Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

NJË HAP PRAPA DREJT VETES

Mënyra se si u zgjodh Bamir Topi President i Republikës tregoi edhe një herë, se disa procese politike të periudhës së tranzicionit që synonin demokratizimin e shoqërisë shqiptare, të cilat prej vitesh perceptohen si të mirëqena janë ende iluzione. Në këtë moment nuk mund të thuhet dot më se cila do të jetë përspektiva politike e shoqërisë shqiptare por javët e fundit treguan edhe më shumë, se institucionet politike, qoftë në kuptimin kushtetues, qoftë në atë partiak e kanë humbur karakterin e tyre fillestar dhe janë duke shpalosur gjithnjë e më publikisht karakterien e tyre klanor. Erozioni displinor brënda një partie politike dhe pozicionimi klanor brënda saj është një zhvillim i ri i erozionit disiplinor ideologjik të partive vetë, të cilat më herët akoma braktisën hapur pozicionet e caktuara ideologjike, të cilat edhe pse nuk i kishin patur kurrë, ua kishin marrë të paktën hua semantikës së programeve partiake e titullimit të partive politike. E parë nga një përspektivë e rreptë moraliste gjithcka nuk meriton të quhet gjë jo më pak se “shthurje” dhe jo më shumë se “kaos politik”, por çështja e klasifikimit moral të dinamikës së skenës politike shqiptare për shumëkënd nuk është më primare.

Fakti që brenda Partisë Socialiste ndodhi një tradhëti e përmasave të panjohura për politikën shqiptare moderne nuk do të duhet të jetë kokëcarja akute e politikanëve vetë apo e opinionit publik, ne fund të fundit tradhëtia (kur është politike) është një fenomen që duhet të pushojë e precipitiojë, në mënyrë që të gjykohet dot pa subjektivizëm. Sigurisht që është iluzive të presësh që PS nuk do të vetëshqyhet në një proces të ri përjashtimesh e pse jo edhe dorëheqjesh, por kjo do të duhet të mbetet vetem kokëcarja e vëzhguesit voyer, ndërkohë që shoqëria shqiptare dalngadalë do të duhej të ndërgjegjësohej se demokracia kjo është dhe nuk mund të jetë gjë dot ndryshe. Demokracia shqiptare ka arritur sot shkallën e saj më të lartë, që ajo njëherë për njëherë mund të arrijë.

Ajo që qytetari shqiptar mësoi përfundimisht pas zgjedhjes së Presidentit të ri është se Shqipëria është një republikë demokratike, ku ndarja e pushteteve është e pamundur dhe ndoshta edhe e panevojshme. Nuk do të ishte aspak cinike sikur të pranohej hapur, madje edhe të sanksionohej në kushtetetë vullneti i klasës politike shqiptare, e cila në fund të fundit është përfaqësuesja e pupullit vetë (ajo nuk ra gjë nga qielli), se ndarja e pushteteve mbetet një aspiratë, për përmbushjen në të ardhmen të së cilës partitë politike punojnë për krijimin një herë të ndërgjegjes së duhur juridike.

I gjithë ky problem që ka klasa politike shqiptare me ndarjen e pushteteve është pasojë e imponimit të disa normave kushtetuese sjelleje të panjohura nga kultura të huaja, të cilat regullat e tyre i kanë vjelë kryesisht si produkte politike të zhvillimit historik të tyre vetë. Por nuk është vetëm ndarja e pushteteve, e cila mbetet aq abstrakte. Vetë e drejta thelbësore politike e qytetarit, pra ajo e votës së lirë, shkelet në mënyrë flagrante prej vitesh dhe qytetari vetë as që preokupohet qoftë edhe minimalisht për këtë. Po e njëjta gjë ndodh me shumë detyrime morale e ligjore, të cilat sanksionohen publikisht në formë rregullash sjelljeje dhe që shërbejnë vetëm për qetësimin e ndërgjegjes së vrarë si dhe reshtjen e komplekseve të inferioritetit të popullit të papjekur politikisht e kushtetutshmërisht. Përsa i përket etikës qytetare hipokrizia politike është e ndërsjelltë përsakohë që politikanët dhe populli shqiptar janë produkte të njëri-tjetrit. Çështja që do duhej shtruar këtu është se sa ja vlen të distancohesh nga realiteti yt, apo thënë dicka më direkt dhe sa i aftë je të mashtrosh veten e të besosh qorrazi se nuk është kështu, apo ndoshta u dashka quajtur gjithçka me emrin e vet dhe për hir të një pragmatizmi funksional t’i përshtatësh formën tënde (kushtetutën) përmbajtjes tënde (ende shoqëri e pandriçuar/pasqaruar).

Sigurisht, që një një hap të tillë gjigand mbrapa, pra hapin e vetëm që mund të hedhin shqiptarët drejt vetvetes askush nuk do të ishte në gjëndje ta ndërmerrte pa rrezikuar të hiqte pas vete, madje edhe si rrase varri një nam prej tradhëtari, por ajo që duhet bërë është të paktën marrja në konsideratë e gjejndjes së krijuar si një gjëndje e zakonshme e vetëkuptueshme.

Është një qaravitje e kotë të akuzosh Berishën se i rrembeu për vete te tre pushtetet, madje të ngulësh këmbë në karakterin skandaloz të faktit nuk bën gjë tjetër vetëm se diskualifikon veten tënde si një vëzhgues naiv. Berisha i do të tre pushtetet t’i ketë nën kontrollin absolut të tij sepse është pikërisht shoqëria shqiptare, e cila ende nuk e ka ndjerë nevojën e ndarjes së pushteteve. Madje edhe kur kjo kërkohet publikisht me forcë, sic ishte rasti i këmbënguljes së gjithë opozitës aktuale për mos-heqjen e prokurorit të përgjithshëm, kjo ndodh vetëm për të sfiduar politikisht kundërshtarin e jo për të respektuar një parim aq të rëndësishëm të organizimit të shtetit.

Përsa i përket konflikteve midis pushtetit lokal dhe atij qëndror është përsëri e kotë të shpresosh në realizimin e një rendi kushtetues, ku shpërndarja e kompetencave vijon papërjashtimisht sipas nevojave faktike të popullsisë dhe mundësisve objektive për gjetjen e zgjidhjeve. Qytetari republikan shqiptar njeh vetëm një vijë pushteti, e cila pa asnjë pengese vijon rreptësisht vertikalisht.

Është përsëri e kotë të shpresosh në luftën e shpallur publikisht kundër korrupsionit, kur të gjithë politikanët shqiptarë janë pronarë të bizneseve tepër të sukseshme, me të cilat financojnë dot një nivel jetese të pazakonshëm për pjesën tjetër të popullsisë.

Një afrim me realitetin; pra një hap mbrapa drejt vetes, i afron aspiratat e të nesërmes. Një dorëheqje nga e gjithë retorika falco demokratike dhe një diskutim më i hapur dhe i bazuar në fakte do t’ua lehtësonte të gjithëve komunikimin me njëri-tjetrin. Ndoshta duke filluar një herë me gjeste e më pas me besim. Nëse dikush nga politikanët e sotëm e ka gjë në plan të luftojë politikisht kundërshtarin e tij, do të arrinte më herët atje ku do duke filluar të luftojë veten e tij, falsitetin e tij, hipokrizinë e grykësinë e tij. Siç duket shpresa e ndryshmit ka mbetur përsëri tek opozita, e cila vetëm duke pranuar realitin e vet aq të përbaltosur mund të ngrihet mbi kundërshtarët e vet politikë.

GH

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin