Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

MERIMANGA E LOUISE BOURGEOIS

nga Moikom Zeqo

Në 31 maj 2009 në apartamentin e artistes së famshme Louise Bourgeois në New York erdhi kritiku i artit, gjermani Jan Verwoert. Ora ishte 10.

Jani ishte mbi të 50-tat. I mprehtë, mendjemadh më shumë se krenar, me pak mjekër mefistofeliane dhe i veshur me bluxhins.

Ai ishte kryeredaktor në revistën “Frieze Magazine”, por bashkëpunonte edhe me revista të tjera arti si “Metropolis M.” Jepte leksione edhe në Piet Zwart Institute në Roterdam të Holandës. Kishte ardhur në New Jork për të intervistuar Louise Bourgeois-in.

Nuk e kishte takuar kurrë më parë.

Apartamenti ishte rrëmujë, plot libra, piktura dhe etyde skulpturash, i ngjante një purgatori, që po degradonte në ferr, duke ju shmangur dritës së parajsës. Një shmangie pa lëvizje, në boshllëk.

Në studio në poltronë ishte ulur figura e lemerishme e Louise-s.

Ishte një plakë 98 vjeç, një Ofeli e shndërruar në një nga magjistricat e Makbethit. E veshur me një penjuar të bardhë dhe të shëmtuar (nga ç’garderobë mesjetare qe rrëmbyer vallë?). Fytyra e Louise-s qe çuditërisht e madhe, e zgjatur, por sytë i kishte të gjallë, plot shpotitje që nuk është e njëjta gjë si skepticizmi.

Jani u mrrol.

U përshëndetën.

Përballë qe një divan me pelush të bardhë. Jani u ul në divan dhe pati ndjesinë fobike të fundosjes.

Plaka e famshme lëvizi me autoritet abstrakt dorën e majtë dhe pyeti qartë:

– Në frëngjisht, në anglisht apo në gjermanisht?

– Në anglisht, belbëzoi i ardhuri.

– Të gjithë kur plaken strehohen tek anglishtja. Gjuha universale e pleqërisë së botës. E po, unë kam të drejtë ta them këtë. Ti mbase nuk e di po unë jam 98 vjeç.

– E di.

– Ashtu? Jam 98 vjeç por mbase dukem si 198, moshë futuristike, por edhe e kotë. Gjenetistët e mallkuar i gënjejnë njerëzit që ëndërrojnë rininë e përjetshme. Të zgjatësh jetën do të thotë të shumëfishosh vuajtjen. Apo jo djalosh? I kam lexuar shkrimet e tua. Ke shumë sqimë, por më shumë kureshtje. Mund ta nisim bisedën. Në krahun e djathtë ke tavolinën e pijeve. Zgjidh dhe pi çfarë të duash. Nuk ngrihem dot të të përgatis një çaj të ngrohtë. Jam më plakë se sa dukem. Ah.

Këto fraza duhet t’i kishte thënë të përsëritura shumë herë edhe të tjerëve. Artikuloheshin me kujdes si një dogmë bizantine rituali.

Jan Verwoert-i nxori nga një nga xhepat aparatin fotografik dixhital që incizonte edhe si magnetofon.

Ai vinte tek Louise i parapërgatitur. Louise kishte lindur në 25 dhjetor 1911 në Paris. Në 19300 nisi studimet në Sorbonne për matematikë dhe gjeometri, që ai i quante subjekte mendore që paraqisnin qëndrueshmërinë e përjetshme. Aty gjeti në rini qetësinë shpirtërore përmes studimit të rregullave që refuzonin të ndryshonin. Vdekja e së ëmës në 1932 e tronditi. I braktisi studimet ekzakte për t’ju kushtuar artit poliform, të lëvizshëm. U njoh me piktorin Fernand Leger, i cili i sugjeroi t’i blatohej skulpturës. Në fund të viteve ’40 u shpërngul në New Jork. Në 1954 ju bashkua grupit të Artisteve Abstraktë Amerikanë, midis të cilëve spikatnin Barnet Newman dhe Ad Reinhardt. U njoh intimisht edhe me artistë si Mark Rothko, Jackson Pollock dhe Willem De Kooning. Midis tyre fitoi emër edhe Louise.

Qe delikate ahere, ende e bukur dhe joshëse, me një tërbim seksual të pashtershëm. U bë legjendë e dyfishtë e artit dhe seksit. Emri i saj i paraprinte skandaleve, ta bësh intimitetin sa më publik – kjo është aureola e saj e të pabesueshmes kalimtare.

Meshkujt, shumica ëndërrimtarë dhe perversë hynin dhe dilnin nga jeta e saj si letrat e bixhozit në dorën e një profesionisti dinak në një kazino të tmerrshme.

Në moshën 50 vjeç e humbi ndjesinë e fuqishme dhe dlirësuese të orgazmave, por seksin e ushtroi edhe mbas moshës 80 vjeç me pangopësinë dhe joshjen iluzioniste të një shtrige. Pangopësia e bënte utilitare.

Koha që ikte e tmerronte.

Skulpturat e Louise-s reklamoheshin në galeritë metropolitane, për të u bënë albume dhe libra të sofistikuar, pra edhe krejtësisht të dyshimtë dhe kuptohet bestseller.

Skulpturat e Louise-s janë në materiale të ndryshme: dru, çelik, mermer, gomë e derdhur, shpesh me forma organesh seksuale, anatomike, emocionalisht agresive. Në këto retrospektiva ofrohen tema dhe skena të përsëritura, përqendruar në trupin njerëzor, nën nevojën e projeksionit të një universi të frikshëm

Në ekspozitën e 1994 e titulluar “Louise Bourgeois: Locus of Memory, 1982 – 1993” artistja paraqiti kryeveprën e saj; Merimangën, një krijesë apokaliptike 9 metra e lartë, që e lidhte me figurën e nënës së saj. Merimanga, një konstruksion prej metali dhe mermeri. Skulptura aludon tek pushteti i nënës së saj, me metamorfozën e zvarritjes, përshëndetjes dhe mbrojtjes. Louise ka deklaruar: “Merimanga është një tribut ndaj nënës time. Ajo ishte mikja ime më e mirë. Ashtu si merimanga nëna ime ishte thurëse. Ashtu si merimanga ajo ishte tepër e zgjuar. Merimangat mirëkuptohen se zhdukin mizat. Mizat shpërndajnë infeksione. Kështu janë jetike dhe të domosdoshme”.

Edhe arti është thurje. A është arti merimangë? Metafora e merimangës ishte rikthim në primitivitet, tek biokimia e helmit dhe zanafillë e shfarosjes.

A ka gjë më të mallkuar se një merimangë?

Jan Verwoert ishte nervoz.

Ai foli plot aludime të rrezikshme.

Tha se arti konceptual mbase ka dështuar. Mbase nuk ka dështuar. Sot e ndeshim artin konceptual si një art të shenjave të koduara: mesazhe brenda kodeve të tipografuara në fletë të verdheme letre, ose gjeste enigmatike të fiksuara në fotografi bardh e zi dhe shirita videokasetash të prishura. Në zemër të kodit ndjejmë praninë e një të fshehte: çelësin për një mënyrë të menduari dhe të bërjes së gjërave, që duken ngutësisht të lidhura me shpirtin e hershëm të kaosit. Arti konceptual e ka si kryesore perspektivën feministe. Por edhe hermetike.

Vetëm një kundërhermeticizëm do të kumtonte përvojat dhe pozicionet e bllokuara prej kodeve mbizotëruese të ligjëratës publike.

Ndërlikimet e qasjes feministe rezonojnë thellësisht dhe në mënyrë vendimtare me problemet e kritikës kulturore ekscentrike, sepse ndodh që, pikërisht përmes një kundër – hermeticizmi të aluzionit të koduar, kulturat e ekscentrikëve, për shekuj, kanë strukturuar vetveten përballë diskriminimit të dhunshëm. Një panegjirik trullosës për stilin dhe shpirtin e kodit ekscentrik është instalacioni .Disa artistë gei – lezbike dhe, ose artistët e lidhur me kulturën homo – sociale të lindur midis viteve 1300-1870″ / Muzeu i Seksit (Some Gay – Lesbian Artists and/or Artists Relevant to Homo – Social Culture Born between c.1300 – 1870 / Sex Museum) (2005 – 07) i artistit Henrik Olesen. Në panelet e zeza të ekspozuara, Olesen paraqiti piktura të shumta dhe copa të prera tekstesh, kryesisht nga historia e artit, në një mënyrë të organizuar, por të shoqërizuar, që të kujton veprën “Atlasi i Mnemosines” (Mnemosyne Atlas) (1927 – 29) e Aby Warburg-ut. Një linjë e gjatë me piktura klasike portretesh dhe skena natyre që shfaqin burra dhe gra në poza mjaft të dukshme, me pamje krejtësisht sugjestive, e bëjnë koleksionin e Olesen-it një “situatë mësimi” vërtet të pëlqyeshme, që ju lejon juve të nxisni veten në shumë mënyra të nënkuptimit të jashtëzakonshëm. Por, copat e prera të tekstit, që përshkruajnë historinë e ndjekjes së homoseksualitetit dhe biografitë e shumë artistëve që vuajtën pasi u zbuluan, gjithashtu, theksojnë përvojën e dhimbjes të shkruar në këto imazhe dhe kode. Vepra e Olesen-it aktualizon mundësinë e pabesueshme për krijimin e një historie të plotë tuajën me anë të pohimit të sekretit të tij. Si nië formë e hermeticizmit antihegjemonik, Konceptualizmi i veçantë kthen (ri-)përvetësimin e një sekreti në një akt të vetautorizimit.

Si në një seancë, pyetja vendimtare është se, në çfarë lloj fryme, ky akt i sekreteve të përvetësuara kryhet. Sepse diferenca vendimtare midis fabrikimit të enigmave që pohojnë gjendjen ekzistuese (status quonë) dhe përqafimit sfidues të sekreteve të tjera qëndron në detaje shumë të vockla të asaj mënyre se si e bëni thirrjen e muzës. Njerëzit me mend e dinë: sekretet shiten. Në vitet e fundit, shumë karriera u ndërtuan mbi punë që, shpesh, duke luajtur me kodet e dizajnëve të rrallë modernistë, mbështeten mbi objektet e ngopura me dykuptimësi të punuara me mjeshtëri. Duke ushqyer audiencën me thërrime buke, një vepër e tillë sugjeron mundësinë e ndonjë sekreti të stërholluar, të fshehur diku në thellësitë e saj. Të mos e aktualizosh kurrë atë potencial – duke e bërë objektin të flasë – por në vend të saj ta ushqesh atë përmes heshtjes shprehëse, është mënyra më e sigurt për të siguruar suksesin e veprës brenda një ekonomie të mallrave të rralluara.

E kundërta e kësaj strategjie të rrallësimit është një praktikë e profanizimit, që, ndërsa duke mbajtur gjallë një sekret, edhe lejon për jouissance – gëzim dhe dhimbje – në zemër të këtij sekreti, që ta përhapë atë në gjithë gjënë e turpshme të tij. Ka diçka të zakonshme rreth sekreteve më ekzistenciale – të dashurisë, pushtetit dhe kënaqësisë: njerëzit përherë e kanë krijuar, pasur dhe marrë atë. Të gjithë pushtohen nga ethet. Por, pak do ta pohojnë se sa e zakonshme është ajo, – sepse, të ndash realitetin profan të sekretit të dikujt është ta shkatërrosh iluzionin e vlerës së,tij të rrallë – dhe të humbësh kapitalin që fitohet nga ajo, në dukje e veçantë. Është një pozitë antiekonomike, e qenësishme në humor dhe stil. Profanizmi i sekretit ndeshet , për shembull, kur zgjedhja e imazherisë pohon jouissance, duke theksuar leximin e kodeve historike për të qenë gëzimi i vrojtimit të një pamjeje epshore ose të një fallusi që shfaqet në pantallonat e dikujt aty – këtu.

Louise po dëgjonte në fakt një leksion prej një njeriu të vetëkënaqur.

Ka ardhur për mua dhe nuk e përmend emrin tim, mendoi e zemëruar.

E ndërpreu:

Perspektivën feministe e kam avancuar unë. Por si blasfemi. Merimanga ime i ka frymëzuar konceptualisht e vonuar.

Blasfemimi? Është më i lashtë.

Blasfemimi më i ri është më i rëndësishmi.

Dakord. Blasfemimi është ciklik. Zhduket për të rilindur. Si flora bakteriale e përbindëshave. Blasfemimi, pra, është një mënyrë që krijon një sekret tuajin, ndërton një univers të përditshëm rreth tij, përjeton atë botë dhe ndan gëzimet e dhimbjet e tij. Danai Anesiadou e bën këtë gjë në mënyrë të shkëlqyer si interpretuese në filmin X, A & M (2008); të cilin e krijoi në bashkëpunim me Sophie Nys. Në sekuenca solemne, artistja shfaqet e veshur me një pelush, por disi të ronitur; gëzofi përhap një pamje stoike në fytyrën e saj, duke shëtitur nëpër sallonet me ornamente të Nymphenburg Palace në Munich, ku Alain Resnais filmoi “L’Année dernière à Marienbad” (“Viti i fundit në Marienbad,” 1960), duke u ulur në një kanape me një partner në një dhomë mbushur rrëng me produkte të çuditshme shtëpiake në muzeun e surrealistit belg “Paul Delvaux” në Saint-Idesbald, dhe, përfundimisht, duke u shtrirë në një karrige dentisti, duke mbajtur hijshëm me një lëvizje që imiton gjestet e manekinit, duke paraqitur llambën e tij të ndriçuar, duke pasur parasysh Marcel Duchamp-in (1946 – 66) – një llambë kristali me ngjyrë. Copëzat e dialogut dhe muzikës nga “L’Année dernière ..”. formojnë fonogramën. Gjatë filmit, përjeton ligjëratën hermetike të kujtesave të të dashuruarve me atë të zhveshjes të atmosferës së rrallësuar, me anë të rivendosjes së sekretit të tij në kod: kodin profan material të gëzofit të ronitur, objektet skenike të surrealizmit shtëpiak belg : karrigia e dentistit dhe llamba e kristalit.

Ky është premtimi që përqafimi i të fshehtave mban për praktikën kritike të Artit Konceptual: premtimi i shkeljes së limiteve të kodeve të tij ligjëruese nëpërmjet të folurit të dy gjuhëve njëkohësisht, didaktike e asaj hermetike, të krijimit të formave të kundërhermeticizmit për të kundërshtuar hapur kodet hegjemonike, që e bëjnë kapitalizmin dhe strukturat klasore të punojnë dhe e banimit të botëve në të cilin jouissance (gëzimi dhe dhimbja) e sekreteve të dikujt shpërndahet përmes blasfemimit të tyre, duke e lejuar atë të tregojë se ju e pëlqeni atë në këtë mënyrë, më tepër sesa në atë: të fryrë, kryelartë, të ronitur, të mbuluar me qime, me lunga …

Mjaft më, gati ulëriu Louise. Ti po përmend emra të tjerë. Ke ardhur për të më harruar mua. Por ti je i kapur në pezhishkën e Marimangës time. Ti flet për sekrete të sekreteve. Ti s’flet për artin konceptual, por kinse për kritikën konceptuale. Ti po jep intervistë para meje dhe jo unë.

Ka një anekdotë humoristike që e permbledh këtë përqasje për të ndarë sekretet e jetës. Një burrë ecën në pab në Vladivostok dhe porosit një kafe

Befas, një gorillë shpërthen, i grabit kafen, lan topet e tij me kafe dhe del stuhishëm. Krejt i shokuar, burri pyet kamerierin: “Zotëri, a dini gjë pse gorilla lan topet me kafen time?” Kamerieri nuk mund t’ia shpjegonte, kështu që burri pyeti menaxherin, që gjithashtu nuk i dha shpjegim, por i tha atij të fliste me ata të bandës së mejhanes, meqë kanë përvojë në çështje të tilla. Dhe burri pyeti drejtuesin e bandës muzikore: “Zotëri, a dini gjë pse gorilla lan topet me kafen time?” “Jo, – u përgjigj muzikanti, – por nëse ju murmurini disa masa, jam i sigurt që ne nund t’i luajmë ato”.

Sipas jush Louise, muzikanti jam unë?

Muzikanti kuptonte diçka, ai që pyeste s’dinte asgjë. Majmuni që lante topet me kafe është shëmbëlltyrë e artit konceptual. Si nuk e kupton këtë?

Po Merimanga?

Majmuni dhe Merimanga janë metafora. Ose e njëjta gjë. Ose gjithçka. Ose asgjë.

Më falni Louise, kam respekt për ju. Duhet të keni respekt edhe për mua.

Ra një heshtje e rëndë post mortum.

Louise në poltron dukej e ngurosur.

Në sytë e saj ishte mllefi i mijëvjeçarëve, por edhe apotezat e vdekura.

Jan Verwoert pothuaj qe fundosur në divan.

Befas Louise foli me një zë të ndryshuar, paradoksalisht të butë.

Sa i ri që je. Tërheqës. Mjekra të bën ekzotik. Jam ende femër unë dhe i di këto gjëra. A je homoseksual?

Natyrisht që jam, shpërthen Verwoert-i.

E pikasa që kur hyre. Nuk mund ta kuptoj një artist, ose kritik arti që nuk është gay. Kjo është aksiomë. Biri im, nuk ka pse të keqkuptohemi. Nuk jemi aq të ndryshëm. Ti e maskon me mjekrën e kotë feminilitetin tënd. Vetëm vdekja është kundërartistikisht mashkullore. Vetëm asgjëson. Vdekja është mohimi im, jo ti. Vdekja s’na do ne, të dyve, na sfidon, na urren. Në vdekje s’ka art se aty arti nuk duhet. Përmendoret mbivarrore nuk janë të vdekjes, por të atyre që i bëjnë si toteme të gjoja përjetësisë, por që është limiti i egër i vdekëtarëve, edhe kur janë artistë. Vdekja matematikisht është zeroja. Artistikisht është zeroja. Biologjikisht është zeroja …

***

Në bisedën midis Louise Bourgois-ës dhe Jan Verwoert nuk pati dëshmitarë.

Në një ekran monitori në atë apartament të vetmuar dukej një vaginë e gjallë, që lëvizte buzët e saj vertikale, e filmuar nga Louise në 1953 tek një 18 vjeçare nudo në studion e Mark Rothko-së.

Kjo u quajt nga dashamirësit estetë të Louise-s si kryevepra e fundit e saj.

***

Intervista në fakt nuk u zbardh dhe nuk u botua kurrë.

Louise Bourgeois vdiq nga ataku kardiak në 31 maj 2010 në New York.

[Tiranë 3 qershor 2010]

Shënim: Autori nuk ka nevojë për prezantim – ose ndoshta po, për brezin e shqiptarëve të rritur larg Shqipërisë. Poet, prozator, eseist, kritik, historian, bibliofil, arkeolog dhe, mbi të gjitha, kurioz intelektual i pandreqshëm, Moikomi shkëlqen, prej dekadash, si prurës të rejash vendimtare në letërsi, albanologji dhe kulturë. Këtë tregim të pabotuar gjetiu ma ka dërguar për PTF, me ç’rast e falënderoj sërish. [2Xh]

Pa Komente

  1. Stili me terhoqi, tematika aspak, dmth stili terhoqi per flokesh tematiken, keshtu qe arrita ta perfundoj. Te ishte veper e gjate, nuk do e kisha lexuar.
    Per shkak te mendesise time etnocentrike, qe kozmopolitikisht perkthehet menjehere provinciale, kjo me duket si veper e nje autori te huaj e perkthyer ne shqip.

    Natyrisht une nuk mund te jem dot lexues i autorit, per shkak te humneres ne mendesi, humnere qe kapercehet vetem nga ato vepra qe arrijne statusin e klasikes e veshtire se autori do mund te arrije ndonjehere te behet klasik i letersise perendimore, megjithese sipas menyres sime ia uroj, sepse pas gjeneraleve, vezireve dhe perandoreve na duhet edhe ndonje artist, poet e prozator qe te mbylle qarkun.

    Ne fund kemi Luizen ex cathedra e sinqerisht me pelqen te besoj se eshte mendimi i vertete i Luizes dhe autori s’ka lidhje, perndryshe do te zhgenjehesha fort per shkak te dylekesise te paragrafit, ngjan si nje fije spangoje ku klishete lidhen si cironkat ne varg.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin