Sovraniteti në Evropë

Unë kam frikë se Shqipëria “e vogël”, nëse përbën problem për Evropën e më tej, kjo vjen jo ngaqë e tepron me ushtrimin e sovranitetit, por përkundrazi, për shkak se nuk e ushtron atë sovranitet në mënyrë të mjaftueshme.

Sovraniteti parakupton përgjegjësi të dyfishtë: para zgjedhësve (“popullit”), dhe para partnerëve në kontinent dhe në botë. Përshtypja ime është se institucionet e shtetit shqiptar nuk janë gati t’i marrin këto përgjegjësi ose nuk duan, preferojnë t’ua delegojnë organizmave mbikombëtare ose fuqive të mëdha, ose t’i këmbejnë përkundrejt favoresh të pahijshme.

Natyrisht, kërkesa e parë që i bën Evropa Shqipërisë është që shteti shqiptar të marrë në kontroll situatën brenda vendit, dhe të respektojë vijën e demarkacionit midis ligjshmërisë dhe paligjshmërisë. Ata pak miq të mirëfilltë që kemi, rregullisht po u kërkojnë madje luten qeveritarëve shqiptarë t’i ngrenë pantallonat, sepse nuk po ia hedhin kujt me gatishmërinë e tyre për t’u konformuar.

Pra nuk është problem mungesa e konformimit nga ana e qeverisë dhe në përgjithësi shtetit në Shqipëri, por mungesa e vullnetit institucional për vendime të pavarura, të arsyetuara dhe të përligjshme brenda e jashtë vendit.

Shqipëria mund ta dëmtojë ose kërcënojë drejtpërdrejt dhe tërthorazi Evropën (1) duke u kthyer në fushë të lirë veprimi të organizatave kriminale (edhe më shumë se ç’është); (2) duke kaluar në krizë ekonomike, politike, institucionale totale, në mënyrë të tillë që edhe një dyndje e re refugjatësh të kërcënojë stabilitetin e Italisë dhe të Greqisë; (3) duke u lidhur në aleanca me vende që shihen shtrembër nga Perëndimi, për shembull me Iranin ose duke u futur në kombinacione me grupe terroriste islamike; (4) duke futur ushtrinë në Kosovë ose Maqedoni, ose duke nxitur veprime të armatosura dhe të tjera turbullira atje; (5) duke ndërtuar në bregdet ose afër kufirit me Greqinë centrale të mëdha atomike, ose duke derdhur nuk di ç’pisllëqe në Adriatik e në Jon; (6) duke mos kontrolluar dot ndonjë epidemi të tipit të kolerës.

Pyetja ime në këtë rast do të ishte: këto situata problematike hipotetike e të tjera si këto, vallë do të rëndoheshin, apo do të lehtësoheshin nga forcimi i sovranitetit të shtetit shqiptar? [2004]

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: