Po e nis me një anekdotë të vjetër.
Një fabrikant këpucësh dërgon dy përfaqësues tregtarë në një vend të humbur të Afrikës, për të hulumtuar tregun lokal. Pas një jave i mbërrin telegrami nga njëri përfaqësues:
“Këtu nuk ka asnjë potencial për tregti këpucësh. Të gjithë ecin zbathur.”
Dhe s’kalojnë as dy minuta, kur mbërrin edhe telegrami tjetër:
“Këtu ka potencial të shkëlqyer për tregti këpucësh. Të gjithë ecin zbathur.”
Kjo anekdotë m’u kujtua sot, kur lexoja një pasazh nga eseisti anglez Theodore Darlymple, i cili ka punuar për një kohë të gjatë si mjek psikiatër në burgjet britanike.
Shumë burra më thonë, shkruan Dalrymple, se kurrë nuk do të vinin dorë mbi një grua, ngaqë, kur kanë qenë të vegjël, kanë parë të jatin t’u rrihte të jëmën. Njëkohësisht shumë burra të tjerë, vazhdon ai, më kanë shpjeguar se i rrahin rregullisht gratë e tyre pikërisht ngaqë, kur kanë qenë të vegjël, kanë parë të jatin t’u rrihte të jëmën.
Nuk dihet nëse fabrikanti i këpucëve arriti apo jo të pasurohej duke u shitur këpucë këmbëzbathurve në Afrikë (shumë afrikanë që njoh unë veshin sandale ose pantofla). Njëlloj nuk dihet edhe nëse, një fëmijë që përjeton skena të dhunës familiare, do t’i shmanget dhunës bashkëshortore kur të rritet, apo do ta riprodhojë skllavërisht.
Jeta është llotari, Olimbi – për të parafrazuar Spiro Çomorën.
Tregimi i Borges-it, “Llotaria në Babilon”, përshkruan makthin e një shoqërie ku gjithçka përcaktohet e vendoset nëpërmjet lotarisë; për shembull, jeta dhe vdekja; ose ofiqet publike. Disa kritikë e kanë interpretuar lotarinë e Borges-it si alegori për Perëndinë.
Ideja e argjentinasit të madh nuk është aq absurde sa ç’mund të duket.
Edhe William F. Buckley Jr., gazetar i njohur amerikan, pat thënë një herë se më mirë pranonte të qeverisej prej 100 emrave të parë në numeratorin telefonik të Boston-it, sesa nga krejt profesorati i Harvardit.
Për të sjellë një shembull tjetër: 13 letrat që të vijnë në dorë, gjatë një loje pesëkatëshi. Para se t’i hapje letrat, gjasa që të të vinte pikërisht ajo sekuencë ishte jashtëzakonisht e ulët… Pasi t’i kesh hapur, gjasa papritur bëhet një, sepse ngjarja tashmë ka ndodhur.
Nuk ka ndonjë lidhje midis gjasës së ulët të një sekuence çfarëdo në letra, dhe faktit që të ka ardhur pikërisht ajo sekuencë dhe jo një tjetër.
Ç’gjasë kishte që Kullat Binjake të shkatërroheshin pikërisht në 11 shtator 2001?
Shansi që unë të fitoj lotarinë është pafundësisht i vogël; edhe pse, që ta fitoj lotarinë, duhet patjetër të ngrihem dhe të shkoj të blej një biletë. Natyrisht, diferenca midis shansit për ta fituar dhe gjasës zero të atij që s’e ka blerë biletën është edhe ajo e papërfillshme.
Sipas këtij arsyetimi, lotarinë nuk mund ta fitojë dot askush. Megjithatë, çdo javë e lajmërojnë një milioner a milionere të re, teksa të mençurit refuzojnë të blejnë biletat, njëlloj sikurse refuzojnë konsultat te astrologu ose kiromanti.
E kam fjalën te ai gabim logjik elementar që bëjmë, sa herë kërkojmë ta shpjegojmë çka ekziston me rrethanat që e kanë përftuar – ose me metodologjinë rutinë në shkencat historike.
Për të njëjtën arsye nuk e kam kuptuar dot kurrë principin antropik në fizikë dhe në filozofi (edhe pse ndoshta ky princip është pak si tepër përtej për mua); i cili në variantin e vet “të fortë” është formuluar pak a shumë kështu:
Universi duhet të ketë karakteristika të tilla që ta mundësojnë zhvillimin e jetës në një fazë të caktuar të historisë së vet.
Ose edhe kështu:
Universi duhet të jetë i tillë që të pranojë t’i përftohen vrojtues brenda vetes në një fazë të caktuar të historisë së vet.
Nga ana tjetër, gjatë kolapsesh të vogla mistike, edhe mua më qëllon t’i drejtohem për ndihmë versionit tim personal të principit antropik: e tashmja, sado e rastësishme, përcaktohet prej së ardhmes.
Kjo është e ngjashme me çka do të ketë menduar, bie fjala, ai pasagjeri i vonuar i “Titanikut”, që mbërriti në Southampton pak minuta pasi transoqeaniku legjendar ishte larguar nga porti.
E kam fjalën që krejt historia e dijes, njerëzore ose vetjake, mund të rishkruhet si luftë e arsyes me rastësinë. Dhe ja ku u ktheva përsëri te interpretimi logjik i historisë…
ka kohe ne fakt qe kam pasur ndermend te te pyes per kendveshtrimin tend te historise, te shprehur prej teje ne menyre te organizuar. e di qe eshte pyetje e veshtire, me nje pergjigje te gjate, per te cilen ndoshta nuk ke kohe, pasi do kerkonte shpalosjen e nje teorie apo nje tjetre, megjithate kjo nuk me ndalon te pyes. them se deri diku e njoh kendveshtrimin tend te shprehur tek tuk neper ese te ndryshme, por nje shprehje rigoroze dhe koncize prej teje ndoshta do ndihmonte edhe me teper per nje lexim edhe me te qarte te xha xhait.
njerezit me te ardhme te lumtur jane ata qe dine ta perdorin mire çdo lloj rastesie sado te pavolitshme ne jeten e tyre!
Pyetjen mund ta shtronim edhe kështu: “Po sikur rastësia të jetë sajesë e mendjes sonë?”. Në kuptimin që ato që ne i quajmë ngjarje, faktorë, shkaktarë, etj. të ishin fare mirë pjesë të një mozaiku, tërësinë e të cilit nuk e rrokim dot pikërisht sepse jemi një copëz brenda tij në një moment të caktuar historik.
“Rastësia është mbreti i botës”, thotë proverbi. Me fjalë të tjera Spiro Çomora me batutën e famshme “Jeta është llotari, Olimbi” ose Borges-i, me “Llotaria në Babilon”, thonë një të vërtetë të madhe me limitet e mendjes njerëzore.
Më duket se njeriu do të dështojë gjithnjë në shpjegimin e jetës si zinxhir shkaqesh, jo sepse metodologjia mund të ishte e gabuar, por sepse njohuritë e tij janë aq të kufizuara saqë e bëjnë atë të pavlefshme. Ja përse shumë “përse” njerëzore nuk gjejnë përgjigje. Ndërkohë, logjika do të vazhdojë të luftojë me mullinjtë e historisë. Apo edhe kjo është rastësi?
“logjika do të vazhdojë të luftojë me mullinjtë e historisë. Apo edhe kjo është rastësi?”
Destiny!
Rastësia është një nga ato gjërat që i heq sigurinë njeriut, shkencës dhe gjithçkaje që na rreton në përgjithësi. Aristoteli e përshkruante në mënyrë mëse perfekte kur bënte shëmbullin e gropës dhe të thesarit. Me pak fjalë thoshte : “ Një burrë hap një gropë për të mbjellë një pemë dhe duke gërmuar gjen një thesar”. Gjetja e thesarit është komplet e rastësishme për burrin që po gërmonte. Dy ngjarjet( hapja e gropës dhe gjetja e thesarit) nuk janë të lidhura mes tyre as nga një pikëpamje llogjike (në të kundërt do duhet të thoshim se sa herë që hapim një gropë gjejmë një thesar) dhe as nga pikëpamja empirike e mundësive (nuk është e thënë që mundësitë për të gjetur një thesar janë të lidhura ngushtë ma numrin e gropave që hapim). Rastësia na tremb sepse është diçka që futet vrrullshëm dhe pa asnjë lloj paralajmërimi në situata që deri në atë moment na dukej se kishim nën kontroll. Racionalizimi i rasteve (rastësisë) ndihmon në uljen e ndjesisë së panikut për të panjohurën. Mendimtarët modernë (Max Weber, Martin Heidegger, Karl Löwith, Carl Gustav Jung, Theodor W. Adorno, Max Horkheimer, Hans Blumenberg, Emanuele Severino, që kanë diagnostikuar këtë fenomen janë të bashkuar nga braktisja e supershpjegimit teologjik sipas të cilit çdo rastësi ishte e drejtuar dhe kishte si qëllim një arkitekturë më komplekse dhe të mirën e përgjithëshme. Gjithnjë duke llogjikuar në këtë prizëm është interesante edhe fusha e mjeksisë ku në shumicën e rasteve shumë simptomave nuk u dihet orgjina me saktësi dhe për mos të alarmuar shumë pacientin në përgjithësi gjenden shpjegime shumë të përgjithëshme që shpesh herë i ngjajnë parashikimeve të horoskopit. Për të mbyllur ju sugjeroj filmin “Match Point” të Wody Allen.
“E kam fjalën te ai gabim logjik elementar që bëjmë, sa herë kërkojmë ta shpjegojmë çka ekziston me rrethanat që e kanë përftuar – ose me metodologjinë rutinë në shkencat historike.”
Pikerisht kete gabim logjik elementar refuzon ta marrë parasysh nje takem i madh shkencetaresh te sotem amerikane, te rradhitur ne kampin e kreacionizmit, apo te variantit te tij modernisht te sofistikuar te quajtur “intelligent design”. E them kete sepse nje argumenteve me te “forte” qe ata paraqesin, ne mos me i forti, dhe qe i le gojehapur audiencat e tyre, eshte probabiliteti infinitesimal qe jeta te linde nga jo-jeta. Prej kesaj rrjedhin edhe fushatat pafund per te lejuar mesimin e ketij varianti ne shkollat publike te superfuqise se sotme, energjite e pashtershme te impenjuara nder debate “shkencore”, institucione po aq shkencore qe vetem rrahin te provojne se evolucioni eshte thjesht nje teori si gjithe te tjerat, prandaj s’ka pse te privilegjohet. Bile arrihet deri aty sa thuhet se evolucioni, perderisa nuk provohet dot ne laborator, eshte edhe ai nje besim, nje fare “feje shkencore”.
Shqetesimi ne gjithe kete mesele eshte jo thjesht egzistenca e ketyre zelltareve, se ata s’mund t’i shmangesh plotesisht, por fakti qe ata arrijne te depertojne e te ndikojne fuqimisht ne sfera te larta te politikes amerikane, duke perfshire edhe vete presidentin aktual.
E pastaj ec e thuaju po deshe se eshte fjala per nje “gabim logjik elementar”!
Duket sikur historia e fabrikantit te kepuceve eshte ne te njejten kohe edhe pergjigja e gjithe debatit, te pakten per mua. Vleresuesit e tregut mbartin sisteme referimi te ndryshme dhe si te tille, kane potencialisht te drejte. (me vjen keq qe nuk i dihet fundi historise)
Me shume do ta quaja skllaverim i arsyes sesa lufte e saj.
E tashmja sado e rastesishme (ne dukje) eshte percaktuar prej perfundimit.