Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Udhëtime / Urbanistikë

PËRSE ËSHTË KAQ MIRË NË JASH? (I)

nga Dr. Ina Arapi (Vjenë)

Nga data 19 – 20 shtator mora pjesë në një konferencë që u organizua në Jash të Rumanisë. U nisa me mërzi. Sapo isha kthyer nga Shqipëria ku kalova pesë javë të tmerrshme mes vapës së padurueshme dhe problemeve të pazgjidhshme. Por s’kisha ç’bëja, duhej. U përgatita mirë me veshje të përshtatshme për një vend në veri të Evropës si dhe shpirtërisht për çdo gjëmë që mund t’i ndodhë njeriut në një vend ish-komunist…

Aeroporti i Jashit është shumë i vogël dhe i vjetër. S’ka autobus që të të çojë nga avioni në aeroport, duhet të ecësh në këmbë, gjithashtu dhe formalitetet janë minimale. Bagazhet i sjellin me një karrocë, mbaroj punë shpejt dhe kam fatin e paparashikuar që të më presë në aeroport njëri nga organizatorët. Çfarë fati, mendoj me vete.

Sapo marrim kthesën për të dalë nga aeroporti diç më tërheq vëmendjen. Rruga për në qytet gjarpëron nëpër një pylli të dendur. Është vapë, dielli ka një ndriçim që nuk e kam harruar, megjithëse nuk e përjetoj më prej dhjetëvjeçarësh, njësoj si në Tiranën e dikurshme… Hyjmë në qytet dhe drejtohemi te një barrakë e vogël për të thyer të hollat. Rumania, megjithëse anëtare e Komunitetit Evropian, nuk ka ende të drejtë të përdorë euron. Barraka është e mbylluar, si të gjitha dyqanet e tjera rreth e rrotull. Është e diel, më thotë kolegu, të gjitha janë të mbyllura. Mund t’ju jap unë 100 lei për sot dhe nesër rregulloheni. S’pipëtin asgjë. Mua më kujtohet Tirana, ku ditët e javës s’kanë asnjë dallim dhe jam shumë e çuditur. Këta janë të varfër si ne, mendoj, në Tiranë dyqanet rrinë hapur ditë e natë. Por edhe në Vjenë, ku jetoj prej shumë kohe, vazhdon prej vitesh lufta pë t’i mbajtur dyqanet hapur edhe të djelën, për të shtuar, siç thonë, fitimet.

Kolegu do të më tregojë vendin ku do të zhillohet konferenca dhe merr kthesën për t’u futur në një rrugë të gjerë. Menjëherë përballë me zë sytë një shtatore madhështore. Ç’është kjo, pyes e habitur. Mihai Eminescu, përgjigjet kolegu. Poeti kombëtar i Rumanisë ka lindur në këtë krahinë. Shtatorja gjigande është e vendosur mbi një piedestal masiv dhe e rrethuar nga një lulishte e vogël. Majtas e djathtas ecin ca makina, ndërsa në të dyja anët e rrugës ka pemë të larta e të dëndura dhe pas  pemëve duken ca si lulishte e parqe. Ndërtesa e Universitetit duket menjëherë, as që mund të gabohesh. Statujat e shumta para ndërtesës dhe rrotull saj të tregojnë menjëherë me çfarë ke të bësh. Zbresim dhe futemi nga një hyrje anësore, meqë të djelën dyert e tjera janë të mbyllura. Brenda, në katin përdhes të ndërtesës sundon një qetësi dhe pastërti hyjnore. Aula ka formën e një hajati me arkada dhe një perspektivë të gjerë. Muret në të dyja anët janë të bardha borë dhe pjesërisht të mbuluara me afreske moderne ku mbizotëron ngjyra e kaltër. Ngjitemi në katin e parë dhe kolegu më tregon Sallën e Senatit ku do të mbahet konferenca.

Jemi informuar që do të banojmë në një konvikt dhe vetë kjo fjalë ngjall në kujtesën time asociacione të hidhura. Sapo kemi ndaluar para një ndërtese disakatëshe, të rinovuar, siç më duket. Më vonë marr vesh që është bërë e re. Rreth e rrotull vetëm lule, po kështu lule varen nga të gjitha katet e ballkonet, nuk jam në gjendje të kuptoj. Ndahem nga kolegu, marr kartën dhe futem në dhomën time. Në fakt është një apartament me një dhomë të madhe, korridor të gjerë, banjë dhe WC më vete, të ndara nga njëra-tjetra. Mobiljet janë plastike, por në një stil dhe ngjyrë elegante, po ashtu mbulesa e shtratit e perdet. Jam e lumtur që arkitekti paska patur të njëjtën shije me mua dhe që s’do jem e detyruar të jap e të marr me mobilje të gdhendura, pasqyra e  zbukurime të stërholluara. Ka shumë dollape e sirtarë, tavolina është e gjerë. Zbres poshtë dhe pyes se çfarë konvikti është ky. Sportelisti më shpjegon se është me të vërtetë një konvikt, por kati i parë është në dispozicion të Universitetit për të fuarit, për profesorët dhe studiuesit që operojnë në kuadër të tij.

Pasdite nisem edhe njëherë në këmbë për në Universitet që të mësoj më mirë rrugën që duhet të bëj të nesërmen. Nuk më kujtohet se ku dhe kur kam parë për herë fundit një rrugë të tillë si bulevardi “Carol I“, por me siguri që diku duhet të ketë ende të tilla. Në të dyja anët ka ndërtesa historike, më të shumtat të vogla dhe jo të larta. Disa duket që janë restauruar, shumica janë ende të vjetra, por ajo që më bie në sy janë parqet. Në të dyja anët e rrugës ndërtesat gërshetohen jo me lulishte, por me parqe që shtrihen në thellësi. Një jeshillëk që s’e kam parë prej vitesh. Më kujtohet Liqeni i dikurshëm Artificial në Tiranë dhe disa parqe të caktuara në Vjenë … – thuhet vazhdimisht që Vjena ka shumë parqe…- ja dhe Universiteti, ndërtesa që mbisundon rrugën…

Është e djelë dhe njerëzit shëtisin në të dyja anët e trotuarit e në park. Gjithandej ka stola, mund të ulesh ku të duash. Ka tek-tuk dhe ndonjë shitës ambulant akulloresh a ndonjë kioskë ku mund të blesh diçka. Kur zbres shoh që në fillim të bulevardit ka dhe një kafene. Numri i njerëzve dhe i makinave që ecin në rrugë nuk të shqetëson. Më bën përshtypje se çdo makinë ndalon që të të lëshojë rrugën dhe kjo do të vazhdojë gjatë gjithë ditëve në vijim. Është një ditë e mrekullueshme vere, ashtu si dikur në Tiranë. Është vapë, ora tre pasdite, por as dielli më djeg, as djersë nuk kam.

Ulem në kafene përjashta dhe e kuptoj se s’dua t’ia di më për konferencën. Kam hall të kaloj disa ditë të këndshme dhe të lehtësohem shpirtërisht në një qytet që u përshtatet plotësisht nevojave të mia. . .

(vijon)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin