Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

Arapë dhe shqiptarë

Titullin e tragjedisë shekspiriane Othello, the Moor of Venice, Noli e përktheu në 1916 si “Arapi i Venedikut”, duke i qëndruar besnik përfytyrimit popullor jo vetëm shqiptar, por krejt evropian të Mesjetës, që i mjegullonte disi dallimet midis arabëve (mauri) dhe negroidëve afrikanë (aethiopes). Vetë këta Moors (sp. moros, it. mori) – që gjetiu i kam gjetur të quajtur në shqipe si “maúrë”[1] identifikoheshin kryesisht nga lëkura e tyre e zeshkët dhe nga prejardhja e tyre afrikane; sadoqë etnikisht kanë qenë gjithnjë më tepër arabë e berberë, sesa diçka tjetër; dhe Evropës i janë bërë të njohur në krye kur arabët e kishin kalifatin edhe në trojet e Spanjës së sotme. Fjala vetë mendohet se vjen në thelb nga greqishtja mauros, me kuptimin “shumë i errët, i zeshkët”; maurët e Mesjetës si banorë të brigjeve afrikane të Mesdheut dhe piratë të rreptë mund të kenë qenë kështu edhe një popullsi e përzier, arabo-berbere dhe zezake sub-sahariane. Nëse Shekspiri e kishte menduar Othello-n afrikan të zi apo maur berber, kjo nuk përcaktohet dot me siguri, edhe pse publiku gjithnjë ka anuar ta përfytyrojë personazhin si negroid, pse kjo i përshtatet më mirë jetërsimit të tij të plotë në Venecia, ku një maur berber ase arab nuk do të ndihej përndryshe aq i huaj. Këtej edhe përkthimi i goditur i Nolit, i cili koincidon, ndër të tjera, edhe me dhënien e fjalës moor si arap në botimet e hershme të Othello-s në turqishte.

* * *

Në shqipen e sotme arap, së bashku me variantin dialektor harap, tingëllon pak e vjetëruar e folklorike, në një kohë që për brezat më të rinj mund të merret gabimisht edhe si një formë fonetike jostandard e fjalës tjetër arab, të leksikut të përgjithshëm. Mirëpo lidhja midis arap dhe arab duket kryesisht e natyrës etimologjike, meqë e para ka shenjuar rregullisht një person të racës së zezë, ose afrikan; ndërsa e dyta jo. Dihet edhe se arap e ka prejardhjen nga turqishtja, dhe prej andej është përhapur në një numër gjuhësh, madje jo vetëm në Ballkan, dhe gjithnjë për të shenjuar zezakun[2]. Arsyet për një rrëshqitje të tillë kuptimore kanë më tepër të bëjnë, nga njëra anë, me zakonin e përhapur shumë në trevat e Perandorisë Otomane për të pasur skllevër zezakë; dhe nga ana tjetër me faktin që këta skllevër silleshin në trevat otomane prej tregtarësh arabë, çka i bënte njerëzit të supozonin njëfarë lidhjeje asociative midis Arabisë dhe racës së zezë. Arapi është jo vetëm fjalë e shqipes, por edhe personazh i njohur i përrallave dhe i mitologjisë popullore shqiptare dhe të vendeve të tjera ballkanike, duke përfshirë edhe Turqinë vetë. Sipas Robert Elsie, në këto përralla Arapi përshkruhet si lëkurëzi ose të paktën i zeshkët, dhe zakonisht i keq, edhe pse ndonjëherë bën mirë. Thuhet se Arapi nuk ka penis, dhe se e ka lënë shpirtin në Çinamaçin. Në përrallën e njohur “Arap Uzengjia”, Arapi e zhvesh lëkurën e zezë, për t’u zbuluar faqe botës si E Bukura e Dheut.[3]

* * *

Arap nuk është i vetmi emër etnik që ka përfunduar në personazh përrallash e mitesh shqiptare. Eqrem Çabej, në një studim të hershëm, përmend ndër të tjera fjalën Jelim, që përdoret për të quajtur gjigantin në bregdetin e Jonit, e që e ka origjinën nga “helen”; fjalën Xhudhí që në Dukagjin përfytyrohet si qenie vigane e kohëve të para, e që lidhet drejtpërdrejtë me emrin e vjetër popullor (paraturk) të hebrenjve; fjalën Gogë, e cila fillimisht përdorej për të thirrur rumunët dhe arumunët, por tani shenjon edhe disa gjigantë dhe demonë të besimit popullor. Një tjetër figurë intriguese e mitologjisë përrallore është Katallani, i ngjashëm me Polifemin homerik dhe i përfytyruar si farkëtar trupmadh e trashaman, me një sy në ballë, pa gjunjë e me këmbë të drejta si direk. Gustav Meyer-i, vëren Çabej, ka qenë i pari që e lidhi këtë figurë me kujtimin e një çete kalorësish gjakatarë nga Katalunja e Spanjës, të cilët i kish pajtuar si mercenarë perandori bizantin Androniku II, dhe më pas u morën ca kohë me pirateri përgjatë brigjeve të Adriatikut[4]. Për të njëjtën arsye e sipas të njëjtit mekanizëm, Skënderbeu ka përfunduar si Scannarebecco në folklorin napolitan[5], pas ekspeditave të tij, fitimtare por të përgjakshme, në ndihmë të mbretit Ferdinand I të Aragonës (ndoshta edhe nëpërmjet një rietimologjizimi, në bazë të afërisë fonetike me it. “scannare”, ther).

* * *

Në një kuptim, shndërrimi që u bën psikologjia popullore këtyre kategorive reale në figura mitike e përrallash do marrë si pasojë e një mekanizmi për të zgjidhur disi ankthin e përballjes me të panjohurën, duke e përvetësuar këtë të panjohur në trajta rrëfimi qetësues. Ky proces ka diçka të përbashkët me magjinë, dhe ndeshet rëndom në folklor. Nga ana tjetër, në rastin e popujve të dokumentuar relativisht vonë, si shqiptarët, folklori shërben edhe si depozitë faktesh historike përndryshe të harruara, të cilat gjithnjë presin të zbulohen nëpërmjet interpretimit. Lidhja midis Arapit si qenie mitike dhe skllevërve afrikanë nga Nili i Epërm (Egjipt, Abisini dhe Sudan) në familjet e bejlerëve dhe të myslimanëve të pasur shqiptarë nuk vendoset dot lehtë; edhe pse ekzistenca e këtyre skllevërve dhe emërtimi i tyre si “arapë” njihen mirë. Që Arapi në përralla ndonjëherë përshkruhet si pa penis, kjo ndoshta ka të bëjë me faktin, përsëri të mirënjohur, që këta skllevër ndonjëherë tridheshin para se t’i livroheshin konsumatorit (tredhja gjithnjë u besohej të krishterëve ose çifutëve egjiptianë, sepse feja Islame ua ndalon besimtarëve ta kryejnë; edhe pse e lejon përdorimin e skllevërve të tredhur; tredhja e tipit sandali e praktikuar nga tregtarët e eunukëve konsistonte në amputimin e plotë të organeve gjenitale me një goditje të vetme të briskut, pas të cilit amputim futej një tub i hollë prej kallaji ose plumbi në uretrën e viktimës, plaga kauterizohej me vaj të përvëluar dhe pacienti mbulohej me bajga të freskëta për t’u shëruar ose qetësuar)[6]. Në raste të veçanta Arapi trupëzon reminishenca të periudhës paraosmane, si në vargjet e Fishtës “Kish’ dalë nji Harap prej detit/trim i zi e belaxhi…” (Lahuta e Malsisë), të cilat njëfarësoj i referohen edhe Bajlozit të Zi të këngës së Gjergj Elez Alisë, në Ciklin e Kreshnikëve, i cili njëlloj vjen prej detit, për të plaçkitur trojet në brendësi. Të jetë fjala për një shembëllim të piratëve saraçenë që terrorizonin bregdetin arbëror gjatë shekujve kur Arbëria ishte pjesë e Perandorisë Bizantine? Apo për vasalët arabë të mbretit të Siçilisë Manfred Hohenstaufen, të cilët e ndihmuan këtë të fundit të ruante për ca kohë zotërimet e veta në Shqipëri prej Bizantit?

 

* * *

 

Edhe Porti adriatikas i Ulqinit, jo larg arealit gjysmë-mitik ku vepronte Gjergj Elez Alia, dëshmohet të ketë qenë objekt sulmesh nga piratët saraçenë që prej shekullit VIII, madje u mbajt edhe i pushtuar prej tyre për dy shekuj, para se t’u binte në duar sllavëve, venedikasve dhe në 1571 turqve otomanë. Deri në vitin 1878 qyteti mbeti një skelë e sigurt për piratët dhe vend i preferuar për zbarkimin dhe përpunimin e skllevërve afrikanë, të cilët me kalimin e viteve filluan të martohen me shqiptarët vendas. Tregtia e skllevërve vazhdoi edhe kur qyteti i kaloi Malit të Zi.[7] Sipas studiuesit Alexander Lopashiç, një numër i konsiderueshëm i këtyre afrikanëve, ose arapëve, vinin nga rajoni i Bagirmisë afër Liqenit të Çadit, dhe flisnin si arabisht ashtu edhe një dialekt të sudanishtes[8]. Thuhet se ky komunitet zezakësh myslimanë ekziston në Ulqin edhe sot e kësaj dite. Dihet, nga ana tjetër, edhe se gjatë luftës otomano-veneciane të vitit 1686, trupat hanoveriane nën komandën e feldmarshallit Otho Koenigsmark që pushtuan për llogari të Venedikut fortesën otomane të Pylos-it në Morenë perëndimore gjetën atje një garnizon të përbërë kryesisht prej zezakësh, të cilët u dorëzuan pa luftë dhe u çuan pastaj në Aleksandri të Egjiptit. Pak javë më vonë, venedikasit u kapën otomanëve edhe fortesën tjetër të Modonit përsëri në More, duke siguruar ndër të tjera edhe 400 skllevër zezakë si plaçkë lufte[9]. Kjo dëshmon më tej hipotezën për një prani sado të kufizuar zezakësh afrikanë në brigjet perëndimore të Ballkanit. Edhe përfundimet skandaloze të studimit të shumëpërfolur të Arnaiz-Villena et al.[10] për lidhjet gjenetike specifike të grekëve të sotëm me popullsinë sub-sahariane (negroide) në Afrikë, ndoshta mund të shpjegoheshin me këtë infuzion të vonë ose mesjetar në kontingjentin e testuar prej tyre, të elementit zezak afrikan sjellë nga arabët dhe otomanët si skllevër në portet greke të Egjeut, Mesdheut dhe Jonit, gjatë periudhës së sundimit otoman. Personalisht, dhe për aq sa mund të vlejë kjo dëshmi anekdotike, kam njohur shqiptarë myslimanë të bregdetit jugor të Shqipërisë (nga Borshi deri në Butrint) që, po të mos e dija se ishin prej andej e po të mos i dëgjoja të flisnin shqip, do t’i kisha menduar menjëherë si mulatë-afrikanë të zinj për nga tiparet fizike.

 

* * *

 

Në rrjedhë të historisë, shqiptarët janë takuar me zezakët nga Afrika vetëm margjinalisht, në periferitë e perandorive; dhe siç ndodh në raste të tilla, gjurmët e këtyre takimeve kanë përfunduar të transformuara thellë në folklor dhe në gjuhë. Trajtimi i figurës së Arapit në kujtesën kolektive të shqiptarëve dëshmon për një orvatje in extremis për ta zgjidhur disi problemin e jetërsimit, përballë një qenie të perceptuar njëkohësisht si njeri dhe si jonjeri. Nga ana tjetër, dëshmitë e shumta të pranisë së skllevërve afrikanë në brigjet shqiptare të Ballkanit, ndonjëherë edhe në numër të madh, hapin një dritare të nevojshme në të kuptuarit e dinamikave demografike dhe etnike përgjatë vijës bregdetare banuar prej shqiptarëve, gjatë periudhës otomane.


[1] Në mos gabohem, në përkthimin shqip të romanit Robinson Crusoe prej Halit Selfos e Bujar Dokos, ku thuhet se heroi bie në duar të “maúrëve”.

[2] Arap ishte edhe Ibrahim Petrovitch Gannibal, stërgjyshi afrikan i Pushkinit i sjellë në Rusi si skllav nga Pjetri i Madh dhe që pastaj bëri karrierë si major-gjeneral dhe guvernator i një province të perandorisë; të cilit poeti rus i kushtoi prozën e papërfunduar Arap Petra Velikogo.

[3] Elsie, R., A Dictionary of Albanian Religion, Mythology, and Folk Culture, NY University Press, 2001, ff. 13-14

[4] Çabej, E. “Disa figura të besimeve popullore shqiptare,” Gjurmime albanologjike, Nr. 2/Prishtinë, 1972

[5] “La fiaba dell’orco”, ose “Përralla e bubës” në versionet e veta të ndryshme. Ja teksti i një përshkrimi të bubës, në një version të mbledhur në Campi Flegrei, afër Napolit: “Era chisso naimuozzo e strappone de fescina, aveva la capo cchiù grossa che na cocuzza d’Innia, la fronte vrognolosa, le ciglia jonte, l’uecchie strevellate, lo naso ammaccato co doje forge che parevano doi chiaviche maestre; na vocca quanto no parmiento da la quale scevano doi sanne che l’arrivavano all’ossa pezzelle; lo pietto peluso, le braccia de trapanaturo, le gamme a bota de lamia e li piede chiatte comme a na papara. Nsomma, pareva no racecotena, no parasacco, no brutto pezzente e na mal’ombra spiccecata, c’averria fatto sorrejere n’Orlanno, atterrire no Scannarebecco e smajare no fauza pedata.” Marrë nga http://www.quicampiflegrei.it/rubriche/campania_20.htm

[6] Cituar sipas http://www.allaboutturkey.com/harem.htm

[7] Norris, H.T., Islam in the Balkans, University of South Carolina Press, 1993, ff. 206.

[8] Lopasic, A., “A Negro Community in Jugoslavia”, Man, vol. LVIII, Nov.1958, f. 171, me literaturë.

[9] Finlay George, The History of Greece under Othoman and Venetian Domination, 2005 Adamant Media Corporation, ff. 215-216.

[10] Arnaiz-Villena et al., “HLA genes in Macedonians and the sub-Saharan origin of the Greeks”, Tissue Antigens, 2001. Artikulli mund të lexohet në http://www.makedonika.org/processpaid.aspcontentid=ti.2001.pdf

[2006]

7 Komente

  1. Interesant, kjo puna e etnive qe perdoren si emertime.
    Nje dite me thonte nje djale argjentinas qe ne mbare Ameriken Latine, fjala zhargon per “arab” eshte “turko” Dhe nese flitet per turk te mirefillte, folesi sqaron “turk nga Turqia”

  2. Në shqipe fjala misër vjen nga emri turko-arab i Egjiptit: Misir; në një kohë që italianët të njëjtën bimë e quajnë granoturco, ose “grurë turk”. Shumë gjëra mendoheshin aso kohe se vinin prej Turqie. Për shembull, gjeli i detit, që është shpend i zbutur për herë të parë prej aztekëve në Meksikë, u quajt prej anglezëve turkey sepse gabimisht e kujtuan si të një specieje me një tjetër shpend gastronomik, pulëhinen (angl. guinea fowl, italisht faraona) edhe ai i quajtur turkey, që importohej në Britani nga Madagaskari kryesisht nëpërmjet tregtarëve turq. Përkundrazi, në Turqi i njëjti shpend quhet hindi, meqë gjatë shekullit XVI, kur i sollën për herë të parë gjelat e detit në Evropë nga Bota e Re, njerëzit ende kujtonin se kontinenti që kish zbuluar Kolombi ishte, në të vërtetë, India. Edhe frëngjishtja e quan gjelin e detit dinde, ose “d’Inde”, prej Indisë. Shqipja, përkundrazi, i ka rënë shkurt dhe e ka identifikuar si gjel që vjen prej detit (edhe pse kam frikë se ajo që ne e quajmë pulkë ose pulë deti është në të vërtetë pulëhine, që s’ka të bëjë drejtpërdrejt me gjelin e madh të detit, të aztekëve). Po goja s’i dallon.

  3. As syri, as syri, lere goja!
    Sot po e marr vesh qe puledeti qenkerka shpend tjeter. Une kisha menduar gjithmone qe eshte femra e gjeldetit.
    Po mire, si quhet tani femra e gjeldetit?

  4. Tabakhone, po kur u ngatërruan anglezët vetë, që ishin zotër të këtyre punëve, c’na mbetet ne të tjerëve?
    Unë nuk jam i sigurt për atë punën e pulkës, po kam përshtypjen se në Shqipëri pula e detit ishte shumë më e vogël se gjeli i detit që kam blerë në Itali! Edhe ai vizatimi që kam sjellë, sikur më ngatërroi.

  5. Tani shoh se Fjalori i 1954-ës i Gjuhës Shqipe, për pulëhine, jep edhe variantin pulë hini, i cili mund të lexohet si pulë bojë hiri, por edhe si ndonjë variant fonetik i pulë hindi (ndoshta edhe nëpërmjet rietimologjizimit hindi = hini); që në këtë rast do ta mbyllte qarkun, për të na shpënë përsëri në Indi; meqë shqipja ka edhe derr indie (angl. guinea pig, fr. cochon d’Inde), që as është derr, as ka ardhur prej Indie (e ka origjinën nga Amerika Latine). Po unë nuk jam etimolog, prandaj këto gjëra le t’i marrim thjesht si muhabet. Mbase ndokujt i kujtohet ndonjë tjetër shembull i kësaj natyre.

  6. Ne laberi pules se detit i thone Matkë,dhe gjelit te detit i thone Kaposh.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin