Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Fotografi

NJE SI DASHURI MERIMANGE

Është një fotografi e Prof E. Çabejt me E. Hoxhën, një fotografi mjaft e njohur. Që kur u bë publike, ishin të shumtë ata që përpiqeshin të merrnin me mend dialogun e atyre dy burrave që nuk i lidhte asgjë, veç qytetit të lindjes. Shiko, Eqrem, ngjante të thoshte diktatori, sikundër i gjithë populli edhe ju shkencëtarët duhet t’i shërbeni përjetë Partisë. Përjetë dakord, i përgjigjej Profesori, por asnjë sekondë më shumë.

Interpretimet të tilla që bëheshin midis miqsh të afërt (madje shumë të afërt), nuk ishin veçse shenjë e interesit të veçantë që ngjallte një takim i tillë i pamundur, kureshtjes që zgjonte biseda e atyre burrave aq të ndryshëm.Prof Eqrem-cabej-Enver-hoxha

Prej dhjetëra vitesh në Shqipëri ishte përpunuar dhe kishte marrë formë një regjim komunikativ tip i të gjitha diktaturave të majta a të djathtë qofshin, që lë të kuptojë se diktatori ka lindur për të folur, ndërsa ata që gjenden rrotull nuk janë veçse një rekuizitë që dëgjon. Do ta keni vështirë të gjeni një fotografi të Hitlerit, Stalinit, Frankos a Idi Amin Dada-së që u huazon veshin të tjerëve. Nga ky rregull nuk përjashtohet as E. Hoxha. Kishte një jetë të tërë që në gazeta e tv njerëzit e shikonin tek jepte porosi për gjithçka e për gjithkënd, këshilla në sasi industriale, shprehje kjo e delirit të tij narcistik që po rrezikonte atrofizimin e materies gri. Një ushtrim i tillë, siç ishte të menduarit qe kthyer në fatkeqësi për shumë vetë dhe përfundimisht kishte nisur të cilësohej si gjësendi e rrezikshme. Truri kombëtar në mënyrë alarmante po merrte trajtat e një apendiksi të dytë.

Befas u shfaq kjo fotografi, ku duket sikur bashkëbiseduesi nuk ka durim t’i dëgjojë deri në fund ato që po thotë diktatori. Dhe i shpreh mendimin e tij, madje me një dorë të mbështetur në divan, si për të thënë: po vazhdove kështu unë po ngrihem e iki. Tjetri, lëviz nga vendi, përdridhet, ngre gishtin e madh e përpiqet t’ia rreshtojë edhe një herë argumentet e tij të konfeksionuara, por përsëri e ka të vështirë ta marrë nën kontroll inteligjencën e bashkëbiseduesit. Ai vazhdon ta mbajë dorën përpara, si shenjë refuzimi për gjithçka që lidhet me individin e dyshimtë që ka në krah.

Vërtet, çfarë kishte ndodhur? Ka mundësi asgjë. Secili shprehte natyrën e tij të thellë. Njëri thelbin e tij ekzibicionist, gjakimin për të qenë në qendër të vëmendjes, për të dhënë “porosi”, për të thënë fjalën e fundit, tjetri aftësinë për të shquar me kthjelltësi thelbin e problemit, për të mos u hipnotizuar, për të ruajtur pavarësinë e mendimeve të tij, kjo edhe në rrethanat e një mjedisi që nuk lejonte të mugullonte asnjë ide tjetër, veç derivateve të nekrotizuara të “mësimeve të Partisë” (një lloj eufemizmi për idetë shamanike të diktatorit) që ngjanin si zgjatime kristalesh kripe, në një pellg ku avullimi i ujit, materies që mundëson jetën, shihej me sy të lirë.

Ata që e njohin nga afër historinë e kësaj fotografie e dinë se ajo është realizuar gjatë një takimi jo zyrtar, që në të vërtetë ka qenë edhe takimi i tyre i vetëm jashtë ndonjë ceremonie të rastit në kuadër të veprimtarive të Akademisë së Shkencave.

Për çfarë po bisedojnë? Mendoj se kjo pyetje nuk duhet shtruar në këtë rast. Përmbajtja e saj vetëm se do ta parazitonte marrjen e mesazheve që përcjell lirshëm çdo element i kësaj fotografie.

Për më kureshtarët, shtojmë se nëse nuk mund të hamendësosh për temën e diskutimit të tyre, diçka mund të thuhet për atë që nuk mund të mos bisedonin. Kur dy të njohur të vjetër takohen në perëndim të jetës së tyre, ata natyrisht kanë nostalgji për kohët e dikurshme, do të kujtojnë vitet e shkuara, të njohurit e përbashkët.  E pra, midis tyre kjo nuk mund të ndodhë. Do të qe mjaft e sikletshme. Hoxha ka ngritur në këmbë një karabina të frikshme të krimit shtetëror dhe pjesën më të madhe të tyre e ka vrarë ose e ka lënë të kalbet burgjeve.

Por ama, për diçka edhe duhet të flasin, megjithatë! Si njohës i marksizmit (gjë që meriton një analizë sepse ai kurrë në jetën e tij nuk ka marrë ndonjë leksion për të, kurrë nuk ka qenë pjesë e ndonjë rrethi debatuesish a intelektualësh të majtë, kurrë nuk ka pasur mentorë savantë prej të cilëve mund të përfitonte qoftë edhe duke i dëgjuar), pra si marksist rural ai e ndjen veten në pozicion force edhe për fushën e specializuar të Prof. Çabejt, historinë e gjuhës, etimologjinë. Dhe nis e flet. Por flet… për pellazgët.

Ka disa regjistrime në Radio Tirana, që janë bërë nga kronistët e saj në raste takimesh të E. Hoxhës me albanologë të ndryshëm (kurrë të publikuara), ku ndërsa këta të fundit ngrenë probleme thelbësore të shkencave albanologjike, ai, Enver Hoxha, nis e flet për pellazgët, sipas trajtimit që i ka bërë kësaj teme një burë fort i nderuar, Prof. S. Konda, por që edhe pse më sistematik, në metodologji rimerr të njëjtën logjike me të cilin u trajtua ky problem në periudhën e Rilindjes kombëtare, pra në një kohë (që më duket se është kthyer edhe sot) kur nuk mund të ishe patriot i mirë pa thënë diçka për lashtësinë marramendëse e legjendare të shqipes dhe të shqiptarve vetë. Ndërkohë që ka një sërë problemesh të pazgjidhura për të folur me një farë sigurie për prejardhjen ilire të shqiptarve, i gjithë ky folklor modern me pellazgë nuk ngrihet dot as në nivel teorie dhe sot e kësaj dite mbetet diçka si ajo puna e mormonëve që janë të bindur se Krishti ka kaluar një herë andej nga Amerika, siç më thoshte dje njëri prej tyre që më ndaloi në rrugë.

E pra, ndërsa ndonjë nga studimet e jetës së prof Çabejt, si ai mbi Mesharin e Buzukut, pasi u shtyp në Rumani (me financimin e vetë profesorit), u ndalua të qarkullojë dhe po kalbej në bodrumet e Institutit, në një kohë kur një korpus i rëndësishëm i studimeve të tij botohej në Prishtinë e jo në Tiranë, kur studimet etimologjike ndeshnin në vështirësi botimi, E. Hoxha pasionohet pas pellazgëve të Kondës. Jo vetëm kaq, por është ai vetë që interesohet drejtpërdrejtë që një libër i shkruar prej tij, të botohet me një tirazh të mirë në një nga shtypshkronjat ushtarake të vendit.

Këto thjesht për të kuptuar se sa jo produktive është të përsiatësh rreth bisedës së tyre të asaj dite, sa i ndryshëm ishte kuptimi i tyre për problemet e vërteta të albanologjisë, sa e vështirë ishte që ata të gjenin një terren të përbashkët diskutimi të vërtetë e të sinqertë. Dhe pikërisht një gjë e tillë të shtyn të mendosh se thelbin e këtij takimi mund të kapim vetëm në sajë të asaj që Barthes e quan “polisemi të imazhit”. Pra, në vetvete ky imazh flet edhe për diçka tjetër që nuk ka lidhje fare me bisedën e tyre. Është pikërisht kjo që na intereson dhe në kushte të tilla, interes të veçantë paraqet konteksti i këtij takimi.

Jemi në prag të viteve ’80. Ka pothuaj dyzet vjet që E. Hoxha ka ardhur në pushtet, fillimisht si një prokonsull i Jugosllavisë, dhe prej asaj kohe e ka vënë vendin nën një dietë paleolitike, por që më parë është kujdesur t’u presë barin njerëzve te këmbët. Teknologjitë e reja nuk kanë ndryshuar shumë gjëra, varfëria ushqimore, shpirtërore e kulturore është dëshpëruese. Sapo bie nata, si të ishin silueta jashtëkohore indigjenësh prekolombianë që observojnë qiellin majë piramidave të tyre, shqiptarët hipin tarracave dhe drejtojnë antenat nga të munden me shpresë se do të kapin sinjalet e një qytetërimi tjetër.

Stinës së re të gjuetisë që është hapur që prej dhjetë vjetësh, as që i shihet fundi. Shumë vetëve Hoxha ka nisur t’u ngjajë si një dervish rrotullues, që befas ndalon dhe fatkeqi që ndodhet më pranë, tetanizohet në vend e nisin t’i ikin ujrat nga tmerri. Citatet e marksizmit ai i përdor si rruzujt e geishave, me të cilat huton kundërshtarët e tij para se t’u fusë gishtat… në sy. Ai flet edhe për demokracinë, por në vizionin e tij ajo nuk shkon më larg se zgjedhja e të njëjtit despot fshati, në këtë rast të atij vetë dhe të ca energumenëve të tjerë, çdo katër-pesë vjet.

Dhe tamam, duke vënë në jetë vizionin e tij për demokracinë, ai dikur vëren rezultate të çuditshme edhe për atë vetë: pak, shumë pak nga “shokët” e dikurshëm kanë mbetur ende në këmbë. Në librat me kujtime që shkruan janë gjithnjë e më të pranishëm dialogët surrealistë e të paverifikueshëm me të dënuar e të vrarë. Edhe pse vendi është rezervat pa fund të ekzaltuarish që mbushin radhët e forumeve teatralë partiakë, përsëri ai nis e ndjen erën ulëritëse të shkretëtirës që ka shkaktuar rreth vetes. Pothuaj të gjithë komandantët e komisarët e dikurshëm të brigadave partizane, ata që bënë luftën, janë sharruar me plumba dhe emrat e tyre nuk duhet të zihen me gojë. Komandantët e zonave operative, ata që drejtuan realisht luftën, janë pushkatuar prej kohësh, pastaj u erdhi radha të tjerëve e përsëri të tjerëve. T’i qëndroje afër atij, ishte shndërruar në një lloj operacioni vetëvrasës, por një gjë të tillë njerëzit e kuptonin pak si vonë, përgjithësisht vetëm kur gjendeshin ballë togës së pushkatimit, me të cilën qe e vështirë të dialogoje gjatë.

Me të drejtë familjarët e Prof. Çabejt thonë se nëse ai ka shpëtuar i gjallë, kjo ka ndodhur sepse i ka qëndruar larg diktatorit, por ja që një ditë është ky i fundit që kujtohet për të. Shqetësuese apo jo? Gjithçka të sjell në mendje imazhin e një merimange të vjetër që befas ka rënë në dashuri dhe hap shputat me qime e afrohet ta mbështjellë me jargët e saj objektin e atij pasioni të papritur.

Profesori nga ana e tij do ta ketë ndjerë erën e squfurit që rrethonte diktatorin, por siç kishin bërë edhe të tjerët para, është ulur ta dëgjojë. Por ai nuk mund të dalë nga natyra e tij, nuk mund të rrijë e gëlltisë deri në fund idetë e tij me konture flu. Dhe ngre dorën përpara…

Natyrisht, ai nuk ka si ta dijë, ndonëse ndjente diçka (shpesh na ftonte të ulnim zërin, kur dëgjonte hapa nëpër shkallë), por hipokrizia e grishësve të tij, ajo që zbulon të vërtetën e shprehjes së kësaj “miqësie” të vonuar prej merimange, është se ata e dinin mirë se Profesori ishte nën survejimin e plotë të policisë së tyre të fshehtë, bashkëshortët Hoxha prej vitesh ndiqnin se si Sigurimi i Shtetit shtonte volumin e dosjes së tij faqe pas faqeje, denoncim pas denoncimi. Dhe, ndryshe nga morali juridik edhe i latinëve më shumë se dy mijë vjet më parë që mendonin se: Actio personalis moritur cum persona (Një veprim i lidhur me një person, vdes me atë vetë), dosja policore e ndjekjes së Prof. Çabejt do të mbyllet shumë kohë më pas vdekjes së tij. Shprehje e veçantë miqësie?

Atëherë përse ky takim?

Ka shumë vite që i vij rrotull kësaj pyetje. Sot nuk kam dyshim se nga mënyra se si është trajtuar dhe vendi që i ka dhënë këtij takimi znj. N. Hoxha në kujtimet e saj, gjithçka të lë të kuptosh se nëpërmjet autoritetit shkencor e moral që përfaqëson prof. Çabej ajo synon të rimasterizojë imazhin e diktatorit, i cili në përfundim të jetë së tij mund të mburrej vetëm si pronar i një varreze të tërë të mbushur me viktimat e tij, nëpërmjet takimit me të ajo synon të ndalojë rrjedhjen e ndryshkut gotik që po zbret teposhtë shtatores ende lëvizëse të bashkëshortit të saj, duke lënë të kuptojë se ai nuk sheh ëndrra me armiq, të cilët i arreston të nesërmen (siç flitej atëherë), por ka një jetë të shëndetshme intelektuale dhe shkencore, takohet shpesh dhe bisedon gjëra shkencore me “vërsnikun” e tij (sic).

Dhe për ta dokumentur këtë është kujdesuar që në atë takim të mos mungojë një fotograf zyrtar.

Fort mundësisht, ai do të ketë qenë dhe problemi i vërtetë për profesorin. E ka të qartë se biseda që po bën me diktatorin nuk ka asnjë rëndësi, se nga gjithë ai takim do të mbesë vetëm një fotografi.

Dhe, fare i kthjellët për mënyrën si do ta paraqitej ajo, në shenjë mesazhi për ata që do të vijnë më pas, ai ka nxjerrë dorën përpara si për të shprehur refuzimin e tij për shoqërinë që i është ofruar aq papritur nga ana e një individi të cilin historikisht e sheh si të pafrekuentueshëm.

 

 

7 Komente

  1. Interesante Lyss. Nje skice terheqese, bardh e zi, plot dritehije.
    Por qe une (per fat te keq) e lexova tek TemA on line…
    Hmmm, ka ca shkrime qe mund te shijohen vecse si “peizazhe” te fjales dhe ky eshte posacerisht i tille. Shkrime qe jo domosdoshmerisht duhen pare nen driten llampes se skrivanise se hetuesit, per te zhbiriluar se cfare ka dashur te thote autori me kete?; ku do te dale ai?; (dhe me te gjitha) kujt i sherben?
    Ka shkrime qe burojne ne nje menyre cuditerisht te pavarur nga realitetet objektive dhe fare mire mund te etiketohen “per qef te shpirtit tim”.
    E lexova me (ndoshta po aq) qef sa ce ke qendisur ti, duke te ndjekur me shume me instrumente subkoshiencjale sesa koshiencjale ne kete kerkimin tend per historine pas nje fotografie.

  2. Mua me vjen keq qe gazetare pa emer si ky i shkrimit te mesiperm vjedh pa pike turpi nje koment timin ne gazetat Dita dhe Tema,te para nje muaji,kur pati nje debat lidhur me maredhenjet e acaruara te shkencetarit me diktatorin.Komenti im fokusohej pikerisht ne kete fotografi qe flet.Eshte shume me autentik komentuesi @Pirro ne komentin e tij se autori plagjator i ketij shkrimi copy paste.Lidhur me profesorin e historise ne lyceun e Korces.Konda,i cili ka qene edhe profesor i Hoxhes(ne lenden e tij nxenesi mediokerr Hoxha ka noten maximale),ne rrethet shkencore te Tiranes ne vitet 60 konsiderohej,si personazhi mitik i Ismail Kadarese,Dino Cico,qe ndertoi nje aeroplan,qe nuk fluturoi kurre.Etimologjite e profesor Kondes jane folklorike dhe joshkencore.Nuk ka prova te dokumentuara qe profesor Konda te kete pasur njohuri shkencore mbi gjuhen sanskrite,por ka nje botim te diplomes se Llazar Gushos,i cili ka mbrojtur doktoraturen ne universitetin e Vjenes,pikerisht me Vedat e sterlashta indiane ne kete gjuhe.Nuk ka asnje prove te dokumentuar te pellasgjishtes,qe mund ta krahasojme me shqipen,keshtu qe te gjitha hamendesite mbeten ne nivelin diletantesk.Perpjekjet e komentuesve,te profesor Kondes,te Nermin Vlores Fallaski.te Aristidh Kolias,(te nje cami te krishtere nga Preveza,tani qe s’me kujtohet emri) me gjithe deshiren e mire,jane perpjekje amatoreske,qe sherbejne me shume per t’u “perleshur”me filologet analloge popullore te Greqise se sotme.Cfare ka lene gjuha pellasge,qe vlen te krahasohet me gjuhet e sotme te gjalla/?Asgje.Edhe toponimet Naissus,Lissus,Leussa,Scupis,qe i vishen pellasgeve,jane hamendesime te Georg vohn Hahn,te nxitura nga deshmia e Herodotit,qe Pellasget flisnin me s.

    1. Po ju përgjigjem si administrator i blogut, pa paragjykuar çfarë do ta shohë të udhës t’ju thotë autori vetë.

      Ky që keni nxjerrë këtu po më duket si i njëjti koment që keni nxjerrë edhe tek “Tema”; disa referenca që keni, p.sh. ndaj “komentuesit @Pirro” janë të pakuptueshme.

      Autori i këtij shkrimi, Lyss, nuk është ‘gazetar pa emër’; dhe vëtë Lyss nuk është pseudonim, por pen name. Ju mund të mos e njihni, por kjo nuk i ndryshon asgjë statusit të tij.

      Këtë shkrim, që doli në blog në orën 9:30 të mëngjesit (ora e Shqipërisë) e mori gazeta “Tema” menjëherë, kam frikë se pa leje nga autori, madje pa u kujdesur që t’ia përmendte edhe emrin – edhe pse të paktën ia njohu shkrimit burimin nga Peizazhet.

      Duke e njohur autorin, nuk e besoj akuzën që ia bëni për plagjiaturë; dhe që, nëse vërtet i qëndroni kësaj që thoni, duhet ta argumentoni menjëherë, duke cituar për verifikim pasazhin nga pretendoni se qenka kopjuar shkrimi i Lyss-it.

      Mbetem në pritje të përgjigjes suaj.

      1. Duke marre per te vertete absolute qe ti xhaxhai je kontributori me i shpeshte i blogut, tani qe ndave mendjen te “mbetesh ne pritje”, me deshperim them qe Peizazhe te Fjales kaq e pat:)…
        Jo po se AY ben vaki edhe vjen, puna eshte

        1. …. se NE dhe AY jetojme ne bote qe nuk priten, ndaj edhe takimi nuk ndodh kurre…

    2. Lis Dushku,
      Thote nje fjale nga Shkodra, je i marre apo te vret kepuca? Paskam vjedhur nje shkrimin tend te Tema (Diten nuk e gjej ku eshte), nderkohe qe Tema ne fund te shkrimit thote se e ka marre nga Peizazhe te fjales?
      Natyrisht, krejt pa lejen time dhe me vjen keq sepse dikur me kete gazete kam bashkepunuar shume.

      Me kete shkrim vetem se kam “vjedhur” veten time. Te libri im Fjalori Enciklopedik i Politikes (botimet Logoreci), botuar nja dhjete pesembedhjte vjet më parë ne Tirane, mund të gjesh analizen e pare te kasaj fotografie ne zerin per prof. Çabejt dhe me tej ne zera te tjere, teresine e ketij shkrimi.

      Do te desha te kishit thene ndonje gje me te zgjuar qe te debatonim per kete teme qe me terheq, por nuk gjej gjesendi te tille dhe po te le te fermentohesh ne lengun tend me ere te pakendeshme.

  3. [Brikena Çabej, e bija e profesor Çabejt për ata që nuk e dinë, më ka dërguar saktësimet e mëposhtme – të cilat nuk po arrin t’i futë vetë, për një arsye teknike:]

    Nuk do të bëj këtu komente përmbi tekstin e Lyss, të cilin e kam mik të hershëm shtëpie dhe e di se shkruan me simpati e nderim për tim atë. Por për hir të së vërtetës dua të vë disa pika mbi i.

    Shkruan Lyss për botimin e Buzukut: “…u shtyp në Rumani (me financimin e vetë të profesorit)…”

    Ky pohim nuk është i vërtetë e nuk ka si të jetë. Kurrkush në atë kohë nuk mundej e as nuk qe në gjendje, të financonte ndonje gjë, le më një ndërmarrje të tillë. Botimi i Buzukut sigurisht që u krye e u pagua nga shteti shqiptar, ashtu si dhe çdo botim tjetër shqiptar i atëhershëm, pa asnje përjashtim.

    Im atë siguroi mundësinë e shtypjes në Rumani, nëpërmjet kolegëve të tij rumunë. Pra, qe ta them me gjuhën e ditëve të sotme, ai gjeti shtypshkronjën. Në të vërtetë libri kishte qenë gati për shtyp qysh prej vitit 1957, por në Shqipëri mungonte teknologjia për atë shtyp të komplikuar. Shteti shqiptar pati bërë më duket përpjekje ta realizonte në Gjermani lindore, por këto përpjekje nuk patën dhënë rezultat. Mbase për shkak të prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Dhe libri kishte mbetur pa botuar. Kontaktet me Akademinë e Shkencave të Rumanisë, sipas letërkëmbimeve që gjenden në arkivin e tij, E. Çabej i pati nisur qysh në fillim të viteve ‘60, por libri u shtyp më në fund vetëm më 1968. Pra u deshën dhjetë vjet që të arrihej botimi i Buzukut.

    Do desha të saktësoj gjithashtu se gjesti me dorën ngritur përpara, si në foton në fjalë, ka qenë krejt i zakonshëm e karakteristik për tim atë gjatë bisedave. Madje edhe i disa pjesëtarëve të tjerë të familjes, jo vetëm i tij. Them se më fort ai gjest tregon lirshmëri në bisedë. E mua më tregon se biseda nuk do të ketë qenë me shumë ngërçe.

    Duhet thënë se shkak për këtë takim krejt befasues e unik mes tyre, ka qene artikulli i E. Çabejt permbi pastërtinë e gjuhës, në dy numra të “Mësuesi” , më 28 mars e 4 prill 1979. Ai artikull duket i ka pëlqyer shumë E. Hoxhës, sepse fill pas botimit ai pati bëri një gjë që do të ketë qenë fort e rrallë për të. I pati telefonuar autorit në shtëpi, duke i thënë se e kishte lexuar me vëmendje artikullin dhe e kishte çmuar shumë. Unë kam qenë e pranishme kur u zhvillua kjo telefonatë dhe e kujtoj fare mirë befasinë dhe çudinë e tim eti.

    Takimi i fotos që interpreton Lyss është zhvilluar pak kohë pas telefonatës dhe duket ka qenë kryesisht për këtë çëshje e jo për punë pellazgësh. Fakti është se disa nga propozimet e detyrat e shtruara nga E. Çabej në atë artikull u vunë shpejt në jetë, p. sh. çelja e revistës “Gjuha jonë”.

    Duhet të shtoj këtu se, megjithë simpatitë që mund të kenë pasur personalisht krerë të regjimit për lidhjet e shqiptarëve me pellazgë, etruskë e kësodore, këto simpati nuk iu shpalosën ndonjëherë zyrtarisht publikut. Ka fakte dokumentare që tregojnë se, sa herë shfaqej në horizont ngashënjimi i primatit të shqipes mbi gjuhët e botës mbarë, ata u kërkonin mendim specialistëve, pritnin përgjigjet me shkrim dhe u përmbaheshin rekomandimit të këtyre specialistëve. Për të dhënë një shembull, Çabejt i është kërkuar mendim për librat e Z. Mayanit, nëpërmjet rektorit të Universitetit asaj kohe, K. Yllit, dhe pas përgjigjes së tij të gjatë me shkrim, nuk i ra më njeri asaj daulleje. Edhe pse me gjasë do të ishin joshur fort nga libri i Mayanit “Fundi i misterit etrusk”, përderisa ai libër qe përkthyer e botuar me shpejtësi në Tiranë. Dëshmi të tilla ka disa në arkivin e tim eti.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin