Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

Etika apo tregu?

Problemet që ka shoqëria shqiptare sot janë edhe morale edhe ligjore. Nuk mund të shpresohet që ligji të kompensojë deri në fund për mungesën e etikës, ashtu si nuk mund të shpresohet që etika, me magji, të kompensojë për mungesën ose papërshtatshmërinë ose keqzbatimin e ligjit.

Vetë tregu, ose vendi gjeometrik i virtytit merkantilist (filistin), nuk mund të funksionojë pa një kuadër ligjor që t’i mbrojë transaksionet nga abuzimet e mundshme; por njëkohësisht kërkon edhe një etikë të vetën. Vështirë të përfytyrohet një treg i shëndetshëm pa mirëbesim midis aktorëve, sa për të sjellë një shembull. Nuk ka ligj të tillë që të instituojë me pahir mirëbesimin brenda një transaksioni, edhe pse ligje që mbrojnë palët e një transaksioni nga abuzimi me mirëbesimin natyrisht ekzistojnë. Megjithatë, kush hyn në një shitblerje, nuk hyn me mendimin se po e mashtruan e ka ligjin me vete, por me shpresën se shitblerja do të jetë e suksesshme, në të mirë të të dy palëve të angazhuara.

Shembullin e solla për të ilustruar ndërthurjen midis ligjshmërisë dhe etikës në treg dhe në përgjithësi në një ekonomi tregu. Ligjet mund të formulohen me lehtësi, siç edhe janë formuluar në Shqipëri duke u kopjuar ditën për diell nga vende të tjera. Përkundrazi, etika nuk mund të formulohet nga parlamenti, as të mbrohet nga forcat e rendit. Ndryshe nga pesimistët që gëlojnë nga të gjitha anët, unë jam i bindur se shoqëria shqiptare ende i ka mundësitë për t’u përshëndoshur nga ana etike, duke korrigjuar gabimet e bëra gjatë tranzicionit dhe sidomos duke larguar nga pushteti mafiozët që nxituan ta marrin fuqinë pas zbythjes së komunizmit.

Për t’u kthyer te tregu, nuk ka dyshim se ka një raport shumëfijesh midis këtij dhe demokracisë, i cili përthyhet edhe në konceptin që kanë njerëzit për funksionimin e një shoqërie demokratike. Megjithatë, vetë tregu nuk është ndonjë funksion matematik universal, i tillë që të mund të gjejë automatikisht zbatim në kontekste nga më të ndryshmet. Përkundrazi, është teatër ku shoqëria pritet të riprodhojë jo vetëm strukturat e veta ekonomike, por edhe hierarkitë dhe ndonjëherë modelet etike. Si i tillë, tregu ka nevojë për garanci ligjore.

Një nga këto garanci ka të bëjë edhe me barazinë e aktorëve në treg. Kjo barazi do kuptuar si e përafërt me barazinë e sprinterëve në startin e një gare atletike, e cila merret si e mirëqenë në sport, por jo gjithnjë në fusha të tjera. Përcaktimi i çmimeve dysheme dhe në përgjithësi ndërhyrja e ligjit në përcaktimin e çmimeve është vetëm një nga mënyrat si mund të garantohet kjo barazi e nevojshme. Ka edhe mënyra të tjera, të cilat duan studiuar me kujdes.

“Altruizmi shoqëror” dhe “parimet e kulluara” janë faktorë veprues në sferën politike, ekonomike dhe sociale edhe kur askush nuk mund të konsiderohet përnjimend titullar ose depozitar i tyre. Parimet etike gjithnjë veprojnë si atraktorë, të arritshëm ose të paarritshëm; dhe janë të pranishme edhe atëherë kur shpërfillen me vetëdije.

[2004]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin