Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

Moisiu në Oxford

Jam munduar t’i ndjek polemikat për deklaratat e presidentit Moisiu në Oxford në nëntor 2005, për primatin e Krishterimit ndër shqiptarë, por nuk është e lehtë të ndahet atje emocioni nga argumenti, ose mllefi nga gjakftohtësia.

Unë vetë kam bindjen se Islami si eksperiencë kulturore është pjesë konstitutive e identitetit shqiptar si të ndryshëm, të themi, nga identiteti arbëror paraturk dje, ose identiteti arbëresh dhe arvanitas.

Kjo është e vërtetë jo vetëm për ata shqiptarë sot që janë pasardhës të myslimanëve ose që deklarohen vetë si myslimanë, por edhe për shqiptarët e krishterë, sa kohë që edhe identiteti i këtyre është përftuar në kundërvënie me referencën islamike.

Duam apo nuk duam ne, Islami nuk shlyhet dot nga fytyra e shqiptarit.

Nga ana tjetër, të përsëritësh sot se 70% të shqiptarëve janë myslimanë nuk ka shumë kuptim. Një pjesë e mirë e atyre që identifikoheshin si myslimanë në kohë të Zogut sot nuk janë besimtarë fare.

Prandaj ka nevojë të ngutshme për një regjistrim të popullsisë të Shqipërisë, që të marrë parasysh edhe përkatësinë fetare të shtetasve. Ky regjistrim duhet të bëjë dallim midis kujt deklarohet si mysliman thjesht ngaqë rrjedh prej një familjeje myslimane, kujt deklarohet mysliman vetëm ngaqë nuk është i krishterë, kujt deklarohet mysliman ngaqë ndjek ritualet fetare rregullisht ose sporadikisht, e kështu me radhë.

Edhe pse nuk dihet ç’do të japë një regjistrim i tillë, kam bindjen se pasi të publikohen të dhënat, ai 70% ose pohimi se Shqipëria është një vend me “shumicë myslimane” nuk do të qëndrojë dot më.

Personalisht kam bindjen se shqiptarët, për nga besa, do të mund të përcaktoheshin në mënyrë negative, d.m.th. si një popull me shumicën jo të krishterë.

Vetë rrjedh nga familje e vjetër myslimane, por nuk ndihem as mysliman as i krishterë. Për nga formimi kulturor i përkas Evropës perëndimore, por përmasën shpirtërore nuk e përjetoj kurrë nëpërmjet Biblës dhe Ungjillit. Kam bindjen se, si i tillë, i përkas një shumice shqiptarësh urbanë. Por kjo është vetëm një bindje subjektive.

Nga ana tjetër, një regjistrim hipotetik i fesë së shqiptarëve me siguri do të jepte shifra të fryra për pakicat e krishtera në vend. Sot është e modës të jesh pak i krishterë e të pispillosesh me kryqin në qafë. Një numër shqiposh, sidomos të brezave të rinj, e përjetojnë fetarinë në mënyrë kozmetike.

Deri edhe shkrimtari ynë kombëtar, Ismail Kadareja, ia dhuron një farefis katolik alter egos së vet në novelëzën e fundit – ose dekonstruksionin e romanit “Kronikë në gur”. Thua të ketë kjo lidhje me pagëzimin privat të Rugovës si katolik, për të cilin flitet poshtë e lart kohët e fundit?

Ndjenjat qesharake të superioritetit që ndeshen sot në disa shqiptarë “të krishterë” më kujtojnë të famshmen fabul të lakuriqit të natës, që sipas rastit e deklaronte veten edhe zog edhe mi. Këta shpesh vetëm sa duan ta shfrytëzojnë krishtërimin e tyre të lashtë a të porsazbuluar si armë për të larë hesapet me shqiptarët “myslimanë” ose për t’i siguruar vetes prestigj përndryshe të pamerituar.

Të thuash se të krishterët shqiptarë u dashkëshin dekoruar meqë u rezistuan fetarisht pushtuesve… [2005]

 

2 Komente

  1. Kam qeshur, edhe pse i trishtuar, per guximin e z. Mojsiu ne shperndarjen e asaj lekture vecanerisht ne Oxford. Nuk e di sa stomak ka pasur audienca kur e ka degjuar por me siguri (mendoj) jane habitur bollshem. Ne te kundert nuk po u ben me pershtypje (ne mos perzjerje stomaku) inferioriteti yne.

  2. kur lexoj nje pjes te artikujve ketu arrij lehte te kuptoj qe kam nje boshllek te informacionit thelbesor qe duhet te kem por kjo nuk me ndalon qe te them nje ose me shume te verteta mbi fjalimin e mbajtur nga z. ish president ne oxford.
    se pari nuk mund ti shpetojm gjykimit se ky fjalim u mbajt nga nje njeri me origjine cifute dhe gjithashtu nga nje njeri qe nuk njihet se ka thene shume te verteta gjate jetes se tij kesisoj ndjehet me shume se fryma lakoniste ne frazat e tij.
    ai dhe shume te tjere mendojne se diplomacia dhe paraqitja e vendit tone para te huajve behet me rrena e shpifje e se ketij aspekti iduhet dhene vlere kryesore.nuk e di se sa eshte marre parasysh perqindja myslimane apo e ndonje religjioni tjeter ne dhenien e fteses sone ne nato dhe sa do te merret ne pranimin tone ne be nqs do ndodhe ndonjehere me tere mend.nuk po zgjatem me por le te mesohemi qe ti nxisim njerezit ta duan shqiperine dhe shqiptaret dhe jo si ky njeri qe pretendohet te perfaqesoje unitetin e popullit e frustron kete 70% ose sadoqofte ai.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin