Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

NJERËZ QË

njerëz që të korrigjojnë me laps gabimet që ke në ADN

njerëz që të marrin në telefon dhe duan që t’u dalë posta zanore

njerëz që vijnë shumë herët në takim dhe të shohin pastaj me inat, kur ti vjen në kohë

njerëz që mendojnë se të gjitha feministet janë lesbike, por jo të gjitha lesbiket janë feministe

njerëz që kujtojnë se ekziston vetëm një kopje e Kanunit

njerëz që besojnë se Skënderbeu i shkruante gjithnjë ë-të me dy pika sipër

njerëz që nuk arrijnë ta shpjegojnë pse Italia, në hartë, i ngjan një çizmeje

njerëz që janë me vetëkurdisje: duhet të vijnë rrotull, që të mbeten gjallë

njerëz jo vetëm e hanë sapunin për djathë, por edhe që, kur bëjnë dush, e fërkojnë trupin me një copë kaçkavalli

njerëz që vrasin mendjen se pse gratë i kanë zakonisht flokët më të gjatë se burrat

njerëz që mbjellin vezë në kopsht

njerëz që kanë humbur, si fëmija në pyll, dhe e kanë nisur pastaj jetën nga e para

njerëz që nuk presin fundin e botës, por fillimin e botës

njerëz që besojnë se nuk ka Zot

njerëz që fshehin bar në kasën e kitarës

njerëz që flenë me qenin dhe zgjohen me macen

njerëz që u hanë vetëm salcën makaronave

njerëz që kanë frikë nga çorapet

njerëz që vajtojnë për episodet e humbura të Tom & Jerry

njerëz që pinë ujë deti

njerëz që besojnë se fjala e parë ka qenë “Jo”

njerëz që besojnë se fjala e parë ka qenë “Ja”

njerëz që besojnë se fjala e parë ka qenë “Ja”, por në gjermanishte

njerëz që duan t’u bëjnë të gjallëve autopsinë

njerëz që i shpjegojnë ëndrrat duke të parë filxhanin

njerëz që s’e pinë kafen, sepse nuk duan t’ua shohë kush filxhanin

njerëz që kujtojnë se të gjitha ngjyrat janë nuanca të së zezës

njerëz që, kur i pyet sa bëjnë 1 + 1, të thonë ‘kjo varet’

njerëz që nuk u bie kurrë telefoni

njerëz që koleksionojnë mbathjet e tyre të përdorura

njerëz që ngjitin shkallët me karrige me rrota

njerëz që formojnë fjalë me shkronjat e tabelave optometrike

njerëz që kujtojnë se Shopenhaueri ishte haueri i Shopenit

njerëz që i kundërshtojnë të parët dhe u thonë se Shopeni nuk dihet të ketë pasur hauer

njerëz që nuk dallojnë dot një do diezis nga një re bemol

njerëz që kujtojnë se logaritmi është një lloj ritmi

njerëz që kanë frikë nga pasqyra e shtypit

njerëz që nuk e përdorin kurrë dëshiroren, ngaqë janë supersticiozë

njerëz që i ujitin lulet me qumësht

njerëz që i ujitin lulet me qumësht të skremuar

njerëz që kujtojnë se vagabond është dikush që ecën me këpucë të zgjidhura

njerëz që e mbajnë gjithnjë një cigare me vete, për ta pirë në rast se qëllon t’i ekzekutojnë

njerëz që duan të vizitojnë Francën për të parë revolucionin francez

njerëz që kujtojnë se 18 brymeri është një ditë kur ra brymë e madhe

njerëz që i qajnë hallin Marksit për bëzhdilet që i mblidheshin në mjekër

njerëz që shkojnë në teatër sepse u pëlqen sipari

njerëz që u sëmbojnë plagët e luftërave imagjinare

njerëz që duan të vënë rregull në kalendar

njerëz që kur s’e bëjnë dot flamurin këmishë, e bëjnë këmishën flamur

njerëz që bëjnë vrap për të provuar atletet e reja

njerëz që kur vdes kush, përdorin foljen “shuhet”

njerëz që nuk e ndërrojnë briskun

njerëz që kujtojnë se Ciceroni punonte në Foro Romano

njerëz që i rrëzojnë statujat nga piedestalet, për t’i çuar në shtëpitë e tyre

njerëz që mrekullohen pas orarit të trenave

njerëz që të thonë se je hequr

njerëz që të thonë se je kequr

njerëz që besojnë se shahu është gjimnastika e mendjes

njerëz që futen në det vetëm për të urinuar

njerëz që kanë vite pa i futur një herë gishtat në hundë

njerëz që i vënë të plotësojnë një formular, para ekzekutimit

njerëz që mendojnë se karrikja elektrike nuk është se përdoret vetëm për të vrarë njerëz

njerëz e pinë ilaçin e gjumit në mëngjes, po të kenë harruar ta pinë në mbrëmje

njerëz që ankohen pse nuk gjejnë orare për trenat e mallrave

njerëz që të thonë se, në kohën e Mussolini-t, trenat arrinin dhe niseshin gjithnjë në orar

njerëz që kontrollojnë xhepat e kostumit, para se t’ia veshin të vdekurit

njerëz që besojnë se sorkadhja është gruaja e drerit

njerëz që kafen e sotme e lënë për nesër

njerëz që kur u thua se ke botuar një libër, të pyesin ’sa faqe është?’

njerëz që merakosen si i kryejnë nevojat fiziologjike astronautët

njerëz që shkojnë në pazar për të blerë dhe që habiten me ata që kanë shkuar në pazar për të shitur

njerëz që u japin lypësve lëmoshë me kartë krediti

njerëz që rebelohen ndaj antikonformizmit

njerëz që mendojnë se mazohistët nuk duhen torturuar

njerëz që nuk mbajnë pará me vete, ngaqë prishin shumë

njerëz që kujtojnë se Galileu ka eksperimentuar me kullën e Pizës

njerëz që të vrasin ditën dhe pastaj të vrasin edhe një herë tjetër natën

njerëz që nuk shkojnë në funerale sepse u bëjnë alergji lulet

njerëz që janë aq kurrnacë, sa nuk bien dot në peshë

njerëz që u shkruajnë letër anonimëve

njerëz që të çojnë deri te çezma dhe pastaj të japin edhe ujë

njerëz që të urdhërojnë t’i futësh arrat e qëruara në lëvozhgë

njerëz që nuk u kanë rënë akoma dhëmbët e qumështit

njerëz që e kruajnë veshin me turjelë

Pa Komente

  1. Lexova dy tekste me siper; njeri ishte poezi. Te dy me pelqyen shume, deri sa gjeta edhe te tretin e m’u duk si jeteshkrim imi i kamufluar, qe nga frika ndaj corapeve (qe mua me bllokon tek golfi dhe menget e sapolara) e deri tek frika nga lulet ( prej alergjise ndaj funeraleve) dhe besimi se po te ishte sorkadhja burre, do te deshiroja te isha grua, apo deri tek qarja e hallit Marksit per cka me mbeshtillet cdo semester ne laring te lavamanit – gje qe na shpie vetiu tek brisku dhe njerezit qe besojne se nuk perdoret vetem per t’u rruar, njelloj si rreshti me karrige elektrike ku me thoshin se grate vetem sa po “bejne floket”, por jo vetem, etj etj

    Nuk genjej po thashe se, ne nje moment, ne tekst filloi vetiu melodia; nuk di ta identifikoj, ta klasifikoj, nuk di e nuk me intereson ne ka lidhje me radion, traditen e deklamimit ne erresire, nen nje drite e melodi te dedikuar, po melodi pati fill pasi ritmi kerkonte dhe gjente veten ne vijim, filloi diku nga aty ku kapa veten pas shpine, duke u mrekulluar me orarin e trenave (stacioni si katedrale gotike) (njoha lekuren e cackes, skuqur nga turpi, thelbi ku fillojne e hapen floket e njohur).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin