Me të drejtë mërgimtari që kthehet në atdhe është krahasuar me një hero, sepse i tillë është; por vetëm në kuptimin që u jepte heronjve mitologjia e kultura greke, si njerëz që me bëmat e tyre venin e vinin përmes kufirit, përndryshe transhendental, që ndante perënditë e Olimpit nga vdekëtarët. Mirëpo edhe një kthyes protohistorik si Uliksi nuk do krahasuar menjëherë me mërgimtarin shqiptar të shekullit XXI, pse Uliksi u kthye në Itakë për t’u ribashkuar me Penelopën e për të marrë përsëri në dorë fatet e ishullit, jo për të kaluar pushimet verore. Aq më tepër që këtë – Uliksin – i pari mezi e njohu bariu i derrave Evmeu; i dyti qeni i rrëgjuar Argos dhe e treta shërbëtorja plakë Euriklea, tek ia lante këmbët në pallatin mbretëror; ndërsa mërgimtarin tonë besoj e njohin sa hap e mbyll sytë të paktën katër ose pesë shoferë taksish në aeroport, pa llogaritur tërë mëhallën që ka dalë ta presë në parvazet e dritareve. Po gjithsesi, krahasimi me Uliksin ma ngacmon shumë imagjinatën; sepse tani po mendoj çfarë kontrasti rrëfimtar ka midis pjesës së parë të poemit homerik – ku heroi ynë endet nëpër Mesdhe e kalon nga një aventurë përrallore në një tjetër aventurë edhe më përrallore – dhe pjesës së dytë kur Uliksi arrin tanimë në Itakë – kur befas perënditë sikur tërhiqen mënjanë dhe ua lënë njerëzve në dorë ta çojnë përpara dramën. Shila dhe Haribdi, Lotofagët, Eoli i Erërave, Çirçja, Polifemi, Nimfa Kalipso, lopët e Heliosit – të gjitha këto i përkasin një bote që venitet e tretet në mjegull sapo Uliksi vë këmbë në atdhe; për t’ia lënë vendin intrigave të oborrit, xhelozisë e rivalitetit mes meshkujsh, melodramës së njohjes e të zbulesës, hakmarrjes ndaj mtonjësve.
Ç’lidhje ka kjo me temën e mërgimtarit në atdhe? E ka një lidhje, përderisa edhe ky mërgimtar mund të shihet si një vjegë a kasnec që lidh së bashku dy botë përndryshe të kithta; dhe me siguri i porsakthyeri ka shumë histori për të treguar mbrëmjeve para picës avulluese në tepsi e shishes me birrë gjermane; histori që, në një farë mënyre, do të tingëllojnë edhe ato po aq fantastike e, pse jo, po aq heroike, sa edhe bëmat që u tregoi Uliksi feakasve para se këta ta shoqëronin për në brigjet e Itakës. Mirëpo pikërisht te kjo pelerinë prej heroi që mban mbi supe mërgimtari i kthyer fshihet edhe drama e tij e pashmangshme; sepse sado që ky përpiqet t’u përkasë të dy botëve, në të vërtetë nuk i përket më asnjerës përfundimisht; njerëzit e përshëndesin me dashuri të papërshkruar por edhe mezi presin që të zhduket andej nga ka ardhur për t’i lënë t’i rikthehen rutinës që edhe ua përkufizon identitetin; në tryeza muhabetet ndërpriten kur mërgimtari ulet, për t’u hapur muhabete të tjera më oportune; bota këtij i mbështillet rreth vetes si dorashka ndaj dorës; mikpritësit i përshtaten, i buzëqeshin, i shërbejnë; po të jetë dimër i mbajnë edhe pallton, të bindur se kjo ndërprerje nuk do të zgjatë. Dhe mërgimtari vetë nuk ka si t’i shpëtojë dot torturës së detyruar të referencave të kryqëzuara: “ju atje, ne këtu”, përkatësisht “ne atje, ju këtu.”
Për fat të keq të lexuesve e të filologëve, Homeri nuk jep hollësira se ç’u bë me Uliksin pasi ky i hoq qafe rivalët e u ribashkua familjarisht me Penelopën; as di që të tjerë autorë antikë të kenë treguar ndonjë interes çfarëdo. Natyrisht, asnjë poet a dijetar i respektuar i asaj kohe do ta kish marrë mundimin të tregonte për fërkimet e më pas konfliktet midis çiftit, sa herë që Uliksi nuk e gjente më veten në ndryshimet e ndodhura në Itakë gjatë kohës që ai kish qenë në dhe të huaj; as për psherëtimat e këtij heroi të djeshëm e ankimtari të sotëm se nuk po shihte më ndonjë fytyrë të njohur në bulevard, se trafiku i dendur i mushkave te qafa e pazarit e ndotte shumë ambientin, se letrat që ia niste Telemakut në Mikenën e largët ku kish shkuar me studime ia hapte postieri e se sistemi tradicional i komunikimit me ndezje zjarresh majë çukave nuk funksiononte gjithnjë në mënyrë eficiente, megjithë disa investime feakase. As do të kishte njeri kuriozitet të rrëfente për mallin e pamatë e fatal që e pushtonte Dinakun e Madh, sa herë që i kujtoheshin hapësirat e mëdha të Mesdheut që dikur i bridhte hareshëm, ishujt e panjohur që përvijoheshin në horizont, hiret turbulluese të shtratit hyjnor të Kalipsos, ose edhe magjitë praktike të Çirçes nazemadhe; në fund të fundit, sa herë mund t’i biesh kryq e tërthor Itakës, me ose pa transport njëthundrak, derisa t’ia kesh njohur çdo plakë dhëmbërënë, çdo mejhane të tymosur e çdo plazh ende të papërdhunuar nga refugjatët thesprotë? Dhe ndryshe nga mërgimtari i sotëm, i shkreti Uliks i atëhershëm nuk kishte as opcionin që të zbriste njëditëzaj te zyrat e Malevit në downtown Ithaca, për ta afruar pak biletën e kthimit në të Përtejmen.
[2002]
”Për fat të keq të lexuesve e të filologëve, Homeri nuk jep hollësira se ç’u bë me Uliksin pasi ky i hoq qafe rivalët e u ribashkua familjarisht me Penelopën”.
Në fakt Homeri lë disa kunja për fatin e Odhisesë, sidomos në vargjet xxiii (ψ), 267-284 ku i shpjegon Penelopës se profeti Tiresia e porositi që të vizitojë qytete të reja e të njohë njerëzit që nuk dinë se ç’është deti, edhe ata që nuk përdorin kripë për fjellë etj. Trillim i Odhisesë për të marrë rrugët prapë apo porosi hyjnore është vështirë të thuhet. Heroi më i dashur i Homerit nuk mund të rrijë i mbyllur në katër muret e pallatit bashkë me një grua…
Odiseu biri i Laertit dhe bashkeshort i Penelopes.Odiseu pas luftes me metonjesit u cmall me familjen e tij dhe popullin.Me pas etja e tij per te lundruar nuk u tret kurre ndaj ai beri nje anije te re dhe u nis per te zbuluar enigmat e jetes.Thone se ai ndaloi tek nje ishull i quajtur “Eubeja”.Atje ai zbuloi nje nimfe te bukur dhe u dashurua marrezisht mbas saj.Nimfa e magjepsi Odiseun saqe mos te kujtonte asgje prandaj ai jetoi me kete nimfe te bukur qe quhej Irida.Ajo kishte qene nje hyjni qe personifikonte ylberin ajo dergohej nga perendite per te lajmeruar dicka.Por mbas nje komflikti me Zeusin ajo i humbi fuqite e saj dhe u kthye ne nje nimfe dhe qendroi vetem per shume kohe ne kete ishull derisa erdhi Odiseu…