Gjithnjë kam pasur bindjen se korrupsioni i zyrtarëve në Shqipëri dhe perceptimi ose miti rreth këtij korrupsioni në opinionin publik janë dy madhësi të ndryshme, ndoshta të pabashkëmatshme.
Le të supozojmë se personi A ka nevojë për një dokument, të cilin mund t’ia lëshojë vetëm zyrtari B. Personi A – i cili beson se të gjithë zyrtarët në Shqipëri janë të korruptueshëm dhe B si zyrtar në Shqipëri është i korruptueshëm – i ofron zyrtarit B para ose dhurata. Zyrtari B nuk pranon t’i marrë dhe nuk ia lëshon dokumentin A. Kuptohet se refuzimi i zyrtarit B për të marrë para ose dhurata mund të lidhet me shumë faktorë (1) B është i ndershëm; (2) B ka frikë se mos ia marrin vesh të tjerët se po merr rryshfete; (3) B mendon se A duhet të paguajë shumë më tepër se ç’ka ofruar. Megjithatë, ka shumë të ngjarë që A, i bindur aksiomatikisht për amoralitetin e B, të zgjedhë vetvetiu shpjegimin (3), duke i shpërfillur dy të tjerët.
Ka segmente të opinionit të cilat, faktikisht, konstituohen rreth idesë se të gjithë në pushtet janë të korruptuar. Të tjera segmente e pranojnë korrupsionin si faktor ose komponent të ushtrimit të pushtetit, si një të keqe të pashmangshme. Një negativizëm i tillë ndaj shtetit dhe administratës nuk mund të shpjegohet i tëri me sjelljen konkrete të pushtetarëve. Lidhet para së gjithash me psikologjinë primitive në rrënjë të opinionit publik ndër shqiptarë – “familizmi amoral” i përshkruar nga Banfield.
Në të vërtetë, shfaqjet dhe shenjat e korrupsionit – të padiskutueshme – janë më pak të dëmshme e shqetësuese sesa kjo humbje e mirëbesimit të shqiptarëve në pushtet, dhe në të gjithë ata njerëz që marrin përsipër të kryejnë shërbime publike.
Ky perversitet perceptimi së bashku me mitin përkatës varet (1) nga degradimi etik i masës së shqiptarëve nëpërmjet kryesisht shthurjes së strukturave sociale tradicionale dhe (2) nga botëkuptimi egalitarist i nxitur dhe i ushqyer nga komunizmi.
Në rrethanat e sotme të Shqipërisë, disa njerëz bëjnë përpara me shpejtësi, pasurohen materialisht dhe ekspozohen publikisht (në TV etj.), duke u lartësuar shumë nga statusi shoqëror publik dhe privat, ndërsa të tjerë mbeten prapa, ose madje varfërohen. Këta të tjerët, ushqyer sistematikisht me egalitarizëm, shpesh do të mund të ngushëllohen me gjendjen e tyre të pakëndshme duke e arsyetuar ngjitjen marramendëse të të tjerëve ose inegalitetin nëpërmjet korruptueshmërisë dhe korrupsionit. Egalitarizmi nuk është shkak i këtij arsyetimi kompensues, por e amplifikon shumë. Si edhe në rastin e mësipërm, duke arsyetuar kështu gjithnjë e kam fjalën për psikozën e korrupsionit në Shqipëri, jo për korrupsionin vetë.
Korrupsioni i pushtetarëve dhe miti i korrupsionit nuk janë pa lidhje, por lidhjet mes tyre nuk do t’i quaja aq shkakësore, sa të tipit amplifikues-përforcues. [2004]
http://www.suntimes.com/news/metro/blagojevich/1321300,rod-blagojevich-illinois-governor-custody-120908.article
URL e mesiperme eshte per te gjithe ata studente shqiptare qe studjojne shkencat politike dhe juridike. Ne shemtine e vet, rasti i Bloagojeviit eshte nje rentgenografi ose viviseksion i jetes politike, jo vetem ne USA por ne demokraci ne pergjithesi.
Xhaxhai ne Nentor tallesh me rojet kufitare sokolesha te Amerikes… 🙂 Por njeriu i Z(r)i qe ka ardhur ne fuqi, ka dale nga nje sistem i cili eshte i pershkruar me lart me nje perkoresi fjalesh Makiaveliane.
In Rome everything is for sale, thoshte barbari Jugurtha