Përshtypja e parë që pata nga leximi i “Pashallarëve të Kuq”: neveri. Jo për Ismail Kadarenë, po për kohën së cilës i përket poemthi. Në të vërtetë, neveria që ndjeva s’ishte veçse një ritransformim i ankthit të dikurshëm (“kur për një fjalë të fluturonte koka”), të cilin e kemi provuar të gjithë. Vargje të mbushura me gjak, varre, të rënë, klasa të përmbysura, evokime pushkatimesh të Bulevardi i Madh, Enver Hoxha që bubullon si mali në dimër. Vargje ku i këndohet kontrollit punëtor… Përshtypja e dytë: si është e mundur që një autor si Kadareja të ketë shkruar një vepër artistikisht kaq të dobët? Të copëzuar, konfuze, me figuracion fals dhe të sforcuar, me një dëshirë të përgjumur për t’iu falur përsëri minimalizmit të “Motive me Diell”, por pa entuziazmin hiper-majtist (proletkultist) të këtij të fundit? Gati-gati duket sikur “byroja” e Lidhjes së Shkrimtarëve nuk deshi ta botojë poemthin për arsye thjesht artistike – dhe kjo doemos nuk do të mund të qortohej lehtë.
Pastaj iu ktheva vargjeve edhe një herë, për t’u përpjekur të kuptoj diçka më thellë. Mendova se kjo nuk është gjuha e një autori disident, as e një denonciatori të tmerreve të diktaturës. Mendova se kjo është gjuha e një njeriu të trembur, të frikësuar, të llahtarisur; e një njeriu që ka frikë se mos vërtet do t’i përfundojë koka në një tepsi, për t’iu servirur super-udhëheqësit në meshën e ardhshme politike. Të kujtojmë se ishte koha kur problem nuk ishin dhe aq kokat, por tepsitë: nuk gjendeshin më, aq shumë ishin përdorur. Njerëzit sikur po identifikoheshin pak me berrat në thertore. Kadarenë vetë pothuajse e kishin linçuar për “Dimrin e Madh”, dhe si të mos mjaftonte kjo, disa prej miqve të tij si Todi Lubonja më shokë kishin përfunduar tashmë qelive të burgjeve. Prandaj edhe “Pashallarët” unë e shoh më tepër si një orvatje të dëshpëruar për të shpëtuar kokën; si një lajkë-lutje drejtuar sovranit; si një rrëfim besnikërie ndaj kauzës; e tipit “po të fitojnë ATA, mua do të më pushkatojnë të parin”… Ky ankth i pakufi do ta shpjegonte shtirësinë, fragmentarizmin, majtizmin e pështirë, mbithjeshtëzimet, kinezëritë kulturore që përmban poemthi. Pena që e ka shkruar nuk është pena e disidentit, por e një njeriu me vullnet të shkelur e të thërmuar nga thundra e dhunës psikologjike. Është një poemth mbijetese, aspak një “j’accuse”, siç kanë dashur të na e servirin. Mirëpo nuk mund ta mbyll këtë shkrim pa pyetur: po pastaj? A nuk është tmerri një ndjenjë njerëzore? Kur e kemi provuar në vetë, si mund t’ia mohojmë shkrimtarit të shquar, që në një farë mënyre është ndërgjegjja e shoqërisë civile?
Më fjalë të tjera, pse duhet ta kalojmë Kadarenë nëpër një filtër moral, ku shumëkush prej nesh do të kishte ngecur?
Edhe një vërejtje të fundit: autorët e mëdhenj nuk ka pse të gjykohen nga veprat e tyre të dobëta, madje as nga mediokret; por nga majat e krijimtarisë së tyre. “Pashallarët” mund të ketë ndonjë farë interesi për biografët e Kadaresë, ose për historianët e Lidhjes së Shkrimtarëve, por përndryshe mbetet domethënëse vetëm për shtypin e verdhë, ose për koshin e plehrave, ku e ka vendin.
Sa për mua, “Kronikë në gur”, “Viti i Mbrapshtë” dhe “Ura më Tri Harqe” mjaftojnë e teprojnë për ta harruar poemthin sakaq.
[2002]
Po të kemi parasysh opusin – tashmë universal – të veprave të Kadaresë, sapo nis e shfleton faqet e para të romanit të mbramë “Darka e gabuar”, ndihesh sërish bash mu në qendër të universit të shkrimtarit. Në këtë botë artizanale të mpiksur estetikisht me shkronja dhe fjalë, gjuhë dhe libra; në këtë kurbë stilistike artistikisht të përsosur ndër vepra që, përshkojnë pika të vetëdijes të cilat, kanë vetinë (dinamike) të ngelin për një kohë të gjatë në kujtesën e lexuesit; prej viteve 1970 e këndej, gjithmonë e më tepër, Ismail Kadare themelon bindjen se ngelet, romancieri i përjetshëm i fatit të individit në histori.
Binomi i stilit të dyzuar që hap dhe mbyll faqet e Darkës së gabuar si një syth qendror, daton në mënyrë tangjente qysh nga “Kronikë në gurë”, apo “Çështje të marrëzisë”. Romane që, në fakt sikur i janë dhënë lexuesit, vetëm për të lënë të hapur një derë të pasme për befasinë e radhës. Panteoni i Kadaresë i përngjan një procesi zinxhir. Ai është një lloj ngrehine me arkitekturë enigmatike. Ndërthurur me shumë porta të cilat, të nxjerrin në rrugica që përngjajnë me labirinte ku, personazhet (të vdekur dhe të gjallë) dhe veprat, komunikojnë me njëra-tjetrën në formë rrathësh bashkëqendrorë. E gjithë kjo “arkitekturë shpirtërore” përngjan, me ndërtimin mistik të piramidave të Inkas-ve dhe Actekë-ve në Amerikën Qendrore. Nën gërmimet arkeologjike të ngrehinave të tyre nuk është gjetur asnjë vegël e vetme apo planimetri gjeometrike që, mund të shërbente për ndërtim. Thuhet se indigjenët përdornin vizionin që shpërfaq arkitektura simetrike natyrore e ndërtimit të petaleve të një luleje nën diell. Kozmogoni që drithëron, po aq sa bota e librave dhe personazheve të pazakontë të Kadaresë.
Befasia e radhës e bën romanin “Darka e gabuar” të jetë i veçantë në llojin e vet të origjinës në mënyrë të pavarur nga opusi i veprave të tij. Ky roman nuk e prish largësinë nga qendra (individi, fati i njeriut, lidhja: shkak-pasojë, historia, kujtesa kolektive, humanizmi, uniteti i të kundërtave, mitet, legjendat dhe folklori popullor, që ngelen bërthama narrative e Kadaresë). Sikurse përbën njëherazi – seriozisht! – një renovacion stilistik të shkrimtarit?, ..me “synim” për të thyer normat klasike të stilit të vet?, ..me tendencën për të shpërfaqur një stil krejt modern të rrëfyeri?, ..të pa hasur qysh nga sharmi rrëfimtar i “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”? – Vështirë ta pohosh se mund të jemi ekzaktësisht të saktë në këtë pohim. Ne ndodhemi në një nga pikat rrethore të universit Kadare dhe si pozicion i tillë, mund të jetë reflektim nga fundi drejt fillimit, ose krejt anasjelltas, njësoj si eliksir ku, zbrazja e njërës enë që mbart “kohën e kohës” të përmbysur, mbush (me kohë dhe hapësirë) anën kryelartë të tjetrës. Por kam dyshim (A mos është ky zinxhir pikëpyetjesh një iluzion optik i vet lexuesit?) nëse jemi të sinqertë në atë që pohojmë? Me Darkën e gabuar – sprovat e tij letrare në mënyrë klasike kanë dëshmuar krejt të kundërtën vitet e fundit, duke qenë realisht të shpjegueshme nën dritën e kuptimësisë – kam përshtypjen se i jemi rikthyer bindjes se Kadare jo vetëm që është një mendje universale, por vepra e tij e mirëfilltë letrare – kryesisht romani – ka për të ngelur si, zëri i fëmijës të përjetshëm kureshtar që, lëshohet dhe bie në fundin e errët të sterës tek “Kronikë në gurë”, dhe përveç jehonës e asaj çka lë pas në vetëdije, në thelbin e vet ka për të qenë gjithmonë një zë enigmatik që, është vet zëri ynë që, shkon dhe kthehet po nga terri, shoqëron në dritësi jetë njerëzore, udhëton përkrah me rritjen e reflektimit dhe ndërgjegjësimit tonë (si lexues).
“Darka e gabuar” i dha Çmimin e Madh të Letërsisë (shkurt 2009) Ismail Kadaresë. Autori deklaroi: “tashmë falënderoj edhe lexuesin shqiptar prej të cilit kam përshtypjen se po rikthehet në atë shijen e tij të mirë që ka pasur prej vitesh.” Nga kjo përballje, zinxhiri i pikëpyetjeve ndërpritet dhe pyetja – A mos është ky zinxhir pikëpyetjesh një iluzion optik i vet lexuesit?, bie si shqetësim. Të qetë kundrejt kualitetit të vlerave të pakontestueshme që Kadare na ka dhuruar për kaq vjet, me këtë vepër të mbrame autori ynë sikur vjen me një frymë krejt të re. Një frymë që ta ndal frymën përgjatë leximit. Një tendencë e mirëfilltë ravijëzohet në teknikën e ndërtimit të Darkës së gabuar që, ndryshe nga romanet e mëparshme, kërkon të shkëputet nga format lineare e rrëfimit, për të kombinuar zhdërvjellsisht një stil që të mbërthen nga fjalia e parë e gjer tek e fundit me një mister të ndërthurur në mes. Mund të quhet: “trill?, ankth?, fiksim?, kjo darkë (ndoshta) asnjëherë e pashtruar?, kjo darkë e ngujuar?, darkë e shumë përfolur?, darkë e shtrenjtë paguar?, darkë e hetuar?, darkë e gabuar?” – po aq sa kategorikisht do të ishte e gabuar të identifikohesh me një emërtim të vetëm si një kuptimësi e definuar! Por ç’rëndësi ka e gjitha kjo? Çmimin e saj e ka paguar një qenie njerëzore në rrjedhë të historisë, pa u mpiksur ende procesi i rrëfimit. Njësoj si nëntekstet dhe interpretimet e pafundme të Darkës Biblike. Çdo përpjekje për interpretim do të luhatej midis “herezisë dhe besimit”. Përafrimi kundrejt të vërtetës, qoftë kjo në formë historike apo gojëdhëne, vjen i mpiksur në art nëpërmjet romanit fiction që ne përjetojmë. Ne ndijojmë atë që quhet letërsi artistike, dhe këtu qëndron suksesi i artit. Cilado qoftë përgjigjja, për një gjë nuk kemi dyshim. Jemi të dyzuar mu në mesin e asaj që mund (ose aspak) të ketë ndodhur, me një vramendje sa vet terri i panjohur. Fare pranë të vërtetës. Kadare të trand me versionin e vet mjegullor të kësaj historie të bazuar “në një ngjarje reale që dikur kishte trazuar një qytet të tërë dhe më pas ishte hetuar në të gjitha mënyrat”. Një ngjarje e cila i kushtoi jetën një njeriu real, njëherazi sa edhe personazh letrar, me dyzimin e vet. Kjo trandje vjen në formën e zbulesës të pleksur me fatin e vet njeriut në rrjedhë të historisë.
Qysh nga koha kur qytetërimit i është parashtruar dhe bashkangjitur metafora si histori rrëfimi letrar; saga e luftës dhe endjeve nën eposin e Homerit të verbër; projekti arkitektural i nëndheshëm i ferrit të pa hasur të Dantes; tragjeditë tërësisht tokësore të frymës universale të Shekspirit; ngërdheshja sarkastike e Gogolit që, nga pas sjell hajnisht pikëllimin hyjnor të njeriut të Kafkës; pikëpyetja që ngjall vepra e Kadaresë ndodhet në terrenin e vet natyror. Në tokën që e ka lindur dhe që është letërsia. Kështu ka për të qenë për një kohë të gjatë. Një pikëpyetje e brendshme që, lëndon, ndërgjegjëson, shëron. Do të na sëmbojë kjo pyetje për aq kohë sa do të vazhdojë edhe gjuetia e kërkimit, zbërthimit, përafrimit me të vërtetën, – jo vetëm metaforike – në veprën e Ismail Kadaresë. Një vepër e mbarsur me shumë porta interpretimi.