Duke komentuar për një shkrim para pak ditësh, GH përmendi problemet që dalin nga përkthimi i keq të ligjeve dhe akteve nënligjore, i cili për nga dëmi mund të krahasohet me një bombë me veprim të ngadalshëm në të drejtën shqiptare; sidomos sa kohë që një jurist i zoti mund të mbështetet në formulimin e keq ose alogjik të një akti, për ta kundërshtuar ose rrëzuar, ose për të përligjur shkeljen e tij të supozuar.
Aq më shqetësuese është kjo dukuri, po të kihet parasysh se ligjërimi juridik mbetet baza e ligjërimit publik.
Pse po përkthehet kaq keq në shqipe? Natyrisht, fajtorët kryesorë duhen kërkuar mes autorëve të këtyre përkthimeve, të cilët nuk njohin as problematikën e fushës përkatëse, as gjuhën shqipe – por shpesh e kujtojnë veten përkthyes vetëm ngaqë kanë studiuar lëndën e gjuhës shqipe në shkollën tetëvjeçare.
Për më tepër, shqipes i mungojnë fjalorët terminologjikë, shpjegues dhe shumëgjuhësh. Sado i lëçitur të jetë përkthyesi në një fushë të caktuar, duke përfshirë edhe fushën e së drejtës, gjithnjë do të ndeshë në terma dhe koncepte relativisht të vështira, të cilat nuk i përmbajnë fjalorët standard dygjuhësh, p.sh. due diligence.
Megjithatë, përkthimet juridike vuajnë edhe nga mungesa e sistemeve konceptuale të përshtatshme në kulturën juridike shqiptare, e cila mungesë nuk është vetëm gjuhësore, por edhe, si të thuash, kulturore.
Shkruan GH:
Në shqipen praktike juridike të pas 1990 shpesh logjika nuk është kriteri kryesor i përpilimit të kontratave apo i justifikimit të padive apo prapësimeve përkatëse. Shqipja e sotme juridike që rregullon marrëdhëniet e të drejtës ndërkombëtare private hartohet kryesisht në bazë të platformave të përpiluara paraprakisht në një gjuhë tjetër, kryesisht në anglisht dhe si përpiluesit ashtu edhe përkthyesit nuk zbatojnë kritere logjike që do të duhet të rridhnin vetëkuptueshëm nga një logjikë juridike tradicionale evropiane.
Çështja është më serioze se ç’mund të duket në vështrim të parë, meqë nuk ka lidhje vetëm me gjuhën, as vetëm me interpretimin e një teksti ligjor të përkthyer, por me vetë adoptimin që u bëhet formave organizative dhe institucioneve të reja nga Perëndimi.
Tek e fundit, çdo institucion përkufizohet, para së gjithash, si tërësia e funksioneve që përmbush; çka do të thotë se ky institucion përkufizohet nga ligji ose ligjet që e kanë sjellë në ekzistencë dhe nga aktet nënligjore ose rregulloret ose normativat e ndryshme që ia rregullojnë funksionimin.
Në qoftë se, pas vitit 1990, Shqipëria ka adoptuar sistemin pluralist demokratik perëndimor, e ka bërë këtë para së gjithash duke rishkruar kushtetutën, në bazë të modeleve perëndimore; dhe më pas duke importuar institucione nga Perëndimi.
Po si mund të importohet një institucion, p.sh. një OJQ ose një bankë investimesh ose një shoqatë bamirësie ose një universitet privat, përveçse duke ia përkthyer dokumentin themeltar ose rregulloren?
Natyrisht, dokumente themelore, si Kushtetuta, vërtet mund të mbështeten në përkthime fillestare kushtetutash të huaja, por pastaj kalojnë në duar juristësh me përvojë, të cilët bëjnë korrigjimet përkatëse dhe i japin tekstit një formë përfundimtare të pranueshme.
Përkundrazi, sa më shumë që të zbresësh në hierarkinë e dokumenteve juridike, aq më e keqe bëhet shqipja e përkthyer, aq më konfuze terminologjia, aq më larg realitetit përmbajtja e teksteve. Pikërisht në këtë nivel përkthimi i dobët rrezikon ta zhvlerësojë aktin e importimit të një institucioni ose praktike.
Nuk dua të them se institucionet në Shqipëri nuk funksionojnë mirë sepse dokumentet e tyre themeltare janë shkruar keq; edhe pse dokumente të tilla duan menduar si kod gjenetik i institucionit, ose program operativ. Dua vetëm të tërheq vëmendjen për rrezikun e shkëputjes midis funksionimit të një institucioni dhe kodit përkatës.
Në praktikë, institucionet e reja krijohen dhe funksionojnë në mënyra të ndryshme – duke vazhduar një traditë të caktuar; të organizuara dhe të drejtuara nga një specialist ose një ekip i huaj; të organizuara nga specialistë shqiptarë, që kanë përvojë të huaj; të “përkthyera” nga institucione të huaja, por në thelb pa lidhje me to.
Për t’u kthyer te OJQ-të, kam përsiatur diku tjetër se një pjesë e mirë e tyre pas gjase u themeluan për të kënaqur të huajt, ose për të qarkulluar fonde dhe financime të ndryshme, ose për gjithfarë arsyesh të tjera dytësore; por jo sepse ndihej për to nevoja në shoqërinë shqiptare. Nëse është kështu, atëherë këto institucione të shoqërisë civile mund të merren si shembuj të përkthimit institucional.
Këtu me përkthim nuk e kam fjalën për përkthimin gjuhësor; por për transpozimin nga një shoqëri në tjetrën, ose nga një kulturë në tjetrën, ose nga një sistem në tjetrin, të një institucioni ose praktike çfarëdo. Tani, në qoftë se institucioni konsiston, para së gjithash, në dokumentin e vet themeltar që ia parashkruan funksionet dhe synimet, atëherë një pjesë e mirë e përkthimit institucional do të jetë i natyrës gjuhësore; por një pjesë tjetër do të lidhet më shumë me ndërfaqen (interface) të institucionit me shoqërinë shqiptare.
Ndryshe qëndron puna me importimin e mallrave, p.sh. të telefonit celular, si teknologji ose si vegël komunikimi vetjake. Për këtë importim mjafton të sjellësh teknologjinë në vend, të montosh rrjetin e antenave dhe të shesësh telefonat; por nuk ka nevojë t’u mësosh njerëzve si të komunikojnë mes tyre. Madje sistemi mund të funksionojë edhe pa i vënë abonentët të nënshkruajnë kontrata vjetore; mjaft t’u shesësh karta të parapaguara.
Prandaj, për të importuar një institucion, nuk mjafton aspak të kesh ndërtesën dhe t’i varësh te hyrja tabelën përkatëse dygjuhëshe: “Forumi shqiptar i të drejtave të kafshëve/Albanian Animal Rights Forum”, me gjithë logon në derë të mikrobusit. Po çdo të bëjë ky forum pikërisht? Si do të financohet? Si do t’i kontrollojë këto të drejta të kafshëve? Të cilave kafshë tamam? A kanë macet dhe pëllumbat të njëjtat të drejta me kalin e qyqes dhe troftën? Po mizat e dheut? Pastaj, ç’të drejta kanë kafshët? A ekziston legjislacioni përkatës? Nëse jo, si mund të lobohet për ta futur në rendin e ditës të Kuvendit?
Të gjitha këtyre pyetjeve u është dhënë përgjigjja në dokumentin themeltar – ose rregulloren e Forumit, e cila është përkthyer nga anglishtja pas gjase nga një student i ngordhur për bukë në Birmingham ose Miami. Vetë dokumenti themeltar është i inkoherent, vende-vende i pakuptueshëm, madje enigmatik.
Tani, veprimtaria e këtij forumi nuk është se do të tërheqë shumë vëmendjen e gazetarëve të mediave ose institucioneve të tjera paralele ose mbikëqyrëse, që kanë hallet e tyre me përkufizimet dhe funksionet e tyre; përveçse në mos ndodhtë ndonjë incident me ndonjë pulë të prekur nga gripi, i tillë që çështja të përfundojë në gjyq.
Dhe meqë ra fjala te gjyqi, para një muaji lexoja në shtyp se shteti shqiptar po i humb rregullisht gjyqet në Strasburg (po të shkoni atje, lexoni edhe komentin e T_red në vijim të shkrimit). Nuk e diskutoj se kjo débâcle shpjegohet, para së gjithash, me dobësinë e sistemit juridik shqiptar; por vetëm vë në dukje se këto dobësi i kanë rrënjët edhe në përkthimin e keq që i është bërë atij sistemi. Sa më shpesh që u ekspozohemi ballafaqimeve ndërkombëtare në fushën e së drejtës, aq më shpesh do të thyejmë hundët – sepse e drejta nuk lë shumë hapësirë për bamirësi dhe orientalizëm.
Siç e mendoj unë, shteti shqiptar i sotëm është pjesërisht vazhdim i shtetit totalitar të para 1990-ës, dhe pjesërisht përkthim institucionesh dhe praktikash europiane. Jo vetëm përkthimi çalon nga çdo anë që ta këqyrësh, por edhe ajo pjesë që është bërë mirë, nuk është harmonizuar ende me tjetrën (e cila, nuk duhet harruar, trashëgon edhe ajo një sistem – atë totalitar – që ishte vetë i përkthyer).
JASHTE TEME:
“si mund të lobohet për ta futur në rendin e ditës”
E kam vrare mendjen se si mund te perkthehej “lobby” ne shqip… A nuk e kemi pasur ne kete koncept ne formen e nderhyrjes (futjes mik)? I vetmi ndryshim do te ishte qe nderhyrja jone behet per nje person dhe kryesisht neper kafe kurse tjetra eshte me e institucionalizuar.
“shteti shqiptar po i humb rregullisht gjyqet në Strasburg”
Ndoshta Kanuni do te ishte nje baze me e shendoshe per bazen ligjore shqiptare. Para ca ditesh lexova diku mbi gjyqin e Hajredinit. Permendej Kanuni si nje nga aresyet qe u shpall i pafajshem…
Në zhargonin juridik italian “tradurre” do të thotë “të transferosh një të burgosur nga një burg në tjetrin. E ku ka metaforë më të saktë se, tekefundit, të pëkthesh do të përçosh fjalë, ide, imazhe nga “burgu” i një gjuhe tek “burgu” i një tjetër gjuhe…
Pas Kolombit qindra mijera europiane u dynden ne boten e re; do conin Krishtin,do skllaveronin vendasit a do zhduknin gjithe fiset indiane nga Atlantiku ne Paqesor , per tu zaptuar tokat nuk pati aq shume rendesi per vendasit sesa pati futja e semundjeve te botes se vjeter. U zhduken me dhjetra milione vendas, Meksika nga 10 milione (deri ne 24 milione) u katandis ne 1 milion.
Keshtu, hyrja e pashqytuar (po hic fare ama) e nje modeli te ri te organizimit te gjithe jetes e jo vetem e shtetit apo se drejtes si fillim do jape efektet negative, ne gjithe shkelqimin e tyre.
Kushtetuta eshte nje pacavure ,sigurisht pjesa institucionale, qe nuk ka kurrfare lidhje me traditen shqiptare, nje tradite qe njeh 1-shin , sikur edhe ne formen e zbutur te Markagjoneve(kanuni). Pasojat dihen, sundon 1-shi , ne menyre te hapur antikushtetuese e keshtu kushtetuta sherben here pas here si leter higjenike.
Cdo institucion tjeter i mbjelle ne te njejte menyre po jep rezultate po aq mediokre. Nje bujk i mocem do qeshte me te madhe po ti thoje se ne koder rritet gruri me mire se rrushi, ndersa per nje modern, rritet gruri pasi e modifikon gjenetikisht.
Keshtu jane duke na modifikuar gjenetikisht, per te qene te pershtatshem te jemi pjese e dickaje qe pothuajse kurre se kemi ditur se cfare eshte.
Mua me duket normale qe nje shoqeri e cila se ka ndier kurre(ose e ka ndier pak) nevojen e letres se shkruar(kontrates) ne vend te fjales se dhene, sot te ndihet e papergatitur ne strukturen e saj gjuhesore. Po kjo strukture gjuhesore ka nxjerre koncepte si poronike, kapucar,sterpleq etj, me te cilet rregullonte marredheniet e deridjeshme. Cna kushton ti pershtatim ato qe kemi ?
E keqja edhe ne kete pike eshte se ne po harrojme cfare trashegojme per hir te asaj qe duam te jemi e nuk jemi ne gjendje te gershetojme asgje.
Shteti shqiptar nuk eshte vetem vijim i diktatures komuniste, por vijim i nje pafundesi shtetesh diktatoriale te instaluar ne Shqiperi keto 2400 vjetet e fundit te cilet me teper sesa tek institucionet shteterore kane ndikur ne mentalitetin shqiptar e shteti eshte ne radhe te pare ceshtje besimi pa te cilin nuk ka pse te ekzistoje.
Nuk mund te kerkohet eficence ne institucione qe bien ndesh me mentalitetin e njerezve, vetem ne Shqiperi pretendohet duket kelthitur dicka e tille. Ne vend te mendojne, njerezit bertasin. Njerezit e tregut, qe nga ai fshatar ,nga ai mediatik e deri tek Uoll Striti dine vetem te bertasin…. qepet, lajmet e aksionet duhen konsumuar te fresketa…edhe moda.
Xhaxhai shkruan më lart se “Çështja është më serioze se ç’mund të duket në vështrim të parë, meqë …ka … lidhje me vetë adoptimin që u bëhet formave organizative dhe institucioneve të reja nga Perëndimi.”
Po shikoja lajmet qëpari dhe mësova se Presidenti Topi kishte vatur në Milano i shoqëruar nga “Zonja e Parë, Teuta Topi”. E vërtetova këtë edhe në faqen e internetit të Presidencës.
Mua më duket se institucioni i “Zonjës së Parë” nuk është fort i ngulitur as në Perëndim e as në Lindje. Përjashtim bën, kuptohet, Amerika, me rolin e “First Lady-t”, siç ishin për shembull, Hillary Clinton, siç është sot Laura Bush, dhe sikurse do të jetë nesër Michelle Obama.
Nuk di që Francë, p.sh, të ketë “La Premiere Madame”, ose Italia “La Prima Signora”, etj, etj.
Kjo puna e “Zonjës së Parë” është një kopjim i kotë, të cilin e futi në lojë Nanua për t’i bërë qejfin gruas së tij të dytë, mirëpo i mbeti vajzës së Moisiut për ta lozur si rol për arësyet që dihen.
Sigurisht, edhe sot ka konkurrencë midis “Zonjave të Para” të Presidencës e Kryeministrisë. Shto këtu edhe Kryetaren e Kuvendit, dhe pa frikë mund të themi se në Shqipëri sot mund të aspirojmë për të pasur tri Zonja të Para.
Nuk e di, por kjo punë mua më duket si kopjim krejt i pakuptimtë i traditës amerikane.
Më mirë thuaj p. sh. që Presidenti shoqërohej nga “bashkëshortja e tij”, ose shkurt “nga Zonja Topi”, dhe jemi në rregull.
Përse iu dashkan vendit Zonja të Para, të Dyta e të Treta?
Edhe një pyetje tjetër: Si jepet në shqipe më mirë termi: “political expediency”?