Kohët e fundit kanë qarkulluar në shtyp e në Internet materiale të cilat parashtrojnë në mënyrë të arsyetuar një orvatje pak a shumë ambicioze për revizionimin e historisë së Shqipërisë, që nga Ilirët e Lashtë deri te Fatos Nano. Doktrina që qëndron pas këtyre materialeve e percepton historinë dhe historiografinë shqiptarë si një lufte të përjetshme midis dy të kundërtave: një rrymë pro-greke (dhe anti-shqiptare) dhe një rrymë anti-greke (dhe pro-shqiptare); sipas kësaj doktrine të gjitha momentet e errëta – për të mos përmendur katastrofat – në historinë e shqiptarëve i detyrohen veprimtarisë së forcave pro-greke. Nga ana tjetër, doktrina riciklon disa pikëpamje folklorike për antagonizmin jug/veri dhe gegë/toskë, në dritën e nevojës për ndërrim paradigme të diktuar nga përfshirja e Kosovës në trojet kulturore shqiptare.
Me keqardhje vë re së këto materiale përmbajnë shtrembërime skandaloze të fakteve historike dhe karakterizohen nga një vështrim bardhezi që nuk mund të shpjegohet veçse me angazhimin politik të autorëve të tyre, si dhe me vendosmërinë e këtyre autorëve për ta përdorur revizionizmin historik si armë për të arritur disa qëllime politike aktuale. Nga ana tjetër, materialet janë ndërtuar në mënyrë të tillë që, edhe përpjekja më e sinqertë për t’i kritikuar në mënyrë analitike rrezikon të ndihmojë për të prodhuar të njëjtat efekte që mëtojnë edhe vetë tezat e paraqitura: polarizimin e tensioneve ndër shqiptarët e Ballkanit, keqësimin e raporteve ndërfetare në trojet shqiptare, dobesimin e identitetit kulturor shqiptar.
Në të vërtetë, ajo që autorët e quajnë si lëvizje në thelb “pro-greke” në historinë shqiptare shpesh nuk është veçse një emër i gënjeshtërt dhe provokues për të gjitha ato forca që kanë qenë të orientuara për kah Evropa Perëndimore, dhe këtu futet edhe Skënderbeu, edhe Katolikët e Shkodrës, edhe Rilindasit e shekullit XIX, edhe bektashinjtë, edhe Ismail Qemali. Nëse ka patur bashkëpunim me grekët prej ndonjërit prej këtyre, ky ka qenë instrumental, jo strategjik, pse qëllimi kurdoherë ka qenë shkëputja e Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe kultura turko-orientale dhe konfirmimi i qenies së saj vend evropian. Orientimi pro-perëndimor nuk ka qenë ndonjë prerogativë e të ashtuquajturit lob lab-vllah-ortodoks, por e grupeve të interesave nga e gjithë hapësira shqipfolëse; vetë Skënderbeu ishte gegë, e po ashtu edhe katolikët e veriut, të cilët për më së pesë shekuj e ruajtën besimin tek Evropa dhe, tek e fundit, ishin nga forcat më vendimtare për arritjen e pavarësisë në 1912. Sa për rivalitetet ndër-rajonale mes shqiptarëve, këto vërtet kanë ekzistuar, por vetëm në disa segmente elitash. Është e kuptueshme, megjithatë, se midis krahinave të ndryshme shqiptare kurdoherë ka pasur dallime e diferenca: në kulturë, në qëndrime ndaj fqinjëve, në objektiva ushtarake e politike.
Konceptimi i Shqipërisë nga Rilindja parakuptonte edhe kapërcimin e këtyre diferencave, sepse përndryshe projekti i krijimit të Shqipërisë moderne nuk do të ekzistonte. Një nga shkaqet kryesore të këtyre diferencave gjatë shekujve XIX dhe XX ishte se Shqipëria e Jugut u zhvillua nga ana ekonomike dhe u hap disi ndaj botës, kjo kryesisht për arsye gjeografike. Si pasojë, rrymave modernizuese në historinë shqiptare shpesh do t’u dilnin për zot jugorët, çka nuk do të thotë së veprimtaria e tyre medoemos do t’u binte ndesh interesave të veriorëve. Për shembull, trazirat anti-moderne në Shqipërinë e Mesme të mishëruara në figurën e Haxhi Qamilit ishin të drejtuara njëlloj kundër pro-Perëndimorëve nga Jugu dhe nga Veriu. Edhe dominimi i Shqipërisë së pasluftës nga elementi jugor erdhi ngaqë ishte Jugu i Shqipërisë që u kthye në një teatër të luftës politike (dhe civile) gjatë viteve 1940-1944; edhe sikur të kishte fituar Balli kombëtar, klasa drejtuese do të mbetej njëlloj e dominuar nga Jugorët.
Për vetë rreshtimin që bëri, Blloku Kolaboracionist i dogji shanset për të dalë i fituar nga lufta. Në fund të fundit, nuk është e rastit që Fuqitë e Mëdha – Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara – fituan sepse përfaqësonin prirjen modernizuese, ndërsa Gjermania e Hitlerit ose Italia e Musolinit ishin në pozita thellësisht konservative, anti-moderne, madje mesjetare. Legaliteti gjithashtu nuk më duket se mund të imponohej si palë e rëndësishme në çfarëdolloj lufte politike, pse kishte pak ndjekës, dhe sidomos fare pak peshë intelektuale dhe kulturale.
Revizionimi nuk ndalet edhe përpara mitit kombëtar të Skënderbeut, duke e paraqitur këtë si përfaqësues të interesave greke e serbe, në dëm të interesave kombëtare shqiptare të mirëfillta. Në të vërtetë, vendi i Skënderbeut në kulturën kombëtare është i garantuar ngaqë ai është perceptuar si i pari shqiptaroevropian i vërtetë, ose si e para figurë historike që i bëri shqiptarët të pranishëm si të tillë në historinë e Evropës. E kuptoj se ka dhe do të ketë forca të caktuara në Shqipëri të cilat do t’i kundërvihen prirjes së përgjithshme kombëtare për t’u orientuar medoemos ndaj Evropës Perëndimore; është e drejta e tyre t’i bëjnë publike argumentet e tyre, të hyjnë në debate me kundërshtarët e tyre dhe të parashtrojnë alternativa. Ajo që më duket e papranueshme është mistifikimi dhe manipulimi i faktit historik, i cili objektivisht ka për qëllim nxitjen e një fryme revanshiste mes të supozuarave “viktima të konspiracionit filogrek”. Paranoja grekofobe e këtyre materialeve rreh t’i turbullojë ujërat kaq shumë, sa të mos i lërë të duken problemet e vërteta të marrëdhënieve shqiptaro-greke në nivelin e Shqipërisë së Jugut dhe më tej, duke u sjellë një shërbim të papritur e të paçmuar vetë qarqeve shoviniste anti-shqiptarë dhe greko-mëdha kudo në botë. [2000]