Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antikitet / Histori

Bajlozi i Gjergjit

Bajlozin e Zi në Ciklin e Kreshnikëve, me të cilin dylufton Gjergj Elez Alia, e kanë shpjeguar si një remineshencë, sado të deformuar, të figurës së baile-s ose ambasadorit të Venedikut zakonisht pranë Portës së Lartë. Etimologjia e bajloz nga venecianishtja baile duket bindëse; këtë e ka propozuar i pari Maximilian Lambertz, por duket ta kenë pranuar praktikisht të gjithë studiuesit që janë marrë me Ciklin e Kreshnikëve. Megjithatë, s’ka dyshim se baile në italishten e folur në Venedik ka pasur kryesisht kuptimin “ambasador i Venedikut në Kostandinopojë” dhe më pas “ambasador i Venedikut pranë Portës së Lartë”, më rrallë edhe vetëm “ambasador i Venedikut”. Kuptimi “ambasador” i fjalës baile e ndërlikon pak lidhjen e drejtpërdrejtë të këtij funksionari me bajlozin e Ciklit të Kreshnikëve; sepse ky i fundit del prej detit, dhe kërkon haraç nga banorët e zonave përreth. Logjikisht, një ambasador nuk mund të kërkojë haraç. Haraçin e kërkojnë autoritetet e vendit ose pushtuesit; jo ambasadori. Nëse bajlozi ka qenë ambasador i Venedikut, ka vend të pyetet se ku ka qenë bajloz; në ç’kryeqendër. Ambasadorët nuk dërgoheshin të përfaqësonin Venedikun në malësi, as ngatërroheshin me punët e feudalëve të vegjël në hinterland (siç janë heronjtë e Ciklit). Gjithashtu Venediku nuk dihet të ketë pasur baile në Shkodër e aq më pak në Jutbinë. Atëherë lind pyetja se ku e kanë gjetur malësorët shqiptarë këtë fjalë kaq teknike. Edhe Robert Elsie tani vonë, në A Dictionary of Albanian Religion, Mythology, and Folk Culture thotë se nuk kuptohet si titulli i ambasadorit venedikas pranë Portës së Lartë të ketë përfunduar si emër i një përbindëshi që del prej detit (f. 20). Vetë personazhi arketipal që përfaqëson bajlozi duket të jetë më i vjetër se shek. XV dhe marrëdhëniet e Venedikut me Portën e Lartë. Ka mundësi që emri t’i jetë mbivendosur personazhit, duke zëvendësuar një emër më të vjetër, p.sh. një tabu; kjo duket sikur mbështetet edhe nga fakti që, në mënyrën si kërkon haraç bajlozi (“tim për tim”) disa studiues, si Jorgo Panajoti, kanë parë gjurmë të sistemit bizantin, jo venecian, të vjeljes së taksave. Mbetem i mendimit se figura e bajlozit të zi në Ciklin e Kreshnikëve është shumë më e vjetër se emri bajloz, dhe dëshmon tërthorazi traumën e sulmeve plaçkitëse të piratëve në bregdetin Adriatik të Arbërisë dhe të Dalmacisë. Vetë fjala Bajloz, sikurse shumë elemente të tjera të Ciklit që i referohen periudhës turke-osmane, janë shtesa të vona, të ardhura nëpërmjet vatrave të eposit në Bosnje dhe reflektojnë një kulturë turke-orientale të rrezatuar kryesisht nga Stambolli, ku figura e baile-s mbetej qendrore, edhe për imagjinatën e rapsodëve. Epiteti i zi mund të ketë thjesht ngarkesë emocionale negative, por mund edhe t’u referohet piratëve maurë/saracenë që plaçkitnin trojet e Arbërisë bizantine.Roli i piraterisë në shpërndarjen e popullsisë në ato troje përmendet pak, edhe pse ka të dhëna të sigurta se vija bregdetare e Adriatikut dhe e Jonit i ka vuajtur shumë sulmet e piratëve – saraçenë sa kohë që kjo vijë kontrollohej pak a shumë nga Bizantinët ose nga Venediku; katolikë (p.sh. të Urdhrit të Maltës, ose uskokë dalmatë), kur zonën e pushtuan otomanët. Vetëm për sa u përket piratëve arabë/saracenë/maurë, dihet se në 838 arabët nga Sicilia plaçkitën Brindisin, i cili aso kohe ishte zotërim i lombardëve. Dy vjet më vonë, pushtuan për një kohë të shkurtër Taranton, pastaj edhe Barin. Në vitin 866 piratët arabë nga Afrika rrethuan portin e rëndësishëm të Raguzës, që në atë kohë i përkiste Bizantit, çka u bë pastaj shkas që Perandori Basil I të krijonte Temën e Dalmacisë, në brigjet lindore të Adriatikut, me kryeqendër në Zarë. Edhe Ulqini ka qenë objekt i sulmeve të arabëve që prej shekullit VIII, dhe mbeti për dy shekuj në duar të tyre, para se të kalonte nën zotërimin sllav. Më pas ky qytet do të përmendej si strehë e piratëve nga Afrika e Veriut, që në kohë të Hajredin Pashës, nga Tunisi, në gjysmën e dytë të shek. XVI. Kjo periudhë kohe, koincidon me kapjen rob, gjatë një sulmi në brigjet spanjolle, të Cervantes-it të madh, nga pirati shqiptar Reiz Mami Arnauti. Gjatë shekujve XV-XVI venedikasit megjithatë e konsideronin Adriatikun si gjirin e tyre, duke filluar nga një vijë imagjinare që bashkonte Santa Maria di Leuca me Vlorën, dhe nuk lejonin hyrjen në atë det të anijeve të huaja, të krishtera ose myslimane. Prej vitesh Venediku kishte luftuar me piratët e Adriatikut, sidomos me uskokët e krishterë, që gëzonin mbrojtjen e Habsburgëve, dhe piratët myslimanë nga Ulqini… Ndërkohë në fund të shekullit XVI në Adriatik mbërritën piratë të tjerë të freskët – të ashtuquajturit levendë nga Magrebi, gjithnjë në kërkim të plaçkës. Në atë periudhë pas disfatës në Lepanto, otomanët e kishin reduktuar shumë flotën e tyre dhe rrezen e operacioneve të saj. Piratët nga Afrika e Veriut e bazuar në Ulqin filluan të plaçkitin anije të krishtera në Adriatik, madje nisën t’ua mësojnë zanatin e piraterisë edhe detarëve shqiptarë vendas. Shumë shpejt këta piratë shqiptarë do të nisnin t’i plaçkitin anijet vetë, gjithnjë duke u maskuar si magrebinë.

Piratët zakonisht sulmonin rrufeshëm qytezat bregdetare, për të bërë plaçkë e për të kapur skllevër, të cilët i shisnin pastaj gjetiu me fitime të mëdha. Kaq shkatërruese ishte pirateria për bregdetin arbëror dhe epirot të asaj kohe (deri poshtë në Moré), sa efektet e saj i sheh edhe sot, në mënyrën si është i populluar bregdeti, me pak qytete relativisht të mëdha e të fortifikuara, por fare pak fshatra. Himara përfaqëson një shembull tipik të një komuniteti të lidhur ngushtë me detin, por njëkohësisht të detyruar të fortifikohet në majë të malit, për t’u mbrojtur nga sulmet e papritura të piratëve. Përndryshe, bregdeti shqiptar konsiston në një numër qytetesh (si Vlora, Durrësi, Ulqini) të ndara mes tyre nga plazhe e zona kënetore të pabanuara. Otomanët, sikurse bizantinët para tyre, kishin kontroll të plotë të territorit në brendësi, por nuk ishin në gjendje të kontrollonin njëlloj edhe detin. Prandaj vendasit detyroheshin t’i qëndronin larg bregdetit, për t’u mbrojtur; ose të zhvendoseshin drejt qyteteve të mëdha e të fortifikuara.

Këto konsiderata më shtyjnë të shoh, edhe te bajlozi i zi, një figurë të asimilueshme me piratët maurë, ose saraçenë, të cilët plaçkitnin zonat bregdetare të Arbërit gjatë mesjetës bizantine; pas gjase të kontaminuar më vonë edhe me kujtimin e të dërguarve të Venedikut.

[2006]


 

1 Kreutz, Barbara, Before the Normans: Southern Italy in the Ninth and Tenth Centuries, University of Pennsylvania Press, 1991, f. 26.

Curta, Florin, Southeastern Europe in the Middle Ages, 500-1250, Cambridge University Press, 2006, f. 28.

Norris, H.T., Islam in the Balkans, University of South Carolina Press, 1993, ff. 205-207.

Keiko Kiyotaki, Colin Imber, Frontiers of Ottoman Studies v. 1: State, Province, and the West, Colin Imber, Keiko Kiyotaki and Rhoads Murphey, New York, 2005, f. 28

15 Komente

  1. Gj.E. Alia ka pas luftuar edhe ‘katallanin’. Besoj se etimologjia eshte e qarte: dikush prej Katalonje. Sidoqofte, c’pune kishin ‘katallanet’ ne Shqiperi?

    Mund te kene qene kryqetare ne rruge per ne Konstantinopoje apo Jeruzalem. Por ata nuk duhet te kene qendruar aq gjate sa te tmerronin popullaten deri ne ate fare feje.

  2. Gustav Meyer mendon se katallani në përrallat shqiptare lidhet me kujtimin e një çete kalorësish gjakatarë nga Katalunja e Spanjës, të cilët i kish pajtuar si mercenarë perandori bizantin Androniku II, dhe më pas u morën ca kohë me pirateri përgjatë brigjeve të Adriatikut.

  3. Duke verejtur idete interesante qe hidhen ne kete shkrim, desheroj te shtoj se duhet patur kujdes per te mos e mbyllur kerkimin e origjines se fjales bajloz ne caqet e nje terminologjie te larget si ajo e titullit te ambasadorit te Venedikut, me te cilin malesoret e prapatokes se thelle kishin pak ose aspak pune, ne periudhen ne te cilen eshte ngjizur Cikli.

    Duke qene se ne Cikel, por vecanerisht ne Kanunin e mbledhur nga Gjecovi ka nje numer turbullues fjalesh me origjine latine , qe nuk kane kaluar kurre nga Venediku apo Raguza per te ardhur te malsoret (shpesh here kam menduar se Kanuni nuk ka pothuaj asgje shqiptare dhe eshte nje jehone e cunguar e se drejtes romake, bizantine dhe cuditerisht, kur eshte fjala per disa te drejta te gruas per trashegimi, ai i afrohet Sheriahatit dhe te drejtes se disa vendeve muslimano-arabe), mendimi im eshte (dhe, modestisht ka qene qe heret) jo ne perputhje me Max Lambercin, sipas te cilit termi Bajloz duhet pare fjala latine bailus ose bajulus, qe ne disa raste perkthehet “mbajtes”, por me shpesh, “lajmetar”, “mesazher”.

    Ne te vertete vjelja e taksave nder malsore tim per tim, nuk ka asgje romake (aq me pak veneciane). Eshte dicka qe lidhet me Bizantin e mesem. Justiniani ne te vertete, pati nxjerr nje ligj qe taksat i kerkonte per fshat, brenda fshatit kishte nje lloj organizimi tjeter per ti mbledhur shtepi per shtepi, pra tim per tim. Koncepti bizantin i timit ne periudhen osmane do te shfaqet si oxhak, kur dihet qe administrata turke iu pershtat ne menyre te perkryer legjislacionit te meparshem bizantin. Roma, nga ana e saj, nuk k ate dhena se dergonte mesazhere (aq me pak Venediku), te malesoret e thellesive. Nese ajo, Roma, mbijetoi nje mije vjet kjo ndodhi sepse respektoi organizimin e brendshem, politik, zakonor e fiskal. Nuk ishte nepunesi apo bajlozi romak, por nepunesi vendas ai qe organizonte vjeljen e taksave.

    Mos po kundershtoj veten? Nuk besoj.

    Ketu harrohet Bizanti, perandoria bizantine. Dhe kur themi Bizant shume veteve mendimet u shoqerohen me gjuhen greke. Edhe kjo nuk eshte e vertete. Pothuaj deri afer fundit te mesjetes, Perandoria Bizantine e mbante veten si pasardhese te Romes dhe vazhdoi te quhej, Perandoria e Shenjte Romake.

    Codex Justinianis, mesa di, nuk u shkruajt greqisht, por latinisht edhe pse hartuesit e tij ishin greke. Kjo sepse prej shume shekujsh gjuha zyrtare e perandorise Bizantine vazhdoi te jete latinishtja.

    Keshtu, kur Venediku ishte ende nje fshat mocalor, anijet bizantine canin lirshem detin Adriatik pergjate bregut dalmat e atij shqiptar te mbushura me drithera e harxhe te tjera, te cilat me kohe, bailusit e saj i kishin mbledhur kudo dhe i kishin zbritur per tu ngarkuar ne anije, ne portet perkatese. Ne kete rast si port de atach ishte edhe Ravena, e cila deri ne fund ishte bizantine, venom i perandorit bizantin.

    Kush e njeh sadopak tolerancen fetare dhe kulturore te bizantineve (jua mblidhnin nganjere cifuteve, por nuk i vrisnin), e di fare mire se nepunesit e administrates ishin te te gjitha kombesive.

    Etnite me pak ose shume ngjyre te lekures te veriut te gadishullit arabik, Egjiptit, Sirise e Libise se sotme e deri tutje ne Marok, ishin si ne shtepine e tyre ne qytetin e shenjte te Konstandinit dhe pjese e padiskriminuar e administrates se tij. Ata ishin enuket, nepunesit, me te besuar te familjes perandorake. (turqit e ngushtuan disi funksionin e tyre, por ruajten tolerancen fetare e raciale).

    Shtoj ketu se piktura bizantine kurre nuk e ka pikturuar Krishtin si te bardhe fare, sikunder ne Evrope. Ai eshte gjithmon disi ezmer. (Kur ia kam thene kete Duseliese ne Tirane, me 1991 ai m’u pergjegj se nuk e kishte vene re, por ngjan te jete e vertete). Ne Bizant u shtrua per here te pare edhe pyetja se kush na siguron se ai, Krishti, nuk ka qene i zi fare?

    A nuk ishte bizantini Arius ai qe tha i pari se Krishti nuk mund te jete i barabarte me Atin, sepse nena e tij Maria eshte tokesore, jo hyjnore. Kush ka guxuar, qe prej atehere, te thote se Krishti eshte vetem gjysme hyjnor? Ne Rome te digjnin te gjalle edhe per gjera me te thjeshta.

    Heroi i madh i Ciklit bizantin, Digenis Akritas, pra vete ky i fundit qe i ka dhene emrin Ciklit, eshte djali i nje fisnikeje bizantine dhe emirit te Sirise! Kalimthi shtoj se ne kete poeme trajtohet se pari perplasja e qyteterimeve, por konflikti dhe paqja vendoset kur emiri i Sirise integrohet ne shoqerine bizantine….

    I them keto si shembuj se me Bizantin, ndryshe nga sa mendohet, jemi te nje administrate dhe qyteterim shume madheshtor e i hapur si asnjehere tjeter, ku nje tagrambledhes me ngjyre nuk do te habiste askend, nderkohe qe ne Venedik, ndryshe nga sa thote Shekspiri ( i cili kurre ne jeten e tij nuk e kishte vene kemben jashte stradfordit e Londres), funksioni me i larte i zezakut ishte ai i skllavit. Mos ka ngaterruar Venedikun me Ravenen? Pra, eshte fjala per nje bajloz me ngjyre i ardhur nga Kostandinapoli ne malet e Ballkanit, per te shpallur vendimin me te fundit te perandorit per taksat? Pse jo.

    Natyrisht, trajta e emrit nga bajulus ne bajloz mund te shpjegohet edhe me aftesine magjike te folklorit per te bere up to date te informacionit qe sjell.

    Me kujtohet se ne disa vargje te Ciklit, kur Muji mbeti keq e pa mbrojtje (kur po bente ca zullume andej nga Kotorret e Reja), e dini se cfare beri? Thjesht mori ne telefon Halilin!

    Dhe nuk po bej shaka! Kete e keni ne Cikel dhe nuk eshte kontaminim. Po te mos kishte kete aftesi per up to date, folklori do te qe shuar fare, se do te mbetej krejt hermetik e i pa kuptueshem per brezat e rinj. Ai jo vetem qe transmetohej gojarisht dhe duhej kuptuar ne cast, por bardet e medhenj jetonin me kete pune, si poete profesioniste. Ata ftoheshin ne zijafete te ndryshme apo nga feudali dhe hanin, pinin e paguheshin vetem per te kenduar.

    Po qe se ketu ai do te perdorte vetem trajten e vjeter te mesazherit te taksave te perandorit, publikun do ta zinte gjumi. Pra bajulus-in e hershem bizantin ai nartyrshem do ta sillte ne Bajloz, sikunder piskamen e nderroi ne pushke habertare e deri ne telefon, se bajlozi,nderkohe ishte emer i njohur, te tille ftonte e takonte mreti ne Stamolle… etj, etj… , tha..

    D. Kokonozi

    Ps.

    Ne te vertete prej kohesh jam i tunduar qe te Bajlozi te shoh edhe trajten bizantine te Cezar apo edhe Augustus (mbret) te latineve, qe per bizantinet ishte… Bazileus.

    Ndonse me kohe bizantinet e kultivuar e suprimuan me sukses termin augustus, ne nivel popullor a periferik, shpjegohej se qe fjala per Caesar, Qezari, shqip, term ite cilin vulgu i periferise perandorake (qe zyrtarisht bente pjese here te njeri krah e here te tjetri, por qe kulturalisht ishte nen presionin e te dy kraheve) e shqiptonte Kazar. Prej kendej, ne nje periudhe te caktuar eshte folur edhe per nje nje fare Bazileus kazar. Ju duket shume larg nga Bajlozi i Zi?

    Po qe nje perandor bizantin me emrin Bazileu i II ka bere beteja te ashpra per ti futur nen kufijte e perandorise se tij trojet dalmato shqiptare, qe parardhesve te tij u kishin dale nga duart, pra edhe kjo nuk ju thote gjesendi?

    Po qe keshtu, une nuk po e zgjas me se po me duket vetja sikur po vazhdoj ndonje shkrim te lene pergjysme nga znj. Nermin Vlora (qe pa dyshim jashte ravgimeve etimologjike mbetet nje grua teper fisnike) dhe po e le gjithcka te hapur per diskutim te metejshem…

  4. Koment i shkëlqyer nga D. Kokonozi, madje një nga ato komente që vlejnë më tepër se shkrimi që komentohet… por njëkohësisht edhe provë se shkëlqimi intelektual është shpesh produkt i shkëmbimeve, i debatit ose i dialogut. Kjo mënyrë të foluri për historinë ende i mungon kulturës shqiptare, e cila luhatet, në këtë rast, midis artikujve të thatë akademikë me më shumë referenca se tekst, dhe fluturimeve pindarike të kultivuara me aq dëshirë tani së fundi nga Kadareja. E falënderoj autorin që e solli edhe këtu në blog, pasi e pat afishuar dikur në Alb-Club.

  5. nga gjithe faktet e shtruara me lart prej xha xhait dhe kokonozit, eshte e qarte qe legjendat ne fjale, si ajo e gjergj elez alise dhe bajlozit, si ajo e ded alise dhe katallanit, jane te bazuara ne nje kontekst historik specifik shqiptar i cili rrejdhimisht lejon rruge per origjinalitet te legjendave. ajo qe me shqeteson mua eshte mungesa e origjinalitetit ne arketip. gjergj elez alia qe vret bajlozin, eshte shume qarte arketipi kristian i shen gjergjit qe vret dragoin, triumfi i te mires mbi te keqen qe ndoshta do shpjegonte edhe ngjyren e zeze te bajlozit. nuk do ishte cudi qe i njejti shenjt, figura dhe flamuri i te cilit u perdor ne kryqezatat kunder myslimaneve, te perdorej edhe kunder pirateve arabe/maure/saracene. do ishte interesante te silleshin data dhe vende ku kjo figure eshte perdorur. nderkohe qe arketipi i ded alise dhe katallanit shkon edhe me heret ne histori, deri ne arketipin e dedalus qe mbyll minotaurin ne labirint. kjo ndoshta tregon se eshte e veshtire, per te mos thene e pamundur qe te arrish ne arketipe te reja. gjithashtu mbetet edhe pyetja nese keto dy arketipe jane thjesht mish i huaj ne eposin e kreshnikeve, apo eshte krejt eposi i kreshnikeve nje arketip jo origjinal?

  6. Lulian Kodra shkruan:

    gjithashtu mbetet edhe pyetja nese keto dy arketipe jane thjesht mish i huaj ne eposin e kreshnikeve, apo eshte krejt eposi i kreshnikeve nje arketip jo origjinal?

    Lulian, arketipet janë ato që janë, vetvetiu të pakta, përndryshe c’arketipe do të ishin? Eposi i Kreshnikëve ngërthen në vetvete elemente më të vjetra dhe elemente më të reja; më të vjetrat ndoshta i referohen mitologjisë pagane indo-evropiane dhe arketipeve të përbashkëta të popujve indo-evropianë; më të rejat mund të jenë origjinale (si ai i Mujit që teknologjinë e re të armës së zjarrit e teston duke qëlluar vetveten në pëllëmbë të dorës), ose të marra hua nga fqinjët sllavë, e nga mitologjia kristiane (si ky i Shën Gjergjit). Por arketipet e mirëfillta kanë natyrë semantike universale, mbështeten mbi nocione elementare të përkundërta dhe si të tilla qarkullojnë kudo ku ka kultura njerëzore. Të paktën që prej Propp-it, narratologët janë përpjekur të distilojnë një gramatikë universale të rrëfimit, dhe jo pa rezultate.

  7. A eshte krejtesisht e pamundur qe Bajloz te kete lidhje me Balshet? Jo, ne sensin qe legjenda eshte nisur per ata, por ne kuptimin qe dicka egzistuese u pershtat me vone dhe ju vu emri i nje te keqeje egzistuese.
    Balshet ishin bujaret lokale dhe ferkime te taksa (tim per tim) me banoret perreth do te kete pasur domosdo!
    Vete emeri Gjergj Elez Alia (gjysem kristian gjysem musliman) tregon per nje mbi-emertim.
    Nje shpjegim tjeter potencial mund te jete fjala Vule. Greqishtja e ka Boulo, si ne Hrisoboulo (Vule e Arte) dhe Bajloz nuk eshte shume larg Vajloz; mbajtes i Vules ose Hrisoboulos qe tani shqiptohet “krisovulos” por nje zot e di se si eshte shqiptuar ate kohe. Hrisoboulos mund ti kete rene “hriso” me kohe dhe ka mbetur vetem Boulos. Prej ketej, nuk eshte shume larg tek “Bajloz”;qe eshte po ashtu shqiptimi i fjales ne shek 20, dhe ne eshte e pamundur ta dime se si eshte shqiptuar shekuj me pare.
    Dhe e fundit: a dime gje ne, nese ka ndonje kuptim kjo fjale ne Sllavisht, qofte Slavonic Kishtare ose gjuhen lokale te Malit te Zi ose Dalmatisht?
    Ndonje lexues nga Kosova mund te na ndihmoje.
    Gjithe te mirat!

  8. Kuptimi “ambasador” i fjalës baile e ndërlikon pak lidhjen e drejtpërdrejtë të këtij funksionari me bajlozin e Ciklit të Kreshnikëve; sepse ky i fundit del prej detit, dhe kërkon haraç nga banorët e zonave përreth. Logjikisht, një ambasador nuk mund të kërkojë haraç. Haraçin e kërkojnë autoritetet e vendit ose pushtuesit; jo ambasadori. Nëse bajlozi ka qenë ambasador i Venedikut, ka vend të pyetet se ku ka qenë bajloz; në ç’kryeqendër?

    Durres, Shkoder, Ulqin, Tivar. Te gjitha keto qytete ishin prone e Serenissima-s, dhe nga ‘qendra’ sillej gjithmone nje ‘baile’/bajloz qe ja u mori shpirtin katundareve duke u kerkuar ‘te dhjetat’, aq sa banoret e Koplikut ne Shkoder kercenuan se po nuk u hoqen ‘te dhjetat’ do braktisnin tokat.

    Sic duket i braktisen e shkuan te jetojne ne Jutbinen e Kreshnikeve. I guess not every nation is entitled to its ‘tea party’

  9. Tani lexoj në “Panorama” se, sipas një folkloristi shqiptar të cituar nga Ismail Kadareja, Cervantes-in e paskan mbajtur rob diku afër Ulqinit, jo në Algjeri:

    Sipas Kadaresë, folkloristi, “duke folur për legjenda dhe kronika të vjetra mesjetare, përshkroi, përpara pak kohësh në shtyp disa histori për Servantesin, që kishin kaluar nga goja në gojë, duke hedhur tezën se ka mundësi që Servantesi nuk ka qenë i burgosur në Algjer, por në një qytet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ky studiues e bazon tezën e tij në rrëfeja pleqsh, të cilët përqendrohen në faktin se robi ishte një spanjoll shumë i ditur, për të cilin u pagua një sasi e madhe parash që ta lironin nga burgu. Emri i tij del, ka raste Servantes, ka raste Servet apo Sarvet”.

  10. Kjo e cervantesit nuk eshte aq e re si teori alternative. Dylqinja e Tobozes ne shqip ‘duhet te perkthehet’ Ulqinakja e Tobozes,meqe dulcigno i thone Ulqinit pervec ne italisht edhe ne spanjisht.

    Persa i perket Bajlozit si fjale, me duket me afer bajles venecian,meqe edhe ne shqip z ne fund te fjales ngaterrohet shpesh me s; Bajloz- Bajlos (po loz-po los).

    Fakti qe ndodhet ne foklorin boshnjak (e jo ate kroat) me shtyn te mendoj se figura eshte me e hershme se periudha veneciane. Pergjithesisht nuk jam tifoz i shkembimeve mitologjike Shqiperi-Bosnje pasi keto do i perkitnin shek 19 e diferencat jane me te ndjeshme sesa afersite e kalimi duhet te ishte me besnik, por rasti i Gjergjit te Elez Alise eshte vertete domethenes.
    Ruajtja e emrit Gjergj nderkaq islamizohet emri i te atit (Elez Alia) mbase ka te beje me forcen e madhe qe kishte emri Gjergj ne formimin e mitit e do hidhte uje ne mullirin kristian.
    Miti i Shen Gjergjit eshte shume i fuqishem ne Kosoven 97% myslymane e ne malesite e veriut te shqiperise katolike e islamike e festa kremtohet cdo vit.

    Mirepo ka edhe nje mit tjeter, Shen Hilarioni qe vret Balaurin(perbindeshin,gjarper/kuceder ) e shpeton njerezit nga kucedra.
    e shen Hilarioni ka qendruar ca kohe ne Epidaur,
    (Raguze-Dubrovnik).
    Balauri eshte bullari (bolla) dmth kulti i tokes ne paganizmin ilir. Nderkaq Balauri eshte edhe ne folkorin rumun si perbindesh/gjarper dhe emri eshte fjale e fondit dak e fjalen e kane lidhur me shqipen bullar(bolle).

    Ky eshte arketipi antik pagan i trimit qe vret kucedren (Herkuli vret Hidhren e Leres) . Kucedra nuk eshte gjarper sepse gjarperi eshte i mire, por nje shperfytyrim i gjarperit(9 koka,gjiganteske,vjell zjarr etj)
    e tregon momentin kur toka eshte ‘e keqe’; thatesira tek personazhi i Qerosit(mencuria zhduk thatesiren), shtimi i ujqve tek rasti i Trimit(trimeria kur kafshet e egra-ujqit ne dimer pergjithesisht- nuk te lene te gjuash apo te kalosh shtigjet pyjore,ose edhe (rast i rralle) ndonje bande kriminelash qe fshihet).
    Kristianizmi perfitoi e trimi u be shen Hilarioni(kristiani) e kucedra u be Balauri (bullari, kulti pagan i tij).
    Shen Gjergji hyri vone ne mijevjecarin e dyte(mesjeten e vonet) e iu mbivendos Hilarionit.

    Mua faktikisht pllakat e hekurta te Bajlozit e figura njerezore (ha , pi, merr virgjeresha etj) me kane bere te mendoj se miti mund te jete me i hershem, qekur ushtare te ‘koracuar’ zbriten per here te pare ne bregdetin shqipo-malazez e merrnin virgjeresha per kultet e tyre pra i epokes pagane.
    Varianti bizantin nuk eshte i bindshem pasi Bizanti ishte zot i pandreprere(te pakten mese i niohur ne vazhdimesi) e nuk perbente aq ‘shock’ sa ti ngrihej nje mit . Pastaj rendesia femerore ne mit eshte aq e rendesishme sa nuk mund te lihet menjane grabitja sistematike e ‘virgjereshave’.

  11. Basileusi bizantin, nga mendohet se ka rrjedhur dhe bajlozi shqiptar, cuditerish gjendet si figure, ne te njejten forme (basileis) dhe me te njejten morfologji , ne pllakat e baltes se pjekur te shkruara ne linear “B” , e te zbuluara ne Pylos. Ato u shkruan rreth viteve 1400-1250.
    Para eres sone, eshte fjala.

  12. idashur, bajlozi shqiptar sic e ka shpjeguar edhe Cabej eshte fjale e venecianishtes qe do te thote ambasador. Nje fjale kjo qe eshte futur edhe ne greqishten moderne ne formen βάιλος, madje edhe si emer i pervecem. Vailos quhej ne Bizant ambasadori (ose i derguari) i Republikes prane perandorit.

    Ne mikenishte, fjala qe permend ti, gjendet ne formen ka-si-re-u (βασιλεύ), ku tregonte nje njeri te oborrit. Me vone kjo fjale ka marre kuptimin e mbretit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin