Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

KUR ‘ZËRI I POPULLIT” VIDHET!

nga Pancho Villa

Ndoshta nuk do të kisha qenë kaq e ndjeshme ndaj një dukurie të tillë nëse nuk do të më kishte ndodhur mua vetë.

Sot më datë 19 janar 2012 lexova një shkrim të rekomanduar nga një miku im. Shkrimi më interesoi pasi ishte një reagim kundër ligjit të arsimit të lartë dhe kryesisht ishte i përqëndruar te TOEFL-i. Duke qenë se edhe këtu në blog para disa muajsh e kam shprehur nëpërmjet një shkrimi qëndrimin tim ndaj kësaj çështjeje, u interesova të lexoja këtë trajtim.

Shkrimi ishte botuar te gazeta “Zëri i Popullit” nga Romir Hadëri, një djalë që studion master në Universitetin e Tiranës. Duke ditur që para disa ditësh studentë te fakulteteve të ndryshme të universitetit të Tiranës organizuan një protestë lidhur me ligjin e arsimit të lartë, shkrimi më entuziazmoi pa e lexuar ende, një shkrim që ishte në mbështetje të kërkesave të studentëve. Duhet ta pranoj që u nisa ta lexoja me një paragjykim pozitiv.

Në 2-3 paragrafët e parë çdo gjë duket në rregull. Pasi lexoj më tutje me neverinë më të madhe vë re se ato fjalë e fjali më ishin tepër familjare dhe sikur më përkisnin. E vazhdova ta lexoja shkrimin me një frymë dhe e vërtetova përfundimisht që shkrimi që ky djalë e kishte publikuar si të tijin, ishe pothuajse fund e krye shkrimi im i publikuar para disa muajsh në këtë blog.

Paragrafe të tërë ishin marrë shabllon dhe nuk vihej re në to as mundimi më i vogël për t’i ndryshuar sadopak. Arroganca e këtij njeriu, që ishte dhe student për më tepër, paska qenë aq e madhe saqë nuk është munduar as ta fshehë “krimin” e tij. Jo vetëm kaq, por kur unë u lidha me të, ai e mohoi fajin dhe refuzoi të kërkonte ndjesë. Duke qenë se ai nuk e pati problem që të gënjente gjithë botën me një shkrim të vjedhur, nuk kam hiç konsideratë për privatësinë e tij dhe po publikoj një nga përgjigjet e tij kundrejt akuzës që i bëra:

“Kto jan fakte qe nuk i ke shpik ti as un, por jane fakte te dala nga ligji qe eshte i barabarte per te gjithe dhe ku te gjithe kane te drejten e marrjes se informacionit ndaj tij. E vetmja e perbashket eshte se ne jemi bazuar dhe kemi komentuar ne ligj, qe eshte i njejte per te gjithe. Por ne asnje menyre nuk kam kopju as bazu tek nje shkrim tjeter! gjithsesi edhe pse me vjen turp per padrejtesine ndaj meje eshte serish padrejtesi e juaja te abuzoni me emrin tim!”

Edhe nëse nuk do ta kishte kopjuar nga unë dhe do ta kishte bërë vetë apo do t’ia kishte bërë dikush tjetër shkrimin, sërish do dyshoja tek aftësitë e tij pas kësaj përgjigjeje, që tregon qartë se djali që kundërshton anglishten, ka ca probleme në të shprehurin korrekt në gjuhën shqipe.

Dua të besoj që gazeta apo kryeredaktori i gazetës “Zëri i Popullit” nuk ka pasur dijeni për këtë shkelje të të drejtës së autorit. Atij i është kërkuar që të kërkojë falje që qoftë edhe pa dijeninë e tij, diçka e tillë ka ndodhur në gazetën që ai drejton.

Përveç gjykimit tim subjektiv (në kuptimin e përfshirjes së emocioneve personale pasi gjykimi gjithsesi është i drejtë duke ditur që këtu është bërë një shkelje), me vjen keq edhe si qytetare të shoh se si një student ka kaq shumë shterpësi mendimi dhe duke e ditur këtë, një guxim të pakuptimtë për ta bërë publike mangësinë e tij.

Pyetja tjetër që më vjen ndërmend është se a është e pamundur për gazetat që t’i pikasin këto gjëra? Ndoshta raste të tilla ka pasur dhe më parë e mund të ketë edhe në vazhdim, por është me të vërtetë e tmerrshme të mendosh që një punë e dikujt të jetë kaq lehtë e cënueshme dhe e pambrojtur.

Dozat e nervozizmit shtohen edhe më tepër kur mendon se këtë shkrim autori i vërtetë mund ta publikonte gjithashtu në një të përditshme dhe nuk e ka bërë vetëm sepse e di që ekskluziviteti është i këtij blogu. Ndërkohë që dikush tjetër merr lirinë për të manovruar me po këtë punë në mënyrën më të paturpshme.

Për të vërtetuar që këto punime janë thuajse të njëjta, ja ku është linku ku vihet re publikimi i shkrimit për herë të parë te Peizazhe të Fjalës:

http://xhaxhai.wordpress.com/2011/06/06/tri-arsye-kunder-toefl-ave/ .

Më poshtë gjeni linkun e artikullit që është publikuar më 19 janar 2012 te “Zëri i Popullit” nga Romir Hadëri.

http://www.zeri-popullit.com/index.php?option=com_content&view=article&id=246:now-we-speak-english&catid=46:stock-market&Itemid=82

Krahasimet mund t’i bëni vetë.

Pa Komente

  1. Keto ditet e fundit qe Wikipedia protestoi kunder censures ne internet (vura re me kenaqesi qe edhe blogu PTF iu bashkua kesaj proteste), nje studente e imja postoi nje Facebook keto fjale:
    “Wikipedia u mbyll. Si do ti bejme detyrat tani?”
    Qesha; s’mund te qaja.

  2. Kureshtja më shty të shoh se sa e vërtetë është që ka kopjuar. I kopjova të dy variantet – mund edhe t’i quaja origjinali dhe kopja – dhe i krahasova nëpërmjet një programi kompjuterik. Ka copa të tëra thjesht të kopjuara, pa u shqetësuar fare se po kopjohet.

    Për mua problemi qëndron me redaktorët e gazetës.

    Nga ana tjetër, një hollësi teknike e blogut mund të lehtësonte mbrojtjen si të plagjiatorit, ashtu edhe të redaktorëve: blogu nuk specifikon asgjë për të drejta autori. Nuk ka asnjë shënim për Copyright, as në faqen hyrëse, as te faqja e shkrimit në fjalë.

    1. Kemi pasur, dikur, në blog, një shënim të copyright-it nga Creative Commons. Nuk di se si u zhduk dhe pse. Mirëpo ai lloj shënimi, besoj unë, ka pasur më shumë vlerë ligjore ose formale; ose do të shërbente për ta çuar plagjiatorin në gjyq. Përkundrazi, P.V. më lart shqetësohet për kopjimin si problem njerëzor, ose etik. Që nga momenti që një shkrim ka autor, ai është etikisht i mbrojtur me të drejta autori, përveçse kur autori vetë heq dorë nga ato (p.sh. autori i tabelës NDALOHET DUHANI; dikush do ta ketë sajuar atë tabelë i pari). Por një shkrim në blog është imi dhe mbetet imi – gjithnjë në planin etik – jo ngaqë atë e shoqëron lajmërimi përkatës i copyright-it.

      1. duhet ne fakt te ishte ceshtje etike dhe respekti per veten e tjetrin, mosvjedhja e asaj qe thote apo shkruan tjetri. Por eshte rralle keshtu. Dhe plagjiatura duhet se paku te behet publike, sepse ne fakt ajo vjedh te verteten nga publiku.
        Ishim femije 8-9 vjec, dhe po benim nje konkurs se cili prej nesh do krijonte poezine me te bukur. Kishim nje ore kohe. Secili shkoi ne dhoma te ndrsyhme e u perqendrua tek “krijimi me qellim i poezise”. U mblodhem pas ores dhe me kujtohet njera prej nesh kish shkruar vertet nje poezi te bukur. Por ishte nje njeri me nje mungese te vecante delli poetik. Por e pranuam. pas pak e ema solli nje reviste qe gjeti diku ku pame se ishte botuar poezia qe mikesha jone e kish pervetesuar. Mund te mendojme se duke u rritur njerezit duhet te ndryshojne. por jo te gjithe ndryshojne, dhe jo ne cdo aspekt.

  3. Ne mos qofsha gabim, para disa kohesh kam pare ne nje blog qe nuk me kujtohet tani dhe qe administrohej nga nje grua (ndoshta kosovare), qe e mbushte ate me shkrimet e xha-xha-it duke vene emrin e saj. Biles vazhdonte e qete ti pergjigjej edhe komenteve qe i benin te tjeret “shkrimeve” te saj. Dhe kjo gje ndodhte perdite dhe ne vazhdimesi. Nuk e di nese vazhdon akoma, por eshte nje rast per tu studiuar jo si shkelje e te drejtave te autorit, por si nderveprim i neuroneve ne trurin e njeriut.

  4. Po s’eshte ndonje qamet i madh, teza diplomash e doktoraturash e deri edhe libra, jane kopjuar, kopjohen e do te kopjohen ne perjetesi.

    Vetevendosja thote kopjimi lejohet, te lutem kopjoje.

    Nje shkrim pasi eshte ezauruar ne nje blog apo gazete, gjen jete te re, nese kopjohet, dmth ideja perhapet, ku ka me mire se kaq.

    Ja psh, shkrimi ne fjale, ketu ka pasur ta zeme se ish i suksesshem fale edhe debatit qe nxiti, mbi 1 000 shikime, ja 5 000, u ezaurua, tek zeri i popullit ideja mori jete te re, i jane shtuar edhe mijera shikime te tjera.

    Ne nje kohe qe sistemi si element thelbesor per mbijetesen ka ruajtjen e know how-it, keto plagjarizmat rreth ideve pak te perhapura apo te mbetura ne hije, edhe pse te denueshme ne vetvete, kryejne funksion pozitiv brenda sistemit.

    Ne tradite keto i perkasin ‘popullit’, populi ka thene, populli ka bere, populli ka krijuar, pavaresisht se autori ka humbur, ideja ka mbijetuar.

  5. Kopja ndeshkohet, dhe duhet te ndeshkohet, por ne Shqiperi, ku mund te jesh minister e kryeminister, te vjedhesh e te vrasesh, te kapesh me presh ne duar dhe te mos ndeshkohesh (ndoshta kjo te perforcon pozitat e kontrollit bile), ky djali Romir, rrezik vertet beson se s’ka bere asgje te keqe. Madje, ben vaki, nderkaq i ka mbushur mendjen vetes se vertet e ka shkruar ai ate shkrim.

    Raste botimesh te artikujve shkruar nga dikush tjeter (autor artikujsh gazete), ose faqe te tera kopjuar nga studiues shkencore, i kam pare botuar edhe nen emra te njohur e jo studente. Ka qene tradite ne Shqiperi keto 20 vjetet e fundit per profesore universitetesh qe te botojne libra per lende te ndryshme, apo edhe libra jo te destinuar si tekste mesimore, ku kopjohet pa skrupull dhe madje pa permendur fare origjinalin. Shpresoj qe kjo te jete ne renie.

    Problemi ketu eshte shumeplanesh, e s’di nga t’ia nisesh: eshte si puna e “bir Selman i nenes…”. Kur shkrimi publikohet ne gazete apo puna shkencore botohet, duhet te kete nje kontrollues, person apo komision, qe ka pergatitjen, aparatin dhe ndergjegjen e nevojshme te beje ballafaqimin e thjeshte te punes me pune paraprake. Dhe nje shkelje e tille e bere publikisht, duhet edhe te ndreqet po publikisht. Zeri i Popullit, duhet te thote neser se shkrimi i botuar ishte plagjiature, dhe t’i kerkoje ndjese publikut dhe autorit te origjinalit.

    E keqja eshte qe plot banore aktive te Tiranes se sotme qe shpesh e shohin veten neper show televizive duke diskutuar tema te rendesishme, qe te te rrefehen se nuk lexojne asgje qe del ne shtyp… se nuk ia vlen (sigurisht qe info te fresketa, mish te gjalle, mund t’i marresh edhe neper kafene). Keshtu barra per kapjen e problemeve te tilla, u bie direkt e 100% punonjesve te gazetave apo shtepive botuese.

    Per shqetesimin me lart te Pseudonimit per Wiki-n, ka studente qe kopjojne, por ka edhe nga ata qe e perdorin per te germuar e qartesuar idete. Ketu s’ka gje te keqe, them.

    Noten e Hyllinit me siper, une mund ta kuptoj vetem si ironike, dhe me te si te tille do isha dakord.

  6. Hyllin eshte e vertete se nese nisemi nga situata aktuale brenda kontekstit shqiptar, vertet qe nuk eshte ndonje gje e madhe. Fundja fundit cfare nuk eshte vjedhur e po vidhet ketu! Ketu po vidhen e po kopjohen deri te temat e doktoraturave, kujt iu be vone per nje shkrim blogu!
    Mirepo kjo lloj mendesie nuk eshte pa rrezik. Nese rrembehesh nga ndryshimet e vazhdueshme dhe intensiteti i larte i tyre brenda nje situate te caktuar, atehere rrezikon qe parimet e te drejtes dhe etikes te ndryshojne po aq shpejt dhe c’ishte etike dje nuk do te jete sot per shkak se vlerat dhe normat jane ne ndryshim te vazhdueshem. Sistemi mund t’i ndryshoje vlerat dhe normat sa here t’i teket. Ne nuk jemi instrumenta te sistemit qe te perdoremi madje me vetedije te plote nese i referohem asaj qe thua ti.
    Kur une e denoncoj kete djale nuk e bej sepse mendoj qe shkrimi im ka nje rendesi thelbesore dhe duke e vene ne pah kete i jap me shume rendesi shkrimit. Shenjat e mia te nervozizmit ketu jane shume te natyrshme dhe jane menjehere pas leximit te shkrimit.
    E mendova dhe perhapjen e idese qofte edhe nepermjet plagjiatures. Nuk mundem ta justifikoj. Jo gjithmone i rendesishem eshte perfundimi. Ndonjehere rruga qe pershkohet per te vajtur deri atje eshte me e rendesishme. Mua nuk me intereson qe ideja ime te perhapet duke u vjedhur. Ne kete rast nuk ishte as ndonje ide e jashtezakonshme per t’u perhapur sepse une nuk kisha prodhuar ide aty. Nuk ishte shkrim me karakter sintetik te mendimit. Ishte nje analize e thjeshte e situates e te tilla ka pasur plot.
    Une dhe egoja ime nuk ndihemi te perkedhelura nga vleresimi i ketij tipi qe nuk shkruan dot 3 fjali dhe qe nuk e ka per gje te publikoje punen e te tjereve si te tijen.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin