Bardhezi

Qarkullon ndonjëherë një koncept bardhezi, manikeist, për shoqërisë shqiptare: të mirët këtej të liqtë andej; komunistët këtej antikomunistët andej; të ndershmit këtej të pandershmit andej; xhelatët këtej viktimat andej e kështu me radhë. Mirëpo realiteti ka qenë ndryshe. Vetë komunizmin e përqafuan bij të asaj shoqërie, të të gjitha shtresave dhe klasave. Qëllonte që brenda një familjeje njëri vëlla ishte komunist dhe tjetri antikomunist. Qëllonte që vëllai komunist detyrohej të mohonte vëllanë antikomunist dhe të pajtohej të paktën publikisht me “demaskimin” e tij, ose dënimin ose pushkatimin!

Shumë komunistë i besonin kauzës me shpirt, të paktën deri nga fundi i viteve shtatëdhjetë. Këta i përkisnin një kategorie njerëzish që priren t’i besojnë “qeverisë”, dhe e konsiderojnë veten shtylla të rendit social – gjë që ka të bëjë me psikologjinë e njeriut. Kujtonin me tërë mend edhe se Shqipëria ishte e rrethuar nga armiqtë, që nuk ia donin të mirën. Më në fund, kujtonin edhe se armiqtë s’reshtnin së dërguari gjithfarë spiunësh e sabotatorësh në Shqipëri… Që këtej edhe vigjilenca, denoncimi, lufta e klasave!

Komunizmi ishte një katastrofë për Shqipërinë, dhe kjo nuk mund të likuidohet me dy-tri formula fëminore, as të mendohet si një e keqe që “nuk na përket”. Në të vërtetë na përket, jo sepse duhet të mbajmë ndonjë përgjegjësi personale, por sepse na ka dëmtuar psikologjikisht, ne dhe rrethin tonë familjar dhe shoqëror. Thika e maskarallëkut iu fut shoqërisë shqiptare deri në kockë. Një shoqëri ka një potencial moral të fundmë, nuk mund të gjenerojë vlera morale përjetësisht. Shumë njerëz të ndershëm e të drejtë u përzien në krimin totalitar pothuajse pa e kuptuar. Kur e kuptuan ishte tepër vonë për të dalë, meqë regjimi i kishte kapur “peng”.

Kam njohur, për shembull, njerëz që kanë qenë komunistë të mirëfilltë në rini, por pastaj, të goditur nga regjimi, kanë përfunduar si antikomunistë. Kam njohur antikomunistë që e vajtuan Enver Hoxhën kur vdiq sikur ta kishin pasur babë. Pa përsëritur gjëra që janë thënë, dua të shtoj se e vetmja mënyrë e sigurtë për ta shpëtuar shoqërinë shqiptare nga gjymtimi totalitar pa e hedhur në greminë është ndërrimi i brezave… [2004]

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin