Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

Historia me vota

Pak kohë më parë, Asambleja Kombëtare e Francës votoi në favor të një projektligji sipas të cilit këtej e tutje mohimi i genocidit turk ndaj armenëve gjatë luftës së parë botërore do të përndiqet penalisht, sepse do të konsiderohet krim.

Ky qëndrim i ligjvënësve francezë nuk është i pari i këtij lloji, pse orientohet madje konformohet në vazhdën e një prirjeje në thelb totalitare, për ta përvijuar e përcaktuar historinë me rrugë parlamentare.

Një numër vendesh evropiane kanë tashmë ligje të cilat e konsiderojnë krim mohimin e genocidit nazist kundër hebrenjve (holokaustit) gjatë luftës së dytë botërore, të cilat praktikisht kanë çuar në burgje jo naziskinë kokërruar, por historianë pleq kokëshkretë e të vajtur.

Vetë Turqia e quan njëlloj të palejueshme të flitet publikisht për genocidin ndaj armenëve, siç e ka dëshmuar drejtpërdrejt edhe nobelisti Orhan Pamuk, i cili u përndoq një kohë për një “krim” të kësaj natyre.

Në një editorial në “The Guardian”, Timothy Garton Ash me të drejtë e konsideron të pahijshëm këtë zell të legjislatorëve evropianë për t’u konformuar me versionin zyrtar të historisë e për të penalizuar të gjithë ata, që për arsye të ndryshme, duan ta sfidojnë atë version.

Historia është degë e dijes, shpjegon Ash, dhe është e drejtë e historianëve sikurse e kujtdo tjetër që kërkon të njohë fakte të së kaluarës, të ndihen të lirë të gjurmojnë çka u sugjeron arsyeja, pasioni ose intuita, jo çka u dikton ligji.

Natyrisht, jo gjithnjë është e lehtë të ndahet historia nga ideologjia dhe nga miti, as të merret si e mirëqenë që historianët janë vetvetiu të imunizuar nga paragjykimet politike, raciste ose kombëtariste. Megjithatë, të mbrosh të drejtën e një historiani francez për të mohuar genocidin turk ndaj armenëve pa u ndjekur penalisht, nuk do të thotë aspak të mbrosh tezat e atij historiani, të cilat duan kundërshtuar në po atë rrafsh ku edhe janë parashtruar, d.m.th. në rrafshin akademik. Ç’hyn këtu hetuesia e policët?

Është e turpshme edhe që ky sulm i ripërtëritur ndaj lirisë së fjalës vjen pikërisht nga Franca, ose vendi që i ka dhënë qytetërimit Volterin dhe krejt iluminizmin, ose njohjen e dritës së arsyes, dinjitetit të njeriut dhe shenjtërisë së lirive individuale.

Sikur ligji në fjalë të miratohet përfundimisht, mund të përforcojë, në bashkëvajtje me legjislacionin ekzistues që dënon mohuesit e holokaustit të hebrenjve, tendencën e rrezikshme për kalcifikim të historisë në pajtim me interesat e tribuve kombëtare ose etnike. Çfarë do të thonë francezët sikur nesër parlamenti bie fjala tunizian ta konsideronte si krim mohimin e krimeve të francezëve vetë në Algjeri? Po amerikanët, sikur Malajzia ta konsideronte krim mohimin publik të shifrës prej 650 mijë të vdekurish në Irak si pasojë e ndërhyrjes amerikane (shifër të cilën e ka ofruar së fundi revista britanike prestigjioze “The Lancet”)? Hap pas hapi, historia si degë e dijes do të zëvendësohej nga një festival grotesk i teatrove etnike.

Të vërtetat historike nuk kanë nevojë të mbrohen me ligj, as kanë nevojë për përndjekje penale të atyre që i vënë në dyshim. Kjo vlen edhe për të gjitha ato masakra të shëmtuara, të cilat ende mbartin ngarkesë të madhe morale e do të shërbejnë si përkujtesë për brezat e nesërm: krimet e Stalinit e në përgjithësi të komunizmit, genocidi nazist ndaj hebrenjve të Evropës, krimet e inkuizicionit katolik në Mesjetë, genocidi turk ndaj armenëve, spastrimet etnike të serbëve në Bosnjë e në Kosovë, genocidi në Ruanda, shfarosja e indianëve të Amerikës prej evropianëve, masakra e Katinit, shfarosja e refugjatëve palestinezë në Sabra e Shatila. Lista mund të shumëfishohet me lehtësi, sepse historia e njerëzimit është e pasur me krime kësisoj.

Megjithatë, vetë fakti që ne i njohim sot krime të tilla të përmasave planetare dhe ndonjëherë edhe përpiqemi që të mos përsëriten, ose fakti që këto krime u kanë mbijetuar orvatjeve shpesh serioze të autorëve të tyre për t’i fshehur e për t’i minimizuar, i detyrohet para së gjithash të drejtës së fjalës së lirë, e cila ka qenë dhe mbetet kusht për mbijetesën e së vërtetës përballë mistifikimeve.

Me fjalë të tjera, njohjes së të vërtetës i shërben vetëm ajo pjesë e dijes historike, e cila mund të kundërshtohet e të vihet në dyshim lirisht e në çdo kohë e pa pasoja nga kushdo që mendon se ka arsye për ta kundërshtuar. [2006]

 

3 Komente

  1. Ky qëndrim i ligjvënësve francezë nuk është i pari i këtij lloji, pse orientohet madje konformohet në vazhdën e një prirjeje në thelb totalitare, për ta përvijuar e përcaktuar historinë me rrugë parlamentare.

    Franca ka mbi 600,000 Armene qe jetojne atje. Qendrimi i parlamentit eshte ne varesi te votes. Me kujtohet qe orientalisti i madh Bernard Lewis, hebre i Anglise, ka pasur nje proces gjyqesor te hapur kunder tij nga shteti frances pasi ne nje simpozium z.Lewis ishte opinionit qe ajo qe u beri vaki Armeneve nuk ishte gjenocid.

  2. Kreshnik, demokracia duhet barazpeshuar nga republikanizmi, përndryshe individët përfundojnë të zhveshur nga të drejtat. Se po t’i pyesësh njerëzit, këta mund të votojnë edhe për heqjen e taksave, ose që të pasurve t’u merren pronat, ose që aktorët popullorë të teatrit komik të zgjidhen deputetë në parlament (megjithëse kjo e fundit sikur…). Aq më pak ka vlerë vota për punë të dijes.

  3. ””Kreshnik, demokracia duhet barazpeshuar nga republikanizmi, përndryshe individët përfundojnë të zhveshur nga të drejtat.””

    Mua me figurojne ne listen e monarkive, shtete si Suedia,Danimarka,Norvegjia, Luksemburgu , Hollanda,Belgjika,Spagna e Anglia.

    Tani sesi mund te quhet e vertete ajo qe i thua Kreshnikut , une per kete nuk di c’te them, njefaresoj ngre duart lart.

    Mund te zhveshesh monarkine nga pushteti real por fare mire mund ta mbash si simbol uniteti e vijueshmerie te tradites vendore.
    Kjo ka domethenie te vecante ne spiritualitetin e nje populli.
    Amerika dhe Franca jane 2 motoret e demokracise boterore, por jane Republika Presidenciale.
    Ne Amerike respekti per institucionin e Presidences (pavaresisht presidentit) eshte ne nivele irracionaliteti qe te kujton besimin e muzhikeve ruse tek Cari, qe sipas tyre ai do i shpetonte nga thonjte e bujareve, por thjesht nuk di se cfare ndodh.

    Demokracia duhet barapeshuar me mireqenien ekonomike shume me teper se me republikanizmin. Nuk di per ndonje shtet te varfer qe jep shembull demokracie.

    Persa i perket te vertetave historike, persa kohe qe Historia nuk eshte shkence egzakte, ne rrethana te caktuara mund te mbrohet me ligj, le te themi derisa rrethanat te ndryshojne per mire.
    Historia pavaresisht nenvleresimit te saj ne shkollen e mesme, perplaset me individin ne cdo qoshke te marredhenieve me jashte e nga orientimi i historise ne keto raste, varet vete mireqenia e bashkesise.

    Cfare tragjedie do ishte ta zeme ne psikiken e tashme te nje gjirokastriti apo labi sikur te ishte e vertete teoria greke, do i duhej te reviziononte krejtesisht psikiken e tij mbi te drejten per te jetuar ne ato toka, duke qene se e tashmja bazohet tek autoktonia.

    Keto nuk jane probleme per nje amerikan, meqe ai nuk ka si te mos ta dije se token ku banon e ka fituar duke bere genocid shteteror apo privat mbi fiset indiane dhe e quan te ligjshem meqe ne psikiken e tij e zoteron ate toke sepse ka sjelle qyteterimin (sikur kjo ne vetvete perben ndonje te drejte,po hec mo dicka duhet gjetur), por jo per nje popull te vjeter, te bindur ne autoktonine e tij.

    Ne rastin e Frances, armenet duke qene se jane nje lob i rendesishem e Armenia ka gezuar mbeshtetjen e Frances qe prej 1918-es por nga ana tjeter Turqia eshte partner i rendesishem tregtar, sjellja mbi genocidin e armeneve varet nga pragmatizmi….a jane me te rendesishem 600 mije franko-armenet apo marredheniet e mira me Turqine ?
    Keshtu perfundohet ne vota.

    Ketu totalitarizmi hyn fare pak, per te mos thene aspak, jane ceshtje te cilat kerkojne perhere pragmatizem.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin