Kur ndodhin fatkeqësi të tilla si ajo e gomonit me ikanakë në ujërat dimërore të Jonit, të gjithë u drejtohemi metaforave për t’u ngushëlluar; madje jo aq për t’u ngushëlluar, sa për të gjetur një ganxhë çfarëdo ku t’ia varim kuptimin kësaj katastrofe të logjikës njerëzore. Fati ka dashur të jetojmë në ato anë të Evropës ku mitet mbijnë nga dheu më shpejt e më shëndetshëm se jonxha; dhe ku e tashmja është e kapur pamëshirshëm në nofullat e së shkuarës. Por megjithë poetikën pikëllimtare të dhjetëra të mbyturve e të kallkanosurve e përtej dhimbjes së natyrshme të vdekjes rrugës drejt një jete më të pranueshme në mos më të mirë, nuk mund të mos të na përhihet imazhi i kësaj Shqipërie përsëri të qarkuar me mure, tela me gjemba, burokraci, përçmim, armiq, racizëm; të rrethuar njëlloj si në fjalimet e Enverit, të izoluar e të karantinuar si të ishte e molepsur nga lija e murtaja, të bllokuar në një zonë të askujt, madje të shpërmasuar nga universi normal evropian. Nuk është hera e parë që këto katastrofa të rastit, por krejt të paralajmëruara, të sjellin ndër mend absurditetin e burgimit të një populli në mes të një kontinenti që ia ka mësuar botës mbarë të drejtat e njeriut dhe nevojën aq njerëzore për dinjitet. Anijet karakatina të vitit 1991 me refugjatë, të pavdekësuara në reklamën famëkeqe të firmës Benetton; mbyllja e shqiptarëve në vathën prej betoni të stadiumit të Barit dhe shpërndarja e ushqimeve me helikopterë së larti; kthimi me dredhi në “atdhe” i mijëra djemve të nënave, nëpërmjet një ure ajrore tejadriatikase që ishte turpi i urës ajrore që shpëtoi dikur Berlinin Perëndimor; katastrofa tjetër detare e vitit 1997, ose “Titaniku” shqiptar i përplasur me ajsbergun e refuzimit evropian…
Imazhi që më vjen në mendje për Shqipërinë e sotme është sa i getos, që përsiat kolegu A. Stefani, aq edhe i kampit të përqendrimit; ose i një trualli të mbyllur, total e të mbikqyrur rreptë, ku janë lënë të vegjetojnë pikërisht ato fantazma që Evropa e shekullit XXI nuk po dëshiron më t’i pranojë si të vetat: skamja e thellë, maskarallëku i kulluar, shëmtimi shpirtëror, anomia sociale. Më kujtohet si dikur andej nga fundi i viteve tetëdhjetë një shtetar i lartë besoj britanik pat propozuar që Evropa të kujdesej e ta ruante të paprekur Shqipërinë totalitare të Alisë, si një relike a park tematik të kohës së komunizmit, në emër të një ekologjie gjeopolitike cinike; a si një lloj gogoli politologjik për të trembur të gjithë ata që do të mund të ushqenin ndonjëherë iluzione për komunizmin në të ardhmen. Që atëherë ky “vend shqiponjash” perceptohej si një element i huaj, i pakuptueshëm, i padepërtueshëm; një yrt që deri edhe zogjtë i shmangeshin; mjerim metafizik, i domosdoshëm për bollëkun përbri. Jo më kot kur ndërroi jetë Enveri në 1985-ën pothuajse të gjitha gazetat e metropoleve perëndimore në kor uruan që Alia të vazhdonte vijën e fantaksur të paraardhësit, ndoshta edhe me më shumë zell sesa vetë delegatët frikacë të Kongresit të 9-të.
Megjithatë, kur u degdisën të hazdisurit në oborret e selitura të ambasadave të Tiranës së beharit 1990, ishte po ajo Evropë që u kthye e u tha qeveritarëve tanë të trembur, me gojën qortuese të të paharruarve Genscher e De Michelis, se njerëzit duhej të lejoheshin ta zgjidhnin vetë vendin se ku do të ndërtonin “folenë”; dhe nuk do të ketë pasur muzikë që të tingëllonte më këndshëm në veshët e shqiptarëve të rrugës se kjo deklaratë e vullnetit evropian postmodern për t’ua dhënë prioritetin absolut të drejtave të njeriut, në regjimin e ri kontinental të Pas-murit. Kjo pse shqiptarët kishin pothuajse pesëdhjetë vjet që mbaheshin e kaurdiseshin brenda telave me gjemba të një ideje, ose të një deliri paranoid, ose edhe të një përbetimi ndoshta jo krejt të imagjinuar, për t’i përjashtuar nga Evropa e për t’i mbajtur larg tryezës ku servireshin mishrat e pjekura e verërat e zgjedhura të mirëqenies. Për shumëkënd prej nesh krahëprerëve, rikthimi i Shqipërisë në skenën evropiane do të shfaqej kështu si njohje e së drejtës për të nisur fluturimin.
Katërmbëdhjetë vjet kanë kaluar nga ai behar kur filloi gjithçka e dhe ku na duhet të kthehemi sa herë ndodh diçka krejt e padeshifrueshme me kodet e standardet e së sotmes – në atë masë që dyndjet kaotike brenda ambasadave, megjithë manipulimet dhe lojrat e zbulimeve, kundërzbulimeve dhe antikundërzbulimeve tona dhe të huaja, duan parë tanimë si metafora e metaforave të “revolucionit” shqiptar kundërtotalitar. Premtimi i lirisë si ikje, nga ana e Evropës, endet akoma në skutat e vetëdijes kolektive në Shqipëri. Vetë shqiptarët ishin mësuar, aso kohe, që e keqja t’u vinte nga të vetët; dhe muret rrethuese të Shqipërisë t’i kqyrnin si t’i kishin ndërtuar me duart e tyre. Pas këtyre katërmbëdhjetë vjetësh iluzionesh të shkrumbuara, mashtrimesh të pakrahasueshme, zhgënjimesh masive, vjedhjesh, korrupsioni e poshtërimesh, dështimesh të përsëritura, zgjedhjesh të kontestuara e parlamentesh të braktisura, ndoshta është koha që edhe muret e atëhershme t’i shohim me sy tjetër e t’i rigërmojmë arkeologjikisht për t’i kuptuar; jo për të rehabilituar xhahilët, por për t’ua gjetur gjurmët tinzake xhahilëve të tjerë, të matanshëm…
Edhe këto ditë shumëkush e ka kthyer gishtin akuzues nga qeveria, thuase një kontroll më i mirë i trafikut të gjynahqarëve, ose një ndërhyrje më e rrufeshme e forcave të rojes bregdetare do të mund t’ia ulte impaktin katastrofës. Njëlloj do të ishte sikur të fajësohej shërbimi meteorologjik, ose edhe Poseidoni vetë. Më shumë të drejtë kanë ata që na rikujtuan të gjithëve shkakun sa tragjik aq edhe absurd të një kuturisjeje të tillë, me lundra që s’janë veçse kamardare të anabolizuara, në pisk të dimrit, mes për mes një kusie të valuar – dhe pikërisht moslejimin e shqiptarëve për të udhëtuar lirisht nëpër Evropë; ose mohimin faktik, nga kancelaritë e kontinentit, të pranisë kaq të hidhur e problematike të një vendi si Shqipëria mu në ashk të qytetërimit. Këtu tundimi për të cituar Bismarck-un është vërtet i fortë, vetëm se heqja e vizave për shqiptarët duhej të ishte arritur prej diplomacisë së Tiranës ku e ku para traktateve të miqësisë e të bashkëpunimit, shkëmbimeve kulturore të profesorëve e të gazetarëve të hoteleve, blatimit të dekoratave e statujave, hapjes së kufijve e të rrugëve ajrore, shkrehjes së valëve të eterit. Në marrëdhënie me kontinentin, Shqipërisë i bie të jetë treguar më evropiane sesa Evropa vetë; deri në atë shkallë sa vetë zelli i tepruar i qeverive të njëpasnjëshme për t’u hequr si “pro-” e si “filo-” çdo bubullime e mjaullime të përtejdetit mund të ketë qenë një arsye më shumë për karantinimit.
Tani për tani tronditja për absurditetin e jetëve të humbura i është përcjellë publikut; është shpërndarë e përtretur për t’u kthyer në një zemëratë nga ato me të cilat jemi mësuar prej kohësh – këtë herë në trajtat e kërkesës emotive për “kokat” e fajtorëve. Edhe pak dhe dhimbja do të fashitet aq sa të lejojë politizimin e menjëhershëm të traumës; por edhe me këtë jemi mësuar prej kohësh. Mirëpo nëse fajin e kërkojmë në qëndrimet e papërgjegjshme, në mos krejt raciste e filistine, të Evropës sonë të ëndrrave, atëherë turpi për këtë katastrofë shqiptare e shqiptarësh duhet t’i mbetet diplomacisë – që nga qeveria e deri në selitë diplomatike në kryeqytetet e mëdha, të cilat ato pak energji humane e rezerva materiale që kanë po duket se i konsumojnë krejt në ecejake aeroporteve, për të pritur e përcjellë qeveritarët hiperaktivë dhe familjet e tyre gëzimplota. Në një kohë që qindra mijëra shqiptarë jetojnë e punojnë në Evropë, heqja e karantinës ndaj Shqipërisë duhej të kish qenë prioritet absolut i politikës sonë të jashtme. Por si edhe në rastin e mirënjohur të luftës për legalizimin e marihuanës në Perëndim, ndoshta është vendi për të pyetur seriozisht se kujt i intereson vërtet, brenda vendit, kjo status quo me vizat, radhët në dyert e konsullatave e sidomos me dëshpërimin e një populli që tanimë beson se Zoti po e ndëshkon për mëkate jo që ka kryer, por që do të kryejë në të ardhmen.
Gjatë epopesë së rrethimit imperialisto-revizionist, izolimi ishte të paktën i plotë; në kuptimin që njerëzit lejoheshin të gjëllinin e të vdisnin të bekuar nga padija. Fshatarët e Kthellës e të Dragotit të dhënat për mirëqenien në Perëndim i merrnin nga kryetarët e vatrave të kulturës, jo nga saçi i satelitit as nga kushërinjtë në mërgim; prandaj edhe vobektësia vinte shpesh e hidhur dhe e rëndë, por e përballueshme. Shqipëria atëherë ishte vërtet një barrakë strukur në hije të pallateve, por më e shumta e shqiptarëve pallatet nuk i shihnin, pse telat me gjemba të Enverit me shokë as dritën nuk e linin të kalonte. Përkundrazi, e reja e post-totalitarizmit ishte se bota krejt u derdh në prehër të shqiptarit: me mallin e shumtë në dyqane, plaçkën e sjellë zvarrë prej të ikurve, reklamat e bujshme në TV, trarët e binave të komshinjve fatlumë, pronat e papritura të dajallarëve. Kulti i egër i parasë e shndërroi mjerimin në një kafshatë vërtet “që s’kapërdihej”, sidomos në mungesë të çdo kompensimi shpirtëror; pa folur për shpërnguljet e dyndjet brenda vendit, papunësinë, talljen me pronat, shthurjen e familjeve, zhdëpjen e djemve në kufirin grek dhe prostituimin e vajzave e të motrave; e më në fund, kolapsin e çdo lloj përpjekjeje për përmirësim, ripërtëritje, rimëkëmbje, ringjallje.
Një nga aspektet e mohimit që i bën Evropa sot Shqipërisë ka të bëjë me bindjen, krejt të tisur, se shqiptarët janë të ashpër, të pagdhendur, të dhunshëm, shpërfillës ndaj ligjit, të gatshëm për t’u përfshirë në skema mafioze, të paqytetërueshëm, sociopatë, të rrezikshëm për qetësinë qytetare. Politika e rrethimit të Shqipërisë me kufij, trupa të dislokuara, rregulla, vula konsullore, motovedeta, dogana, norma e veto burokratike; eksperimentimi i pashpirt me durimin e një populli që tanimë po e njëjtëson veten në vuajtjen; apatia edhe e Evropës, edhe e politikës së jashtme të Tiranës ndaj nëpërkëmbjes flagrante të dinjitetit të të gjithë atyre që nuk lejohet të qarkullojnë përtej qelive të tyre ekzistenciale; trashja, fermentimi dhe thartimi i miteve antishqiptare në mediat evropiane e tanimë edhe në psikologjinë fashistoide të borgjezisë provinciale të Evropës; e të tjerë kasnecë katastrofash të tjera në të ardhmen, po rrezikojnë vërtet të kthehen në një “profeci të vetërealizueshme”. Në kuptimin që një ditë mjeranëve të Shqipërisë do t’u shterojnë edhe të fundit kronj të dinjitetit e të shpresës, do t’u jetërsohen edhe të fundit fëmijë, vajza e motra; do t’u ikin përtej detit edhe të fundit nuse e të fejuara, dhëndurë e të dashur; do t’u mbarojnë edhe të fundit para për të paguar jo më borxhet, por edhe thjesht kamatat.
Thua t’i dojë vërtet kështu Evropa shqiptarët, kur ta marrin detin me këmbë e t’u çahen para syve ujërat e Adriatikut më dysh, si dikur Deti i Kuq izraelitëve të Biblës?
[2004]