foshnje djepi.

Unë vetë mendoj se nuk ka arsye për të krahasuar drejtpërdrejt hebraishten me shqipen, përveçse në kuadrin e një krahasimi të indo-evropianishtes me gjuhët semitike, ose përndryshe për të parë nëse shqipja ka ndonjë fjalë hebraike, ose hebraishtja ndonjë fjalë shqipe.

Për shembull, është pranuar se fjala shqipe thes është një huazim i vjetër semit, pas gjase nga gjuha e tregtarëve fenikas, të cilët hynin në kontakt me vendasit, gjatë shkëmbimeve tregtare. Nuk është e pamundur që edhe fjalë të tjera semite të kenë hyrë në parashqipen nëpërmjet fenikishtes.

Nga ana tjetër, krahasimet që përmend z. Lulushi nuk janë të kësaj natyre; por më tepër gjeste diletantësh vanitozë, të cilat nuk kanë shumë të bëjnë me shkencën e historisë së gjuhës dhe etimologjinë. Faji i autorit të shkrimit, nëse mund të flitet për faj në kontekste të tilla, është se i merr për të mirëqena këto pohime çudibërëse, pa ia nënshtruar ndonjë gjykimi kritik çfarëdo.

Arsyeja që u ndala kaq gjatë në këtë punë është se kësi mistifikimesh po përhapen si murtaja, duke korruptuar dijen dhe duke u shndërruar në vatra të budallallëkut kombëtarist. Edhe Z. Lulushi do t’i ketë gjetur krahasimet në fjalë në ndonjë prej “studimeve” që janë përkthyer e botuar kohët e fundit, prej autorësh që ndjekin metoda kërkimore joshkencore ose alkimistësh të albanologjisë: Zacharia Mayani, Nermin Vlora Falaschi, Robert d’Angély, Aristidh Kola, Giuseppe Catapano, Petro Zheji…

Librat e tyre botohen dhe bien në duar të fëmijëve, ushqejnë me tagji forumet e Internetit dhe sidomos mitin kombëtarist të nëpërkëmbjes (ose të shkëlqimit antik të shqiptarëve/ilirëve/pellazgëve). Ndoshta z. Lulushi vetëm bën detyrën e publicistit dhe kërkon të informojë publikun për gjëra interesante që mëson poshtë e lart; por është pak ironike që shkrime si ai i mësipërmi të botohen në një forum që vetëquhet “Gazeta Kritika”.

 

42 Komente

  1. Shume analize e mire, dhe me vjen inat me idiotsira te tilla qe perhapen nga disa shqiptare. S’kane siguri tek te qenit shqiptare dhe duan te nxjerrin gjithcka tjeter te lashte shqiptare.

  2. AC, e keqja më e madhe, madje fatkeqësia, është se historia e shqipes, së lashtë dhe të re, është kaq instruktive në vetvete dhe kaq e pasur me të dhëna për historinë e kulturës shqiptare dhe të shqiptarëve vetë, sa nuk ka nevojë të kuturisesh në aventura të tilla hebraike, ose etruske, ose egjiptiane, për t’u mahnitur. Mjaft të mendosh se vetëm nëpërmjet rindërtimit të historisë së fjalëve, huazimeve të shqipes nga gjuhë të tjera, dhe ndryshimit të formave gramatikore e shpërndarjes së formave dialektore, mund të plotësosh shumë mungesa që lidhen me dokumentimin e shqipes vetë dhe të shqiptarëve në histori. Për shembull, edhe vetëm fakti që në emrin e qytetit Pukë jeton fjala latine publica (meqë atje kalonte rruga “publike”), të thotë kaq shumë për statusin e atyre trojeve, sot të izoluara, brenda Perandorisë Romake.

  3. Shume kotnasikoti teoria e Lulushit.

    Gjuhes semite kane teresisht menyre tjeter fjaleformimi. Nje menyre shume e perhapur ne to eshte me “infixes”, ndryshime apo shtesa te brendsheme.

    Gjuhet indoeuropiane kane teresisht karakteristika te tjera nga ato semite.

    Per me teper te pretendosh qe “B’reshit” origjinon prej “Bërësith”, pa konsideruar evoluimin gjuhesor, minimalisht te shqipes, eshte shume naive.

    Xha Xha, me ke kenaq.

  4. Ndoshta z. Lulushi vetëm bën detyrën e publicistit dhe kërkon të informojë publikun për gjëra interesante që mëson poshtë e lart; por është pak ironike që shkrime si ai i mësipërmi të botohen në një forum që vetëquhet “Gazeta Kritika”.

    Akoma me e cuditshme eshte qe keto fjale gjeten udhen dhe ne listen Alb-Shkenca: Forumi Mbarekombetar i Studiuesve Shqiptare . Sic duket studiuesit e shkencetaret shqiptare jane teper te preokupuar me tubimin e dyte te Insitutit Alb-Shkenca apo akoma llustrosin letren per Bushin per ti vene re kontributet e Lulushit. Si e marrin veten seriozisht per grup studiuesish kur tolerojne gjera te tilla te kalojne ne heshtje? Ndoshta e marrin veten shume seriozisht por ky eshte muhabet tjeter.

    Lulushi ka te drejten e fjales si cdokush tjeter dhe s’e ndalon njeri te shkruaje c’ti doje e bardha zemer po ku jane ata gjuhetare e akademike te mprehte qe lejojne Lulushin te perdhose frymen akademike e punen shkencore me gazetari sensacionale?

  5. Hmmm..
    the news was so shoking the point was missed.
    I read “Udha e fjaleve” and near the end I found this:
    …”ndërsa për shpjegimin e fjalëve të hamendësuara më sipër, puna i takon palae-linguistikës, një metodologji e vecantë analitike-statistikore e cila lejon kuptimin e një kulture nëpërmejt gjuhës, duke hetuar e zbuluar gjurmët e saj në parahistori dhe larg trojeve ku flitet sot. Kjo jo për të kërkuar prejardhjen e saj, por më tepër për të kuptuar shkallën e shkëmbimeve kulturore që kanë ndodhur e ndodhin krahas atyre tregtare e të tjera mes popujve me gjuhë e kulturë krejt të ndryshme nga njëri tjetri e gjeografikisht larg”.
    G.G.

  6. Nese kjo ishte menduar si “disclaimer”, natyrisht nuk mjafton per te perligjur tezat gjysmake te artikullit. E njejta formule mund te perdoret per te legjitimuar cdo kuturisje heroiko-amatoriale ne linguistike dhe ne histori.

    Guest, kjo nuk eshte hera e pare e as e fundit qe Lulushi na argeton me hamendesime. Deshira e mire per te kuptuar dicka nuk mjafton per te sugjeruar teza nga me te larmishmet. Vertete Lulushi ka hedhur vetem nje ide por ka shume nga ato lexues qe lexojne Lulushin dhe perforcojne hamendesimet ne mite e m’i bejne fakt te kryer.

  7. Fjalë të cuditshme, këto në fund të artikullit.
    Të duket sikur paelo-linguistika pret që publicistika të hamendësojë gjëra, pastaj të nisë e t’i shpjegojë.
    Të duket sikur paleo-linguistika duhet të merret me fantazitë e diletantëve, qoftë edhe vetëm për t’i hedhur poshtë.
    Jo.
    Problemi mund të formulohet kështu:
    Kush i hamendëson këto gjëra?
    Kujt i vete mendja të sugjerojë të shihet nëse qefulli mund të ketë rrjedhur nga delfini?
    Ose më gjerë: kush ia paska dhënë vetes këtë rol që t’ia formulojë problemet shkencës?
    Askush.
    Kujt i ka vajtur mendja të hamendësojë lidhje midis shqipes së sotme dhe hebraishtes biblike?
    Jo shkencëtarëve. Shkenca hyn në punë jo vetëm për t’iu dhënë përgjigje problemeve, por edhe për t’i formuluar.
    Mbaj mend, vite më parë në Tiranë, një person pak i rrezikshëm në autobusin e linjës Kombinat-Kinostudio i kapte udhëtarët për krahu e i tërhiqte nga vetja, për t’u bërë këtë pyetje:
    A është shkencë krijimtaria?
    A është shkencë krijimtaria?
    Po ai të paktën ua bënte udëtarëve të rastit, jo Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë.
    Sipas disa entuziastëve, detyrë e linguistikës shqipe është të studiojë lidhjet e shqipes me pellazgjishten ose me etruskishten.
    Sipas të tjerëve entuziastë, gjuha e poemave homerike mund t’u kuptoka nëpërmjet shqipes.
    Vallë seriozisht e mendon kush se një linguist profesionist duhet të lërë punën e të nisë të krahasojë shqipen me greqishten homerike?
    Kjo psikozë ka dalë krejt dore, sidomos në Internet. Pak ditë më parë, në një forum tjetër, diskutohej seriozisht për prejardhjen shqiptare (ose ilire) të një popullsie në kufirin midis Pakistanit dhe Afganistanit.
    Catapano-s i përkthejnë dhe i botojnë një libër ku faraonët e Egjiptit flasin shqip.
    Të merren edhe me këtë punë paleo-linguistët?
    Zacharia Mayani i shpjegoi mbishkrimet etruske me anë të shqipes. Edhe Nermin Vlora Falaschi.
    Të dy me etruskët, të dy me anë të shqipes, por me rezultate krejt të ndryshme.
    Të futen paleo-linguistët që t’i ndajnë këta të dy autorë të nderuar?
    E më në fund, sikur të shpjegoheshin të gjitha këto gjëra me anë të shqipes, po shqipja vetë me anë të cilës gjuhë do të shpjegohej?
    Ja një hamendësim i ri për të zinjtë paleo-linguistë, që nuk gjejnë dot vrimë miu të futen, para hamendësimeve që u vijnë prej krijimtarisë folklorike shqiptarokratike.

  8. G.G. shkruan:

    kjo duket si Flet Frufe, ku qellimi nuk ishte kritika por lincimi.

    Linçimi i kujt? Unë nuk besoj se z. Lulushi e ka formuluar vetë atë hipotezë – do ta ketë gjetur gjëkundi. Pastaj, shkrimi im nuk merrej aq me artikullin e Lulushit si artikull, sesa me hipotezën fantastike që citohej në artikull. Synimi im ishte të tregoja se ajo hipotezë ishte e pambështetur. Por kurrsesi nuk kam dashur t’i bie në qafë publicistit Lulushi, edhe pse kam rezerva të mëdha për temat që zgjedh të popullarizojë.

  9. “History will be kind to me, for I intend to write it” W. Churchil.

    Keshtu qe kjo pune e S.J. do mare pak me rezerva.

    Edhe Epi i Gilgameshit ka qene shkruar ne origjinal ne dialekt dibran.

    Ose mund te provojme te identifikojme huazimet nga shqipja ne instruksionin e lavatriceve qe shiten tek ‘Frigorifer’, qe eshte i shkruar ne kinezisht.

    Kjo eshte fantalingustike!

  10. Xha Xhai,
    duket se ju jeni me arsyeshmi ketu, doni nje debat te paster mendimesh, pa fyerje ndaj mbartesit, prandaj edhe sollet ketu idene e z. Lulushi.
    Kisha nje pyetje;
    Idete e reja, kuptueshem jane te tilla pasi jane ne kundershtim me idete ekzistuese a te vjetra. Atehere a mundet idea e vjeter te gjykoje drejt idene e re?
    “e pur si muove”, No? e reja… dhe konflikti i interesit.

  11. Friend, kurrsesi fyerje për askënd, e kam shqetësim kryesor.
    Ju flisni për ide të reja. Në shkencë idetë e reja ngrihen mbi të vjetrat. Për shembull, edhe Einstein-i e formuloi teorinë aq revolucionare të relativitetit (special) duke u mbështetur, ndër të tjera, egërsisht në ekuacionet e Lorentz-it. Shkenca mbështetet mbi vazhdimësinë. Të rrëzosh Chomsky-n në linguistikë, duhet ta njohësh mirë. Një nga arsyet që unë irritohem me metodat jokonvencionale të analizave gjuhësore historike të shqipes është se këto i shpërfillin krejt arritjet e deritanishme të shkollës historike-krahasuese. I shpërfillin, besoj unë, sepse autorët e hipotezave “të reja” nuk janë specialistë, nuk kanë përgatitjen e duhur teknike dhe nuk i kuptojnë mirë metodat e gjuhësisë historike. Në fusha të tilla si gjuhësia metoda është gjithcka. Jo vetëm kaq, por këta të vetëshpallur kërkues shtigjesh të reja nuk përfillin as njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, një ide nuk mjafton të jetë e re për të qenë shkencore; duhet të plotësojë disa kritere elementare. Për shembull, një arsye pse hipotezat për prejardhjen pellazgjike të shqipes nuk janë shkencore ka të bëjë me atë që pellazgjishtja është madhësi e panjohur. Kjo nuk do të thotë që shqipja nuk rrjedh nga pellazgjishtja, por vetëm që, sot për sot, hipoteza në fjalë nuk i përket shkencës, por fantazisë.

  12. Xha Xhai,
    ju kuptoj dhe jam me ju.
    Por kur lexova shkrimin e z. Lulushi, nuk pashe asnje pretendim apo renie-gjoksi se kishte zbuluar ndonje gje. Me sa kuptova une, ai rastesisht hapi Torahn dhe Biblen dhe pa se fjala perkonte me shqipen si ne kuptim edhe ne dukje. Pastaj e pasuroi ate duke sjelle Ptolemeun e ne fund tha se kjo nuk eshte detyra e tij por e linguisteve qe ta shohin, pra se nuk perfshihet ne kompetencat e tij. Ne kete rast ai hodhi drite mb dicka qe dikush tjeter mund ta vinte ne dukje me vone. Mendoj se njerez te tille qe nuk lexojne per te rene ne gjume por rine zgjuar per te lexuar, duhen pergezuar.

    Megjithese nuk ve doren ne zjarr per te thene se cfare aventurash ka bere z. Lulushi, sic e quajti nje njeri ketu ne blog si “aventurier”. Une jam 40 vjec tani, por babai im me ka thene se z. Astrit Lulushi ishte arratisur nga Shqiperia ne fillim te viteve ’80 per te mos hequr dore nga ato qe mendonte dhe nese kjo quhet aventure, ne te gjithe jemi aventuriere.

  13. me pelqeu ai i tipi i autobuzit. do i kisha dhene nje kafe me gjithe qef.

  14. Më fal që po ta them, edhe babai im ka ngrënë ca plumba në kur u arratis nga burgu i Burrelit ku dhe i mësuan gjermanisht dhe anglisht ca profesorë të këtyre gjuhëve që kishin rënë jo rastësisht në burg, po si të them, nuk ka menduar kurrë të japë mësim ndonjë nga këto gjuhë…saldator ka qenë, zanat që e mësoi në vitin e 16-të të burgimit, dy vjet përpara se të dilte dhe e mendoi…ashtu e mendoi të them të drejtën, se më të duhej të hante bukë dhe të na ushqente, kishte modesti të tepruar…sepse nuk i mësuan vetëm gjuhët e huaja, po edhe ca gjëra të tjera…ai prapë saldator, edhe libra lexonte i shkreti, por nuk kishte ide fare… e shihte veten me dyshim, kish takuar ca njerëz më të mençëm se veten në jetë, nuk kish besim fare tek vetja, më e keqja e gjithë kësaj është se edhe unë kam trashëguar këto vese rrënues…me vjen keq, ndoshta nuk është vendi të rrëfehem, jo që mund të thuhet, edhe kujt i plasi, e çë pastaj, kush do t’ia dijë etj…po tashi gjoksit nuk i bihet vetëm duke thënë se çfarë të ka ngjarë, rënie gjoksi është edhe të “zbulosh” rastësisht, të “dëshmosh” hamendësisht, të “analizosh” paditurisht etj, etj dhe këto ti shohësh si “ide të reja” si ndonjë “mënyrë e re vështrimi”, dhe ndoshta, ndoshta si “evolucion të shkencave gjuhësore”…babai im qyqari do kish bërë prokopi si historian psh…
    Jo thoni e reja dhe konflikti i interesit…po frikësohen gjuhëtarët shqiptarë se mos u rrëmbejnë akademizmin, u vjen inat që nuk e kanë zbuluar vetë, kanë frikë se mos e kuptojnë njerëzia që janë të paaftë dhe marrin rrogën kot, shok i panjohur, po le ta paraqesë Lulushi zbulimin e vet në ndonjë akademi, pranimi dhe promovimi i saj do ishte prova më e mirë për ju, pse shqetësoheni ju nga një analizë që bëhet në një blog? Përveç nëse ju shihni ndonjë fyerje këtu, gjë për të vilën më duhet të them se ju nuk shihni mirë…
    Xha Xhai tha atë të vetën, me të cilën nuk ke si nuk bie dakort, e kam fjalën logjikisht nuk mund të kundërshtohet, mesa duket ju nuk jeni gjuhëtar, unë nuk e di nëse ky zotëria i blogut është, por më duket se duhet të ketë qenë të paktën student i shkëlqyer i gjuhës shqipe…evidencat janë gjithandej nëpër blog, unë mendoj se duhet pranuar këshilla e tij si dhe argumentet…sikur im atë të mos ishte bërë saldator, as unë nuk do kisha shprehur ndjenjat e mia dot sot…
    ka një emër për punime të tilla, mjaft romantik dhe ndjellës dhe e ka prerë pak më lart strangeman – fantalingusitik, ku fanta qëndron sa për lëngun me gaz e sheqer, po aq për imagjinatën fatlume…

  15. Te pranosh me mendje te mbyllur eshte pranim si ato votat e hedhura per Frontin Demokratik me te cilat Hoxha i mburrej botes.
    Te pranosh pasi e ke lene idene te preke trurin, e pasi e ke analizuar dhe atetehere e ke hedhur poshte, ai eshte pranim.
    Hedhja poshte e idese vetem sepse idete e me pareshme kane qene vec “fanta” do te thote plus ne anen negative.

  16. Problemi nuk eshte z. Lulushi. Sepse cdo njeri, edhe ne perendim, mund te lexoje e beje asosacione nga me te ndryshmet, por nuk ja botojne keto lloj meditatimesh ne gazete.
    Problemi eshte raporti qe ne ne Shqiperi kemi me shkencen. Shkences i mbaron fluturimi aty ku fillon politika. Nacionalizmi mbi shkencen. Ti mund te jesh shkencetar i mire, por ne podium te ngjisin retorikat nacionaliste dhe fakti qe ti cdo arritje shkencore e ve ne funskion te nacionalizmit.

    Por kemi edhe problemin se si i edukojme brezat ne institucionet edukative-shkencore. Ketu shkenca dhe metodat e saj nuk jane shtruar akoma kembekryq. Fakti qe eshte keshtu sic eshte con atje qe ne shtypin shqiptar mund te gjesh te publikuar gjera nga me te cuditshmet. Dhe kjo jo vetem ne gjuhesi.

    Gjithashtu duhet thene se shtypi shqiptar nuk ka arritur akoma ate standard qe ta marri shkencen seriozisht. Cila gazete ka ne redaksi njerez kompetente per te gjykuar mbi falcitetin, fantazine apo vertetesine e nje artikulli me teme shkencore? Cila gazete ka te specializuar gazetarin per shkencen?

    Marrezia shkon me tutje: televizioni shteteror shqiptar jep nje cikel te plote seriali filmik mbi neokreacionizmin. Televizioni i nje shteti laik, televizioni i nje shteti qe pranon zyrtarisht evolucionin dhe e meson kete neper shkolla: zyrtarisht.

    Ajo qe me duket shume interesante eshte qe nje pjese e mire e kontribuesve ne diskutimet publike per shkencen, sherbejne ne institucione shkencore te mirenjohura jashte shtetit. Shpesh mendoj se keta individe duhet te jene tmerresisht te dyzuar: shkencetare te mirefillte ne daren e vlerave te stabilizuara mire te perendimit, dhe pseudoshkencetare te vertete sapo prekin territoret e memedheut. Irre, do thoshin gjermanet.

  17. Ohmmygoddd!
    Po me lirine e shtypit c’ndodh? vetem ZP i PPSH-se?
    Phuuff.. keto mentaltete, jane gdhendur keqaz.
    I’m crying….and calling names..
    not really

  18. Xha Xha
    Lexo te lutem nje tjeter “sedef” nga gjuhesia, kete rradhe nga faqja e Balkanweb.com:

    Balkanweb: Pamje dhe përshkrim nga zona e Himarës
    Himara përbëhet nga dhjetë fshatra: Himara, Palasa, Dhërmi (nga Shqipja e vjetër – Dhëri Mbi, Dhër Mbi, Dhër Mi, Dhëri Im), Vuno (nga Shqipja e vjetër – Vëne, Vure, Vono), Qeparo (nga Shqipja e vjetër – Qëparë, Që Para, Më Parë), Kudhës (nga Shqipja e vjetër – Kudhër, Kudhësi), Shen Vasil, Pilur (nga Shqipja e vjetër – Pi Ulur, Pij Ujë Ulur), Jale dhe Ilia. Himara si krahinë shtrihet në jug-perëndim të Shqipërisë në anë të bregdetit të detit Jon. Krahina e Himarës ka një sipërfaqe me gjatësi rreth 50 km dhe gjërësi rreth 10 km. Rajoni është vënd malor dhe karakterizohet nga male qe thepisen drejtpërdrejt në nje det të kristaltë, dhe është një vënd detar me klimë mesdhetare. Himara bën pjesë në Rrethin e Vlorës.
    Emri Himarë e ka origjinën nga fjala e vjetër Shqipe e përdorur në këto anë “Hi(j) Marë” – “Eja Marë”, qe ka të bëje me ftesën që i bëhet një vajze apo fqinje të marrë pjesë në një gëzim familiar apo ti bashkohet nje grupi që këndon një kënge shumë-zërëshe. Marë eshte emër i njohur Shqip vajze në Himarë, në jug të Shqipërisë dhe në veri të saj.

    E preferuara ime eshte Pilur-Pi ulur. Gjithashtu, me vjen ligsht qe kane lene pa shpjegim Fterren; Futu ne Terren? Fat i Erret? Fat i Rreme?
    Gjithe te mirat!

  19. Në fillim, ju lutem të mos merremi me personin e autorit të këtij shkrimi, Z. Astrit Lulushi; sepse nuk na ka hije.
    Tani, për t’u kthyer tek tema, me sa kuptoj unë, këtu janë dy çështje që ia vlen të diskutohen:
    – Fantalinguistika
    – Interesi i mediave dhe i publikut për fantalinguistikën
    Fantalinguistika është një lloj sëmundjeje e intelektit, beninje, por e mërzitshme. Po të ndjekësh historinë e ideve në Perëndim, do të shohësh se hipoteza e përsiatje fantalinguistike gjithnjë e kanë shoqëruar filozofinë, filologjinë e pastaj gjuhësinë vetë.
    Ka qenë një kohë kur burra të mençëm e me mjekër i kalonin vitet më produktive të jetës duke u përpjekur të vërtetonin se gjuha e tyre, ose të gjitha gjuhët, rridhnin prej hebraishtes.
    Me sa duket ky bakter i keq ka mbërritur tashmë edhe në kulturën shqiptare, dhe nuk ka dezinfektant që ta ngordhë. Tezat fantalinguistike lulëzojnë sepse ka një publik që i mirëpret; ka një bërthamë të marrësh që i formulon; dhe një takëm gazetarësh dhe publicistësh që i përhap.
    T’i rrokësh të gjitha këto së bashku, duhet një libër i tërë.
    Është e vështirë të kuptosh se ç’e shtyn dikë të t’i lexojë mbishkrimet etruske me anë të shqipes; ose dikë tjetër të dalë me pohime të tilla si:

    Anglishtja thing […] duhet të lidhet me shqipen thyn
    Po ashtu edhe gjermanishtja Dinge (send) mund të shpjegohet (motivohet) me shqipen dan.
    Gjithashtu tek anglishtja kind (lloj) […] duhet parë shqipja ka nda.
    Fjala sondern e gjermanishtes s’është gjë tjetër veç shqipja â ndarë
    Gjermanishtja Bund = lidhje, bashkim, aleancë, etj. […] motivohet gjithashtu përmes shqipes: bâ ndá

    [Petro Zheji, Shqipja dhe Sanskritishtja, Pjesa e Dytë, Tertiumdatur, Tiranë 2006, passim].
    Këtu nuk është çështja te vlera e këtyre lidhjeve, por te metoda; ose më mirë te shpërfillja totale e metodës historike-krahasuese, në emër të një metode tjetër, të cilën unë, në të vërtetë, nuk e marr vesh.
    E thashë në një shënim tjetër që shkenca ka vijueshmëri: e reja ose do të mbështetet mbi të vjetrën (ekzistuesen), ose nuk mund të jetë e re. Historia e gjuhës shqipe ka 200 vjet që studiohet në mënyrë serioze, në gjithë botën. Nëse dikush dëshiron ta revolucionarizojë krejt, gjëja e parë që duhet të bëjë është të shqyrtojë, në mënyrë kritike, ç’është thënë deri tani. Argumenti se rezultatet e deritanishme janë të gabuara, prandaj nuk ia vlen të shqyrtohen, është vetvetiu antishkencor; aq më tepër që metoda historike-krahasuese ka dhënë rezultate absolutisht shkencore, duke parashikuar forma të vjetra të cilat më pas janë zbuluar vërtet në gjuhë.
    Për shembull, Martin Bernal është i bindur se krejt shkenca historike-krahasuese e indo-evropianishtes është e mbështetur mbi një ideologji raciste të shkollës gjermane, prandaj duhet rivështruar në mënyrë kritike. Mua argumentet e Bernal më duken të sforcuara, por e respektoj ngaqë është ulur e ka shkruar një vëllim gati 1000-faqesh (“Black Athena”, I) thjesht për të hedhur poshtë shkollën historike gjermane.
    Vetëm në vëllimin e tretë të këtij studimi (që unë ende nuk e kam parë), përpiqet Bernal të argumentojë se shumë fjalë të greqishtes së vjetër janë huazuar, në thelb, nga gjuhët semitike; sikurse vetë qytetërimi grek klasik i detyrohet së tepërmi ndikimit rrezatues të qytetërimit semitik që i kish paraprirë në Mesdhe.
    E megjithatë të paktë janë ata indo-evropianistë që do t’i konsideronin seriozisht tezat e Bernal.
    Ndodh pastaj edhe që ndonjë diletant zbulon, pa dashur, përsëri rrotën; siç i ndodhi atij fshatarit anglez, që në mënyrë autodidakte (ri)zbuloi binomin e Newton-it, dhe e përdori në kalkulimet që i duheshin në praktikë; por mund të jetohet edhe pa aksidente të tilla.
    Nga ana tjetër, fantalinguistë ka në të gjitha kulturat; por kurrë nuk i gjen në qendër të kulturave. Përkundrazi, në kulturën shqiptare qëllon që një specialist i mirëfilltë i linguistikës, një njeri jashtëzakonisht i mprehtë si Xhevat Lloshi, përkthen dhe boton librin “Enigma” të Rober d’Angély, i cili është i mbushur me fantalinguistikë dhe fantahistori.
    Pavarësisht nga ç’u tha këtu, mua do të më dukej shumë shqetësuese sikur Lulushit t’i kish shkuar mendja vetë në krahasimin e shqipes me hebraishten biblike; sepse një gjë është të raportosh për produkte të ndryshme shkencore dhe kulturore të cilat ty të duken me vlerë, një gjë tjetër të raportosh për gjëra të cilat janë manifestuar në kokën tënde.
    Lenini pat thënë, në mos gabohem, se në socializëm çdo kuzhinier duhet të mësohet të drejtojë shtetin. Kjo që po ndodh me historinë e shqipes në kulturën shqiptare vernakulare tregon se thënien e Leninit ne post-socialistët e paskemi kuptuar kështu: çdo shqiptar atdhetar duhet të mësohet të shpjegojë gjuhët e tjera me anë të shqipes.

  20. Tabakhone, ai materiali për emrat e zonës së Bregut qenka gati për Wikipedia-n.

  21. [quote]përkundrazi, në kulturën shqiptare qëllon që një specialist i mirëfilltë i linguistikës, një njeri jashtëzakonisht i mprehtë si Xhevat Lloshi, përkthen dhe boton librin “Enigma” të Rober d’Angély, i cili është i mbushur me fantalinguistikë dhe fantahistori.[/quote]

    Nuk ka si te jete ndryshe. Edhe fizikanti me i fuqishem mahnitet me kabaliste si Yitzhak Luria qe nga erresira e Mesjetes eshte ne gjendje te konceptoje “Bing Bang”-un…dhe ta konceptoje drejt.

  22. Më fal të pyes, pasiqë e keni përmendur emrin e një njeriu (që në fakt ka shkruar vetëm pak poema dhe prapë, në fakt ka mbledhur shkrimet e ndjekësve të vet) ka mundësi të përmendni dhe emrin e fizikantit kaq të fuqishëm (më) që qenka mahnitur me vizionet butaforikë të Isaac Luria-s?

  23. analize shume e mire..godit idhtas dhe sakte tempujt shqiptare te ngritur genjyeshem.

  24. Më fal të pyes a mundësi të përmendni dhe emrin e fizikantit kaq të fuqishëm (më) që qenka mahnitur me vizionet butaforikë të Isaac Luria-s?

    po permend vetem nje qe me vjen nder mend:
    Howard A Smith PhD senior astrophysicist ne Harvard- Smithsonian Center for Astrophysics in Cambridge, Massachusetts.

    Ka mbi 200 artikuj te botuar ne fushen e astronomise dhe astrofizikes. Ka dy diplloma nga MIT ne fizike dhe humanities, dhe PhD ne fizike nga UC Berkley. Anetar i American Physical Society, the American Astronomical Society, the Royal Astronomical Society, the International Astronomical Union, and the American Association for the Advancement of Science

  25. Shumë interesante. Në gjithë shoqatat që ju përmendni, mund të bëhesh anëtar kundrejt një pagese dhe nëpërmjet një aplikimi, për ndoshta shumicën e tyre, përparësi u jepen njerëzve të angazhuar në hulumtime shkencorë në fushat të cilat shoqatat përfshijnë si të objektivit të tyre. Edhe një student çfarëdo fizike apo astronomie, i vitit të parë, do mund të bëhej anëtar nëse do dëshironte.
    Ju thoni se ai paska shkruar 200 artikuj, megjithqë është bërë doktor shkencash më 1976, nuk ka shkruar ende ndonjë libër. Artikujt, unë jam i sigurt se ju mund të gjeni ndonjë, por dyshues nëse atë të duhurin, janë megjithatë krejt të parëndësishëm.
    Ju nuk ngurroni, të cilësoni shkencëtarin – dhe me gjysëm zëri autorin në fjalë – me një epitet kaq emocional, jodomethënës dhe gati tradhëtues “të fuqishëm”, bile tregoni kujdes të posaçëm, por jo mbëshyes, të përdorni shumësin, për të krijuar idenë e arradhave prej një njeriu të vetëm, që qëllon t’iu bjerë ndërmend. Gjë jo dhe aq e parëndësishme, sa ajo që u cilësua si e tillë më lart.
    Ka dy arsye përse ju e përmendni se “fizikantët më të fuqishëm” qënkan mahnitur me kabalistë si njeri apo tjetri. Ose ju doni të thoni se njerëz shumë më të aftë (?) se autori Xhevat Lloshi bën vaki të gabojnë dhe se kjo është aq njerëzore sa dhe shkencëtarët e cilësuar ashtu siç juve u pëlqen, mahniten herë pas here, ose – dhe unë besoj se është kjo e dyta arsyeja e vërtetë, meqë ju na shpallni se kabalisti e kishte të drejtë konceptin e vet – se edhe njerëz që nuk e kanë idenë e shkencës, apo për të cilët shkenca nuk përbën kurrëfarë interesi në vetvete, mund të bëjnë zbulime të llojit që titullohen enigma, natyrisht më shumë duke i përshkruar se zgjidhur ato. Apo duke ndjekur intenerare poetikë dhe vet-shërbyes, të lodhur nga pesha e misterit duke dhënë zgjidhje fiktive dhe arbitrare. Po sikur të ishte vetëm kjo, do ishte e kalueshme. Por nuk është.
    Isaac Luria, ishte mistik, heremit për shumë vjet dhe i krijoi në vetmi teoritë e veta metafizike të origjinës, natyrisht duke u bazuar në tekste të tjerë mitologjikë, mistikë dhe spekulativë. Misticizëm mbi Misticizmin. Gjuha e këtyre teksteve është simbolike, evazive, kontradiktore, punë vizionarësh. Ata operojnë me nocione abstraktë, figura letrare, alegori, hamendje, ëndërrime. Asgjë të keqe nuk ka këtu. Por ama, ja që shkrimet e tyre, për hir të stilit psiko-mitologjik, janë të hapur ndaj çfarëdo interpretimi. Nëse dikush njeh mirë letërsinë, do shihte vetem aspektin artistik të tyre, një fizikant, apo mjek – që nuk e njeh mirë teorinë e letërsisë – do interpretonte pasazhe të tërë mbi luftën e shpirtit si ndonjë teori mbi krijimin e yjeve dhe mjeku si ndonjë peizazh spjegues të shpërhapjes së nervave dhe rolin e neurotrasmitentëve në jetën emocionale të njeriut. Ja pse Bibla studiohet dhe është kritikuar prej filozofësh, gjuhëtaresh dhe kritikësh letrarë, meqë ata janë më afër kuptimit të tekstit të shkruar, sesa ndonjë tjetër që më e ka më kollaj të kuptojë ekuacionet.
    Është po ashtu e pritëshme, por jo se nuk habitemi, që një njeri si Xhevat Lloshi – mësues i imi – lajthit ndonjëherë. Por sërish, është po ashtu i magjinueshëm presioni që ushtrohet mbi intelektualët shqiptarë dhe pedagogët, në shumë nivele. Në rradhë të parë mund të jenë pagesat qesharake të tyre të cilat mund ti shtyjnë të botojnë libra që e dinë se do shiten. Hiperbola groteske e ndjenjës së nacionalizmit foshnjor dhe psiko-patologjik shqiptar, eksponent i së cilit jeni, jo vetëm që ka krijuar një treg për lloji-lloji përçudnimesh, por mund të ketë arritur në fazën e vet virale dhe statusin e epidemisë, dhe profesori i nderuar Lloshi mund të jetë infektuar përkohësisht dhe lehtë. Por do i kalojë. Edhe pse unë nuk besoj se kjo arsye e dytë, është ajoi e vërteta. Varfëria, besoj unë është.
    Shembulli juaj si përfundim, nuk ka asnjë vlerë!.

  26. Nga ana tjetër, fizika teorike bashkëkohore po u shëmbëllen gjithnjë edhe më tepër doktrinave mistike të kabalistëve, sidomos me teoritë e superfijeve dhe të përmasave të rrudhura (curled dimensions), të cilat zëvendësojnë njëra tjetrën në kurset e post-doktoraturave njëlloj si ata trekëndëshat e shumëngjyrshëm në ekran-ruajtëset e kompjuterave të recepsionisteve. Fizikanët e sotëm më duket se e morën shumë seriozisht idenë – natyrisht e përsëri të Leninit – se elektroni është “po aq i pafund” sa edhe atomi; por të paktën kanë avantazhin e madh se sot nuk i merr vesh kush se me cfarë merren tamam. Thuase nuk është fjala për të njëjtët që para gjysmë shekulli i dhuruan njerëzimit bombën atomike, ose armën perfekte për vetëvrasje. Po ndoshta edhe atë e kish parashikuar ky Isak Luria, në vizionet e veta; sado që duket pak si e zorshme t’ua shpjegosh këtë tani kulturëdashësve të Hiroshimës e Nagasakit (sot ishte edhe përvjetori i holokaustit bërthamor në Hiroshima). Vetëm se të sotmit duhet të nguten pak e të na japin sihariqin e ndonjë arme tjetër totale, që financimi të mos ndalet; e as Komiteti i Nobelit të mos mbetet pa punë.

  27. Hiperbola groteske e ndjenjës së nacionalizmit foshnjor dhe psiko-patologjik shqiptar, eksponent i së cilit jeni, jo vetëm që ka krijuar një treg për lloji-lloji përçudnimesh, por mund të ketë arritur në fazën e vet virale dhe statusin e epidemisë, dhe profesori i nderuar Lloshi mund të jetë infektuar përkohësisht dhe lehtë. Shembulli juaj si përfundim, nuk ka asnjë vlerë!.

    Nuk kam nder mend te zbras koken time te mbush tenden. Ti je po aq dogmatik sa une. Welcome to the club!

  28. Më parë duhet të kesh mend, që të mund ta zbrazësh kokën e kam llafin e mandej të mbushësh një tjetër; dhe meqë publiku i gjerë, mund ti cekë vetë provat, fjala dogmatik do kishte ndonjë peshë a vërtetësi, po të plotësohej kushti që është subjekt i gjymtyrës së parë të fjalisë që sapo lexuat.
    Edhe jo! Atë fatkeqësinë e klubit ti e jeton vetëm. Ngushëllohu ndryshe.

  29. xha xha, fizika bashkekohore, fatmiresisht po i shkepuetet ndjeshem superfijeve, gjithmone drejt metodes konstatuese, empirike. superfijet kane qene dhe kane mbetur gjithmone teori, konstatimi empirik i tyre ka munguar gjithmone. me gjithe kete mungese, kjo teori ka gezuar popullaritet per dy arsye. e para sepse eshte nje teori idealisht harmonike dhe estetike, dhe e dyta dhe me e rendesishmja, sepse principi i pasigurise, i cili shpreh se ne momentin qe perpiqemi te konstatojme realitetin, e ndryshojme ate, ve ne dyshim te thelle metoden empirike. megjithate, nderkohe qe superfijet mund te jene nje teori aq e mbrapshte sa phlogistoni, kjo nuk do te thote qe principi themelor i teorise se fijeve (ajo qe ti ia atribuon leninit) te jete gabim. edhe teoria e oksidimit, nuk ka tjeter te perbashket me phlogistonin vecse te njejtin princip themelor, ku i vetmi ndryshim eshte vendndodhja e elementit qe digjet dhe rrjedhimisht edhe kahu i levizjes se ketij elementi (phlogistoni nga brenda jashte, oksigjeni nga jashte brenda), si dhe fakti qe oksidimi nuk eshte vetem teori, por nje realitet i konstatuar perdite. keshtu pra, eshte principi themelor se ka gjithmone nje peshk me te madh dhe rrjedhimisht gjithmone nje peshk me te vogel, qe e shtyn shkencen kerkimore te mos e perbuzi krejt teorine e fijeve, por te vazhdoje kerkimet ne kete drejtim, pasi keto kerkime mund te konstatojne nje grimce edhe me te vogel nga ajo e konstatuar deri me sot. po ashtu eshte i njejti princip qe i shtyn keta njerez me kaq imagjinate, te shprehen mbi shumefishmeri dimensionesh elastike, vetem se keta njerez me kaq imagjinate nuk jane shkencetare, dhe krijimtaria e tyre nuk eshte shkence, sic edhe do iua mbushte mendjen ai provokatori i autobuzit.

    per kuriozitet se me ka mbet fiksim, kush eshte ky tipi dhe pse e ke klasifikuar “te rrezikshem”?

  30. Lulian, unë e kisha fjalën për fizikën teorike, e cila nuk ka si të jetë empirike, besoj.

    Përndryshe, atë tipin shtypi italian do ta kish quajtur “uno squilibrato”; ose antikonformist i arsyes; ose fundja edhe i marrë. E quajta me ironi “të rrezikshëm”; sepse më tepër ishte zbavitës, sidomos për ne që ende s’na kish ardhur radha t’i përgjigjeshim pyetjes fatale.

  31. pasi keto kerkime mund te konstatojne nje grimce edhe me te vogel nga ajo e konstatuar deri me sot

    Kerkimet behen nga Tare-t proverbiale qe si metafore do te gjejne asgje ne formen e qenit te ngordhur. Incidentalisht, nje nga emrat e Krijuesit sipas gjuhes te cuditshme Erivim eshte Ein-Sof (As-Gje)

  32. Për shembull, një arsye pse hipotezat për prejardhjen pellazgjike të shqipes nuk janë shkencore ka të bëjë me atë që pellazgjishtja është madhësi e panjohur. Kjo nuk do të thotë që shqipja nuk rrjedh nga pellazgjishtja, por vetëm që, sot për sot, hipoteza në fjalë nuk i përket shkencës, por fantazisë.

    Ne pamundesi te pasjes te materialit te shkruar qe eshte me i vjeter se 500 vjet, fantazia qenka nje e keqe e domosdoshme per nje shkencetar linguistik.

    Tani aplikimi i termit ‘shkence’ per liguistiken eshte pakez i tepruar duke qene se linguistet nuk jane ne gjendje as te observojne empirikisht, as te prodhojne eksperimentalisht.

    Eshte me mire te jesh student i denje i Xhevatit.

  33. Kreshnik, ti e di sa t’i vlerësoj mendimet dhe ndërhyrjet në shumë fusha, por këtë herë më duket se je “out of your depth”, ose i ke shtrirë këmbët jashtë jorganit. Linguistika është pak si e komplikuar për t’ia diskutuar bazat në publik. Nga ana tjetër, një shkencë nuk është e thënë të jetë eksperimentale, për të qenë empirike; e nga ana tjetër ka disa degë të linguistikës, si fonetika eksperimentale ose gramatika gjenerative, të cilat e përdorin gjerësisht eksperimentin. Edhe linguistika historike mbështetet në vrojtimin empirik, sepse gjithnjë janë forma të vjetra të ruajtura në tekstet ose në emra vendesh ose në gjuhë të tjera të cilat shërbejnë si pikënisje për hipotezat e rregullsive të ndryshimit fonetik (të cilat përdoren pastaj për etimologjitë dhe rindërtimin e formave të vjetra gjuhësore). Nga ana tjetër, këto hipoteza mbijetojnë vetëm në qoftë se testohen nëpërmjet dëshmish të ndryshme, përsëri empirike. Në rastin konkret të shqipes, dhe në mungesë tekstesh të lashta në këtë gjuhë, e vetmja mënyrë procedimi është nga e tashmja drejt së shkuarës, duke i rindërtuar format e vjetra në bazë ligjësish fonetike të cilat deduktohen nga shndërrimet që kanë pësuar në shqipe huazimet e lashta të parashqipes nga latinishtja.

  34. kreshnik, asgjeja nuk ekziston, si atribut i te qenit asgje. ose per te qene me i sakte, asgjeja nuk eshte konstatuar ende empirikisht. perndryshe, nqs ekziston asgjeja, nuk ekziston infiniti, kemi te bejme me kufinj te universit, te cilet nuk jane vrojtuar akoma, rrjedhimisht, kerkimi do vazhdoje, deri sa keto kufinj te konstatohen dhe te gjehet asgjeja, ose keto kerkime do vazhdojne ad infinitum duke zgjeruar keshtu territorin e gjerave te ditura. sa per taren, te pakten qenin e ngordhur e gjeti, qe sa do i ngordhur e i kalbur te jete, nuk mund te jete kurre nje forme e asgjese.

    ne nje kohe me te volitshme, do kisha deshire te justifikoja presionin qe ndjejne keta fantalinguiste te eres shqiptare te “pierre menardit, autorit te don kishotit”.

  35. Mendje e hapur, duhet, vecanerisht per shkencetaret ne kete rast linguistet e historianet, pasi edhe gabimet e tyre nuk kane qene te pakta, si atehere kur disa qeshnin me Sir. William Jones ndersa ky thoshte se sanskrishtja ishte burim i gjuheve evropiane; dhe e morren seriozisht kur ky gaboi ne lidhjen e iranishtes me semitishten dhe tibetishten me indoevropianishten; apo kur Bopp kembengulte se armenishtja ishte dege e iranishtes apo polinezishtja ishte evropianishte dhe ne fund te tjeret vertetuan, se e para ishte dege e vecante ndersa tjetra kishte vetem huazuar nga sanskritishtja. Sa vete u tallen kur Schliemann vuri peng pasurine dhe u nis per te zbuluar Trojen bazuar vetem ne Iliaden? Keto jane mesime; kur njerezit kane kembengulur se kane patur te drejte, historia ka provuar se e kane patur gabim dhe anasjelltas. E mbi te gjitha ketu behet fjale vetem per nje krahasim fjalesh, ndoshta te huazuara si pasoje e levizjeve e shkembimeve mes njerezve, dhe nuk flitet aspak se njera gjuhe rrjedh nga tjetra.

  36. Vëzhgues, është e vërtetë se raste të tilla ka pasur dhe gjithnjë do të ketë. Edhe margaritari thonë se përftohet rreth një papastërtie, një trupi të huaj, një pranie të paftuar ose të parregullt. Mirëpo këtë nuk e përdorim dot si kriter për të vlerësuar alkimistët e gjuhësisë, të cilët nuk janë as outsiders, as parvenus në shkencë; por nuk i përkasin kësaj fare. Tek e fundit, edhe plakat që shohin filxhanet e kafesë qëllon që i bien më të ndonjëherë; sikurse astrologët dhe të tjerë marifetologë që i afrohen së vërtetës me rrugë jokonvencionale. Shembulli që sillni ju, me sir William Jones, i përket një periudhe kur linguistika historike ende nuk ishte shkencë; dhe kur dijetarët mjekëroshë ende jepnin e merrnin që t’i shpjegonin të gjitha gjuhët me hebraishten; ndërsa Schliemann jo vetëm që e zbuloi Trojën, por edhe e shkatërroi duke i shkuar mes për mes – pa përmendur akuzën tjetër që i është bërë për falsifikim të gjetjeve arkeologjike (i ashtuquajturi “thesar i Priamit”). Të dy shembujt çalojnë. Megjithatë, jam dakord që strukturat akademike, për nga vetë natyra e tyre parrokiale, janë më të përshtatshme për të riprodhuar sistemet ekzistuese të dijes, sesa për të çarë shtigje të reja; siç e tregon edhe shterpësia e shkencës ditët e sotme, kur kontrolli mbi kërkimet shkencore nga ana e shtetit dhe e korporatave është më absolut se kurrë (për arsye kryesisht financiare). Dhe nëse është kështu, inovacionet e mëdha gjithnjë do të vijnë me rrugë anësore, ose nga vatra që për arsye të ndryshme nuk janë të detyruara t’u nënshtrohen verbërisht autoriteteve në fushat përkatëse. Gabimi juaj, Vëzhgues, është se ngatërroni fantazitë e disa amatorëve të rastit me përpjekjet serioze të atyre që, për arsye të ndryshme, kanë mbetur jashtë sferës së autoritetit shkencor; këta të fundit janë gjithnjë të detyruar të procedojnë nëpërmjet metodës së provës dhe gabimit, dhe sidomos duke u mbështetur në arritjet e atyre që u kanë paraprirë; pse nuk mund t’i thotë vetes kimist një njeri që, sot e kësaj dite, e mohon që molekula e ujit përmban dy atome hidrogjeni dhe një atom oksigjeni; ose më keq, që e injoron këtë fakt; ose edhe më keq fare, që nuk e ka dëgjuar kurrë. Në fushë të kërkimeve albanologjike, hipotezë e guximshme edhe pse shkencërisht e pranueshme do të ishte hipoteza për shqipen e sotme si vazhduese të një dialekti ilir, edhe pse dialektet ilire nuk i njeh askush; ndërsa hipotezat për leximin e mbishkrimeve etruske nëpërmjet shqipes; ose kërkimet e Petro Zhejit për lidhjet e shqipes me sanskritishten nuk kanë të bëjnë me gjuhësinë moderne; por i përkasin një tjetër sfere të dijes. Nëse ka njerëz që interesohen për këto gjëra dhe duan të kalojnë kohën ose të shpenzojnë pasuri për t’i kultivuar e për t’i përhapur, kjo është punë e tyrja dhe s’ka kush të drejtë t’i pengojë; por këto aventura nuk duan vënë në një plan me përpjekjet e mirëfillta dhe racionale të të gjithë atyre që shpresojnë se, edhe albanologjia i ka mundësitë për t’iu qasur së vërtetës me anë të metodës shkencore, jo të metodës së filxhanit të kafesë.

  37. albanologjia i ka mundësitë për t’iu qasur së vërtetës me anë të metodës shkencore, jo të metodës së filxhanit të kafesë.

    Ne fund te fundit po te mos ishin linguistet nuk do ishin fantalinguistet.

  38. Si pasojë edhe e bujës shkaktuar prej diskutimit të këtushëm, artikulli i Astrit Lulushit u botua sot në të përditshmen “Shekulli“.

  39. Kush eshte ky Astrit Lulushi ? Ka ndonje qe te na e tregoje biografine e tij per kuriozitet.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin