Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi

Në mbrojtje të bejtexhinjve

Bejtexhinjtë janë marrë pak si shumë nëpër gojë këto kohë, prandaj ca gjëra duhen saktësuar.

Duam apo s’duam ne sot, këta janë po aq pjesë e kulturës dhe e letërsisë shqipe sa edhe Buzuku, Matrënga, Budi, Bogdani, Bardhi, Chetta e Variboba. Në kuptimin që tradita e bejtexhinjve është e trupëzuar në kulturën tonë të sotme, edhe pse në trajta që nuk shquhen aq lehtë.

Kulturorisht krijimet e bejtexhinjve i përkasin letërsisë orientale që kultivohej brenda perandorisë osmane. Kjo ishte letërsi e mbështetur kryesisht në letërsinë klasike arabe dhe persiane. Studiues seriozë të bejtexhinjve shqiptarë, si Osman Myderrizi, Hasan Kaleshi dhe Armin Hetzer, kanë vënë re se këta afrohen më shumë me modelet arabe dhe me të ashtuquajturin stil “të mesëm” sesa me poezinë më të sofistikuar persiane.

Letërsia e bejtexhinjve konsiston në dorëshkrime në alfabet arab që kryesisht kanë mbetur të pabotuara. Vetë bejtexhinjtë nuk shkruanin me synimin që të botonin libra, por që t’i fiksonin në letër krijimet e tyre të destinuara për deklamim. Të shkruarit ishte praktikë mnemonike. Kontakti i kësaj letërsie me publikun kryhej në mjedise si teqe ose çajhane, ku mblidhej mileti të dëgjonte poetët të recitonin krijimet e tyre. Ky milet ishte zakonisht analfabet.

Për këtë arsye, fakti që këto krijime u shkruan me alfabetin arab është praktikisht irrelevant për natyrën e asaj letërsie; meqë publiku nuk i konsumonte në trajtë të shkruar, por i dëgjonte të deklamuara. Kjo duhet theksuar, sepse zakonisht nuk kuptohet mirë. Ne sot e asociojmë letërsinë me tekstin e shkruar dhe librin; por ky nuk është model universal, por historik dhe lokal.

Gjuha e bejtexhinjve, nga ana tjetër, është një shqipe e rënduar me fjalë orientale, kryesisht arabe e persiane. Shumë nga këto fjalë nuk përdoreshin fare në gjuhën e zakonshme të kohës kur krijonin bejtexhinjtë, por janë futur në tekste si mjete stilistike. Nga ana tjetër, ndonjë autor, si Nezimi, ka qenë i vetëdijshëm që ishte “i pari” që po e shkruante shqipen.

Bejtexhinjtë janë konsideruar edhe si të parët që shkruan letërsi laike në trojet shqiptare në Ballkan, madje ndonjëherë edhe satira sociale, çka nuk është pak, po të kihet parasysh se deri atëherë prodhimi letrar në katolikët kufizohej brenda komunikimit fetar, ndërsa ortodoksët shqiptarë nuk lejoheshin fare të kishin letërsi të tyren në shqipe…

Temat e trajtuara nga Nezimi me shokë ishin konvencionale (formulaike), merreshin nga kanoni arabo-persian dhe përcilleshin nga një autor në tjetrin; po aq konvencionale sa ç’ishte, bie fjala, tema e “oxhaqeve të nalta” apo e “të rënëve” në lirikën realiste-socialiste shqiptare të viteve 60.

Sot bejtexhinjtë nuk i lexojmë dot, por vetëm ngaqë me Rilindjen e këtej kultura dhe letërsia shqipe erdhën duke iu larguar atij modeli kulturor: duke adoptuar alfabetin latin, duke e pastruar gjuhën nga orientalizmat, duke krijuar neologjizma e duke iu drejtuar letrarisht modeleve folklorike autentike, ose modeleve perëndimore. Te Fishta këto dy modele bashkëjetojnë.

Mirëpo bejtexhinjtë nuk mund të likuidohen lehtë nga tradita jonë kulturore. Pa bejtexhinjtë përnjimend nuk do të ekzistonte, bie fjala, Naim Frashëri, i cili kishte bejtexhinj edhe në familje, të tillë si Dalip e Shahin Frashëri. Nga pikëpamje formale e strukturore, Naimi ka aq shumë gjëra të përbashkëta me bejtexhinjtë, sa ndonjë kritik ka shkuar deri atje sa ta quajë “bejtexhi pa bejte”.

Ajo që bëri Naimi, në pajtim me frymën e Rilindjes, ishte ta merrte atë traditë e ta modernizonte duke e pastruar nga orientalizmat e deri diku nga tematika. Edhe të tjerë Rilindës vepruan njëlloj. Jani Vretoja, p.sh., përshtati një poemë të Muhamet Kyçykut, “Erveheja”, e cila më pas e në versionin e ri fitoi popullaritet të madh në lexuesit.

Thashë që pa bejtexhinj Naimi nuk do të ekzistonte. Pa Naimin, as Asdreni as Lasgushi nuk mund të mendohen. Pa Asdrenin e Lasgushin, Kadareja nuk do të ishte bërë ai poet që u bë. Birësimi letrar procedon pikërisht në këtë mënyrë, nga daja tek nipi; madje sa më i rreptë që të jetë mohimi, aq më të thella afëritë.

[2006]

10 Komente

  1. Tatjeta Mixhe,

    sipas Rexhepit t’Qosajve, letersia para Naimit asht vetem fetare, kurse sipas Ibrahimit t’Rugoves, ajo letersi duhet konsiderue si e mirefillte. Po m’duket qe vota jote po anon kah ky i dyti, i cili po fiton jo vetem n’politike, po edhe n’letersi.

    Nji note e dyte: sipas nji permbledhjeje t’Hajdar Salihut, poezia e bejtexhinjeve asht ba edhe deri me 1920.

    Tana t’mirat,
    Ardiani

  2. Ardian, nuk habitem që bejte të jenë shkruar deri vonë, madje që të shkruhen akoma; sepse bejti është një formë letrare e cila krijohet dhe konsumohet brenda një sistemi kulturor të caktuar (oriental-islamik), ku letërsia e kultivuar nuk mbështetet në tekstin e shkruar, por në deklamacionin, ndërsa teksti i shkruar shërben vetëm si suport mnemonik. Nuk është rastësi që veprat e bejtexhinjve shqiptarë asnjëherë nuk janë botuar, por kanë mbetur dorëshkrim; sepse ato vepra nuk ishin konceptuar për t’u përdorur në trajtën e vet të shkruar.
    Nga ana tjetër, nuk ka asnjë dyshim që Naimi është produkt i traditës së bejtexhinjve në letërsi; por ai e kapërceu këtë traditë në disa aspekte dhe pikërisht (1) largoi krejt sistemin leksikor-stilistik oriental nga ligjërimi i vet poetik, për arsye kryesisht ideologjike; (2) lëvroi forma vargjesh që nuk ishin tipike për bejtexhinjtë; (3) shkroi për tema që s’kanë fare të bëjnë me tematikën dhe klishetë e poezisë orientale, turke dhe persiane; (4) më në fund, e ndryshe nga bejtexhinjtë që i kishin paraprirë, e botoi veprën e vet dhe u kujdes që ta përhapte si fjalë të shkruar, jo të folur.

  3. Naimi ne Shqiperi eshte interpretuar sipas nje ideologjie ne koke dhe jo sic ka dashur Naimi vete te receptohet. Nejse, sa lexues edhe aq interpretime, por elementi kryesor i vjershave te Naimit eshte fetar dhe kete nuk mund ta mohoj askush. Nacionalizmi i Naimit eshte me shume i nje lloj misticizmi platonik dhe vjershat e tij kane elemente te mistikes islame sufiste dhe iraniane. Marrim psh. bageti dhe bujqesi, nje lloj platonizmi islam si ne kohet e Avi Cenes dhe te Omar Khajamit. Kur i kendohet natyres, i kendohet krijimi te Perendise, Zotit qe pretendohet qe ndodhet gjithandej. Ose marrim vjershen e qiriut, kjo vjershe eshte mistike islame, simboli i qiriut ekziston tek sufit, tek evliat, te dashurit e Perendise, pra profetet, Naimi pra profet i patriotizmit etj.

    Prandaj Nationalizmi shqiptar nuk eshte sic pretendojne disa si Ismail Kadare (adhurues i Dantes) kryesisht Perendimor, si ai Revolucionit francez i bazuar ne kontraten shoqerore dhe aspiratat shoqerore per velllazeri, barazi dhe liri dhe deshiren per emancipim dhe iluminizem, porse ne themel eshte oriental, qe mistifikon gurin dhe lumin e fshatit.

    Nejse, kete pathos, te shenjterimit te gurit dhe idese se kombit e ka pasur dhe fashizmi gjysem-modern i Gjermanise hitleriane, porse kjo e fundit ishte bazuar ne mitologjine germane dhe ne klasicizem, dhe i sherbente idese se “hapesires” dhe bazohej ne social darwinism.

    Ndersa ne shqiperi ky pathos ka ardhur tek ne nga orienti, nga Naimi qe ishte sufi, nga lexuesit e Kur’anit dhe jo nga F. Schiller, Nietzsche ose Heidegger. Prandja ne duhet te behemi te ndergjegjshem per burimin e idese se Nacionalizmit tone.

  4. Mendime interesante ato paraardheset. Dhe me vlere.
    Naim Frasheri i cilesonte bejtexhinjte si Mbreter te vjersherimit. Bejte jane bere qe para disa shekujsh, po ashtu edhe deri pas mesit te shekullit te 20-te. Une njoh libra te Hafiz Abdulllah Zemblakut me vjersha, kaside dhe ilahi deri edhe pas luftes se dyte, qe jane shkruar ne stilin dhe frymen e bejtexhinjve.
    Mos u cuditni, se bejtexhinj ka me shumice edhe ne kohen tone…
    Pershendetje nga Daje Ceni !

  5. Dakort jam me mbrojtjen e bejtexhijve, po na nxorret shqiptarin e sotem (letersi, kulture, nacionalizem etj) produkt te bejtexhijve !!!
    Kjo teme dashje-padashje eshte kthyer ne ‘shume zhurme per asgje’.

  6. Ky i bejtexhinjve eshte nje problem disi delikat. Nuk ka asnje liber te botuar qe te mbaje ne kopertine emrin e Hasan Zykos, Sulejman Naibit, Nezim Ibrahim Frakulles.
    Vargjet e ketyre merhumeve te mesiperm mund t i gjeni vetem neper faqet e Buletinit te shkencave shoqerore, te censuruara… me falni per rimen, ne menyre mizore. I gjithe ky diskutimi i mesiperm mua me duket pak si kot, pasi ju nuk keni ne dore veprat e tyre, me perjashtim te Trahanit apo pak vargjeve te tjera qe i lexoni neper antologjite e gjimnazit a ne Internet. Me kismet te Zotit, do te postoj ne kete faqe ca vargje te tyre qe i kam transkriptuar ne arkiv te shtetit, psh nje vjershe qe fillon me “Ah gjidi kaurr i detit” nga Nezim Frakulla.

  7. Ba Bai shkruan:

    I gjithe ky diskutimi i mesiperm mua me duket pak si kot, pasi ju nuk keni ne dore veprat e tyre, me perjashtim te Trahanit apo pak vargjeve te tjera qe i lexoni neper antologjite e gjimnazit a ne Internet.

    Ba Ba, unë veprat e bejtexhinjve i kam pasur në dorë (të transkriptuara), i kam lexuar dhe i kam studiuar, madje një pjesë të studimit e kam botuar në një revistë shkencore.
    Dua të them që i kotë nuk është diskutimi i mësipërm, por vërejtja jote.

  8. Po rreshtohem tek ata qe mbrojne bejtexhinjte.

    Bejtexhinjte nuk perdoren shtypshkronjen per te shtypur bejtet. Kete po e pranoj si te vertete, perderisa nuk mund te provoj hipotezen se ne Voskopoje, nje vrap pele larg Beratit e Kolonjes, nuk eshte shtypur asgje e shkruar prej bejtexhinjve. Me gjithcka prej Voskopojes se djegur,”faji” i tyre per mosshtypje, kthehet ne nje merite te pathene: Sa mire qe i lane doreshkrime, ndryshe do te ishin hi. Bejtexhinjte ja dolen qe jo vetem te shkruanin por dhe tu linin brezave krijimet e tyre, te tilla qe te ngjashmit e tyre ne ato treva nuk munden dot edhe me te shtypur.
    Por, c’beme ne?
    Hasan Zyko Kamberit doreshkrimin 200 faqe te mexhmuas e humbem diku ne Manastir dikur nga 1908-1910. Sulejman Naibit divanin ja humbem ne Fier me 1944.
    Te dhenat i mora prej faqes se Robert Elsiese, prej te cilit, mbas sulmit frontal te Kadarese tek “identiteti” ndaj letersise se bejtexhinjve, lexova “Mahmudene e stolisure” dhe komentin gjakftohte: “Naibi eshte i pari poet musliman ti kushtoje vargje bukurise femerore.” Ky shembull tregon se si kesaj letersie nese ju ruajt forma, ju ndryshua katerciperisht permbajtja. Ishte Naibi ne kete rast dhe jo Rilindja Kombetare sic e madheshton se koti Kadareja qe u ngrit kunder kesaj qe ai e quan lyre e pastaj “s’dije c’emer ti vije” – vini re kohen e shkuar te Rilindasit tone.
    Nje mendje e kthjellet, do ti kishte shkruar ndryshe paragrafet e letersise se bejtexhinjve, gje qe s’mund ta bente nje mendje partizane, kur vinte te folurit mbi letersine ne sherbim te qellimeve te veta.
    Trajtimi i letersise se bejtexhinjve nga Kadareja si sajese prej qerpici, rehabilitimi publik prej tij i Pipes e Camajt; pare keto ne kuadrin e rishkrimit te historise se letersise dhe rendesen e fjales se tij nder ata qe do ta rishkruajne historine, me le te mendoj se letersise se bejtexhinjve i kanoset te mbetet pa vend ne histori. Muci Zadja duhet ta kete ditur kete qe me 1724 kur shkruante: Imzot, mos me lere pa kahve.
    Mbrojtja me e mire qe mund ti behet sot kesaj letersie eshte botimi i asaj qe ka mbijetuar. Pse jo Xha Xhai, sjellja ketu e disa prej atyre qe mund te dispononi.

  9. Xha Xha, nuk e di për ty, po unë kam në shpi time vetëm nga Hasan Zyko Kamberi „të plota“: 1. Paraja, 2. Gratë e va. 3. Sefer-i Hümâjûn. 4. Gjerdeku. 5. Vasijetname. 6. Mevludi. 7. Trahani. 8. Se puna ime s’dihetë. 9. Myraxhaat. 10. Ilahi. 11. Fytyra e njeriut. 12. Mavijeja. 13 Ikrar e tasdik ett. ett., gjithë gjithë 26 vjersha të gjata. Nuk po zgjatem më, se nuk mbaj mend titujt e tjerë.
    Për sa i përket Nezim Frakullës, kam divanin e plotë që nis me “Der thenai shahi bismilahi qerdem ibtida”, ku vjershat janë renditur sipas rimave alfabetike arabe,e që ndodhet në Arkiv të Shtetit, në Fondin 43 (në mos gaboj) 2 -3, po të citoj këtu nja tre vjersha që mbajnë titullin “Ve lehu der hakân-i mülhid” – ndër të tjera është vjersha e parë antisemite e letërsisë shqipe, drejtuar kundër një „çifudi me emrin Sholomo“ e që shyqyr Zotit ka shpëtuar nga „gthetrat“ e një idioteje me emrin Genciana Abazi Egro, e cila jo vetëm ka grabitur fondin e dorëshkrimeve aljamiado në Institut të Historisë dhe Gjuhësisë, po bllokon edhe ato pak dorëshkrime që ndodhen në Bibliotekë Kombëtare, origjinalin e „Revzas“ që mund ta njihni ndryshe edhe si “Erveheja e Muhamed Çamit”. Dhe mbetem me atë që ka thënë Konitza në libër të tij Albania: The Rock Garden of Southeastern Europe, që vargjet e HZK janë tepër licencioze për t’u botuar.
    Tani jam duke u marrë me bejtet e Sulejman Temanit, një nga ato kushtuar Imam Aliut, që nis me „Ti je nur-i Tangri“, Ismail Floqit, dhe Emni Vehbije nga një kosovar prej Gjakove. Të gjitha këto me sa di unë, o janë botime të rralla, o nuk njihen fare e kanë mbetur vetëm në dorëshkrim. Sa për Kadarenë, atij do t’i pëlqente shumë që kjo Genciana të ndizte një zjarr të mirë me dorëshkrimet origjinale, se kështu ia k’ënda, i përkëdhelet sedra. Sa për Muçi Zaden, ai do kish bërë më mirë të ish lutur: „O Zot, mos më lerë pa botim!“
    P.S. Ça gallate do ish po t’u jepej të mësonin përmendësh nxënësve në shkolla poezi për dilberët! Ha ha ha ha!

  10. Ju rekomandoj te lexoni nje liber te Ibrahim Hasnajt per bejtexhiun tiranas Zenel Bastari. Kuptohet qe edhe ky eshte i ngarkuar ne orientalizma, se mendja e Bastarit nuk ishte e kulluar shqiptare, por otomane. vetem se kritika e tij sociale e te le pa mend.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin