Shpesh, kur kam hyrë në debate etimologjike me amatorë të ndryshëm, kam pyetur veten se si ndodh që njerëz me inteligjencë dhe kulturë normale, të besojnë e të bëjnë të vetat teori të prejardhjes së fjalëve ose të gjuhës vetë të cilat janë haptazi absurde.
Këtu nuk e kam fjalën vetëm për ata që gjejnë elemente të shqipes në vargjet e Homerit ose në hieroglifet egjiptiane, por edhe studiues me bagazh intelektual të spikatur, të cilët u kushtojnë energji të madhe mendore teorive nga më të guximshmet për lidhjet mes shqipes dhe etruskishtes ose shqipes dhe sanskritishtes: Zakaria Mayani i shembëllzon të parët, Petro Zheji të dytët.
Nëse këtu është fjala për gjeni, të cilëve do t’u vlerësohet vepra vetëm pas dy ose tre shekujsh; ose për njerëz të cilët kanë një raport disi të veçantë me gjuhën, duke mos e pranuar dot, në thelb, arbitraritetin e shenjës, këtë nuk jam në gjendje ta them.
Gjithsesi, tërheqja e disa mendjeve të epërme pas hipotezave dhe konstruksioneve linguistike historike haptazi absurde mbetet enigmatike dhe, si e tillë, sfiduese për këdo kërkon të kuptojë se çfarë ka ndodhur pikërisht.
Kur hipoteza të tilla përfitojnë edhe nga simpatia e qarqeve politike dhe mbështetja administrative përkatëse, atëherë problemi del nga kuadri i patologjive linguistike, për t’u shndërruar në një pikëpyetje kulturore.
Diçka e tillë ndodhi me të ashtuquajturën Teori të Gjuhës së Diellit (turqisht: Güneş Dil Teorisi), të formuluar në krye nga gjuhëtari austriak Hermann F. Kvergić dhe të përqafuar pastaj haptazi nga Presidenti turk, Ataturk, dikur në mes të viteve 1930.
Sipas kësaj teorie, të gjitha gjuhët e botës rridhkëshin nga turqishtja; e cila ishte vijuesja më besnike e shumerishtes së lashtë, gjuhës së njerëzve të parë, të cilët e kishin artikuluar sipas një sistemi të adhurimit pagan të Diellit.
Teoria lejonte, kësisoj, që çdo fjalë e një gjuhe joturke, veçanërisht në gjuhë të rëndësishme me të cilat turqishtja kish pasur kontakt në kohët moderne – si arabishtja, persishtja, greqishtja, frëngjishtja – mund të etimologjizohej nëpërmjet rrënjëve të turqishtes, ose të gjuhëve turkike në përgjithësi.
Hipoteza të tilla ad hoc nuk i mungojnë asnjë kulture kombëtare; çfarë e spikat këtë të gjuhës së diellit është mbështetja e hapur politike dhe administrative që i dha Ataturku, burrë shteti mendjendritur, dhe që kishte shkëlqyer tashmë jo vetëm si ushtarak dhe si shtetar, por edhe si publicist i dorës së parë.
Çuditërisht, ky president i parë i Turqisë moderne jo vetëm e mbështeti teorinë e austriakut, por edhe u përpoq të kontribuonte drejtpërdrejt në shkoqitjen etimologjike të fjalëve joturke ose huazimeve, nëpërmjet rrënjëve primordiale të turqishtes; me anë artikujsh të botuara në shtypin e kohës, por edhe me një kumtesë të posaçme që u lexua në Kongresin e Tretë të Gjuhës Turke (1936), kumtesë që u paraqit atje si e një autori tjetër.
Për të gjetur një ndërhyrje të ngjashme, të një kreu shteti, në lëmin e politikave gjuhësore dhe të gjuhësisë së zbatuar, duhet të presim fundin e viteve 1940 në Bashkimin Sovjetik, kur Stalini botoi një numër artikujsh në Pravda, të cilat ia përmblodhën më pas në një broshurë me titullin “Marksizmi dhe çështjet e gjuhësisë.” Kjo ndërhyrje e Stalinit i dha fund sundimit, në gjuhësinë sovjetike, të të ashtuquajturit marrizëm, ose një teorie të njohur me emrin “Doktrina e re gjuhësore”, të formuluar nga gjuhëtari gjeorgjian Nikolaj Jakovleviç Marr. Sipas Marr-it, të gjitha gjuhët e botës i përkitkëshin një familjeje të përbashkët, të cilën ai e quante noetike. Duke përdorur një metodë që e kish përpunuar vetë e që e quante analizë paleontologjike, Marr-i arriti t’i reduktojë të gjitha fjalët, në të gjitha gjuhët, në një kombinim të katër elementeve ose rrënjëve bazë: sal, ber, yon dhe rosh.
Përballë një doktrine të tillë fantastike, ndërhyrja e Stalinit shërbeu si një kthim në racionalitet; edhe pse, çfarë ishte e saktë në parashtresën e diktatorit sovjetik nuk ishte origjinale; dhe çfarë ishte origjinale, nuk ishte e saktë. Megjithatë, ndryshe nga Ataturku, Stalini tregoi bon sens të spikatur dhe, me autoritetin e vet, e shpëtoi gjuhësinë sovjetike nga një fat i ngjashëm me atë të biologjisë simotër, të cilën e dëmtoi aq rëndë lisenkoizmi.
Studiuesit kanë vërejtur se vëmendja e papritur e Stalinit ndaj çështjeve të gjuhësisë mund të shpjegohet vetëm me interesin e tij për çështjen e kombeve dhe të kombëtarizmit, veçanërisht në Bashkimin Sovjetik; sa kohë që teoritë e Marr-it e trajtonin gjuhën si dukuri të superstrukturës dhe, për rrjedhojë, me karakter klasor. Kjo do të thotë edhe se, duke u paraqitur si paladin i gjuhësisë konvencionale, europiane, Stalini në thelb po kërkonte të sanksiononte primatin absolut, madje totalitar, të rusishtes dhe të rusëve, brenda Bashkimit Sovjetik; në vazhdën edhe të kombëtarizmit rus që ishte gjallëruar me forcë të pazakonshme, pas fitores së Bashkimit Sovjetik në Luftën II Botërore.
Ishte fjala, pra, për një përpjekje për ta mbrehur gjuhën zyrtare të shtetit, rusishten, në qerren e politikës; ose për ta shndërruar në shprehje dhe përçuese të stabilitetit politik, ekonomik dhe kulturor, në kundërshtim me revolucionin “superstrukturor” që predikonte marrizmi.
Çuditërisht, të njëjtin synim themelor mund ta gjejmë edhe pas përpjekjes, në dukje groteske, të Ataturk-ut për të mbështetur dhe popullarizuar teorinë e gjuhës së diellit, në kulturën zyrtare të Republikës Turke.
Është sugjeruar, nga ndonjë studiues, se Ataturk-u mund ta ketë përqafuar këtë teori të çuditshme, me synimin e vetëm praktik për t’i vënë fre purizmit leksikor që kishte përfshirë, deri atëherë, turqishten e Republikës dhe që po manifestohej me përpjekje obsesive, nga ana e të gjithë përdoruesve të gjuhës, për të zëvendësuar çdo fjalë joturke ose huazim të gjuhës – që nga persizmat dhe arabizmat e osmanishtes, e deri te fjalët më të reja, që kishin hyrë në turqishte nga gjuhët perëndimore, shumica si terma teknikë dhe shkencorë.
Ironikisht, Ataturku kish qenë vetë një nga nismëtarët e kësaj përpjekjeje për t’i dhënë fytyrë të re leksikut të turqishtes dhe për ta shkëputur këtë nga kultura osmane; duke e zëvendësuar krejt shtresën librore arabo-persiane të leksikut të osmanishtes me neologjizma të krijuar mbi rrënjë thjesht turke, ose fjalë turke të mbledhura në popull me anë nismash masive dhe kapilare. Megjithatë, përpjekja kish dalë tashmë nga kontrolli, me pasoja katastrofike për gjuhën dhe kulturën e republikës së re turke.
Edhe pse absurde në vetvete, teoria ose më mirë miti i gjuhës së diellit lejonte që të “gjendeshin” etimologji turke për çdo fjalë arabe, persiane, frënge dhe italiane që kish hyrë në turqishten, ose pikërisht për çdo fjalë që, deri atëherë, kish qenë në shënjestër të përpjekjeve zëvendësuese të puristëve. Kjo do t’i rehabilitonte të gjitha ato fjalë që, përndryshe do të ishin dënuar me vdekje por që, megjithatë, ishin të domosdoshme për gjuhën e një kulture që po përpiqej të modernizohej me të shpejtë, edhe nëpërmjet komunikimit me Perëndimin.
Nuk mund të lihet pa përmendur, në këtë kontekst, roli themelor që luajti Ataturku në ngjizjen e turqishtes moderne, si gjuhë të ndryshme nga osmanishtja, duke filluar që nga ndërrimi i alfabetit e deri te raportet me arabishten e persishten dhe strukturën leksikore në marrëdhënie edhe me gjuhët e tjera të familjes turkike; jo vetëm si burrë shteti që përkrahu me autoritetin e vet reformat e gjithanshme, por edhe drejtpërdrejt, duke u marrë me probleme praktike dhe konkrete të turqishtes.
Përkundrazi, Stalini nuk e kishte rusishten as gjuhën e vet amtare; por e trajtoi, së paku në vitet pas Luftës II Botërore, si gjuhën amtare të krijesës së vet politike – Bashkimit Sovjetik shtet totalitar. Ai e shfrytëzoi gjuhën e një kombi të madh dhe të kulturuar, si rusët, për të krijuar një perandori; dhe brenda kësaj përpjekjeje, nuk mund veçse të tregohej konservator.
Ataturku, nga ana e vet, po përpiqej të realizonte të kundërtën – ta nxirrte Turqinë e vet dhe turqishten e vet nga kornizat kaba perandorake dhe teokratike (Islamike), për t’i dhënë atributet “normale” të një kombi europian modern. E arriti këtë me sakrifica të mëdha, që ndonjëherë nuk ia kursyen as intelektin; dhe që i lanë turqishtes letrare plagë të cilat nuk i janë mbyllur ende.
Edhe pse nuk pohohet gjëkundi, besoj se origjina e këtyre teorive duhet kërkuar te ajo që disa e quajnë gjuha adamike, një lloj protogjuhe hipotetike e folur nga personazhe mitikë . Meqë nuk ka njeri të përkryer, më duhet të pohoj se edhe vetë aty te mosha shtatë tetë vjeç, kur nuk e kisha lexuar ende Darvinin (Në Shqipëri në atë kohë ai mësohej në Botanikë, në klasë të katërt, aty nga mosha dhjetë njëmbëdhjetë vjeç) nuk më zinte gjumi duke arsyetuar se mundësia e një gjuhe unike duhet të ekzistojë, përderisa në origjinë njerëzimi ka vetëm një burrë dhe një grua. Këtu nuk e vija në dyshim se ma kishte thënë një njeri i besuar, gjyshja ime.
Një formë të ekzistencës legjendare të gjuhës adamike e kemi te Zanafilla, kur mbreti Nemrod pati idenë e ndërtimit të një kulle për të mbërritur qiellin. Siç dihet projekti e zemëroi shumë Perëndinë, e cila në një farë mënyre krijoi nje lloj inflacioni gjuhësor, për të mos u kombinuar pjesët e parafabrikuara nga grupe të ndryshme. Ataturku,por edhe të tjerë si ai, vetëm se duan t’i ngjiten përpjetë këtij përroi kohor.
Pas gjyshes sime, këtë temë e trajton edhe Umberto Eco te Kërkimi i gjuhës së përkryer në kulturën evropiane, por kam përshtypjen se edhe Chomsky me dorën e parë të teorisë së tij të dështuar nuk është më larg se një kërkues i gjuhës adamike ose të paktën i pjesëve të saj.
Te libri i mësipërm i Eco-s mëson se në kohë të ndryshme, kanë qenë të shumta ato vende, kryesisht fuqi ushtarake në periudha të caktuara, që kanë dashur të imponojnë gjuhën e tyre si universale ose me gene të tilla.
Konteksti shqiptar është qesharak. Nëse i kuptoj fare mirë rilindësit që rimorën teorinë pellazgjike, për qëllime të mirëfillta politike e patriotike, rasti i Zhejit apo i N. Vlorës është tronditës për shkallën e papërgjegjësisë intelektuale ku ngjiten. Por nuk duhet harruar se edhe tekstet që mbështesin teorinë pellazgjike u botuan me ndikimin e drejtpërdrejtë të E. Hoxhës. Edhe Z. Majani pati një korrent të fortë përkrahjeje në Komitetin Qendror, në shtabin e regjimit, për ata të cilëve ky emër nuk u thotë gjësendi. Po ashtu kujtoj se librat e tij botoheshin nga një shtypshkronjë ushtarake.
Kur një shkrimtar shqiptar serioz më thoshte se toponimia evropiane mund të shpjegohet vetëm me shqipen, kjo e shumta më shtynte të nxitoja të pija gllënjkat e fundit të kafesë-çikore e të gjeja një arsye për të ikur, por kur N. Vlora nis e shpjegon me shqipen toponiminë e Paraguait e ku ta di unë të atyre vendeve latine ku i shoqi ishte ambasador, kjo më të vërtetë ngre pyetje jo vetëm për shëndetin e tyre mendor por edhe të atyre që e prisnin me aq entuziazëm një gjë të tillë në Shqipëri.
Sot e kam të qartë se në thelb një gjë e tillë shpreh një vuajtje të madhe shpirtërore, një ngerç mospërshtatje me realitetin,jane te shumtë ata qe mundon ideja që janë pjesë e një kontinenti ku për fat ka edhe evgjitë, se po të mos ishin ata (pa reference raciale) evgjitët e Evropës do të ishin shqiptarët (shihni zhvillimet e fundit politike), eshte pasojë e një kompleksi të pashërueshëm inferioriteti, gjë që në fakt është tipar kombëtar, i cili shprehet në gjetjen e argumenteve për të vërtetuar të kundërtën, pagëzues të Evropës.
Thone se punimet me natyre metafizike te Newton-it, si the studimet e tij ne lidhje me alkimine jane masive, dhe se shume prej tyre s`e kane pare e as kane per ta pare ndonjehere driten e diellit sepse…. zvogelojne dimensionin e autorit.
Jo cdo sipermarrje personale duhet patjeter te kete natyre apo qellim social… mendoj.
Na ndricon xhaxhai (qe Zoti ia befte drite inshalla):
“Duke përdorur një metodë që e kish përpunuar vetë e që e quante analizë paleontologjike, Marr-i arriti t’i reduktojë të gjitha fjalët, në të gjitha gjuhët, në një kombinim të katër elementeve ose rrënjëve bazë: sal, ber, yon dhe rosh”.
Une:
Heu bre?!
Sal Ber rosh yon!
Epo te pakten tani ka nje kuptim kjo pune:).
Goxha mendje ky (i) Marr-i!
Kur shpiku nacionalizmin, shejtani, pervec se i ndau njerezit ne rraca, e i bindi qe ishin ilire e pellazge e romake e gale, u fryu ne vesh qe kane edhe gjuhet me te vjetra te botes dhe prej tyre rridhnin te gjithe gjuhet e tjera. Kur profeti Muhamed nisi ti predikoj Islamin arabeve kurejshe, keta e refuzonin pse pas Muhamedin shkonin disa skllever nga Abisinia, e Kurejshet e mbanin veten e tyre per me te fisshmit mes arabeve dhe per burimin e krejt tribuve perreth tyre. Kur profeti Muhamed i mundi Kurejshet e shkoi ne dyer te Mekes u tha:
O Kurejshe, lerini pas mburrjet tuaja me te paret tuaj dhe lashtesine tuaj. Mos harroni, se i pari juaj dhe i te gjithe njerezve ishte Ademi, dhe Allahu, Ademin e krijoi nga balta dhe nje dite edhe ne ne balte do kthehemi. Pasi Muhamedi vendosi pushtetin e Allahut ne Meke, njerezit, mburrjen me fise dhe me gjuhet e tyre i harruan, dhe ajo epoke u quajt epoka e xhahiljetit apo injorances. Pas kesaj epoke, nisi viti i pare i Hixhres qe vazhdon deri me sot.
Por ne shekullin e XIX dhe XX muslimanet turq dhe shqiptare, te ndikuar nga injorancat e kaureve te Evropes, u kthyen si kurejshet para-islamik dhe nisen te mburren me idiotesine e origjines se tyre te lashte. Qemaler, Enverer, Mustafaj e Abdyl u binden nga orientalistet e Evropes se ishin Akiler dhe Pirro. Me kete besim ne lashtesi ne mendje arriten deri aty sa shkaterruan kishat dhe xhamite ne Shqiperi. Kur hoxhallaret e Haxhi Qamilit u cuan kunder nacionalisteve ne Tirane ne 1908 predikuan bash kete gje.
Turk.
Pranoj te jetoj me mire me genjeshtrat e mija te nje Akil apo Pirroje se sa me te verteta a dikujt tjeter qe as s`e di se nga bie.
Me duket mua, apo ky Turku po na hedh benzine ne mes te muhabetit?
Turk, pash Zotin tend, na i kurse keto referimet me Kuran e Bibla po deshe. Dhe me embel, mor zotni, pse kaq vrer per “injorancen e kaureve te Evropes”? Evropa ka c’ka, ka ato te vetat, po injorante nuk e quan dot ashtu, me nje te ngritur te flamurit. Pastaj, kush je ti, fundja me ne fund, qe gjykon ashtu si pa teklif “injorancen e kaureve te Evropes?” Me cfare tagri e ben, te pyes.