Vdis pa të të dua, thotë një fjalë e vjetër.
Papën Gjon Pali II e kemi dashur që para se të vdiste – dhe këtu s’e kam fjalën vetëm për katolikët.
Shumëkush ka përmendur rolin vendimtar të këtij prifti në përmbysjen e komunizmit si sistem politik dhe ideologjik. Edhe pse nuk është pikërisht punë e fesë të merret me politikë, duhet thënë se në rastin e komunizmit lufta e vërtetë bëhej për shpirtrat e njerëzve, dhe këtu Vatikani ishte në të drejtën e vet të përleshej ballazi.
Të tjera merita të Gjon Palit II janë vënë në dukje gjerësisht: impenjimi për paqe, kundërshtimi i zgjidhjes së problemeve politike me bomba, vëmendja ndaj atyre që vuajnë sot në botë, të vegjëlve dhe të vobegtëve, kundërshtimi i filozofisë konsumeriste dhe i korruptimit të shpirtit nga kapitalizmi, bashkëpunimi me kisha të tjera.
Për të gjitha këto, papën polak e kanë përshëndetur si një nga personalitetet më të fuqishme të fundit të shekullit XX, dhe të fillimit të shekullit të ri.
Por… ka gjithnjë një por. Dhe ky është por i madh.
Gjon Pali II u tregua tejet konservativ në një numër çështjesh tepër delikate për kishën katolike dhe për botën në përgjithësi. Politikat e tij të arsyetuara shkaktuan vuajtje të mëdha ndër katolikët në botën mbarë, madje edhe në të tjerët.
Mbrojti pozicionin tradicional të Vatikanit në lidhje me abortin, kontrollin e lindjeve, kontrollin e mbipopullimit dhe përdorimin e mjeteve dhe teknikave kontraceptive.
Si rezultat edhe i këtyre politikave reaksionare të katolikëve, bota sot është e mbipopulluar me gjynahqarë dhe sidomos fëmijë që vuajnë, sëmuren, vdesin nga uria, sepse vendet dhe shoqëritë ku jetojnë nuk mund t’i ushqejnë.
Shumë nga këta fëmijë kanë qenë dhe mbeten dhe ndihen të padëshiruar, dhe kanë ardhur në botë vetëm ngaqë kisha e Gjon Palit II vijon ta konsiderojë planifikimin familiar si mëkat të rëndë.
Skandali i përhapjes së SIDA-s në botë dhe sidomos në Afrikë i detyrohet edhe këmbënguljes së pakuptueshme të Kishës Katolike për të mos toleruar përdorimin e preservativit.
Miliona gra, fëmijë dhe burra vuajnë sot në mbarë botën për shkak të pozicioneve të pambrojtshme të Gjon Palit II dhe të Vatikanit në fushën e marrëdhënieve midis sekseve dhe të kontrollit të lindjeve.
Megjithatë, nuk besoj se do të shohim ndonjë prej këtyre vdekëtarëve në turmat që kanë pushtuar këto ditë Romën.
Për fat të keq por edhe ironikisht, Gjon Pali II do të varroset tani pikërisht nga ata dinjitarë politikave të të cilëve – lakmisë materialiste, luftënxitjes, korrupsionit, shfrytëzimit, egoizmit – iu kundërvu me aq forcë sidomos në mbyllje të jetës së vet.
Gjithnjë mendoj nëse është e mundur të pajtohet gjakimi për paqe në botë dhe respekti për jetën e njeriut (çdo njeriu), me përpjekjet për të kufizuar nëmos frenuar krejt rritjen e popullsisë në planet.
Sot për sot nuk më duket të ketë problem më të mprehtë për njerëzimin në shkallë planetare sesa mbipopullimi. Ndaj këtij problemi, pozicioni i Gjon Palit II dhe Vatikanit ka qenë krejtësisht arkaik, regresiv dhe, në thelb i gabuar. Uroj që Papa i ardhshëm të jetë më realist sa i përket kësaj çështjeje.
Mbipopullimi duhet frenuar në emër të jetës, jo të vdekjes. Këtu nuk është fjala për relativizëm shekullar vs. absolutizmit moral. Është fjala për shëndetin e njerëzimit. Edhe Papa, kur u sëmur, iu drejtua shkencës mjekësore për ndihmë, jo lutjeve dhe Shkrimeve të Shenjta.
Të marrim vetëm Shqipërinë, si një vend që e njohim relativisht mirë. E pyesim ndonjëherë veten se sa probleme sociale të sotme atje varen nga mbipopullimi, që u detyrohet politikave totalitare të shtimit artificial të popullsisë?
Pyetje e hidhur: A ka vallë shqiptarë të tepërt? Njerëz që kanë ardhur në këtë botë vetëm ngaqë regjimi i Hoxhës nuk e toleronte kontracepsionin dhe aborti ishte i vështirë në mos i pamundur? Vajza të gjashta dhe të shtata, në pritje të djalit që nuk mbërrinte? Që ka shqiptarë që ndihen të tepërt, këtë e di.
Natyrisht nuk mund t’i lihet krejt përgjegjësia Kishës Katolike për shtesën e pakontrolluar të popullsisë në planet. Vatikani dhe në veçanti Papa Gjon Pali II kanë pjesën e vet në këtë katrahurë, sa kohë që politikat e tyre për respektin e jetës – në thelb të drejta – shtrihen edhe në çështje të seksit dhe të embrionit – në thelb të gabuara.
Më thonë: kjo është punë e tyre – e katolikëve – dhe ti s’ke punë të ngatërrohesh. Mirëpo pasojat e mbipopullimit nuk bien vetëm mbi katolikët. Fëmijët e rrugëve nuk i rritin gjithnjë katolikët. Të sëmurëve me SIDA nuk ua mban gjithnjë ballin Nënë Tereza.
Dhe si gjithnjë, këmbët na sjellin te çështja e konsumuar por proverbiale e hipokrizisë së moralistëve. Gjon Pali II doemos i besonte ato që thoshte, por për çështjen e barrës, abortit, fëmijëve jashtë martese, SIDA-s, seksit të adoleshentëve, promiskuitetit dhe kështu me radhë ndoshta duheshin dëgjuar priftërinjtë katolikë që janë në vijë të frontit, jo ideologët e dhjamur të universiteteve teologjike.
A nuk ishte një prelat i lartë i Vatikanit që sqaroi, para do kohe, se preservativi nuk mbron ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, dhe sidomos ndaj virusit HIV…?
Për t’u kthyer te kontrolli i popullsisë, ka vende si Kina që po zbatojnë politika të ashpra në këtë fushë dhe kanë pasur sukses. India, përkundrazi, nuk më duket të ketë gjë në vijë, njëlloj sikurse disa vende myslimane në Azi.
Mirëpo sot bota është kaq e ndërvarur, saqë koncepti i çështjeve të brendshme të këtij apo atij vende po relativizohet shumë. Një epidemi që bie në Indi për shkak të mbipopullimit mund të arrijë në Stokholm e në Toronto brenda javës. Në Vietnam jetojnë bashkë njerëz e pula, por gjelat e gripit të shpendve këndojnë në pullaz të Shtëpisë së Bardhë!
Vatikani duhej të kish luajtur një rol më të madh në këtë fushë. Nuk them që priftërinjtë të shpërndanin preservativë në meshë, as që Bankat e Vatikanit të financonin blerjen e antiretroviralëve për sieropozitivët e Afrikës; por të paktën duhej t’i ishin kundërvënë me forcë obskurantizmit që po buron nga zemra e Amerikës, ose fondamentalizmit të krishterë antimodern.
Ky fondamentalizëm i ri, që duket se ka njeriun e vet në krye të së vetmes hiperfuqi në planet, e ka shpallur hapur mospajtimin me vendin që zë shkenca dhe racionalizmi në jetën moderne. Skandali etik dhe mediatik i Terry Schiavo-s tregoi edhe se konservatorët e krishterë në Amerikë nuk duan të ndalen para asgjëje, kur vjen fjala për ta bërë publik refuzimin e tyre ndaj modernitetit.
Kjo histeri nuk është pa lidhje me skandalin tjetër të mirënjohur, të përhapjes së pedofilisë në mjediset katolike në SHBA – i cili skandal edhe një herë provoi papërshtatshmërinë e modeleve seksuale katolike në botën e sotme të erotizuar dhe të erotizueshme deri në absurditet.
Kam frikë se Gjon Pali II, i plakur dhe i sëmurë, nuk ishte më në gjendje t’ia ndryshonte kursin karavelës së Vatikanit, të cilin kurs ia kish përcaktuar ai vetë, në kohë të tjera. Politikat e Kishës Katolike, në botën e sotme, janë shpesh arkaike, të dëmshme për njerëzimin në përgjithësi, dhe kundërprodhuese për Kishën Katolike vetë.
Disa analistë qëndrimin e Vatikanit zyrtar ndaj problemeve të seksit, shtimit të popullsisë, abortit, eutanazisë etj. e kanë shpjeguar edhe si rezultat të një koagulimi ose ngrirjeje në llogore të një lufte të vjetër për pushtet midis reformuesve dhe konservatorëve brenda hierarkisë së Kishës Katolike.
Sipas këtyre analistëve, konservatorët e kanë pasur Gjon Palin II njeriun e tyre, dhe gjatë këtij papati e kanë forcuar shumë pozicionin e tyre në dëm të forcave progresive, çliruese të mendimit teologjik dhe më të hapura ndaj sfidave të shoqërisë shekullare dhe të modernizimit.
Konservatorët paskan arritur kështu të pastrojnë universitetet katolike nga intelektualët më të shquar, duke mbështetur kryesisht fanatikët e traditës katolike. Njëkohësisht i janë kundërvënë me forcë të madhe propozimit për rishikim të rregullit që klerikët shekullarë duhet të jenë beqarë, sikurse propozimit tjetër për të lejuar gratë në funksione të kryera tradicionalisht nga klerikë burra.
Beqaria, divorci, aborti, kontracepsioni, akti seksual, homoseksualiteti, pedofilia, embrioni, gratë priftëresha, sekset – nuk është e vështirë të shohësh këtu përvijimin e një konflikti midis strukturave tradicionale të Katolicizmit dhe çlirimit seksual progresiv të njerëzimit, duke përfshirë edhe katolikët vetë, gjatë shekullit XX.
Reformistët e kanë mbrojtur pozicionin e tyre me konstatimin e një rënie të interesit për Kishën Katolike në mbarë botën. Për arsye të vetëkuptueshme, shumë klerikë të ardhshëm katolikë i bie të jenë homoseksualë të reprimuar ose të vuajnë nga çrregullime të ndryshme seksuale frenuese, të cilat nuk reflektojnë për mirë në marrëdhëniet e tyre me grigjën.
Në Mesjetën Evropiane, dukej e natyrshme që homoseksualët të tuboheshin në institucione monoseksuale, si kuvendet, manastiret dhe urdhrat e ndryshme. Represioni i seksualitetit dhe sublimimi spiritual shpesh kanë shkuar krah për krah. Sot në Perëndim realiteti ka ndërruar; dhe njerëzit e kanë më të lehtë t’ia pranojnë vetes orientimin seksual dhe ta ushtrojnë atë pa e sublimuar.
Nga ana tjetër, doktrina e Vatikanit për seksualitetin mbështetet kryesisht në traditën dhe në përpunimet e teologëve të ndryshëm; prandaj nuk ka arsye të mos ndryshohet. Mua më duket logjike që mbajtja gjallë me çdo kusht e atyre precepteve ka të bëjë me perceptimin e tyre si kolona të hierarkisë së Kishës, jo me sakralitetin.
Vërtet, shumë katolikë (ose më mirë “katolikë”) në Perëndim nuk po ia vënë shumë veshin qëndrimeve të Vatikanit në fushën e sociologjisë së seksit. Këta ndoshta e përjetojnë katolicizmin më tepër si një lloj identiteti kulturor, sesa si përmasë shpirtërore.
Të tjerë ia përkrahin qëndrimet Papës në fushë të kontracepsionit jo sepse i konsiderojnë të arsyeshme dhe i zbatojnë vetë, por sepse Papa është autoritet, kreu i Kishës, ose i superfamiljes ku duan të bëjnë pjesë.
Ma merr mendja që kjo do të ishte një instancë e së ashtuquajturës hipokrizi të kishës, që e kanë përshkruar dhe dënuar prej kohësh. Çështja nuk është nëse kjo hipokrizi është e dënueshme dhe sa e dënueshme është; por nëse mund të flitet për një të ardhme të katolicizmit në botë kur rrënjët ia bren një dyfaqësi e tillë sado beninje.
Kisha katolike është institucion plak dhe i nderuar, që ka ditur t’u bëjë ballë kohërave, ndryshimeve, sulmeve dhe modave. Koncepti katolik për lirinë, individin, personin dhe dinjtetin është jashtëzakonisht solid, dhe një nga arritjet absolute të kulturës njerëzore.
Por sot për sot, Vatikani hedh valle në një litar të hollë, të varur pezull midis represionit dhe hipokrizisë në fushë të seksit, teksa seksualiteti gjerësisht ofrohet si alternativë ndaj spiritualitetit, në rrugën drejt lumturisë, plotësimit të ambicjeve dhe rafinimit të eksperiencave. [2005]